Agjencioni floripress.blogspot.com

2012/03/06

Mira Meksi: Romani im mes ndeshjes me dema dhe ikonave


Një libër plot pasion, ku dominon ngjyra e kuqe. Ku korrida, ndeshja me dema, gërshetohet me misterin e ikonës. Mira Meksi të fut në një botë dehëse në romanin “E kuqja e demave”, botim i “Ideart”, i cili rezultoi të ishte një ndër më të shiturit në Panairin e Librit “Tirana 2009”. Në një intervistë, shkrimtarja tregon se si lindi romani i saj më i ri, çfarë e shtyu të shkruante këtë vepër plot mistere e kërkime, një dyluftim deri në fund mes jetës dhe vdekjes.
Mira Meksi

Mira Meksi

Një libër plot pasion, ku dominon ngjyra e kuqe. Ku korrida, ndeshja me dema, gërshetohet me misterin e ikonës. Mira Meksi të fut në një botë dehëse në romanin “E kuqja e demave”, botim i “Ideart”, i cili rezultoi të ishte një ndër më të shiturit në Panairin e Librit “Tirana 2009”. Në  një intervistë, shkrimtarja tregon se si lindi romani i saj më i ri, çfarë e shtyu të shkruante këtë vepër plot mistere e kërkime, një dyluftim deri në fund mes jetës dhe vdekjes.

Si është ngjizur “E kuqja e demave”?   

Pyetje e vështirë kjo, sepse kur flitet për ngjizje të një vepre që ka marrë mbi 3 vjet e ca kohë, duket sikur shpëtojnë elementët që kanë qenë fillesa ose guri i themelit të saj, sepse siç e kam thënë edhe në hapësira të tjera, gjithmonë ka një element fillestar, gjithmonë ka një gur themeli në një grehinë letrare. Gjithsesi do mundohem të them diçka sepse ka gjëra që i shpëtojnë logjikës normale të gjërave. Kur kthehesh pas me mendje dhe thua “Si nisi në fakt?”, i bie në të që ka filluar shumë kohë më përpara se të ulesh në poçarinë e shkrimit, në laboratorin krijues dhe të hedhësh frazën e parë. Kam dëgjuar edhe nga krijues të tjerë, por nga praktika ime, gjëja më e vështirë në shkrimin e një vepre është fraza e parë, kur bëhet fjalë për një vepër të gjerë siç është romani. E pra, po e mendoj tani që ju po më pyesni për këtë, që nuk ka qenë thjesht një element i vetëm fillesa e këtij libri. Kanë qenë gati dy universe njëherit. Kur them universe, janë të tillë në kuptimin më të gjerë të fjalës, ajo e ndeshjeve me dema që lidhet gjithmonë me Spanjën e legjendave, me Spanjën mitike dhe mistike dhe që ka qenë një eksperiencë nga ato që vulosin ndonjëherë një pjesë të jetës tënde, siç ka ndodhur me mua; dhe universi tjetër ka qenë universi i ikonës. Të dyja, të themi, gati në mënyrë të barabartë, mund t"i quaj fillesat e ngjizjes së këtij libri. Pastaj, sigurisht, gjithçka futet në punishten e shkrimësisë, në poçarinë e baltës së librit, dhe pastaj fillohet punohet me to. Në rrugën për te lexuesi, ndoshta është shumë i rëndësishëm edhe titulli i librit, sepse bën trokitjen e parë në derën e tij dhe “E kuqja e demave” tingëllon shumë grishëse dhe bart një simbolikë…

Ndoshta do t"ju duket pak çudi, por titulli erdhi vetiu, ra si nga qielli, madje përpara se të fillonte shkrimi i romanit. E kuqja dihet se çfarë është si ngjyrë, është ngjyra e pasionit, ngjyra e gjakut, është ngjyra supreme, e lavdisë dhe e mëkatit njëherit, dhe ka një simbolikë jashtëzakonisht të fuqishme. Për mendimin tim është ngjyra më e fuqishme që ekziston dhe dihet sa të rëndësishme janë ngjyrat në art, sa të rëndësishme janë në jetën e njeriut. E vërteta është që gjatë qëndrimit tim në Spanjë, arrita të mësohem, ta dua dhe pothuaj të kthehem në një “aficionada” e korridës, ndeshjes me dema. Korrida është sheshi i dyluftimit ku njeriu dhe kafsha janë dy luftëtarë të barabartë: janë përballë njëri-tjetrit në shenjtërinë e tyre: në arenë nuk ka tradhti, nuk ka hile, nuk ka goditje pas shpine; gjithçka ndodh në shesh të mejdanit. Ndonëse kafsha është më e fortë fizikisht se njeriu, njeriu mbështetet nga një skuadër e tërë që merr pjesë në betejë; çdo element që përdoret në korrida është një element që ndihmon realizimin e një spektakli të vërtetë, që i përgjigjet një kodi vërtet legjendar, një trimërie vërtet të pazakontë dhe ku është gati hyjnore të shikosh kafshën dhe njeriun përballë njëri-tjetrit që ndeshen, që respektojnë rregulla loje, që bëjnë art. Tragjizmi vetë brenda këtij spektakli është një magji e vërtetë.

E mbani mend si e keni shkruar frazën e parë? Si qe fillimi?

Pa dyshim. Është shkruar disa dhjetëra herë fraza e parë. Dhjetëra herë. Gjithmonë bëhej fjalë për një ikje nga sytë-këmbët. Një pjesë e mirë e romanit, ndoshta gjysma e tij ka një aksion të përshpejtuar, ka një kohë të përshpejtuar, e cila i përgjigjet pikërisht arratisë së shpallur në nisje. Gjithçka në strukturë, që nga koha, siç thashë, e gjer te frazat e shkurtra dhe të prera, i përshtatet kësaj ikjeje pa arsye, një vendimi të beftë, por një vendimi që vë në pikëpyetje deri jetën edhe vdekjen. Pra është në të vërtetë një vendim që mbin si frika primitive nga rropullitë e njeriut dhe që dikton largimin e menjëhershëm të rrëfimtares nga ai vend, i cili i ka dhënë aq shumë shpirtërisht. 

Bashkim nën shenjën e të kuqes së demave. Po pse kjo lloj e kuqe? Ç"është ajo për ju?

Po, bashkimi i dy universeve ndodhi nën shenjën e asaj të kuqeje, që siç thashë në fillim, lindi pa u shkruar romani … Kur e kam vrarë mendjen pse zgjodha pikërisht këtë lloj të kuqe, më feksi para syve skena që është zanafilla e saj dhe që unë e kam përshkruar në roman: lidhet me fazën e fundit të korridës, ose me ekzekutimin e demit me anë të shpatës vrastare. E pra, kur për herë të parë e pashë këtë skenë, dielli qe në të perënduar në arenë, një rreze e tij e fundit përshkënditi currilën e gjakut që shpërtheu nga qafa e demit dhe unë pashë, si asnjëherë në jetë, një të kuqe të fuqishme dhe vezulluese e të jashtëzakonshme, që ishte e kuqja e gjakut të demit. Por edhe vetë kuptimi i korridës lidhet pikërisht me metaforën e së kuqes: kulminacioni i dyluftimit është pikërisht toreimi me cohën e kuqe. Është një metaforë. Është një simbolikë. Prandaj, mbushja ime me këtë univers, bëri që të dilte vetvetishëm “e kuqja e demave”. 
Kalimi nga gjuha kabalistike e romanit tuaj paraardhës në përshkrimin e hollësishëm të korridës… ikonës, njëlloj sikur të ishit një miniaturiste. Si e zgjodhët këtë formë të shkruari?

Një vepër nuk i ngjan tjetrës për nga mënyra e shkrimit dhe strukturimit. Por keni të drejtë që flisni dhe pyesni për detajizimin e përshkrimeve që në roman shihen tek korrida vetë, takëmet e opiumit dhe më tej. Janë shumë ala ikonë si përshkrime, sepse praktikisht, pa dashur, i tërë romani “E kuqja e demave” është strukturuar si një ikonë e madhe, dhe ju e dini se vizatimet e ikonës janë tepër të hollësishme, tepër të imta. Vetë universi i ikonës ma diktoi një strukturim të tillë të gjithë lëndës së romanit; bëri që shkrimi im të merrte formën e shkrimeve të ikonografisë. Në një farë mënyrë jam kthyer në një ikonografe, por e një lloji krejt të veçantë. Ikonografe e një romani.

Si ka qenë te ju procesi i njohjes së thellë të ikonës, pasi ju në fund vërtet arrini të pikturoni ikonat dhe të jepni saktësisht domethënien e tyre?

Fillesat kanë qenë shumë vite të shkuara. Unë e kam dashur ikonën. E kam dashur si art. Kam ditur luftën e ashpër midis armiqve të ikonës dhe mbrojtësve të ikonës. Kam ditur përse ka ndodhur kjo luftë. Kam ditur edhe përse duhet ikona, përse nevojitet ikona, përse është kaq e rëndësishme ajo në jetën e njeriut. Nga ana tjetër kam njohur sidomos vendet ku punoi Onufri; kam qenë shpesh në kalanë e Beratit ku kam parë ikonat e Onufrit, kam qenë në Shelsan, kam parë muralet, afresket e Onufrit. Lënda e romanit diktoi tek unë depërtimin e vërtetë në universin e ikonës, dhe sa më shumë depërtoja në atë univers të pangjashëm, sepse është i pangjashëm me asgjë tjetër universi i ikonës, aq më shumë rritej pasioni im për të. Procesi i të shkruarit ka qenë dy planësh: shkrimi nga njëra anë, dhe studimi nga ana tjetër; nëse do të merrja një peshore për t"i peshuar, ajo që peshon më shumë është rrugëtimi, vajta pas si njërit univers, ashtu edhe tjetrit, por sidomos thellimi në universin e ikonës. Përveç leximit të klasikëve të ikonës, ishte edhe qëndrimi im me orë të tëra përpara ikonës. Kishte diçka mistike në të vërtetë, qe si një lloj rrishtimi në të.

Por ka dhe pjesë në romanin tuaj që i është përkushtuar alkimisë së shkrimtarit dhe përkthyesit dhe sidomos raportit të tij me opiumin; pastaj janë përshkrimet që i bëni takëmeve të opiumit. Ju e keni provuar opiumin?

Pa dyshim që po. Romani larg të qenit një roman i mirëfilltë autobiografik, ka shumë biografi brenda. Ka një Spanjë të përjetuar nga unë. Ka një shtëpi përkthyesi të jetuar nga unë, dhe, me thënë të vërtetën kishte një bindje të të gjithë ne përkthyesve asokohe, mbi tymërat e opiumit; nuk di, kanë kaluar 20 vjet nga ajo eksperiencë, por asokohe opiumi qe për ne nga ato elementë që nxiste shumëfaqëshat e pandërgjegjes dhe, ndoshta dhe na dukej, krijonte një lloj qartësie mendimi aq sa ishte ndonjëherë e frikshme se si kujtesa përjetohej me aq detaje. Në fund të fundit i tërë romani është një përjetim, është një kujtesë e rishkruar, e rithënë, e ripërjetuar në pjesë të saj.
E përmendët pak më parë se ka dy kohë në roman, është koha që rrjedh, koha që vrapon, që nis me Teutën në ikje e sipër, por është edhe një kohë e ngrirë që është pikërisht koha e përshkrimit të detajshëm dhe koha e kësaj kujtese…

E vërtetë. Në fakt edhe koha e përshpejtuar është një kohë kujtese. E gjithë lënda e romanit, i cili ka formën e një ikone të madhe, është kujtimore, është lëndë e kujtesës, njëlloj si edhe lënda e vetë ikonës. Ndërsa çastet e ngrira të kohës janë pikërisht ato që lidhen me vizatimin e ikonës, që lidhen me përshkrimin e detajizuar të gjithçkaje siç është korrida, siç është kostumi prej drite i toreadorit, apo siç janë takëmet e opiumit. Edhe opiumi është një lloj riti gati magjik. Asokohe vetë kjo grehinë e përkthimit, Babeli, kishte lidhje shumë me tymrat e opiumit sepse aty vërtet gjendej dikush që ishte mjeshtri i gatitjes së tij.

Të kthehemi tek e kuqja e Onufrit. Ju i keni dedikuar një libër. Çfarë ka të veçantë ajo? A mundet që një shkrimtar me mjete letrare të arrijë në përfundime shkencore si kjo e juaja? 

Në vitet "70 për herë të parë një ekspozitë e mirëfilltë e veprës së Onufrit u hap në Petit Palais në Paris dhe, po për herë të parë, për të kuqen e tij folën specialistët francezë të ikonografisë. Njihen mbi 15 nuanca të kuqesh të përdorura në ikonografi. Por kjo lloj e kuqe, e përdorur nga Onufri, ishte një e kuqe krejt e veçantë. Ishte e kuqja e tij. Nuk është folur ndonjëherë për mister, absolutisht jo. U njoh që ishte një e kuqe e veçantë dhe u quajt e kuqja e Onufrit, e papërdorur nga askush tjetër, te paktën në ikonografi. Unë që e kam soditur këtë të kuqe edhe përpara se të depërtoja thellë në universin e ikonës, më ka tërhequr vëmendjen; por ca më tepër, gjatë njohjes së thellë të këtij universi, kam dalluar që shkëlqimi, vezullimi i kësaj të kuqeje, ngrohtësia e saj, është e jashtëzakonshme. Në romanin tim nuk bëhet fjalë për zbulime shkencore; ka pat raste që letërsia u ka paraprirë zbulimeve shkencore, siç është Nautiliusi i famshëm i Zhyl Vernit që i parapriu ndërtimit të nëndetëses, fantazia shkencore, pra. Në Mesjetë, kur nuk ekzistonin pigmentet, bojërat qenë organike dhe joorganike, dhe nxirreshin sipas formulave të fshehta edhe të vetë piktorëve; thuhet se Onufri e nxirrte të kuqen e vetë, këtë të kuqen e veçantë, sepse ai ka përdorur edhe të kuqe të tjera, nga dheu i një fushëbeteje. Kjo pothuajse është një fakt historik. Dhe fantazia ka punuar mbi këtë fakt.

Përdorni edhe simbolikën e ikonës së parë të njerëzimit, ikonës së vërtetë, ikonës së Veronikës…

Është fakt biblik i mirëditur. I njohur edhe si Velloja e Veronikës, ose e ikona e vërtetë; bëhet fjalë për rrugëtimin për në Golgota të Jezuit me kryqin mbi shpinë dhe me kurorën me gjemba dhe fytyrën e përgjakur dhe të djersitur: një grua, që herë del me emrin e Berenicës sipas skllavëve, herë del me emrin Veronika, por që në fakt është Maria Magdalena, hoqi vellon e saj dhe ia ofroi Jezuit për të fshirë fytyrën. Mbeti e stampuar në këtë vello imazhi i fytyrës së tij prej gjaku. Pra është e vërtetë që ikona e parë e botës është kjo ikonë. Ikona e parë, pra, është një ikonë gjaku, është një ikonë pagëzuar me gjakun e Krishtit, kështu që nuk ishte ndonjë çudi, në logjikën e rrëfimit letrar, që kjo e kuqja e famshme, e jashtëzakonshme dhe kaq e përndritur e Onufrit të mos e kishte origjinën e vet prej gjaku njerëzor.
Kemi dashurinë dhe vdekjen në një lojë pasionante. Është dashuria mes Teutës dhe Antonio Manuelit, por gjithmonë kemi praninë e një gruaje që është Vdekja, por ama në trajtat e një femre jashtëzakonisht të bukur…

Vdekja zë një vend të rëndësishëm në romanin “E Kuqja e demave”. Ky roman mund të quhej fare mirë edhe romani i pasionit të dashurisë dhe vdekjes, dashuria gjendet aty në të gjitha format. Ndërkohë, korrida është një dyluftim për jetë a vdekje. Vdekja është pjesë e artit. Dhe ka një rivalitet të ashpër midis jetës, artit dashurisë dhe vdekjes: Erosi dhe Thanatosi. Vdekja është paraqitur si një grua shumë e bukur, sepse unë kështu e përfytyroj vdekjen. Trajtohet hera-herë me shumë dashuri, dhe quhet e nevojshme, e domosdoshme, pasionante në fund të fundit. Është femërore në të gjitha gjuhët me prejardhje latine, por dhe në gjuhën tonë që nuk ka atë prejardhje, është femërore. Shumë popuj e përfytyrojnë si një plakë ose një skelet, të frikshme. Por merreni me mend sa më e frikshme, sa më pasionante dhe më e rrezikshme është në formën e një gruaje shumë të bukur. Kam përshtypjen që në besimet indu, Vdekja paraqitet si një vajzë shumë e bukur.

Por me sa shihet ikonoklasi juaj është i deformuar, apo jo?

Po, në fakt është një ikonoklas përmbys, sepse gjaku i demit, -kur vetë demi është një kafshë mitike, e shenjtë sipas besimeve hebraike dhe arabe në përgjithësi, ndërsa në Greqinë e lashtë, në Kretë, demi është simbol i vdekjes - është gjaku i vdekjes. Kur punon ikonografi një ikonë, ai i ravijëzon të katërt anët e ikonës me një penel të kuq për të shmangur të keqen, djallin, shpirtin e keq, për t"i dhënë hyjnitetin ikonës, ndërkohë që vetë titulli dhe vetë ikona e ndërtuar e romanit, është e përkundërta e këtij riti.

Sllavët aleancë edhe në letërsi eleminojnë Mira Meksin në “Ballkanika”

“E kuqja e demave” i Mira Meksit përfaqëson Shqipërin në këtë edicion të çmimit “Balkanika 2011”. Lajmi u bë i ditur dje në Panairin e Librit nga kryetari i Fondacionit “Balkanika” Nikolay Stojanov. Juria shqiptare e përbërë nga Jorgo Bulo, Ali Aliu, Preç Zogaj, Diana Çuli, Virgjil Muçi dhe Piro Misha shpalli emrin e Mira Meksit si shkrimtari që përfaqëson letërsinë shqipe për këtë çmim. Dominojnë këtë vit autoret femra. Në konkurrim janë: Asli Erdogan (Turqi), Aleksandar Prokopiev (Maqedoni), Zdravka Evtimova (Bullgari), Dejan Stojiljković (Serbi), Oma Stanescu (Rumani), Krisitos Ikonomu (Greqi). 




Skeda:Mira Meksi.jpg
Shkrimtari maqedonas Aleksandar Prokopiev, është shpallur fituesi i cmimit letrar “Ballkanika”, në edicionin e tij të 15-të, me vellimin me tregime “Përralla për të rritur”.

Në vlerësimet për këtë festival, kryetari i jurisë, profesori amerikan i historisë dhe letërsisë së Ballkanit, Andrew Wachtel, tha se romani i shkrimtares shqiptare Mira Meksi, “E kuqja e demave” i bëri një përshtypje të jashtëzakonshme jurisë, si një roman që e zhvendos letërsinë shqipe në drejtime të reja. Sipas autores, “E kuqja e demave” ishte prurja më e mirë në gjininë e romanit për jurinë.

“Ne nuk fituam ‘Ballkanikën’ si Shqipëri, por fituam vlerësimin më të lartë për gjininë e romanit ‘E kuqja e Demave’. Fitoi cmimin autori i vendit ku u zhvillua ky edicion i 15-të, pra maqedonasi, me një përmbledhje tregimesh për të rritur, një metafor e gjatë. Por, dua të them se është shumë i rëndësishëm ky aktivitet dhe ky vlerësim që ne morëm për romanin”, thotë shkrimtarja Mira Meksi.

Fatmir Toçi, anëtar nga Shqipëria i fondacionit ‘Ballkanika’, vlerëson se edhe këtë vit Shqipëria nuk arriti të marrë çmimin e parë, vetëm për shkak se përfaqësuesit e shteteve sllave votuan njëri-tjetrin.

“Ka ndodhur ajo që na ka ndodhur edhe në dy raste me dy autorë shqiptarë që me debate të komisionit vetëm për një votë ndoshta për arsye të një protagonizmi të pamotivuar të disa vendeve sllave autorët shqiptarë nuk vlerësohen. Kjo u dukë qartë edhe në vlerësimet që bëri kryetari i jurisë dhe organizatorët e këtij cmimi ‘Ballkanika’. Me sa jam i informuar unë është diskutuar për një mënyrë tjetër vlerësimi sepse po ndodh ajo që ndodh me Eurovizionin”, deklaron Fatmir Toçi, shtëpia botuese ‘Toena’.

“Ballkanika” është një ngjarje shumë e rëndësishme kulturore, që vitet e fundit po evidentohet si një lloj çmimi” NOBEL” në letërsinë ballkanike. Aktualisht, në Festivalin e Letërsisë Ballkanike marrin pjesë 7 vende. Vitin e ardhshëm këtij numri mund t’i shtohet edhe Kosova, por edhe disa vendet tjera të rajonit.

-----------------

Mira Meksi Datëlindja: 27.09.1960.Edukimi Studime te arsimit te mesem: gjimnazi “Q.Stafa” ( Tirane).Specializime Studime te larta per Filologji shqipe dhe frënge ( Universiteti i Tiranës); Punime përkthimi letrar: Kolegji i Përkthyesve Arles, France & Shtëpia e Përkth Tarazona, Spanjë; Studime: letërsi moderne hispano-amerikane ( Universiteti i Zaragosës, Punim letrar mbi Poezinë e sotme Aragonase nën drejtimin e prof& shkrimtares Ana Maria Navales.
Aktiviteti: 84-90 Përkthyese ( frengj-spanj) Shtëpia Botuese “8 Nentori” 90-93 Redaktore&përkthyese letr. Shtëpia Botuese “N.Frashëri” 94-2002 Bashkëthemeluese dhe Drejtore e Fondacionit të parë kulturor privat shqiptar “Velija” 95-2000 Anëtare e Bordit Ekzekutiv të Fondacion SOROS 96 dhe vazhdim: Themeluese dhe Drejtore e revistës letrare Mehr Licht. 98-2002 Kryetare e Bordit të Drejtorëve të VEVE Group 99-2002 Anëtare e Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Publik Shqiptar. 2002-2010 Drejtore e Përgjithshme e TV ALSAT

Aktiviteti Letrar Ka përkthyer nga gjuha e huaj në shqip autorë si: Dumas, M. Yourcenar, M. Duras, Baudelaire,Lamartine, Rimbaud etj dhe Marquez, Borges, Neruda, Paz, Sabato, Allende, Javier Marias, Vargas Llosa, Saramago, Fuentes, Cela, Lorca, Bernardo Atxaga, etj
Ka përkthyer nga shqipja në frëngjisht dhe ne spanjisht: “ 30 vjet Poezi” të I. Kadare; Antologjia e Poezisë së sotme shqipe në spanjisht

Vepra origjinale dhe punime: Romanet: “Frosina e Janinës”; “Porfida –Ballo në Versailles”, “ E kuqja e demave”, “Mallkimi i Priftëreshave” në proces
“ Planeti i ngrirë”; “Fantazma me sy njeriu”.

Novelë: “ Ballo në Versailles” Përmbledhje me tregime: “ Mali i shpirtrave”; “Buzë të panjohura gruaje”; “Zonja plake e Parisit”.

Antologjia e Poezisë së sotme Aragonase.

Eseistikë: “ Guri Filozofal”.
Publicistike: Ne shtypin shqiptar dhe ate francez e spanjoll Letërsi për fëmijë: Katër përmbledhje me përralla dhe një novelë e ilustruar: “ Magjistrica e 12 pasqyrave”
Leximi i Ndaluar dhe Shkrimet e Fshehura
Cmime: 1995: Cmimi i tregimit të pabotuar të RFI, Paris 1996: Cmimi i Festivalit të Sain Quentin, Francë 2008 Cmimi i Përkthimit Letrar i Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë 2009: Titulli i Nderit: “Personalitet Frankofon i Multilinguizmit 2009” dhënë nga Organizata Ndërkombëtare e Frankofonisë 2011 Urdhri COMENDADORA i Merites Civile i dhene nga Mbreti i Spanjes Huan Carlos I.
Vepra origjinale e M. Meksit është e përkthyer në gjuhët ballkanike ( maqedonisht, bullgarisht, serbo-kroatisht) dhe në frëngjisht, anglisht dhe italisht.

Mira Meksi eshte cilsuar si shkrimtarja me e mire femer nga kritika e librit si dhe eshte nderuar me mjaft cmime prestigjoze shqiptare dhe te huaja ku vlen per tu permendur cmimi perkthimi me i mire i vitit 2006 me romanin Kujtim Kurvash te Trishta nga Gabriel Garcia Marques dhene nga Ministria e Kultures
Mira Meksi eshte njohese e shkelqyer e gjuheve: frengjisht, spanjisht, anglisht, Italisht dhe Portugalisht
Mira Meksi eshte e martuar me Ilir Meksin dhe i biri i saj eshte Marin Meksi


Disa botime nga Mira Meksi:

Mira Meksi (Meksi, Mira) Albanian Buze Te Panjohura Gruaje by Mira Meksi Hardcover, Onufri, ISBN 9992730013 (99927-30-01-3) Frosina E Janines: Roman by Mira Meksi Hardcover, Onufri, ISBN 9992745010 (99927-45-01-0) Porfida: Ballo Ne Versaille Roman by Mira Meksi Hardcover, Botimet Ideart, ISBN 9994388711 (99943-887-1-1) Macedonian Frosina Od Janina: Roman by Mira Meksi Hardcover, Serembe, ISBN 998923874X (9989-2387-4-X).


E kuqja e demava, Mira Meksi

E kuqja e demave






Në një qytet legjendash në Spanjë, murgjit “Luftëtarë kundër harresës së Ikonës” kanë vite që punojnë për deshifrimin e misterit që vesh të kuqen e fuqishme të ikonave të Onufrit. Brenda një realiteti të përndezur ndeshjesh me dema, rivalitetesh dhe tradhtish të gjakta, Mira Meksi përshkruan lojën pasionante të jetës ku ngërthehen fort dhe përleshen egërsisht Dashuria dhe Vdekja.

Sikundërse kemi vënë në dukje edhe në disa hapësira të tjera, e tërë krijimtaria e Mira Meksit lind dhe kristalizohet nën dritën e hapjes ndaj tjetrit, duke rrëfyer për tjetrin. Kjo hapje, ky përtejësim, në faqet e këtij romani jepet në formë më të qartë dhe më të shprehur se në çdo roman apo tregim të saj të mëparshëm. Ndërsa tek krijimtaria e mëparshme lexuesin e vërejmë të jepet si element strukturor i rrëfimit, porse në një trajtë fort të ndërfshehur, në faqet e këtij romani prania e tij jepet në formën më të hapur; ndryshe nga sa më parë, tek E kuqja e demave Meksi i drejtohet drejtpërsëdrejti dhe në emër lexuesit, madje, duke e shoqëruar këtë dialog me një ndriçim të fortë dhe mbresëlënës...

E kuqja e demave është një ikonë e madhe, një ikonë e gjallë, e mbrujtur me ngjyra të bollshme, me një vizualizëm ekspresionist dhe me një imazheri të prekshme surreale, por edhe me plot dritë-hije dhe me mister; porse, mbi të gjitha, është një ikonë vërtet e arrirë, në të gjitha kuptimet, ngjyresat dhe përftesat e këtij termi, për vetë ikonën, për natyrën dhe misterin e saj, një ikonë e përftuar nga soditja e ngulmët dhe misterike, nga bashkimi dhe shkrirja e dy universeve, e dy pafundësive, e pafundësisë së dritës hyjnore dhe asaj të shpirtit të soditësit.

Pikërisht kjo befasi, këto lëvizje plot zigzage, larg çdo skeme kanonike, të cilat i hasim të pranishme edhe tek hapësira ikonografike, janë gjithë sa na mbajnë gjithhershëm në suspense në tërë rrëfimtarinë e Mira Meksit, duke na shtyrë vazhdimisht drejt leximit të saj. Madje, më tepër sesa një herë.

Mira Meksi ka mbaruar studimet e larta për filologji frënge dhe hispanike. Është e njohur si përkthyese e Dumas-së, Yourcenar-it, Duras-it, Borges-it, Marquez-it, Paz-it, Cortazar-it, Neruda-s, etj dhe si autore romanesh, përmbledhjesh me tregime e librash për të rinj dhe fëmijë. Mira Meksi është kryeredaktore e revistës letrare “Mehr Licht!”.


“Porfida, një ballo në Versajë”, romani i shkrimtares Mira Meksi botohet në Francë nga një prej shtëpive botuese më eminente atje, “Editions Baudelaire”. I botuar në versionin shqip nga “Ideart”, romani i shkrimtares shqiptare ka zgjuar interes nga shtëpia botuese franceze, e cila ka matur edhe suksesin që ky roman ka pasur në shtëpi. Një këndvështrim i ndryshëm i kohës së diktaturës ku ka dritë jeshile në fund të tunelit nuk ka qenë pa peshë në motivimet e botimit të këtij romani.

Romani është përkthyer në frëngjisht nga Alketa Spahiu, por që i parë tërësisht nga autorja, ka vlerën autentike të origjinalit shqip. Botuesi i “Ideart”, Arian Leka, na rrëfen se si u arrit deri në këtë projekt kaq ambicioz në botimin e plotë të “Porfidës” nga një prej shtëpive botuese më prestigjioze në Francë, ku minimalisht botohen rreth 5 mijë tituj në muaj. "Është nga edicionet e suksesshme franceze të shtëpisë botuese “Baudelaire” me qendrën në Lion, e cila ka botuar librin “Porfida” të autores sonë Mira Meksi, që nuk është një surprizë për ne, pasi dhe në Shqipëri ka njohur suksesin maksimal. Ka njohur botime, ka njohur ribotime, ka njohur tekste, ka hapur polemika, ka ngjallur polemika mbi atë se si autorja e sheh botën shqiptare, mbi atë që bota shqiptare i ofron botës së huaj, lexuesit të huaj", - rrëfen Arian Leka, botues i “Ideart”.

Romani i cili ka njohur botime dhe ribotime por edhe polemika në shtypin shqiptar sjell një Shqipëri totalitare, të mbyllur në vetvete, e cila ngjan si një çmendinë; ndërkohë që çmendina e vërtetë që mban brenda elementët më të rrezikshëm për stabilitetin politik të vendit, kthehet në një paradhomë të çuditshme që përgatit rininë e botës së lirë, në hullinë e një parfumi.

Mira Meksi përshkruan në sfond historik absurditetin e diktaturës dhe qëndresën ndaj çdo lloj tjetërsimi, në sajë të kulturës dhe përvetësimit të shkrimeve kabalistike.

Në 1995, Mira Meksi ka fituar çmimin e “Radio France International” mbi tregimin e pabotuar në kuadrin e frankofonisë me tregimin "Gërshërët", si edhe çmimin e festivalit të Saint Quentin (Sen Kentinit). Në 1998 merr pjesë në aktivitetin e organizuar në Francë, “Bukuroshet e huaja”, kushtuar letërsisë shqiptare të kohës, si shkrimtare përfaqësuese. Në 1996 botohet në Francë antologjia e tregimit të shkurtër “Filli i Arianës”, ku përfshihet edhe krijimtaria e Mira Meksit. Ndërkaq përkthyesja Alketa Spahiu mban titullin doktor i universitetit Paris-Sorbonë në letërsi të krahasuar dhe si studiuese dhe kritike e krijimtarisë së Ismail Kadaresë merr pjesë në konferenca shkencore ndërkombëtare. Libri i saj studimor, “Kadare: Stil dhe strukturë ose epika në stil”, del së shpejti në Paris.

“Në vigjilje të këtij fundmijëvjeçari, Shqipëria totalitare, e mbyllur në vetvete, ngjan si një çmendinë; ndërkohë që çmendina e vërtetë që mban brenda elementët më të rrezikshëm për stabilitetin politik të vendit, kthehet në një paradhomë të çuditshme që përgatit rininë e botës së lirë, në hullinë e një parfumi”, - shkruhet në pasthënien e librit mbi kopertinë.

FLORI BRUQI

Papërgjegjësia e LDK-së dhe AAK-së



Shkruan: Bedri Halimi


Kryeministri i Kosovës nuk ka nevojë të fshihet mbrapa Amerikës, sepse Amerika përderisa ishte ndihmuese e madhe në çlirimin e Kosovës dhe në shpalljen e Pavarësisë së saj, rrjedhimisht ajo është edhe orientuese e veprimeve politike të Hashim Thaçit. Pak ka rëndësi nëse i beson kryesia e AAK-së kryeministrit, sepse ai ka besimin e dyfishtë: edhe të Amerikës, edhe të popullit të Kosovës, nga i cili e ka marrë votën për ta qeverisur Kosovën. Kryesia e LDK-së përmes fanatikëve të vet, në mënyrë të heshtur tenton të bëjë diversion politik në popull, përmes gjuhës së gënjeshtrave, duke u thënë njerëzve se si: “Kosova shkoi”, “Pavarësia u zhbë”, se si “gjendja në Kosovë tash qenka rikthyer në vitin 1999” etj, etj. Kjo parti në periudhën e pasluftës, pikërisht duke iu falënderuar gjuhës së mashtrimit, arriti që t’i fitojë zgjedhjet

Pas marrëveshjes së Kosovës dhe Serbisë rreth çështjes së fusnotës, me insistimin e SHBA-së dhe BE-së, ndaj Qeverisë së Kosovës kanë vërshuar kritika nga më të ndryshmet. Është normale që të ketë kundërshtime dhe mendime të ndryshme, por në këtë rast kemi të bëjmë me tendencat e një fushate histerike nga opozita si dhe nga individë të caktuar. Këtu janë gërshetuar: xhelozia, inatet, mllefi, urrejtja dhe intrigat e llojeve të ndryshme.

Sa i përket qëndrimit të partisë “Vetëvendosje”, ajo e ka të qartë qëllimin e saj dhe qëndrimin politik, të cilën kaherë e ka bërë transparent dhe nuk e fsheh. Mirëpo, partitë e tjera opozitare si LDK dhe AAK, rreth gjendjes aktuale në të cilën ndodhet Kosova kanë qëndrime “as mish, as peshk”.

Qëndrimet anemike të AAK-së

AAK-ja si parti opozitare del e deklaron se “i beson shumë Amerikës, por nuk i besojnë aspak Kryeministrit Thaçi”. Këtë deklarim e bëjnë për çështjen e fusnotës. Ndërkohë që edhe AAK si dhe të gjithë të tjerët, e dinë se qëndrimi i kryeministrit Thaçi është i njëjtë me atë të Amerikës.

Kësaj pune i thonë ‘jo buka po kulaçi’, sepse pak ka rëndësi nëse i beson AAK-ja kryeministrit të Kosovës, sepse kryeministri ka besimin e dyfishtë: edhe të Amerikës, edhe të popullit të Kosovës nga i cili e ka marrë votën për ta qeverisur Kosovën. Dhe jo vetëm kaq! Përderisa Amerika i beson Hashim Thaçit; përderisa AAK i beson Amerikës, nga kjo rrjedh se: edhe AAK i beson Hashim Thaçit.

Ani pse deklarimet politike të AAK-së bëhen për përfitime partiake, sepse nëse vërtet Amerika i beson Hashim Thaçit, ndërsa AAK nuk i beson Hashim Thaçit, nga kjo do të rridhte që: edhe AAK nuk i beson Amerikës, pavarësisht deklarimeve formale që do të bënte kjo parti.

Gjylet e mjegullës nga LDK

Ndërkaq, sa i përket LDK-së, si parti më e madhe opozitare, çështja është pak më e ndërlikuar. Së pari, LDK-ja është kritikuar si antiamerikane nga ambasadori i Amerikës në Kosovë. Së dyti, LDK-ja në qëndrimin e saj “as mish as peshk” në këtë situate, merr turr që në njërën anë të përbehet se nuk është antiamerikane dhe antievropiane, ku në paraqitjet publike herë herë mundohet të jetë e përmbajtur, por, edhe përkundër flakareshës politike të marrë nga Amerika, në rastet e caktuara, përmes zyrtarëve të stafit të dytë të LDK-së mundohen të lansojnë topa mjegulle në opinion.

Kështu për shembull, kërkesës së “Vetëvendosjes” për seancë të jashtëzakonshme rreth çështjes së fusnotës, të cilës i duhen të mblidhen dyzet nënshkrime deputetësh, edhe LDK, si AAK-ja, nuk pranojnë që të nënshkruajnë as si parti dhe as si individë në radhët e deputetëve të këtyre dy partive. Kurse deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, deklaron se nuk bën që të injorohet vullneti i 15.000 nënshkrimeve të qytetarëve të cilat i ka mbledh “Vetëvendosja”, dhe bën thirrje që Kuvendi ta marrë në konsideratë çështjen e këtyre nënshkrimeve të qytetarëve, ndërkohë që po ky deputet i LKD-së, Armend Zemaj, vetë nuk ka guxim të nënshkruaj në listën e deputetëve për të kontribuar kështu në plotësimin e kriterit të mbledhjes se dyzet nënshkrimeve të deputetëve.

Prandaj merreni me mend se sa serioze është kjo parti opozitare, kur zyrtarët e saj bëjnë edhe kësi kalkulimesh politike. Apo ndoshta deputetet e LDK-së kanë frikë se mos sërish dikush do t’i quaj antiamerikan dhe antievropian?!

Por makinacionet politike të LDK-së nuk përfundojnë me kaq, ngase kjo parti ka marrë qëndrim të heshtur që tu futën njerëzve nëpër shtëpi por tua sqaruar se si: ”Kosova shkoi”, “Pavarësia u zhbë”, se si “gjendja në Kosovë tash qenka rikthyer në vitin 1999” etj, etj. Në këtë rast, kjo parti në mënyrë të heshtur në popull tenton të bëjë diversion politik përmes gjuhës së gënjeshtrave, duke përfituar pos tjerash edhe në situatën socio ekonomike të popullit të Kosovës.

Në vend se energjitë e veta kjo parti ti drejtonte publikisht duke dhënë kontribut në dhëniën e alternativave si dhe në bërjen e kritikave ndaj të metave reale të Qeverisë, duke treguar edhe rrugët e mundshme të zgjidhjes së tyre, kjo parti ka zgjedhur rrugën e obstruksionit politik, me qëllim të vetëm që të nxis dhe rrisë shkallën e pakënaqësisë qytetare ndaj Qeverisë, si dhe duke ju premtuar heshturazi se rruga e vetme e shpëtimit të Kosovës nga kjo “katrahurë” qenka rruga e tyre.

Taktikat e moçme të LDK-së për përfitime politike

Një platformë e tillë e veprimit politik të LDK-së, nuk është e panjohur për opinionin e gjerë të Kosovës dhe jo vetëm të saj. Ngase kjo parti në periudhën e pasluftës, pikërisht duke iu falënderuar kësaj forme të veprimit në popull, përmes gjuhës së mashtrimit, arriti që ti fitoi zgjedhjet.

Atëbotë misionarët e kësaj partie, përmes aktivistëve të ndryshëm, kishin marrë përsipër që të depërtonin shtëpi më shtëpi, për t’ia bë me dije qytetarëve se: ”nëse fitojnë këta të Luftës do të na vrasin të gjithëve, e sidomos ata që nuk kanë marrë pjesë në luftë”!

Përmes metodës së frikësimit, si dhe në anën tjetër, përmes ekseseve të ndryshme, (shumica nga të cilat mjerisht ende kanë mbetur të pazbardhura), kjo parti ja arriti qëllimit. Dhe ky avaz vazhdoj derisa populli e kuptoj se ishte i manipuluar në njërën anë dhe në anën tjetër, për shkak të keqqeverisjes që kishte bërë, e humbi pushtetin në të gjitha nivelet.

Njeriu mund të mashtrohet për një moment siç për një moment mund të mashtrohet edhe populli, por kurrë nuk mund të mashtrohet përherë as individi e as populli.

Mjegulla duhet zhdavaritur

Është gjë e mirë që Qeveria ka filluar të zbresë nëpër Komuna për ta sqaruar opinionin. Por do të bënte mirë sikur edhe partia që është në pushtet, të dal në terren, për ta bërë të njëjtën gjë, në mënyrë që të zhdavaritet njëherë e përgjithmonë mjegulla e shkaktuar nga gjuajtjet e gjyleve nga topat e LDK-së që shpërndajnë mjegull.

Kryeministri i Kosovës nuk ka nevojë të fshihet mbrapa Amerikës, sepse Amerika përderisa ishte ndihmuese e madhe në çlirimin e Kosovës dhe në shpalljen e Pavarësisë së saj, rrjedhimisht ajo është edhe orientuese e veprimeve politike të Hashim Thaçit. Përderisa Amerika e përkrah Hashim Thaçin dhe përderisa Hashim Thaçi i ka fituar zgjedhjet, kjo do më thënë se Hashim Thaçi është aktualisht lisi më i madh në Kosovë.

E lisat më të mëdhenj i rrah era vazhdimisht nga do që të fryjnë. Historikisht dhe aktualisht Amerika ka qenë, është dhe do të mbetet pasqyrë e orientimeve pro perëndimore të Kosovës. E nëse dikujt pasqyra ja qet hundën e shtrembër, pasqyra nuk është fajtore.

KUSH JANË VRASËSIT!



Ibrahim Kelmendi, një nga themeluesit e LPK-së dhe ish-udhëheqës i Fondit “Vendlindja thërret”, ka deklaruar se e njeh me emër e mbiemër vrasësin e Jusug Gërvallës


 Si mysafir në Zona B, në Klan Kosova, ai për herë të parë publikisht rrëfeu të dhënat e “Rezilit” të tij, të cilit thotë se ia vuri këtë nofkë atentatorit të 17 janarit të vitit 1982.
“E njoh me emër dhe mbiemër, e ka emrin Riza Saliu. Këtë e kam thënë në gjykatë…”.
 Kelmendi thotë se këtë dëshmi e ka dhënë edhe në prokurorinë gjermane. Madje, sipas tij, bashkë me Saliun ka qenë edhe një shqiptar tjetër, emrin e të cilit e ka deponuar në hetuesinë e shtetit në fjalë, por që nuk e thotë publikisht.
 Në librin “Lindja e përgjakur”, bashkëbisedim me Ibrahim Kelmendin, të autorit Bedri Islami, Kelmendi thotë: “Ndoshta është vendi të informoj se hetimet kundër Rizës gjermanët i riaktivizuan në vitin 1992, pasi shteti gjerman nuk kishte më interesa për të përkrahur Jugosllavinë, e cila kishte filluar të shpërbëhej. 
Unë mora pjesë në atë proces gjyqësor si dëshmitar kundër Riza Salihut. Gjykata e liroi Rizën nga akuza për vrasje në mungesë të provave, pasi vuajti ndoshta një vit e gjysmë burg”.
 “Kryehetuesi dhe unë biseduam se ai ishte njëri nga dorasët, por gjykata nuk kishte të drejtë t’i shfrytëzonte si dëshmitarë nipat e Riza Salihut, meqë kur ka ndodhur vrasja, ata ishin të mitur. Ata e kishin informuar kryehetuesin se në momentin që ishte bërë vrasja, Riza nuk kishte qenë të motra e tij, që ai po e përdorte si alibi”
.


-------------------------

Ai që vrau Jusuf Gërvallën jeton në Kosovë, në një fshat të komunës së Suharekës. Është shqiptar dhe quhet Rezil, thotë Ibrahim Kelmendi në intervistën ekskluzive për gazetën Express.
(Nebih Maxhuni)

10 Mars 2007
Ibrahim Kelmendi. Për gjeneratën e re ky emër s’thotë asgjë. Ndoshta as që e dinë se çfarë ka bërë ky njeri për jetën e tyre. I harruar për shumë kohë në jetën e diasporës, numërohet se ka qenë idealisti i parë i së majtës shqiptare jashtë Kosovës dhe Shqipërisë. Është ndër të paktë shqiptarë të diasporës që ka pas guxim të vishet me xhins dhe në një mënyrë a tjetër ka jetuar me jetën e studentëve gjermanë. Për dallim nga të tjerët ai ka mundur të socializohet në jetën gjermane dhe në jetën e tij ka nxitur polemika dhe debate pikërisht për shkak se nuk ka jetuar vetëm jetën e refugjatit ose të punëtorit të krahut në Gjermani.
Ka qenë njeriu i parë që ka thyer heshtjen prej kohësh për meritokracinë e diasporës dhe ka botuar të dhëna interesante duke anashkaluar distancën historike dhe duke përshkruar gjëra të rrezikshme për procesin i cili ende s’ka përfunduar.
Si mik i afërt i Jusuf Gërvallës, ai mori guximin ta përshkruajë tërë realitetin e asaj kohe, duke mos kursyer persona dhe personazhe. Libri i tij i titulluar “Atentatet”, përfaqëson një rrezik në vete për të vërtetën e asaj kohe.
Libri në një mënyrë përfaqëson edhe karakterin e hapur dhe shumë të përfolur të Ibrahim Kelmendit, i cili si shumë herë ka dalë jashtë kornizave të “qytetarit” të diasporës. Shpeshherë, i ngarkuar me teza konspirative gjatë jetës së tij, ai ikën nga ajo hapësirë në librin e tij dhe ballafaqon fakte dhe emra pa hezituar fare se mund të krijojë situata të pakëndshme në jetën kosovare, edhe ashtu të rëndë dhe konspirative.
Thotë që e njeh atentatorin e Jusuf Gërvallës, i cili jeton në një fshat të komunës së Suharekës. I bën shenja dhe ia heq elozhet politike dhe meritën folklorike edhe miteve në diasporë, siç thotë ai, të ngritura artificialisht. Ndryshe nga tjerët, e sheh figurën e Enver Hadrit dhe Vehbi Ibrahimit, duke i përshkruar ata si njerëz me merita të dyshimta.
Libri, “Atentatet”, duhet të jetë vetëm një pjesë e së vërtetës, të cilën Ibrahim Kelmendi, ish-udhëheqës i Fondit “Vendlindja thërret” dhe njeriu që ka propozuar që LPK-ë të ketë fundin e saj historik në vitin 1999 në kongresin e rregullt në Prizren, sepse e vërteta tjetër duhet të shpaloset pas intervistës që i ka dhënë gazetës Express.
Ai flet atë që rrallë kush guxon ta thotë.

Express: Pyetja e cila është shumë dilematike për secilin që ju njeh, për shembull gjeneratat e vjetra, jo të rejat. Pse libri “Atentatet”? Ke thënë që libri do të bëhet krejt në një kohë më të qetë. Pse tani ky libër? Është ky dëshpërim i juaji me të kaluarën dhe të tashmen?

Ibrahim Kelmendi: E para, romanin nuk e kam publikuar deri tani, sepse kam menduar që duhet një distancë kohore, që unë si autor të mund të reflektoj për atë që është bërë në mërgatë; e dyta, kam menduar se publikimi i mëhershëm do të dëmtonte luftën, veprimtarinë çlirimtare, gjegjësisht nuk do i bënte mirë asaj veprimtarie. Tani kam gjykuar që një çerek shekulli është distancë e mjaftueshme dhe mund të thuhen të vërtetat, pa dëmtuar luftën dhe pa qenë i penguar nga subjektivizmi.

Express: Pse ky dekonspirim pas 25 vitesh edhe pse ju jeni njeri nga ata që i keni ditur këto gjëra, i keni njohur situatat, e keni njohur diasporën dhe njerëzit atje…?

Ibrahim Kelmendi: Mosdekonspirimi i deritanishëm i atyre që kanë ndodhur është varur edhe nga ndikimi i amanetit apo porosisë së Jusuf Gervallës, i cili ka thënë: “Nëse dorasi është shqiptar, mos u zbuloftë kurrë!” Ne secili kemi një konstrukt social, i cili na bën të respektojmë amanetin, gjegjësisht porosinë e fundit. Pastaj, po të thuheshin në kohë këto të vërtetat, do kishim përplasje të mëdha, do na shkonte koha duke u marrë me qërim hesapesh në mes nesh.

Express: E përmendët mitin. Heshtja për një kohë kaq të gjatë ka krijuar mite të diasporës. Njëri nga ato mite keni qenë edhe ju. Ju keni qenë i gjithëfuqishëm, por realisht jeni njeri i rëndomtë. Është krijuar miti për Jusuf Gërvallen. Po e lexove librin tuaj, do shihet se të gjithë ata njerëz kanë bërë jetë normale dhe kanë bërë një veprimtari patriotike prej distancës. Si e shikon ju këtë çështje tash?

Ibrahim Kelmendi : Se vërtetë kemi qenë njerëz të rëndomtë. Mua më pengon kur njerëzit mitizohen dhe u zmadhohen angazhimet e tyre. Në botë të qytetëruar angazhimi patriotik e çlirimtar do të shihej si punë normale. Pse, ta zëmë, ka nevoje të lavdërohet një bujk që ka punuar në arën e tij, pasi ka bërë një punë normale. Njësoj e vlerësoj edhe angazhimin patriotik. Prandaj zmadhimet, këto krekosje të njerëzve, nuk janë të shëndetshme. Një angazhim për të fituar sa më shumë liri nuk ka përse të zmadhohet e lavdërohet deri në mitizim. Unë e gjykojë angazhimin tonë si angazhim tepër të përgjegjshëm e qytetar. Prandaj dëshira ime ka qenë dhe është, që të demitizohen këto veprimtari çlirimtare, të shihen realisht se i kanë bërë njerëz vullnetmirë, të cilat, të them, rastësisht kanë qëlluar aty, por ka mundur të jenë edhe të tjerë, prandaj nuk ka nevojë të madhërohen figurat, por duhet të vlerësohet njerëzisht, në hapësirë, kohë e rrethana përkatëse.

Express: Para se të hyjmë në emra konkret. Zakonisht në Ballkan ndodh që elementi i tradhtisë dhe patriotizmit është prezent. Të dyja këto elemente i keni brenda librit. Realisht, si korrespondonin këto elemente ballkanike ose kush është më shumë tradhtar e kush patriot, apo kush ka qenë i infiltruar në lëvizjen e madhe për Pavarësi? Pse i keni prekur këto elemente kaq të ndjeshme kur e dini mentalitetin?

Ibrahim Kelmendi: Janë kategorizime që behën në këtë hapësirë, dmth. që shkojnë në ekstreme: tradhtar apo patriot. Unë e peshoj veprimtarinë e të ashtuquajturit tradhtar, gjithashtu edhe të patriotit. Patriot është secili njeri për nga natyra, sepse e do vendin ku ka lind. Ata që e quajnë patriotizmin virtyt të jashtëzakonshëm, për mua janë budallenj. Tjetra, edhe angazhimet e tradhtarëve, jam i predispozuar t`i shoh në mënyrë të diferencuar, sidomos në rrethana të rënda të pushtimit. Për aq sa kanë lejuar mundësitë dhe rrethanat e kohës, është formësuar gjeturia e vet qytetarëve. Në Kosovën e pushtuar, në hapësira të ndryshme kohore, ka pasur njëfarë autonomie përkatëse administrative e vetëqeverisëse. Në atë kuadër të autonomisë është dashur të angazhohen e të punojnë njerëzit edhe në struktura policore, duke përfshirë edhe UDB-n. Për shembull, sipas vlerësimit tim, për mua ka qenë pothuajse i barabartë të qenit mësues me të qenit udbash, gjegjësisht nëpunës sigurimi, sepse kanë qenë struktura e hallka të te njëjtit zinxhir, gjegjësisht të te njëjtit sistem, kanë vepruar sipas ligjeve të miratuara nga i njëjti Kuvend i Kosovës ose nga kuvendi federativ. Mësuesi e ka pasur për detyrë të indoktrinojë, UBD-shi të kontrollojë nëse ka zënë vend indoktrinomi i mësimdhënësit. Përjashto rastet, kur UDB-ashi dhe të ngjashmit kanë kapërcyer kompetencat ligjore, që nuk kanë lejuar ndjekje kolektive, tortura e zhdukje fizike, nuk kanë lejuar as atentatet, si në rastin e 17 janarit të viti 1982. Dhe këto raste duhet ndëshkuar, siç ka ndodhur e po ndodhin në ish shtetet tjera moniste.

Express: Derisa në një moment ju e depolitizoni personalitetin për patriotizmin që ka pasur obligim, në njëfarë mënyrë mitizoni rolin UDB-s si të gjithëfuqishme, si gjithkund infiltruese. Pse i keni dhënë rolin aq të madh, që sipas librit tuaj nuk ka qenë aq me peshë sa e mitizoni ju, apo është çështje e frikës?

Ibrahim Kelmendi: Ka mundësi të jetë edhe rrjedhojë e frikës, pasi frika është ndjesi e pakontrollueshme. Ka mundësi që unë nuk e kam përshkruar tamam, sa ajo ka qenë e pranishme. Dihet se UDB-a ka qenë njëra ndër sigurimet më të fuqishme, të cilës në ndonjë rast ia kanë pasur zili edhe CIA, KGB, etj. E di që këtë strukturë, qysh nga viti 1948, e kanë ndihmuar edhe ekspertë të CIA dhe Perëndimi i ka dhënë edhe ndihma të mëdha financiare dhe kadrovike dhe është ndihmuar që të jetë njëra ndër sigurimet më të forta në Evropë. Si e tillë ajo është përpjekur të kontrollonte gjithçka, jo vetëm në Kosovë, por të na kontrollojë e të na pengojë edhe në Perëndim. Prandaj disa prej personazheve që i kam përshkruar, të cilët kanë luajtur rol të madh, mendoj se veprimet e sjelljet nuk duhet t’i kenë pasur si rrjedhojë vetëm të budallëkut të tyre, ose vetëm për të kënaqur egomaninë e tyre, por ashtu duhet të jenë instruktuar e instrumentalizuar për të vepruar nga ky shërbim. Ta zëmë, kemi pas gazetarë dhe letrar të shkëlqyer, për të cilin sa i përket aftësisë profesionale, kam pas dhe kam një respekt të madh. Ai duhet të ketë qenë i kamufluar si korrespodent i “Rilindjes”, por ka qenë i angazhuar për t’i shërbyer atij sigurimi…

Express: Prej nga ju këto informata se këta njerëz duhet të kenë qenë të tillë?

Ibrahim Kelmendi: E para e punës, ai, si korrespodent i “Rilindjes”, nuk kishte nevojë të involvohen në përplasjet tona me konsullatën jugosllave në Dyseldorf dhe në atë përplasje ai ndonjëherë të ishte më brutal se vet konsulli. Do mjaftonte që ai, me një korrespodencë për gazetën e tij, të përshkruante çka po ndodhte dhe ai të mos inkuadrohej në ato përplasje që kishte Klubi shqiptar në Dyseldorf me konsullatën dhe institucionet tjera të atëhershme shtetërore. Ato insistonin që ta fusnin nën tutelë Klubin e shqiptarëve aty, dhe ky, i kamufluar si gazetar, angazhohej pro konsullatës. Duke vrojtuar veprimtari të tillë, vija në përfundim se ai duhej të ishte në shërbim të UDB-së...

Express: Ju këta njerëz i quani me detyrë të ngarkuar, vërtet kanë qenë të tillë?

Ibrahim Kelmendi: Një kategori e tillë duhet të ketë qenë, siç e vlerësoja unë atëherë. I njëjti, psh., kur e arrestuan Vasilin në Kosovë, e sjellin nga Gjermania për ta marrë në pyetje gjatë hetimeve…

Express: Kush është Vasili, ngase lexuesit tanë nuk e dinë?

Ibrahim Kelmendi: Vasili është njëri nga personazhet e romanit. Ai ka pasur një urdhër për të bërë atentat ndaj Jusuf Gervallës, por trimërisht ka refuzuar ta zbatojë. Për këtë ai duhej të ndëshkohej nga UDB-a. Prandaj kur Vasilin e arrestuan në Kosovë, gazetarin në fjalë e sjellin nga Gjermania për ta marrë në pyetje gjatë procesit hetues, meqë duhet të jetë vlerësuar si njohës më i mirë i veprimtarisë sonë në Perëndim. Kështu i kisha atëherë informatat dhe prandaj i krijoja vlerësimet, pasi na duhej të krijonim sistem të vetëmbrojtjes.

Express: Si e sheh Ibrahim Kelmendin, patriot të diasporës, si të duket ai prej kësaj distance historike?

Ibrahim Kelmendi: Si një veprimtar i natyrshëm, autentik, i cili për shkak se ka shkuar i ri dhe është ndikuar shumë nga jeta studentore gjermane, ndonjëherë është keqkuptuar edhe nga bashkëveprimtarët si i padisiplinuar, si jo serioz, si anarkist, si me xhins të grisur e flokë të gjatë...

Express: Të ndalemi te kjo, ngase në libër ju nuk e përshkruani personalitetin tuaj, por ata që ju njohin, ju kanë vlerësuar se keni pas në dukje një bindje ideologjike të majtë, por të dallueshme prej marksistëve dhe leninistëve të kohës, të dallueshme edhe prej Jusuf Gervallës dhe Enver Hadrit. Nga kjo distancë kush ka pasur të drejtë?

Ibrahim Kelmendi: Se pari do të thoja se asnjëri nuk kishim kushedi se çfarë bindje ideologjike, pasi na mungonte përgatitja teorike, po të kemi parasysh përgatitjen përkatëse teorike filozofike. Për aq sa ishim të ideologjizuar, secili kishim të drejtë, sepse ideologjitë nuk mund të shabllonizohen dhe të gjykohen, siç po ndodh tani. Me rëndësi duhet të ketë qenë, se edhe pse kishim bindje të ndryshme, nuk armiqësoheshim për shkak të tyre, por bashkëvepronim. Kjo mbase tregon se kishim tolerancë e mirëkuptim pluralist dhe këtë e kishim në programet e statutet tona politike, në shkrimet tona. Bindjet tona ideopolitike kanë osciluar dhe kanë evoluuar. Ne më shumë na ka interesuar kontributi për çlirim kombëtar dhe jo drejtësia ideologjike, dmth. na interesonte të gjejmë mënyrën më efikase, që të ndikojmë sa më shumë te njerëzit, që t’i afrojmë ata duke i ndërgjegjësuar për veprimtari të angazhuar patriotike e çlirimtare.

Express: A ka krijuar diferenca ideologjia për çështjen kombëtare gjatë asaj kohe, meqë ju duhet të keni qenë më liberal së të tjerët, të cilët ishin më konservativ, për të mos thënë se kanë qenë enverist?

Ibrahim Kelmendi: Në organizimet ku kam vepruar unë, përcaktimi programor ka qenë: pavarësisht bindjeve ideologjike e politike, secili që është i interesuar të angazhohet për Kosovën Republikë, gjegjësisht ta çliroj Kosovës, ka të drejt të anëtarësohet. Pastaj, brendapërbrenda organizimeve tona, kur kishim demokraci më të avancuar, kishim edhe luftë idesh, sepse është e natyrshme që secili të angazhohet që të përfitojë simpatizantët e vet. Kjo ka ardhur në shprehje tek ne nga mbarimi i vitit 1984, kur filluam të organizojmë mbledhje me më shumë veta, deri edhe te kuvendi, në të cilat filluam të kishim garë për vota dhe votime të fshehta. Rëndom ka pasur goxha përplasje gjatë diskutimeve, ndonjëherë kanë qenë edhe brutale, por pothuajse gjithë herë kemi bërë kompromise, sepse në fund të fundit ne po angazhoheshim ta çlirojmë Kosovën dhe jo të ia përcaktojmë asaj sistemin politik.

Express: Pse ju keni pasur një respekt të madh për Jusuf Gërvallën, të cilit në njëfarë mënyre i kushtohet libri juaj? Ke një rezervë për veprimtarinë e Enver Hadrit dhe grupacioneve të Belgjikës. Cili është dallimi i këtyre grupacioneve?

Ibrahim Kelmendi: Respekt kam pasur për Jusufin nga se në fillim jam gjetur në një situatë shumë të vështirë. Atëherë kam qenë shumë i ri për të pasur formim të avancuar politik. Kam pas një si kompleks që nuk po dija të artikuloja me shkrim ato që kam dëshiruar t’i shpreh. Ardhja e Jusufit më ndihmoi shumë, pasi ai ma zvogëloi atë kompleks. Pastaj kam pas një kulturë, që kur me rastiste të bashkëveproja me dikë që e çmoja më të aftë se veten, ia lëshoja vendin, kaloja në plan të dytë, që do të thotë se ua liroja vendin atyre që ishin më të përgatitur. Pra, edhe te gëzimi i madh dhe lirimi nga kompleksi, se aty e tutje nuk do më tallin për ato që do shkruaja, pasi do m’i redaktonte Jusufi, e ka bazën respekti e dashuria e madhe për Jusufin. Por kryesore ka qenë cilësia e tij si njeri, modestia dhe kultura e tij. Ai ka ditur të të afroj si shok e bashkëveprimtar, në kohën kur njerëzit të kategorizonin, gjegjësisht të largonin, nëse kishe nivel të ulët intelektual e profesional.
Po kaq shumë e kam respektuar dhe dashur edhe Kadri Zekën, me të cilin fatkeqësisht jam njohur tek në mars të vitit 1981 dhe kam kaluar shumë më pak kohë, se sa me Jusufin.
Pyetet edhe për Enver Hadrin dhe grupimet në Belgjikë. Unë te ai njeri nuk kisha gjetur pothuajse asgjë. Duhet ta kem takuar qysh gjatë vitit 1978 dhe të mos kem bashkëpunuar. Ai në dukje nuk kishte koncept politik, ka qenë shumë konfuz, kemi pas shumë debate, ndonjëherë edhe përplasje e armiqësime. Në paraqitje ishte antikomunist, kurse kisha informata se po bashkëpunonte me Partinë Komuniste të Belgjikës. Kisha përshtypjen që ai po informonte dike, që do të thotë se, kisha dyshime që ai po informon njëherazi Sigurimin shqiptar por edhe UDB-në. Në vitet e fundit patëm bashkëpunim. Kurse gjatë varrimit Lëvizja u angazhua për varrim dinjitoz, pasi ai nuk kishte miq e bashkëveprimtarë rreth vetes, që do mund ta bënin këtë. Në mbledhjen komomorative i pata kërkuar falje publike për padrejtësitë që mund t’i kishte bërë Lëvizja dhe unë.
Grupimet e organizuara në Belgjikë, në fillim të viteve të 80-ta, nuk kanë qenë të fuqishme. Grupimet e djathta nacionaliste pothuajse kishin pushuar së qeni, kurse grupimet e reja, të djathta dhe të majta, përbëheshin vetëm nga dy-tre individë, me dallim prej grupimit pro Lëvizjes, i cili dominonte. Vetëm kur ndodhi pluralizmi i simuluar e i shpifur në Kosovë në fillim të viteve të 90-ta, kishte një rritje organizative LDK-ja, me të cilën herë bashkëpunonim e herë jo.


Express: Ju e keni margjinalizuar rolin e emigracionit në Bruksel, por i jepni vend rolit të emigracionit në Zvicër. Boshti i veprimtarisë ka qenë i vendosur në Zvicër dhe Gjermani. Ju i jepni peshën Jusufit derisa vritet, por më vonë, edhe pas vrasjes, nxitet ose ngritët mitin për Jusufin dhe ajo ka një inercion. Na trego këto dy boshte edhe lëvizjet tua Zvicër - Gjermani, shihet që keni një njohuri të dukshme duke eliminuar Belgjikën si emigracion?

Ibrahim Kelmendi: Fillimi i kësaj lëvizjeje, për të cilën po flasim, ka ndodhur në Gjermani, ndërsa më vonë epiqendra është zhvendosur në Zvicër, për faktin se në Gjermani kishin ardhur shumë emigrantë gjysmë-analfabetë, domethënë ishin vështirë të “përpunueshëm”, ndërsa në Zvicër shumica kishin një shkollë të mesme. Në këto dy shtete emigracioni ka qenë më i madh në atë kohë. Në Belgjikë nuk kishte emigracion aq të madh. Atje ishin dy grupime të mëdha, emigrantë politikë nga Shqipëria dhe emigrantë ekonomik shqiptarë nga Turqia. Të dy grupimet ishin kryesisht të paarsimuara.

Express: Pse ishte Jusuf Gërvalla cak i UDB-së, dhe pse ai ishte i rrezikshëm për të?

Ibrahim Kelmendi: Unë them që UDB-ja duhet të ketë gjykuar se u arratis një kuadër më intelektual se këta të tjerët që ishin deri atëherë dhe prandaj do ketë influencë më të madhe. Emigrantët e paarsimuar në atë kohë kanë pasur një kult ndaj intelektualit, sepse ka pas një deficit të madh në Kosovë. Këta emigrantë që kishin shkuar atje për të punuar, kanë marrë atë gjendje sociale me veti, dmth. edhe kultin për intelektualin dhe atë gjendje e kanë konservuar. Menjëherë u përhap lajmi se u arratis një intelektual i zoti. Prandaj UDB-a priste se ai do të ketë një ndikim të madh. Për këtë arsye ajo qysh në fillim u mundua t’i presë hovin. Kështu që në start Rezili, personazhi që unë e argumentoj si doras, akoma pa arritur Jusufi, filloi të përhapë propagandë se Jusufin e ka dërguar UDB-ja për të na përçarë dhe se jemi të rrezikuar nga ai. Kjo po ndodhte akoma pa hy në tokë gjermane Jusufi. Kjo ishte metoda më e efektive për t`i frikësuar njerëzit. Rezili në mënyrë aktive u mor me këtë propagandë. Pothuajse 24 orë rrinte në stacione treni në Shtutgard, ju drejtohej shqiptarëve kur i njihte e nuk i njihte, mjaftonte kur i shihte se po blenin gazetën “Rilindja”. I gostiste me kafe dhe mandej u thoshte se UDB- a ka çuar një UDB-ash. Unë gjykoj nga ky kënd, se UDB-a ka marrë masa të menjëhershme që Jusufin ta pengonte që të mos kishte ndikim qysh në startim të veprimtarisë se tij në ekzil. UDB-ja mori ofensivë që ta diskreditojë Jusufin.

Express: A ka pasur sukses Rezili, personazhi juaj, që ta diskreditojë Jusufin sidomos te një masë që ka qenë krejtësisht analfabete?

Ibrahim Kelmendi: Te njerëzit që i kemi pas afër vetes, si të anëtarësuar, si simpatizantë, nuk ka pasur fare influencë. Ai pat krijuar influencë të kufizuar te një grupim i vet, sepse sapo u hetua që në Gjermaninë Qendrore filluam një angazhim konkret patriotik, si kundërpeshë ai në Shtutgart formoi një grup që fillimisht e quajti Grupi komunist “Zëri i Kosovës”.

Express: Pse personazhi juaj do të jetë vrasës dhe pse shqiptari duhet të jetë vrasës i Jusuf Gervallës e jo për shembull njerëz të specializuar të UDB-së? Në libër duket e mjegulluar kjo.

Ibrahim Kelmendi: Sepse edhe unë po të kisha qenë oficer i UDB-së njësoj do të kisha vepruar, do kisha zgjedh një shqiptar si doras. Kjo për faktin se nëse do e zbulonin gjermanët, atëherë do përhapej dezinformatë: “Shqiptarët vriten në mes veti për probleme të tyre të brendshme”. Ky duhet të ketë qenë motivi apo qëllimi kryesor i UDB-së, pse ka urdhëruar shqiptarë për të bërë atentatin.

Express: Ju e njihni Rezilin, ai është gjallë, jeton në Kosovë. Jeni frikësuar ndonjëherë se nuk e thoni të vërtetën, se dorasi nuk është ai, edhe pse në libër detajisht e përshkruani personazhin si vrasës dhe jepni arsyen pse është doras?

Ibrahim Kelmendi: Unë në këtë drejtim e kam ndërgjegjen e qetë. Thënë të drejtën, dëshiroja që Rezili të ketë një alibi, të mos ketë qenë atentatori, vrasësi, por kryehetuesi, të cilin fillimisht e kam orientuar drejt Rezilit si atentator i mundshëm, katërçipërisht më ka bind se Rezili nuk ka alibi. Ai dy herë ka qenë i arrestuar për këtë qëllim. Atëherë unë kisha informata të bollshme që të dyshoj në Rezilin, meqë kishte dhënë një urdhër për t’u bërë atentati ndaj Jusufit. Ngase i kishte dështuar, do e ketë vendosur ta bënte vetë, sepse për dështim të parë UDB-a mund t’i ketë kërkuar llogari. Prandaj, kur krye-hetuesi më ka bind se ai nuk ka alibi, atëherë u bëra kategorik, se dorasi duhet të jetë Rezili.

Express: Dorasi ka dhënë një alibi se ka qenë te motra…., por ju e demaskoni këtë?

Ibrahim Kelmendi: Unë e kam bërë këtë duke u thirr në bashkëbisedimet që kam pasur me kryehetuesin, sepse ai thotë që motra ka qenë shumë mirë e përgatitur, e ka mbuluar shumë mirë Rezilin, por nipat e tij, me të cilët ka biseduar kryehetuesi, kanë treguar se daja i tyre s`ka qenë natën e krimit të motra, bile ata i kanë treguar se nuk kishte qenë gati për dy vjet aty. Fatkeqësia e tij (kryehetuesit), siç është shprehur vetë kryehetuesi, është se ligji në Gjermani e ndalon që të miturit të jenë dëshmitarë në gjyq.

Express: Ju e dini se kush është vrasësi. Ai është Rezili. Meqë ju e keni pasur mik Jusufin, pse nuk e denonconi rastin, kur të miturit e motrës së tij tash janë rritur, ata mund të flasin në gjyq? Rezili jeton në Kosovë në një rajon të caktuar. Cili është obligimi moral i mikut të Jusufit, i cili është gjallë?

Ibrahim Kelmendi: Obligimi im moral është që të testoj opinionin, kam drejtë unë apo nuk kam të drejtë të shkeli mbi amanetin e Jusufit për të bërë pastaj denoncim konkret ndaj Rezilit. Pastaj obligim moral tashmë duhet ta kenë edhe lexuesit, që e kanë lexuar romanin “Atentatet”…

Express: Kemi të bëjmë me vrasje, porosia është çështje morale.

Ibrahim Kelmendi: Unë kam dilema, prandaj po marrë mendime nga njerëzit, se çfarë përshtypjeje u ka bërë romani. Edhe të tjetër kanë mundësi të bëjnë denoncimin. Janë me qindra që e dinë emrin e vërtetë të Rezilit, pasi e dinë se ai ka qenë kryetar i grupit komunist “Zëri i Kosovës”. Ata nuk janë të lidhur emocionalisht me Jusufin, siç jam unë që ndjehem i obliguar të respektojë një porosi të tillë. Pra, ata i kanë mundësitë më të hapura. Nëse ata s’e bëjnë, unë do i pres diskutimet dhe nëse më thuhet, se është më me rëndësi denoncim i dorasit, sesa porosia e Jusufit, atëherë do ta bëj këtë.

Express: Meqenëse po i lëmë lexuesit që ta lexojnë librin, nuk po ndalemi te rasti Gërvalla, se si është vrarë. Ti e prek një element jashtëzakonisht interesant në libër ose më mirë të themi ke prek edhe një personazh tjetër, Emil Kastriotin. Një personazh tejet konfuz, por një personazh i qartësuar nga ti dhe i paqartë në veprimtarinë e tij. Pse duket Emil Kastrioti i tillë?

Ibrahim Kelmendi: Unë e kam njohur atë edhe personalisht. Kam biseduar shpesh me të, sepse me secilin veprimtar në migracion unë s’kam pas kurrë një lloj paragjykimi të rri e të bisedoj me të, që të shikoj a kemi diçka të përbashkët që na lidh. Edhe në saje të atyre takimeve, më është imponuar të krijoj një lloj intuite që të mundem t’i vlerësojë dhe t’i kategorizoj njerëzit, janë apo nuk janë për bashkëpunim. Kështu unë, qysh herët, Emilin e kam kategorizuar në atë skedarin tim, se nuk është për bashkëpunim, se është destruktiv, bile se është i dyshimtë. Por me Emilin dhe të tillët, nuk kam dëshiruar të hyj në konflikt, sepse gjykoja se do harxhoja kot energji time dhe të organizatës ku bëja pjesë.

Express: Në libër i sheh ata si njerëz të rrezikshëm, megjithatë?

Ibrahim Kelmendi: Po, sigurisht, bile si shumë të rrezikshëm dhe unë kam menduar që duhet t`i lëmë rehat, nuk duhet të merremi me ta. Nëse merremi me ta, atëherë procesi shkon duke eskaluar dhe ndoshta do shkonim deri te vrasja.
Unë kam pas një përcaktim: vrasje në Perëndim nuk guxon të ndodhë, një për shkak të kultit që kam prej malësorit, se mysafiri nuk guxon të shpërdorë mirëpritjen e nikoqirit, domethënë, në shtëpi të huaj nuk bëhet sherr. Kështu që, meqë në Perëndim na kanë strehuar, na e kanë lejuar veprimtarinë patriotike dhe na kanë ofruar rast për një jetë më të mirë, atëherë unë kam qenë i përcaktuar që të kanalizojmë mërgatën tonë kundër vrasjeve, qoftë mes ne shqiptarëve, qoftë me të tjerët. Prandaj unë u kam ikur këtyre sherrxhinjve, që kanë qenë shumë të rrezikshëm, dhe kurrë nuk jam marr me ta. Kur ata janë marrë me mua, unë i kam duruar, kam heshtë dhe i kam injoruar. Vetëm një përplasje skandaloze e kam pas me Emilin, më pat bërë një sherr të madh, por e kam duruar, nuk jam hakmarrë.

Express: Në librin tënd, realisht një personazh krejt minor, është hero i një pjese të Kosovës. Ai është rivarrosur me nderime, i është ngritur kulti i personalitetit. Unë kam i kam lexuar reagimet e Ibrahim Kelmendit për një personazh të tillë, i cili gjatë jetës në diasporë ka qenë kontrovers dhe i dyshimtë. Ju e dini për cilin e kam fjalën, besoj?

Ibrahim Kelmendi: Bëhet fjalë ndoshta për Vebih Ibrahimin. Atë, nga njohja ime e drejtpërdrejtë dhe nga njohja përmes bashkëveprimtarëve në Bruksel, të cilët e kanë njohur më mirë se unë, e kam kategorizuar në atë skedarin tim si element kriminel, që merret me kontrabandë, me prostitucion me gjithçka, por veç patriotizëm e moral nuk i ka. Në fakt shtirej se ishte veprimtar e trim patriot, po i kishte vetëm si mjet për punë. Kështu gjykoja unë atëherë dhe kështu vazhdoj të mendoj, deri sa të më ofrohen prova kokëforta për të kundërtën.

Express: Po pse këto dallime kaq të mëdha. Realisht krijohet miti për një njeri i cili në diasporë ka pas krejt tjetër punë?

Ibrahim Kelmendi: Sepse këtu është lehtë të spekulosh. Unë di kopukë, që janë marrë me droga, kontrabandë, imoralitet, hajni, spiunim, që vijnë në Kosovë, paguajnë gazetar fukara, financiarisht dhe profesionalisht, që punojnë në televizion ose në gazeta dhe ua bëjnë me porosi reportazhet për t’i bërë hero. Pastaj ato shkrime i manipulojnë njerëzit, meqë nuk janë të informuar. Akoma kemi njerëz të shkretë, që kanë njëfarë kulti të vjetër, se ato që pasqyron televizioni ose gazeta, duhet të jetë e vërtetë. Pastaj të tillët fillojnë të madhërojnë edhe keqbërës, fillojnë t’u thurin këngë…

Express: Por, edhe miku i juaj, Haqif Mulliqi e ka madhëruar Enver Hadrin.

Ibrahim Kelmendi: Nuk e di. Ai e paska bërë një punë në mungesë të informatave, ose mund ta ketë ndjerë si obligim moral, sepse, ndoshta, në kohën e fundit Enver Hadri ka fituar një lloj ndërgjegjësimi patriotik dhe një siguri, se mund t’ia kthen shpinën padronit. Dhe ky lloj guximi atij i kushtoi me jetë. Ne e kemi diskutuar një rast, kur ai doli të propagandonte dhe të mbledhë lekë në emër të asaj që ka merita për rezolutën e parë për Kosovën, që pat aprovuar Parlamenti Evropian. Meqë unë isha në dijeni për procesin e rezolutës që në nismë, atëherë e këshillova:
“Enver je duke e rrezikuar veten. Ti ke dëgjuar si krejt bota në lajme për rezolutën. Tjetër meritë për të nuk ke. Mos i dil zot, sepse jo të gjithë nacionalistët serbë në Evropë i ka UDB-ja e Beogradit nën kontroll dhe dikush prej tyre mendon që ti vërtet e ke atë meritë që po mundohesh ta përvetësosh. Ndonjëri prej tyre mund të hakmerret ndaj teje, prandaj rri rehat dhe mos ia sjellë vetes ujkun në torishtë, në mënyrë kaq naive. Edhe këtë punën e mbledhjes se të hollave te bashkatdhetarët, gjoja në emër të shpenzimeve që ke bërë për të korruptuar parlamentarët për të miratuar rezolutën, do të lutesha ta ndërpresësh, mos i bezdisë se nuk i meriton”. Kanë qenë të paktën edhe 10 veta prezent, në klubin shqiptar “Idriz Seferi” në Bruksel, kur e kemi debatuar këtë çështje. Tash edhe Haqifi ka ndjerë obligim moral të shkruaj, por edhe unë kam ndjerë obligim moral që t`ia organizojmë varrimin, sepse nuk ka pas kush t’ia organizojë. Njerëzit e Lëvizjes i kam këshilluar që të merren me organizim sa më dinjitoz të varrimit të tij, sepse, megjithatë, më është dukur një gjest shumë i mirë e i guximshëm, që Enveri ka provuar të dalë nga shërbimi, sepse ka menduar që ishte dobësuar UDB-ja. Unë nuk druhem t`i them gjërat e përparme të tij, po kuptohet, siç i kam vlerësuar në kohë dhe do gëzohesha, sikur të kisha prova që të bindesha se ai ka qenë gjithë jetën patriot.

(Gazeta Express, Prishtinë, më 11 e 12 Mars 2007)

Mozaiku politik i mërgatës shqiptare në fillimvitet tetëdhjetë


Xhafer SHATRI
17 janari i vitit 1982, dita kur u vranë Vëllezërit Gërvalla e Kadri Zeka është një datë e trishtë në historinë e shqiptarëve. Edhe pse kanë kaluar 20 vjet, ajo ditë mbetet përgjithnjë e freskët me zinë e saj jo vetëm për familjet, por edhe për një numër njerëzish që kanë qenë të lidhur shpirtërisht e organizativisht me ta. Fjala është për pjesëtarët e brezit që i vuri kazmën Jugosllavisë së fuqishme, vetëm me një synim: të çlirohet Kosova dhe territoret e tjera shqiptare në këtë ish-shtet.
Nëse ju rastis të vizitoni ndonjërin prej këtij brezi do të shihni se nëpër banesa akoma i mbajnë portretet e martirëve që i vrau UDB-ja në Untergruppenbach. Ato portrete prej kohësh kanë statusin e ikonave. Për më tepër janë pjesë e rritjes, formimit dhe burrërimit të fëmijëve të tyre.
Ky brez ende pyet dhe pyet: pse edhe pas njëzet vjetesh, ky krim i shtetit serb, i kryer në mes të Evropës, ka mbetur i pandriçuar, ndërkohë që në inatet ndërshqiptare përplot emra janë lakuar si vrasës të mundshëm apo të sigurt?
1. Një Lëvizje e re përballë një shteti të vjetër
Në Kosovë, menjëherë pas demonstratave të vitit 1981, pati filluar në përmasa të pabesueshme, radiologjia e diferencimit politik që nënkuptonte terrorizimin psiqik, largimin nga shkolla e nga puna, arrestimin, torturën dhe burgimin e gjatë.
Shërbimet jugosllave përmes arrestimeve i kishin dhënë një grusht të rëndë Lëvizjes për pavarësi, mijëra njerëz ndodheshin nëpër burgje civile ose ushtarake; mbikëqyrej çdo gjo gjë e çdo kush. Elita politike duke qenë e papërgatitur për këto rrethana dhe e përçarë nuk mundi t'a përballojë presionin serb që mëtonte nënshtrimin definitiv të shqiptarëve. Në anën tjetër intelegjencia duke qenë krejt e papërgatitur dhe e pambrojtur u struk para rrezikut evident, kështu që politikën e shqiptarëve filluan ta bëjnë të rinjtë, që ende ishin me njërën këmbë në fëmijëri. Dhe kjo nuk ishte një politikë e madhe: aty këtu ndonjë trakt, ndonjë parullë, ndonjë revoltë e shkruar në letër, në mur ose në asfalt, po që përçonte një measazh të fuqishëm: kurrë nuk do të mund të na nënshtroni!
Në këto rrethana mërgata shqiptare përbënte një eshalon të veçantë të Lëvizjes për pavarësi. Përparësia e saj ishte se ajo ishte larg veprimit të drejtpërdrejtë të aparatit shtetëror, ishte prezente në vend, sepse një pjesë e madhe e mërgimtarëve qarkullonin rregullisht brenda e jashtë, kishte kontakte familjare e personale… Roli i saj ishte ndier në mënyrë të drejtpërdrejtë në prag, gjatë dhe pas demonstratave të vitit '81 përmes shtypit që përgatitej jashtë dhe shpërndahej brenda, përmes krijimit të rrjetit të organizimit etj.
I vetëdijshëm për rëndësinë e mërgatës shqiptare sektori i kryesisë së Jugosllavisë që koordinonte aktivitetin e gjithë sistemit të shërbimeve informative civile e ushtarake, e që atëherë udhëhiqej nga slloveni Stane Dollanc, u përcaktua për një grusht shkallmues që do t'i jipej mërgatës, në mënyrë që ajo të shfaktorizohej njëherë e mirë.
Në këtë vijë u organizua dhe u ekzekutua vrasja e Vëllezërve Gërvalla dhe e Kadri Zekës. Atentati u krye në kohën kur krejt aparati shtetëror i Jugosllavisë ishte përqëndruar në Kosovë dhe në territoret e tjera shqiptare; atëherë kur Kosovës po i dërrmoheshin njëra pas tjetrës të gjitha të drejtat dhe institucionet vetanake që ishin fituar me shumë përpjekje e flijime.
Atentati pati pasoja të rënda sepse u krye kur shumë prijës të Lëvizjes për pavarësi, që vepronin ilegalisht ose gjysmilegalisht ishin arrestuar dhe kundër tyre ishin kryer ose përgatiteshin proceset politike. Veç të tjerash, kjo vrasje shkaktoi tronditje të mëdha edhe për faktin se u krye në një periudhë destabilizimi e krize të thellë politike në gjithë hapësirat shqiptare. Ngjarjet e Kosovës në Shqipëri patën efekt të drejtpërdrejtë, sepse çuan deri te konflikte të përgjakshme në vetë udhëheqjen e shtetit për politikën që ishte ndjekur apo që do të ndiqej aty e tutje. Këto trandje madje ndikuan në fundin tragjik të kryeministrit të atëhershëm Mehmet Shehu.
Duhet pasur gjithashtu parasysh se atentati në Gjermani ishte edhe përballje e organeve të shtetit jugosllav me organet e shtetit shqiptar, sepse në rrethanat që ishin krijuar në Kosovë për politikën e Shqipërisë viktimat e atentatit ishin gurë me peshë në luftën politike e diplomatike që do të bëhej aty e tutje.
2. Mozaiku politik i mërgatës shqiptare në fillimvitet tetëdhjetë
Në atë kohë në mërgim vepronin shumë organizata. Që në krye duhet nënvizuar se mërgata e vjetër ishte rraskapitur madje edhe dërrmuar në përballjet e shërbimeve jugosllave me ato shqiptare që ishin bërë brenda saj. Por objekt i kësaj trajtese do të jenë ato grupime që mund të kishin një ndikim në rrjedhën e ngjarjeve në Kosovë. Atëherë në Evropën Perëndimore, konkretisht në Gjermani e Zvicër vepronin:
1. Besëlidhja Kombëtare Shqiptare, e drejtuar nga Emin Fazlia. Më 10 tetor 1981 UDB kishte vrarë në Bruksel, bashkëpunëtorin e tij të ngushtë Vehbi Ibrahimi, nënkryetar i Besëlidhjes, ndërsa në Fraknfurt kishte plagosur rëndë bashkëpunëtorin tjetër, Rasim Zenelin. Ky ishte një grupim politik me orientim të djathtë dhe bashkëpunonte me mërgatën kroate.
2. Grupi komunist "Zëri i Kosovës", një qerthull që drejtohej nga Riza Salihu.
3. Fronti i Kuq Popullor, udhëhiqej nga Ibrahim Kelmendi, dhe nxirrte gazetën "Bashkimi" (janë botuar 3 numra). Kjo gazetë shpërndahej edhe në Kosovë.
4. Organizata Marksiste Leniniste e Kosovës që nxirrte gazetën "Liria" (janë botuar 6 numra). Këtë organizatë në mërgim e udhëheqte Kadri Zeka. OMLK prej vitesh kishte aktivistët e saj në Zvicër.
5. Lëvizja Nacional çlirimtare e Kosovës dhe e Viseve të tjera Shqiptare në Jugosllavi (LNÇKVSHJ), të cilën në Evropën Perëndimore e ka udhëhequr Jusuf Gërvalla. Fillimisht Jusufi ka ndihmuar substancialisht nxjerrjen e gazetës "Bashkimi", pastaj ka nxjerrë gazetën "Lajmëtari i Lirisë" (gjithsej tre numra), së fundi filloi të nxirrte si organ të LNÇKVSHJ-së gazetën "Zëri i Kosovës".
Pas shpërthimit të demonstratave të vitit '81 u bënë përpjekje për bashkimin e disa prej këtyre organizatave, konkretisht mes atyre që kishin udhëheqje politike brenda, pra OMLK-së dhe LNÇKVSHJ-së.
Përpjekjet për bashkim janë bërë në Kosovë dhe në mërgim. Bisedimet për bashkimin e organizatave janë vonuar e vështirësuar për shkak të veprimit në ilegalitet dhe të rrethanave që u krijuan pas arrestimeve të mëdha gjatë gjithë vitit të demonstratave. Një takim i mbajtur në Stamboll, në tetor të vitit 1981, e në të cilin kishin marrë pjesë në një anë, Kadri Zeka si përfaqësues i OMLK-së, dhe në anën tjetër Sabri Novosella e Bardhosh Gërvalla, si përfaqësues të LNÇVSHJ-së kishte dështuar jo vetëm për shkak të dallimeve konceptuale. Bisedimet për bashkim të këtyre organizatave nuk mund të përjashtoheshin nga rrethanat shqiptare dhe rajonale, sepse organet e shtetit shqiptar pas disa dështimeve në përballjet me shërbimet jugosllave, përpiqeshin ta konsolidojnë apo thënë më mirë ta kontrollojnë Lëvizjen e Kosovës për pavarësi. Në treshin që u vra shteti shqiptar shihte shtyllat e rëndësishme të mbajtjes gjallë të qëndresës në Kosovë.
Megjithatë aktivistët e këtyre dy organizatave jashtë, konkretisht Vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka kanë bashkëpunuar ngushtë në nxjerrjen e gazetave, në organizimin e demonstratave dhe manifestimeve të ndryshme. Sipas burimeve të besueshme në prag të vrasjes janë bërë përpjekje fort serioze për bashkim dhe ai duhet të ketë qenë shumë afër.
3. Uniteti i veprimitJusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka janë takuar për herë të parë në mërgim, në fillim të vitit 1981. Prej atëherë dhe gjer në vrasjen e tyre ata kanë vepruar bashkë në shumë drejtime: në përgatitjen dhe publikimin e shtypit ilegal, konkretisht të gazetës "Liria", në organizimin e manifestimeve dhe demonstratave në mbështetje të kërkesave të Lëvizjes Studentore në Kosovë.
Demonstratën e parë e kanë organizuar në Bernë të Zvicrës më 1 prill 1981, një javë më vonë një demonstratë tjetër në Zürich, më 25 prill kanë organizuar një demonstratë në Stutgart. Me këtë rast janë hetuar agjentët jugosllavë duke fotografuar demonstruesit. Disa aktivistë të udhëhequr nga Bardhosh Gërvalla i kanë zënë ata në flagrancë dhe u kanë marrë aparatin. Në mesin e "fotografëve" kishte qenë dhe një shqiptar (BH), nëpunës i konsullatës jugosllave në Stutgart, përndryshe gjatë viteve shtatëdhjetë inspektor i UDB-së, i ngarkuar për mbikqyrjen e Qendrës së Studentëve.
Më 9 maj kanë organizuar një demonstratë në Dusseldorf.
Më 13 qershor 1981, u organizua një demonstratë në Bruksel.
Me këtë rast në formë të një peticioni konkretizohen kërkesat politike:
1. Kosovës t'i njihet statusi i Republikës në kuadër të federatës;
2. Popullit tonë t'i njihet e drejta për vetëvendosje;
3. Të lirohen pa kusht të gjithë të burgosurit politikë shqiptarë dhe të kthehen në Kosovë të burgosurit e tjerë;
4. Të mos plaçkiten pasuritë e Kosovës nga republikat jugosllave, por ato t'i shfrytëzojë Kosova për zhvillimin dhe pasurimin e vet;
5. T'i njihet e drejta e festimit të festave kombëtare dhe e përdorimit të lirë të flamurit kombëtar, nga të gjithë shqiptarët në Jugosllavi;
6.Kushte më të mira pune e jetese për nxënësit e studentët kosovarë, trajtim të barabartë me studentët e universiteteve tjera të Jugosllavisë;
7. Sigurimin e punës për të papunët dhe inkuadrimin e mërgimtarëve në vendlindje;
8. Lirinë e fjalës dhe shtypit;
9. Të pezullohet vendimi për shtetrrethim dhe ora policore;
10. Të tërhiqen të gjitha forcat policore e ushtarake të sjellura nga jashtë;
11. Autorët e krimeve të shëmtuara të nxirren para gjyqit të popullit, për të marrë dënimin e merituar.
Krahas organizimit të demonstratave Vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka kanë vepruar edhe në shtrirjen e rrjetit të organizimit brenda dhe jashtë. Një rëndësi të veçantë i kanë kushtuar shkatërrimit të klubeve që kontrolloheshin nga përfaqësitë jugosllave. Falë këtij aktiviteti prej vitit 1981 e tutje klubet jugosllave nuk janë frekuentuar më nga mërgimtarët shqiptarë. Veç klubeve janë prishur dhe diskredituar një vistër manifestimesh që regjimi i organizonte jashtë me qëllim të joshjes dhe manipulimit të mërgimtarëve shqiptarë.
4. Pse u krye atentati?Veprimtaria e gjithanshme e Vëllezërve Gërvalla dhe e Kadri Zekës pengonte në mënyrë të drejtpërdrejtë shërbimet jugosllave jashtë dhe brenda. Ata ishin një trio e kompletuar, që një lëvizjeje atdhetare i duhet shumë kohë për ta krijuar: Jusufi ishte një penë e fortë e me emër në Kosovë, Kadriu ishte jo vetëm gazetar i mirë, por sidomos organizator efikas me përvojë shumëvjeçare në organizimin ilegal, Bardhoshi fliste shumë mirë gjermanishten e anglishten dhe ishte komunikator i talentuar. Që të tre ishin të rinj dhe të mbrujtur me një idealizëm e gatishmëri për çdo flijim.
Mirëpo, përballë tyre ata kishin një shtet të fortë e me shumë mundësi. Jugosllavia prej themelimit të saj, pra që më 1918 e tutje, ka zhvilluar një luftë të pamëshirshme kundër oponentëve të këtij shteti, konkretisht kundër përfaqësuesve të popujve që nuk kishin pranuar të futen nën tutelën serbe. Prijësit më me peshë të kroatëve, maqedonëve dhe shqiptarëve, që i janë kundërvënë politikës serbe, janë ndjekur në vazhdimësi dhe janë luftuar me të gjitha mjetet nga eskadronet speciale serbe.
Prej atëherë e gjer më sot sektorët më të përgatitura të shërbimeve informative serbe kanë qenë ato që kanë luftuar kundër mërgatës kroate, shqiptare etj. Format e luftës kanë qenë të nduarduarshme: përcjellje e përgjime hap pas hapi, intriga e përçarje, kërcënime dhe eleminime fizike.
Kjo praktikë ka vazhduar edhe më me këmbëngulje pas Luftës së Dytë Botërore. Disa dhjetëra prijës kroatë janë vrarë në atentate spektakulare nga më të ndryshmet dhe nga më të çuditshmet.
Struktura të tëra të shërbimeve informative që janë kontrolluar nga serbët kanë funksionuar jashtë. Këto struktura kanë pasur fonde marramendëse, përmes të cilave kanë depërtuar jo vetëm nëpër "organizatat armiqësore", por edhe në struktura shtetërore të vendeve të ndryshme dhe në organizata e institucione ndërkombëtare me peshë.
Shërbimet serbe me dekada kanë vepruar të papenguara nëpër shumë vende perëndimore, ku përmes parave, femrave, shantazhit etj. kanë qenë fort të pranishme edhe në qendra themelore të vendimmarrjes. Frytet e këtij aktiviteti Beogradi do t'i korrë sidomos gjatë viteve nëntëdhjetë, kur pa ndonjë pengesë serioze do ta përgjakë keq Kroacinë, do ta masakrojë Bosnje e Hercegovinën dhe përmes një apartheidi të hapur e brutal do ta mbajë Kosovën në zgripc të ekzistencës.
Ndikimi i nëndheshëm i Serbisë u rrënua vetëm kur Beogradi, faqe tërë botës, u përpoq ta asgjësojë krejt popullin e Kosovës.
Në këtë kuptim përballja e mërgatës së re politike të Kosovës (që ishte pa asnjë mbështetje politike, që nuk kishte arritur të ketë as ndikimin më të vogël në mediat e fuqishme perëndimore, që kishte një gjendje financiare katastrofike) me strukturat e shërbimeve jugosllave ishte tmerrësisht e pabarabartë. Lëvizja shqiptare kishte vetëm një epërsi: idealizmin e pakufishëm, i cili mund të mbijetojë vetëm në aspiratën e përjetshme për të qenë dhe për të jetuar të lirë.
Me një fjalë, shërbimet serbe kanë përcjellë gjithë aktivitetin e mërgatës shqiptare nga brenda dhe nga jashtë, sepse ky ka qenë një organizim që posa kishte filluar të vërë rrënjë dhe infiltrimi i provokatorëve nuk ka qenë i pamundshëm. Kështu që përcjellja e Vëllezërve Gërvalla dhe e Kadri Zekës nuk ka qenë ndonjë problem i madh për UDB-në. Lëvizjet dhe aktivitetet e tyre kanë qenë publike :
28 Nëntorin, ditën e Flamurit e kanë festuar në rrethinën e Ludwigsbourg-ut. Aty Jusufi e Kadriu kanë pasur një debat të drejtpërdrtejtë (pyetje-përgjigje) me bashkatdhetarët.
Më 2 janar është martuar Kadri Zeka me Saime Isufin. Në dasmë kanë marrë pjesë rreth 50 aktivistë nga Zvicra dhe Gjermania. Ne dasmë kanë qenë edhe vëllezërit Gërvalla.
Më 13 janar 1982 Kadri Zeka ka udhëtuar me tren për Gjermani. Konkretisht në Dusseldorf, ku ka ndejtur gjer më 16 janar. Po atë ditë ka udhëtuar për në rrethinën e Stutgartit, konkretisht në Bernhausen, ku Vëllezërit Gërvalla kishin organizuar shfaqje të filmave shqiptarë me një rreth bashkatdhetarësh.
Aty kanë ndejtur deri pas mesnatës. Në banesën e Vëllezërve Gërvalla, në rrugën Habichthöhe, nr. 40, në Untergruppenbach, qytezë afër Heilbronn-it kanë arritur kah ora 3 e mëngjesit. Atë natë nuk kanë fjetur fare. Gjatë ditës kanë planifikuar aktivitetet e mëtejme. Në mbrëmje kanë dalë nga ora 22:00 me veturën e Bardhit, një BMW 316 ngjyrë e gjelbër me targë HN-CY 353.
5. Neve na vrau UDB-ja jugosllave!Lagjja ku kanë banuar Vëllezërit Gërvalla ka qenë një lagje e qetë e banuar kryesisht me mësues, mjekë, inxhinierë. Në njërën hyrje të rrugës, në anën e majtë ka pasur shumë garazha, gjithashtu edhe përballë banesës dykatëshe të familjes Gërvalla ka pasur të tilla.
Ndërkaq në fillim të kthesës atëherë ka qenë në ndërtim e sipër një shtëpi trekatëshe. Siç është konstatuar më vonë, agjentët e shërbimeve sekrete jugosllave prej asaj ndërtese kanë përcjellë jo me ndonjë drojë të veçantë banesën e familjes Gërvalla, hyrjet, daljet etj…
Atë kohë ka pasur jo pak indikacione se po përgatitet eliminimi i Vëllezërve Gërvalla dhe i Kadri Zekës.
Nata e 17 janarit 1982 ka qenë shumë ftohtë e me shumë borë.
Vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka kanë dalur në atë kohë, siç i kanë thënë shoqes së Jusufit, Syzana Gërvallës për ta bërë një telefonatë nga një kabinë e një fshati fqinj. Ndoshta për të evituar përgjimin.
Nga shtëpia kanë dalë rreth orës 22:00. Kanë hyrë në garazhë, kanë hipur në veturë, të cilën e ka ngarë Bardhoshi. Për të dalë nga garazha në rrugë, vetura për shkak të borës është dashur të ngitet së prapthi deri në krye të hyrjes së rrugës, pra rreth 30 metra. Në krye të kthesës vetura është lakuar majtas për të pasur hapësirë për kthim dhe dalje në rrugë. Ky manovrim është bërë mu përballë shtëpisë në ndërtim, ku kanë qenë të fshehur vrasësit.
Këta të fundit kanë parë daljen e veprimtarëve shqiptarë nga banesa pastaj hyrjen në garazh dhe janë bërë gati për të ekzekutuar atentatin. Kur vetura ka ardhur së prapthi përballë shtëpisë në ndërtim, vrasësit kanë qenë prapa saj. Sipas dëshmitarëve kanë qenë dy vrasës, njëri ka eliminuar Bardhosh Gërvallën duke e qëlluar 6 herë, ndërkaq tjetri ka vrarë Kadri Zekën që ishte në ulësen e përparme, në anën e djathtë. Pastaj e kanë plagosur për vdekje Jusuf Gërvallën që ishte ulur në ulësen e prapme. Dhe janë larguar pasi kishin zbrazur 12 plumba. Ndërkaq vetura ka vazhduar të ecë përpara gjersa është ndalur në derën e një garazhi përballë.
Ndërkohë një fqinj, gjerman, ka informuar familjen Gërvalla për gjëmën. Syzana Gërvalla e ka gjetur të shoqin gjallë, duke mbajtur plagët me dorë. Ai e ka pyetur për Bardhin e Kadriun se a janë gjallë dhe i tregon se ka parë një njeri të gjatë që ka shtënë mbi ta, por nuk e ka njohur. Pastaj i ka lënë porositë e fundit gruas së tij.
Pas gjysmë ore vjen ndihma e shpejt nga Heilbronn-i.
Pas intervenimit kirurgjikal, në ora 3 të mëngjesit të datës 18 janar 1982 edhe Jusuf Gërvalla jep shpirt. Por para se të vdes Ai arriti t'i thotë policisë gjermane: Neve na vrau UDB jugosllave!
Kjo fjalë e atdhetarit dhe poetit Juusuf Gërvalla, e shqiptuar me frymën e fundit do të sfidojë gjithë makinerinë jugosllave të dezinformimit.
6. Praktikat e ekzekutimitVendimi për ekzekutimin e kundërshtarëve politikë, normalisht është marrë në nivelin më të lartë të vendit. Fillimisht shërbimet informative kanë mbledhur të gjitha të dhënat e mundshme për viktimën e ardhshme: adresën (vendi ku banon, kati, fqinjtë, zakonisht është përgjuar telefoni në atë mënyrë që në bodrum ose në gypat ku janë vënë telat e telefonit kanë instaluar mikrofonët), sjelljen (ku dhe me kë rri, ku punon, me çka udhëton, me kë praktikon hyrjedalje, etj., etj.). Të gjitha këto të dhëna janë konkretizuar edhe me vizatime ekspertësh e fotografi.
Pasi është analizuar dosja është caktuar ekipi i atentatorëve dhe i mbështetësve përanash, shlyerësit e gjurmëve të mundshme. Krahas kësaj janë përgatitur edhe dezinformatat, të cilat i ka përhapur rrjeti agjenturor para dhe pas atentatit. Në këtë veprimtari përfshihen edhe letrat e telefonatat anonime drejtuar organeve gjyqësore, mediave dhe personaliteteve të ndryshme. Synimi është që jo vetëm të fshehen gjurmët, por edhe të futet konfuzion sa më i madh dhe krimi politik të paraqitet si qërim hesapesh në mes rivalëve politikë apo si qërim hesapesh në mes përfaqësuesve të nëntokës etj. etj.
Kështu ndodhi edhe me rastin e atentatit kundër Vëllezërve Gërvalla e Kadri Zekës. U ngrit një pluhur i tillë dezinformatash sa që nuk errësoi vetëm mërgatën por edhe krejt Kosovën. Ky pluhur vazhdon të ndotë ambientin politik shqiptar edhe sot pas njëzet vitesh nga atentati. Lakohen emra njerëzish, kryesisht shqiptarë. Në këtë ka ndikuar edhe bashkëfajësia e organeve gjermane për këtë rast, sepse ato menjëherë pas atentatit madje edhe përmes shtypit nxorën dhe arrestuan si të dyshmitë kryesor për atentatin një refugjatë shqiptar nga Kosova, konkretisht Riza Salihun, duke publikuar në media edhe fotografinë e tij, gjë që dëshmon se sektori i UDB-së për dezinformim, kishte kryer punën në mënyrë të përkryer.
Riza Salihu, një refugjat entuziast nga Mushtishti i Therandës, krahas aktivitetit atdhetar ka qenë i angazhuar, si jo pak të rinj të Kosovës, edhe nga ana e Ambasadës shqiptare në Vjenë, ku ishte qendra e sigurimit të shtetit për Evropën Perëndimore, për të propaganduar politikën e shtetit shqiptar dhe për të informuar për çdo gjë që sheh e që dëgjon, jo vetëm në mjediset e mërgatës shqiptare në Gjermani.
Në këtë veprimtari Rizah Salihu si duket ka qenë edhe më tepër si i përpiktë e i përkushtuar. Shkas për arrestimin e tij ka qenë fakti se ai gjoja i ka hapur kutinë postare (Postfachun) Jusuf Gërvallës, për ta kontrolluar dhe për të informuar Qendrën e Sigurimit shqiptar në Vjenë. Jusufi gjoja e ka kuptuar këtë dhe i ka informuar shokët e tij? Apo se policia gjermane e ka ndalur me një rast dhe i ka gjetur një revole… Se Riza Salihu mund të ketë pasur konflikte me grupet e tjera politike në mërgim kjo nuk është për t'u çuditur, sepse nxitja e grindjeve dhe përçarjeve në mërgatë ka qenë një metodë klasike e sigurimit shqiptar për ta kontrolluar edhe mërgatën e Kosovës, e cila ditë e më tepër fitonte në peshë me rolin dhe mundësitë e saj. Rizah Salihun organet hetuese gjermane e mbajtën në burg rreth 5 muaj. Por Riza Salihu nuk ka qenë i implikuar në vrasjen e vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës, ai më tepër ka rënë viktimë e veprimeve speciale të UDB-së gjatë fshehjes së gjurmëve të krimit në Untergruppenbach.
Fillimisht policia e Baden Würtembergut formoi një komision special ku duhet të kenë qenë të angazhuar rreth 40 persona. Që në ditët e para policia publikoi përshkrimin e mundshëm të vrasësve duke premtuar edhe një shpërblim prej 10 mijë DM për dëshmi të besueshme. Në kërkesën e policisë për bashkëpunim jipen edhe këto të dhëna:
Të dielen, më 17 janar 1982, rreth orës 22h15 i kanë vrarë vëllezërit Gërvalla dhe shokun e tyre Kadri Zekën. Gjatë daljes së tyre nga garazhi dy persona kanë shtënë me armë mbi ta. Ka të dhëna të besueshme se vrasësit janë sjellur nëpër Untergrupenbach të paktën prej datës 10 janar 1982. Ata duken si më posht:
I dyshimti i parë: Rreth 30 vjeç, i gjatë 180-183 cm. I fuqishëm. Ka në kokë një kapelë të kthyer në majë. Pallto të shkurt ngjyrë kafe me jake të mbylltë, pantollona të kuq e të ngushtë, çizme të gjata me një rreth leshi të bardhë lart. I dyshimti i dytë: ka rreth 25 vjet, është më i thatë dhe më i vogël se i pari. Ai ishte i veshur me tesha ngjyrë të mbylltë. Në kokë kishte një kapulaçë të leshtë me një topth në majë.
Krahas këtij informacioni, policia kishte publikuar gjithashtu edhe fotografinë e veturës me të cilin mund të jenë arratisur vrasësit. Fjala është për një Citroén CX2000 ngjyrë të çelur.
Për dëshmitarët e mundshëm ishte dhënë edhe telefoni i policisë: 07131 104 2205.
Pas nëntë muaj hetimesh, kur dosja 08/15 kishte rreth 30 vëllime dokumentacion, por asnjë të arrestuar me akuzë të argumentuar, autoritetet gjermane vetëm mund të pohojnë se "kjo është një vrasje politike e kryer nga vrasës profesionistë dhe se dyshohet se një apo më shumë shërbime të fshehta drejtpërdrejt apo tërthorazi kanë marrë pjesë në tërheqjen e këmbëzave të revoleve të kalibrit 7.65 mm" (Heilbronner stimme, datë 1 tetor 1982).
7. Kush i vrau Vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zekën?Eshtë e njohur se UDB-ja si armë për atentate ka përdorur revolet "Bereta" të kalibrit 7.65mm.
Pas vdekjes së Titos kupola e shërbimeve informative, ka qenë e përqëndruar në duart e Stane Dollancit, anëtar i Kryesisë së RSFJ-së. Ministër i Punëve të Brendshme ka qenë gjenerali partizan Franjo Herleviq, me kombësi kroate.
Me ardhjen e Dollancit në Kryesi, shërbimet informative ndryshojnë dukshëm metodat e veprimit. Njëra prej ndryshimeve është ajo se UDB fillon të angazhojë nëntokën jugosllave, shtyllat e mafisë, për të eliminuar kundërshtarët politikë jashtë.
Sipas shumë burimeve del se atentatin në Untergruppenbach e ka kryer Zheljko Razhnjatoviq, i njohur me nofkën Arkan. Ky ishte bir i një oficeri të lartë të KOS-it (Shërbimi ushtarak i kundërzbulimit) me kombësi malazez. Ai që krejt i ri u mor aktivisht me delikuencë: rrahje, vjedhje, plaçkitje, përdhunime. Duke qenë në vuajtje të dënimit ai ikën nga burgu dhe del jashtë, ku kryen vepra spektakulare krimi. Arrestohet, por arrin të ikë nga burgjet më të njohura të Suedisë, Belgjikës dhe Zvicrës. Nga kriminel me renome ndërkombëtare Arkani, me insistimin personal të Stane Dollanc-it bëhet oficer me ndikim të fortë i shërbimeve serbe.
Ka indikacione se në këtë krim ka qenë i implikuar edhe krimineli tjetër, përndryshe bosi i mafisë së Frankfurtit, Ljubo Zemunac.
Këta të dy, një vit më vonë, e kanë ekzekutuar afër Munihut edhe personalitetin e njohur kroat Stjepan Gjurekoviq, duke e masakruar edhe me sopatë.
Gjatë viteve nëntëdhjetë Arkani do të jetë grushti i hekurt i regjimit serb kundër popullsisë civile në Kroaci, në Bosnje dhe në Kosovë. Ai ka udhëhequr njësitë e ushtrisë që kishin në përbërje kriminelët më të regjur e më katilë të nëntokës serbe.
Edhe sot, pas njëzet vitesh, policia gjermane zhvillon hetime lidhur me krimin në Untergruppenbach. Gjykata e këtij vendi të madh evropian akoma nuk ka nxjerrë në bangë të zezë organizatorët, vrasësit apo pjesëmarrësit e çfarëdo niveli në këtë atentat.
Por nuk duhet harruar se shërbimet informative gjermane, duke qenë ndër më seriozet e më profesionalet në botë dhe më depërtueset në Evropën Juglindore e dijnë saktësisht gjithë zinxhirin dhe gjithë personat e implikuar në këtë vrasje të shumëfishtë, e cila e qiti në të dy gjunjtë Lëvizjen e Kosovës për Pavarësi.
Eshtë udhëheqja politike gjermane ajo që bart përgjegjësinë pse nuk ka ngritur kurrë zërin për këtë krim të shëmtuar. Eshtë vetëm një përjashtim: menjëherë pas atentatit një deputet i partisë Socialdemokrate, aso kohe në opozitë, pati shtruar një pyetje në parlamentin federal se a qëndrojnë shërbimet serbe prapa këtij atentati. Asgjë më shumë. Për më keq as autoritetet lokale nuk denjuan familjen Gërvalla, që kishte kërkuar strehim politik në këtë vend, me një telegram ngushëllimi.
As mediat gjermane nuk i kushtuan rëndësinë që pritej atentatit në Untergruppenbah. Bën përjashtim vetëm revista prestigjioze Der spiegel, e cila menjëherë pas vrasjes botoi një artikull, në të cilin pa asnjë hezitim drejtoi gishtin drejt burimit të këtij krimi, duke e ngarkuar me përgjegjësi UDB-në jugosllave.
… Dhe dihet se në këtë organ diabolik kanë punuar dhe jo pak shqiptarë dhe ka në mesin e tyre që e dijnë saktësisht se si dhe kush i ka vrarë Vëllezërit Gërvalla e Kadri Zekën, se si dhe kush e ka vrarë Rexhep Malën e Nuhi Berishën, se si është qitur në kurth Zija Shemsiu, se si dhe kush i ka eliminuar Afrim Zhitinë dhe Fahri Fazliun…, që e dijnë se cilët kanë qenë urithët e policisë politike nëpër organizatat ilegale të Kosovës jashtë dhe brenda… etj., etj. Por deri më sot asnjëri prej tyre nuk e ka çelur thesin. Dhe kjo flet shumë, flet për mungesë ndërgjegjeje, madje edhe për bindje se kanë vepruar drejt… Flet për shoqërinë kosovare, e cila ka mbamendje kaq të cekët, flet për elitën politike shqiptare dhe për moralin e saj të dyshimtë… Sepse ajo në bërrylimet për pushtet gati fiktiv harroi 20 vjetorin e vrasjes në Untergruppenbach dhe detyrimin e saj që në njërin prej shesheve kryesore të kryeqytetit t'u ngrisë një përmendore të përbashkët atyre që ishin ndërgjegja e kombit, atyre që u flijuan për këtë ditë të madhe… Dhe njëherit të rezervojë dy pëllëmbë toke te varrezat e dëshmorëve e t'i vendosë aty eshtrat e këtyre Burrave që nderuan Kombin.

Akademik Prof.dr.PhD. Rexhep Qosja mbi çthurjet ideologjike në shoqërinë shqiptare dhe eksperimentin proserb të ashtuquajtur “kombi kosovar”.

AKADEMIK REXHEP QOSJA Ideologjia e shpërbërjes – trajtesë mbi idetë çintegruese në shoqërinë e sotme shqiptare Argumente të shpikura për “k...