Agjencioni floripress.blogspot.com

2011/10/06

Përgjigje për zotin Fatmir Lamaj

 RESHAT KRIPA 

   Një fjalë e urtë popullore thotë: “Po të pështysh lart, të bie në fytyrë; po të pështysh poshtë, të bie në këmbë.” Kjo fjalë e urtë m’u kujtua kur lexova shkrimin e zotit Fatmir Lamaj me titull “Hapja e dosjeve respektive, sfida ime për Reshat Kripën”, botuar në gazetën “Metropol” më 3 tetor 2011. Në fillim mendova të mos përgjigjesha fare, ta kaloja në heshtje, pasi nuk është normale që një që ka vuajtur tmerret e burgjeve komuniste pa u përulur, t’i kundërvihet një tjetri të po kësaj kategorie. Mirëpo në fund të shkrimit të zotit Fatmir lexova: “Beteja sa ka nisur, ne jemi gati, ju s’na ndalni dot...” Kjo frazë më bëri të rimendohem dhe të vendos t’i kthej përgjigje zotërisë.

Ne jemi të dy ish-të burgosur politikë, të dy nga i njëjti rreth, Vlora, të dy me prejardhje nga familje fisnike. A nuk ju duket e palogjikshme t’i kundërvihemi njëri-tjetrit? Unë mendoj se sot është koha që të dy t’u kundërvihemi atyre që na mbyllën nëpër burgje, hetuesve, prokurorëve, gjykatësve dhe të tjerëve të kësaj natyre. Por ti, me një mllef të paparë, më drejtoheshe mua në atë shkrim për një intervistë që unë i paskam dhënë gazetës “55” më 6 maj 2011. Atë intervistë unë e kam dhënë pesë muaj më parë dhe u habita pse kjo përgjigje e vonuar më vjen nga ju, që as ju kam përmendur fare në të. Për ta përforcuar këtë, po e rishkruaj paragrafin që ju paska dokëndisur:

“Ka edhe të tjerë, të cilëve nuk është nevoja t’ua përmend emrat, pasi të përndjekurit i njohin mirë. Janë ata që çirren e bërtasin se gjoja do të shkuakan në Bruksel, ku, të lidhur me zinxhirë, dashkan të demonstrojnë për të drejtat e tyre. Po deshën, le ta provojnë! Do të çjerrin maskën që mbajnë dhe do të demonstrojnë faqen e tyre të zezë. Është edhe një kategori tjetër, tip kameleonësh, që nuk e dinë ku e kanë kokën. Në mëngjes, kur zgjohen nga gjumi, ata janë të djathtë. Në mbrëmje, kur bëjnë llogaritë e ditës dhe bëhen gati për të fjetur, shndërrohen në të majtë, duke ëndërruar të dalin në demonstrata të mëdha për të kërkuar të drejtat e tyre. Le të provojnë të dalin dhe do ta shohin se sa do t’i ndjekin pas.”

Për vetë prejardhjen dhe sakrificën tuaj nuk mendoj se bëni pjesë në njërin nga këto grupe. Të parët kanë gati një vit që deklaruan vajtjen në Bruksel dhe deri më sot nuk kanë guxuar. Kjo nuk është shenjë burrërie. Ndërsa shembujt për të dytët i gjen përditë. Unë mund t’ju jap një të tillë. Në kampin e Vlashukut në vitin 1953 kemi pasur një të dënuar ordiner (në atë kohë ordinerë dhe politikë nëpër kampe ishin bashkë), që ishte caktuar si tellall i kampit. Ju keni qenë vetë i burgosur dhe e dini shumë mirë se cilët caktoheshin si tellallë. E pra, sot ky është kryetari i një shoqate të përndjekurish. Nuk dua ta besoj, por më duket se është pikërisht ky tellall ai miku që ju ka dhënë gazetën me intervistën time.

Tani më lejoni të bëjë disa sqarime. E njoh mjaft mirë fisin tuaj. Një fis i sakatuar nga regjimi komunist. Dy të pushkatuar, Bajrami dhe Muharremi. Mbi dhjetë të tjerë të dënuar politikë me dënime të rënda. Midis tyre do të veçoja njërin, me të cilin kam kaluar së bashku kalvarin e burgut, xhaxhanë e babait tënd, Hydai Lamajn, këtë burrë të nderuar, që më futi në gjirin e tij dhe më mësoi se çfarë ka qenë nacionalizmi shqiptar. Po të ishte gjallë, do t’ju sugjeroja të shkonit e ta pyesnit, por kjo është e pamundur, ndaj ju sugjeroj të takoni dy djemtë e tij, Ernestin dhe Agimin, dhe do të shikoni se çfarë do t’ju thonë. Edhe me të ndjerin babanë tuaj, të paharruarin Senver Lamaj, kemi qenë miq të mirë. Së bashku na lidhi shërbimi ushtarak në repartin e punës. Ndaj nuk më erdhi aspak mirë kur në shkrimin tuaj arrinit deri aty sa të përgojonit edhe familjen time.

Nuk kam pretenduar ndonjëherë se babai im ka qenë nacionalist, siç shkruani ju. Ai ka qenë një tregtar i ndershëm, që asnjëherë nuk është përzier në punët e politikës. Por ju paskeni marrë vesh që im atë nuk i paska paguar shtetit taksat në kohën e mbretërisë së Zogut (!). I fortë paskeni qenë, i nderuar zotëri, që keni mësuar këto të dhëna! Pyetni burrat e vjetër të Vlorës dhe do të mësoni se kush ka qenë im atë.

Sa për motrën time, keni të drejtë. Ajo, si nxënëse e shkollës normale “Nana Skanderbeg”, shpërndante në Tiranë trakte me përmbajtje kundër pushtuesit fashist të përpiluara nga Fronti Nacionalçlirimtar. Por a e dini se deri në gushtin e vitit 1943 forcat e këtij fronti luftonin krah për krah me forcat e Ballit Kombëtar? Ju nuk e dini ndoshta se me luftën partizane u bashkuan edhe një pjesë e madhe e nacionalistëve, pasi qëllimi i kësaj lufte ishte dëbimi i okupatorëve dhe se ishte udhëheqja komuniste që i tradhtoi interesat e saj, duke e shndërruar në luftë civile. Unë mund t’ju them me plot gojën se jam krenar që jam vëllai i artistes së paarritshme Drita Pelingu, për të cilën flet me simpatinë më të mëdha e gjithë Shqipëria. Kam respektin më të madh edhe për bashkëshortin e saj, artistin e merituar Hysen Pelingu, sepse nuk mendoi kurrë të braktiste motrën tonë në çastet kur të dy vëllezërit e saj ndodheshin në burg, siç vepruan shumë të tjerë. A e dini se familja Pelingu sakrifikonte nga vetja e saj, duke u bërë streha e familjes sonë në ato vite të vështira, kur vuanim për bukën e gojës dhe kur nëna dhe babai ynë, përpara se të vinin për të na takuar nëpër kampe, ktheheshin atje për t’u furnizuar me ato ushqime që na sillnin? Kjo ishte familja e jonë, i nderuar zotëri.

Është e vërtetë gjithashtu se kam qenë brigadier në brigadën e investimeve të NB së Vlorës, por do t’ju rekomandoja të pyesnit zotërinjtë Luan Koka (29 vjet burg), Alajdin Alemi (15 vjet), Shpëtim Sharra, me babanë dhe xhaxhanë të pushkatuar, Maliq Agaj, me tre vëllezër të arratisur politikë, Safet Leka, me babanë të burgosur politikë (nuk besoj se do të keni kurajë të hidhni baltë edhe mbi ta), me të cilët kam punuar dhe do të mësoni për mua në atë detyrë.

Për sa i përket banesës që ti zaptove, do të thosha se nuk isha unë që të nxora prej saj. Ishte e drejta e pronarit të ligjshëm. Dhe ky pronar i ligjshëm nuk ishte një ish-pronar nga Shkodra, siç shkruani ju, por shumë i nderuari Abdurrahman Kreshpa, një vlonjat i vjetër, një nga të paktët ballistë të vërtetë që ka fatin të jetojë ende, një ish-i burgosur politik si ju dhe unë. Ndërsa me të drejtë kërkoni kthimin e pronave tuaja, pse nuk respektoni pronat e të tjerëve? Përgjigjen jepeni vetë.

Unë asnjëherë nuk e kam vënë në dyshim qëndrimin tuaj burrëror në ato vite diktature dhe në këta njëzet vjet, prandaj nuk ishte e nevojshme t’i renditnit heroizmat. Pretendoni të hapen dosjet. Ndoshta jeni i vonuar në këtë drejtim. Unë kam njëzet vjet që e bëjë këtë thirrje nëpër gazeta dhe televizione. Kam marrë edhe dosjen time nga arkiva e Ministrisë së Brendshme. Është një dosje me 54 fletë. Në të janë të gjitha traktet që kemi shpërndarë, hetuesia, gjyqi dhe gjithçka tjetër. Doni t’ju lexoj njërin nga traktet?



Le të sulemi nën flamurin kuq e zi në flakë të luftës, që të na drithtërohet trupi nga dehja e barutit, që të na ndizet shpirti nga zjarri i shenjtë i lirisë dhe le të vdesim duke thërritur: RROFTË SHQIPËRIA!



Doni t’ju lexoj edhe një pjesë nga deklarata e bërë në hetuesi?



Unë, Reshat Kripa, deklaroj se rrugën që kam ndjekur duke treguar aktivitet kundër pushtetit e quaj të drejtë përderisa gjendja në vendin tonë nuk do të ndryshojë dhe unë këtë ndryshim e pres nga të arratisurit jashtë shtetit dhe nga anglo-amerikanët.

Vlorë, më 11 gusht 1951



E pra, isha vetëm 15 vjeç në atë kohë. Dosja ime mban numrin 8445. Po të dëshironi ta lexoni të plotë, ejani t’ju jap autorizimin për të tërhequr një kopje të saj. Nuk e di se çfarë aktiviteti përmban dosja e juaj, aq më pak ajo e tellallit të kampit të Vlashukut. Do të kisha dëshirë të mësoja se çfarë aktiviteti politik keni zhvilluar që ju arrestuan, se unë aktivitetin tim ua tregova.

Nuk më vjen mirë që një i përndjekur përgojon degën e shoqatës të të përndjekurve politikë të Vlorës dhe drejtuesit e saj. Ishte ajo shoqatë dhe ata drejtues që bënë të mundur grisjen e yllit të kuq nga flamuri me anën e të ndjerit Xhemal Mustafaraj e Fadil Ndreut dhe ditën e 28 nëntorit 1991 ngritjen për herë të parë në Shqipëri të flamurit pa yllin e urryer, në një kohë kur Kuvendi i Shqipërisë ende nuk kishte vendosur heqjen e tij. Ishte ajo shoqatë dhe ata drejtues që zbuluan dhe kryen një varrim dinjitoz për 18 martirë të lirisë të pushkatuar në vitin 1945 nga regjimi komunist më 29 janar 1992. Ishte ajo shoqatë dhe ata drejtues që mbajtën lart e nderuan dhe vazhdojnë të nderojnë emrin e kundërshtarëve të vërtetë të atij regjimi. Ishte ajo shoqatë dhe ata drejtues që nuk reshtën dhe vazhdojnë të luftojnë ende për çrrënjosjen e mbeturinave të sistemit komunist në Shqipëri.

Dëshironi të hapen dosjet? Jam i gatshëm. Ju thashë: unë timen e kam nxjerrë. Nxirreni dhe ju dhe i krahasojmë. Ky nuk është kërcënim, si nuk ishte edhe intervista ime. Ky është një realitet. Dikush më tha se duhej t’ju padisja në gjykatë. Nuk e shoh të drejtë mendimin e tij. Nuk është koha të paditim njëri-tjetrin, qoftë edhe kur ndonjëri ka lajthitur. Mendoni ta vazhdoni këtë lojë. Bëjeni! Nga unë nuk do të keni më përgjigje. Nuk është koha e fjalëve boshe. Mendohuni mirë dhe veproni. Po më dëgjuat, nga unë keni një këshillë: mos u bëni pre e lojës së të ashtuquajturve “të përndjekur politikë”. 

No comments:

Post a Comment

Vdiç akademik prof.Fatos Mehdi Daci ,historiani dhe "mjeshtri i madh" i Dibrës

Me dhimbje të thellë njoftohet ndarja nga jeta e Fatos Mehdi Dacit , gazetari, historiani dhe Mjeshtri i Madh, një prej figurave më të shq...