Agjencioni floripress.blogspot.com

2011/10/08

ËNDËRRAT E NËNË MARIES



Tregim

Myslim Maska

Nënë Maria është gjashtë vjeçe. E vockël, e bukur si një kukull. Ka sy jeshil e me qerpikë të gjatë.

Befas, u zgjua Nënë Maria nga një ëndërr e tmerrshme. U llahtaris Nënë Maria!... I rrëmbyen djalin e vogël e të vetëm. Duke qarë me ulërimë, flaku jorganin dhe ashtu siç ishte me rrobat e gjumit, d.m.th. me këmishën e bardhë e të shkurtër, kërceu si një ketrushe dhe u sul tek lodrat.

Për çudi, djali “lodër” ishte aty. E puthte dhe e puthte pambarim Nënë Maria e përkëdheli e përkëdheli e i tha qindra fjalë që i kish dëgjuar nga nëna dhe gjyshja.

E shtrëngoi fort në gjoks dhe u shtri përsëri në shtrat.

Binte shi. Frynte erë. Stuhi e madhe që shkuli e fluturoi tutje reklamat përballë shtëpisë së saj dhe kudo. Era mjaulliste, kuiste, qante, ndoshta këndonte. Pas pak u shndërrua në një sinfoni të padëgjuar dhe të pakompozuar ndonjëherë. U mallëngjye Nënë Maria. U mallëngjye shumë, sa nisi të qante. Dhe ashtu nëpërmjet lotëve pa ca qendisma të mrekullueshme, të bardha e transparente plotë dritë, si ato që thur dëbora dhe i shohim në çastin që del dielli. Befas, Nënë Maria ndjeu brënda vetes një llampë gjigante që e mbushi plotë dritë. Ndjeu në thellësi të shpirtit se diçka po gufonte, po shpërbëhej, po shndërrohej në një tjetër formë e trajtë. Për një çast iu duk vetja si një qiell me yje maji, të ndritshëm, vezullues, të mahnitshëm. U ngrit dhe doli në ballkon. Një pamje marramëndëse! Qindra fëmijë loznin me topa bore. Qeshnin, bërtisnin, rendnin e rrokulliseshin nëpër dëborë… U mrekullua Nënë Maria dhe duke u kthyer për në dhomë, tha me vete: O Zot, sa e bukur qënka jeta!

Në çastin që mbylli derën e verandës dhe shkoi për të fjetur, dikush e kapi pas këmishës së gjumit, lehtë, fare lehtë, ashtu siç ndodh në ëndërr dhe i foli me zë të ëmbël:

- Mami, mami, kam ftohtë, po mbërdhi. Më lagu dëbora.

Nënë Maria u trëmb, por në çast u vezullua kur e pa. Ishte djali i saj. E rrëmbeu menjëherë në krah. Nuk mbante mend sa kohë kishte pa e parë. E përkëdheli, e puthi në ballë, tek sytë, në flokë, në gushë, kudo, kudo. Shpirt i mamit, xhan i mamit. Dhe ashtu të përqafuar u futën në shtrat. Ndoshta ishte dita më e bukur e jetës së saj. Pas pak Nënë Maria ndjeu se brënda krahëve s’kishte asgjë. U trondit shumë dhe qante duke u rrotulluar në shtrat. Ishte vetëm, fare vetëm. Një boshllëk tronditës e i tmerrshëm,marramëndës. Pas dy– tre orësh Nënë Maria duhej të zgjohej për të dhënë provimin e diplomës në psikologji. Nënë Maria është njëzetetre vjeçe.

Është e mirë Nënë Maria. Sa e bukur është Nënë Maria! Edhe bota rreth e rrotull është e bukur. Është e bukur si një ëndërr. Kështu thotë Nënë Maria.

Nënë Maria po fle në dhomën e vogël, aty ku fle gjithmonë. Po fle vërtetë apo jo?, Këtë s’e dimë të saktë, sepse Nënë Maria më shumë sheh ëndërra sesa fle. Nuk e lënë të qetë ëndërrat. Ja, po bie borë.Mijëra petale këpucëbuta e mbushin botën me bardhësi. Plot me jetë e mbushin jetën, plot me dritë. Gjithçka vezullon e ndrin. Kristalet e borës i merr në dorë Nënë Maria dhe i hedh në qiell. Dhe qiell e tokë mbushet me miell. Dhe njeriu ndjehet më mire. Më i bukur, më i dlirë. Shpirt flori!...

Befas, Nënë Maria zgjohet. Është plot dyzetëegjashtë vjeçe. Është e bukur Maria! Do të ishte shumë më e bukur sikur të kujdesej pak për flokët. Para disa vitesh ajo shkonte në floktore rregullisht dy herë në javë. Tani vetëm fshin, pastron, merr pluhurat, gatuan dhe shtrihet ku t’i vijë për mbarë: Në divan ose në krevat. Shtrihet, jo se e ka nevojë të brëndëshme shpirtërore për t’u shlodhur, por thjeshtë i është bërë rutinë. S’mund të rrojë dot pa ëndërra Nënë Maria, sidoqofshin ato, të bukura apo të tmerrshme. Pa ëndërra Maria s’mund ta konceptojë jetën.

Është gjashtë vjeçe Nënë Maria. I rrëmbyen djalin e vetëm. Të voglin, të bukurin. Flaku jorganin dhe si një ketrushe, kërceu tek këndi i lodrave. Ashtu siç ishte me këmishën e gjumit dhe me dy jaseminë nëpër flok. E gjeti aty djalin “lodër” e shtërngoi fort në gjoks dhe u shtri në shtrat. E nanurisi ashtu siç kishte dëgjuar nga nëna dhe gjyshja. Menjëherë sa e mori gjumi, nënë Maries gjashtë vjeçare, iu shfaq një çupëzë e vockël dhe shumë e bukur:

- Kur të rritem unë do të martohem me djalin tënd, dhe buzëqeshi.

- Përralla, - tha Nënë Maria. Përralla me mbret. Ku di unë se ç’është martesa? Unë gjashtë vjeçe jam. Po kur e pa me vëmendje, u habit! Kurrë s’kishte parë rreth e rrotull një bukuroshe të tillë, (pothuaj moshatare e saj), e brishtë, e imët, me sy të zjarrtë e flokë të artë. Sa e bukur! – tha. Cila nënë s’do e deshte një nuse të tillë për djalin e vetëm?

Është njëzetetre vjeçe Nënë Maria. Mbron doktoratën për psikologji. I dashuri e pret në sallë. E prêt kudo: Në rrugë, lulishte, parqe, klube, taverna, trena, metro, aerodrome…

Ishte dyzetegjashtë vjeçe Nënë Maria, kur ndodhën ca ndryshime të mëdha, të ashtuquajtura demokratike. Epidemia e “Mortajës”, epidemia e ikjes…Iku dhe djali i saj në një kryeqytet të një shteti të huaj. Ngushëllonte të tjerët, dhe s’dinte të ngushëllonte veten. Kjo i dukej një hipokrizi kaq e madhe, saqë menjëherë sa largoheshin klientët, mbyllte derën e klinikës dhe qante me ngashërim. Po djali i saj, i biri, ylli, drita e syrit të saj, e vetmja gjë e bukur e kësaj bote, ç’bëhej, ku ishte? Dhjetë vjet, asnjë lajm, asnjë letër, asnjë telefon. Pesëdhjetëegjashtë vjeçe Nënë Maria! Pret e prêt. Dhe e lodhur, e këputur, e dërrmuar nga pritja, pi hapjen e saj: GJUMIN, ashtu siç u rekomandon dhe klientëve të saj të sëmurë psikologjikë. Shtrihet në divanin e sallonit dhe menjëherë e zë gjumi. Nuk e dimë saktë, sa orë fjeti, por nëpër gjumë, nëpër ëndërr, si në një humbëtirë, dëgjoi ca trokitje të lehta në derë. U ngrit menjëherë, ashtu, brënda ëndërrës dhe hapi derën. Gati sa s’i ra të fikët. I biri me nusen. I rrëmbeu të dy në krah, i puthi dhe i përqafoi pambarim. I bekoi dhe i uroi. I puthi në sy, në faqe, në flokë, i shtrëngoi fort pas vetes duke i përkëdhelur në shpatulla dhe kur e ndjeu se u bë një me ta, u largua pakëz dhe i pa të dy në sy. Nusja sikur ishte ajo që e kishte parë dikur në ëndërr, kur ishte gjashtë vjeçe. Po, ajo ishte. Ajo ishte kokë e këmbë. E puthi dhe e bekoi përsëri, por sikur puthi diçka imateriale, pa trup, pa peshë. Kur puthi djalin, iu duk se vinte erë baltë, por s’i kushtoi rëndësi, ndoshta nga rruga e gjatë,– tha me vete, dhe si e dehur nga gëzimi, duke çaluar shkoi e u shtri përsëri në divan. Nusja, ashtu puplore siç ishte, bardhoshe, imateriale, me hapa hënore, shkoi menjëherë drejt saj. I puthi dorën që ishte duke ngrirë, i uli qepallat, dhe duke i thënë, natën e mirë Nënë Maria, u fshehën në errësirën e përjetëshme

No comments:

Post a Comment

Vdiç akademik prof.Fatos Mehdi Daci ,historiani dhe "mjeshtri i madh" i Dibrës

Me dhimbje të thellë njoftohet ndarja nga jeta e Fatos Mehdi Dacit , gazetari, historiani dhe Mjeshtri i Madh, një prej figurave më të shq...