Agjencioni floripress.blogspot.com

2011/10/06

“Washington Post” zbulon emrin e kreut të Task-Forcës për hetimet e trafiqeve të organeve

Këto javë, një prokuror i BE-së do të udhëtojë drejt Shqipërisë për të hetuar akuzat se një rrjet kriminal ka shitur organet e robërve civilë gjatë luftës së viteve1998-‘99, në Kosovë. Kështu u shpreh një zyrtar për “Washington Post”, duke i pohuar prestigjiozes amerikane se hetimet për akuzat e raportetit të Këshilli i Evropës Dick Marty janë marrë seriozisht. E përditshmja përmend edhe deklaratën në Tiranë të kreut të EULEX, Xavier de Marnhac, i cili e shpalli planin në një konferencë shtypi në Shqipëri, duke thënë se Prokurori do të arrijë në javët e ardhshme. “Washington Post” shkruan se Marnhac nuk e ka identifikuar zyrtarin, por pritet të jetë amerikani John Clint Williamson, prokurori që do të kryesojë këtë Task-Forcë të ngritur për këto hetime. Në një raport të vitit të kaluar reporteri i Këshillit të Evropës, Dick Marty pretendoi se Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe komandantët e tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u ngritën qendrat e paraburgimit në kufirin e Shqipërisë me Kosovën, ku robërit civilë serbë u vranë dhe organet e tyre u shitën në tregun e zi gjatë luftës së Kosovës për çlirim nga barbaria e kasapit të Ballkanit Sllobodan Millosheviçi dhe torturave të çetnikëve serbë gjatë spastrimit të pastër etnik që zhvilluan në Kosovë, ku vranë mijëra shqiptarë. Marty e përpiloi raportin duke ndjekur akuzat për trafikim organesh në një libër të shkruar nga ish-kryeprokurorja e Hagës për krimet e luftës, Karla del Ponte. Thaçi dhe Shqipëria i kanë mohuar këto akuza. “Është në interesin e të gjithë rajonit që ky hetim të sjellë një përfundim të qartë dhe të qartësojë deri në fund këtë histori”,- tha De Marnhac. Ministri i Jashtëm shqiptar Edmond Haxhinasto u shpreh se “Ne jemi të sigurt që hetimi do të provojë falsitetin e akuzave dhe ne duam që ky kapitull të mbyllet një herë për të gjithë”. Hetimi në shtëpinë e verdhëve të Katucit është kthyer në një sagë të lodhshme tashmë. Serbët nuk heqin dorë nga kjo shtëpi, teksa përgjigjen më perfekte ua ka dhënë ish-përfaqësuesi i lartë i OKB-së për Kosovën, Bernard Kouchner në një intervistë dhënë televizionit zviceran TSR. “Ne ishim në dijeni për abuzimet, por ne kurrë nuk dëgjuam për trafik organesh. Ata kërkonin një shtëpi të verdhë dhe e gjetën një të kaltër”, kishte ironizuar Bernard Kouchner. I pyetur nga gazetari Darius Rochebin, rreth trafikimit të organeve, ish-ministri i Jashtëm francez filloi të qeshë, ashtu siç kishte bërë kohë më parë në Graçanicë kur u pyet nga një gazetar serb rreth shtëpisë së verdhë. Ai thotë se nuk beson dhe se asgjë nuk është vërtetuar, pavarësisht nga raporti i Martyt. “Kam lexuar raportin me kujdes, unë pres një hetim. Mikja ime Carla del Ponte, e cila tha se ishte në atë shtëpi të verdhë ku gjetën një shiringë… kjo nuk është serioze”, ka thënë Kouchner.

Kreu i EULEX-it takon ministrin e Brendshëm. “Të hapur për hetimet e akuzave për trafik organesh”

Nishani: Policia shqiptare ofron bashkëpunim

TIRANË- Në takimin që ministri Nishani pati me kreun e EULEX Marnhac u diskutua edhe mbi kryerjen e hetimeve lidhur me akuzat e paraqitura nga raportuesi i Këshillit të Evropës z. Dik Marti. “Lidhur me raportin e Dik Martit e sigurova kreun e EULEX se Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit do të ofrojnë bashkëpunimin e nevojshëm në mënyrë që një hetim i plotë nga autoritetet përkatëse të bëhet në mënyrë të tillë që qytetarët shqiptarë, por dhe i gjithë opinioni publik, dhe jo vetëm në Shqipëri, të kenë një informacion të saktë mbi këto hetime”,- deklaroi ministri Nishani. Ndërkaq, në Ministrinë e Brendshme u nënshkrua sot një marrëveshje teknike mbi bashkëpunimin policor me EULEX, Misioni i Bashkimit Evropian për Zbatimin e Ligjit në Kosovë. Marrëveshja u nënshkrua nga ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, dhe shefi i EULEX-it z. Xavier Bout de Marnhac. Nishani dhe Marnhac vlerësuan nivelin e deritanishëm të bashkëpunimit dhe shprehën bindjen se marrëveshja e nënshkruar do të konkretizojë arritje të mëtejshme. “Ju siguroj se bashkëpunimi i EULEX me policinë shqiptare do të thellohet më tej dhe do të japë edhe më shumë rezultate”,-u shpreh Nishani. Marrëveshja parashikon bashkëpunimin policor në fushën e kontrollit kufitar, luftës kundër trafiqeve, etj. 

No comments:

Post a Comment

Vdiç akademik prof.Fatos Mehdi Daci ,historiani dhe "mjeshtri i madh" i Dibrës

Me dhimbje të thellë njoftohet ndarja nga jeta e Fatos Mehdi Dacit , gazetari, historiani dhe Mjeshtri i Madh, një prej figurave më të shq...