Agjencioni floripress.blogspot.com

2011/10/06

Zimo Krutaj: Poezia, e thëna dhe e pathëna ime


Oliverta Lila

Zimo Krutaj“Hojëza fryme” është vëllimi i parë poetik i Zimo Krutajt. Në fakt është një përzgjedhje e krijimtarisë rreth 20-vjeçare, gjurmët e së cilës ndër vite janë parë në revistat kulturore apo suplementet letrare. I ndarë në katër cikle, ky vëllim sjell Krutajn poet, të cilin deri tani e kemi njohur më së shumti si përkthyes

E ka titulluar “Hojëza fryme” të parin vëllim poetik që e prezanton si krijues me lexuesin. Në fakt është një përzgjedhje e krijimtarisë rreth 20-vjeçare të Zimo Krutaj. Poezitë e tij si cikle janë dukur në revista kulturore e suplemente letrare, ndërsa ky vëllim vjen si një dialogim i drejtpërdrejtë dhe një “hoje” ku mund të qëmtohet e veçanta poetike. Në fakt, përkthimi i Kuazimodos është kthyer tashmë në një pasaportë për Krutajn përkthyes, ndërkohë që e gjejmë të angazhuar në studime letrare, estetike apo etike të shtypit shqiptar. I konceptuar në katër cikle, ky vëllim poetik duket një jetë e ngritur në metaforë dhe e latuar në fjalë. Vetë poeti e ka të vështirë ta përkufizojë procesin e tij krijues, ose të thënat prej tij i quan “të gënjeshtra”, por nuk i mungojnë fjalët për poezinë.

“Hojëza fryme” është i pari vëllim poetik në harkun e një krijimtarie rreth 20-vjeçare? Pse vjen kaq vonë ky botim?

Nxjerrja e një libri është përgjegjësi e madhe në radhë të parë për letrën ose më mirë për pyjet. Kjo përgjegjësi bëhet e dyfishtë kur libri është vëllim poetik. Sado ta ndryshojmë përkufizimin mbi poezinë klasike, moderne apo postmoderne, në fund të fundit ajo mbetet arti i fjalës së zgjedhur. Arsyeja e dytë ka të bëjë me dyshimin artistik, me dyshimin e vlerës që është njëkohësisht faktor frenues dhe nxitës. Së treti, poezia shkruhet, lexohet dhe analizohet si një njësi më vete. Bashkimi i tyre në një vëllim bën që lexuesi e sidomos kritika të nxjerrë tiparet e mëvetësishme të një autori a një tjetri. Në momentin që vepra i shkon lexuesit ose kritikës, autori duhet të heshtë ose të vazhdojë të shkruajë nëse ka një poezi a libër tjetër. Një shtysë për këtë vëllim ma dhanë miqtë me nxitjen e besimin e tyre dhe gatishmëria e përkushtimi profesional i shtëpisë botuese “Ombra GVG” që ka realizuar një botim me cilësi dhe parametra bashkëkohorë.

Si vjen poezia te ju, si është bashkëjetesa me të?

Kjo pyetje të fut në një situatë nga më të vështirat, ku autori duhet të shpjegojë të pashpjegueshmen. Mendoj që poetët, por edhe shkrimtarët në përgjithësi, nuk thonë të vërtetën lidhur me procesin e tyre letrar. Unë nuk bëj përjashtim nga kjo gjë. Kjo ndodh jo pse autorët gënjejnë, por nuk dinë as vetë se çfarë ndodh në të vërtetë.

Libri është strukturuar në katër kohë ose cikle. Ka një përkim me kohën e jetuar?

Kjo zgjedhje vjen për dy arsye: fillimisht sepse përmbledh një hapësirë të madhe kohore prej afro 20 vjetësh krijimtari. Së dyti, këto cikle mund të lexohen si katër kohë muzikore, si katër stinë, por mund të jenë edhe katër kohët e një jete njerëzore që përfshijnë “Kohën e njeriut”, “Kohën e pendesës”, “Dihatja e baladave” dhe “Frymë e fundit e dritës”.

Në mënyrë të pashmangshme, ju si përkthyes njësoheni me përkthimin e poezive të Kuazimodos. Sa ndikon ky angazhim në të qenët poet?

Kam shkruar dhe kam botuar poezi para se të merresha me përkthimin, por profili, sidomos i poetit të shquar, të vë përpara një përgjegjësie të madhe, të mpreh shijet, gjykimin dhe nga ana tjetër të nxit që në krijimtarinë tënde të matesh me më të mirët. Këtë fare mirë mund ta bëjë edhe leximi i mjeshtërve të mëdhenj të fjalës, qofshin klasikë si Dantja e Shekspiri apo modernë si Kuazimodo dhe Uollas Stivens. Por duhet bërë kujdes, që adhurimi për poetët që përkthen të mos ndikojë në krijimtarinë origjinale, përndryshe kthehesh në imitues që nuk thua asgjë tënden.

Në kohë të caktuara, ka ndodhur të ketë edhe poezi të angazhuara. Si e shihni poezinë shqiptare në këtë periudhë tranzicioni?

Nisur nga formulimi i pyetjes suaj më duhet të them se është fatkeqësi ta lidhim ardhjen e poezisë me terma tranzicioni apo situata konkrete të diktuara nga zhvillime konkrete historiko-shoqërore. Poezia ose është, ose nuk është. Misioni i saj mbetet po ai që ka qenë, ndryshon vetëm cilësia e kumteve, pasuria e imazheve, mëvetësia e gjuhës, përthyerja e botës reale dhe irreale për vetëdijen krijuese të çdo poeti. Në këtë këndvështrim, poezia shqipe e pas viteve ‘90 është si Hirushja e letrave shqipe, Hirushe pa fundin e lumtur. Te ne shkruhet poezi, madje e niveleve të larta, por ajo shkon huq, sepse lexuesi është i paorientuar. Mungon kritika e mirëfilltë dhe e specializuar që duhet të vërë pikat mbi i. Këtu nënkuptoj kritikën e argumentuar që duhet të thotë e të shpjegojë psetë dhe jo të deklarojë që më pëlqen apo s’më pëlqen aksh libër. Arsyeja tjetër shumë e rëndësishme është mungesa e klimës letrare, e një gazete apo reviste mirëfilli letrare a kulturore. Vitet e fundit poezisë dhe kulturës shqiptare i sjell një dëm të madh për sot dhe për nesër dukuria e shkrimtarëve ose poetëve “mediatikë” që shëtisin nga një ekran në tjetrin me ose pa miqtë e tyre ‘kritikë’, duke trumbetuar vepra që nuk i lexon askush. Filtri i medias nuk funksionon kështu, që largohet edhe ai pak lexues nga vlerat e vërteta.

Poezia është mbi të gjitha gjuha e latuar. Është dhunti, mësohet apo...

Poezia është arti i fjalës së zgjedhur dhe kjo nënkupton gjuhën jo si mjet komunikimi, por gjuhën si shenjë, si tipar i mëvetësishëm, i papërsëritshëm i çdo poeti. Kur flasim ne nuk e mendojmë fare gramatikën. As kur shkruajmë nuk e bëjmë këtë gjë, me përjashtim të habitores së mrekullueshme të shqipes. Gjuha te çdo poet është vetë poezia, është e thëna dhe e pathëna, imazhi që shfaqet përtej vargjeve. Formimi gjuhësor nuk të bën kurrsesi poet, por njohja dhe dashuria për gjuhën kërkojnë ndjeshmëri të lartë.



No comments:

Post a Comment

Vdiç akademik prof.Fatos Mehdi Daci ,historiani dhe "mjeshtri i madh" i Dibrës

Me dhimbje të thellë njoftohet ndarja nga jeta e Fatos Mehdi Dacit , gazetari, historiani dhe Mjeshtri i Madh, një prej figurave më të shq...