Me rastin e 4-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, shoqata e miqësisë shqiptaro-sllovene “Dardania”, në bashkëpunim me Shoqatën e Shkrimtarëve të Sllovenisë, organizoi në Lubjanë një mbrëmje letrare të titulluar “Mbrëmja e Rifat Kukajt”
Lubjanë – Në ambientet e Shoqatës së Shkrimtarëve të Sllovenisë ku ishin të ftuar shkrimtarë, artistë, intelektualë dhe albanologë, u kujtua vepra dhe jeta e shkrimtarit e publicistit të njohur kosovar, Rifat Kukaj.
Fillimisht pjesëmarrëseve iu drejtua kryetari i shoqatës së miqësisë shqiptaro-sllovene, Agron Millaku, i cili i informoi të pranishmit për synimet e shoqatës për ta promovuar, ruajtur dhe kultivuar identitetin shqiptar në Republikën e Sllovenisë, si dhe mundësit e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave në mes dy kulturave në të ardhmen.
Më pas foli kryetari i shoqatës së shkrimtarëve slloven, Veno Taufer, i cili tha se është shume i mallëngjyer, pasi që ky manifestim po ia kujton kohën kur në ketë objekt kishte pasur rast ta njihte edhe presidentin e ndjerë, Ibrahim Rugovën, dhe shkrimtarë tjerë, si Rifat Kukaj, Enver Gjerqeku, Azem Shkreli etj.
Mbrëmjen e nderoi edhe ambasadori i Republikës së Shqipërisë, Sandër Kovaçi. Më pas, gazetari dhe albanologu Drago Flis, në gjuhën sllovene dhe shqipe shpalosi krijimtarinë e begatë të Kukajt, duke vënë theksin në romanin “Lepuri me pesë këmbë”, i cili është i përkthyer në gjuhën sllovene si dhe fitues i çmimit letrarë “Oton Zupançiç” në Lubjanë.
Poezinë dhe prozën shkrimtarit Kukaj, tek të pranishmit e sollën në të dy gjuhët Shqipe Millaku dhe Meta Lokar, si dhe u lexuan poezi të shkrimtares sllovene Neza Maurer, e cila ishte përkthyer nga krijuesi ynë, Rifat Kukaj.
Ndërsa në debatin për dialogun ndërkulturor, folën edhe studiues tjerë si Marijanca Ajsa Vizintin, Ramadan Marmullaku dhe shkrimtarë tjerë, të cilët shprehën domosdonë e njohjes dhe respektimit të kulturave të të dy vendeve
No comments:
Post a Comment