2012-03-05
Papërgjegjësia e LDK-së dhe AAK-së
Shkruan: Bedri Halimi
Kryeministri i Kosovës nuk ka nevojë të fshihet mbrapa Amerikës, sepse Amerika përderisa ishte ndihmuese e madhe në çlirimin e Kosovës dhe në shpalljen e Pavarësisë së saj, rrjedhimisht ajo është edhe orientuese e veprimeve politike të Hashim Thaçit. Pak ka rëndësi nëse i beson kryesia e AAK-së kryeministrit, sepse ai ka besimin e dyfishtë: edhe të Amerikës, edhe të popullit të Kosovës, nga i cili e ka marrë votën për ta qeverisur Kosovën. Kryesia e LDK-së përmes fanatikëve të vet, në mënyrë të heshtur tenton të bëjë diversion politik në popull, përmes gjuhës së gënjeshtrave, duke u thënë njerëzve se si: “Kosova shkoi”, “Pavarësia u zhbë”, se si “gjendja në Kosovë tash qenka rikthyer në vitin 1999” etj, etj. Kjo parti në periudhën e pasluftës, pikërisht duke iu falënderuar gjuhës së mashtrimit, arriti që t’i fitojë zgjedhjet
Pas marrëveshjes së Kosovës dhe Serbisë rreth çështjes së fusnotës, me insistimin e SHBA-së dhe BE-së, ndaj Qeverisë së Kosovës kanë vërshuar kritika nga më të ndryshmet. Është normale që të ketë kundërshtime dhe mendime të ndryshme, por në këtë rast kemi të bëjmë me tendencat e një fushate histerike nga opozita si dhe nga individë të caktuar. Këtu janë gërshetuar: xhelozia, inatet, mllefi, urrejtja dhe intrigat e llojeve të ndryshme.
Sa i përket qëndrimit të partisë “Vetëvendosje”, ajo e ka të qartë qëllimin e saj dhe qëndrimin politik, të cilën kaherë e ka bërë transparent dhe nuk e fsheh. Mirëpo, partitë e tjera opozitare si LDK dhe AAK, rreth gjendjes aktuale në të cilën ndodhet Kosova kanë qëndrime “as mish, as peshk”.
Qëndrimet anemike të AAK-së
AAK-ja si parti opozitare del e deklaron se “i beson shumë Amerikës, por nuk i besojnë aspak Kryeministrit Thaçi”. Këtë deklarim e bëjnë për çështjen e fusnotës. Ndërkohë që edhe AAK si dhe të gjithë të tjerët, e dinë se qëndrimi i kryeministrit Thaçi është i njëjtë me atë të Amerikës.
Kësaj pune i thonë ‘jo buka po kulaçi’, sepse pak ka rëndësi nëse i beson AAK-ja kryeministrit të Kosovës, sepse kryeministri ka besimin e dyfishtë: edhe të Amerikës, edhe të popullit të Kosovës nga i cili e ka marrë votën për ta qeverisur Kosovën. Dhe jo vetëm kaq! Përderisa Amerika i beson Hashim Thaçit; përderisa AAK i beson Amerikës, nga kjo rrjedh se: edhe AAK i beson Hashim Thaçit.
Ani pse deklarimet politike të AAK-së bëhen për përfitime partiake, sepse nëse vërtet Amerika i beson Hashim Thaçit, ndërsa AAK nuk i beson Hashim Thaçit, nga kjo do të rridhte që: edhe AAK nuk i beson Amerikës, pavarësisht deklarimeve formale që do të bënte kjo parti.
Gjylet e mjegullës nga LDK
Ndërkaq, sa i përket LDK-së, si parti më e madhe opozitare, çështja është pak më e ndërlikuar. Së pari, LDK-ja është kritikuar si antiamerikane nga ambasadori i Amerikës në Kosovë. Së dyti, LDK-ja në qëndrimin e saj “as mish as peshk” në këtë situate, merr turr që në njërën anë të përbehet se nuk është antiamerikane dhe antievropiane, ku në paraqitjet publike herë herë mundohet të jetë e përmbajtur, por, edhe përkundër flakareshës politike të marrë nga Amerika, në rastet e caktuara, përmes zyrtarëve të stafit të dytë të LDK-së mundohen të lansojnë topa mjegulle në opinion.
Kështu për shembull, kërkesës së “Vetëvendosjes” për seancë të jashtëzakonshme rreth çështjes së fusnotës, të cilës i duhen të mblidhen dyzet nënshkrime deputetësh, edhe LDK, si AAK-ja, nuk pranojnë që të nënshkruajnë as si parti dhe as si individë në radhët e deputetëve të këtyre dy partive. Kurse deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, deklaron se nuk bën që të injorohet vullneti i 15.000 nënshkrimeve të qytetarëve të cilat i ka mbledh “Vetëvendosja”, dhe bën thirrje që Kuvendi ta marrë në konsideratë çështjen e këtyre nënshkrimeve të qytetarëve, ndërkohë që po ky deputet i LKD-së, Armend Zemaj, vetë nuk ka guxim të nënshkruaj në listën e deputetëve për të kontribuar kështu në plotësimin e kriterit të mbledhjes se dyzet nënshkrimeve të deputetëve.
Prandaj merreni me mend se sa serioze është kjo parti opozitare, kur zyrtarët e saj bëjnë edhe kësi kalkulimesh politike. Apo ndoshta deputetet e LDK-së kanë frikë se mos sërish dikush do t’i quaj antiamerikan dhe antievropian?!
Por makinacionet politike të LDK-së nuk përfundojnë me kaq, ngase kjo parti ka marrë qëndrim të heshtur që tu futën njerëzve nëpër shtëpi por tua sqaruar se si: ”Kosova shkoi”, “Pavarësia u zhbë”, se si “gjendja në Kosovë tash qenka rikthyer në vitin 1999” etj, etj. Në këtë rast, kjo parti në mënyrë të heshtur në popull tenton të bëjë diversion politik përmes gjuhës së gënjeshtrave, duke përfituar pos tjerash edhe në situatën socio ekonomike të popullit të Kosovës.
Në vend se energjitë e veta kjo parti ti drejtonte publikisht duke dhënë kontribut në dhëniën e alternativave si dhe në bërjen e kritikave ndaj të metave reale të Qeverisë, duke treguar edhe rrugët e mundshme të zgjidhjes së tyre, kjo parti ka zgjedhur rrugën e obstruksionit politik, me qëllim të vetëm që të nxis dhe rrisë shkallën e pakënaqësisë qytetare ndaj Qeverisë, si dhe duke ju premtuar heshturazi se rruga e vetme e shpëtimit të Kosovës nga kjo “katrahurë” qenka rruga e tyre.
Taktikat e moçme të LDK-së për përfitime politike
Një platformë e tillë e veprimit politik të LDK-së, nuk është e panjohur për opinionin e gjerë të Kosovës dhe jo vetëm të saj. Ngase kjo parti në periudhën e pasluftës, pikërisht duke iu falënderuar kësaj forme të veprimit në popull, përmes gjuhës së mashtrimit, arriti që ti fitoi zgjedhjet.
Atëbotë misionarët e kësaj partie, përmes aktivistëve të ndryshëm, kishin marrë përsipër që të depërtonin shtëpi më shtëpi, për t’ia bë me dije qytetarëve se: ”nëse fitojnë këta të Luftës do të na vrasin të gjithëve, e sidomos ata që nuk kanë marrë pjesë në luftë”!
Përmes metodës së frikësimit, si dhe në anën tjetër, përmes ekseseve të ndryshme, (shumica nga të cilat mjerisht ende kanë mbetur të pazbardhura), kjo parti ja arriti qëllimit. Dhe ky avaz vazhdoj derisa populli e kuptoj se ishte i manipuluar në njërën anë dhe në anën tjetër, për shkak të keqqeverisjes që kishte bërë, e humbi pushtetin në të gjitha nivelet.
Njeriu mund të mashtrohet për një moment siç për një moment mund të mashtrohet edhe populli, por kurrë nuk mund të mashtrohet përherë as individi e as populli.
Mjegulla duhet zhdavaritur
Është gjë e mirë që Qeveria ka filluar të zbresë nëpër Komuna për ta sqaruar opinionin. Por do të bënte mirë sikur edhe partia që është në pushtet, të dal në terren, për ta bërë të njëjtën gjë, në mënyrë që të zhdavaritet njëherë e përgjithmonë mjegulla e shkaktuar nga gjuajtjet e gjyleve nga topat e LDK-së që shpërndajnë mjegull.
Kryeministri i Kosovës nuk ka nevojë të fshihet mbrapa Amerikës, sepse Amerika përderisa ishte ndihmuese e madhe në çlirimin e Kosovës dhe në shpalljen e Pavarësisë së saj, rrjedhimisht ajo është edhe orientuese e veprimeve politike të Hashim Thaçit. Përderisa Amerika e përkrah Hashim Thaçin dhe përderisa Hashim Thaçi i ka fituar zgjedhjet, kjo do më thënë se Hashim Thaçi është aktualisht lisi më i madh në Kosovë.
E lisat më të mëdhenj i rrah era vazhdimisht nga do që të fryjnë. Historikisht dhe aktualisht Amerika ka qenë, është dhe do të mbetet pasqyrë e orientimeve pro perëndimore të Kosovës. E nëse dikujt pasqyra ja qet hundën e shtrembër, pasqyra nuk është fajtore.
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
181 vjet nga lindja e Ismail Qemalit
Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Teksa ngrinte flamurin e palosur të Skënderbeut pë...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...
-
Organizatorët e protestave antiqeveritare në Serbi kërkuan nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, që të paraqesë planin e tij për Kosovën ...
-
Erika Bruçi Kjo u lind ne Kanada dhe pikerisht eshte nga Vankuveri , u formua ne Kosovë (sh...
-
Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi ,PHD Elon Reeve Musk ( 28 qershor, 1971)...
No comments:
Post a Comment