2012-02-03

FORMIMI I KUQ




Vullnet Mato

Në pasditen e njohjes te kafja kryesore e qytetit, një person që priste në këmbë para tryezës, së profesor Vasjarit, i zgjati dorën me buzagazin e nderur tejpërtej fytyrës:
-Më fal profesor, quhem Faruk Birani, jam mësues letërsie në fshatin Kotovash…Ju kam dërguar me një shokun tim para ca ditësh, një cikël me poezi, që po të kishit mundësi t’u hidhnit një sy, para se t’i çoj te gazeta e letrarëve të rinj…
-Oh, po, po i lexova. Kam krijuar mendimin se ju mund të ecni në poezi, po nuk i kam me vete të flasim konkretisht për to! Uluni! – e ftoi profesori, duke i treguar me dorë karrigen përballë.
Teksa kolegu i largët po zinte vend në tryezë, profesorit i shkuan sytë te thonjtë e tij të zinj të paprerë, te jaka e ndotur e këmishës dhe te një përvijim i errët në cepat e buzëve, ku kafja e tharë po e denonconte se e kishte tepruar me alkool. Këto konstatime të para i lanë përshtypjen, se poezia dhe poeti që e shkruante, kishin mes tyre një mospërputhje keqardhëse.
-Ju adhuroj, për talentin dhe fjalët e mira që kam dëgjuar nga të gjithë mësuesit e rrethit për ju! – filloi menjëherë lëvdatat e veta Faruku, duke lëpirë buzët herë pas here. – Për mua është fat që gjendem pranë jush në këtë rreth dhe që po më jepni mundësinë të ulem përballë madhështisë dhe famës suaj, që e njeh gjithë republika…
I rënduar nga këto fjalë të fryra, Vasjari i hodhi vrulltas një vështrim të mprehtë.
- Faleminderit, po nuk është e nevojshme të më ngjyeni kot me gjithë këto furça boje, mjafton që ne jemi kolegë! – ia preu i mërzitur në çast nga ky nxitim i tjetrit për ta lartësuar në sy më shumë nga ç’ishte në të vërtetë.
Në vijim të prezantimit, miku nga fshati e ftoi të kthenin ndonjë gotë se bashku. Por, kur e pa se mësuesi i vjetër e refuzonte alkoolin kategorikisht, ata u ndanë shpejt, për tu takuar të pasnesërmen pasdite në mbledhjen e krijuesve të rrethit, ku profesori do të bënte prezantimin e tij dhe do t’i jepte mendimet e veta për ciklin poetik.
Faruku ishte një tip që i ngjante hijes. Mjaftonte të binte fare pak mbi të dielli i buzëqeshjes së tjetrit dhe nuk i ndahej këmba- këmbës. Kështu i pashqitur si hija, ai filloi ta priste profesor Vasjarin kur dilte nga orët e fundit të mësimit, sa herë i kishte vetë bosh ato orë dhe vinte në qytet me autobusin e linjës.
- Ah, ç’fat do të ishte për mua sikur të jepja mësim në këtë shkollë, ku mund të isha pranë një njeriu kaq dashamirës, i cili po më ndihmon kaq shumë në krijimtari! – i tha Faruku kur njëra nga vjershat e tij, të përforcuara nga Vasjari si krijues me përvojë, u botua te faqja letrare e gazetës rinore.
Duke marrë shkas nga ai botim i vockël, ku publikohej për herë të parë emri i Faruk Biranit, Vasjari në një mbledhje të krijuesve, shprehu mendimin para drejtorit të arsimit të rrethit, se dega e letrarëve do të forcohej, po të afroheshin nga periferitë disa talente, të cilët mund ta gjallëronin jetën kulturore të qytetit.
Nuk vonoi, dhe vjeshta e emërimeve të reja, e gjeti Farukun mësues në shkollën e mesme të qytetit. Vasjari, me njohjet e veta, e ndihmoi te drejtori i fermës për t’i lëshuar atij një kthinë banimi te barakat e magazinave, ku ishin strehuar edhe nja dy beqarë të tjerë.
Tani pas mësimit, Faruku endej gjithë orët e vona klubeve me persona të rëndomtë që e mbyllnin fundin e ditës me fundin e gotës. Ca kohë iu vardis një amatoreje të kulturës, e cila shumë shpejt e përçmoi për jetën e tij të çrregullt dhe për pakujdesinë e pafalshme në higjienën personale.
Vasjari, si familjar i shkëputur nga thashethemnaja për intimitetet e orëve të vona të qytetit, e ftoi rastësisht kolegun Faruk në studion e tij për t’i treguar bibliotekën. Aty e qerasën gruaja e shtëpisë dhe më pas e bija e ndodhur të dielën e ardhjes së saj te prindërit nga studimet universitare. Faruku i dehur para kohe nga mikpritja dhe nga gota me verë që i vunë përpara, nxitoi për ta ftuar më pas profesorin e tij të adhuruar te dhoma e vet.
Pas lutjeve të shumta, një mbrëmje, gjatë xhiros te shëtitorja e qytetit, Vasjari shkoi me të te kthina e barakës ku strehohej kolegu. Për habinë e tij, vuri re aty se Faruku kishte mbuluar mbi tryezën e shtruar me gazeta dy pjata me mish dhe u kishte hequr tapat me kohë dy shisheve me verë “Kabernet”.
-Dua t’ju kthej qerasjen me verë te shtëpia juaj, e cila më ka lënë mbresa të pashlyera për mikpritjes tuaj familjare…
-Ne jemi kolegë dhe nuk ishte fare e nevojshme të harxhoheshit për mua, në një kohë kur duhet të kurseni paratë për të gjetur nuse! – bëri shaka Vasjari dhe pas këtyre fjalëve vuri re befas një shkëlqim të çuditshëm në sytë e kolegut.
Fytyra e mprehtë dhe pakëz e errët e Farukut, u zbardh krejt dhe u zgjerua nga gazi i menjëhershëm. Ndërkohë ai po ia mbushte gotën plot me verë Vasjarit, ende pa mbaruar të parën.
-Nuk pi më tepër se dy gota, më bëjnë dëm për mëlçinë! – zgjati dorën të pengojë grykën e shishes profesori, teksa shkathtësia e kolegut të ri e kishte rrafshuar rrethin në krye të gotës.
Pasi Faruku e thau shpejt shishen e parë me verë, atij iu zgjidh gjuha e tha paksa me druajtje:
-Profesor i dashur, në pak kohë unë kam arritur qiellin me dorë, duke ju bërë juve mik shpirtëror. Dhe ndofta s’do mundem kurrë ta shpërblej mirësinë tuaj…
Vasjari ia preu fjalën përgjysmë.
-Unë nuk u bëj asnjëherë miqve ndonjë mirësi, për të pritur shpërblimin e tyre. Mikut i them mik, për hir të miqësisë njerëzore dhe dua ta kem atë gjithmonë sa më afër vetes.
Farukut i ndritën ninëzat e syve, si dy xixëllonja nën dritën e dobët të llambës së tavanit.
-Po sikur edhe ne të bëheshim më të afërt me njëri-tjetrin?… – iu drodh zëri atij.
-Në ç’kuptim? – ia bëri Vasjari me kureshtje.
Faruku heshti një grimë dhe u tkurr i tëri, sikur bëhej gati të nxirrte nga fundi i mushkërive një frazë me peshë të plumbtë.
Gjatë këtij ngurimi të dyshimtë, profesorit fillimisht i shkoi mendja për keq. Mos ndoshta ky djalë kishte ndonjë fatkeqësi natyrore me problemet e gjinisë së tij. Mirëpo nuk zgjati shumë dhe Faruku i shpenguar e nxori së fundi në dritë idenë e vet:
-Me që përmendët nuse për mua, unë kam shumë dëshirë të kërkoj dorën e vajzës, suaj, profesor, a do të ma bëni edhe këtë nder tepër të madhërishëm…
Profesor Vasjari shqeu sytë nga habia, sa iu zbuluan kokërdhokët dhe iu kujtua personazhi i njohur letrar i Uriah Hipit. La pirunin e mezes mbi tryezë dhe iu drejtua tjetrit me ton të kontrolluar tashmë:
-Mirë, more koleg, po ti mendon se kërkimi i nuses mund të bëhet siç kërkohet te banaku i frutave një kokërr mollë?
Faruku u kapërdi me vështirësi dhe rrahu qerpikët e njomështitur.
- Pse, profesor, të gjithë beqarët diku do ta kërkojnë nusen një ditë…
-Sepse para se të kërkohet një nuse, pyetet një herë për të. Ime bijë ka një vit e fejuar në Tiranë dhe i fejuari i saj ka ardhur disa here këtu… Pastaj unë, edhe sikur ta kisha vajzën beqare, nuk kam asnjë të drejtë, ta jap atë në këtë formë të vjetër tregu, kur të ëmën e saj e kam marrë me dashuri para tridhjetë vjetëve.
Faruku hodhi anash një vështrim të pjerrët, uli kryet krejt i turpëruar dhe copa e mishit që ishte duke mbllaçitur, sikur i ngeci në fyt. Pas kësaj bisede, vera dhe mishi zunë të kapërdiheshin më tej me vështirësi. Ndaj dhe ftohja mes tyre u bë si vetë nata vjeshtore që kishte filluar të freskohej.
Qysh nga ajo mbrëmje Faruku i fyer në sedër fare kot, filloi pak nga pak të përjetonte një metamorfozë paksa të çuditshme. Shokë e miq të tjerë nuk kishte arritur të bënte për vete dhe i duhej një zgjidhje për tu shkëputur nga vetmia dhe alkooli i kritikuar në drejtorinë e shkollës. Ai pretendonte se rridhte nga një fis që kishte strehuar një natë në male udhëheqësin gjatë luftës. Dhe fillimisht për t’i bërë lartësim vetes, filloi të lexonte e konspektonte volumet e Marksit e të Leninit. Kishte kuptuar ndërkohë kotësinë e gjithë përpjekjeve për tu bërë mësues i mirë dhe kishte vendosur të bëhej komunist. Kishte biseduar me sekretarin e partisë së shkollës dhe ai i kishte dhënë shpresa se, bazuar në biografinë e tij, mund të pranohej në parti, nëse përgatitej mirë politikisht. Shkurt, pa e zgjatur ketë periudhë të armatosjes së tij me ideologji komuniste, Faruku pas gjashtë muajsh u pranua kandidat.
Bënte shërbime të rojës operative te baraka e portës së shkollës me volume të hapura tejpërtej tryezës. Propagandonte me zell të madh te nxënësit dhe te kolegët, që kishin durim ta dëgjonin, “Idetë e pavdekshme të marksizëm-leninizmit” dhe deklamonte me ton të larë citate pafund. S’kam për ta harruar një nga ato frazat e preferuara të tij për udhëheqësin: “Nuk e ka lindur nëna, po vetë Shqipëria nga barku i maleve!” Madje i ndikuar nga këto leximeve politike, ai bëri edhe një tufë me poezi, për të cilat profesori i tha me sinqeritet se ishin të përgjithshme, pa art, thjesht parulla politike nga ato që shkruheshin nëpër mure.
Pas kësaj, largimin nga miku i adhuruar, ai filloi ta bënte jo me hapa të zakonshëm, por me trokun e një katërkëmbëshi të goditur me kamxhik. Fytyra e tij po zymtohej në mënyrë të çuditshme nga metamorfoza e shkaktuar prej doktrinës, së cilës i kishte bërë vend në trurin e tij. Dhe në vijim të punës “kolosale” që bënte për ta ngjeshur trurin e vet me ide fikse të vjetruara, në zemrën e Farukut sa vinte e rritej një madhështi përçmuese për të tjerët dhe po bëhej egoist i vrazhdët e llafazan i papërmbajtshëm. Vështrimi përbuzës i rrëshqiste shpesh mbi të gjithë kolegët e nënvleftësuar prej tij. Dhe kuptohet, për të urryer dikë, kur je i indoktrinuar, nuk ka nevojë të kesh ndonjë arsye, mjafton të konstatosh se ai tjetri qëndron indiferent ndaj ideologjisë që ti ke përqafuar përzemërsisht.
Një ditë, pa pritur e pa kujtuar, Faruku kërkoi të dëgjonte një orë mësimi tek profesori, të cilin e quante dikur me krenim “Mësuesi im”.
Vasjari e pranoi me kënaqësi, që ai më së fundi po afrohej sërish dhe po pranonte të merrte shembujt e mësimdhënies së tij. Teksa profesori u rrek të bënte një orë mësimi sa më cilësore, me të cilën mund ta kënaqte kolegun, ndoshta të përmalluar për mësime profesionale, Faruku po nxinte te banka në fund të klasës me një shprehje zjarrmie në sy. Entuziazmi mësimdhënës i profesorit dhe përgjigjet e sakta të nxënësve të klasës ku jepte mësim, e kishin tërbuar smirën dhe cinizmin e kolegun të kandiduar në parti. Pak para mbarimit të orës, ai u çua si i dalë nga topitja dhe filloi nga fundi i bankave t’u mblidhte nxënësve fletoret e detyrave për të kontrolluar përgatitjen e tyre me shkrim, ku mund të gjente ndonjë mangësi.
Vasjarit sikur i dolën sytë nga orbita. Ky veprim qëllimkeq i kolegut, e revoltoi papritmas dhe e pyeti në çast:
-Ç’po bën ashtu, or mik?
-Do shoh detyrat, i kanë bërë të gjithë apo jo?…
-Ato i shoh unë, mësuesi i tyre që ua korrigjoj e ua vlerësoj me notë, jo ju!
-Dua t’i shoh edhe unë si pjesëtar i organizatës bazë të partisë!… – u shpraz me solemnitetin e njeriut që ka bërë një betim keqbërës.
Vasjarit ia sajua në fytyrë një nënqeshje e lehtë ironike.
-Unë ju kam pranuar në orën time të mësimit si koleg, jo me një status të tillë, i dashur mik! Organizata e partisë ka emëruar kuadro në drejtori për ta bërë këtë punë!
-Është e drejta ime të ndërhyj dhe të kontrolloj kudo e në çdo gjë me frymën e kritikës e të autokritikës revolucionare… – u shpreh ai vendosmërisht, duke e shigjetuar profesorin me ca sy që shprehnin përbuzje dhe paturpësi përzier bashkë.
Vasjari u step një çast. Mendoi se si kishte mundur ta donte e ta ndihmonte këtë farë krijese, që dukej tani si i mbirë nga mjegulla dhe i erdhi turp për qenien e tij njerëzore. Pastaj u mbush me frymë dhe thirri fort:
-Klasa, çou!… Përshëndeteni mësues Farukun, se do dalë nga mësimi!…
Nxënësit brofën në këmbë për dy-tri sekonda të vetme.
Kandidat Faruku me shëmbëlltyrën e tij politike u trand një çast në vend. Por duke parë se nxënësit prisnin daljen e tij, u shty drejt derës i gërmuqur e me dhëmbë të shtrënguar.
Ndërkohë profesori mendoi, se njeriu qenka një univers i mbyllur në formim e sipër. Shëmbëlltyrën e tij mund ta njohësh vetëm pasi ke hyrë në kufij të afërt, ku mund shihet më qartë struktura shpirtërore. Aty konstaton konkretisht, se blerimi i shpirtit të tij human, pas skuqjes me ideologji komuniste, prishet e deformohet tërësisht.

Pena të Skraparit


Kopertina e librit "Visare te Skraparit" e autorit Viktor BAKILLARI

PENA TË SKRAPARIT

(Kumtesë)

Të nderuar të pranishëm!
Të dashur miq dhe shokë!
Më lejoni të sjell në vëmendjen tuaj nja dy pika interesante që lidhen me vendlindjen tonë të shtrenjtë, parë nga këndvështrimi gjuhësor.
Së pari: Jemi nga Skrapari. Banorët e këtij vendi të bekuar, ku kemi dashur mëmë dhe atë, ku na njeh dhe guri i thatë nuk duhet të quhen apo thirren Skraparllinj. Na del si detyrë që të sqarojmë se ky emërtim, megjithëse është popullor, madje figuron edhe nëpër fjalorët e gjuhës shqipe, nuk na shkon shumë për shtat. Ne duhet të prezantohemi te të tjerët: “Jam Skraparas” dhe JO “Jam Skraparlli” për shkak të prapashtesës turke “lli”, deri diku përkeqësuese.
Gjuha shqipe është e bukur, tingëllon dhe zëzëllon ëmbël.
Këtë gjuhë të bekuar – Kush ia dha kështu Shqipërisë,
Kjo është lule e uruar – Qëndisur prej Perëndisë.
Baba Meleq Shëmbërdhenji / Skrapar.
Së dyti: E kam thënë edhe shkruar në librin “Visare të Skraparit”. Kryeqendra e Skraparit është “Ujmbreti”. Ujmbreti është ajo që populli e njeh me emrin “Çorovoda”. Edhe këtu duhet të kemi kujdes. Organet pushtetare lokale duhet ta vënë vath në vesh kaq gjë. Ata duhet ta bëjnë të madhe deri në qeveri për ndryshimin një orë e më parë të këtij emërtimi sllav. Çrovodë, jam i mendimit se e dinë të gjithë që është emërtim sllavo-bullgar i cili ka mbetur qysh para 1000 e ca vjetësh dhe do të thotë “Ujë i Zi”. Në atë vend, ju e dini të gjithë që gurgullon ujë i bekuar, që kullon dhe rrjedh ujë me rruaza dhe jo ujë i zi.
Kurr’ s’kënaqet Perëndia – Gjuhën shqipe ta humbasë,
E mban Madhëri e Tija – Armiku le të pëlcasë.
Baba Meleq Shëmbërdhenji / Skrapar.
Të dashur pjesëmarrës!
Të thuash diçka para publikut, është një ndër frikat më të mëdha të njeriut.
Këtë askush nuk mund ta mohojë sado orator të jetë. Ka shumë që dalin para popullit, flasin shumë, por nuk thonë asgjë. Kësaj frike i druhem gjithnjë edhe unë. Të flasësh për Skraparin është diçka e lehtë, por edhe shumë e vështirë. Është e lehtë se ka shumë për t’u treguar Joskraparasve, por është shumë e vështirë t’u thuash të reja vetë Skraparasve.
U bënë mbi 10 vjet që Shoqata Tomorri nën drejtimin e z. Xhevahir Spahiu dhe z. Nuri Çuni tubon Skraparas dhe miq e shokë të tyre. Joskraparas gjithnjë më kanë shprehur ngazëllimin dhe kënaqësinë e tyre duke më thënë pas çdo takimi: “Ju lumtë, jo dini të organizoni tubime!”
Por, kohët e fundit, kjo traditë e bukur sikur ka bjerrur dhe rravguar disi. Kjo ka të bëjë me shkaqe objektive dhe subjektive. Së pari mjeshtrit të këtyre punëve, kryeorganizatorit dhe drejtorit të shoqatës z. Xhevahir Spahiut iu desh dhe madje vazhdon t’i duhet edhe pak kohë për një pushim regjenerues dhe këndellës. Së dyti, sot kamsit skraparas e kanë lënë mënjanë Shoqatën. Eh, pra, afërmendsh, pa ndihmën e tyre bujare, pa kontributin e tyre, ne nuk mund të tubojmë dot.
Shoqata “Tomorri” është “Vatra” e Skraparasve dhe gazeta e saj “Dielli i Tomorrit” është si “Dielli” i Fan Nolit dhe Faik Konicës një herë e një kohë. Mbaj mend që Skraparas dhe miq të tyre e prisnin gazetën tonë “Dielli…” si ujët e paktë në korrik-gusht, e prisnin me mall dhe gëzim, ashtu siç prisni edhe takimet e shpeshta, ku çmalleshin dhe shkëmbeni biseda të ngrohta me njëri-tjetrin.
Në “Diellin” e Konicës dhe Nolit kanë kontribuuar shumë Skraparas me mendje, me organizim dhe me para. Pikërisht këto gjurmë duhet të ndjekin edhe intelektualët, politikanët dhe biznesmenët skraparas për të nxjerrë nga agonia “Diellin e Tomorrit”. Hallka kryesore janë biznesmenët. Prej politikanëve, ne nuk mund të presim ndonjë gjë të madhe, madje fare sepse gazeta jonë është kulturore, e pavarur, atdhetare, dhe e mbipartishme. Prej biznesmenëve, po; ata janë të mirëpritur të ndihmojnë me paratë e tyre të fituara në rrugë dhe mënyra të ndershme organin botues të shoqatës.
Lidhur me brendinë e gazetës, mos u shqetësoni aspak. Ju premtojmë se nuk do të zhgënjeheni.
Intelektualët e Skraparit me erudicionin dhe intelektin e tyre kanë dhënë prova qysh herët për fuqinë e penës së tyre.
Shkurtimisht dy fjalë për disa pena-ikona të Skraparit.
Nga leximet e vazhdueshme, më ka bërë shumë përshtypje një Skraparas, në fillim të shekullit të njëzetë, jo shumë i njohur në Skrapar. Quhej Refat Gurrazezi nga Gurrazezi i Tomorricës. Ishte kalorësi veteran i Federatës “Vatra”.
Lindi në 15 qershor 1894. Historia e tij është vërtet interesante. Mërgoi në Amerikë në moshën 22 vjeçare për punë. Shkoi atje për të bërë prokopi dhe përfundoi në shërbim të atdheut me penë në dorë për 60 vjet rresht. Pasi gjeti një punë, ra në kontakt me Shoqërinë “Vatra”. Nga goja e tij, tregon një bashkëkombës (Idriz Lamaj) dolën fjalët e mëdha: “Nga rroga e vogël që merrja, paguaja pjesën e qirasë, ushqehesha, dërgoja diçka në Shqipëri dhe ndihmoja Vatrën.” Gjatë kohës së lirë, Refati lexonte dhe studionte gjithçka që i binte në dorë për Shqipërinë. Brenda një kohe shumë të shkurtër ai përvetësoi stilin e të shkruarit të Faik Konicës në mënyrë të tillë saqë shumë pak njerëz dhe specialistë të mirëfilltë mund të dallojnë formën e stilit të tij nga ajo e të shkruatit të Konicës. Falë shkrimeve të tij në Gazetën “Dielli”, ai tërhoqi vëmendjen e Konicës deri në atë masë sa ata u bënë miq shumë të ngushtë, madje më të ngushtët. Pra, pak vetë e dinë se miku më i ngushtë i F.Konicës ka qenë Refat Gurrazezi, një Skraparas. Falë punës s tij, Gurrazezi emërohet Sekretar i Federatës “Vatra” (1926) dhe, dy vjet më vonë, ashtu si Xhevo Spahiu që drejton “Diellin e Tomorrit”, Gurrazezi drejtoi gazetën “Dielli” të Shqiptarëve të Amerikës për afro 12 vjet. Në vitet 1930, ai ishte njëri prej konferencierëve më të shquar të Vatrës. Në gazetën Dielli (9.10.1930), Konica do të shprehej për këtë Skraparas: “Gëzohem kur marr Diellin se në çdo numër shoh që ju i mbani përpara syve të mendjes fjalët që shkëmbyem, dhe përdorni një shqipe e cila ka kthjelltësinë, ngjyrën, tingëllimën e gjuhës së gjallë të gjyshërve tanë”.
Shkriu gjithë jetën në dobi të çështjesh shqiptare. Për nga stili është një ndër penat më të fuqishme jo vetëm të Skraparit, por edhe të vendit. Këtu kemi parasysh cilësinë dhe jo sasinë.
Refat Gurrazezi vdiq në 14 gusht 1979 në një shtëpi përkujdesjeje pa asnjë shqiptar pranë. Antonio Athanasi shtroi një drekë në kujtim të tij.
Fjalimin e përmortshëm, i cili u botua në një nekrologji, e mbajti Kryetari i Vatrës së asaj kohe dr. Andre Elia. Këtë fjalim doktor Elia e përmbyll kështu: “ … Punoi pa kursyer për Vatrën, kur me rrogë e kur pa rrogë, kur me bukë, e kur pa bukë. Fjeti në bodrum të shtypshkronjës, se s’kishte mjete për fole gjumi si të tjerët dhe s’ia duronte shpirti të pushohej botimi i gazetës Dielli. Dëshirat e tij në kohët e fundit qenë dy: të vdiste në zyrën e Vatrës dhe të varrosej pranë Faik Konicës. Për fat të zi, asnjë nga ne nuk kemi në dorë të zgjedhim vendim për të dhënë shpirt. Pranë Konicës nuk kishte vend. Po trupi i Refatit u mbulua fare afër dëshirës së tij, në mes shumë patriotëve në Forest Hills Cemetery, në Boston, Mas…”
Moisi Zaloshnja: Krenari e Skraparit. Shkrimtar i madh dhe mbledhës i shkëlqyer i folklorit të anëve tona. Njohës i thellë dhe i hollë i traditave dhe zakoneve të Skraparit.
Agim Cerga: Romancier i njohur në Skrapar dhe jashtë tij.
Hekuran dhe Visar Zhiti:
Atë e bir. Njerëz të penës. Zhiti Plak shquhet edhe si komediograf. Zhiti i Ri i ka kaluar përmasat lokale dhe vepra e tij ka nisur të kumbojë dhe zëzëllojë edhe në gjuhë të tjera europiane. Kushdo që dëshiron të bëjë një antologji të poezisë shqipe në gjuhë të huaj, shqiptar apo i huaj qoftë, nuk ka mundësi të anashkalojë poetin skraparas Zhiti.
Xhevahir Spahiu:
Poezitë e tij mësohen dhe studiohen që nga fillorja deri në Universitet. Shumë studentë mbrojnë tema masteri me veprën e tij. Xhevahir Spahiu: Maltomorri i fjalës shqipe, Dielltomorri i fjalës shqipe, Ustai i fjalës shqipe. Xhevahir Spahiu: Gladiatori i Fjalës Shqipe.
Arian Leka:
Një ndër penat bashkëkohore që i bën nder Skraparit. Lëvrues i zhdërvjellët i prozës dhe poezisë shqipe. Është latues që di të gdhendë me kujdes thekat e palatuar dhe të vështirë të fjalës shqipe. Organizator dhe drejtor i aftë i poetikës shqipe.
Bahri Myftari:
Edhe z. Myftari është mjeshtër i përdorimit të fjalës shqipe. Lëvrues gjithë talent i prozës sidomos i asaj të shkurtër. Është fshikullues i drejtpërdrejtë i padrejtësive njerëzore në temat që trajton. Vepra e tij bashkëkohore meriton të studiohet nëpër tekstet shkollore.
Me shkrimtarët e sipërpërmendur, mund të bëhen monografi nisur nga veprimtaria e tyre e dendur letrare.
Krahas tyre, një vend të veçantë si lëvrues të penës në Skrapar zënë edhe publicistë të njohur si Naim Zoto, Mustafa Nano, Enver Caka, Luman Caka, Ylli Molla, Zylyftar Hoxha, Zylyftar Bregu, mbledhësi i folklorit dhe përpiluesi i fjalorit me emra njerëzish (një vepër madhore – kjo, me përmasa akademike) Vladimir Zoto, mbledhës të folklorit, të këngëve popullore Neim Mustafaraj, Mehmet Dume, mbledhës të fjalës së Skraparit Hajredin XHaferri, studiues (shumë prej tyre me grada shkencore e tituj akademikë) si Dr. Ajli Alushani, doktorë shkencash dhe profesorë që u japin dije studentëve nga e gjithë Shqipëria si Hysen Binjaku, Adem Jakllari, Seit Shallari, Kujtim Kapllani, Idriz Metani, Bashkim Saliasi, Ajet Ylli, Mirjam Ylli, Engjëllushe Braçellari, Ilmi Qazimi, Nuri Çuni, Xhevahir Cirungu, e shumë e shumë të tjerë.

Cikel me Poezi nga Ndoc Selimi


Ndoc Selimi

HESHTJA E KTHIMIT
Copat e zanit kthimit
u mbyten si bubullime e larget dimni
n’lugine.
Drita e zjarmit
ne shtepine e vjeter tim at
nuk i njeh ma trupat perreth
e u shkim nder stine.
Nanmadhja zbret perseri neser n’liman
me shamine e zeze ne koke
e flet me barka te rreme;
- Ulikse qe nuk sosen kurre ne Itake.
NJE DRITE
Prushi i tokes
shkendijat i mbuloi nje nga nje
per te ruajtur ndezur zjarrin e neserm.
Une akoma fluturoj
duke shkelur meridiane e paralele
nen kesulen e qiellit yjezuar.
Nana ime pret;
driten e oborrit asnjihere naten
nuk e shuan:
- Le te ndriçoje qiellin – thote ajo
- qe djali rrugen mos ta humbe.
ASHT’ KOHA E ARDHJES
Shiu hyri perseri
midis koloreve te qiellit
e une shoh si shuhen oret e andrrave
me shikimin somnabul neper rruge.
Ne dheun tim
lulet kan pamjen e diellit
e ti je atje – shtepi e vetmuar ne lendine.
Te lutem eja, te pakten sonte,
te zhdavarisim bashke pjesen e territ zi,
se s’ mund te eci vetem neper toke te huaj
pa nje rreze ne syte e mi.
URIMI I GJETHES
Tik – taket e zemrave
tunden trungun e pemes ne pyll
e dy gjethe vjeshte fluturuan
ne forme zik – zake neper ajer
e pushuan mbi preherat tone.
Ne mirebesim
feshferitja e frymes se fundit te fleteve te verdha
na fali nje urim:
- Mos u plakte njeriu
pa provuar butesine e dushkut thate
nen peme
kapur per trup e shpine.
ZOGU I PERBUZUR
Ne dritaren e xhamte
troket trishtueshem nje zog gushkuq
si shpirt i tretur ne purgator.
Prej pemve shkeputen deget me dushk
nen hanen e mbramjes kafshuar.
Iku dhe kjo vjeshte
me kunora te thata mbi shtat,
si vite te humbura ne kurbet.
Qielli i nxire
hedh poshte kristalet gri te akullit
e zogu i gjore i nates
vizatohet ne sfondin e dimrave
si nje perbuzje e shekullit.
KOPSHTI I DIMRIT
Bora zbriti prej maleve
e mbuloi talle e kashte.
Gishtat m’u mardhen gjithe naten
ne kerkim te shalqinjve binjake
ne gjirin e peshes bardhe.
Lypes i ngutur u bana padashur
e trokita parakohe ne kopeshtin e dimrit
dhe shporten mbusha me akull.

Cikël me vjersha nga Janaq Pani





MALET E VETËTIMËS
Male Vetëtime kreshtamprehtë
Nga shpata gdhendur e jatagani
Limer shqiponjash për foletë
Dhe trimash me zemër luani.
O male Vetëtime kreshtëlarta
Me supet që s’i ulët asnjëherë
Stërrall për retë rrufezjarrta
Dhe shtiza flamuri në erë.
Iu kam plazmuar në retinë
Ngado që shkoj, mbi male e dete
Iu kam balsam për krenarinë
Si hajmali iu mbaj me vete.
GOZHDËT
Gozhdë në treg nuk ka mbetë
Xhama e korniza gjithfarë
I blenë me ngut ca poetë
Nëpër mure për të varë
Turli çmimesh që patën marrë.
5 CENT
Përtheva mesin, përkula gjurin
Një pesë cent në xhep ta shtie,
Ky akt s’e tjetërsoka burrin
Dhe vlera shumë nuk i bie.
Dhe 5 cent kanë aq vlerë
Apo në qoftë një cent i vetëm,
Kët’ fat s’e patën dhe të tjerë
Te këmbët tona ne e gjetëm.
Centët e gjetur i le mënjanë
Në muaj sa bëhen t’i shoh,
Të gjithë bashkë vlerën e kanë
As sa një kafe që të ngroh.
ERDHI ÇASTI
Erdhi çasti, s’kam pretendime
U gëzohem ç’kam arritur,
E jetova jetën time
Disa shkallë duke ngjitur.
Për më tej s’iu kam zili
Lart n’u ngjitën shumë të tjerë
Për ç’arrita me dashuri
Më i lumturi jam ndjerë.
Po më bren veç një dëshirë
Ç’ka le pas nga geni i im
Në se bëhen më të mirë
Do kap ëndrrën në fluturim.
TË MBIJETOSH
Të besës miqtë të paktë i kam
Se jeta doli nga shtrati i vjetër
E ec tani në hulli tjetër,
Të mbijetosh do jesh luan
Ose së paku të shndrohesh dhelpër.
KUSH E BËN LIGJIN
Në pyll gjithë kafshët
Nga janë e nga s’janë
Si mbret përmbi krye
Njohin veç luanë
Po mbreti, si mbret
Vetë e bën ligjin
Si ia thotë mendja
Ta bën edhe gjyqin
Të tjerët te kryet
Të vendosin kryqin.
NË DARDANI
Jo, jo unë në Dardani
Nuk kam qenë ndonjëherë,
Malli që më djeg në gji
Ndonjë ditë do më shpjerë.
Brenda në Prizren të Besës
Ku ndjek hapa trimërie
Bëhesh gati dhe të vdesësh
Si një trimi që i ka hije.
Te kull’ e Jasharëve djegur
Më flet zemra:”Pa qëndro!
Në qofsh edhe zemërlepur
Shndërrohesh këtu hero.
Dardani – kështjellë qëndrese
Supet lart – bedenë rinuar,
T’u tha loti – pikëz vese
Njëqind vjet e dëshëruar.
ERA E MORAVËS
për M.
Erë e Moravës sa lehtë fryu
E puthi flakën e një qiriu
E desh të terë një lot te syri
E desh të zbutë dhimbjen te gjiri
E desh mermerin për ta flladitur
Të sjellë më afër vitet e fikur
Dy emra në një vend skalitur,
Kët’ zverdhje gushti duke ikur
Si medalion i verdhë hëne
Plazmuar në kujtesën tënde…
NË PLAYA CALETA – KUBË
Në Playa Caleta dorë miku
Nga toka kubane na u zgjat,
E zemra dallgë Atllantiku
I ngriti për miqtë e pafat.
Zoti Kubën e mban me hatër
Me gjelbërimin gjithëvjetor,
Veç jeta lind e ngrys e varfër
Zemërduruar, shpirt paqësor.
Një buzëqeshje të valë tropiku
Dhe një “Ola!” shqiptuar ëmbël
E dalë nga një zemër miku
më shfaqen shpesh tani në ëndërr.

KËNDIMI PROMETHEIK (Havzi Nela 1934-1988)



Prend Buzhala
(Havzi Nela: “Pa nji ditë lumnie”, poezi të zgjedhura, botim i dytë i plotësuar, Klubi letrar “Anton Pashku, Kukës 2000)


Përmbledhja e zgjedhur e poezive “Pa nji ditë lumnie” hyn në kuadrin e librave të burgut, apo të një Letërsie Tjetër, të ndryshme nga ajo e apologjetëve të letërsisë e të mësimit të dhunshëm zyrtar. Tragjiku Havzi Nela (1934-1988), me jetën e tij po e përmbyllte ciklin e një gjysmëshekulli dhune të shtetit totalitar edhe mbi krijimtarinë letrare: mbas Luftës së Dytë Botërore, nga letërsia shqipe po largoheshin shkrimtarët e pjesës së parë të shekullit XX, si Lazër Shantoja, Ndre Zadeja, Bernardin Palaj, Anton Harapi e Gjon Shllaku, të cilët ekzekutohen barbarisht; ndërsa nga kjo lagje shkrimtarësh, po vdiste në burg nga torturat si Vinçenc Prennushi, ose si i ndodhi Ndoc Nikajt, romansierit të parë shqiptar, apo “Balzakut shqiptar”; ekzekutohen arbëreshi Terenc Toçi, bektashiu Ali Tomorri, botuesi Nebil Çika; burgosen Etëhem Haxhiademi (vdes në burg), Ibrahim Dalliu, Mirash Ivanaj, Arshi Pipa, Sejfulla Malëshova, Petro Marko, Mitrush Kuteli, Andrea Varfi, Nexhat Hakiu, Mustafa Greblleshi, Lazër Radi… Lista do të shkonte e shkonte shumë gjatë, që e kalon shifrën prej 140 krijuesish letrarë. Mirëpo, letërsisë shqipe do t’i japin fizionomi edhe autorë tjerë të përndjekur e të burgosur, si Kasëm Trebeshina, Pjetër Arbnori, Daut Gumeni, Visar Zhiti, Bilal Xhaferri, Genc Leka, Trifon Xhaxhika… Të shumtën e rasteve, disidentët shqiptarë mbrenda kufijve politikë të Atdheut amë, ishin kryengritës individualë. Përgjithësisht, lëvizja disidentore në vendet ish komunsite, solli Deklaratën e Helsinkit mbi të drejtat e njeriut. Këtë frymë shprese e zgjimi për liri, për drejtësi e shembje totalitarizmash, e ndien edhe Havzi Nela, tek reagoi që në atë kohë me poezinë “Fryma e Heksinkit”, të cilën ia kushton kësaj Deklarate. Kurse në Kosovën e martirizuar, për aq e aq dekada rresht, po ndodhnin tri burgosjet politike të shkrimtarit Adem Demaçi. Ai i vuajti 28 vite nëpër kazamatet e ish Jugosllavisë. Regjimi pushtues serbomadh, me mënjanimin e Demaçit, Ramadan Rexhepit e të plejadës së të rinjve krijues gjatë viteve ‘50, dëshironte me çdo kusht ta pengonte zhvillimin e një letërsie shqiptare në Kosovë. Mandej, na vijnë emrat tjerë të shembujve të mëdhenj të rezistencës kundër të gjithë absolutizmave: Fazli Greiçevci i vdekur nën torurat në burgjet serbe, në mërgim vritet krijuesi atdhetar, Jusuf Gërvalla, burgje vuanin Xajë Nura, Kosovë Rexha – Bala, Beqir Musliu…e deri te emrat e krijuesve Latif Berisha, Ymer Elshani, Selman Konjuha etj, të pushkatuar në luftën e fundit çlirimtare nga soldateska serbe. E në kohën kur Havzi Nela po ekzektutohej me varje në litar, më 1988, ishin mijëra e mijëra shqiptarë të burgosur (ndër ta dhjetra krijues letrarë) që po vuanin nëpër kazamatet serbe për një Kosovë të lirë, demokratike e të pavarur. Kjo rezistencë politike paqësore, çoi në luftën e fundit çlirimtare.


Tri gjakimet e poetit


Përpara i kemi njëzeteshtatë poezi. Janë njëzeteshtatë universe poetike të dhimbjes e të gjakimeve të poetit. Në poezinë e parë, «Fjala e poetit», lexojmë gjakimin e parë të Havzi Nelës: ”Jepi krah vargut”. Në poezinë ”Në çelitë e burgut” lexojmë gjakimin e dytë të poetit: ”Po e pres lirinë, si zogu pranverën”, kurse në poezinë ”Kur të vdes” lexohet gjakimi i tretë i poetit: ”Thoni: Ai e deshti jetën”. Ja tri gjakimet e mëdha të Havzi Nelës: Poezia, Liria, Jeta. Gjakohet ajo që mungon a që nuk të lënë ta realizosh. Këto janë tri kikat e larta që e realizojnë kategorinë estetike të së madhërishmes në këtë poezi. Po hapësirat në mes këtyre tri kikave, me çka ”plotësohen”, si ndërlidhen? Duke e theksuar aspektin fenomenologjik të leximit të veprës letrare, Roman Ingarden thotë se ekzistenca është tri farësh: reale, ideale dhe fenomenale. Bota e fenomeneve formohet në vetëdijen tonë, në të cilën hyn edhe vepra letrare me katër shtresat e saj (me shtresën e tingullit, shtresën e kuptimit, shtresën e objekteve të paraqitura apo të përfytyrimit të gjërave që i përshkruan teksti dhe me shtresën e aspekteve të skematizuara, që përbën përshkrimin e botës apo të realitetit). Në shtresën e katërt ndodh procesi i aktualizimit – ku “vendet e papërcaktuara semantike”, zbraztitë, i mbulojmë me konstrukcionet a me imagjinatën personale. Me aktin e konkretizimit: vepra letrare e bën jetën e vet, mbasi të lexohet. Kurse akti i leximit karakterizohet si një lloj kaleidoskopi perspektivash e retrospekcionesh/ komemoracionesh, para/ intencash, shoqërime idesh…Secila fjalë dhe secila fjali ngërthen imazhet e përjetimet e asaj që pritet, që vjen mbas; dhe kështu bëhet një lloj “vizure” për atë që tashmë është lexuar (botën e realizuar përmes kësaj vizure letrare Ingarden e quan intentionale Satzkorrelate, korelatë intencionale e fjalisë). Në mes këtyre ”korelatash” qëndron ”teksti-i-pashkruar”, aspektet e pathëna, zbrastitë, të cilat krijojnë përmasat virtuale e që mbushen a plotësohen në mënyra të ndryshme, nga aktet e leximit a nga aktet e konkretizimit. Prandaj, thuhet: sa lexime, aq lexues.
E bëmë këtë hyrje paksa më të shtruar historiko-letrare e teoriko-letrare, për ta lexuar, së bashku, librin e poezive të zgjedhura të poetit Havzi Nela.


Poetika e etikës jetësore sokratiane


“Pa nji ditë lumnie” klith që në titull vargu i Nelës. E kjo do të thotë që poezia është këngë e dramës së jashtëzakonshme jetësore; është këngë e një vuajtjeje të pandërprerë, është vajtim elegjiak, ankim e gjëmim. Është martiriumi i tij jetësor që ka zgjatë aq e aq dekada, deri te çasti kur e ekzektuan me varje në litar. Secili lexues, në një mënyrë ose tjetër, ka kaluar nëpër përvojat e vuajtjes a të dhimbjes. Kur e lexojmë këtë këngë të vuajtjes së thellë jetësore, atëherë sikur Njeriu nuk gjen ngushëllim, posi Jobi biblik: përse vuajnë të drejtët, të ndershmit? Këtë vuajtje s’e pranon si të drejtë as Folësi autoideografk i Nelës. Posi Jobi: vuajtja bëhet absurde! Sa e rëndë është ta durosh heshtjen e Hyjit, pikërisht në çastet kur ndihma e tij na duhet më së shumti! Porse kjo filozofi e vuajtjes nuk është edhe filozofi e urrejtjes. I vuajturi e ka ndërgjegjen e tij: më në fund, e di përse ndodh, kështu; e di përse heq keq si gjarpni nën gur:


Ma mirë bota le të thonë:
“Vdiq i mjeri, shkoi me nder!”
Se i rrëzuem përgjithmonë
Me më shkelë nji derr beterr!


Ai e di se ku çon prometheizmi i tij i ndërgjegjshëm. Përballë inkvizicionit të pashembëllt kundër librit shqip, përballë përndjekjes së shkrimtarëve, mohimeve, ndalesave e cenzurimeve të pashembëllta në të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar; në horizontin letrar shquhet prometheizmi i aktit jetësor të Havzi Nelës dhe drama prometheike e krijimit (e jo e shkrimit) të poezisë! Një sfidë çmaskuese edhe ndaj atyre krijuesve që deklarojnë se i kanë shkruar kaq e kaq libra nëpër burgje, apo jo! Pra, poeti, si në kohët iluministe, ende gjendet në frontin e ndërgjegjes mesianiste. Krijuesi ende gjendet në detyra të shumta dhe të rënda. Është ky prometheizëm që e përshkon fund e krye librin “Pa nji ditë lumnie”, i përgatitur, me kujdesin e vëllamërisë letrare, nga krijuesi e studiuesi Petrit Palushi. Krahas vetëdijes së poetit, se, në radhë të parë është kujdesi për të bërë poezi artistikisht të arrië; e shquan edhe një vetëdije tjetër: poezia merr rolin e rezistencës e të prometheizmit jetësor. Në traditën kulturore e letrare botërore Prometheu bëhet simbol që ua dhuron njerëzve zjarrin dhe ua mundëson zhvillimin kulturor. Ky simbol i stërlashtë shenjon gjakimin e pashuar shpirtëror të njerëzimit për sendërtimin e idealeve drejt caqeve dhe majave të larta; shenjon, poashtu, edhe qëndresën e durimin burrëror të vuajtjeve e të mundimeve; është njeriu apo populli që i mbijeton të gjitha pengesat apo që i kapërcen dhe i përballon të gjitha vështirësitë. Ai në fund del fitimtar me betejat kundër diktaturave, kundër dhunës së gjithëfarësojshme, kundër padrejtësisë e tiranëve-perëndi të Olimpit të të gjitha kohëve.
Dhe këtë përkushtim e etikë sokratiane ai e paguan me kokë. E parandien një kohë tjetër që nga birucat e errëta të burgut të Burrelit në shkurt tëe vitit 1977, kur po i thurte “në mendje” poezitë e tij. Nga ana tjetër, krejt befas, posi dora mrekullitare e personazhit biblik, edhe Folësi lirik i Nelës, mbas aq mundimesh tantaliane; mu në zemrën e vajtimit elegjiak që ta këput shpirtin, gjen forcë dhe të keqen e shndërron në të mirë, gverrin në paqe, armiqësinë në miqësi, klithjen gjëmimtare e shndërron në lutje, kurse vuajtjen në akt dashurie njerëzore:


Erdh koha, shqiptarë, ta shuejmë, zjarrin, flakën,
Në vend t’u drejtojmë pushkën, le t’ u shtrijmë shuplakën
N’ vend t’i zamë dritaren, le t’hapim dhe derën
T’ hyjmë te njeni-tjetri, ta mbyllim poteren.
(poezia “Eni të vajtojmë Shqipninë”)


Shtrirjen e dorës së pajtimit ai e çon edhe më tutje; tek shërimi i plagëve me fqinjtë armiqësorë. Paqen e miqësinë ai dëshiron t’i shohë kudo, në Evropë e në gjithë botën. Nëse poeti, i këndon kalvaret e tij jetësore “pa nji ditë lumnie”; nëse rrëfen kaq sinqerisht për rrugën e tij të rëndë jetësore; atëherë edhe ne biem nën pushtetin e poetikës e të etikës së tij jetësore sokratiane: ai reflekton urtësi nga ky rrugëtim i rëndë jetësor: me shpresën e pajtimit për t’iu dhënë fund “poteres”. Duke u përplasur e duke u kacafytur me shpirtin copa-copa, ai këndon me shpresën naive të idealistit.


Filozofia e vuajtjes, Pathema


Këto janë vargjet pajtimtare që e përmbyllin librin e poezive, me një si credo universale, që mund ta shqiptojë vetëm shpirti aq i përvuajtur e aq i madh i Havzi Nelës. Ai nuk e priti as lirinë, as shembjen e diktaturës, as “pajtimin” mbrenda bashkëkombasve të tij; kurse sot mund të dalin letërnxirës, demokratësh agresivë ish komunistë, që flasin në emër të poetit Nela dhe që e përcjellin antimesazhin e përçarjes e jo porosinë e pajtimit që e gjakonte, në shestimet e tij idealiste, poeti i varur në litar! E këta të fundit e përcjellin frymën sunduese të afarizmit, si fuqi sunduese satanike, e cila e vret të bukurën, artin, të madhërishmen dhe cila i ngushton hapësirat e lirisë. Kurse bota e heroit lirik të Nelës, si në filozofinë ekzistencialiste, është burim i vuajtjes vetanake. Havzi Nela e pranon sfidën e një jete të tillë, të cilën do ta kenë vështirë për ta kuptuar a ndjerë të tjerët, “njerëzit e lirë” të botës agresive afariste, të qefeve e të bisedave të ngeshme nëpër kafene.
Thuhet që Njeriu vuan edhe kur lind, po edhe kur vdes. E Nela e pati Vuajtjen shok e hije jete. Vuajtja këndohet si një refren i gjatë i fateve tragjike. Posi në Librin e Shenjtë, vuajtja heq velin e absurdit dhe e mvesh atë të misterit. Vetëm ai që e ka përvojën aq të rëndë në shoqëri me Vuajtjen, vetëm ai di të merret vesh me të, ta kuptojë thellësisht, të këndojë së bashku me të; sepse vetëm nëpërmes vuajtjes lind dashuria e vërtetë; ashtu siç e pati Havzi Nela dashurinë për Lirinë, për Jetën dhe për Poezinë. Sikur vetëm nëpermes Vuajtjes do të gjendet Rruga e Vërtetë! Nëpërmes flijimeve jetësore të pafund! Mospajitmet e Nelës me diktaturën, mu pse dyshonte në rendin e gjërave të sistemit të paprekshëm autoritar, për ta parë të vërtetën në sy; e çuan atë në katër gjykime politike me rreth njëzet vjet vuajtje dënimesh nëpër burgje, tri herë i burgosur që nga viti 1967, e, së fundi, arrestimi më 22 qershor 1988 e ekzektimi në litar më 10 gusht 1988. Ai, në ballafaqim me realitetin e diktaturës, mediton e vepron krejt racionalisht. Posi Edipi dhe Hamleti, ai detyrohet të shikojë më thellë, tek i zbulon të vërtetat e tmerrshme e tragjike, me mekanizmat e errët të shtypjes; dhe, së këndejmi, me reagimet e tij racionale, ai e “rrezikon” sistemin totalitar. Vuajtjet janë mbinjerëzore. Hamleti përplaset në dilemat e tij: “të rrosh atë mos rrosh, kjo është çështja”; pra, të heshtësh, të bëhesh oportunist e qyqar, apo ta godasësh dhunën e krimin? Nela vendos për prometheizmin.
Katarza aristoteliane e vuajtjes, pathematon katharsis, shenjon edhe fatin tragjik, fatkeqësinë, përvojën e rëndë apo të mirë; shenjon ndryshimin në gjëra, e shenjon vetë esencën e gjërave për të cilat është i vetëdijshëm krijuesi martir:


Thoni:”Ai e deshi jetën,
Jeta n’vuejtje e dërmoi”,
Thoni se ka mbrojtë të drejtën,
Grusht tiranësh nuk duroi.


Pathema lexohet si ngjarje që i ndodh dikujt (si vuajtje a fatkeqësi), po edhe si ndjeshmëri afektive. Te Herodoti haset shprehja Ta de moi pathemata mathemata gegone (“Vuajtjet e mia ishin mësime për mua”, ose shqip: kush pëson mëson). E kundërt me pathema-n, është mathemata: leksioni shkencor, dituror. Rolin e mathemata-s mbi Kultin e frymëzimit, këtu, te poezia e Havzi Nelës, e marrin shënimet në fund të disa poezive: “Të gjitha këto që shënova deri këtu, me vjet të tana kanë qëndrue në tru dhe duke i përsëritë me vetveten …kam mujtë me i ruejtë në kujtesë. Gati gjysma janë krijue me mend pa përdorë laps dhe janë rimue me anë të gishtave”! Mbas një lirike të tillë të gjëmimeve të mbrendshme e vuajtjeve prometheike, vijnë lirikat e vargjet që vihen në lëvizje, në një proces të çlirimit, që hyjnë në enterierin e kohës; që shoqërohen me shënimet për Kultin e Frymëzimit në Mendje, Pa Fletore e Pa Laps. Poezia bëhet Shënim, bëhet Dokument e Dëshmi, bëhet histori filigranore. Bëhet Poetikë gjaku. Te tragjedia “Agamemnoni” Eskili thotë se nga vuajtja nxirren mësimet (pathei mathos), pra vuajtja të çon tek përsiatja, meditimi. Katharsis përdorej në kuptimin “spastrim nga faji”; në këtë rast, spastrimi moral vjen në kontekstin kohor të ndryshuar, të përmbysur: është shpërblyer me ndërrime e përmbysje të diktaturës vuajtja e të martirizuarve; pra, shprehet në nivelin e “distancën estetike”, nga njëra anë, po edhe të empathia-s, identifikimit, nga ana tjetër.


Përmasa eternale e krijimit poetik


Ashtu sikundër e cilëson jetën e tij ky prometheizëm idealist, veprues e individualist, mosnënshtrues ndaj shtetit absolut; ashtu edhe arti i tij letrar e ndan fatin e kësaj fryme prometheane, është lartësim estetik i mesazheve të tij ndriçuese mbi errësirën, mbi heshtjet e mbi harresat e së kaluarës që i impononte shteti autoritar. Ai po qëndronte i lidhur në pranga në shkëmbinjtë e burgjeve të autoritarizmit shtetëror, për të vuajtur përjetësisht, posi Prometheu:


Pse të’më dhimbset jeta, pse u dashka kursye?
Veç me përtypë bukën, me rropatë si kalë?
Pa nji fjalë ngushëllimi, pa nji ditë lumnie,
Unë skllav i bindun, tash, kur s’jam as djalë.
(…)Liria më thërret, vdekja nuk më tund.


Përfytyrojeni krijuesin e djeshëm a të sotëm me të gjitha privilegjet e tij: me zyrat e studiot luksoze të punës, me veprat e botuara varg e vistër nga shtëpitë botuese të shtetit, nga honoraret e majme që merr; t’i përfytyroni për një çast ecejaket e këtij krijuesi nëpër sallat kombëtare a mondane, me udhëtimet me aeroplanë, me automobilë të kushtueshëm, me intervistat nëpër të gjitha mediat, me pritjet diplomatike që ia bëjnë shtetas të lartë, me darkat solemne, madje edhe me luksin për të qenë i zgjedhur në postet e larta shtetërore. Për një çast mund ta thurni një imazh tjetër: poetin Nela, që po vuante burgje në Burrel, Elbasan, Vlorë, Spaç, Ballsh, Qafë Bari; në këto momente përndritjeje, thurja e vargjeve do të vinte si një shteg shpëtimi, si ringjallje e energjive të shpirtit, si një triumf mbi torturat dhe mbi mundimet tantaliane. Në çastet e tilla të përndritjeve insiprative, ëndërrimtare e vegimtare, ai ka mundësi të ritakohet me vevteten, me lirinë. Ishte një kërkesë e ethshme e Nelës, gjatë atyre dekadave të vuajtjeve, internimeve, burgimeve e deri te çasti i varjes në litar: të ketë vetëm një thërrimë dëshmie, poezinë. Së paku, nëse të mungon lapsi a fletorja, shënoje atë në mbamendje, rimoje me gishta! E po qe se nuk shënohen a nuk shenjohen ato universe poetike e jetësore, ai tekst-i-pathënë i cfilitjeve të pafund prometheike, atëherë çka mbetet? Me të gjitha anatemimet, mallkimet a vuajtjet tantaliane do të pajtohej poeti Nelaj: të mos e shohë dritën më, t’i mbyllë sytë përgjithnjë, ta hanë krimbat kufomën e tij, të bahet gur e dhé, plis, lëndinë a fushë, të bëhet bar për kullosë bagëtish; pranon të mos e njohë askush (poezia “Ma mirë le t’i mbylli sytë”); veçse nuk do të pranojë të mbetet pa tri gjakimet e tij: pa poezinë, pa jetën me nder e pa lirinë. E pra, pa shpirtësinë. E thanë poetistët e moçëm që nga Aristoteli e këndej: poezinë e kanë lindur, ndër të tjera, pezmi e vuajtja:


Kjo natë sa e gjatë, e gjatë, s’pati fund
Errësinë e thellë, poet, errësinë, lëngim gjithkund.
E qielli mbush me re, vetinë e bubullinë
Thellë deri në palcë të gjithë ndjejmë stuhinë!


Të shkruash, do të thotë të vuajsh. Shkrimi është dhembje, është ankim e vuajtje e pafund. Poeti ngjizet në fjalët e magjishme të gjuhës, ngjizet, sidomos, në hapësirat e një kujtese të pafund e të paanë. Janë çastet e paparashikuara të historisë, të kohës, të fatit; apo të fatit që e paracakton vetë Krijuesi i kësaj poezie, Folësi i saj lirik, Subjekti i saj, me Fatumin aq tragjik; çaste që e zgjojnë ndjeshmërinë e tij të ekzistimit, ndjeshmërinë se është gjallë. Është mbijetimi i vuajtjes dhe i besimit të thellë në Fjalën e Poetit, e cila vjen depërtueshëm nga dikah, për të na shpërndarë, ashtu si shpërndahet drita, për të na vënë në lëvizje, për të na forcuar në shpresën. E pra, shpëtimin ai e gjen ose te poezia, ose te shpresa, ose te vetëflijimi i ndërgjegjshëm, për të mos u thyer kurrë; këtë shpëtim nuk e kërkon tek dëshpërimi, apo tek nihilizmi, apo tek Qenia Supreme! E paimagjinueshme, por e vërtetë!
E prandaj, herave tjera, ngado që të sillet, ai sheh vetëm peizazhin e çiltër; e kur i kthen sytë kah shoqëria, aty sheh vetëm rënie, degjenerim, errësirë, mjerim, shkatërrim, sheh humnerën jetësore. Rrallë e rrallë, buzëqeshja e përjetimi i gëzueshëm, i vijnë vetëm kur këndon për të dashurën e tij apo për peizazhin pranveror, tek e gjakon aq me afsh ndërrimin, ndryshimin, ringjalljen. Linjat e vuajtjes shpërbëhen para Fjalës së tillë poetike, ligjërimi poetik e zëvendëson heshtjen, kurse përvoja e tillë ligjërimore e mënjanon harresën, e zbret nga froni ekzistencial memecllëkun. E kjo ndodh mu në aso çastesh, kur Folësi lirik gjendet në zgripcin e ekzistencës, në atë kufirin në mes jetës e vdekjes, që e ndan një fije aq e hollë, e padukshme. Poeti nuk ndien që nuk ndien nevojë të futet labirintheve të abstraksionit ligjërimor a hermetik; ai e udhëheq vallen e tij, me vallëtarë të panumërt, në dance macabre-n e tij lirike e në procesionin e tij gjëmimtar poetik. Atë që e thotë, e krijon (e mediton) shkoqur e troç. Pa stoli e pa ngarendje mbas poetikash të ngeshme strukturash të ndërliçshme tekstore e semantike. Ai e kishte para vetes Një Tjetër Kohë Krijimi; më të ndërlikuar se kjo e studiove të poetikave moderne. Është një kohë krijimi i mbamendjeve homerike (e si shkroi Homeri i verbër)? Si në frymën e krijimit folklorik të trevave rapsodike shqiptare, aty ku ka lindë e është rritë Havziu.
Porse ai e realizon dhe e endëzon një sinkroni të habitshme të krijimit poetik: elegjitë bashkëkohore sinkronizohen me trajtat klasike. Poeti zbret në hapësirat e padukshme të alkimisë së identifikimit me modelet klasike të versifikimit, rimës e të ritmit klasik, tek na i përkujton vajtimet e gjëmët klasike. Është klasicitet i shprehjes lirike; klasicitet që nuk i lë të zvetënohen asnjëherë vlerat e parme të artit.

 
(Shkrimi është botuar në gazetën  prishtinase “Kosova sot” -2004, si dhe në librin Prend Buzhala: “Muza e zemrës”, Prishtinë 2006, fq. 34-45)

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...