Agjencioni floripress.blogspot.com

2011/10/08

Ngadhënjim mbi fatin



Një portret për Eglantina Kumen


Nga Odhise Goro


E pashë kalimthi. Kishte hedhur pelerinën e muzgut, mbi supet e saj të brishtë. Mes shiut athinas. Pas turra-vrapit të ditës së lodhshme. Sytë e zmadhuan më tepër bebëzën, aty te xhami i autobusit, të mbuluar me avuj. Nuk më vuri re. As kur e përshëndeta me dorë. Nën çadër, priste te stacioni “Kalimarmaro”, ku rruga bën bërrylin dhe merr përpjetë “Pankratit”, ku banon prej shumë vitesh me familjen e saj. Kush e di ç’mendim i bukur ia rëndon kokën, që e mbante të përkulur pakëz majtas. Edhe fytyrat engjëllore i mbulon trishtimi... 

Si ky shi i dendur, binte edhe në atë muzg të shkuar, në atë dimër verior. Ne, ushtarët, dolëm nga kaparoni me mure-trungjesh të trashë, të mbushur nga brenda me baltë. Shiu godiste llamarinat, siç donte ai. Ne veç dëgjonim... 

Gëzimin e ndjenim që larg, se na duhej gëzimi, më shumë aty, ku edhe natyra na e egërsonte më tepër jetën. Ngritëm jakat e kapotave të murrme të ushtarit dhe u ulëm në fund të koçekut, të pa zënë nga kallinjtë e misrit. Para nesh: autokinemaja e korpusit. Te bezja e bardhë, do të shfaqej filmi. Nuk e dinim titullin. Edhe komisari, që na moralizoi për rolin edukues të filmit, nuk e përmendi titullin. Sytë tanë ishin të mbërthyer te ekrani. “Ngadhënjim mbi vdekjen”. E ndjeva veten sikur të isha brenda lëvizjes së personazheve të filmit. Vetëm kryeaktorin njihja. E kush nuk e njihte të madhin Naim Frashëri?! Një histori e tërë, shfaqej aty para nesh. Dy heroina, vajza trup-njoma, përballë torturave të gjermanit. 

“Bravo Egla!”- u dëgjua zëri i shokut tim që kisha në krah. Atëherë e pashë veten se nuk isha mes atyre personazheve, por aty i ulur mbi kallamishtet e misrit, me jakën e kapotës së ushtarit të ngritur, për t’u mbrojtur nga të ftohtit.

“Bravo, Egla!”, foli edhe një herë shoku im, që kisha në krah dhe, pastaj heshti. Dy heroinat e filmit ishin Bule Naipi nga Gjirokastra dhe Persefoni Kokëdhima, nga Himara ime. Heroizmi i tyre ishte i pashembullt. Edhe Çerçiz Topulli, u drodh nga bronzi, kur pa të vareshin ato sorkadhe në degët e rrapit, duke thënë fjalët e fundit për lirinë e Shqipërisë. Edhe rrapi i moçëm, kërciti, si të çahej nga rrufeja, kur ndjeu litarin e vdekjes së dy vajzave, që do të jetonin nëpër vite, bashkë me kohën...

Aktoret-heroina ishin, me moshë të njëjtë: Bulja - Eglantina Kume dhe Persefoni - Edi Luarasi. 

“Bravo, Egla!”, foli përsëri shoku im nga Durrësi, sa mbaroi filmi. I kam akoma të freskëta ato orë diskutimi, kur shoku im, ushtar, më tregoi për shoqen e klasës së shkollës “Naim Frashëri”, që ishte bërë artiste. 

Egla, vajza e një oficeri, të pasionuar për letërsinë e artin. Ishte ai, që ia rrënjosi dashurinë për skenën, duke e lejuar dhe inkurajuar vajzën e talentuar. Veç Durrësit të bukur bregdetar, vajza-artiste, kishte dashuri edhe për Peshtanin e Tepelenës, nga ku vinte i ati... dhe, akoma më larg, nga Suli i Marko Boçarit. Në shkollë recitonte poezi. Sikur ishte e prerë për t’u marrë me artin. Shkëlqente në veprimtaritë që organizonte shkolla. Në vitin 1966, regjisori Pirro Milkani, po xhironte në Durrës filmin “Dueli i heshtur”. I duhej një vajzë e re për një rol episodik, si të fejuarin e një marinari. Erdhi në gjimnazin tonë dhe, syri i tij i pagabueshëm, zgjodhi Eglën. Kështu u hap shtegu i artit. Nuk do të vononte shumë dhe i erdhi ftesa për kinoprovë. Po përgatitej filmi “Ngadhënjim mbi vdekjen”, me regjisorët Pirro Milkani e Gëzim Erebara. Ishte mes pesëmbëdhjetë vajzave. Roli ishte i vështirë. E thirrën përsëri pas një muaji. Fitoi për të luajtur rolin kryesor të Mirës-heroinë (Bule Naipit). Ishte 18 vjeçe kur mori rrugën për në Gjirokastër, në sheshet e xhirimit. Aty ishte edhe Edi Luarasi, gati dyfishi i moshës së saj. Bashkë flinin në dhomën e hotelit, bashkë xhironin dhe së bashku kalonin edhe kohën e lirë. Edi ishte si motër e madhe e Eglës. “Oficeri gjerman”-Naim Frashëri, ligështohej, kur e “torturonte” atë trup të njomë, por njëherësh i jepte nga arti i tij i madh. 

Pas suksesit të padiskutueshëm te filmi “Ngadhënjim mbi vdekjen” erdhi suksesi tjetër, konkursi për Institutin e Lartë të Arteve, në degën e dramës. Kujtim Spahivogli, pedagogu madhor i Institutit, tepër i kënaqur nga konkurrentja durrsake u shpreh: “S’kishte notë më të lartë, se po të kishte do t’ia dhuroja Eglës, me shumë bujari!”

Kursi, në të cilin ndoqi studimet vajza e talentuar Eglantina Kume, ka mbetur në historinë e Institutit, një kurs i veçantë, se në atë brez shkëlqyen artistët Agim Qirjaqi, Justina Aliaj, Josif Papagjoni, Bujar Lako, Klaudeta Llogori (Riza), Astrit Çerma, Fatos Sela, Olimbi Kondo, Pandi Siku, etj., që lanë gjurmë të pashlyera në skenë e në ekranin shqiptar. 

E mbaj mend, Eglantinën, studente të vitit të fundit, duke interpretuar në mbrojtje diplome “Madamë Hi-hi”, te drama “Moshe e bardhë” e Dritëro Agollit, kurse te komedia e Shekspirit “Shumë zhurmë për asgjë”, ajo realizoi, me shumë finesë, rolin e Eros. Më pas, Eglantina, u aktivizua te filmi “Yjet e netëve të gjata”, “Lugina e pushkatarëve”, “Zemra që nuk plaken”. 

Eglantina Kume, e diplomuar aktore në vitin 1972, i takon brezit të parë të TVSH, si drejtuese e programeve artistike dhe regjisore e emisioneve për fëmijë. Pas Plenumit të 4-t të KQ të PPSH, ku u dënuan Todi Lubonja, Mihallaq Luarasi etj., Eglantina Kumen, në kulmin e krijimtarisë, e larguan nga TVSH, me motivacionin “për shkurtime në organikë”. Pas shumë vështirësive, gjeti punë si regjisore montazhi, në Kinostudion “Shqipëria e Re”. Aty mori fund edhe ëndrra e saj, për të ecur në udhën e bukur të artit, që e kishte nisur aq suksesshëm, qysh kur ishte nxënëse gjimnazi. 

Krahas vështirësive në punë dhe lëndimeve shpirtërore, lodhjeve dhe angazhimeve si bashkëshorte e nënë, i ra një goditje e rëndë: iku nga jeta, babai, njeriu i saj, që e kishte mbështetje dhe adhurim. Me pikëllim e qëndresë, vazhdoi luftën me fatin, duke u rropatur, sa nga puna në shtëpi, ku e prisnin me padurim, dy fëmijët e mitur.

Ndryshimet shoqërore në Shqipëri, nuk i mbajtën ndezur shpresat e intelektualëve dhe artistëve. Dëshpërimi u bashkua edhe me pamundësitë ekonomike. Papunësia, nuk të linte të jetoje, pa le të ëndërroje e të bëje art. Shpirtrat e artistëve ishin vrarë. Fatmiri, i shoqi, muzikant i diplomuar në Akademinë e Arteve, se nga e mori vesh se në Athinë do të ngrihej një orkestër me emigrantë. Me mundime siguroi një vizë dhe, me trompën në dorë, u nis për në Greqi. Por nisi shpejt zhgënjimi: Nuk kishte nevojë për vegla fryme, donin harqe. I duhej të kthehej. “Mos u kthe, Fatmir, se Helio, nuk ka asnjë pikë qumësht për të pirë. Po ha përshesh me çaj!”. Nuk jetohej më në vendin e ëndrrave të vrara. Në pasaportën e vjetër të Eglës, mund të gjesh datën 27. 3. 1991, kur ka kaluar kufirin për në “Tokën e premtuar”. 

Ato ditë e takova, rastësisht, të veshur me rroba të zeza. Pak kohë kishte që i kishte vdekur i ati. Udhëtonim të dy, për herë të parë, për “jashtë shtetit”, në të njëjtin autobus të linjës Janinë-Athinë. Në ndenjësen e përparme, ngjitur me derën, isha unë, gruaja dhe djali ynë pesë vjeç. Në ndenjësen, pas nesh, Eglantina me Helion, djalin pesë vjeç dhe me Migenin, vajzën gjashtëmbëdhjetë vjeçe, që mbante kokën mbështetur te supi i së ëmës. Me vete mbante edhe violinën. E gjithë familja u bashkua në njërën nga dhomat e hotelit “Eksarqia”. Aty, pronari qipriot, tregoi zemërgjerësi e mikpritje, duke i mbajtur për katër muaj, familjen e artistëve shqiptarë. Por emri i emigrantit e errësonte emrin e artistit. Punët e rëndomta të mbijetesës u bënë të detyrueshme edhe për Eglantinën. Pa asnjë mundësi rikthimi në art, ajo e derdhi shpirtin në vargjet poetikë. Të shumta janë prurjet e saj në poezi e në prozë, me disa libra të botuar, ku mund të përmenden: “Dy pika qiell”, “Lajtmotiv”, “Mos”, “Poezi”, “Rrëfimet e Athinës”. 

Si një ylber shprese në shi, ishte roli që realizoi te filmi seria televiziv grek “Dashuria erdhi nga larg”, i regjisorit me emër, Manuso Manusaqi. E veçanta e Eglantinës është se në gjithë krijimtarinë e saj modeste, siç është dhe ajo vetë, është mirësia, që di ta rrezatojë mirë. Ajo mori pjesë në veprimtaritë letrare-artistike, në emigracion. 

Ajo “Mira”-heroinë, që ecte kalldrëmeve të Gjirokastrës, me hapat e rinisë, fluturoi nga Athina në Pekinin e largët. Filmi “Ngadhënjim mbi vdekjen”, i përkthyer në gjuhën kineze, ishte më i kërkuari nga spektatori. Artistja shqiptare, ishte e ftuar nderi, për rolin e saj të përkryer. 

Eglantina, një artiste në familje artistësh, vazhdon të jetojë, në Athinë për njëzetë vjet, duke mbushur mushkëritë e shpirtit me aromën e mimozave të Durrësit, aty anës detit, ku kanë edhe shtëpinë e kthimit. Dhe, poetja shkruan: 

“Thellë,

Në kaltërsinë e detit pashë një yll

Dhe u zhyta më thellë

Në kaltërsinë-gri të rinisë së largët,

Mbytur me yje pesëcepësh të kuq...”

Artistja-Poete, njerëzit dhe natyrën e mban gjithmonë brenda shpirtit. Ditën që lindi djalë, shkëlqeu një diell i bukur. Me zërin e shenjtë të nënës, e thirri Helio, të birin. Dhe Helio, ashtu si e motra, u rrit me dashurinë për njeriun dhe Artin... 

Filmi “Ngadhënjim mbi vdekjen”, i prodhuar në vitin 1967, vjen deri në ditët tona, me mesazhet e heroizmit, qëndresës e të dashurisë për jetën. Edhe aktorja protagoniste Eglantina Kume, gjithë vitet jeton ngadhënjimin mbi fatin...

No comments:

Post a Comment

Vdiç akademik prof.Fatos Mehdi Daci ,historiani dhe "mjeshtri i madh" i Dibrës

Me dhimbje të thellë njoftohet ndarja nga jeta e Fatos Mehdi Dacit , gazetari, historiani dhe Mjeshtri i Madh, një prej figurave më të shq...