POPULLI E DON ADEM DEMAÇIN NË BALLË TË KOSOVËS!
*** Tani, është momenti më oportun që i gjithë spektri politik dhe jopolitik i opozitës shqiptare në Kosovë, si dhe mbarë populli shqiptar i Kosovës, të ngrihej në këmbë, në protesta paqësore demokratike, duke kërkuar që Z. Adem Demaçi, të vihet në krye të Republikës së Kosovës. Hëpërhë ky është PRIORITETI politiko-strategjik, kombëtar dhe demokratik për të paqësuar gjendjen e brishtë politike në Kosovë. Ndryshe, do të vazhdohet “kënga e vjetër”: “Çka po i thotë Dema Kadrisë, nuk ia di renin burrnisë...”, Luftë për pushtet, përçarje, mashtrim, shfrytëzim, manipulime, vjedhje dhe korrupsion në kurriz të popullit dhe të Kosovës.
I lumtur dhe krenar është populli shqiptar i Kosovës, që pati fatin të ketë në gjirin e vet një kolos të kombit, të Shqipërisë Etnike dhe një demokrat dhe humanist të formatit evropian (lauret i “Çmimit Saharov”), Adem Demaçi.
Ndërkaq, të mjerë dhe fatzinj janë të gjithë ata, që në forma të ndryshme po bëjnë përpjekje (ashtu sikurse politika serbo-jugosllave), ta anatemojnë dhe ta njollosin figurën dhe veprën e Tij të ndritshme kombëtare shqiptare dhe evropiane, me qëllim të fundit, që t' ia mohojnë të drejtën legjitime dhe meritat e pakontestueshme, që të zërë postin e kryetarit të Kosovës.
Nuk ka asnjë dilemë se, vetëm armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm të shqiptarëve dhe të Shqipërisë Etnike, pa arsye, e urrejnë dhe, politikisht e kontestojnë Z.Adem Demaçi.
Paradoksi dhe flerti apolitik dhe antikombëtar
Qe 20 vjet me zhurmues dhe me shurdhues propagandistikë flertues: “Baca Adem, Baca Adem”, e me vepër: “Gazi alem, gazi alem”!!! – Karrigën e rujanë për vete, kurse Bacën Adem e “ngushëllojnë” me përralla, me tirada politike boshe, si dhe me predikime për demokracinë, për mirëqenien, për “reformat” ekonomike, për lirinë dhe për pavarësinë personalizuese dhe uzurpuese vetëm për kastat e tyre politike dhe më të pasura.
Këtë absurd dhe këtë paradoks amoral, apolitik, antidemokratik dhe antikombëtar, tanimë qe dy dekada e kanë kuptuar edhe çiliminjtë, lere më ata që e njohin, që e duan dhe që e kanë në shpirt dhe në zemër figurën dhe veprën madheshtore kombëtare shqiptare, Adem Demaçi.
Ja, kjo është “dashuria” dhe “devotshmëria” ndaj kryevlerës kombëtare shqiptare, Adem Demaçi!
Ja, kjo është makutëria dhe tradhtia në vepër për një kolltuk të butë, për një xhep evro, për një firmë, për një burektore, për një veturë...,etj., tanimë, qe 20 vjet me vetëdije dhe me pavetëdije e braktisën dhe e mënjanuan nga skena politike dhe shtetërore Z. Adem Demaçi, në mënyrë që të sundojnë dhe të pasurohen vetë, të rrojnë si princër në emër të reformave politike, ekonomike dhe demokratike, duke e lënë popullin me shpresa të vrara, të papunë, të pastrehë, pa ekzistencë, të uritur, pa mbikëqyrje sociale dhe shëndetësore, si dhe të vrafëruar më shumë se kurrë në historinë e tij të derisotme.
“Sa të lumtur që jemi”, shumica dërrmuese klientë të shoqtave të ndryshme humanitare, shumica skamnorë me strajca në krahë-refugjatë në atdhe, refugjatë jashtë atdheut, si pasojë e politikës së gabuar të regjimeve demokratike (që asgjë në praktikë nuk është demokratike, por vetëm deklarative dhe fiktive), që nuk e vrajnë mendjen për hallet dhe për problemet jetike të popullit, por për luftën e tyre për pushtet dhe, se si të pasurohen sa më shumë në mënyrë të paligjshme në kurriz të popullit dhe të Kosovës. Ky ishte dhe ende është preokupimi kryesor i tyre, jo populli as Kosova.
Në një kohë të shkuar, jo fort moti, kur ishim në zor, kur edhe hekuri digjej nga tirania dhe sundimi i egër kolonialist serbo-jugosllav, kush në burg, e kush jashtë burgut, në vend të psherëtimës dhe vajtimit, me guxim dhe krenari thërrisnim, o ku je, o Baca Adem, eja e na shpëto! E sot, çfarë ndodhi me ne, qe 10 vjet në paqe, kush na i mbylli sytë, kush na e qepi gojën dhe , kush na heshti, që të mos kërkojmë zgjedhjen e Bacës Adem për kryetar të Kosovës, sepse Ai vetëm aty, e meritonte të ishte në krye të Kosovës.
Pse hesht opozita?!
Tani, pas dorëheqjes së Fatmir Sejdiu (ish-kryetar i Kosovës) si rrjedhim i pazarllëqeve të fsheta të nëntokës politike, u hap një dritare e vogël dhe shpresëdhënëse për spektrin politik të opozitës shqiptare në Kosovë. Mirëpo, si duket, deri tani përfaqësuesit e saj, ende nuk janë të gatshëm dhe të vullnetshëm që të shfrytëzojnë këtë shans historik, që të dalin para popullit me kërkesën legjitime dhe demokratike, duke kërkuar që Z. Adem Demaçi ta zgjedhin drejtpërdrejt për Kryetar të Republikës së Kosovës, sepse Ai është i vetmi emër që e meriton postin e kryetarit të Kosovës, Ai është i vetmi personalitet që i plotëson të gjitha kushtet dhe kriteret e parashikuara që të jetë në ballë të Kosovës, askush tjetër.
Tash është në potez mbarë POPULLI dhe OPOZITA politike dhe jopolitike, t’i thonë padrejtësisë dhe ligësisë së deritashme, JO më kryetar të partive, por KRYETAR të POPULLIT. Kësaj radhe, me konsensus, POPULLI duhet ta zgjedhë KRYETARIN e vet dhe të Kosovës, Adem Demaçin, jo partitë, as të mëdha, as të vogla, sepse qe 20 vjet populli është ngopur me kryetarët e tyre të dështuar. Ata, asgjë nuk kanë bërë për përmirësimin e gjendjes ekonomiko-politike dhe shoqërore të mirëqenies së popullit, por vetëm për interesat e tyre egoiste dhe karrieriste si dhe për interesat e partive të tyre, në emër të popullit, dhe të demokratizimit të Kosovës.
Këtë mjerisht e provon varësia ekonomike, nënshtrimi dhe shfrytëzimi ekonomik, material, financiar, papunësia afro njëmilionshe, mjerimi social, varfëria, ekzodi..., etj. Me kryetarë të tillë të dështuar të deritashëm nuk mund shkojë më tej zhvillimi dhe përparimi i përgjithshëm i Kosovës, por do të shumohen, do të zhvillohen dhe do të pasurohen vetëm partitë dhe bartësit e tyre në llogari të popullit dhe të Kosovës.
Merita më e madhe politike e kryetarëve të deritashëm të Kosovës, së bashku me “grupet kontaktuese”, me qeveritë dhe me kuvendet e tyre, është statusi i pazgjidhur i Kosovës Veriore, si dhe njohja e statusit të pavarësisë së kushtëzuar të mbikëqyrur të Kosovës.
Po qe se, sa më parë të jetë e mundur, nuk zgjedhet kryetar i Kosovës, Z. Adem Demaçi, atëherë, nuk ka asnjë dyshim se, zhvillimi i dialogut të ardhshëm me Serbinë nën patronazhin e BE-së etj., do të sjellë në gabime fatale politike të “timonierëve” të Kosovës.
Heshtja, oportunizmi, keqkuptimi dhe keqinterpretimi i kësaj teme të nxehtë (për interesa të ndryshme politike dhe propagandistike partike etj.) në interes të përgjithshëm të popullit, të lirisë, të pavarësisë dhe të sovranitetit të Kosovës, nënkupton kapitullimin dhe dështimin tonë kolektiv politik, kombëtar, dhe shtetëror përpara padrejtësisë njëzetvjeçare politike, juridike dhe kushtetuese ndaj Z. të lartnderuar Adem Demaçi.
Prof. Dr. MEHDI HYSENI