Vasil Vasili
In tenebris
Këtu fjala nuk bëhet dritë
Ketu drita prej terri është.
Bebëz e syrit eklipsi i hënës.
Në rrugë pa rrugë njeriu
shkon para kohës
e asgjëkundi s’arrin, se gjëkundi s ka.
Kujtesa këtu rron pa kujtesë.
Liria lind skllave këtu.
I vetmi ngushëllim tragjeditë,-
Kurrë s’i harrojnë takimet me ty.
Këtu nuk ka nevojë për cerber
sapo kalon synorin e territ,
më i tmerrshëm njeriu
Ai të vret.
KE LINDUR PËR QIEJ TË TJERË
Ke lindur për qiej të tjerë.
Nëper gjumin e shprishur-prej gjumi të shprishur-
tjetër ëndër le të ngrihet,
ta marrë prej dore njeriun.
Të tjerë dhembë akrepi, në të dy skajet e dhimbjes,
të na i mbërthejë zemrat.
Njeriu mund të këputet, si një shembje vjeshte,
por më dinjitoze rënia.
Dhe Fjala e Para mundet të thyhet,
zgrip e zezonë... veç, të mundurit më burrërorë...
Të tjera liri le të jenë nënat
e tragjedive të tjera, të tjerë
lotët e kripa e hidhur që gërryejnë
guvat e syve, tjetër bebëz e verbuar
të ndezë përbrenda zogun e diellit.
E vjetër është drita, e vjetër.
tjetër duhet të jetë regtimi i shpirtit të saj.
Ke lindur për qiej të tjerë vëllai im.
Dhe unë vajtoj
vdekjet e tua të ardhshme.
TË GJITHA DUHEN
Më e panevojshme se një përshëndetje në udhë
heroizma, gjithnjë
ka një mbremje që s’i duhet askujt.
Po ne si do bënim pa sytë
tmerrësisht joshës
të intrigës? Shpirti
së prapthi e veshi lëkurën e vet,
qyteti të jep dhimbje koke, gjithnjë
ka një mëshirë që s’i vlen askujt.
Mushkritë e drejtësisë janë qelbësuar
Dhe po i mjekojnë me ilaçe të skaduara.
Po ne si do të bënim
Pa gojzën e bukur,
kafshimin e errët të tradhëtisë?
Të gjitha të duhen,vëllai im.
Një nga një dritat e qiellit i shuan
sqepi i zogut në ag të agimit.
Dhe më e sinqertë është hipokrizia,
vejusha-dënesje, mbi vdekjen tënde
tani hedh trëndafilin e fundit
Lavdinë, që s i duhet askujt...
VETË TRAGJEDIA KISHTE HUMBUR UDHËN
Tragjedia
ajo printe udhën. E ne pas saj...
Duke hedhur andej e këndej pjesë të vetes.
E dinim se për ne s kishte të nesërme,-
dhe vet ishim e ardhmja e saj.
Koskat e shpërbëra të skeletit
mbështillnim me buyëqeshje ironike
dhe e dinim, dikush tjetër
do të ngrihej, do të lartësohej,
prej lëndës së errët të sakrificës,
substancë prej nate të humbjes sonë.
Vetëm dhimbja që s eshtë anonime,
pyeteni zemrën tuaj,
si mundet shpresa të tradhëtoj vetveten?
Bishë e vogël koha,
Tek ne kruante me kthetra trupine vet,
Idealet të shuante, krimet e datat.
Në agullimën e ujkut të plagosur,
Nata verbuese dhe vet tragjedia
Kishte humbur udhën,-
E kërkonte me pishë në dorë.
E ne pas saj...
DO TË VIJË VETMIA DHE S’DO TË MË GJEJË
Patjetër që do të vijë shiu.
Patjetër dikush do të vi.
Edhe ti, e pambrritura prej kohe.
Ku, me cilin ke qenë gjer tani?
Sytë pyesin. Goja-jo.
Goja thotë –Patjetër që do vi shiu
me ecje prej ere e uji.
Diku po dukesh ti,e harruara,
Dyshim e dhimbje, grindje,
pendim që kthehet në shi.
E di rrugën, kalldrëmet, derën.
Para teje dikush trokiti.
Vetëtima në krahun e zogut. Zëra...
Bubullima që shkel mbi rozmarinë. Era...
Unë u çova,-
Jam nisur një çast më parë
në udhën, që s’e mohoj dot.
Hapet dera
dhe fletët e dritareve përplasen.
Do të vi vetmia dhe s do të më gjejë.
NË TIRANË KA VETËM TIRANË
Në Tiranë ka vetëm tiranë, nëTiranë.
Në Tiranë të vrasin të gjithë
një shetiteje me veten të vret.
Mos e ndill kujtimin në Tiranë,
është tmerrësisht i pamëshirshëm,-të vret.
Mos guxo të shohësh në sy lirinë në Tiranë,-
Dielli i syrit shuhet, shkërrmoqet e zhbëhet.
Ti i barabartë me lirinë? Mos e beso!
Liria të vret.
Hipokrite shpresa sy - picigjate e Tiranës,
ti i vdekur - ajo me gojën e saj të jep frymë,
të ngjall që ty të vrasë - të vret.
Eshtë tjetër, tjetër trishtimi i tetorit në Tiranë,
Vjen duke ikur - të vret.
Si Krye – Ëngjëlli, Sovrani i zymtë, ferrin e tij-
e dua Tiranën se të vret.
1990
QIRIRI
N.
Fundi i qiririt digjej, flaka ndizej më shumë.
Shpirt i zërave të dritës tek ne të dy.
Kujtimi me sy të trembur ishte aty.
Dhomëza e vogël - krahror njeriu-
brenda tij shpirti i dritës pa zhurmë
zhgjatte nga ty e nga unë.
Ikte vdekja e dritës në një mall pafund.
1991
S’IA VLEN TË TRISHTOSH ZEMRËN TËNDE
S’ia vlen të trishtosh zemrën tënde, vëllai im.
Prej pafajsie hyjnore dëshpërimi.
Më mirë gëzoju krizantemës,
që asnjë dorë përdëlluese,
s’e mbolli mbi varrin tënd.
Fli i lirisë së tyre? S’ja vlen...
Sytë ua vret drita e pyesin:
Pastaj, ç’do të bëjmë me lirinë?
Janë gjuhë të stërlashta që vetëm lëpijnë
putrat e krimit, e presin prrillin,
veç shiu bujar të jetë gjaku yt,
Pastaj korbat të shpëlahen,
të shpupuriten pëllumba të bardhë.
S’ia vlen qiejt e dëshpëruar të syve të bukur,
vëllai im.
Le të jemi varrë - po i të tjera ëndërrave-
Tjetër flijim,
ku fyerja s’të arrin dot
NJË PIKËLLIM I LIRË...
Tani unë jam liri.
Unë jam asgjëja e lirë.
Unë jam kurkushi i lirë.
Në një kujtim të lirë,-
një pikëllim i lirë.
Tani unë jam liri.
SHQIPTARËT
Në luftë flenë duke ecur.
Në vdekje vdesin duke ecur.
Në këngë qajnë shqiptarët
duke dëgjuar këngët e tyre si qajnë.
Në vdekje vdesin duke ecur...
Dhe këmbë e kalojnë
Akerontin e tyre prej gjaku.
AKERONTI RRJEDH, PO KARONT NUK KA
Si të kthehem prapa kur udhën s’e diel ?
Prej pikëllimi lumi buçitës i natës
e unë rrah brigjet e errëta këtu.
Akeronti rrjedh, po Karont nuk ka.
Tregomë një va ku të kaloj.
Ti i njeh guvat e vorbullat e frikshme.
Tregomë një va, vëllai im,
Ku të kaloj Akerontin
dhe të arrij
Akeronti rrjedh, po Karont nuk ka.
NJË CIGAR PËR TË DY
Një cigar për të dy. Goja ime dhe jotja.
Zjarri i vjetër, i vjetër sa vet zoti.
Uh, që qënkam mërzi mu në zemër të çlodhjes.
Uh, tri herë uri! Në tejngopjen e botës.
Lëmshe tymi të kaltër harrimi prej reve,
ja ku kthekam sërisht nëpër rrugën nga erdhëm...
Dhjetori i Tiranës, vetmi e ngricë.
Sy të dhembshur, të dhembshur, si vdes qeni besnik.
Pa dashur në udhë thyej mitet me këmbë.
Mjerimi i vetvetes më fyen, më çmend.
Kanata zhgënjimi përplasen në erë,
tragjedia shqiptare sa vetë zoti e vjetër.
Kam shpresën në duar, poçe të djegur...
O zot, si ta ndez, kur qiejt kanë vdekur?
Krishtin tim pashë në dy hunj ulliri,
Ti edhe krishti
më pe mbërthyer në mëshirë.
Uh, që qenkam shpirt, mu në shpirtin e vrarë.
Një cigar për të dy.
Një cigar për të dy.
Njeqind jetë pa ty, asnjë jetë.
Njëqind vdekje me ty, asnjë vdekje.
Dashuria për ty e vjetër sa zoti.
1990
NË VARREZËN E FSHATIT
Vaj i kumrive mbush qiparisat
Në varrezën e vogël ku zambakët janë tharë.
Këmbana e vjetër, e thyer
Derdh zërat e ngjirur dhe muzgun.
Kryqet e gurtë shtrembër fundosen.
Të vdekurit falen tek unë.
No comments:
Post a Comment