Tregim Nga Robert GORO
- Më jep diçka për të pirë, - tha, - Si u gdhive, - shtoi pastaj.
- Si muti! -, iu përgjigja.
Qemë ndarë para tri orësh, e kishim gdhirë duke pirë dhe në çastin që Genci i pat rënë ziles, sapo më kishte ardhur, - pas shumë mundimesh e me poaq zbrazje zorrësh, - gjumi.
Shkova në kuzhinë dhe kërkova te dollapi nën lavapjatë, gjë prej gjëje! Dhe, nëse kishim ndaluar më pesë e gjysmë, ishte se përtonim të shkonim për të blerë pije të tjera.
Mbi lavapjatë s’di nga kish rënë një shishe me uthull, deri te gjysma. E zbraza në një gotë, i hodha dy lugë sodë buke dhe e përzieva. E provova. Bukuri!, si vera “Adriatik” qëmoti...
- Po ti? – pyeti Genci duke marrë gotën.
- Kaq kishte mbetur.
Sa të mbaroja fjalën, e kishte tharë gjysmën e gotës. E la mënjanë, dhe hapi çantën.
- Ç’janë këto? – pyeta me sy të shqyer.
- Të miat... Ose më mirë, tonat.
Çanta ishte plot me pako pesëmijë lekëshe.
- Hajvan!... Mos më thuaj se i ke vjedhur!
- Ça fantazie paske!, - qesëndisi.
Piu pak verë dhe vazhdoi.
- Mos ki frikë, i kam fituar me djersë. Pse kujton se shkova në Greqi?
- Di unë, për qejf më the...
- Kalova pesëdhjetë kile bar...
- Bar?... Hashash!? E thua me gjithë mend:
- Po, ishte punë e thjeshtë fare, për dy minuta nxorra dy milionë dhrahmi.
- Genco, a e di ç’të pret po të kapën?
- Ishte hera e parë dhe e fundit, të betohem!
- Nejse, ajo është puna jote. Por mos të të rrejë mendja se mund t’i mbaj këtu këto para.
- Do t’i mbash, se do të bëjmë një biznes bashkë.
- Falemnderit, po s’kam nevojë!
- Është biznes i ndershëm dhe me shumë leverdi.
- Të thashë jo! Hajde, mbaro verën dhe zhduku, se dua të fle!
- Po iki, - tha, - por do të vij prapë. Paret po t’i le këtu. Grisi, digji, flaki nga dritarja, në daç, futi te Sudja. Po më mirë mbaji, pse do të na duhen!
Dhe u ngrit.
- Dale!, - i thirra, - Ku shkon, çfarë biznesi është?
I shkoi buza vesh më vesh.
- Do të të them, po prit dy minuta, të shkoj të marr një shishe.
Futi dorën në çantë, tërhoqi ca kartmonedha dhe doli.
Prej një viti e kisha bërë shtëpinë kuplara. Prindërit kishin ikur prej tre vjetësh në Greqi, si shumë të tjerë. Babai, tornitor me të gjashtën, kishte gjetur punë menjëherë, mamaja bënte punën që bënin gjithë shqiptarkat në Greqi, pastronte shtëpitë e grekëve. Fitonin mirë dhe më dërgonin çdo muaj nga pesëdhjetë mijë dhrahmi. Siç i merrja, ashtu dhe i lija nëpër bare e pijetore. Deri kur kisha njohur Gencin, në bar America, një natë janari kur deri në mëngjes kisha bërë tym, ose më mirë kafe e konjak, 60 mijë lekë. Po pinim kafe dhe fërnet tek Çimi, përbri hotel Dajtit dhe po i enjtja bythën duke i rrëfyer historitë e jetës sime. Genci më pat ndërprerë dikur për të më thënë se ishte gjynah t’i lija paret lokaleve, kur kisha alamet shtëpie në dispozicion. Me paret që harxhoja për një natë, mund të kisha pije për një javë të tërë e të bëja dhe qejfin tamam. S’qenkësh ide e keqe, mendova pas ca javësh, kur pashë me habi se ende kisha në xhep para nga kuota mujore. Shkollës ia kisha varur fare. Kush ia kishte ngenë mësuesisë... E bëja jetën siç më vinte dhe, kurdo që të vdisja, do të vdisja i ngopur. Shtëpia – shtëpi, paraja – para e dafllaku sheshit. Ç’ të kërkoja tjetër nga jeta?
I thashë me zë fjalët e fundit, tek u ngrita t’i hapja derën Gencit, që hyri me një shishe Jack Daniels në dorë.
- Hajt, - tha duke trokitur gotën, - Na vaftë mbarë!
- Prit, më parë më thuaj përse është fjala.
E ktheu gotën me eks dhe e mbushi përsëri:
- Prandaj erdha, ç’kujtove?
Nxorri nga xhepi dy paketa cigare, Davidof për vete, Royal për mua.
- Unë do të ve paret, ti talentin. Do të bëjmë filma.
Regjisura ishte pasioni im i vetëm që flinte nën avujt e alkoolit.
- Me pesë milion lekë?... Ato s’dalin as për bobina!
- S’është nevoja për bobina, do të xhirojmë me videokasetë. Filma pornografikë.
Më vinte ndoht nga filmat pornografikë dhe më tepër më pështiroseshin krijuesit e tyre, që më ngjanin të gjithë me pederë.
- Ah, jo! Të falemnderit! Është punë që s’bëhet!
- Çdo punë bëhet kur të sjell para! Bleva një video profesionale, do t’i shumëfishojmë kasetat e do t’i shesim. Tek e fundit askujt nuk do t’i dalë emri. A e di se sa shitet një kasetë porno? Njëzetë, tridhjetë mijë lekë. Le që do t’i sheshim dhe jashtë. Jam lidhur me një grek, tre milionë dhrahmi për çdo film na jep. Do të bëhemi pasanikë plako, e do të kemi një qerre me femra nën hyqëm. Punë pa zarar e me qarr të madh, më beso!
- Thashë, jo!
- Nuk mund të thuash jo! Ç’më the për hashashin, po të më kapin?... Kujton se nuk e dija rrezikun, kur pranova ta çoj në Greqi? Mirëpo e bëra vetëm e vetëm pse kisha këtë qëllim, të mbledh pare që të fillojmë biznesin me filmat. Kam dashur prej kohësh të ta thoshja, mirëpo, pa para...
Po më thyente.
- E kush do të jetë ajo femër që do të pranojë të zhvishet e të shkërdhehet para kameras?
- I kam menduar të gjitha. Do të vemë një njoftim në gazetë, thjesht, “kërkohen aktore amatore”. Do të vijnë 50, 100, do t’u themi të na recitojnë diçka, do t’ua vemë syrin disave, atyre që ia bëjnë “mu”, do t’ua themi me marifet. Kush nuk pranon po t’i japësh njëmijë dollarë... Tre – katër do të dalin patjetër, do të të luten madje, ta jap me firmë!
Vaftë në të sëmës! Shtrënguam duart dhe u sulëm t’i nxirrnim fundin uiskit.
Për t’u mbyllur gojën komshinjve, në hyrje të pallatit vumë një tabelë me mbishkrimin “G & B Film”. Ditën e parë, sapo doli njoftimi, erdhën 23. Shumica qenë për t’u prerë kokën. Por kishte dhe ca gërdalla, që i rrente mendja se me gjithë vitet që kishin mbi kuriz, e sfidonin Pamela Andersonin. U bënim nga një plan me kamera, kur ato recitonin diçka. Punoja bashkë me Fred Çipinin, që kishte kryer një kurs për kameraman në Gjermani dhe ishte kthyer me ëndrrën që të hapte një televizion privat, natyrisht, kur ta lejonte ligji. Fredi ishte i domosdoshëm, jo thjesht për shkak të profesionit, se sa për shkatë e kripura që më bënin të harroja brerjet e ndërgjegjjes. Sepse hera-herës, më hante përbrenda, mendoja se nuk kishim asnjë të drejtë t’i mashtronim ato krijesa të pafajshme, të cilat shtynin derën e shkallmuar të apartamentit tim, me një ndjenjë sikur po kapërcenin pragun e Hollivudit. Do të merrni përgjigje te Çimi, u thoshnim dhe ato largoheshin me bindjen se nesër, e shumta pasnesër, do të gdhiheshin yje kinemaje...
Protagonistja e parë erdhi vetë. Ishte 25 vjeçe, dy metra e lartë, që patjetër të detyronte t’ia ngulje sytë vjedhurazi kur ecte rrugës. Vithet e bukura gati sa s’plasnin nën shtrëngimin e minifundit të zi prej lëkure. Dekolteja, - ç’dekolte, e kishte të çarën gjer në kërthizë-, i nxirrte jashtë gati gjithë gjoksin, me sisët e mëdha si t’i kishte mbushur me silikonë. Fytyra e gdhendur vezake, dukej aq engjëllore dhe e zbehtë, nën kurorën e flokëve të verdhë, dhe sytë çapkënë, me një shkëlqim të lëngët, tregonin se ajo ishte një vajzë mjaft e sigurt për jetën e vet.
- Më quajnë Stela!-, tha sapo hyri.
- E dimë -, ia preu Fredi.
- Nga e dini, njihemi?
- Jo, po një alamet femre si ti, vetëm Stela mund të quhej...
Qeshi me gjithë shpirt dhe i vezulluan dhëmbët e rregullt e të mëdhenj, të bardhë si dëbore.
- Stela, mirëseerdhe! -, i zgjata dorën, - Moa ia ve re Fredit, është shakaxhi i madh.
- No problem!-, tha duke marrë një cigare nga paketa mbi tavolinë.
Kishte kaluar mbi një javë nga publikimi i njoftimit, më shumë se 80 femra kishin ardhur për audicion dhe asnjerës nuk kishim guxuar t’i tregonim të vërtetën. Dita-ditës, besimi po më fashitej dhe kisha një parandjenjë se do të ndodhte diçka e keqe, diçka që ndërkaq nuk mundja assesi ta përcaktoja. Genci, që mund të më ndihmonte, ishte nisur përsëri për në Greqi, sigurisht, me ndonjë thes tjetër hashash. Fredi ishte vetëm për fjalë, ndonëse bënte shaka krejt të pacipa me kandidatet, - të cilat i përgjigjeshin po në mënyrë të pacipë, duke e menduar këtë si një rregull të pashkruar; - Fredit pra i kyçej goja t’u thoshte një fjalë për punë të filmit. Dhe dy-tri nga ato kishin qenë vërtetë protagonistet që kërkonim.
Vendosa të hyja drejt e në temë:
- Stela, ti ke ardhur për filmin, apo jo?
- Natyrisht!, - u përgjigj duke më ngrënë me sytë e saj zhbirues, - Ku ta dija se do të gjeja këtu djem kaq të mirë; ata që bëjnë filma i përfytyroj, nuk di pse, nga gjashtëdhjetë vjeç e lart.
Po skuqesha.
- Puna është se filmi, si të ta them, është disi i veçantë... Ka disa skena...
- Pornografike?
- Eh, po!
- E kisha marrë me mend, - tha buzëgaz, - me gjithë këta aktorë të papunë në Tiranë, s’kishit pse kërkonit amatorë.
Mori një cigare tjetër.
- Sa paguani?-, pyeti duke e fryrë tymin drejt fytyrës sime.
- Njëmijë dollarë.
U mbyt, u kollit, sa i dolën sytë vendit.
- Njëmijë dollarë? - tha kur u qetësua.
- Po, njëmijë dollarë.
- I ke këtu?
Vura mbi tavolinë tri pako me dhjetëmijëshe. Një milion e pesëqind mijë lekë.
- Paratë e dy vjetve për një të zhveshur, - tha e menduar pa i hequr sytë nga tufat e parave. - Dakord, - tha pastaj, - vetëm se duhet të pyes të dashurin tim.
- Të dashurin tënd?!... E ç’hyn i dashuri këtu?
- Duhet, për të qenë ju të mbrojtur, se mua s’ka ç’më bën. Keni dëgjuar për Magnumin?
Ishte një nga kapot më të rrezikshëm të vendit. Kishte bërë ca vrasje në Itali, dhe prej vitesh e kërkonte Interpoli, por ai kapardisej mes Tiranës; mbante gjithmonë me vete një Magnum, prandaj dhe e thërrisnin kështu; ndoshta dhe ai vetë e kishte harruar emrin e vërtetë.
- Harroje atëherë!, - ia preva pa u menduar.
- Jo, dua ta bëj, por duhet t’i them, kuptomë! Ai s’ka për të pasur kundërshtim, bile do t’i bëhet qejfi, jam e sigurt! Por gjithsesi, duhet ta ve në dijeni.
- Po mirë, vendos ti vetë...
Dhe i futa prapë paratë në sirtar.
U ngrit. Ndjeja keqardhje që po ikte, por këtë, natyrisht, nuk mund t’ia thoshja.
Bëri një grimacë sikur më shkeli syrin e u nis për te dera.
- Stela! -, thirra. Qëndroi pa kthyer kryet.
- Stela, duhet të të them dhe diçka tjetër, - dhe i shkova pranë: - Nuk është se vetëm do të zhvishesh, do të ketë edhe disa skena... më hard, më kupton?
- Sigurisht që të kuptoj, - tha e qetë, - ndryshe do të ishte film erotik e jo pornografik... Mos ki merak!, - shtoi, - i kam marrë parasysh të gjitha, vetëm se duhet t’i them Magnumit.
Dhe doli. Ndërsa mua më bëhej se vazhdonte të sillej nëpër dhomë, si një efekt i komplikuar kinematografik.
Erdhi po atë pasdite:
- Çdo gjë në rregull, - tha, - kur duhet të fillojmë?
- Po deshe, qysh tani.
- Kush do të jetë partneri?
U stepa për një çast. Pastaj, duke u përpjekur të ngjaja sa më i natyrshëm, i thashë: - Unë.
- Ma kishte marrë mendja dhe, që të jem e sinqertë, më pëlqente të ishe ti partneri.
Fjalët e saj më tronditën. Jo pse i shprehu Stela, por pse shi në atë çast e kuptova se unë nuk mund ta bëja dot atë rol. Më dukej vetja një lloj pushti dhe nëpërmenda neverinë që ndjeja për filmat pornografikë. Më tmerronte mendimi se tani do të isha unë objekt i neverisë sime. Dakord, ta bënim filmin, përderisa do të nxirrnim para, por të luaja edhe vetë, kjo shkonte shumë...
Mirëpo, nga ana tjetër, s’kisha nga t’ia mbaja. E dija se krijuesit e filmave pornografikë prezantoheshin vetëm me pseudonime, të njëjtën gjë do të bënim dhe ne. Mirëpo, unë isha si parja e kuqe në gjithë baret e Tiranës, më njihnin, të paktën si surrat, shumë njerëz. Si do të përballesha me ta. Dhe sidomos, ç’do të mendonin ata për mua. Të qenë thjesht skena erotike, do ta ndieja veten të nderuar. Skenari që kisha shkruar më pëlqente, ishte një përsiatje rreth dashurisë së vërtetë dhe seksit me pagesë në shoqërinë e konsumit. Mirëpo, i konceptuar si një film me pretendime ideo-artistike, nuk do të kishte asnjë vlerë. Duhej servirur i mbytur në një salcë pornografike. Por unë kisha shumë arsye që mos ta gatuaja atë salcë. Dhe kisha dhe një arsye që më detyronte të veproja kundër vullnetit e dëshirës sime. Kisha bërë një marrëveshje me Gencin dhe nuk mund ta shkelja, aq më tepër që kishim një fitim të garantuar.
Stela ndërkaq kishte mbaruar punë me leximin e skenarit. Fredi do të bënte edhe punën e grimierit e të parukierit, por Stela, si të kishte gjithë jetën aktore, i kishte marrë vetë të gjitha masat.
Krejt lakuriqe, vetëm me një këmishë timen hedhur dosido mbi trup, vuri kutinë e makiazhit mbi lavamanin e banjës dhe u përqëndrua e tëra tek pasqyra.
- Të kam zili!-, më foli Fredi tek po lëvizte nëpër dhomën e gjumit, në kërkim të pozicionit më të përshtatshëm për prozhektorin.
Nuk i fola, pse po vrisja mendjen si do të isha në rol.
- Nuk i paska ka të lyera flokët, qenka bionde natyrale,- vazhdoi Fredi avazin.
- Nga e ditke ti?
- Nuk ia pe leshin?
Stela ishte zhveshur pa zor, para syve tanë, por unë nuk kisha guxuar ta vështroja.
Në vend të trurit kisha një lëmsh të ngatërruar, gjithë nyje të mëdha. Kur Stela erdhi më në fund e u shtri në shtrat, provokuese dhe epshndjellëse, unë e kuptova arsyen e vërtetë të turbullimit tim: nuk mund të bëja seks në prani të të tjerëve, qoftë Fredi, apo dhe vetëm kamera.
- Oh, nonën!, - thirra, - Nuk e bëj dot!
- Çfarë nuk bën dot?,- thanë të dy me një gojë.
- Nuk mund ta luaj rolin.
- Futja kot! – u zgërdhi Fredi, - lavdi Zotit, nuk je dhe peder!
- Jo, Fred, nuk mundem! Duhet të gjejmë një protagonist tjetër. Duhej ta kisha menduar qysh në fillim. Nuk mund të bëj seks në këtë mënyrë.
Stela u ngrit ndenjur dhe veshi këmishën.
- Mos nuk të pëlqej unë, mos nuk të ndez?
- Më ndez kaq shumë, sa më djeg të tërin, por, si të ta shpjegoj... E pranoj, jam rrotë, por nuk mund ta bëj!
Nuk më bëhej vonë se çfarë mund të mendonin Stela me Fredin, nuk jepja një dysh se çfarë do të thoshte Genci. Kisha gabuar, kur mora përsipër edhe rolin e protagonistit, më mirë të gjenim një tjetër, do ta paguaja nga pjesa ime. Nuk më tërhiqte asgjë në këtë histori. Dhe sidomos nuk më tërhiqte Stela, që dukej si një bishëz e pambrojtur ashtu e habitur dhe këmbëkryq mbi shtrat.
- Po sikur ta bëjmë ndryshe? – tha Fredi.
- Si do ta bëjmë ndryshe, do të luash ti?
- Ku ta kisha atë fat, por s’kam kujt t’i le kameran. Pse mos ta bëjmë vetëm me Stelën?
- Si?
- Stela, të pëlqen të masturbohesh?
- Dikur, aty nga viti i dytë gjimnaz jam masturbuar për herë të fundit, - tha Stela duke nënqeshur, - Lavdi zotit, qysh atëherë nuk më munguan më partnerët.
- Fredo, je i madh!- thirra me një entusiazëm të shtirë.
Filluam të xhironim. Unë bëja thjesht punën e suflerit, i kujtoja Stelës ato pak batuta që duhej të thoshte dhe nuk kishte fare nevojë ta drejtoja unë si regjisor. E mundonte dhe e ledhatonte trupin e saj kaq natyrshëm, a thua se s’kishte askënd tjetër në dhomën e saj të gjumit.
Mbaruam pas dy orësh. Stela u fut të bënte banjë.
Fredi ngriti gishtin e madh: Ke të paktën 90 minuta film. Ishte fantastike. Gjynah që e le thatë...
Nuk ndjeja asnjë lloj pendese. S’kisha humbur ndonjë gjë të madhe, nuk kisha humbur asgjë. Stela kishte Magnumin e vet dhe mua, një teke më shumë apo një më pak, as më ndreqte as më prishte punë, - po përpiqesha të bindja veten.
I dhashë paratë Stelës, i futi në çantë pa i numrëruar.
- Gjithsesi u ndjeva bukur, - tha, - kur do të dali filmi?
- Nuk e di me saktësi. Duhet bërë montimi, muzika... Nëse kemi përsëri nevojë, ku mund të të gjejmë?
Shkruajti diçka te paketa ime e cigareve:
- Ky është numri i komshijes, mund të lini porosi tek ajo...
Kur e pashë filmin të përfunduar, më pëlqeu, ndonëse nuk kishte asnjë shenjë nga skenari im. Stela ishte një aktore e shkëlqyer dhe kur të gjenim partnerin, mund të realizonim edhe skenarin tim.
Genci erdhi drejt e nga aeroporti.
- Nuk më durohet!, - thirri që tek dera, - Pa të shohim se ç’kryevepër keni bërë.
Shtypa pultin dhe në ekran doli sigla “G & B Film”.
- Oooh, - tha i eksituar Genci, - Mrekulli!
Në çastin që filloi sekuenca e parë, me Stelën cullak mbi shtrat, nuk di si u gjenda për tokë me nofull të shkalafitur. Në fillim ndjeva shijen e gjakut në gojë, pastaj gjuha shkoi vetvetiu tek një boshllëk në mishrat e dhëmbëve. Një palë shkelma më goditnin me tërbim në gjithë trupin. Fare turbull arrita të shquaj sytë e shqyer të Gencit dhe grushtin e tij që si vare po vinte drejt fytyrës sime. U shmanga dhe futa kryet mes duarve.
- Genco, ç’pate? – munda të bërtas.
Nuk fliste, por vazhdonte të më godiste ku të mundte. Gjeta pak forca, u ngrita në gjunjë, i mbështolla një grusht sa më doli krahu vendit, ra për tokë dhe iu hodha përsipër me gjithë peshën e trupit. Ia lidha duart mbrapa dhe vura gjunjtë mbi to.
- Genco, po të pyes, ç’pate? – thirra përsëri.
- Shkërdhatë muti! Bythëqirë! Ajo është motra ime!
1996-2007
Ilustrimi: Robert Henri (1865-1929): Nudo
No comments:
Post a Comment