Agjencioni floripress.blogspot.com

2011/12/25

Aty, në kryqëzimet e universit


Alma Begaj, ka lindur më 21.12.1968 në qytetin e Beratit, banuese në Durrës. Shkollën 8-vjeçare e ka kryer në qytetin e Lushnjes, të mesmen artistike për muzikë në degën fagot e ka kryer në Fier. Studimet e larta i ka kryer në Elbasan dega Edukatë Qytetare.

BOTIME:
Në  tetor 2011, del nga Shtëpia botuese “KUMI” cikli i parë me poezi me titull “Shikim që sfidon distancat”.
Në nëntor 2011, nga Shtëpia botuese “VLLAMASI”, del cikli i dytë me poezi “Farfurima e shpirtit”.

DRITË NGA DASHURIA

Rrufeja
çan qiellin.

E vret në errësirë
qiririn e natës’.

Nga jashtë,
vjen shenja jote;
e, papritmas, gjithçka
ndizet, ndriçon!

Manteli i ngrohtë
më mbulon të tërën
me shkëlqim.

Tani me dritën tënde
ekzistoj dhe jetoj..!


NATË

Në sy
m'kaloi nata mbrëmë
i gëzova mendimet shterpë
armët i mblodha qetë-qetë
rrëmbyer nga dridhje zemre.

Ëmbëlsia e buzës tënde
shije të shenjtë m'la në gojë,
hapsira pa zë përshkova
kur koreografinë e valles mendjelehtë
vetë dëgjova e vallëzova.


TROKTH

Kuajt, trokthën tokën
era u përkëdheli jelet
nata ua ngatërroi shtegun
mëzkat lotin vallen e mëngjesit..
hënëza ikën e buzëqeshet.


NJOHJE

Po i hyj vetes brenda, me pa se ç'ka.
Nëse mundem.. portën do ta mbyll
e do ngujohem në kët' kull'...
Mos prit çelësin të ta jap!


MES SHPIRTIT DHE MENDJES

Jemi fryt i kohës, si njësi paralele
mes shpirtit dhe mendjes
në goditjet e çdo çasti,

Dhe, si ciganët që enden,
me fijet e mendimit
projektojmë të ardhmen.

Vallëzojmë mbi të lashtat melodi,
të kaluarat na shembin,
të tanishmet i jetojmë në agoni.

E endemi në ato që do të vijnë,
sepse fijet e kujtimeve,
gjithnjë dhe ende me ne udhëtojnë.


EH, Ç'NGOPJE N'BARDHAK

Puhia e detit,
nuk ngurroi aspak
që, bashkë me valën,
hënën t'ma derdhte
..n'bardhak..

E piva e më dehu,
fijevetullën e saj,
syrin kur ma shkeli
buzëqesha pa skaj,
..eh, ç'ngopje..


GRIMCA

*
E shëmbe dheun
nën çapin që po hedh.
Hije plot nur fytyra.

*
Je midis grimcash
të së përditshmes.
Bukur plotësohemi.

*
Më mungojnë yjet.
Kur u vodha buzëqeshjen,
në pus i hodha.

*
Me duart e mia
trazova valën e ujit
dhe jashtë, u turbullua pasqyrimi.
Sytë e tyre, më thanë lamtumirë..


ÇUDI..

Hënëza e vetme
mbi një tendë blu,
m’i ngatërroi orët
kur ëndërroja për dashuri..

Dëgjoja zërin tënd
që vinte nga aq larg,
asgjë nga fryma jote
të përqafoja në boshllëk..

Pse më zgjodhi mua?


TA HUMBA FYTYRËN

Në sy humba pamjen,
dhe errësira u mbush me dritën tënde.
Në skajin e heshtjes së shkretëtirës së brishtë
dritën e agimit thekove,
dhe era e detit i mori krahët e mi,
kur uji yt, hyri në mua.


MBRËMË

Mbrëmë,
të ëndërrova në ngjyrat e kohës,
era luante me flokët e kujtesës.

Mbrëmë,
kam jetuar dhimbje e vajtim
loti ishte i hidhur deri poshtë në gji.

Mbrëmë,
Prita të vije, e jetoje ëndrrën me mua
të ecnim të dy nëpër natë deri në agim.

Sonte do të vish?


THESARI

Kam lindur nga zemra jote
ditën e parë të pranverës.
Thesarin, ti më nuk e gjen
u ngatërrove keq
në kryqëzimin e shkretëtirës
kur kërkove shtegun e trëndafiltë.


NDËR LOT..

Unë, do të pres
nën hijen
e një stilolapsi,
mes dhomave,
brenda një kështjelle
që fsheh brishtësitë e mia
mes lotit të mirësisë.



DY NË NJË

Dy zemrat që dashurohen
janë,
si dy orë magnetike
që lëvizin në një drejtim,
me kahje të nxehta,
sepse është një impuls i vetëm
që vepron në të dyja.
Një forcë e vetme
i përshkon ato.
Ndjenja!


KLITHMË

Brenda një pakoje
heshtur rri e kaluara
dhe mban shpresat e së ardhmes.

Klithje të lehta dëgjoj
në rrugën e vështirë
ku në strehën time yjet rrinë në sfond.

Kthesat lëngojnë
në qerren e ngarkuar
e përpjeta mbetet për t'u jetuar.

Klith drita në buzëqeshje dhe lotë!


UNË ATJE DO TË PRES

Pika uji në dritare,
kur ti mendon se unë jam larg,
duke i lënë mendimet
të rrëshkasin qartë.

Të gjitha ujrat
në det do shkojnë:
kujtimet e mia dhe mendimet e tua
le të shkojnë në qiell
për të formuar retë.

E, unë, atje do të pres
të bëhemi bashkë
për gjithnjë.


ZEMRËS

Dashuria, si një valë
që shkatërrohet përmbi shkëmb,
me zemër të fortë
këput e thyen gjembat
që depërtojnë thellë shpirtit.


NJË TJETËR KOMPLOT

I njoh peripecitë e kohës
që, pamëshirshëm dhe pandalshëm
e asnjëherë, nuk vonohen të më vijnë.

Në breg të detit tim, vështrimin tres
e, një dremitje, ose një shenjë
më sjell përsëri në agim të dritës,
e, me shkëlqimin e aureolës së saj,
unë ende mund të krijoj
një tjetër model qëndisje qetësie…


ZEMRA E FJALËS

Zemra e fjalës
zvarritet drejt qendrës së mendjes
të përcjellë në çdo ind të lëkurës
jetën dhe gjakun…

Je ushqim për Rilindje
në krahët e një ëndrre
ku jetojmë të dy.


KRYQËZIMET E UNIVERSIT

..çdo gjë është një frymë,
është sy-prekje,
madje edhe lëkura jonë..

Jemi emra të spërkatur nga
pluhur yjesh dashurie
në gjithësinë e udhëkryqeve të universit.

..gjithësia është një dehje dashurie,
dritë për errësirën,
melodi që qëndron në zemër
dhe vjen për të pushuar në buzë..
Aty, në kryqëzimet e universit.


NDJEJ PAQE TANI

Paqe ndjej tani
sepse në zemër më jeton
gëzimi që më dhurove ti.

Je buzëqeshja ime e munguar
që gushtin ma ç’ekuilibroi.

Je, krahët e fluturimit,
drita që flatroi në sytë e mi.


RA MBRËMJA..

Në fijet e errësirës
po varen fenerë yjesh,
dhe dritat qeshin vetminë
e hijeve që ecin natës.

Mjegullnajat e kujtimeve
shpërbërë prej yjësisë,
përshkojnë realitetin e shfrenuar
në humnerat pa ngjyrë.

Skajet e natës
ndritur mbi maja qiparisash,
këndojnë nina-nana
në gugatjen e sqepit të vjeshtës.


FESTË PA FLAMUJ

Festë pa flamuj,
pabukësi e uritur
në sy pa shkëlqim,
varfëri
edhe në sofrat e pasanikëve,
kafe që t'mbet në fyt,
diell i ftohtë në perëndim
që errëson qoshet e shpirtit
e verbon foshnjat ende pa lindur,
kafshë rimishëruar sërish
në zanafillën e kafshës..

Në festën pa flamuj,
ndjehem copë copë,
e më shumë se aq,
mbushur me dhimbje,
dhimbje fizike e përtej saj..

Ka festë??


ALPINE

Në harkun e horizontit
në verilindje …
në shkëlqimin e vesës
së agimit …
ylber ngyrash nga rrezet
e diellit,
sillmë mua parfumin
e luleve,
nga vendi më i bukur i tokës:
Alpine!


MES HESHTJES PA FUND

Jam
zëri i fragmenteve
të vogla,
që sjell
poezia e shpirtit,
kur  mbledh
emocionet,
mes heshtjes
pafund..!


JO, TI NUK JE..!

Sytë e shpirtit
në mëshirën e buzëqeshjes time,
gabojnë në horizontin e dritës.
Boshllëk i humbur,
ku unë vrapoj e mallkuar
në rrjedhën e kësaj kohe.
Jo,
ti nuk je..!


TI

Ti,
shihmë,
e do të kuptosh
shpirtin tim-si deti,
merri  ndjenjat e mia-si vela,
tej e mbanë  bjeri detit tim,
e mbytu ëmbël!


TË DHUROJ

Shiko në sytë e mi,
e, hyr brenda shpirtit tim
e, shih si ta dhashë
ngrohtësinë e diellit,
qysh ta dhurova
pafundësinë e detit,
si të jeshilova
me t’gjelbrën e natyrës,
e, me të mrekullueshmen e botës;
Dashurinë time,
ëmbëlsisht ta fala!

Haj’ t’i  gëzojmë   ditët
e pranverës që po lind!


ORKIDE

Parfumi i kujtimeve të vjetra
mendimet më prek
në faqen e shpirtit.
Orkidja delikate
trupin zhvesh,
e, mbështillet
me rrezet e ëndrrave,
turpshëm bën dashuri.


FORMA E UJIT

Ndërsa ndjej
ajrin në butësinë e lëkurës
që dridhet
si nxehtësia e horizontit
në sytë e tu,
pyes veten nëse yjet
janë aq larg
apo vetëm shndrijnë
të veshur me argjend
kur duart e mia janë brenda teje
për t’i dhënë formë ujit..

Rrjedh jeta në errësirë
për të ndriçuar
shkëmbin e gërryer.


AUTOSTOP

Në Hënë
shkova me autostop.
Elefanti  ndali
në rrugën e Qumështit
të puthte Arushën e Madhe.

Unë,
mbeta në Hapsirë
në pritjen e taksisë
për kthim,
në Ishullin e Shpresës.


ERDHA PËR TË MOS IKUR

Erdha,
erdha për të mos u zhdukur..
drita s’majfton në galeri.
Nuk thoh asgjë,
askënd…
këtu ishim më duket
ndoshta s’e di
errësirë është
e, s’majfton drita në galeri.

Unë erdha,
erdha për të mos u zhdukur më
në jetën pa energji,
dhe ti,
mos u vendos para rrezikut
në netët me parfum “kurthi”
në errësirë..

Erdha për të mos ikur
Nëse e ikur s’kam qenë,
Mbi shpatullat e dritës
Ma sill një fije drit-Hënë.


Ç’FAJ KAM UNË?

Ёshtë ajo,
vetja jote
e vërtetë,
krejt e zakonshme
pa sqimë,
e egër,
tinzare,
njeringrënëse:
ç’faj kam unë
që shoh përtej teje?


KËMBANA MË ZGJOI

Ra këmbana e fundit.
Heshtje..
Mbeta
me pështymën në fyt
e gëlltita çastin
në ankth prita
e ti nuk erdhe.


MOS MË NDAL

Dashuri,
mos më dëno në fatin tim,
mos më ndal!

Më mbaj  hapur
në të gjitha  stinët
të fluturoj!

Bëj  të rri mbështjellë
në krahë të mëdha,
të ngrohtë!

Mos të fle më gjumë
gjatë dridhjeve të pulsit.
Infektomë
me  gjithë pasionet,
e, të fle, mbi jastëkun tënd epshor.

Kur të shtohet ritmi,
në dashuri dhe pasion
merr  çdo gjë timen 
dhe mos më lëndo! 

Kujtimit të Efendi Yzeir Sallatës nga Marglliçi i Çamërisë




Poeti Përparim Hysi u  lind  më 21 janar të vitit 1943, në fshatin Petovë të Fierit. 

Për një periudhë të gjatë kohe ka punuar si mësues në fshatrat e Fierit dhe në vitet 1996-2000 inspektor arësimi për gjuhë dhe letërsi shqipe pranë Drejtorisë Arësimore në Fier. Ka kryer studimet pedagogjike në Elbasan dhe më vonë pa shkëputje nga puna ka përfunduar studimet e arsimit të lartë për gjuhë letërsi. Për pamundësi botimi ( për shkaqe biografie)  filloi të botojë vetëm në vitet e demokracisë. Ka botuar katër libra me poezi: “Rektimat e dashurisë”, “Prushi i dashurisë”, “Më piku dashuria”,  “Luftë” me dashurinë”. Ka përgatitur për botim  librin”Bluaj në mokrat e kujtesës”. Përveç  poezisë shkruan prozë, kritika, esse. Është anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptarë-Amerikanë.



Tregim

Nga Përparim Hysi

Unë kisha dëgjuar që në fshatin tonë, Petovë, kish ardhur një hoxhë. Kish ardhur dhe qe nga Çamëria. Kur e dëgjova këtë as kisha parë hoxhë me sy, por nuk dija se ç'ishte Çamëria. Dëgjova dhe isha i vogël. Aty, praviteve '50-të, në mbylljet të vitit shkollor arrita që ta shoh këtë hoxhën tonë nga Çamëria. Do të thoni ju po pse s'e kisha parë më parë? Së pari, që ky, hoxha ynë, u shërbente 7 fshatrave aso kohe dhe xhamia që kish Petova që mu në të dalë të fshatit kur shkoje  nga Petova për në Fier. Nga shtëpia ime xhamia, donte nja dy orë të mira dhe, veç kësaj, si të ardhur nga Skrapari ne s'para bëheshim me hoxhë, se qemë bektashinj. Klerikët e Bekatshinjëve janë derivishët dhe Baballarët. Kështu që në shtëpinë tonë, ia grahnin si mysafirë, më tepër dervishë e Baballarë (sado larg prej tyre, ne), por ata e ndiqnin edhe larg grigjën e tyre. Natyrisht, këtyre klerikëve, si besimtarë të devotshëm kurrë nuk ua linim pa paguar detyrimet si besimtarë. Majfton që t'ju kujtoj një fakt: nuk kishte shtëpi skraparlie që ishte vendosur në Petovë, pa mbjatur për të nxjerrë nga dimri gati nga 10 kokë të imta që figuronin për iks teqe në Skrapar.
Por, pse po zgjatem? Hoxhën e pashë aty nag viti 1950, në ceremoninë e mbylljes së shkollës. Pra, ka qenë qershor. E pashë dhe e mbaj mend mirë: me atë mantelin e gjatë, sado që qe verë, me çallmën në kokë që  qe e ndryshme nga sarëku që mbanin derivishët apo dhe Baballarët e teqeve. Ata, përgjithësisht, sërëkun e çallmës e kishin me jeshile, kurse kjo e hoxhës qe e bardhë. Po kam arsye më madhore që e mbaj si të gjallë atë ditë portretin e hoxhës. Përjgegjësi i shkollës (Petova, sado e madhe vetëm fillore kishte, se qenë vitet e para të mbasçlirimit), mësuesi Sotir Meço kish krijuar një traditë të bukur: në mbyllje të vitit shkollor, vinin që të gjithë prindërit tanë, me burra, gra, fëmijë dhe bëhej si një festë e bukur. Njerëzit-arsimdashës që të gjithë- gatunain gjellët tradicionale dhe si në një dasëm të vërtetë kërcisnin këngët e vallet. Kjo ceremoni gjante me një dasëm të vërtetë, po të shtosh dhe faktin tjetër, se e gjithë ceremonia shoqërohej me sazet që Petovës, ndryshe nga shumë fshatra të tjerë, nuk i mungonin. Sotir  Meçoja   (sa mirë që rron ende). Jo vetëm rron me gjithë të shoqen, mësuesen time, Dhoksinë, por ky, Sotiri mbajti fjalën e tij përshëndetëse në përurimin e librave të mi, vjet, në maj, tek biblioteka e qytetit të Fierit ) qe shpirti dhe "ilaçi" i këtyre ceremonive. Kish ngritur një  presidium, ku, veç tij, qenë dy pleq të moçëm dhe, patjetër, hoxha se 95% e popullësisë së Petovës janë myslimanë.
Ceremonia fillonte me një fjalë përshëndetëse të përgjegjësit të shkollës, përmëndëshin nxënësit shëmbullorë dhe, pastaj, kalohej në recitime nga nxënës të ndryshëm. Por dhe në këtë ceremoni, dukej dora prej organizatori të mësues Sotirit. Mua, si nga Skrapari, më kish dhënë për të recituar një  poezi luftarake. Sa me qejf e  recitoja dhe me sa pasion. Edhe sot atë vjershë nuk e kam harruar. Jo vetëm kaq; vjersha që do bëj të njohur për lexuesit, është recituar dhe nga dy fëmijtë e mi dhe deri tek mbesa, Jola në Shkodër, sot paramaturante honor në një gjimnaz privat. Ja dhe vargjet e vjershës:

"Dua të jem ushtar
Të kem pushkë në dorë
Të më thonë luftëtar
Të fle në dëborë.

Se atje është nderi
Për çdo shqiptar
Jam foshnje,i mjeri,
Por jo frikacak..."

Natyrisht, unë e shoqëroja me gjeste poezinë time dhe kur dëgjova duartrokitjet, mënd zura qiellin me dorë. Për një shokun tim, që gjyshërit i kish pasur hyzmeqarë tërë jetën, mësues Sotiri kish zgjedhur një vjershë të bukur. Kur shoku im, recitoi dhe, mes tjerash, arriti tek vargjet: "Këmbëzbathur/bythëçjerrë/punoj vetëm për të tjerë/... njerëzit ranë përmbys nga gazi. Por edhe më: radha i erdhi shokut tim të ngushtë, Zenelit.Zeneli ishte djali i madh i hoxhës. Dhe mësues Sotiri, pikërisht, këtij djalit të hoxhës, i kish dhënë vjershën "Po kërkoj ilaç". Zeneli prej natyre është shumë hokatar dhe filloi:

"Më zuri sëmundja dhe u leqendisa
Dhe botën të tërë, për ilaç gjezdisa.
Pyeta një plakë që kisha në mëhallë

Më tha:-Je ograndisur se ke shkelur djall. Plasi një e qeshur që hajde ta mbaje njerëzinë, por Zeneli as që e humbi toruan, por e ngriti zërin dy oktavë mbi gjindjen dhe, sikur ta kish porositur njeri, iu drejtua hoxhës, të jatit:... dhe i rashë në gjunjë, aman Efendi!? Ky shpejt nxori dividin, më jep hajamali. Të gjithë sy e veshë nga hoxha. Hoxha, mozollah se e bëri veten, por ndiqte të birin që vazhdoi:

-Na këtë "fletë" dhe thua se u binde
Se ty, mor evlat, të kanë zënë xhinde!!!

Por edhe hoxha, shkoi ashtu si shkoi
Sëmundjen që pata, as ky s'ma shëroi.

Gjindja prapë ra përmbys, por hoxha as që e prishi terezinë. Vonë, shumë vonë arrita që ta njoh më mirë, këtë klerik që qe aq i ditur.

                                          *    *   *  
Kur u mbyllën objektet e kultit, unë isha ushtar në Shëngjin dhe kam treguar për priftin e Lezhës që nuk pranoi të hiqte kryqin nga vila e tij. Kur pa që e hoqën frocërisht "vullnetarët e Enverit", prifti u tha:-Po unë kryqin e kam çetu-duke shënuar mbi zëmër. Kur u lirova, në fund të vitit 1967, u emërova mësues në fshatin tim, në Petovë. Me hoxhën miqësia ime kish filluar me faktin se unë, djalin e madhdh të hoxhës, atë, Zenelin e "po kërkoj ilaç" e kam pasur dhe e kam mikun tim më intim. Zeneli u bë agronom i mesëm dhe shërbeu deri sa doli në pension që nga Levani, në Pyjore dhe në Petovë për shumë kohë si brigadier. Hoxha, kur i mbyllën xhaminë, kish bërë pak a shumë atë gjestin e atij priftit katolik: ua kish dhënë çelsat e xhamisë,"vullnetarëve", dhe qe mbyllur brënda në shtëpi. Kur kishin ardhur dhe i kishin thënë:-Hajde, folu të rinjëve dhe thuaja që ju, klerikët, kini gënjyer, ju tha:-Unë vdes si besimtar tek Perëndia dhe kurrë nuk e mohoj atë (perëndinë), pa të rinjtë le të bëjnë siç u thotë partia.
Meqë u emrova në fshat, gjithmonë do të kaloja mu tek pragu i shtëpisë së hoxhës. Sado që e kish hequr "veshjen", të gjithë i thërrisnin, Efendi. Dhe unë kështu i thirra. Deri ditën që vdiq. Qe goxha burrë i ditur, dhe kurrë nuk hiqej si i tillë. Dinte të bisedonte me çdo njeri dhe me zgjuarësinë natyrale që kishte, dinte të ruhej dhe nga "fuksat". Isha prezent kur kish ardhur një nga "ata?!". I kërkonte (gjasme) t'i shkruante një nuskë për të birin që "ishte sëmurë (pas mbylljes së xhamisë, de) dhe tek kundroja Efendinë se si do ta zgjidhte këtë "nyjë gordiane", dëgjoj që  t'i thotë:-Po ku di unë nga "nuskat" Usni?! Po unë atë punën e hoxhllëkut e bëja nga e "keqja" se kam 5 fëmijë për të ushqyer, pa fmilët Usni t'i shëron partia ty dhe, kur vuri re se ky Hysniu (Usni në Çamrishte), kish ulur kokën, Efendiu më shkeli syrin. Usniu u ngrit e iku me kokën të qethur. Kur ky, Usniu, e theu qafën, dëgjova t'i bërtiste të shoqes, Lirisë:-Gjerbna dhe ndonjë kafe mua e Papit, por pa sheqer, se, sa përcollëm "xhenazenë" (qe fjala për Usninë, fuksin,de!).

                                       *    *    *
Pothuajëse dy-tri herë në javë ktheja tek hoxha. Tani ai e kish prerë daljen dhe vetëm lexonte. Një ditë, e preu bisedën, dhe pashë që mori shkallët dhe u ngjit në tavan tek koridori. E ndoqa me sy. Atje në tavan, kish një si dritare të fshehtë, që, pasi e largoi, hyri në të. Kur zbriti, kish në dorë dy  libërtha. E dinte maninë time për të lexuar dhe më tha:-Po të jap këto dy "ilaçe", janë nga to që kërkoi "Usniu" dhe qeshi. Mbaroi dhe m'i kthe prapë. I mora i gëzuar dhe tek i shfeltoja në shtëpi, qenë as më shumë dhe as më pak: revista "Kultura Islame" dhe ajo që më bëri përshtypje "Hylli i dritës". I lexova me qejf dhe tek po i ktheja (e merrja me mend që ai do kishte "barut" tjetër atje tek kthina e fshehtë), i them:-Efendi, mirë "Kultura Islame", po "Hylli i driës" si e paske rujatur.
Dhe ai:-Eni, po ka njerëz më të ditur se ata, katolikët?-më thuaj. E di ti,- më tha, se edhe në Kongresin e Manastirit, ata vunë dhe vulën. Pastaj më dha  prapë një fashikull tjetër nga "Hylli i dritës". Aty lexova dhe atë polemikën:-Gabove, Hilë! A di ti,-më tha,- që atë AT Gjergj FIshtën italianët e kanë pasë bërë akademik. Po a din ti, që në atë kongresin e Manastirit, Hafuz Ali Korça e ka marrë në grykë këtë, Atë Fishtën, se ka lëshuar pe, për të arritë tek ki alfabeti që kemi. Dhe unë, dalngadalë, së bashku me Efendinë po bëhesha "katolik". "Ilaçin" ma jepte Efendiu që e kish fshehur në tavan. E pata parë, Efendinë që mbante mardhënie të ngrohta (pa u prishur kishat e xhamitë) me Imzot Irinea Banushin, rektorin e madh të Manastirit të Ardenicës dhe me Imzot Atë Polizoi Ikonomi, prelatin e kishës së  Fierit. I pata thënë:-A e lejon Kuh'rani miqësinë e një prelati mysliman me të një fej tjetër. Dhe ai, si burrë i ditur që ishte, më tha:-Edhe Imzot Irenea edhe At Polizoi janë si Universitete me vete. Të ditur si ata. Po të kishte sinodi i krishterë nga këta prelatë dhe besimi i njerëzve do të qe më i madh. Dhe përsëri më dha një "Hylldrite". Kur po më përcillte, më tha:-Unë jam hoxhë, por, vallaj-billaj, këta katolikët (e kish fjalën për kelrin katolikë) e kanë  bërë beli: vetëm ata e pranuan fashizmin me konditë që të ruheshin simbolet e kombit. Janë më patriotë, më të ditur,- pse do t'i vijmë anës. Por ti di të lexosh, lexoj dhe do të shohësh. Kanë hapur shkolla dhe, kur Zogu i mbylli këto shkolla, ata (klerikët katolikë) bërtitën:-Të rrojë Shqipëria dhe pa ne klerikët. Po ku u numërohen veprat e tyre në të mirë të kombit?

                                    *      *    *  
Sapo kish dalë libri "Gjylistani e Bostani" dhe me atë në dorë, drejtohem tek Efendiu. Unë e kisha mbaruar me një frymë dhe ai, sa ma pa në dorë, u gëzua si një fëmijë kur i  dhurojnë një lodër të dashur, më tha:-U dija, e nxorën. E di që e ka përkthyer Vexhiu. Ti,- më tha,- nuk e njeh. Vexhiu i ka të rrallë shokëlt nga dituria. Është i ditur si këta, "katolikët",- më tha,- por ai veqili i Gjinokastrës (nënkutpo Enver Hoxhën), e ka çuar faturist tek diqani i berberëve në Berat. Më përqafi dhe troç fare më tha:-Eni, me këtë libër, përcillu! Dhe nuk ma dha më. Por, kur shkova pas një jave-dy rrugë e një punë-kinse për ta rimarrë "Gjylistanin..." tim, ai, pashë që mori përsëri shkallët (thashë e ka vënë atje), po, kur zbriti, më tha:-Është prishur ca nga përdorimi, por i ka të gjitha faqet. Po bëj "tramp" me pak "doganë" me "Gjylistanin...". E mora në dorë dhe mu në krye pashë vargjet që kisha dëgjuar: për Marassh Ucin. Eh,- thashë tek ikja për në shtëpi,- e ka mbajtur fshehur dhe mozollah se tregonte. Kuptohet që e lexova me nge "Lahutën e malsisë" të Atë Gjergj Fishtës. Paradoksi qe se "streha" qe bash një hoxhë mysliman.
Kur u bëra inspektor për gjuhën e letërsinë në rrethin e Fierit, aty mesviteve '90-të, më së fundi qe vënë dhe një fragment nga Fishta. Po dhe ky i "sakatuar" nga autorët e tekstit. Po pse e kisha "ilaçin" e Hoxhës në shtëpi. Me atë në dorë, organizova një seminar me të gjithë mësuesët e klassave të teta dhe bëra ndreqjet sipas origjinalit në libër, që, më së fundi, dhe Atë Fishta të lexohej ashtu siç e kish shkruar: gegërisht dhe jo duke e "shartuar" ata të "institutit të teksteve,de!".Në Fier u bë dhe meritën e ka ai hoxhë, Efendi Yzeir Sallata që qe "katolik?!".
 Një ditë e gjeta të nxehur mikun tim. Ma bëri me dorë që të kthehesha.-Ç'ke, Efendi, pse je nxehur kështu?-Eni,- më tha,- kam arritur në përfundim që mathematika nuk është shkencë ekzakte?-Po ç'thua, kështu, Efendi?-ia pres.-Kështu është dhe nuk e luan topi,- ngulmoi ai. Deri sa Hasani im që është "budalla" mbahet si mësues i mirë mathematike, kështu është. Po si ishte e vërteta? Hasani, është djali i dytë i Efendiut, një nga mësuesët më të mirë të mathematikës në Fier (ka mbi 10 vjet që jep mathematikë në një nga shkollat e Tiranës) dhe hoxha e quante budalla, se kurrë nuk dinte të merrte kthesat. Qe i ndershëm dhe ashtu mbeti. Po, kur nxehej, edhe miku im, Efendiu, e humbiste ndonjëherë. Por, tek i mbyll këto radhë për të, them se qe jo vetëm një klerik imirë dhe i ditur, por qe njeri që shihte larg. Njerëzit e ditur i çmonte dhe ndaj e quaj "katolik". Kur vdiq, aty prag viteve '70-të,  nuk mbeti njeri pa marrë pjesë. Si mik i familjes që isha dhe jam, atje pashë, pothuaj, gjithë klerikët e rretheve nga Vlora e deri në Shqpëri të mesme. Dhe për të qenë i sinqertë në gjithë shkrimin tim, them se e bëra si Silvestër Bonari, pas vdekjes së Efendiut, e "rivodha" "Gjylistani dhe Bostani". E kam dhe sot, këtu me vete. Dhe, në e zë  me dorë, tak dhe më ravijëzohet portreti i dashur i Efendi Yzeir Sallatës nga Marglliçi i Çamërisë, që më rrënjosi, veç tjerash, dhe dashurinë për katolikët dhe, mbi të gjitha, për Atë Fishtën.





LUFTA POLITIKE PARTIAKE, EDHE SOT, PO E DEMTON UNIVERSITETIN PISHTINËS (UP)


Ymer Halimi

LUFTA POLITIKE PARTIAKE, EDHE SOT, PO E DEMTON UNIVERSITETIN PISHTINËS (UP)

Ndërhyrja në tempullin e dijes me politizim për depolitizim është pamençuri

Para së gjithash,  të mos harrojmë se të gjitha gjërat në këtë botë kanë adresë të saktë, si fenomenet natyrore ashtu edhe ato shoqërore, si sukseset po edhe mossukseset, të kujtdo qofshin.
Kombet që përparuan hovshëm, paraprakisht, dekoduan kohën në të dy kahe, atë kohë që ikën dhe kohën që vjen.
Cila është ajo që duhet të bëjmë ne?
Arsimimi i mirëfilltë i rinisë duhet te jetë më parësorja në politikat e shtetit, sepse është gjenerator i të gjitha proceseve në një shtet; është potenciali më i çmuar i kombit, dhe ngre zhvillimin ekonomik, politik, kulturor.
Kësaj rinie, sot, në shumë rrafshe ja kemi mbyllur shtegun e veprimit me nepotizëm, keqpërdorim dhe mos përgjegjësi udhëheqëse.
Deputetë të nderuar, arsimi te ne ishte i politizuar përherë, por mbi tabanin për të bërë shtetin. Barrën e këtij ideali e barti Universiteti. Por, në kohën e pasluftës klasa politike, edhe në këtë rrafsh, ishte e papërgjegjshme, se politizoi arsimin në baza partiake, në çdo nivel. Pasojat po i vuan brezi ynë dhe do t’i vuajnë edhe brezat pas nesh. Kjo është e pajustifikueshme.
***
Një vend është i lumtur kur pushtetin e ka mendja e ditur dhe e durueshme,thonë, se ajo ka vizion të qartë dhe veprime racionale për të mirën e qytetarëve të vet. Ajo bën politikë në favorin e të gjithë qytetarëve të saj e nuk politizohet.
***
Tash, do të tërheq një paralele në mes te institucioneve në konflikt (Ministrisë dhe Rektoratit).

Së pari njeriut më të përfolur publikisht, në lëmin e arsimit për abuzime, iu dha posti i parë i Ministrit për ASHKT-i dhe liri absolute e veprimit, i cili formoi administratë megalomane, militante partiake, pa asfare vizoni për arsimin (R. Osmani).
Kur pritej një ngritje e infrastrukturës në arsim, si shkak i donacioneve të premtuara ndërkombëtare, jo vetëm për riparime por edhe për ndërtime të reja e pajisje laboratorike, ai nuk investoi sipas mundësive që ishin, për të krijuar kushte pune më të mira për nxënës, studentë, mësues e profesorë.
Njerëzit e ministrisë u kënaqën, në mënyrën e vet, nëpër hotele të Maqedonisë, në përpjekje për të bërë reformimin e programeve dhe metodave bashkëkohore, duke mos e çmuar djersën e popullit dhe atë që na e dhanë miqtë tanë. Këto programe konsiderohen te arritura më të mëdha te ministrisë.
Ministria (lejoj) hapi Universitete dhe Fakulteteve private, besoj më qëllim të mirë, por pa kritere të mirëfillta dhe pa ligj. Ajo sot nuk ka fare shqetësim që shumë institucione të tilla janë me veprime jashtë ligji.
A mund të jetë konkurrencë e mirëfilltë Fakulteti apo Universiteti privat kur është sportel honorari i profesorëve dhe asistentëve të UP-së, ose i atyre profesorëve që nuk kanë pasur cilësi të depërtojnë ne UP ose dhoma e gjumit e bashkëshortëve e shndërruar ne amfiteatër fakulteti ?
Shumë fakultete të UP-së kanë objekte që nuk kanë interier ndërtimi për Fakultet. Kishin destinim tjetër, janë hapësira të vjetruara dhe të pariparuara.  E, kjo ministri vendosi që të ndërtojë Institutin e Historisë, megjithatë ai është, ndërtesën e Akademisë së Shkencave dhe Arteve te Kosovës, ku në të dy institucionet janë rreth 70 të punësuar, ndërsa me ato mjete do të ndërtohej një fakultet për 3000 studentë.
Ministri aktual (AgimVeliu) ka vështirësi shtesë se ka trashëguar sistem ne arsim me antagonizëm politik, pjellë e paraardhësit të vet.
Ne anën tjetër, pas lufte, në Universitet u zgjedh Rektori (Zenel Kelmandi). E rrethuan njerëz, disa shumë abuzivë, dhe arritën për të sistemuar një politikë te grupit te interesit me pol të kundërt me ministrinë, por për abuzim polet bashkoheshin.
Në zgjedhjet e fundit të lira në Universitet u arrit që Prorektori më abuziv (Arsim Bajrami) të zgjedhet, në momentin më te pa duhur, Rektor i UP-së. Ishte një shqetësim për të gjithë të ndershmit në UP. UP-aj assesi nuk e meritoi këtë fatkeqësi.
Fatkeq në këtë luftë politike ishin dhe janë: studentet dhe puna e ndershme në UP.
Konceptualisht është filluar më reformimin e UP-së. Ishte mendim i drejtë. U bë diç pompoze,  por qasja praktike qe e gabuar. Nuk vërejtën kompleksitetin e reformimit. Mjeket do të thoshin: pacienti është gjallë, por nuk lëviz, nuk sheh, nuk flet.
Reformimi do të duhej të përgjigjej saktë: si të përgatitët kuadri i mirëfilltë për ekonominë e tregut? Kuadri i tillë sa është ekuivalent me konkurrentët në tregun evropian? Kjo nuk ndodhi.
Deputetë te nderuara, për 29 vite pune në UP, flas me përgjegjësi të plotë e krahasuese, se në asnjë periudhë të këtyre viteve, nuk ka qenë punë më pak produktive shkencore, se sa në kohën e pas luftës. Asnjëherë, nuk ka pasur deformime profesionale se sa që kemi sot.
Institutet kërkimore shkencore që ishin në fakultetet, sot janë në “vdekje klinike”. Atëherë mendojeni vetë çfarë shkence bëjmë ne, kur dihet se shkenca bëhet në institute.Ndërsa me magjistra dhe doktorë shkence, në kohë të fundit, kemi bërë “bum“ marramendës. Me shumicë në parimin: unë ty e ti mua. Natyrisht jo në të gjitha fakultetet.
Por, vetëm Instituti “J. Stefan”në Slloveni me 2003, dha 1089 punime, publikime shkencore e mori pjesë 1189 Simpoziume. Pyetne Dukagjin Popovcin (këshilltar i larte ne Qeveri) e Arsim Bajramin ku jemi ne? Ku është rinia jonë?
U shfaqën shumë pa rregullsi të pa paramenduara, disa edhe sistemore, të krijuara nga mangësitë e Statutit te UP dhe Ligjit për Arsimin e lartë. Konkretisht zgjedhja e dekanëve, politika e regjistrimit dhe financimit. Pastaj politika e financimi të Universitetit është destimuluese për kuadrin e ri.
****
Pas lufte shumë Universitete perëndimore, veçmas amerikane, hapën dyert për këmbim studentësh. Atje u dërguan studentë të privilegjuar, me sukses të dobët dhe mbyllën atë rrugë të shkuarjes. Po ata që mbyllën rrugën, do të jenë nesër profesorë pranë baballarëve të tyre, por jo studenti i shkëlqyeshëm, e i pa mbështetje.
Po shihet se edhe Universiteti nuk arriti t’u shmanget deformimeve të tranzicionit. Në UP depërtoi nepotizmi, po edhe individë të kriminalizuar.
Ajnshtajni i madh thotë“gjërat nuk janë të rastit”, edhe pjesa e mjerimit tonë nuk është e rastit.
Shumë profesorë e asistentë sot punojnë në dy e më shumë vende pune për shkak të mbijetesës, por edhe për shkak të papërgjegjësisë se institucionit ku punojnë ( e patë mbrëmë në TV ne 11 vende?). Po sa kohë u mbetet të ndajnë për konsultë me studentë, apo cila është cilësia e ligjëratave të tyre? Pyetni studentët.
Teoria shkencore tregon saktë: dy gjëra nuk mund të maten mirë në të njëjtën kohë.
Janë pranuar publikisht se janë shpenzuar mbi 30 milionë euro për shërbime, mallra dhe investime kapitale në UP, deri më 2004.
Sa i përgjigjet sot kjo realitetit faktik?
Matni efektet anësore të atyre që përdoren këto mjete dhe i regjistruan studentët kokë në vete. Del e tmerrshme....!
Dekani i Universiteti klerik të Kembrixhit thotë ..’se asnjë herë nuk është ndalë abuzimi derisa nuk është konfiskuar pasuria e paligjshme’.
Këto lëshime dhe trysnia e vazhdueshme nga MASHT-i kanë rritë entropinë shkatërruese në UP.
Universitet ka kohë që ishte poshtëruar financiarisht. Ndoshta në parimin politik: “varfëroje e sundoje”.

E gjithë kjo që thash për këto dy sektore është vetëm maja e Ajzbergut.

Deputetë të nderuar, një biograf duke folur për historikun e demokracisë se një shteti të SHBA-së citonte:
”Shihni këtë karrige! Është e kryetarit i cili net të tëra i ka kaluar ulur në të pa bërë gjumë, në kërkim të zgjidhjeve të problemeve te shtetit. Kur ishte i lodhur flinte në të pa shkuar në shtëpi. Shumë herë zgjidhjet ishin reale por, kur kundërshtarët s’pajtonin ai vepronte mbi kompromisin.” Ku ndodhemi ne përballë kësaj thënieje!?
Të mos harrojmë “se nuk bëjmë asnjëherë faj më të madh, si intelektualë”, e as si deputetë, si parti, e as si segmente shteti, sesa kur lirojmë energji për të penguar forca progresive, ose kur lirojmë energji për të ndihmuar forca primitive. Por edhe kur heshtim për ta thënë të vërtetën.
Të jemi të vëmendshëm sot, të mos biem në kurth të fanatizmit apo interesit meskin, se kjo çon ne vetasgjësim pa marrë parasysh është individë, parti, institucion apo shtet.
Ne jemi ata që e pranojmë fatin nga dora e huaj e jo nga puna e intelekti i ynë, Mjerisht. Kosova është i vetmi vend në botë që i shpërbleu me pushtet lojalistet e pushtetit të djeshëm!
Deputetë të nderuar, ndërhyrja në tempullin e dijes me politizim për depolitizim është pamençuri. Ndërhyrja për parregullsi, që vërtetë ekzistojnë, me parregullsi, në demokraci del si element force që s’ka drejtësi.
Sinqerisht, nuk do të ndodhë depolitizimi në Universitet, por ndoshta do të ndërrojë vetëm vendi i polit të politizimit. Të provojmë. Më keq s’mund të jetë! Atje duhet të ndodhin zgjedhjet e përgjithshme. Por, tempulli i dijes pranon ndërhyrje me kualitetin e dijes dhe njerëzit e dijes, me dinjitet, me ndjenjë të pastër e dorë të pastër.
Studentet e mi dhe kolegët e mi, presin që kjo të përcaktohet me drejtësi në Kuvend, Ministri, Gjykatë, e kudo qoftë.

(Diskutimi im në Seancën e 12.05.2006 në Kuvendin e Kosovës - debatin për Arsimin e Lartë).

PJETER IVEZAJ BAROMETRI I KOHES SE LIRISE


ZEF PERGEGA



          PSE RANE KEMBANAT E SE DIELES

Këmbanat e së dielës rrahen më fort ditët e zakonshme, me 18 nentor 20011. Tingëllimat e saj shqip në Bashkin e qytetit Rochester Hills në Detroit, u mblodhën në kupë të qiellit, për të zbritur me bekime në gojën e Dom Fran Kolës, famullitar i kësaj kishe.
Madje vetë zëri i tyre u dëgjua larg, sa mblodhi në sallën, që mban emrin e poetit tonë kombëtar, Homerit të Lahutës së Malësisë  “Gjergj Fishta, mbi 300 malësor e shqiptar nga të gjitha trevat, në një përkujtimore, që ia shtoi llamburitjet krishtlindjeve dhe festës tradicionale të vitit të ri.
Shoqata e Malësisë së Madhe në kërkim të vlerave dhe të visareve kombëtare ishte ndalur në një nga piramidat më të spikatura të historisë së 70 vitëve të fundit të komunitetit shqiptar në Amerikë.
Kësaj rradhe me një seriozitet dhe përkushtim njerëzor kishte parë me vemendje barometrin, që paralajmeroi lirinë e Kosovës.
Dom Frani, pasi ka meshuar dhe predikuar është nisur të marrë pjesë në këtë eveniment.
Lek Ivezaj nuk jeton me, por iku me një shpirt të liruar nga pengu. E kishte parë djalin, Pjetrin, të zgjidhur nga prangat jugosllave. Edhe për një arsye tjetër se famlja e tij është plot. Frani me fëmijë, Pjetri me një tufë që tani janë rritur… kanë dalë tek dera të presin njerëzit.
Nana Pashkë një sojnike, ka dëshirë ti përshëndesë të gjithë. I kujtohet dita para 25 vitësh, kur shtëpia iu mbush me shqiptar. Pjetri ishte kthyer pranë familjës i lirë.
“Zoti ta bekoftë familjen Nana Pashkë. Biri yt është një hero i lirisë së Kosovës. Ashtu janë të borgosurit politik, njerëzit më të fortë në karakter dhe në idealet e lirisë!”-i thotë Dom Frani tek shtërngon duart me te dhe përshëndetët si me nënën e tij kosovare.
“Qofsh i bekuar biri im. Suksesin e paç në sy e në ballë dhe këmbën e mbarë e fjalën e urtë ndër shqiptarë e malësorë!”-ia ktheu Nana Pashkë.

ISHTE FILLIMI I NJE PRELUDI

“Çeshtja Ivezaj ishte fillimi i fitoreve të shqiptarëve në mërgim dhe në trojet e veta, rrokullizja drejt greminës e sistemit komunist jugosllav dhe disfatat e një pas njëshme serbo-malazese, këtij armiku shekullor të Dheut t Kastriotit. Ajo është për tu shënuarne kalendarin historik, si preludi lirisë së Kosovës”- kështu e nisi ligjeraten Luk Junçaj, ish-kryetar i shoqatës së Malësia e Madhe në takimin kushtuar 25 vjetorit të daljës nga burgu serbo-malazes të mësuesit shqiptaro-amerikan Pjetër Ivezaj.
Si drejtues aktivitetit me një zotësi dhe ligjerim profenional në lartësi nderimi e mirënjohje për të gjithë Z. Junçaj në referatin e tij parashtroj situatën në të cilën ndodhi kjo ngjarje që mori dhenë, sa shkruan 140 gazeta perëndimore dhe amerikane.
“ Në gusht te vitit 1986 Pjeter Ivezaj pasi kishte marrë pjesë në demostrata anti-jugosllave shkon për të vizituar familjen. Atje arrestohet nën akuza të rënda për tradhëti ndaj atdheut të jugosllavisë, vetëm se ai në Amerikë kishte ushtruar të drejtat e tubimit në përputhje me kushtetuten amerikane.
 Mërgimtaret edhe pse me mijra kilometra larg trojeve të veta ishin objekt kontrollimi, ndëshkimi dhe dirigjimi nga ana e shtetit jugosllav edhe në diasporen shqiptare në Amerikë. Kjo diasporë iu bashkangjit fuqishëm kërkesave të studentëve të Prishtinës dhe në mesin e shumë aktivistëve eshtë dalluar edhe Pjetër Ivezaj. Kjo e tërboi sigurimin jugosllav dhe u hodh në ofensivë kundër shqiptarëve dhe si fillim burgosi Pjetër Ivezaj, për të friksuar bashkimin tonë në Amerikë. Ky akt i shëmtuar kërkonte të siguronte përçarjen dhe tu tregonte mërgimtarve se kush vepron kundra shtetit jugosllav e presin prangat dhe burgimi i rëndë.
Reagoi me njëherë mergata, u ngrit çeshtja në Kongresin Amerikan, 150 kongresmene me kontributin e kongresmenit William Broomfield lëshuan peticionin, duke kërkuar lirimin e me njëhershëm të Pjetër Ivezajt, i denuar me shtatë vjet heqje liria nga një gjykatë e montuar në Podgoricë. Presidenti Regan lëshoi ultimatumin, lirojeni shtetasin amerikan Pjetër Ivezaj ose do tu heqim statusin e privilegjuar në marrëdhënjet politike e ekonomike me Jugosllavine…
Pas 55 dite të ferrit jugosllav, Pjeter Ivezaj kthet në tokën e lirë në Amerike.” kumtoi Junçaj, në mbyllje të fjalës se tij.

TE SHKRUHET E VERTETA

Dispora shqiptare përdori të dy krahet dhe mendjen rreth një shpirti dhe rreth një zemre. Demostrimin para andministratës me të lartë amerikane dhe rrugen e kongresit. Në këte të dytën pati një angazhim të madh Ekrem Bardha, i cili në fjalën e tij tha:
 “Une nuk e njihja Pjetër Ivezajn. Miku im Gjok Martini me telefonoi dhe me tregoi të gjithë ngjarjen. I thashë se kemi një mik amerikan kongremenin e Michigenit William Broomfield dhe kështu u lidhëm me te, për të mos u ndarë derisa liruam Pjetër Ivezaj. Nuk mud të lejohej të trajtohej, siç i trajtonin shqiptarët në vendlidjen e tij. Dua të them para jush se historia e kësaj ngjarje nuk është shkruar me vërtetësi. Rasti i Pjetër Ivezajt ishte guri i themelit të ndryshimit. Pa Amerikën nuk mund, as nuk do të mundemi të bëjmë asgjë. Janë dy apo tre shkrimtar amerikanë që në librat e tyrë e kanë pasqyruar me dinjitet dhe saktësi gjithë punën e diasporës për lirimin e Pjetër Ivezajt, ndërsa ne kur shkruajmë e shtrëmberojmë historinë për qëllime të ndryshme. Për vete nuk pranoi të thuhet “uni” po ishim shumë të angazhur në këtë çeshtje. Heroi Pjetër Ivezaj meriton një histori reale ashtu siç e meritojnë të gjithë në diasporë.!”
Fran Ivezaj, e pa të domosdoshme që ta sensibilizonte çeshtjen e vellaut të tij, në shtypin amerikan. Kështu ai komunikonte me gruan e Pjetrit në Maleëi dhe me njerëzit e intelektualet malësor, të cilët u kthyen në burim informacioni që me pas Frani i rrëfente para kamerave dhe gazetareve që mbushin faqet e para dhe ekranet televizive.
Një përkushtim shqiptari në këtë luftë për fitore ka patur edhe patrioti dhe eksponenti i diasporës Gjok Martini edhe si pjesmarrës në demostrata dhe në takime me kongremene demokrat. Bota u ndez ndaj një përbindeshi jugosllav që sillej si engjell në sytë e Amerikës.
Në listën e patrioteve  të spikatur në rastin Ivezaj, Luk Junçaj përmendi emrat e disa prej tyre si, Ekrem Bardha Gjok Martini, Toni Junçaj, Kujtim Qafa, Rrok Dedvukaj, Kol Gojçaj, Gjovalin Gegaj, Gjon Kelmendi e dhjetra të tjerë. Nga New-Yorku ai kujtoi Zef Camaj, Tom Gjokaj, Mark Lulgjuraj, Gjek Gjonlekaj, Pashko Camaj, Vesal Camaj, Gjelosh Lek Camaj, Gjeto Sinishta, Jim Xhema, Sejdi Bitici etj.
“As Greqia as Serbia nuk i respektojnë ligjet demokratike kur vjen në pytje e drejta e shqiptarit. Uroj që vuajtjet, përkushtimi dhe gjakui i dedhur, duke përfshirë edhe aktin heroik të Pjeter Ivezajt, të shërbejë për bashkimin e trojeve etnike në një shtet të vetëm!”- tha kujtim Qafa. Në këtë aktivitet foli edhe Luigj Gjokaj.

“Liria e bashkimi nuk vijnë pa sakrifica e vujtje. Drejt tyre kemi shumë punë përpara. Gjesti fisnik i malësorit Pjetër Ivezaj të na shërbejë për frymëzime të reja drejt realizimit të aspiratave tona!”- tha Rrok Dedvukaj, ish i burgosur politik në Mal të Zi.
Aktivisti i palodhur Marash Ulaj i dorëzoi Pjetër Ivezajt dekoraten e mirënjohjes, akorduar nga Shqata Malësia e Madhe.
Takimin e përshëndeti me telefon kongresmeni Sader Levin!

RRETH KUMTIT TE LAJMETARIT

Përshëndetjen e tij  Nikoll Camaj nga Malësia e Madhe  e kishte dërguar me posten elektorike, të cilën e lexoi këngëtari virtuoz Rrok Gjelaj.
“Pjetër Ivezaj, përfundimisht do të mbetët lajmetari i lirisë për popullin shqiptar të vuajtur të Kosovës, por edhe dëshmi e gadishmerisë malësore për sakrificë në shërbim të kombit!”
Në letrën e tij, Gjon Lulgjuraj, të cilën e lëxoi aktivisti Ruzhdi Gjokaj, ndër të tjera thuhej:
 “Mirënjohje familjes Ivezaj, e cila vendosi të sakrifikojë shumë, për ta përdorur rastin e burgimit të birit të tyre Pjetrit, për të ekspozuar të vërtetën në sytë e botës demokratike, se si vepronte politika anti-shqiptare e autoritetëve serbo-jugosllave. Kjo ngjarje ngriu si akullin e ftohtë, marrëdhënjet e mira të jugosllavisë me Amerikën.!”
Në përshëndetjen e dërguar nga Gjon Gjonleka, lexojmë:  “…aq sa qëndroi në burgun jugosllav P. Ivezaj përjetoi mundimet e Shën Pjetrit në Romën pagane, por gjatë atij kalvari nuk e mohoi kurrë çeshtjen kombëtare. Akti atdhetar i Pjetër Lekës nga fisi i Grudes u pa më dashuri e respekt pothuajse nga 70 milion njerëz në emisionin televiziv, kushtuar 200 vjetorit të kushtetutës amerikane. Ky akt solli rezultate më shumë se çdo veprimtari tjetër të shqiptarëve të Amerikës, për çeshtjen e Kosovës, pavarësisht se deri atëherë ishin bërë shumë sakrifica. Kam qenë pjesmarrës në shumë aktivitete për lirimine tij dhe i kujtoi me respekt të gjithë ata amerikan e shqiptar që vepruan për lirinë e Kosovës, Shqipërisë dhe Pjetër Ivezajt. Shoqata “Malësia e Madhe” meriton nderime për këtë sjellje fisnike.”

PAS 25 VITESH

Kanë kaluar 25 vjet dhe Pjetër Ivezaj del në podium të përshëndes. Gjithë sytë dhe vëmenhja kthehen në në një pikë. Me ta bashkohen edhe kamerat dhe blix-et.
Shkëputem disa radhë nga fjala e tij: “…Lirimi im nga burgu përkon me 30 vjetorin e demostratave të vëllëzërve shqiptar të diasporës për lirinë e Kosovës. Kryengritja e Kosovës e vitit 1981 ishte revolucioni i dytë me i madh në Europen Lindore, pas lëvizjës punëtore të Polonisë. Kjo kryengritje ishte frymëzim për çdo shqiptar e në veçanti për ata të mërguar në botën e lirë. Ne e kemi përjetuar rëndë shtypjen e lëvizjës studentore në Prishtinë. Nisur nga ky kumt çlirimtar për liri, organizuam një demonstratë në prill të vitit 1981 në Washington. Këtu nisi hakmarrja serbe ndaj meje dhe të gjithë atyre që kundërshtonin politiken diskriminuse jugosllave ndaj shqiptarëve.
Gjuha shqipe dhe feja kanë qenë një simbolikë e shënjtë në familjen tone, si në vendlidje e në Amerikë. Ishte mëshira kristiane që me shtyri të shkoi në demostratën për Kosoven, sepse përjetova thellë dhimbjen, tragjedinë dhe përskuqjen e shesheve të Prishtinës nga gjaku i rinisë në pranveren e vrarë të vitit 1981.
Lufta e mërgates anti-komuniste ishte në dy fronte: kundër pushtimit jugosllav dhe kundër diktaturës shqiptare. Korrëm fitore dhe jam i lumtur që jetova e punova, për ti parë këto ditë të bardha të kombit tim.  Ajo me emocionalja e jetës time ka qenë vizita ime në Kosovë, tek varrët e Jasharajve, tek ata kulla legjendare me dritare me krisma lirie. Shkova në Shqipëri e në vendlidje me një krenari të pakufishme për vendin tonë. Pashë se populli shqiptar po shkonte drejt bashkimit!”
Televizioni i Shqiptarëve të Amerikës me regji të Gani Viles dhe skenar te Rafael Floqit, kishte përgatitur një dokumetar prej një ore, kushtuar aktit të guximshëm të Pjetër Ivezajt. Grupi i këtij televizioni shfrytëzoi rreth 160 ore xhirime të kryera edhe nga mediat amerikane, për të arritur në këtë dokumentar televiziv të realizuar në mënyrë artistike dhe me vlera transmetuese në çdo ekran profesional.
Aktivitetin e përcolli edhe televizioni shqiptar ACTV dhe radio “Zëri i Atdheut”
Në emër të familjes aktivitetin e përshendeti Prof. Fran Ivezaji, cili me fjalë te matura vlersoi kontributin e të gjithe atyre që i janë gjëndur Pjetrit dhe familjës në ditë te veshtira, pa harruar angazhimin e administrates, mediave amerikane dhe komunitetit.

          NEPER VALET E LIRA


Valet e lira të Zërit të Amerikës kanë qenë për shqiptarët rrezja dhe antenna e parë e kërkesave të tyre të drejta në të gjithë botën shqiptare. Roli i saj predominant është i qëlluar, sidomos kur populli ynë ishte mbërthyer në kularin e hekurt të regjimit të Tiranës dhe Beogradit. Rastin e Ivezaj, kjo valë e trajtoi me një seriozitet të padiskutushëm, në komentet, analizat, lajmet dhe intervistat me përsonalitete të larta amerikane dhe shqiptare.
Me 3 tetor 1986 Departameti Amerikan i Shtetit njoftoi se Jugosllavia kishte arrestuar një shtetas amerikan 30-vjecarin nga Sterling Heights i Michiganit, Pjetër Ivezaj, mësues në shkollat e Detroitit.
Tani që kanë kaluar 25 vite Zëri i Amerikës e përcjellë këtë ngjarje me dy intervista dhe një koment simbolik
Konsulli i Nderit Ekrem Bardha solli momente dhe impresione nga koha e fillimi të mbështetjës amerikane për këtë burgosje politike të  Ivezajt
Broomfield ishte shumë i mërzitur për këtë rast, pra një shtet i favorizuar nga Amerika, siç ishte Jugosllavia,  të denonte padrejtësisht një shtetas amerikan. Roli që luajti kongresisti Broomfield ishte shumë i veçantë. Ai pati edhe ndihmen e kolegeve të tij. Broomfield e njihte mirë situaten në Kosovë, Mal të Zi e Maqedoni. Koleget e tij amerikan e besuan dhe më njëherë ai organizoi tri seanca në kongres për këtë çeshtje, ku kërkoi masa të rrepta, për të prerë marrëdhënjet diplomatike dhe tregtare me ish-Jugosllavinë!”
Kryetari i shoqatës “Malësia e Madhe” Gjergj Ivezaj, tha ndër të tjera se Pjeter Ivezaj nuk u arrestua për ndonjë vepër penale në SHBA, por për faktin se ushtroi të drejten e tij me kushtetutë dhe së kërkonte të drejtat demokratike që në atë kohë u mohoheshin shqiptarëve të Kosovës. Shumë politikan amerikan filluan ta kuptojnë ku ishte problemi, sepse e vërteta e shqiptarëve në Jugosllavi ishte mbuluar nga një pluhur propagante e pushtetit të kohës. Intervenimi amerikan për çeshtjen Iveaj, ndikoi tek shqiptarët. Atyre filloi tu kthehet besimi se Amerika ishte një mik i tyre dhe diaspora krijoi një kurajo tek vetja se mundi i tyre nuk po shkonte kot!

SI E NJOHA PJETR IVEZAJN

Kisha marrë njoftimin nga një grup gazetaresh në Tiranë, të cilët do të diskutonin rreth krijimit të Lidhjës së Gazetarëve të Shqipërisë, në kushtet e vendosjes së pluralizmit politik në Shqipëri, pas rënjës së komunizmit.
Pas takimit, rastësisht takova skenaristin e televizionit shqiptar Ndue Ukcamaj, i cili me tregoi se të nesërmen do të vinin në Lezhë bashkë me grupin e xhirimit dhe dy shqiptaro-amerikan. Ka qenë verë e vitit 1991.
Kështu me të mbërritur në Lezhë, Nduja me prezantoi me Zef Camajn dhe Pjetër Ivezajn. Pasi pimë kafe, ku ishte edhe regjizori Ylli Pepa, gazetari Geni Shehu dhe kameramani Petrit Omeri, vizituam Memorialin Gjergj Kastrioti Skenderbeu.
Një ditë të diele pas meshes në kishen e Shenpalit në Detroit pranveren e vitit 2003, takohem me Pjetër Ivezajt që të them të drejten nuk e mbaja mend, por ai pa vonuar me zgjati dy fotografi që kishim berë në Lezhë. Mbetëm miq të mirë me njeri-tjetrin me këtë njeri që i dha një grusht të fortë mitit serb për Kosovën.

Ky shkrim nuk lejohet te botohet gjetiu pa lejen e autorit


Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...