2011-12-18

Rudina Xhunga:Preja e nje martese te lodhur...dhe ...


Preja e nje martese te lodhur, Rudina Xhunga







“Preja e një martese të lodhur” është një roman për dashurinë. Në faqen e dedikimit autorja shkruan: Për ata që duhen; me frikë se bëhen tre dhe ankth mos mbeten një. Kanë thënë për librin “Eshtë një mnyrë të shkruari me sinqeritet, pa poza, një realizëm pa makijazh. Një libër I shkruar me mendje, me zemër, I shkruar me temperament. Një libër që do të mbetet dhe që ka lënë gjurmë për mendimin tim në letërsinë e këtij fillimshekulli, sepse është pritur prej kohësh në gjininë e tij për mënyrën e të shkruarit, për stilin e përkorë. Një libër që duhet lexuar me dashuri”  

Edmond Tupja redaktori i librit

“Dy njerëz që kërkojnë të njihen në celular dhe në fund gjejnë një surprizë, s’po e themi qysh në krye në është e këndshme, apo e pakëndshme, por sidoqoftë është krejt e papritur, fort shtangëse. Një gjetje e pazakontë, pothuaj irreale, e bukur deri në dhimbje” -  Gazeta “Koha Jonë”

“Preja e një martese të lodhur” është një libër I mbushur me intrigë, me dialogje pa zë, me histori që lindin dhe zbehen, ngrihen kryenece, të trazojnë, për të të sjellë bashkë me shijen e heshtjes së tyre një tronditje. Një fund që askush, askurrë nuk do ta kishte pritur”

 - Gazeta “Panorama”

“Një libër për dashurinë si iluzion dhe kurthet që ajo I ngre shpesh moralit. Një libër I shkruar me “inat” dhe gjakftohtësi, një epistolar modern. Rrëfimi I Xhungës është I zhveshur nga emocionet. Ato I kalojnë lexuesit, që ngjethet në trup, kur tjetri thotë të vërtetën që s’e pranon dot lehtë.Një libër që lexohet me nje frymë. Një libër që të lë pa frymë”

 -  Gazeta “Shekulli”

“Një roman me mesazhe! E padëgjuar deri më sot, por publicistja e njohur Rudina Xhunga ka shënuar një sfidë përtej të pamundurës me daljen në dritë të romanit shkruar me stil sms. E ndërtuar kaq thjesht, krijohet një fushë manjetike e madhe e pashmanshme, te të gjithë ndizet kureshtja si bëhet e zhbëhet një dashuri, si ndizet e fiket një iluzion, si rëndohet e lehtësohet një shpirt” 

- Gazeta “Tema”

"Një libër ku morali është I tepërt, ku instikti mund të të cojë të besosh deri në marrëzi. Pasione të cuditshme, rrëfime deri në intimitet, gjithcka që mund të tregohet vetëm para një ikone që mund ta kesh në dhomën e gjumit, në fakt në libër I thuhet një të panjohuri.” 

Gazeta 55

“Preja e një martese të lodhur” bestseller në katër ditë. Nën rrëfimin mjeshtëror të Rudina Xhungës, janë përpirë 1000 kopjet e para të librit vetëm në katër ditë pas botimit të tij të parë, duke bërë që botuesi Ombra GVG të fillojë ribotimin” - Gazeta “Korrieri”

“Në harkun kohor prej 13 ditësh libri është botuar tre herë. Parashikimet se ky roman do të qe bestseller dolën, kjo duket nga kërkesa e madhe e lexuesit për këtë libër që ka sukses sepse është shkruar me sinqeritet dhe nuk ka stisje. Raporti mes elementit autobiografik dhe trillimit është në prerjen e tij të artë” 

Gazeta Shqiptare

“Për herë të parë, një libër shqiptar kthehet në librin më popullor brenda një kohe kaq të shkurtër. Librarë të ndryshëm shprehen se shumë njerëz që e kanë blerë janë rikthyer për ta blerë për të afërmit dhe të dashurit e tyre. “Preja e një martese të lodhur” kthehet kësisoj në bestsellerin e parë mirëfilli shqiptar.

 - Gazeta “Albania” 



Rudina Xhunga: Intervistë me shkrimtarin Amos Oz



http://www.shtepiaelibrit.com/libri/images/tenjohesh-nje-grua-m.jpg"E kam njohur Shqipërinë nga Ismail Kadare, uroj që shqiptarët ta njohin Izraelin nga librat e mi".
Një intervistë për jetën, familjen, letërsinë. Përjetime personale. Marrëdhënia izraelito-palestineze, holokaustin dhe Shqipërinë që mirëpriti hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Shkrimtari izraelit, Amos Oz, vjen në një intervistë për emisionin "Shqip" në "Top Channel", dhënë gazetares Rudina Xhunga. Për Amos Oz, kandidat për çmimin "Nobel" për letërsinë, thotë se populli izraelit gjithmonë do ta kujtojë me falënderim dhe për mirë Shqipërinë, pasi në Evropë ka pasur shumë pak dyer që u hapën për hebrenjtë, shumë pak dyer dhe derën e Shqipërisë ne gjithmonë do ta kujtojmë për mirë. Në muajin shkurt, shtëpia botuese "Skanderbeg Books " do të sjellë në shqip romanin e Oz, "Rrëfenjë për dashurinë dhe errësirën"

Intervista
Do të doja ta nisnim këtë intervistë me një përjetim shumë personal. Dje në orën një, qëndroja përpara shtëpisë suaj në pritje që ju të merrnit "Nobel"-in. U mërzita që nuk e morët.

Unë jo. Nuk jam zhgënjyer, pasi nuk kisha asnjë pretendim për të marrë çmimin, unë mendoj se ka në botë shumë shkrimtarë të shkëlqyer dhe mendoj, së unë i kam marrë të gjitha çmimet që më përkasin.
E njihni shkrimtarin që mori "Nobel"-in?
Nuk kam dëgjuar për të asnjëherë. Më vjen keq ta pranoj, madje më vjen turp që nuk kam dëgjuar asnjëherë për të, por kjo është e vërteta. Ndoshta ai mund të jetë një shkrimtar shumë i madh, por unë nuk kam dëgjuar për të, asnjëherë.

Qëndrova në Arad gjatë Ditës së Pendesës dhe ndërsa gjithë Izraeli agjëronte, më dha ushqim Sulejmani, një arab, i cili i kishte lexuar të gjithë librat tuaj. "E pëlqej Oz", më tha Sulejmani, sepse librat e tij nuk kanë luftë, kanë dashuri. Kishte të drejtë ai?

Jo, unë mendoj se në librat e mi ka dhe luftë, por edhe kur shkruaj për luftën, unë shkruaj për të pa urrejtje. Unë shkruaj me dashuri dhe mirëkuptim për të gjitha palët që marrin pjesë në luftë. Asnjëherë nuk e kam parë konfliktin midis izraelitëve dhe arabëve si një film west Hollivudi, si një betejë mes të mirëve dhe të këqijve. Gjithmonë e kam parë këtë konflikt si një tragjedi, si një luftë midis së drejtës dhe së drejtës.
Në fakt, Izraeli që unë kisha parë në BBC dhe CNN nuk i ngjan Izraelit që unë gjeta këtu.

Në Izraelin që shikojmë nëpër media, ndeshemi zakonisht ose me fetarë fanatikë, ose me ushtarë të dhunshëm, ose me ca intelektualë si puna ime që duan paqe dhe që kritikojnë qeverinë. Por nuk është kjo e gjitha. Izraeli që unë njoh është shteti ku 70% e popullsisë jeton në ultësirën buzëdetit dhe nuk janë fetarë. Të zhurmshëm, të dashur, me temperament të fortë, popull mesdhetar tipik. Bëjnë shumë zhurmë dhe debatojnë me njëri-tjetrin gjithë kohën. Është e pamundur të gjesh 2 izraelitë që të bien dakord mes tyre. Është edhe më e vështirë të gjesh një izraelit që bie dakord me veten, pasi secili prej tyre mbart në vetvete konflikt ndjenjash.
Megjithatë ka diell këtu, ka shumë diell.


Jemi shtet mesdhetar, ndodhemi buzë detit Mesdhe, në një tokë gjithë diell. Vera jonë është shumë e gjatë dhe dimri ynë është shumë i shkurtër. Nganjëherë mua më vjen keq për këtë.

Pse, çfarë i doni dimrit?
Këtu ku unë jetoj, në shkretëtirën e Aradit kemi jo më shumë se 20 ditë shi në vit. Për mua kur ka ditë me shi është festë. Unë mund t‘i mbaj sytë të hapura plotësisht dhe nuk kam nevojë t‘i përpëlis prej dritës së fortë. Bota bëhet më e butë dhe më femërore kur bie shi.

Sa vjet keni që jetoni në këtë shtëpi në Arad?
Jetoj në Arad prej 22 vjetësh.

Çfarë ju mban në një qytezë pranë shkretëtirës, ku nuk bie shi?
Ne erdhëm këtu në vitin 1986, pasi atë vit, djali im 7-vjeçar, vuante prej astmës së rëndë dhe doktorët na këshilluan, që për t‘u shëruar, kishte nevojë për ajër të thatë shkretëtire. Tashmë kanë shkuar 22 vjet. Djali im u shërua dhe jeton në Tel Aviv, dhe prindërit e tij kanë qëndruar në Arad, pasi ata e duan këtë vend.

Unë e dua shumë shkretëtirën. Çdo mëngjes, shumë herët, në 5.30, dal dhe shëtis nëpër shkretëtirë, gjysmë ore, pak më pak, pak më shumë. Shkretëtira më ridimensionon përmasat, më mban në proporcion. Kur unë kthehem nga shëtitja në shkretëtirë dhe ndez radion, në qoftë se dëgjoj ndonjë politikan që përdor fjalët, përjetësisht ose përgjithnjë, ose kurrë, unë e di që gurët përjashta në shkretëtirë e përqeshin atë. Dhe kur unë ulem për të shkruar në 6 të mëngjesit, pas shëtitjes në shkretëtirë, idetë e mia janë pak më të qarta, pasi kam qenë në shkretëtirë.

Letërsia e mirë bëhet vetëm në Paris, New York, Londër, apo bëhet kudo qoftë shtëpia jote?
Letërsi e mirë mund të shkruhet në çdo vend, mund të shkruhet në Paris, në New York, në Londër, mund të shkruhet edhe në një fshat të vogël dhe të harruar, dhe mund të shkruhet edhe në shkretëtirë. Njeriu duhet të shkruajë për atë që njeh dhe që di. Kur vijnë tek unë shkrimtarë të rinj dhe pyesin; na jep një këshillë si të shkruajmë, çfarë të shkruajmë, unë gjithmonë u them diçka shumë të thjeshtë: shkruaj për atë që ti di, mos shkruaj për atë që nuk di.

Po juve kush ju a dha këtë këshillë, kur ishit shkrimtar i ri? Qe dikush që ju bëri rrugë?
Unë e kam mësuar këtë gjë nga shkrimtarë të tjerë, e kam mësuar nga Çehovi, e kam mësuar nga Shaul Anderson Amerikani, e kam mësuar nga disa shkrimtarë. Por, në fakt, çdo shkrimtar i madh që unë e kam për zemër, shkruan për botën e tij dhe për atë që ka më të shtrenjtë. Dhe ka një mrekulli në këtë pjesë të literaturës, ka një mrekulli të madhe, sa më shumë që libri të jetë provincial, sa më shumë që të jetë lokal, aq më shumë ai bëhet universal.

Dua të ndaloj te Çehovi. Ju keni thënë dikur se shpresonit që konflikti mes Izraelit dhe Palestinës të mos i ngjante një tragjedie shekspiriane, por një tragjedie çehoviane. Por, në fakt, kujt i ngjau?
Ne sot, jemi në një fazë ku mund ta zgjidhim konfliktin midis izraelitëve dhe palestinezëve. Kur them që mund ta zgjidhim, unë nuk mendoj që mund ta zgjidhim nesër, apo pasnesër, por them që kemi arritur në atë pikë që pothuajse të gjithë izraelitët dhe pothuajse të gjithë palestinezët e dinë se cila është zgjidhja. A janë të kënaqur ata për këtë zgjidhje? Jo. Ata nuk janë të kënaqur. A do kërcejnë ata nëpër rrugë ditën kur kjo zgjidhje do realizohet? Jo, ata nuk do të kërcejnë nëpër rrugë. Por kemi arritur në atë pikë ku shumica e izraelitëve dhe e palestinezëve e dinë që në fund të fundit vendi do ndahet dhe do ketë dy shtete, Izraeli përkrah Palestinës. Kjo shtëpi do jetë e ndarë në 2 apartamente më të vogla.

Domethënë do të divorcoheni?
Po, unë flas për divorcim, po për divorcim ndryshe, pasi të dyja palët që divorcohen qëndrojnë në të njëjtën ndërtesë, dhe asnjëra nuk largohet nga ndërtesa. Dhe duhet të vendoset se kush do të marrë dhomën e parë të gjumit dhe kush do ta marrë dhomën e dytë të gjumit, dhe çfarë do bëhet me sallonin, e meqë shtëpia është shumë e vogël duhet të vendosin për rregulla specifike, për dushin dhe kuzhinën. Kjo është e vështirë dhe e parehatshme, por divorci është i domosdoshëm. Të dy këta popuj, palestinezët dhe izraelitët, pas 100 vjetësh lufte, urrejtje dhe tragjedie nuk mund të kthehen befas në një familje të lumtur, se ata nuk janë familje, dhe nuk janë një dhe nuk janë të lumtur. Ato janë dy familje të palumtura.

A është në fakt lufta mes Izraelit dhe Palestinës një luftë mes dy viktimash?
Mendoj se po, kjo është luftë midis dy kurbaneve të Evropës. Arabët kanë qenë viktima të Evropës nga imperializmi, kolonializmi, nga shfrytëzimi dhe përbuzja. Hebrenjtë kanë qenë viktima të Evropës nga përndjekjet, përbuzja dhe në fund nga gjenocidi të pangjashëm apo të pakrahasueshëm në Evropë. Të dy janë viktima të Evropës. Ka nga ata që mendojnë se dy viktima të të njëjtit sundues krijojnë midis tyre ndjenja solidariteti dhe madje marshojnë së bashku në drejtim të barrikadave, duke kënduar këngët e Bertolt Breht. Por, në realitet, disa nga konfliktet më të mëdha në botë janë ato konflikte midis dy viktimave të të njëjtit sundues. Dy fëmijë të të njëjtit baba të keq dhe të dhunshëm nuk e duan njëri-tjetrin. Secili prej tyre shikon te tjetri shëmbëlltyrën e babait. Ti je njësoj si ai. Jo, ti je njësoj si ai, - i thonë ata njëri-tjetrit. Dhe kjo është gjendja midis arabëve dhe izraelitëve. Arabët na shikojnë ne izraelitët si vazhdimësi të Evropës, që me modernizimin e saj, me veglat e saj, ka ardhur për të shfrytëzuar Lindjen dhe për ta zotëruar Lindjen. Ndërsa ne, nuk i shohim arabët, si viktima, siç ndihemi vetë. Ne shikojmë tek ata kozakët, pasardhësit e përndjekësve tanë nga e kaluara, apo nazistët që vrasin hebrenj për kënaqësinë e tyre. Ky është konflikt midis dy viktimave të të njëjtit sundues, ku secili prej tyre shikon te tjetri vazhdimësinë e sunduesit.

Është lajm i mirë që tani Kryeministrja është një grua, Livni? Do e ndihmojë ajo ndarjen që të jetë sa më pak e dhimbshme?
Unë mendoj se Livni e kupton nevojën për dy shtete, ajo madje e ka thënë këtë, jo ngaqë ajo është grua, por ngaqë është njeri i arsyeshëm. Por meqë e përmendët që Livni është grua, unë dua të them që jam shumë i lumtur që Izraeli, siç duket, do jetë shteti i parë në botë ku në krye të 3 institucioneve drejtuese ka tri gra. Pasi Kryetarja e Gjykatës së Lartë të Izraelit është grua, dhe Kryetarja e Parlamentit është grua, dhe tani edhe Kryeministrja do të jetë grua.

Pse çfarë kemi ne që ju nuk e keni?
Unë mendoj se Zoti sipas librit të zanafillës, krijoi në fillim burrin dhe pastaj gruan, kështu që ai mësoi kur krijoi gruan, nga gabimet që bëri kur krijoi burrin.

Tani do doja të flisnim pak për vendin nga unë vij, për Shqipërinë dhe Kosovën gjithashtu, sepse kur Kosova shpalli pavarësinë e saj unë kisha me vete librin tuaj, kur tregoni pavarësinë e Izraelit?
Unë nuk di mjaftueshëm për historinë dhe rrethanat e Kosovës, por në mënyrë instiktive, kur një popull shpall pavarësinë e tij, simpatia ime është me të. Kjo është e vërtetë për sa i përket izraelitëve, kjo është e vërtetë për palestinezët dhe kjo është e vërtetë edhe për kosovarët.

Po për historinë që lidh Shqipërinë me Izraelin, për kohën kur Holokausti na bashkoi dhe shqiptarët u hapën dyert izraelitëve?
Ne gjithmonë do ta kujtojmë me falënderim dhe për mirë Shqipërinë, pasi në Evropë ka pasur shumë pak dyer që u hapën për hebrenjtë, shumë pak dyer dhe derën e Shqipërisë ne gjithmonë do ta kujtojmë për mirë.

Faleminderit. Ju kujtohet ajo kohë dhe raporti që keni me atë kohë? E pyesni herë pas here veten, ç‘qe ajo urrejtje, pse ndodhi Holokausti?
Holokausti na shoqëron ne gjithë kohën, madje edhe nipërit e njerëzve që kanë përjetuar Holokaustin akoma i përjetojnë traumat, dhe akoma pyesin veten çfarë ndodhi, por asnjëri prej nesh nuk ka përgjigje, ka shumë përgjigje, por nuk ka një përgjigje të vetme. Ka një përgjigje që thotë: s‘duhet të jesh kurrë i dobët, ka një përgjigje tjetër që thotë: kurrë nuk duhet të jesh johuman dhe ka një përgjigje të tretë që thotë: duhet të kishim ardhur të gjithë në shtetin e Izraelit në kohën e duhur, dhe ka një përgjigje të katërt që thotë: që edhe në shtetin e Izraelit ka nga ata që duan të na shfarosin dhe ka përgjigje të pestë, të gjashtë dhe të shtatë. Pothuajse çdo izraelit ka një përgjigje të ndryshme.

Nëse do të kishit përballë Hitlerin, do të dëshironit t‘i bënit një pyetje? Cilën pyetje?
Unë nuk besoj se do kisha për çfarë ta pyesja, unë mendoj se ...unë mendoj se jo.
Flasim pak për librin tuaj "Rrëfenjë për dashurinë dhe errësirën" që do të vijë për lexuesin shqiptar në shkurt, prej shtëpisë botuese "Skanderbeg Books". Mundem t‘ju rrëfej diçka personale? E dua shumë këtë libër, më shumë se çdo libër tjetër tuajin. E kam lexuar si dikur në adoleshencë "Harkun e Triumfit", me të njëjtin ankth mos mbaronte.
Faleminderit shumë për fjalët e ngrohta. Në qoftë se do më duhet të përgjigjem me një fjalë të vetme për çfarë bëjnë fjalë të gjithë librat e mi dhe jo vetëm ky libër, me një fjalë të vetme do të thosha: për familjet. Në qoftë se do të më jepni mundësinë e dy fjalëve, unë do të thosha: për familjet e palumtura. Dhe në qoftë se do më jepni më shumë se dy fjalë do të thosha: Duhet të lexoni librat e mi. Unë mendoj se familja është institucioni më misterioz në botë, më paradoksal në botë, më i çuditshmi në botë, më ekzotiku në botë, dhe më interesanti në botë. Në qoftë se do më jepnin mundësinë të zgjidhja midis dy dëshirash, mundësia e parë është të jem në satelitin e parë që do të shkojë për në Mars, dhe mundësia e dytë të kaloj një ditë të vetme dhe një natë të vetme në shtëpinë e cilësdo familjeje, nuk ka rëndësi se e kujt familjeje, si një mizë në mur, unë do të zgjidhja të isha miza dhe jo astronauti.

Por janë të vështira edhe pse interesante familjet për t‘i ngritur, për t‘i mbajtur, për t‘i dashur. Si i bëhet?
Në qoftë se unë do kisha formulën se çfarë duhet bërë nuk do të isha shkrimtar, por këshilltar për marrëdhëniet në familje. Nuk kam këshillë së çfarë duhet bërë përveçse ndoshta një sugjerim. Duhet imagjinatë, duhet imagjinatë në dashuri, duhet imagjinatë në të qenit prind, duhet imagjinatë për çdo marrëdhënie dhe lidhje njerëzore. Unë mendoj se imagjinata është dhe një dhunti shumë thelbësore. Në qoftë se ti arrin ta imagjinosh tjetrin, ti nuk e urren atë, në qoftë se ti arrin ta imagjinosh tjetrin, ti do dish edhe si të sillesh me të, në qoftë se ti e imagjinon tjetrin, ti do të kesh edhe jetë më interesante. Në qoftë se ti arrin ta imagjinosh tjetrin do të jesh edhe e dashur, e dashur më e mirë, por kjo i përket një interviste tjetër.

Ndërsa në këtë intervistë do të doja t‘ju pyesja për atë fjalën magjike që mban familjen, shtetin e të gjitha. Për fjalën që quhet kompromis.
Po, po, besoj shumë te kompromisi. E di që fjala kompromis tingëllon shumë negative në veshët e të rinjve idealistë. Ata mendojnë se kompromisi është diçka jo e drejtë, diçka oportuniste, jo e ndershme. Për mua fjala kompromis është sinonim i fjalës jetë, ku ka jetë ka kompromise. Dhe e kundërta e kompromisit nuk është idealizmi, nuk është integriteti. E kundërta e kompromisit është fanatizmi, është vdekja. Kur them kompromis, nuk them të heqësh dorë nga vetvetja, në të mirë të tjetrit dhe kur them kompromis, nuk them atë që ka thënë Krishti: tregoji faqen tjetër, atij që të qëllon. Kur them kompromis, them mundohu të takosh tjetrin në mes të rrugës. Që të arrish ta takosh tjetrin në mes të rrugës, ti duhet ta imagjinosh tjetrin. Këtë bëj gjithë kohës në profesionin tim. Ngrihem në mëngjes, shkoj dhe shëtis në shkretëtirë gjysmë ore, pi një gotë kafe, ulem pranë asaj tavoline dhe filloj e pyes veten: po sikur të isha ajo, po sikur unë të isha ai, çfarë do të mendoja, çfarë do të ndjeja, çfarë do të bëja, çfarë do të thosha. E bëj këtë gjë për orë të tëra gjatë ditës, si edhe kur kjo s‘ka lidhje me punën time e jetën time. Këtë gjë e bëj me kënaqësinë më të madhe. Kjo është dhe gjëja më interesante në botë, të takosh një njeri tjetër e të mundohesh të bësh vizitë në shpirtin e tij.

Faleminderit z. Oz. Unë po mësoj shumë prej jush në këtë intervistë. Sikundër mësova të risistemoj bibliotekën time kur ju lexova ju te "Rrëfenjë për dashurinë dhe errësirën". Çfarë është biblioteka në jetën e një njeriu, çfarë janë librat në jetën e një njeriu?
Në radhë të parë librat për mua janë diçka shpirtërore, me vlerë që e prek, e ndjen, diçka erotike, sensuale. Librin para se ta lexoj, në radhë të parë e njoh duke e prekur me mollëzat e gishtërinjve. Më pëlqen ta prek librin, ta fërkoj atë, ta ndiej. Gjëja e dytë që bëj është ta nuhas. Çdo libër ka aromën e tij specifike: ka aromë libri të ri, aromë libri të vjetër dhe aromë libri prej këndej e aromë libri prej andej. Libri që ju më dërguat nga Shqipëria "Të njohësh një grua" kishte aromën e tij. Çdo libër ka aromën e tij. Vetëm pasi arrij ta njoh librin nga prekja me gishtërinjtë dhe nga aroma, filloj të shikoj ngjyrat e kopertinës, fotografinë që ndodhet në kopertinë, shkronjat e mandej, si një dashnor i ngadaltë e i duruar filloj e hyj ngadalë-ngadalë në libër, filloj ta lexoj atë. E di që ka shumë kurse në botë që të mësojnë të lexosh shpejt. Studentëve të mi gjithmonë u them që nga unë do të mësojnë gjithmonë si të lexojnë ngadalë. Do ju mësoj juve si të lexoni ngadalë, të lexoni një fjali dhe të ngrini sytë, të lexoni një paragraf e të mendoni pak, të lexoni dy faqe e të shkëputeni për pak kohë e të shkoni të shëtisni, të lexoni një kapitull e të shkoni të dëgjoni muzikë. Librat e mirë është mirë që t‘i lexoni ngadalë. Në përgjithësi kam mësuar nga jeta që të gjitha gjërat e mira në jetë është mirë që t‘i bësh ngadalë.

Unë kështu kam bërë me librin tuaj. Jo vetëm e kam lexuar ngadalë, por e kam marrë me vete kudo ku shkoja.
Faleminderit.

Ju po flisnit për aromën e librave. Çfarë arome ka Çehovi?
Çehovi ka aromë prej dollapi të vjetër ilaçesh. Ai ka qenë doktor dhe gjithmonë nga librat e tij mua më vjen aroma e një farmacie të vjetër.

Po Remark, çfarë arome ka?
Ai ka një aromë krejtësisht tjetër, ai ka një aromë të largët prej baruti, të përzier së bashku me aromën e biskotave dhe kalvadosit.

Ju pyeta për aromën e shkrimtarëve që unë pëlqej. Cila është aroma e autorëve që ju pëlqeni?
Shkrimtarët që pëlqej? Në radhë të parë Çehovi është shkrimtari që e dua me dashuri të përjetshme, e dua shumë. Dua për shembull një shkrimtar italian, Lampeduzën, Giuseppe Tomasi di Lampedusa, që ka shkruar vetëm një libër të rëndësishëm, i cili quhet "Il Gattopardo". Më pëlqen shumë ky libër. Ai ka aromën e shtëpive të vjetra, të shtëpive të mëdha e të vjetra, të mobilieve të vjetra, të rrobave të vjetra, aromë dhomash të mbyllura që rrinë për një kohë të gjatë pa i hapur dritaret.

Po aroma e dashurisë, cila është? E dashurisë me D të madhe, asaj që vjen në formën e një gruaje në jetën e një njeriu, "një gruaje si xixëllonjë në errësirë, çfarë xixëllonje si gjenerator, çfarë gjeneratori si central elektrik", thoni ju në librin tuaj. Cila është aroma e kësaj dashurie?
Mendoj se ka shumë dashuri të ndryshme dhe çdo dashuri ka aromën e saj. Nuk ka një aromë për të gjitha dashuritë. Në memorien time kam dashuri që kanë aromë lulesh, si dhe dashuri që kanë aromë deti, por kam edhe dashuri që kanë aromë bari, aromë bari të sapokositur. Çdo dashuri ka aromën e saj.

Si është aroma e dashurisë së parë, asaj me mësuesen?
Mësuese Zelda. Aroma e dashurisë sime me mësuesen time Zelda kishte aromën e librave. E desha atë nëpërmjet librave të saj dhe nëpërmjet tregimeve të saj. Por mund të them edhe si ka qenë ngjyra e kësaj dashurie të parë, ngjyra e kësaj dashurie ka qenë ngjyrë lejla e errët.

Po aroma e një dashurie të pamundur?
Aroma e një dashurie të pamundura. Përsëri ka shumë dashuri të pamundura, nuk ka vetëm një, ndonjëherë kanë aromën e kripës së lotëve, ndonjëherë aromën e djersës së grushteve të mbledhura, apo edhe aromën e flladit përpara errësirës.

Dhe aroma e dashurisë për gruan, ajo që zgjat 50 vjet dhe vazhdon ende?
Kjo është një aromë shumë e mirë.

Kjo është aroma më e mirë?
Për mua po. Po.

Vazhdon gruaja të jetë lexuesja juaj e parë dhe njeriu që ju i besoni më shumë, apo thjesht ju pëlqen ta shkruani këtë?
Po, ajo është gjithmonë lexuesja ime e parë dhe gjithmonë besoj tek ajo. Qesh kur është për të qeshur dhe qan kur është për të qarë. Gjithmonë ma thotë kur libri nuk është i mirë.

Po ajo, shkruan vetë?
Jo, ajo është muzikante, i bie flautit.

Prandaj edhe në librat tuaj ka muzikë, melodi?
Jeta jonë është e mbushur me muzikë, kjo shtëpi është plot me muzikë. Kur gruaja ime nuk luan muzikë, atëherë gramafoni luan dhe ne dëgjojmë muzikë. Në këtë dhomë kemi dy altoparlantë të vegjël dhe kjo dhomë gjithnjë është e mbushur me muzikë.

Por mbiemri juaj, mbiemri që ju i dhatë vetes në moshën 14-vjeçare nuk do të thotë muzikë, por fuqi. Oz në hebraisht do të thotë fuqi. Pse kishit nevojë për fuqi në atë kohë?
Kur isha 14 vjeç bëra kryengritje mbi botën e babait tim, desha të bëhesha ai që babai im nuk ishte dhe nuk desha të isha ai që babai im ishte. Babai ishte intelektual, ndërsa unë desha të isha bujk; ai ishte njeri me ide të djathta, ndërsa unë u bëra socialdemokrat; ai ishte qytetar nga Jerusalemi, unë u bëra kibucnik; ai ishte i shkurtër dhe unë vendosa të bëhesha i gjatë, vetëm se kjo nuk u realizua dot. Që atëherë ndryshova edhe mbiemrin tim nga Klauzer në Oz, dhe Oz do të thotë jo vetëm forcë, por edhe guxim. Kjo ishte ajo që më mungonte mua kur u largova nga shtëpia e shkova të jetoja në Kibuc në moshën 14-vjeçare.

Tani ju nuk keni më nevojë për fuqinë, edhe pse mbiemri është i juaji tashmë prej kohësh.
Ky mbiemër më kujton se nga kam ardhur.

Ju merr malli për prindërit tuaj? Ka diçka që do të donit ta bënit nëse do të ishit edhe një ditë bashkë të tre?
Në fakt, kur shkrova librin "Rrëfenjë për dashurinë dhe errësirën", u përpoqa që me anë të këtij libri të ftoja të vdekurit për vizitë tek unë në shtëpi, për një gotë kafeje, t‘u bëja prindërve të mi njohjen me gruan dhe fëmijët, pasi ata nuk e kanë njohur njëri-tjetrin. Duke i ulur të gjithë rreth së njëjtës tavolinë, duke iu dhënë kafe e kek dhe duke folur me ta. Duke folur edhe për tema të cilat nuk kemi folur, kur ata ishin gjallë. Duke folur për gjëra, për të cilat asnjëherë nuk folëm dot. Dhe pas vizitës në shtëpinë time u thashë të vdekurve të mi: "Tani largohuni, mos qëndroni të banoni tek unë, ejani me raste, herë pas here, jeni të ftuar tek unë për vizitë, për një gotë kafeje". Mendoj se kjo është mënyra më e drejtë për t‘u sjellë me të vdekurit tanë, t‘i ftojmë ata herë pas here në shtëpi për një kafe, kek dhe bisedë e pastaj t‘i përcjellim.

Është diçka tjetër që më pëlqen shumë ta dëgjoj prej jush, dallimin mes një gruaje e një burri, si dallimi mes gjirit dhe thikës?
Po, këtë e kam shkruar te libri "Rrëfenjë për dashurinë dhe errësirën". Kur linda, gratë më pritën dhe më morën në gjoksin e tyre, në qumështin e tyre, në ngrohtësinë e tyre, kurse burrat më pritën pranë hyrjes me thikë në dorë. Prandaj, deri më sot e kam pasur më të lehtë të jem në shoqëri grash se sa burrash.
Te burrat, te gjinia mashkullore, ka një përqindje më të madhe dhune se sa te gjinia femërore, si dhe një përqindje më të madhe pasigurie te gjinia mashkullore se sa te gjinia femërore, mbase sepse neve nuk na dhanë mundësinë që të lindim fëmijë.

Çfarë e bën një fëmijë të shëndetshëm, një shoqëri të shëndetshme?
Në radhë të parë për të qenë njeri i mirë në botë ti duhet ta dish që të duan ty, që dikush të do, që ka të paktën një njeri në botë që të dëshiron. Në qoftë se nuk ka në botë asnjë njeri që të dëshiron është shumë e vështirë që të jesh njeri i mirë. Një njeri duhet të të dëshirojë ty. Gjatë gjithë kohës që ne kemi baba dhe nënë është pak më e lehtë, por kur mbesim pa nënë e baba ajo varet nga ne nëse do të ketë një njeri që të na dojë. Varet nga ne në qoftë se fëmijët tanë do të na duan apo jo, varet nga ne në qoftë se bashkëshorti ose bashkëshortja jonë do të na dojë, varet nga ne në qoftë se komshinjtë tanë do të na duan apo jo.

Si ia bëtë ju, pasi ishit vetëm 14 vjeç? Si ia dolët?
Isha shumë i vetmuar, por kërkova dikë që të më donte mua dhe e gjeta.

Çfarë na bën që t‘i themi vetes që të vazhdojmë, edhe pse siç shkruan Kazanzaqis, "jeta është një anije që liman ka vetëm vdekjen". Si ia bën njeriu të vazhdojë pavarësisht?
Kjo varet në radhë të parë në mundësinë për të dashur, për të vlerësuar gjërat e vogla. Kjo fillon me mundësinë për të dashur njerëzit, vazhdon me mundësinë për të dashur dritën që ne shikojmë në mëngjes kur hapim sytë dhe vazhdon me mundësinë për të dashur kafenë që pimë në mëngjes e vazhdon me mundësinë për të dashur muzikën që dëgjojmë gjatë ditës. Në qoftë se ke vetëm këto gjëra, atëherë ke mjaftueshëm gjëra për të vazhduar dhe jetuar.

Po fama e suksesi a ta bëjnë jetën më të mirë?
Po, jetën time ato e bëjnë më të mirë. Kënaqem nga suksesi dhe kënaqem nga fama, por di që të mos jem i varur prej tyre. Dhe di që ato nuk vijnë tek unë në veçanti, por vijnë te një person që mban emrin tim. Ato i përkasin këtij personi dhe jo mua.

Çfarë do të bënit po të mos ishit shkrimtar?
Do të doja shumë të isha muzikant. Në qoftë se do të isha muzikant nuk do të bëhesha shkrimtar.

Me çfarë muzike do të donit që ta shoqëroja këtë intervistë?
Me violinçel.
Do ta bëj.
Faleminderit, faleminderit shumë.

Po pse?
I përshtatet bisedës sonë. Tingulli i violinçelit u përshtatet pyetjeve tuaja.
Në fund të kësaj interviste do të doja t‘i ftoja bashkëqytetarët e mi, t‘i ftoja shqiptarët që ta njihnin Izraelin. Pse duhet të vijnë ata këtu? Pse duhet ta njohin këtë vend, pse duhet ta duan këtë vend siç unë e desha?

Izraelitët dhe shqiptarët janë dy popuj shumë të vegjël dhe mendoj se nga të gjithë popujt që jetojnë buzë detit Mesdhe, ne jemi popujt më të vegjël. Nuk ka popuj më të vegjël se sa ne së bashku me Qipron. Dhe që të dyja palët kanë histori mjaft të përzier, histori vetmie. Jetojmë në një lagje që nuk është familja jonë, në një lagje që nuk është ambienti ynë natyral. Ju keni kaluar gjëra shumë të rënda, keni kaluar pushtim, poshtërim e shtypje, edhe ne kemi kaluar gjëra mjaft të rënda. Kemi mjaft arsye për të qenë miq dhe mendoj se rruga më e mirë për të qenë miq është të lexojmë librat e njëri-tjetrit. Unë lexoj përkthimet e librave të Ismail Kadaresë, kjo është ajo që njoh nga letërsia shqiptare, për fat të keq nuk njoh shkrimtarë të tjerë, pasi nuk janë përkthyer pothuajse, por ato që kam lexuar tek ai më kanë hapur një dritare për Shqipërinë dhe jam i lumtur që i kam lexuar librat e tij. Shpresoj që librat e mi do t‘u hapin lexuesve shqiptarë një dritare të ngjashme për Izraelin.

Faleminderit që po flasim për dritaret, ato siç duket na mbajnë në jetë. Faleminderit që i ftoni shqiptarët të vijnë në Izrael. Do të doja gjithashtu që kur "Rrëfenjë për dashurinë dhe errësirën" të vijë në Shqipëri në shqip nga "Skënderbeg Books", të mund të vinit edhe ju bashkë me librin. Faleminderit Amos Oz për këtë intervistë.
Faleminderit juve për pyetjet e mira dhe për fjalët e ngrohta që thatë për librin.

Toda, Toda rabah.
Si i thonë në shqip faleminderit? Faleminderit shumë.

3 libra nga Robert Elsie


Letersia shqipe: nje histori e shkurter, Robert Elsie


Letërsia shqipe është një letërsi evropiane, e megjithatë, ajo është zhvilluar relativisht e veçuar nga kultura mbizotëruese evropiane. Shqiptarët, të cilët rrjedhin nga fiset nomade vendëse të Ballkanit Jugperëndimor, dhe që janë mësuar të jetojnë në një terren malor nga më të thepisurit në të gjithë gadishullin, i konsoliduan vendbanimet e veta larg udhëkryqeve më të rrahura të qytetërimit evropian. Kultura e tyre ka qenë dhe mbetet një kulturë krejt e ndryshme dhe unike evropiane, ndërsa letërsia e tyre e shkruar edhe sot pasqyron shumë prej karakteristikave të saj të veçanta. Madje ky është një prej faktorëve që e bën letërsinë shqiptare kaq të mahnitshme.
Për fat të keq, për letrat shqipe është shkruar shumë pak, sigurisht, me përjashtim të veprave të botuara në vetë gjuhën shqipe. Në nivel ndërkombëtar, tema e letërsisë shqipe ende mbetet përgjithësisht e patrajtuar. Kjo lënie pas dore vjen kryesisht nga mungesa e specialistëve ndërkombëtarë me njohuri të shëndosha të gjuhës letrare shqipe dhe jo për shkak të ndonjë mungese të vetë krijimtarisë letrare.
Vëllimi "Letërsia shqipe: një histori e shkurtër", orvatet të mbushë këtë zbrazëti, duke bërë një përshkrim të përmbledhur të zhvillimit të të shkruarit krijues në gjuhën shqipe. Ai përqendrohet tek autorët dhe rrymat më kryesore të letërsisë shqipe, që prej teksteve më të hershme në shekujt e trembëdhjetë, pesëmbëdhjetë dhe gjashtëmbëdhjetë, deri tek fillimi i mijëvjeçarit të ri, dhe është shkruar duke pasur parasysh një lexues të zakonshëm, që mund të mos ketë shumë njohuri në këtë fushë. Si i tillë, libri mund të jetë i dobishëm si udhëzues për të gjithë ata, fushat e interesit të të cilëve përfshijnë kulturat ballkanike, letërsinë e krahasuar dhe historinë e kulturës evropiane në përgjithësi.
Letërsia shqipe u zhvillua relativisht vonë dhe rritja, madje edhe vetë ekzistenca e saj, është rrezikuar në shumë periudha. Libri i parë i botuar në gjuhën shqipe, sipas të dhënave që kemi, u shkrua në vitin 1555. Por pavarësisht nga ai dhe nga vepra të tjera të hershme, për letërsi kombëtare në Shqipëri mund të flitet me plot gojën vetëm nga fundi i shekullit të nëntëmbëdhjetë e më tej.
Bima e brishtë e letërsisë shqiptare u rrit në një tokë shkëmbore. Ajo herë mbinte e lulëzonte, dhe herë shkulej nga dheu prej rrjedhës brutale të historisë politike të Ballkanit. Letërsia e hershme e Shqipërisë së krishterë humbi nën flamujt e islamizmit, kur vendi u bë me dhunë pjesë e Perandorisë Otomane. Letërsia e Shqipërisë myslimane, shumë pak e njohur edhe sot, u tha e u vyshk në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë, kur shqiptarët i kthyen shpinën Portës së Lartë dhe deshën të krijojnë një shtet të pavarur evropian. Fillesat e shëndosha të letërsisë moderne në vitet 1930 u shfarosën pa mëshirë nga udhëheqësit stalinistë, që morën pushtetin në vitin 1944 dhe e mbajtën deri në vitin 1990. Dhe së fundi, me të rënë diktatura, letërsia shqiptare e realizmit socialist, krijesë e regjimit komunist, u bë e vjetruar dhe e padëshirueshme. Për periudha të tëra historike, për shqiptarët ka qenë e ndaluar me ligj që të shkruanin dhe botonin në gjuhën e tyre. Librat dhe shkollimi në shqip ishin të ndaluar në të gjithë Shqipërinë pothuaj deri në fund të sundimit otoman në vitin 1912, dhe një ndalim i ngjashëm, herë zyrtar dhe herë jozyrtar, ka qenë në fuqi edhe në Kosovë nën sundimin serb, deri në vitet 1960.
Megjithatë, kjo bimë e brishtë e kësaj toke të ashpër legjendare ka prodhuar disa lule të mahnitshme, shumë prej të cilave e meritojnë vëmendjen e botës së jashtme.
Pas një mungese të gjatë, gjashtë deri në shtatë milion shqiptarët e Ballkanit po rifitojnë tani vendin e tyre në Evropë dhe kultura e tyre në lulëzim meriton më shumë njohje e vlerësim. Do të shpresoja që ky libër të japë shtysën e nevojshme për këtë.
Nuk më mbetet tjetër veç t'u shpreh mirënjohjen time shumë njerëzve dhe institucioneve që më kanë ndihmuar në përgatitjen e këtij libri. Falënderime të posaçme i takojnë Janice Mathie-Heck nga Kalgari (Kanada) për rishikimin e versionit përfundimtar të dorëshkrimit.
Robert Elsie
Malet Eifel, Gjermani
Maj 2005

PASQYRA E LËNDËS

1. Letërsia e hershme shqipe (shek. 15-17)
1.1 Fillimet e shkrimit në shqip
1.2 Teodor Shkodrani (1210) dhe shkrime të tjera të hershme
1.3 Gjon Buzuku dhe libri i parë shqip (1555)
1.4 Lekë Matrënga dhe "Doktrina e Krishterë" (1592)
1.5 Veprat e Pjetër Budit (1618-1621)
1.6 Frang Bardhi dhe fjalori i tij latinisht-shqip (1635)
1.7 Pjetër Bogdani dhe Cuneus Prophetarum (1685)
1.8 Rënia e letërsisë së hershme shqipe
2. Letërsia myslimane në Shqipëri (shek. 18-19)
2.1 Lindja e islamizmit
2.2 Letërsia e bejtexhinjve
3. Letërsia arbëreshe (shek. 18-19)
3.1 Mërgimi shqiptar në Itali
3.2 Letërsia e hershme arbëreshe
3.3 Jeronim De Rada dhe zgjimi kombëtar
3.4 Poetë romantikë: Françesk Santori, Gavril Dara dhe Zef Serembe
3.5 Filizi i Sicilisë: Zef Skiròi
4. Letërsia e Rilindjes: zgjimi kombëtar shqiptar (shek. 19)
4.1 Fillimet e zgjimit kombëtar
4.2 Vëllezërit Frashëri dhe letërsia e romantizmit kombëtar
4.3 Kultura e Rilindjes në Shqipërinë e Veriut
4.4 Rëndësia e letërsisë së Rilindjes
5. Periudha e pavarësisë (nga fillimi i shek. 20 deri më 1944)
5.1 Poetë të periudhës kalimtare: A. Z. Çajupi, Ndre Mjeda dhe Asdreni
5.2 Mjeshtër të finesës: Faik bej Konica dhe Fan Noli
5.3 Zëri i kombit: Gjergj Fishta
5.4 Lajmëtarët e modernizmit: Migjeni dhe Lasgush Poradeci
5.5 Proza e periudhës së pavarësisë: Ernest Koliqi dhe Mitrush Kuteli
5.6 Autorë të tjerë para ardhjes në pushtet të komunistëve
5.7 Zeniti kulturor i mesit të viteve tridhjetë
6. Realizmi socialist shqiptar dhe më tej (fundi i shek. 20)
6.1 Vërshimi e realizmit socialist
6.2 Risi dhe disidencë: veprat e Ismail Kadaresë
6.3 Prozatorë të tjerë të periudhës së socializmit dhe më tej
6.4 Poetët e popullit
7. Letërsia e sotme shqipe në Kosovë, Maqedoni dhe Diasporë
7.1 Shqiptarët në ish Jugosllavi
7.2 Lindja e prozës shqipe në Kosovë
7.3 Poezia në Fushën e Mëllenjave
7.4 Letrat bashkëkohore arbëreshe
8. Liri dhe kaos: letërsia e sotme shqipe
9. Bibliografi
10. Tregues


Fjalor Historik i Kosoves, Robert Elsie


Ky botim i dytë i Fjalorit Historik të Kosovës, i rishikuar dhe zgjeruar në mënyrë të konsiderueshme, i jep lexuesit informacione më të fundit për Kosovën dhe popullin e saj deri në mes të vitit 2010, duke përfshirë kështu periudhën e administrimit ndërkombëtar deri te shpallja e pavarësisë në shkurt të vitit 2008, dhe më tej.
Kosova është një tokë e lashtë, por që mediumet dhe bota perëndimore në të vërtetë e 'zbuluan' vetëm gjatë luftërave jugosllave të viteve 1990 të shekullit të kaluar, fillimisht thjesht si një re tjetër e zezë që u shfaq në horizont, diku përtej Bosnjës. Që prej atëherë, u vërshuan një varg botimesh brenda një kohe relativisht të shkurtër, pjesa më e madhe e të cilëve fokusoheshin tek lufta e Kosovës e viteve 1998-1999, shtypja e tmerrshme politike dhe gjendja tejet e rëndë e të drejtave të njeriut nën regjimin serb, kriza humanitare dhe ushtarake që u shkaktua si pasojë e tyre, çështja shumë e kontestuar e statusit dhe pavarësisë, si dhe politika ndërkombëtare që lidhej me të. Pavarësisht nga gjithë kjo vëmendje dhe nga prania e institucionalizuar e bashkësisë ndërkombëtare për prej vitit 1999, Kosova ende nuk është fort e njohur si vend.
Fjalori Historik i Kosovës orvatet ta balancojë këtë problem dhe ta paraqesë Kosovën në një kornizë më të gjerë. Ai përqendrohet jo vetëm tek shumë prej çështjeve të mësipërme, që sigurisht, ende ia vlen t'u kushtohet vëmendje, por shpreson gjithashtu t'i japë lexuesit të interesuar informacione për Kosovën si një vend me një kulturë të pasur dhe histori të gjatë, ose më mirë, si një vend me disa kultura dhe, siç mund të thotë dikush me paksa ironi, me disa histori. Kosova është më tepër se sa një krizë problematike sigurie për Perëndimin. Ajo është një vend i ri evropian, me rreth dy milion banorë, një tokë poetësh dhe shkrimtarësh, piktorësh dhe skulptorësh, dijetarësh dhe artistësh. Është një tokë monumentesh kulturore, ndër të cilat xhami osmane me zbukurime të imta dhe kisha e manastire të vjetra ortodokse, tregje orientale, fushëbeteja e peizazhe të mahnitshme. Kosova është një vend me burime të konsiderueshme natyrore dhe një popullsi të re e optimiste, të etur për ta bërë atdheun e vet pjesë përbërëse të Evropës. Ajo është një demokraci e re me potencial të madh, por që, padyshim, ka trashëguar shumë probleme të mëdha nga e shkuara e errët.
Pjesa më e madhe e 475 zërave që përfshihen në botimin e dytë të këtij Fjalori Historik të Kosovës u kushtohen njerëzve dhe personaliteteve. Këta nuk janë vetëm figura historike, por edhe figurat të sotme publike dhe udhëheqës politikë, si dhe individë që kanë dhënë kontribute të shquara në arte dhe shkencë.
Pa lënë pas dore pakicat kombëtare të serbëve, boshnjakëve, romëve dhe turqve, ky vëllim niste nga realiteti i Kosovës së sotme të pasluftës, si një vend kryesisht shqipfolës. Në përputhje me këtë, aty ku nuk specifikohet ndryshe, zotat për personat bëjnë fjalë për individë nga grupi i shumicës shqiptare, i cili përbën rreth 92 për qind të popullsisë.
Thuhet shpesh që popujt e Ballkanit kanë marrë përsipër më tepër histori nga ç'mund të mbajnë. Shpresojmë që ky vëllim t'ua lehtësojë disi lexuesve barrën e të kuptuarit të kësaj historie dhe t'i ndihmojë ata ta njohin Kosovën, anëtaren e re të familjes evropiane.


Leksiku i kultures popullore shqiptare, Robert Elsie




Sipas dokumentave historike, shqiptarët kanë qenë të pranishëm në Europën juglindore që prej rreth një mijë vjetësh, por rrënjët e tyre zbresin shumë më thellë në mjegullat e lashtësisë. Në fillim, një bashkësi e vogël baritore në hapësirat më të thella të Ballkanit, shqiptarët u shtuan në numër dhe përhapën ngulimet e tyre në mbarë trevat jugperëndimore të gadishullit. Me kalimin e kohës, si dhe me gjallërinë e këmbënguljen që i kanë në gjak, e me shumë fat, ata erdhën e zunë vendin që kanë sot në radhën e shteteve kombëtare të Europës.
Mirëpo, edhe sot, në të hyrë të shekullit XXI, termi 'shtet kombëtar në Europë' nuk eshtë krejtësisht i përshtatshëm për shqiptarët. Jeta e tyre dhe kultura e tyre janë ato të një vendi në zhvillim, të një vendi të Botës së Tretë që lufton për të mbijetuar në të gjitha kuptimet e kësaj fjale. Në pikëpamje materiale, ata kanë qenë të privuar nga gjithçka përveç gjërave më të domosdoshme për të mbajtur frymën gjallë. Madje, zhvillimi historik, politik, ekonomik dhe kulturor i shqiptarëve ka qenë aq i mundimshëm sa që ata që i njohin mirë nuk mund të mos mahniten se si kanë arritur të mbijetojnë si popull.
Vetëm në një kuptim kanë qenë të pasur shqiptarët. Kultura popullore tradicionale e tyre, e cila ka ardhur e është zhvilluar gjatë shekujve në kushtet e një veçimi relativ, paraqet një begati befasuese elementesh. Megjithatë, kjo kulturë, pa dijen e së cilës Ballkani kurrsesi nuk ka si të kuptohet, ka mbetur pak e njohur për botën Perëndimore, madje edhe ndër antropologët dhe etnografët që merren posaçërisht me Ballkanin. Punimi që po paraqesim këtu synon ta mbushë këtë zbraztësi, sado në mënyrë modeste.
Thelbi i këtij Leksiku të Kulturës Popullore Shqiptare janë besimet. Ai në masë të madhe përqëndrohet në figurat e mitologjisë shqiptare, të besimeve fetare, të bashkësive, urdhrave dhe sekteve fetare që kanë qenë të pranishme në Shqipëri, të shenjtëve e shenjtorëve, burra e gra, që kanë luajtur rol në besimet e shqiptarëve, të vendeve të shenjta e objekteve të kultit, të festave kalendarike, të ritualeve e të bestytnive popullore. Të lidhura ngushtë me botën e besimeve e të bestytnive janë ato që, në një kuptim të përgjithshëm, mund të cilësohen si doke e zakone popullore. Edhe këtyre u është dhënë vend i bollshëm, sikundër u është dhënë edhe një numri zërash kushtuar disa veçorive me lidhje anësore me të parat - veçori të larmishme, si doket e lidhura me lindjen, martesën dhe varrimet e të vdekurve, doket gjinore, gjakmarrja e institucionet e të drejtës dokesore shqiptare. Shumë aspekte të kulturës popullore të palidhura me besimet, doket e zakonet, sikundër janë muzika popullore, arti dhe kultura materiale nuk janë përfshirë. Megjithatë, në një libër të tillë është e vështirë të përcaktohen kufijt e saktë se çfarë përbën kulturë popullore e çfarë nuk përbën. Rruga e ndjekur brenda këtij kuadri të përgjithshëm ka qenë më fort eklektike se e ndarjes së prerë të kufijve.
Ky Leksiku të Kulturës Popullore Shqiptare paraqet dhe jep për herë të parë në gjuhën angleze një gamë të gjerë informacioni të panjohur ose pak të njohur në Perëndim. Madje një pjesë të mirë të këtij informacioni e kanë humbur edhe vetë shqiptarët e sotëm. Në këto rrethana, ky fjalor mund të shërbejë si bazë të dhënash për lexuesit dhe studiuesit e një numri fushash. Aty ku ka qenë e mundur, në ndihmë të atyre që duan të thellohen më tej, janë paraqitur të dhëna bibliografike të hollësishme.
Kultura popullore shqiptare ndodhet sot në një gjendje interesante. Nga njëra anë, sikundër u tha më sipër, ajo është dhe paraqitet jashtëzakonisht e begatë, sidomos duke patur parasysh se për dhjetëvjeçarë, madje për shekuj me radhë, shqiptarët kanë jetuar të veçuar nga pjesa tjetër e Europës. Kultura tradicionale e tyre, me shumë elemente e besime që ndofta nuk hasen gjetiu, vazhdon të mbetet një minierë ari për antropologët dhe etnografët. Në disa kuptime, Shqipëria është një muze i gjallë i së kaluarës. Në malet e veriut, për shembull, ende vihen re mbeturina të dukshme të një kulture e shoqërie fisnore, e cila ka ruajtur vlera të forta patriarkale e madje shumë nga prirjet epike të së kaluarës.
Nga ana tjetër, kultura popullore në Shqipëri është sot, për fat të keq, jashtëzakonisht e varfër, e varfëruar në mënyrë të ndërgjegjshme gjatë një gjysëm shekulli diktature staliniste. Regjimi komunist që sundoi në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë së kohës (1944-1990) u përpoq me të gjitha mënyrat për të krijuar 'njeriun e ri socialist,' duke shkatërruar gjithçka para tij. Nën sundimin e Enver Hoxhës (1908-1985), të gjitha besimet dhe zakonet paramarksiste mendoheshin se binin në kundërshtim dhe vinin në rrezik ndërtimin e socializmit dhe pushtetin e Partisë e, për rrjedhojë, të paktën në pjesën më të madhe, u fshinë nga mendjet, zemrat dhe shpirti i shqiptarëve. Si pasojë e drejtpërdrejtë e diktaturës staliniste, të paktë janë sot në Shqipëri ata individë që dijnë diçka për traditat e tyre popullore, për shembull për mitologjinë shqiptare ose për fenë dhe besimet popullore. Mirëpo, një pjesë e mirë e asaj çka ka humbur në Shqipëri fatmirësisht është ruajtur në kulturat më tradicionale të bashkësive shqiptare në Kosovë e në Maqedoninë perëndimore. Disa elemente arkaike gjithashtu janë ruajtur gjatë shekujve në ngulimet e vjetra shqiptare të Italisë jugore e të Greqisë.
Sidoqoftë, është koha që kjo kulturë popullore tradicionale të studiohet me imtësi para se të ikë e të zhduket përgjithmonë. Disa arritje janë shënuar ndër vite nga studiues shqiptarë vendës, të cilët kanë regjistruar, dokumentuar, kataloguar e botuar vepra të rëndësishme, sidomos në Institutin Albanologjik të Prishtinës dhe në Institutin e Kulturës Popullore të Tiranës. Po ende mbetet shumë për të bërë. Nëse ky vëllim jep ndihmesë për të zgjuar interesime për këtë fushë ose për kulturën shqiptare në përgjithësi, atëhere mund të thuhet se synimi kryesor është arritur.
Më mbetet të shpreh falënderimin tim për shumë veta, që nga studiuesit dhe specialistët deri te blegtorët e bujqit, që kanë dhënë ndihmesën e tyre me dijet, mendimet, kohën dhe interesimin e shfaqur për këtë projekt. Për ndihmën e një natyre më konkrete do të përmendja në veçanti Heinz Bothien-in (Frauenfeld), Bardhyl Demirajn (Mynih), Arthur Liolin-in (Boston), Abdurrahim Myftiun (Tiranë), Joan Pelushin (Korçë) dhe Frances Trix-in (Ann Arbor).
Shestimi i këtij libri nisi në muajt e parë të vitit 1998, në një kohë kur revoltat e vitit 1997 i kishin shkatërruar tashmë strukturat e shoqërisë e të kulturës popullore në Shqipëri, duke shkaktuar, ndër të tjera, një eksod tjetër masiv të fiseve malësore drejt vendbanimeve qytetëse pranë brigjeve të detit. Ishte gjithashtu koha kur hegjemonia e huaj, me strategjinë e saj të mbrapshtë të spastrimit etnik dhe urrejtjes së verbër, po orvatej të fshinte e të zhdukte kulturën shekullore, po ende të brishtë, të shqiptarëve të Kosovës, një kohë kur gjenocidi në Ballkan përsëri po ngrinte kokën e vet të shëmtuar.
Për shqiptarët, vështirësitë dhe privacionet gjithmonë kanë qenë pjesë e jetës. Mbetet të shpresojmë që populli i shumëvuajtur i Kosovës e i Shqipërisë të rimëkëmbet dhe, me energjinë dhe vrullin e vet tradicional, të kapërcejë vështirësitë e papërshkrueshme të kohës së sotme.

Shkurt 2000


Edi Rama :Kurban





Titulli: Kurban
Origjinali: Kurban
Gjinia: Kujtime Kurban, Edi Rama
Autori: Edi Rama
Shtëpia botuese: Dudaj
Viti: 2011
Fq. 444
Pesha: 0.58 kg
ISBN: 978-99943-0-233-8


S'ka më bukur se sa e ka thënë në fundin e muzgut të thellë të jetës së tij një burrë i moçëm, themelues shkollash shqipe në bregun e ashpër të Jonit, të cilit fati i dha mundësinë të jetojë Shqipërinë e një shekulli të plotë, nga vitet e fundit 800' nën Turqinë, në vitet 990' të postkomunizmit shqiptar, Panajot Gjiknuri e kishte emrin, kur nipi i tij e pyet: "Si të duket kjo kohë, o gjysh?" dhe plaku u përgjigj: "Shqipërinë më të varfër e kam parë, por më të çoroditur se sot asnjëherë!".
"Ky libër që duket sikur është shkruar për të kaluarën e Edi Ramës si kryetar i Bashkisë së Tiranës, në të vërtetë i drejtohet së ardhmes. Tek riprodhon një Shqipëri që degradon çdo ditë e më shumë, ai e godet mu në zemër vuajtjen tonë dhe duket sikur thotë: unë s'do ta bëja kështu. Edi qoftë që e ka këtë guxim; ne librin e lexojmë si program politik dhe vlerat e vërteta do mund t'ia masim vetëm në të ardhmen."
Ardian Klosi
"Një rrëfim i shkruar me një frymë për Shqipërinë reale dhe Shqipërinë e mundshme, në traditën më të çmuar të publicistikës shqiptare, nga pena e një njeriu të cilin dëshira për të sjellë shumëçka të re e gozhdoi në kufirin midis të dyjave; një manual i qytetarisë shqiptare post - komuniste, sot të rrezikuar si kurrë më parë nga vërshimi i kaosit, halldupërisë dhe maskarallëkut."

Ardian Vehbiu
"Ky është rrëfimi i Edi Ramës për rrugëtimin e tij njëmbëdhjetëvjeçar si kryetar i Bashkisë së Tiranës. Por, jo vetëm kaq. Me një qasje krejt origjinale, Edi Rama na sjell reflektimet e tij për të sotmen, dhe, në njëfarë mënyre, vizionin e tij për të ardhmen, duke e kthyer padyshim këtë libër në një formë mjaft interesante të komunikimit politik."
Pirro Misha
Edi Rama u lind më 4 korrik 1964. Në vitin 1986 kreu studimet e larta për pikturë në Akademinë e Arteve në Tiranë, ku dhe u angazhua aktivisht në lëvizjen kundër regjimit totalitar. Ka shkruar vijimësisht në shtypin opozitar të viteve 90' dhe ka qenë bashkautor në disa botime publicistike. Ka botuar gjithashtu një pasthënie origjinale në librin e përkthyer prej tij të piktorit të famshëm rus Vasilij Kandinsky (1996), si dhe një libër arti me vizatime, shkrime e dokumenta personalë (2009). Për 11 vjet ka drejtuar Bashkinë e Tiranës dhe aktualisht është kryetar i opozitës.

Mimoza Erebara :"Udhëkryqi" është një tregim i marrë nga libri "Dryn me qera" i autores


Dry me qera, Mimoza Erebara
Kur Marina mbushi të tetëmbëdhjetat, lulëzoi aq përnjëherë sa ua mori mendjen të gjithë djemurisë së fshatit. Me grupe ata filluan të rrinin nga lagjja e saj, të gjuanin me gur nëpër tjegulla dhe të prisnin me durim se kur ajo do të dilte në oborr, se kush do të ishte ai fatlum që do ta shihte i pari, dhe akoma më shumë, kë do të shihte ajo. Ishte një bukuri shpërthyese, epshndjellëse që vetëm sa shtonte adhuruesit e saj dhe shtonte gjithashtu edhe cmirën e moshatareve të veta, të cilat vërtet bënin dashuri me të dashurit e tyre, por e shihnin se edhe ato lidhje që mbaheshin të forta, po lëkundeshin prej bukurisë magnetike të Marinës. Kjo nga ana e saj ishte zhdukur Brenda dhomave të shtëpisë ku nuk guxonte të dilte as në oborrin ku ajo ishte rritur, madje, i ishte ndaluar nga burrat e fisit të nxirrte kokën edhe në dritare.Një nga gratë e fisit ishte ngarkuar ta ruante natë e ditë dhe përgjigjej me kokë po të ndodhte gjë. Në të vërtetë do të kishte dashur t'u gëzohej edhe ajo rrezeve të diellit, pikave të shiut, erës së luleve, qingjave, gjithçkaje...Por nuk mundtte. Vendimi i burrave të fisit ishte i prerë. Ajo do të qëndronte e burgosur për të ruajtur emrin e mirë dhe nderin e fisit derisa ata ta shihnin të arsyeshme ta jepnin dikund. Mirëpo ata hezitonin. Bukuria e saj i bënte të mendonin se do të ishte më mirë ta jepnin sa më shtrenjtë që të ishte e mundur. Kështuqë dy nga burrat e fisit ishin nisur prej kohësh në kërkim të një rasti sa më të mirë. Sepse fisi i tyre ishte i shtuar dhe kishte shumë nevoja për të plotësuar. Toka e pakët dhe kokëforte nuk ua plotësonte dot, veç që u rrëmbente gjithë të ritë e tyre, vitet më të mira.
           Vajza rrinte gjithë ditën duke qëndisur. Kur lodhej ngrinte sytë e shuar që edhe ashtu ishin të mrekullueshëm dhe tretej në botën e saj, që ajo do të kishte dashur të ishte e plotë, të ishte trazuar nga ndonjë puthje tinzare. Kur shikimi i arrinte tej gjethet e kajsisë që përkëdhelnin parvazin e dritares, mundohej të dallonte diçka, qoftë edhe një mizë, qoftë edhe një zog, qoftë edhe një rreze, një copë qiell.Në atë çast ajo ajo bëhej më e pakapshme se asnjëherë tjetër, sikur e gjithë bota që gjallonte përjashta fërfërinte brenda trupit të saj të derdhur e të lakmuar nga sytë nepsqarë të burrave të fshatit.Në ato çaste asaj nuk i flitej, ajo sikur i shkëpuste lidhjet me këtë botë, bëhej e tejdukshme , rrezëllitëse.
           Gruaja që e ruante e shihte me çudi pa mundur të kuptojë gjë...
           Edhe pse flladi lëkundte me naze degët e kajsisë dhe një aromë e mrekullueshme vinte që andej, enigma atje, në botën që gjallonte pavarësisht prej saj, ruante gjithnjë pamundësinë për të parë. Vajza papritur u tendos. Gruaja që e ruante nuk e pikasi tendosjen e brendshme të Marinës, ajo ishte ulur në një cep të dhomës dhe po kotej, siç bënte në fakt gjatë gjithë ditës e natës për të gjithë kohën që kishte filluar të zbatohej ky vendim.Sytë e vajzës u përqëndruan në një pikë, diçka, si një siluetë iu bë se dalloi nëpër degë. Një siluetë e turbullt që mundohej të shihte brenda dhomës së errët. Nuk ishte gabuar, me të vërtetë një siluetë ndodhej në degët e trungut të kajsisë. Silueta e pa vajzën dhe buzëqeshi e para. Edhe vajza buzëqeshi. Silueta buzëqeshi përsëri e përsëri, e përsëri vajza buzëqeshi.Djaloshi ngriti dorën dhe majat e gishtrinjëve i afroi tek buzët, i puthi dhe pastaj i drejtoi drejt dhomës ku ishte vajza,duke i fryrë sikur puthja të ishte një petale, apo krah fluture. Vajza e mori puthjen. Dhe ajo veproi po njëlloj.E çoi puthjen sikur ajo të ishte një petale a një krah fluture. Në atë çast gruaja që po dremiste u përmend dhe tha:
-Marina ç'po bën ashtu?
Vajza u drithërua. Gruas nuk i shpëtoi drithërimi i saj dhe vrik u afrua tek dritarja për të parë atë që e kishte shushatur vajzën.
-Çfarë po shihje ashtu?Kush ishte aty?- foli gruaja dhe u afrua edhe më dhe pasi nuk dalloi gjë iu kthye vajzës:
-Çfarë po shihje ashtu?Do më thuash, apo t'u them burrave?- kërcënoi ajo, po vajza sikur të mos kishte dëgjuar asgjë vazhdonte të qëndronte si e mpirë.
-Ishte bjond me sy të kaltër, kaq të kaltër sa i gjithë qielli!Më mori me vete dhe unë fluturova në sytë e tij. Oh!...sa bukur ishte!...Më puthi dhe më futi të tërën brenda syve të tij ku unë gjeta gjithçka...
           Gruaja mbeti. Ngaqë nuk u besoi fjalëve të vajzës, nxitoi të dilte përnjëherë përjashta dhe të shihte vetë vendin, degët e pemës së brishtë një për një, gardhet, oborrin e madh dhe gjithë ç'shtrihej përtej atij oborri. Po natyrisht që nuk dalloi asgjë. Asnjë këmbë njeriu nuk dukej. Bile edhe fëmijët nuk ndodheshin në atë çast aty, kishin shkuar të gjithë në lumë. Ishte verë.
-Ah, më mirë të mos kisha dëgjuar gjë, me sa duket vajza paska parë ndonjë ëndërr me sy hapur- i dha karar gruaja dhe nxitoi të kthehej në dhomën-burg, ku vajza vazhdonte të qëndronte në të njëjtin qëndrim që ajo e kishte lënë pa patur ndër mend të lëvizte.Që nga ajo ditë vajza u bë si e përhumbur, ishte gjithnjë si e drithëruar. Në fillim gruaja nuk e bëri për fjalë ç'kishte ndodhur, sepse edhe vetë nuk ishte e sigurt, por më pas kur qëndrimi i vajzës nuk po ndryshonte dhe filloi të binte në sy edhe të tjerëve, u detyrua të tregonte për ngjarjen. Po ende nuk dihej në kishte ndodhur në të vërtetë diçka, apo jo.Kur e pyesnin vajzën, ajo nuk ishte më në gjendje të tregonte në kishte parë vërtetë njeri a siluetë që i buzëqeshte apo jo,dhe mendimet e burrave të fisit u ndanë në dy pjesë, një palë mendonin që ndonjë nga djemtë e fshatit që e lakmonte kishte marrë në sy rrezikun dhe kishte hyrë fshehurazi në oborrin e tyre, dhe një pjesë që mendonin se kjo mund të ishte pjellë e fantazisë së vajzës.Ata që mendonin se ishte një person real, u përpoqën që ta gjenin se kush mund të kishte qenë, por nuk ia dolën dot, sepse në fshatin e tyre të gjithë djemtë në moshë, shumica ishin bjondë dhe me sy të kaltër si të qiellit.
           Më plaku i fisit ishte tepër i tronditur, se ai e dinte që në mos një ditë , ditën tjetër fjala do të dilte nga muret e shtëpisë, prandaj hapi fjalën se vajza ishte sëmurur papritur.
           Vajza e përhumbur thellë në ëndrrën e vet duke i bërë sytë katër, para se t'ia ndërronin dhomën me pamje nga kajsia dhe ta çonin në një bimsë që shërbente si qilar pa kurrfarë dritareje, u përpoq të shquante edhe njëherë siluetën që i buzëqeshte dhe të ndjente qoftë edhe për një herë të vetme, për së largu, puthjen.Dhe e pa. Silueta ishte po aty dhe po i buzëqeshte dhe po i dërgonte përsëri puthje.Që nga ajo kohë vajza i dha lamtumirën dritares dhe pasionit për të shijuar jetën.Megjithatë, sa herë që vëmendja e grave të fisit shpërqëndrohej, ajo nxitonte të shkonte tek dritarja nën kajsi. Prapëseprapë Silueta ishte gjithnjë aty dhe gjithnjë i buzëqeshte e gjithnjë i dërgonte të puthura pas të puthurash. Me kalimin e kohës ideja se aty në anën tjetër të shtëpisë ndodhej një krijesë që e donte dhe e mbronte nga çdo e keqe, sikur e ngushëllonte. Edhe në bimsën pa dritare, e siguruar si s'ka më mirë nga syri i çdo të huaji, madje edhe i njerëzve të shtëpisë, ajo e dinte se Silueta e djaloshit bjond me sy të kaltër si të qiellit, ku ajo fluturonte çdo herë, ishte aty dhe po aty e priste, me durim e këmbëngulje.Ai do t'i shfaqej sapo ajo të mbyllte sytë.Ndërkohë plaku i fisit vdiq.Vajzat e tjera ishin martuar të gjitha në punë të tyre. Djemtë, edhe ata ishin martuar. Gruaja që e kishin caktuar ta ruante, edhe ajo kishte vdekur.Fëmijët ishin rritur dhe të tjerë u kishin zënë vendin. Për bimsën sikur nuk po kujtohej më njeri. Edhe ajo vetë sikur nuk ishte e bukur sikur në fillim, dhe burrave të fisit sikur u kishte ikur mendimi për ta shitur sa më shtrenjtë, pas kërkimesh të kota në qytet. Secili tani kishte jetën e tij. Vetëm ajo kishte mbetur pa jetë, rob e bukurisë së vet. Tundimi për ta jetuar këtë jetë sa vinte e bëhej më i madh. Joshja ishte e papërballueshme. Le të vinin në djall traditat familjare dhe emri i mirë!Le të vinin në djall vitet e burgut idiot!Ajo do të jetonte, ajo do të tregonte bukurinë e saj dhe do të mburrej me këtë bukuri, do të takonte djaloshin sykaltër, do ta puthte e përqafonte për të gjithë kohën e humbur, do të rrokullisej mbi bar, do të lahej në lumë,do të mirrte në krahë qingjat e porsalindur dhe do të lahej nën shi gruri!Po, të gjitha do t'i bënte. Sa gabim!I kishin rrëmbyer jetën padrejtësisht. Në emër të diçkaje që nuk ekzistonte. Kaq shumë vite të humbura kot, fare kot. Po jeta ka rrjedhën e e saj dhe është kokëfortë. Ajo e dinte, në mos po e ndjente, se kjo do të ishte dënimi dhe mallkimi i vetë asaj. Po ja që ajo nuk mund të vepronte ndryshe, nuk mund të shkëputej nga silueta e djaloshit sykaltër dhe bjond. Ajo do ta kërkonte vetë e para dhe do ta gjente. Askush në familje nuk e dinte se ç'bluante në këtë kohë në kokë. Të ikte, të ikte...- ky ishte bërë i vetmi mendim...E dinte se atje, përjashta në botën që gjallonte pavarësisht prej ekzistencës së saj, ndodhej dënimi i vet, sepse askush nga të fisit nuk do t'ia falte veprimin, por do ta dënonin në mënyrën më çnjerëzore, pa e pyetur në ishte fajtore apo jo. Tundimi i dashurisë së pajetuar ishte shumë më i madh.Një natë, kur hëna ndriçonte plotësisht, vajza doli në heshtje nga bimsa e vet dhe prej andej u drejtua për nga degët e kajsisë, kur vite më parë kishte parë Siluetën e praruar nga rrezet e diellit të verës. Qëndroi poshtë kajsisë dhe ngriti shikimin lart duke pritur që sytë e saj të ndeshnin në kaltërsinë marramendëse të syve të djaloshit bjond.
           Po errësira e natës ishte në vend të tyre. Ajo u përpoq shumë herë të dallonte të paktën diçka, por qe e pamundur. Kjo vazhdoi deri në mëngjes kur njeriu i parë i fisit doli në oborr dhe u çudit pa masë kur e pa vajzën të ulur nën kajsi me sy të shuar, të përhumbur dhe kaq shumë larg kësaj jete.
           Siç e kishte parashikur vajza, egërsia e burrave nuk kishte kufi. Askush prej tyre nuk u përpoq ta mbronte, t'i jepte mundësinë ta jetonte atë jetë që asaj iu mohua në mënyrën më barbare. Jo, askush.Për të gjithë fisin e tyre ishte një turp i madh që ajo kishte guxuar të shkelte mbi vendimet e pleqësisë, dhe bash për këtë edhe do të dënohej, Brenda të gjitha rregullave. Nuk kishte rëndësi fakti se ajo nuk kishte bërë asgjë, dhe askujt nuk i vinte keq dhe ta mëshironte kur mendonin se mjaftonte që ajo kishte thyer urdhërat, gjë që pot ë jetonte mund ta bënte përsëri dhe për gjëra më të mëdha.Nuk kishte rëndësi fare se në këtë rast bëhej fjalë pikërisht për më të madhen gjë njerëzoren-jetën!Kjo gjë sikur ishte lënë në harresë, ishin lënë në harresë vitet që ajo kishte qenë e detyruar t'i kalonte e burgosur më keq se krimineli më i keq, pa patur kurrë asnjë faj. Ishin lënë në harresë se ajo kishte qenë 18 vjeç, kurse tani ishte bërë 30 vjeç dhe të tërë këta vite nuk i kishte shijuar si të gjitha moshataret e veta. Për fisin kishte rëndësi të vihej në vend nderi i humbur dhe sa më shpejt, aq më mirë do të ishte.
-E kupton edhe vetë se ç'të pret- iu drejtua vajzës më i më moshuari i burrave që ishte dhe vëllai i madh.
           Vajza nuk foli. Uli kokën dhe pastaj i ngriti sytë lart. Ata ishin kaq të bukur, kaq të pafajshëm, kaq rrezëllitës...Vëllai nuk duroi dot. U ngrit e iku. Pas tij u ngritën edhe burrat e tjerë. Dolën në dhomën tjetër dhe po diskutonin se ç'do të bënin, pothuaj për të gjithë natën. Pastaj, ashtu grumbull, hynë në dhomën ku vajza po priste gjithë me ata sy aq lutës e aq të pafajshëm.
-Do të dënohesh!- i foli mbytur vëllai i madh, të cilit i takonte edhe rradha për ta bërë këtë gjë.
--Ah !...-rënkoi vajza- Nuk kuptoj përse?Përse?Përse?...Unë e dua aq shumë jetën , njëlloj si ju të gjithë dhe nuk kam bërë asgjë...As mburreshe ti, vëllai im me bukurinë time?Ç'të bëri ajo? Përse?...
-Nuk ka rëndësi- iu përgjigj vëllai- njerëzit do të thonë se ti dole dhe kaq mjafton- shtoi ai.
           Burrat nuk e zgjatën më po dolën nga dhoma, për t'u kthyer pas pak me një kazëm e një lopatë. Pa folur më ia lanë vajzës tek këmbët dhe me lëvizje të prera të kokës i bënë shenjë që t'i ndiqte pas. Vajza e nënshtruar, gjithë aq e heshtur sa ata, u ngrit, mori kazmën e lopatën në sup dhe pa e ngritur më kokën i ndoqi pas nëpër natën që po shtyhej me nxitim drejt ditës së re. Ecën gjatë, duke u kujdesur t'i dalin fshatit në shpinë dhe të mos i shikonte njeri. Njëri pas tjetrit. Vajza në mes të rreshtit të burrave që ishin vëllezërit e saj dhe kushërinjtë e saj, me të cilët dikur kishte luajtur  e kishte qeshur aq shpenguar, si të gjithë fëmijët që gëzojnë fëmijërinë. Po tani?Ata të gjithë kishin ulur kokat e nuk flisnin. E kuptonin edhe vetë se po ndëshkonin  diçka që nuk duhej, por kur mendonin se i gjithë fshati do t'u kthente krahët, dhe do t'u ndalonte të merrnin dru në mal, të merrnin ujë në burimin e vetëm, të punonin tokat e tyre që nuk do të ishin më të tyret, stepeshin dhe vazhdonin rrugën për ku ishin nisur, pa u ndalur. Ecën gjatë. Dikur ndalën. Kishin qëndruar para një udhëkryqi. Po me shenja i bënë të qartë vajzës të merrte kazmën dhe të gërmonte m'u në mes të udhëkryqit. Vajza u bind edhe ajo pa hapur gojë.Mori kazmën dhe filloi të gërmonte. Pak nga pak togu i dheut të hedhur anash erdh'e u rrit, kurse ajo filloi të zhdukej në gropën që u krijua. Me një të përplasur të duarve vëllai i madh, dhe kryesuesi i fisit, i dha shenjë të qëndronte. Vajza qëndroi. Vetëm atëherë e ngriti kokën. Fytyra i ishte lagur nga lotët dhe sytë i rrezëllinin si kurrë më parë.O, Zot!, çfarë bukurie do t'u duhej të dënonin!Pse nuk ia dhanë më qurrashit, më morracakut, veç ta linin të jetonte këtë bukuri magjepsëse?
           Po tani ishte tepër vonë për t'u tërhequr. Po me shenjë vëllai i madh i dha shenjë të shtrihej. Vajza iu bind. U shtri dhe sytë nuk i mbylli edhe kur lopatat e para me dhe filluan t'i binin në fytyrë. Vëllezërit me sy mbyllur vazhduan të hidhnin dheun e gërmuar nga Marina, motra e tyre e adhuruar, derisa gropa u mbush dhe përposht saj nuk ndihej më asnjë shenjë jete. Krejt të dërmuar prej asaj që kishte ngjarë ata morën rrugën e kthimit, pasi më parë patën kujdes ta sheshonin mirë e mirë vendin me dhe të ri, sepse të nesërmen kur të kalonin karrot e udhëtarët të mos dallonin gjë. Në fund të fundit gjithçka ishte kryer sipas kanunit dhe në fshat nuk do të guxonte t'i  fajësonte askush.

Ahdaf Soueif :Aromë orienti


Arome Orienti, Ahdaf Soueif


Titulli: Aromë orienti
Roman
Autori: Ahdaf Soueif
Shqipëroi: Evis Cerga
Shtëpia botuese: Dudaj, 2003
f. 216
Pesha: 0.25 Kg.

“Aromë Orienti” është libri i parë i Soueif-it dhe të thuash se është premtues, do të thotë ta nënvlerësosh, sepse ai është shumë i arrirë. “Aromë Orienti” është një dëshmi e mëtejshme e së vërtetës se disa nga librat më të mirë britanikë të prozës tregimtare shkruhen nga njerëz që vijnë nga kultura të përziera.”
Victoria Glendinning, “Sunday Times”
“Një stil jetësor e inteligjent të shkruari, përshkrim i gjallë dhe dialog i studiuar mirë.”
Isabel Raphael, “The Times”
“Një roman i jashtëzakonshëm, që të shtang...Autorja di të thurë një rreth me intuitën e një magjistareje. Lexuesi pret me padurim librin e saj të dytë.”
Christopher Wordsworth, “The Guardian”
“Stili i të shkruarit është edhe i shpejtë, edhe i ngadaltë, ndërsa mundësia për t’i kuptuar këto kurthe të rrëfimit është e padiskutueshme dhe rrallë nuk e arrin qëllimin e vet.”
Eduard Said, “London Review of Books”
“Nje talent i ri origjinal dhe tërheqës.”
Hermione Lee, “The Observer”

Pas Covid-19, liderët botërorë ranë dakord të punojnë së bashku për të forcuar sistemet globale shëndetësore, por negociatat për një marrëveshje të re kanë ngecur.

Nga Flori Bruqi Është folur shumë në internet se Kina po lufton me një tjetër epidemi pas shumë postimesh në mediat sociale ku supozohet se ...