Agjencioni floripress.blogspot.com

2011/10/08

Raporti: Gjendje e rëndë në burgjet e Kosovës


Këshilli i Evropës ka publikuar një tjetër raport negativ për Kosovën. Kësaj radhe fokus i vëzhguesve të kësaj organizate është trajtimi i të burgosurve, si dhe kushtet në burgjet e qendrat spitalore të psikiatrisë.
Raporti 48 faqesh, siç njoftojnë mediet, flet për tortura në burgjet kosovare, dukuri kjo e sanksionuar me konventat ndërkombëtare. Raporti kritikon edhe EULEX-in për shkeljen e të drejtave të njeriut, ndërsa gjetjet flasin për periudhën e vitit të kaluar, kur një delegacion ishte për vizitë në Kosovë.
"Në kuadër të vizitës, delegacioni dëgjoi akuza të shumta për keqtrajtimin fizik nga ana e policëve të Kosovës nga personat që tashmë ishin, ose rishtazi ishin futur në mbajtje. Akuzat kishin të bënin kryesisht rreth përdorimit të grushteve, goditjeve me shkop të policisë, goditjeve me shuplaka, por edhe goditjeve në organet gjenitale.
Pastaj raportohet për goditje me objekte të forta, shtrëngim i gishtave të dorës me laps, si dhe goditje në thembrat e këmbëve nga oficerët policorë që donin të merrnin informata gjatë marrjes në pyetje. Në disa raste, shkalla e keqtrajtimit shkonte deri në atë masë saqë mund të përshkruhet si torturë", thekson raporti.
Këto raste dhe të tjera në qendrat policore dhe burgjet kosovare janë shqetësuese, thekson raporti. Ndërsa thekson se në dijeni për këtë fenomen është edhe EULEX-i, i cili më 8 shtator 2010 i ka dërguar një letër shqetësimi Inspektoratit Policor të Kosovës. Këshilli i Evropës rikujton që keqtrajtimi i të paraburgosurve dhe i të burgosurve është rreptësisht i ndaluar me konventa ndërkombëtare.
Akoma më e rëndë, tretmani mjekësor i të burgosurve bëhet në praninë e policëve që është absolutisht e papranueshme, sepse ai nuk mund të rrëfejë të gjitha detajet për atë që ka përjetuar në sytë e policëve.
Asgjë nuk ka ndryshuar nga viti 2007 sa i përket të drejtave të të burgosurve.
Raporti vlerëson pozitivisht bashkëpunimin e treguar nga të gjitha institucionet. Ndërsa pjesa tjetër e raportit merret në detaje me gjendjen në burgjet kryesore të disa qyteteve dhe klinikave psikiatrike, që sipas raportit, në disa rast u ngjajnë burgjeve.

Prokurimi s’publikon më reklama në gazeta


Qeveria heq publikimet në gazeta, por nuk ua heq TVSH-në medieve
Faqet e gazetave të rezervuara për reklama dhe njoftime kanë mbetur nga e mërkura pa publikimet e aktiviteteve të prokurimit që bënin institucionet shtetërore. Të tillat do të postohen vetëm në uebfaqen e KRPP-së.
Ndryshimet në Ligjin e prokurimit publik kanë hyrë në fuqi më 5 të këtij muaji dhe në nenin 42 precizohet rregull i ri sa i përket “njoftimit paraprak”, “njoftimit të kontratës” dhe “njoftimit për dhënien e kontratës”, që deri tash duhej shpallur në gazeta. Ligji parasheh që çdo autoritet kontraktues menjëherë do t’i dorëzojë KRPP-së versionet në të gjitha gjuhët e një njoftimi që ka përgatitur sipas tri neneve që u referohen tri llojeve të njoftimeve.
“Brenda dy (2) ditëve pasi që KRPP-ja të ketë pranuar njoftimin në fjalë nga një autoritet kontraktues, sipas paragrafit 1 të këtij neni, KRPP-ja do t’i publikojë versionet në të gjitha gjuhët e njoftimit në fjalë në faqen e KRPP-së në internet dhe në regjistrin e prokurimit publik”, thuhet në paragrafin e dytë të nenit 42. “Asnjë njoftim dhe asnjë informatë në një njoftim, nuk mund të bëhet publike ose t’i zbulohen një personi ose ndërmarrjeje, para se të bëhet publikimi i njoftimit në fjalë në përputhshmëri me paragrafin 2 të këtij neni”.
Qeveria e Kosovës kishte dhënë më herët premtimin për të hequr njoftimet që lidheshin me aktivitetet e prokurimit nga gazetat. Ajo ishte kritikuar, pasi publikimet për aktivitete të prokurimit publik nuk shpërndaheshin proporcionalisht në gazeta dhe në bazë të tirazhit të tyre, por orientoheshin kryesisht në gazeta proqeveritare.
Në mënyrë që të përcaktonte trysninë që ushtrohet në gazeta nga autoritetet dhe partitë politike, nga 15 korriku deri më 15 gusht 2009 instituti KIPRED pati monitoruar të gjitha gazetat. Hulumtimi ishte përqendruar në reklamat e bëra nga institucionet e Kosovës, duke përfshirë Qeverinë, Kuvendin, Zyrën e presidentit, agjencitë dhe institucionet e pavarura, autoritetet komunale dhe ndërmarrjet publike.
Gjatë kësaj periudhe ishin publikuar gjithsej 2.457 reklama në të përditshmet, në 1.524 faqe të gazetave. Reklamat ishin shpërndarë në këtë përqindje nëpër gazeta: Në “Infopress” 28 për qind, në “Kosova Sot” 19,5 për qind, në “Epoka e Re” 15,06 për qind, në “Zëri” 10,18 për qind, në “Koha Ditore” 9,08 për qind, në “Express” 8.1 për qind, në “Lajm” 5,33 për qind dhe në “Bota Sot” 4,75 për qind.
“Infopress” kishte numrin më të madh të reklamave dhe drejtohej nga një deputet i partisë së kryeministrit Thaçi.
Kryeministri Hashim Thaçi kishte bërë edhe një premtim për mediet, në fushatën e fundit elektorale. Kishte thënë se do t’ia heqë TVSH-në, në rast se do t’i jepej besimi për ta drejtuar ekzekutivin në mandatin e dytë. Besimi i ishte dhënë, por premtimin nuk e ka mbajtur.

Eliza Dushku, aktorja e Hollivudit ju fton te ndiqni kroniken nga TV Alba Life ne New York per pritjen e presidentes se Kosoves znj.Jahjaga pritur nga APEN‏


Kronike e Alba Life TV per takimin e Presidentes se Kosoves znj. Atifete Jahjaga me APEN ne NY
Kronike e Alba Life TV per takimin e Presidentes se Kosoves znj. Atifete Jahjaga me APEN ne NY
00:22:12
Added on 10/6/2011
 
TV Alba Life ne New York do te transmetoje kete te diele ne kanalin 35 ne oren 10:00 paradite dhe te shtunen qe vjen ne oren 4 mbasdite, kroniken ne lidhje me pritjen madheshtore qe organizoi APEN per presidenten e Kosoves znj.Atifete Jahjaga ne Manhattan.
Nderkohe ju fton te shikoni TV Alba Life, aktorja e Hollivudit me origjine shqiptare,
ELIZA DUSHKU.
 
Te interesuarit mund ta ndjekin ne kete lidhje ne youtube:
 
Ju faleminderit per vemendjen,
 
Qemal Zylo Ph.D.candidate
Alba Life Inc./ President
website: www.albalife.org
E-mail: qzylo@albalife.org

Phone: (917) 209 8150 

2011/10/07

,,,na e shitën shtrenjtë lëkurën...



Naim Kelmendi (1959). Lindi në fshatin Ruhot të Pejës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Pejë, ndërsa studimet universitare, Dega Gjuhë e Letërsi Shqipe, në Universitetin e Prishtinës. Naim Kelmendi një kohë të gjatë ka jetuar në Zvicër.

VEPRAT LETRARE:

POEZI: “Shtreza në fjalë” 1984, “Nyja e Gordiut” 1992, “Albanoi” 1992, “Pse ashtu Pandorë” 1993, “Ç’të bëj me dhembjen” 1993, “Satanai me fytyrë tjetër” 1994, “Eklipsi i diellit” 1997, “Përballje me vdekjen” 1999, “Shqiptari vdes duke kënduar” 2000, “Kohë për të folur gurët” 2001, “Sipërfaqja e padukshme” 2003, “Në një jetë pas Krishtit” 2010.

PUBLICISTIKË: “Vrasja e deputetit – monografi”, 2003, “Pikëpamje dhe reagime” 2008, “Beteja e Koshares”- publicistikë 2009.

Naim Kelmendi jeton  dhe është editor në redaksinë  "Rugova-Art""Prishtinë.


ËSHTË VETËM KUJTESË

Përjetësisht ekzistojmë
vetëm brenda kujtesës
sepse pjesë e kohës sonë
mbetet harresa që shkelë
pamëshirshëm t’gjitha fletët
e një kujtimi t’shkruar dikund hirshëm

qëndrojmë si hije në retrospektivë
në ritmet e këngës apo n’periudhën e fjalisë
nëse u hyjmë në punë t’na përmendin
për tharmë mendimi n’kohë të shkrimit

hiri i kujtimit përcëllon
në vizionin e ëndrrës…

ne ishim vetëm kujtesë e çastit
që s’shuhet kurrë brenda mendimit

në kohën tjetër
fatkeqësisht s’ekzistojmë
me hirin tonë, t’mirin
le t’iu japin pak shpirt kohëve n’vegim

dhe, s’ka asgjë përtej
është vetëm kujtesë…

asgjësë i harbohemi marrëzisht
me epshin e mendimit pse erdhëm
pse jemi pse vishemi e zdishemi kaq shumëherë
në ndërgjegjen tonë prej njeriu nateditë


për kund vemi për tjetër formë
a thua pse ishim vizitorë të përkohshëm
apo pse nuk dijmë pse jemi nga ky tharmë njeriu

a mos ishte një ekskursion ardhja jonë këndej në jetë
për ta mësuar prekjen e gjithçkaje dhe gjetjen e emrit
të harruar me vite në fakturat e papaguara të rrymës


e dashura ime, mos u bë marroqe, shpalosi vithet
jepi të drejtë epshit në mbretërinë e erosit
jemi numër rendor në sistemin kaotik të qenies

dhe, s’ka asgjë përtej asaj që s’e dijmë
përfundimisht njëjshëm është vetëm kujtesë…


ÇDO MINUTË NDODHË


Saktësisht çdo minutë ndodhë
një lindje një vdekje një diçka
që duhet domosdo të ndodhë

pa e ditur ne dhe përse ndodhë
pa praninë tonë e pa dijen tonë
pra përse dhe kur do të ndodhë
në mesditë në mesnatë në mëngjes

sepse në një fije floku është kufiri
në mes jetës dhe vdekjes së secilit
e gjërave që i ndjejmë mendueshëm
por assesi nuk i shohim përtej
pamjes që na mungon përtej shikimit

pra, ne s’dijmë as për jetën tonë
sepse çdo minutë diçka ndodhë
edhe me ne edhe me fatin tonë n’asgjë
sepse ne jemi pjesa e çdo minute jete
e mbështjellë në plazmën brenda shumësisë
në këtë energji lëvizëse brenda universit

saktësisht çdo minutë diçka ndodhë
na mbetet veç fuqia e lutjes përgjërueshëm
që t’mos jemi njëra nga grimcat e tragjedisë
prandaj kjo që në çdo minutë diçka ndodhë
është saktësisht një proces që kurrë nuk kryhet



E PAFALSHME 


Nuk ia fal vetes
mosnjohjen
e rrethit
rreth t’vërtetës

mbi një zhgënjim
u dvirr dhe shpirti im

nuk ia fal as jetës
mosnjohjen e rrethit
rreth t’pavërtetës



JA, SECILI JEMI NGAPAK…

Secili duam të pushtojmë
territor më shumë n’botën e tjetrit
të sundojmë hapësirat paqësore të tjetrit

duam ta përligjim sundimin
në botën e qetësisë së tjetrit

ja, pse jemi ngapak
bishë në vetvete -

secili dhe saherë që vrasim të drejtën
trishtueshëm në kohën e tjetrit
e duam ta përligjim tonën përmbi tjetrin
asnjëherë përfundimisht nuk i vëmë pikën
kërkimit n’pushtim hapësirash gjelbëruese të tjetrit

ja, se secili jemi ngapak
bishë në vetvete –


LUKUNITË

Ana e errët e mendjes i ngjallë lakmitë
e tyre t’zeza e nxjerrin sheshazi egërsinë
e llojit drejtë qëllimit final

erdhën e panë e bënë e u ngjitën
në degën e pemës dhe kokrruan
dhe u dehën me shijën e lotusit

harruan rrugën e kthimit
tek njeriu tek e mira e tij
tek stina e dashurisë njerëzore
tek mirëqenia e kohës tek ekzistenca e tjetrit

viktimë jam unë, ti je, secili nga ne
i duan të gjitha për vete mor
s’e kanë kurrë për komb as për fe
na e shitën shtrenjtë lëkurën
e kohës kur s’ishim aty ku s’ishim

n’orën e ekzistencës dhe t’vetes
hyjnë e dalin paturpësisht kohëve t’vocrra



BABAI


Kam të ftohtë baba kaq vite
të ftohtë kam dhe frikë
nga e pamundshmja ime

për t’më kuptuar e për t’i kuptuar
të gjitha t’paaritshmet e jetës
t’panjohurat e saj të mistershme

e di, ti s’ke asnjë faj
për pamundësinë e takimit
të fëmiut me prindin
qoftë edhe në një ëndërr

në të shumtën jam rritur e forcuar
me dashurinë ëngjëllore të nënës

por kam ende të ftohtë, baba, kaq vite e tehu
të ftohtë kam dhe frikë nga e pamundshmja ime
e tashmë ti je veç një fije kujtimi në mua
që banon brenda kujtesës sime, kaq gjë –

kujtesa bëhet bishë e egërsuar
me dritat e neonit natën, saherë
nxjerrin krye vargjet për të shenjuar
status quo-n e gjendjes së t’jetuarit pahetueshëm

dhe në mendësi, saherë andej e këndej harrimit
unë krenohem përgjithmonë se jam i yti –


ZEMËRATË

Pse hyre aq rrëmbyeshëm
në këtë këngë të etur
hyre si Uji i Madh

vërshove muret
arrite brigjet
preke dhembjen

u ke rënë këmbanave
si në kishë të dielave

ke trandur me rrëmbim
tëra caqet e një mendimi
në rrugë dallëndyshesh

dhe ke përmbysur
çdo gjë rrëmbimthi

në secilën ditë zogu
fluturon, endet n’imagjinatë
duke kërkuar çerdhen

një zot e di kur të prek
hyrja e dytë aq përzjarrshëm
aq më rrëmbim
e për ta larë mëkatin…
                                 
  Prishtinë,2011

2011/10/06

Serbët në pritje të rokadës në Putlandijë

 ENVER BYTYÇI 

    Aty ku KFOR-i përleshet me ekstremistët dhe pjesën e kriminalizuar të serbëve, në Veri të Kosovës, pamjet prej shumë vjetësh japin vetëm një portret: atë të Vladimir Putinit. Portretet e tij fillojnë dhe e shoqërojnë vizitorin nga ura e Ibrit e deri në Jarinjë, duke vazhduar më pas në të gjithë Serbinë. Para disa vjetësh, kur serbët patën sulmuar ambasadat perëndimore, d.m.th pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ata marshonin rrugëve të Beogradit me portretin e Putinit. Nuk mbanin në dorë asnjë portret tjetër përveç zotit Putin dhe të ndjerit Milosheviç.

Prej një jave botës i ka ardhur nga Moska një lajm i keq. Kësaj bote në krizë, të lodhur dhe të stresuar prej lajmeve të shumta të këqija, iu shtua edhe një lajm tjetër: Vladimir Putini do të kthehet në krye të Kremlinit. Impakti i parë negativ i këtij lajmi ka mbërritur në Kosovën Veriore, aty ku muret janë mbushur me portretin e Vladimir Putinit. Kur Putini pati ndërmarrë aksionin ushtarak të pushtimit dhe aneksimit të Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut, e pagëzova si Adolf Putin. Në të vërtetë dhuna ushtarake ruse në këto dy rajone të Gjeorgjisë i ngjante aneksimit që Hitleri i pati bërë Cekisë në vitin 1939, pasi kishte nënshkruar një pakt mossulmimi dhe të ndarjes së sferave të influencës me Stalinin (është fjala për paktin “Ribentrop-Molotov”). Vladimir Putin ka rastin tashmë të bëhet përsëri “dhëndër”, duke u kthyer në Kremlin. Madje, ai do t’ia kalojë edhe Brezhnjevit sa i përket kohëzgjatjes së sundimit të Rusisë.

Kthimi i Putinit, tashmë jo përmes posterave, por përmes ushtrimit të forcës për ndikimin dhe sundimin në Ballkan, duket se po i jep efektet e para në Serbi dhe në Kosovë. Nga njëra anë për këtë shkak Bashkimi Europian po “nxiton” që t’i japë fund konfliktit shqiptaro-serb, duke bërë presion ndaj Beogradit që të pranojë zgjidhjen e dhënë për Kosovën si shtet i pavarur, sovran dhe me integritet e sovranitet të plotë në të gjithë territorin. Angela Merkel ishte përfaqësuesja më e lartë europiane që solli në Beograd “ultimatumin” e BE-së, duke i kërkuar qeverisë së Tadiçit që të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën dhe të tërheqë strukturat paralele dhe këshilltarët e këqij të Beogradit nga Mitrovica e Veriut.

Por forcat pro-Putin në Serbi e në Veri të Kosovës e kapën momentin. Prej 24 shtatorit, kur shefi aktual i Kremlinit, Medvedev, i hapi rrugën Vladimir Putinit për postin e presidentit të Rusisë, ato po protestojnë dhe reagojnë me dhunë kundër ushtrimit të sovranitetit të Prishtinës në këtë pjesë të territorit të Kosovës. Ekstremistët serbë kanë qëlluar me armë kundër forcave ushtarake të NATO-s (KFOR-it) dhe dje edhe kundër banorëve shqiptarë të lagjes së boshnjakëve, duke kërcënuar si në kohën e Milosheviçit me dhunë e terror jo vetëm shqiptarët, por dhe praninë ndërkombëtare ushtarake e civile në këtë rajon. Frymëzimi i kësaj dhune tashmë nuk është vetëm hija, filozofia dhe doktrina e Milosheviçit, por dhe portreti i kudondodhur i Vladimir Putinit rus, i cili me rokadën që do të bëjë vitin tjetër me Medvedevin, do t’i japë Rusisë emrin Putlandija (vendi i Putinit). Po a do ta marrë edhe Serbia emrin Putlandija, njësoj si Rusia?! Sa kohë që në pushtet ishte Milosheviçi e Koshtunica, Serbia mund të quhej pa frikë edhe Rusi. Madje, në kohën kur NATO-ja e kërcënonte Jugosllavinë më sulme ajrore, Milosheviçi miratoir në parlament një rezolutë, me të cilën e bënte Serbinë pjesë të aktit Moskë–Mnisk–Beograd, gjë që të kujtonte vitet 1990.

Beogradi, në pritje të krijimit të Putlandisë, ka vendosur që t’i nxisë serbët e Kosovës në protesta të dhunshme e të përgjakshme, me qëllim që të shtyjë kohën dhe me ndihmën e Putinit president të imitojë rastin e Abkahzisë dhe Osetisë së Jugut në Kosovën e Veriut. Kjo është njëra prej pjesës së dukshme. Dhe këtë pjesë të aktrimit dhe orkestrimit politik e njohin tashmë në qendrat kryesore të Perëndimit. Prandaj dhe Angela Merkel, në kulmin e telasheve që ka shkaktuar kriza financiare dhe ekonomike në Europë, gjeti kohë, nerva dhe mundësi të udhëtojë në Beograd për t’i bërë të qartë Serbisë se rruga për në Bruksel është e kushtëzuar me Kosovën. Në Beograd kushti që paraqiti Merkel ra si bombë. Madje, për nja një javë e çoroditi spektrin e mendimit politik të Serbisë. Nuk kishte ndodhur që politikëbërësit serbë të gjendeshin aq gafil para “bombës” Merkel.

Pas kësaj ndodhi që ekipet e politikës dhe ekspertët përkatës të sponsorizuar nga qeveria e Tadiçit të nxitonin të bënin analizën e ndodhive që panë me sy. Dhe u kujtuan se në Europë e ndiejnë që Vladimir Putini do të bëjë rokadën e radhës e do të kthehet në krye të Berlinit. “Ndaj nxitoi Merkeli, - thanë ata, - të na japë ultimatumin me emrin Kosovë”. Atëherë mendjet e ndritura të akademisë dhe shkencës politike të Serbisë thanë se duhej bërë e njëjta gjë edhe nga ana e Serbisë. Masha që do të përdorej do të ishin ekstremistët kriminelë, kontrabandistë dhe vrasës në Mitrovicën e Veriut. Mbështetja e Beogradit për këta kriminelë u bë pjesë e lojës. Ndaj dhe këto ditë ne kemi dëgjuar presidentin e Serbisë, ministrat e saj, shefin e negociatave, plot sekretarë e nëpunës të Beogradit të kritikojnë, akuzojnë dhe qortojnë KFOR-in, që sipas tyre paska qëlluar edhe kundër një ambulance. Por asnjërin prej tyre nuk e dëgjuam të qortojë dhe kritikojë faktin që serbët e Kosovës janë të armatosur dhe qëllojnë e vrasin ushtarët e KFOR-it, policët e EULEX-it si dhe qytetarët shqiptarë banorë të Mitrovicës Veriore. Prapavija politike duket se është konstruktuar mirë, pa asnjë dilemë dhe dyzim, ndaj dhe ata qindra serbë të armatosur që veprojnë në Kosovë të frymëzuar nga portretet dhe posterat e Vladimir Putinit janë të gatshëm që të veprojnë dhunshëm kundër sovranitetit të Prishtinës në territorin e Kosovës.

Tashmë asgjë nuk është e fshehtë dhe asgjë nuk mund të rrjedhë si një lloj enigma. Përballë janë dy blloqe: nga njëra anë shqiptarët, shteti i Kosovës i mbështetur nga NATO-ja dhe vendet e Perëndimit; nga ana tjetër serbët e Veriut të Kosovës, qeveria dhe politika e Beogradit të mbështetur nga Moska. Në Moskë që tani kanë filluar të duken retë e zeza që do të mbërrijnë dendshëm kur Vladimir Putini do të kthehet në fronin e carit rus. “Jemi të shqetësuar me dhunën e forcave të KFOR-it ndaj banorëve serbë, e veçanërisht për informacionet në lidhje me hapjen e zjarrit në autoambulancën që transportonte të plagosur serbë”, - thuhet në komunikatën e Ministrisë së Jashtme ruse. Ky lloj komunikimi paralajmërues është domethënës për kthesën që ka filluar të ndodhë në Rusi. Putlandija ka filluar të funksionalizohet që sot, kur Putini ka marrë mandatin e partisë së tij për të kandiduar për postin e shefit të Kremlinit. Ajo do të marrë formë të plotë me një dozë agresiviteti të jashtëzakonshëm pasi Putini të betohet në Biblën e Kishës Ortodokse të Moskës, aty brenda territorit të Sheshit të Kuq të Kremlinit.

Nëse Perëndimi dhe qeveria e Kosovës do të merren gjatë me zgjidhjen e konfliktit në këtë pjesë të vendit, atëherë Putlandija do ta vështirësojë edhe më shumë zgjidhjen. Karateisti që del për gjah “tigrash” në Siberi, nuk do të pranojë zgjidhje tjetër përveç zgjidhjes fashiste e staliniste të rastit të Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut. Edhe nëse vetëm Moska, Nikaragua dhe Venezuela do ta njihnin të ashtuquajturin “shtet të pavarur të Kosovës e Metohisë”, natyrisht në kufij të tri komunave mbi lumin e Ibrit, Prishtina, Brukseli dhe Uashingtoni do të viheshin në vështirësi për të rikthyer sovranitetin e qeverisë dhe institucioneve të Kosovës në të gjithë territorin e saj. Prandaj në Prishtinë, në Bruksel dhe në Uashington duhet të nxitim dhe vendosmëri të pazakontë, ndërkohë që serbëve në Veri të Kosovës dhe në Beograd u intereson së paku ta ngadalësojnë procesin deri nga pranvera e vitit 2012, kur njeriu që i jep emrin e vet Rusisë, Putini, do të kthehej në Ballkan jo vetëm përmes posterave dhe portretit të tij, por dhe fizikisht si udhëheqës shpirtëror dhe ushtarak i nacionalizmit ekstremist serb. Nëse dikush në Europë pret deri në pranverën e ardhshme, atëherë duhet llogaritur që në Europën Juglindore mund të vijë një furtunë e re e llojit të Milosheviçit, gjë që mund të cenojë jo vetëm sovranitetin e integritetin e Kosovës, të Bosnjës e Maqedonisë, por vetë stabilitetin e Europës e më gjerë se Europa. 

Një paraqitje e shkurtër e antishqiptarizmit

ÇELO HOXHA 

    Tipologjia e shqiptarit proamerikan, nga më i lashti, Koli Kristofori, te më i freskëti, Artur Zheji, ka ndryshuar në mënyrë dramatike. Vendin e pafajësisë e ka zënë egërsisht, të përdorim një term të butë: banaliteti.

Koli Kristofori ka qenë emigranti i parë shqiptar në Amerikë, më 1884 ose 1886, po të mos llogaritet një person tjetër, edhe ai nga Korça, i cili mbërriti në Botën e Re më 1876, por që u largua shumë shpejt për në Argjentinë. Pas disa vitesh, Kristofori erdhi në Shqipëri dhe u rikthye në Amerikë bashkë me disa fshatarë të tij nga fshati Katund. Kështu nisi bërthama e diasporës shqiptare në Amerikë: pas vizitave në Shqipëri, Kristofori kthehej në Amerikë me një grup bashkëfshatarësh. Udhëtimi drejt Amerikës asokohe ishte sakrificë. Vetëm bileta kushtonte rreth 50 dollarë, një shumë që në Shqipëri kërkonte dy-tre vite punë.

Proamerikani në anën tjetër të trajektores është milioner. Në vitin 2004, Artur Zheji kishte të depozituara në një bankë italiane 100 mijë euro, në bursën italiane kishte një fond letrash me vlerë rreth 54 milionë lekë (të vjetra) dhe ishte pronar 100% i një apartamenti të blerë për 7,5 milionë lekë (të reja, besoj), me kubaturë tri dhoma e një kuzhinë. Sipas një llogarie të përafërt, Zheji zotëronte asokohe një pasuri rreth 250-300 milionë lekë të vjetra, që, sipas deklarimit të vetë Zhejit, ishin realizuar nga puna e tij në Radio-Radikale, Itali, dhe honorarët nga radio “Dojçe Vele”. Kur ai ishte drejtor i RTSH, shteti ka paguar 8580 euro më shumë për biletat e një delegacioni të RTSH. Bileta e zotit Zheji, e cila kushtonte rreth 850 euro, u pagua 2288 nga financat e RTSH. Dhe ky është një fakt që do ta neveriste Koli Kristoforin dhe bashkëfshatarët e tij.

Të dhënat për historinë e emigracionit në Amerikë janë marrë nga libri i Haris Silajxhiçit, “Shqipëria dhe SHBA në arkivat e Uashingtonit”, ndërsa për Artur Zhejin janë marrë nga gazeta “Sot”, e mërkurë 22 dhjetor 2004, fq. 12-13, e cila i referohet Kontrollit të Shtetit, Inspektoratit të Deklarimit të Pasurisë dhe burimeve në RTSH.

Javën e kaluar, në një intervistë për emisionin “Tonight”, ambasadori amerikan Arvizu, e veçoi një artikull të zotit Zheji si denoncues të një skeme antiamerikanizmi me pagesë. E thënë ndryshe: denoncues i një të pune të pistë.

Ky ishte ekzagjerim. Zoti Zheji kishte shkruar për diçka që në Shqipëri s’para shkruan njeri, sepse nuk ka qenë e nevojshme të shkruhej për diçka që e dinë të gjithë. Qëndrimi i zotit Arvizu për demonstratën socialiste të 21 janarit nuk përkonte me qëndrimin socialist dhe kështu gazetarët e majtë kritikuan, në kor, ambasadorin. Zoti Zheji e konsideronte këtë si orkestrim të paguar. Disa gjëra nuk janë të reja sepse Artur Zheji i shikon për herë të parë. Orkestrimi i gazetarisë është një metodë e vjetër në Shqipëri, që më 1944. Dallimi është se në vendin e Enver Hoxhës sot është Edi Rama, dhe zoti Zheji nuk ishte pjesë e orkestrës vetëm për faktin se zoti Rama është prishur me mikun e tij, Fatos Nanon. Ata që zoti Arvizu i veçoi si antiamerikanë dhe proamerikanë nuk i ndan asgjë, madje paguhen nga e njëjta dorë, Henri Çili, apo kushdo që fshihet pas kësaj etikete.

Diskutimi për celulë, pagesë dhe veprim i orkestruar vesh me një vel misteri, duke i lënë dorë të lirë imagjinatës, rolin e shkruesve kundër Amerikës, gjë që për mua është e ekzagjeruar. Ata që konsiderohen antiamerikanë në Shqipëri nuk punojnë në mënyrë të vazhdueshme kundër Amerikës, ata kritikojnë vetëm atë pjesë të veprimtarisë së Amerikës që lidhet me Shqipërinë. Nëse na duhet t’i etiketojmë, atëherë duhet t’i quajmë antishqiptarë. Përpjekja për të shpjeguar paradoksin që disa shqiptarë kryejnë veprimtari antishqiptare, besoj se do na ndihmojë të njohim këtë kategori njerëzish.

Rrënjët e antishqiptarëve fillojnë që me shtetin shqiptar, por ata morën fuqi gjatë Luftës së Dytë Botërore. Problemi me këta lloj njerëzish është jo se ata nuk e duan Shqipërinë, ata nuk e marrin parasysh ekzistencën e saj, sepse mënyra e tyre e të menduarit është e nivelit të periudhës parakombëtare. Ata mendojnë në mënyrë fisnore, gjithçka rrotullohet rreth interesave të ngushta personale pa referencë me interesat dhe moralin kombëtar. Për pasojë, ata nuk e gjykojnë për keq faktin që veprimet e tyre sponsozirohen (ose mbështeten me mënyra të tjera) nga Greqia apo Serbia, sepse ata nuk e vendosin veten në kontekst kombëtar. Lufta e klasave që realizoi regjimi komunist ishte shfaqja më e lartë e mentalitetit parakombëtar të antishqiptarëve, sepse ajo futi në konflikt gjakësor dy pjesë të kombit: të pasurit, të kulturuarit dhe nacionalistët e çdo niveli nga njëra anë dhe llumin e shoqërisë shqiptare në anën tjetër. Origjina e antiamerikanëve të sotëm është llumi që erdhi në pushtet në 1944, ose antishqiptarët e më hershëm në histori. Dy nga gazetarët që ambasadori Arvizu përmendi në intervistën e tij rrjedhin nga dy familje (njëri nga familja e nënës) të njohura prej 100 vjetësh si baza të serbëve në Shqipëri, njëra në Vlorë dhe tjetra në Mat. Për aktivitetin e tyre antishqiptar kanë folur gazetat dhe askush nuk i ka kundërshtuar. Edhe Artur Zheji, pavarësisht se për momentin cilësohet proamerikan, u përket njerëzve me formim parakombëtar. Në artikullin e tij të 18 prillit, të cilit i referohet zoti Arvizu, zoti Zheji e bën të qartë që shqiptarët duhet të jenë pro Amerikës sepse ajo është vendi më i fuqishëm i planetit. Kjo logjikë është dritëshkurtër, sepse nesër mund të jetë vendi më i fortë i planetit dikush tjetër. Nga ana tjetër, elozhet që zoti Zheji i bën ambasadorit amerikan në artikull nuk kanë dallim nga një artikull i Enver Hoxhës për Abaz Kupin më 1943, ndërsa pas një viti ai urdhëroi asgjësimin e Kupit dhe çetës së tij. Në qëndrimin ndaj Sali Berishës, zoti Zheji e ka konsumuar të plotë enverizmin, vetëm duke ndryshuar radhën e gjërave: deri më 2009 ai konkurronte me Andrea Stefanin dhe Mustafa Nanon në baltosjen e zotit Berisha dhe familjes së tij, ndërsa pas 2009 ai jargavitet në artikuj të na mbushë mendjen se është përkrahës i tij i zjarrtë. Natyrisht që është, por në nivel vulgar. Ky lloj mentaliteti nuk realizon aleanca afatgjata, sepse është i kushtëzuar në vlera të përkohshme. Mentaliteti qytetar, barazia para ligjit dhe barazia në të drejta, që lindi së bashku me kombin, është ai që mundëson aleanca jetëgjata dhe në Shqipëri këtë e përfaqësojnë nacionalistët.

Miqësia shqiptaro-amerikane zë fill më 4 korrik 1918, kur presidenti Uillson, së bashku me përfaqësuesit e të gjitha grupeve etnike në Amerikë, vendosi lule në varrin e Uashingtonit, dhe ku ai deklaroi se SHBA do të luftonte me vendosmëri në marrëdhëniet ndërkombëtare, kundër intrigave dhe komploteve ndaj popujve të vegjël. Aty, sipas Silajxhiç, Noli iu drejtua personalisht presidentit amerikan dhe ai shprehu “vendosmërinë e tij e tij të palëkundur për ta ndihmuar Shqipërinë”. Pak muaj më vonë nisi Konferenca e Paqes në Paris, prej të cilës Shqipëria ia doli, pas shumë telashesh, të ruante kufijtë e 1913-s. Roli i amerikanëve në fatin e Shqipërisë është materializuar qartë në vizionin e Mid’hat Frashërit për ndihmën e jashtme që ka pasur nevojë Shqipëria: “Kjo ndihmë duhet t’i jepet Shqipërisë nga një fuqi jodirekt e interesuar në Ballkan... ne mendojmë se Republika e Madhe Amerikane do të kryente një shërbim të jashtëzakonshëm për njerëzimin duke realizuar këtë mision”. Mid’hat Frashëri njihet si përfaqësues i nacionalizmit dhe nacionalizmi është, në përgjithësi, i paragjykuar, për shkak të ndikimit të mendimit evropian në Shqipëri, por Evropa e ka parë botën me syze imperialiste. Ata nuk bëjnë dallim midis llojeve të nacionalizmit, ata nuk e marrin parasysh që nacionalizmi shqiptar ka prodhuar dy ikona të paqes: Mid’hat Frashërin dhe Ibrahim Rugovën. Nënë Tereza, një figurë e ndërmjetme, jonacionaliste, nuk doli nga hiçi, por nga gjiri i një populli që prodhon shenjtorë. Përkrahësit e këtij vizioni paqësor të Mid’hat Frashërit janë proamerikanët e vërtetë në Shqipëri, të cilët dhunohen prej 70 vjetësh nga njerëzit parakombëtarë që kontrollojnë, me ndihmën e armiqve të Shqipërisë, politikën shqiptare. Në afatgjatë, antishqiptarët e kanë të humbur betejën. Fati i Kosovës, një nga shkaqet për të cilat nisi lufta civile në Shqipëri, më në fund u zhvillua sipas vizionit të nacionalistëve, të cilët, për fatin e keq të të gjithëve, u persekutuan për gjysmë shekulli. Në 20 vitet e fundit, antishqiptarët kanë marrë një goditje vdekjeprurëse, por trashëgimtarët e tyre mund të zhduken nga faqja e dheut vetëm duke i qytetëruar.  

Hapja e dosjeve respektive, sfida ime për Reshat Kripën

NGA FATMIR LAMAJ * 


   Pak kohë me parë një miku im duke pirë kafe më dha një shkrim të Reshat Kripës, të botuar në një gazetë që padrejtësisht na ka rrëmbyer dhimbjen tonë dhe tallet me të çdo ditë duke dalë në tregun mediatik me qëllimin e vetëm për t’i shërbyer verbërisht partisë në pushtet në mënyrën më të ulët të mundshme (sigurisht shkrim i porositur). E lexova dhe më habiti mllefi dhe urrejtja që natyrisht është i justifikuar nga pozicioni standard i servilit, mllefi që hidhej pa të drejtë ndaj të gjithë atyre të burgosurve që nuk pranojnë më të gënjehen dhe zhgënjehen nga ajo parti të cilës i përket. Duke e lexuar intervistën tek (55) e datës 06/05/2011 nuk e di pse në veshët e mi filluan të dëgjohen ulërimat therëse të së kaluarës dhe imazhi i saj i përgjakur filloi të më pushtonte gjithë kujtesën e viteve të diktaturës. Le ta provojmë… Le ta provojnë po i a mbajti. (Mesazhi është i qartë sa kërcënues aq edhe fyese). Le ta provojnë thoshte diktatori se ne do t’i mundim imperialistët amerikanë, le ta provojnë thonë dhe pasuesit e tija, le ta provojnë thonë dhe servilët dhe miushët e tipit Reshat si servilë të paskrrupullt të regjimit që dhe pas 20 vjetësh vazhdon të mbetet modeli më i keq tragjiko-komik i tranzicionit të tejzgjatur në të gjitha vendet e diktaturave post komuniste. Reshat ku e ka origjinën reale guximin yt për të kërcënuar? Tek 3-4 vitet e burgut që ke bërë? Tek motra jote që shpërndante trakte komuniste në vitet e luftës? Që më pas u martua në një nga familjet më komuniste të Shqipërisë dhe luajti si artiste për dekada të tëra role “heroinash” partizane dhe u shpërblye për besnikërinë e saj ndaj komunsitëve. Apo në një tjetër tek babai yt “nacionalist” që ndihmonte jo haptas lëvizjen komuniste me napolonat flori të fituar në mënyrë të dyshimtë si tregtar jo shumë korrekt me sistemin e taksave të regjimit të kohës apo dhe me dallavere të tjera që bëri ai e shumë të tjerë për të favorizuar ardhjen e komunistëve në pushtet? Reshat mbas daljes tënde nga burgu në kujdesin e partisë u sistemove si brigadier apo dhe përgjegjës në sektorin e investimeve në ndërmarrjen e ullishtes në Vlorë kur shokët e tu zvarriteshin kanaleve, kur gjithë shokët e tu të burgut u dëbuan dhe internuan në vitet e tmerrit ‘67-‘68 ti “çuditërisht” mbetet në qytetin e Vlorës. Mos ndoshta për këtë e ke paguar çmimin para kohe apo ishte një “harresë” që e dinin që dhe miu ulok i lagjes së tyre kishte një strofkë ku rrinte dhe ajo strofkë ish e ditur prej tyre, e Reshat bollë u lodhëm ta kalojm pak kohën. Në 91-96 ti me dy shokët e tu D.A dhe F.SH u bëtë treshja moskutjere duke e kthyer shoqatën e të burgosurve dhe të persekutuarve në Vlorë në shembëlltyrën më të keqe të B.P. Duke vendosur në krye të seksioneve të saj njerëz të dyshimtë dhe pa shkallën e duhur të persekutimit. Sipas parimit të shërbimit më ogurzi që ka njohur bota, të KGB-se ruse, se vendosja e çdo personi në një post të pa merituar krijon mundësin e pashmangshme të nënshtrimit dhe garancinë absolute të të qenurit besnik dhe këtë ua kishin mësuar ustallarët tuaj të vjetër të cilëve dhe sot vazhdoni tu përuleni gjithë nderim (a nuk ishte sigurimi i shtetit filiali me besnik i KGB-se dhe i gjithë shërbimeve të tjera te huaja mjafton që gjithçka të bënte të mundur egzistencën e Enver Hoxhës në pushtet?). Po sot çfarë ndodh? Për këtë duhet të pyesim Ambasadorin Arvizun ose ambasadorin grek? Për kujtesë se nuk e kam natyrë kërcënimin unë besoj se kam më shumë informacione se sekretet e shitura apo të dhuruara te ndonjë botues gazete që ti e ke për zemër, për rreth 11000 dosje bashkëpuntorësh që ka pasur rrethi i Vlorës ku për shumicën e tyre ndjej keqarrdhjen e imponuar nga pikpamja njerëzore duke e ekspozuar vetveten time si një përfaqësues kredibël të mëshirës kristiane në mënyrë të patjetërsueshme thellësisht të motivuar se koha që jetuam prodhonte vetëm të keqen pasojat e së cilës jemi të detyruar ti vuajmë bashkarisht, pa tendencën e egoizmit absurd. Të gjithë ne ishim njerëz, të gjithë ne donim të jetonim, të gjithë ne donim të ishim të ndershëm por koha që jetuam jo të gjithëve na e dha këtë mundësi, diferencë e dhimbshme po gjithmonë e falshme. Reshat, kur dola në gjyq mbas muajve të tërë hetuesie më 25/03/1980 deklarova në sallën e gjyqit në mënyrën më të ndërgjegjshme se jam armik i komunizimit deri në vdekje dhe kjo është lehtësisht e vërtetueshme nga personat që janë akoma gjallë si dëshmimtarë okular në atë gjyq si dhe nga personat si I.Alikua, prokuror i çështjes sot avokat në Vlore dhe P.Kasaj, hetuesi i çështjes avokat sot në Tiranë. Kërkoj publikisht me të drejtën e një qytetari për informim në një shtet demokratik (pavarësisht se ky i yni është pseudodemokratik dhe spiunllëku është baza perverse ku ai mbështetet) hapjen e dosjes sime, këtë po deshën le ta bëjnë dhe ata që nuk vuajnë akoma nga kompleksi i fajit për të kaluarën e tyre. Reshat po të drejtohem ty, le të na hapen dosjet të dyve. Le ta provojnë po ua mbajti… Ç‘neveri bëhet prezente në këto fjalë të Reshat toslimonit apo piperit. Reshat unë dhe shokët e mi e kemi provuar përballjen me diktaturën. Të kujtohet besoj greva e ‘91 te selia e PD-së në Vlorë, inciatori i saj isha unë me shokët e mi ti erdhe me vonesë bashkë me të ndjerin H.Alimerko. Në ‘94 unë u ballafaqova me ministrin e brendshëm të kohës për çështjen e grevës që u bë atë vit, kur t’i dhe shoket e tu u bëtë grevëfyesit më të zellshëm për detyrimin që kishit ndaj partisë në pushtet. Në ‘95 mua më hoqën nga puna pasi plotësuan kërkesën e degës së “Omonias” për Sarandsn që kërkoi heqjen e shefit “shovinist” të policisë të Sarandës. Në ‘97 kur ndonjë nga shokët e tu të afërt do të bëhej dhe drejtues i komitetit të “shpëtimit”, apo gjëmave publice dhe mua e shokëve të mi do të na hidheshin shtëpitë në erë në Sarandë. Sërisht unë mbeta pa shtëpi sepse ato që kisha zënë tek NTU, ti dhe shokët e tu do të nxirrnit një ish-pronar nga Shkodra i cili duke pasur mbështetjen e partisë në pushtet do të bëhej pronar. Reshat më thuaj a kam marrë unë ndonjë pronë në Vlorë, se për të tuat do të flasim më vonë. Sikur nga shteti shqiptar i asaj dhe kësaj kohë të kem privatizuar një gozhdë apo një bulon, një tullë apo një metër tokë do të ndihesha moralisht i detyruar të ulja kokën përball zemërgjerësisë së tepruar me të cilin ky shtet trajtoj horrat dhe individët më ordiner pjesëtarë të kësaj shoqërie ku jemi sot. Kërkesa ime është dinjtoze, besoj se dhe pëgjigjja jote duhet të jetë e tillë duke respektuar të vërtetën dhe vetëm të vërtetën mbi bazën e çdo dokumenti të disponueshëm nga zyrat e këtij shteti ku jetojmë. Në ‘98 unë drejtova grevën e urisë përballë godinës së policisë së Fierit me ndihmën e ish kryetarit I.Morina në atë kohë kryetar i Partisë Demokratike të Fierit sot i papunq, e cila qe e vetmja grevë që triumfoi në harkun e 8 viteve të qeverisjes socialiste ku të gjitha shkrimet që botoheshin rreth kësaj greve tek gazeta “Albania” kishin ekskluzivisht mendimin dhe firmën time dhe për këtë mund të pyesësh Reshat për t’u informuar për vërtetësinë e fjalëve të mia ku Berishës pasi ia kanë lexuar njërin prej shkrimeve të mia (gjithmonë sipas fjalëve që solli nga Tirana kryetari i shoqatës suaj për atë kohë T.Alikua dhe D.Lekdush) ai është përlotur. Në prill të 2004 u gjakosa me policët e Nanos përballë godinës së parlamentit për ato të drejta për të cilat vazhdojmë t’i kërkojmë dhe sot e kësaj dite ndaj shurdhë-memecërisë së pushtetit aktual (fotografia ime e gjakosur pushtoi të nesërmen e ndodhisë faqet e para të gazetave të përditshme shqiptare si dhe voziti pa ndalje në faqet e internetit). Le ta provojnë thua ti Reshat … Po, ne e kemi provuar bashkë me shokët e mi me grevën tonë përballë parlamentit në kushtet më të këqija të mundshme e të tjera e të tjera. Le ta provojnë… Thua ti dhe zërat mjerane servile e të paskrupullta. A nuk ishin këto zgjedhe një provë e madhe e zhgënjimit tonë dhe dështimit tuaj si dhe guximit për të hedhur tej prangat e skllavërisë politike në të cilat na mbajti PD-çka jote për 20 vjet. Po, ne do ta provojmë dhe do guxojmë gjithmonë për të kërkuar të drejtat tona të pa mohueshme. Servilizmi ndaj pushtetiti tek ty e tek disa të tjerë është kthyer në një tendencë instiktive të mbijetesës morale, se vetëm kështu ju keni mundësinë ta shijoni dhimbshëm shijen e keqe të “çorbës së prishur” që fatkeqësisht ua kanë detyruar ta hani jashtë dëshirës suaj. Në kazanin e madh të kuzhinës së pushtetit “çorbën e tij të prishur”, ku secili prej jush ha përditë racionin e tij të detyruar është i gatshëm të shtrydhe gjithmonë limonat gati në tharje nga koshi i Sigurimit të Shtetit. Ndjej keqardhjen më të madhe për çdo të persekutuar që ndërgjegjen e tij ia kamzhikos dhimbshëm hija e zezë e të kaluarës dhe kompleksi i fajit ia gërryen pa reshtur si xhelat i pamëshirshëm në çdo moment të jetës, ashtu siç duhet të gjithë ne të ndjejmë neveri për ata mjeranë që vazhdojnë të zhgryejnë në llumin e poshtërsisë duke u kthyer në renegatë të keqpërdorur të shtresës tonë. Të verbërit nuk i vlejnë as një palë syze ndërsa servilit i bënë çdo lloj kostumi. Reshat beteja sa ka nisur, ne jemi gati, ne do ta provojmë, ju sna ndalni dot… Ndërsa ju… 

Flori Bruqi, e pasqyruar në shtatëdhjetë libra të botuar deri tani, për çka ai duhej nderuar me medaljen më të lart “Nderi i Kombit”.

  Akademik Prof.dr.Eshref Ymeri, PHD Prof. dr. Flori Bruqi, me “Diademë Letrare V” Akademik PHD, Eshref Ymeri Vitin e kaluar, Shtëpia Bo...