Nga Brahim Avdyli
Krijimi i organizatave dhe klubeve shqiptare në Zvicër
Periudha në mes të viteve 1968-1981 paraqet periudhën e zhvillimit të lëvizjes ilegale në Kosovë. Organizatat ilegale kanë qenë organizatat e organizuara në fshehtësi kundër politikës shtetërore jugosllave me qëllim të çlirimit të trojeve shqiptare nga okupuesit shtetëror jugosllavë. Fjala ilegal do të thoshte një veprimtari e ndaluar nga ligji.[1] Organizatat shqiptare kanë qenë organizata irredentiste, patriotike dhe çlirimtare në prapavijën ilegale e të fshehtë, përballë organizimeve shtetërore legale të organeve zyrtare të Jugosllavisë.
Lëvizja ilegale e kësaj periudhe e shton ndikimin në klasën e studentëve, në klasën e inteligjencies dhe shtresat e gjëra patriotike. Ajo organizohet në tokat e pushtuara sikurse në diasporën (mërgatën) shqiptare, kryesisht në Evropën Perëndimore. Për shkak të kushteve reale dhe objektive të organizimit të tyre në tokat shqiptare, qendrat e vendosjes së këtyre organizatave bëhen në vendet e perëndimit dhe prej atje vendosin për strukturat që veprojnë në Kosovë, pra të udhëhequra nga Perëndimi. Ajo kërkon forma të reja të organizimit për të ndërtuar një platformë politike.[2] Përveç organizatave bazë në këto vende, si psh. „Legaliteti“, „Balli Kombëtar“, „Besa Kombëtare“, më vonë si „Besëlidhja Kombëtare Shqiptare“, e organizuar nga Emil Fazlia, krijohen dhe ndikojnë në organizimet e gjithëmbarshme shqiptare gupet e shumta në Kosovë, si kundërpërgjigje ndaj dhunës së hapur shtetërore të Jugosllavisë dhe të Rankoviqit, Pleniumit të Brioneve të Komitetit Qendror të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë në vitin 1966 dhe vazhdim i demonstratave të vitit 1968 dhe kërkesave të tyre.
Organizatat më të njohura të kësaj kohe janë „Grupi Revolucionar“, i formuar në vitin 1972 nga Kadri Osmani, Xhafer Shatri, etj. prej të cilëve Kadri Osmani kishte shpërndarë në nëntor të vitit 1969 një pamflet që shprehte suksesin e demonstratave të vitit 1968;„Grupi i Marksist-Leninistëve të Kosovës“, në vitin 1976-1978, pastaj në vitin 1978 si„Organizata e Marksist-Leninistëve të Kosovës“, nga Kadri Zeka, Hydajet Hyseni, Mehmet Hajrizi, Rexhep Mala, nga të cilët Kadri Zeka emigron në Zvicër, në vitin 1978, si përgjigje të „Grupit Revolucionar të Kosovës“, të organizuar si vazhdim të organizatës së Adem Demaçit „Lëvizja Revolucionare të Bashkimit të Shqiptarëve“; „Lëvizja Nacional-çlirimtare e Kosovës“, të themeluar në vitin 1975, të kryesuar nga Adem Demaçi dhe grupi i Adem Rukiqit; „Partia Komuniste Marksiste-Leniniste e Shqiptarëve në Jugosllavi“, në vitin 1978, të kryesuar nga Abdullah Prapashtica, inspektor i Sigurimit Shtetëror të RFSJ-së dhe „Lëvizjes Nacional-çlirimtare të Kosovës dhe Viseve tjera Shqiptare në Jugosllavi“, thënë shkurtimisht LNçKVSHJ, të cilën thuhet se e kanë themeluar Metush Krasniqi, Jusuf Gërvalla dhe Sabri Novosella, me 1978, prej të cilëve Jusuf Gërvalla nuk e kishte njohur Metush Krasniqin, si kryesues i LNçkVSHJ-së, por Sabri Novoselën, të cilët e lëshojnë Kosovën në të njëjtën kohë.[3]
Në dhjetor të vitit 1979, Jusuf Gërvalla ikë në Gjermani, te vëllai i tij, Bardhosh Gërvalla, ndërsa Sabri Novosella në Turqi [4]). Në këtë kohë vie „Fronti i Kuq“, i themeluar në vitin 1978 nga Ibrahim Kelmendi, më parë„Nacional-çlirimtar“ dhe më vonë „Popullor“, i cili kishte emigruar që në vitin 1976, në Bohum të Gjermanisë. Në tërë Kosovën kishin filluar të themeloheshin grupet lokale të LNçKVSHJ-së, ndër të cilat, më të njohurat kanë mbetur Komiteti i Deçanit- në të cilin kanë vepruar Ismail Haradinaj, Hasan Ukëhaxhaj, Xhavit Hoxha, Jashar Salihu, dhe Komiteti i Drenasit- në të cilin kanë vepruar Bajram Gashi, Ismet Sopi, Naim Bujupi, etj., ndërsa radhët e kësaj organizate janë shtrirë në shumë qytete të Kosovës, si psh. në Gjakovë,[5] Lipjan, Prishtinë, Vushtri, Ferizaj, në Mal të Zi e Turqi.[6] Në Gjakovë e marrin një emër të dytë dhe nuk i përmendin pjesëtarët e tjerë të LNçKVSHJ-së, por përmendin ata me të cilët kanë qenë të maltretuar dhe të vuajtur nëpër burgjet jugosllave.[7] Ndër të tjerë, e lënë pa përmendur Marjan Shabanin, që vritet më 1982, në Nju Jork të SHBA-së, pas një përleshje disa orëve me ndjekësit e UDB-së…
Në këtë shkrim po i kushtojmë rëndësi të veçantë Zvicrës dhe organizimeve shqiptare. Jugosllavia titiste kishte bërë çmos të riorganizoi mërgatën e re të shtetit të vet, duke dërguar nëpër ambasadat dhe konsullatat e saj UDB-iste të rryer të milicisë si civilë, që kishin marrë shënimet e sakta të mbledhura prej emisarëve të vet në popull dhe nëpërmes Bashkësisë Vetëqeverisëse të Interesit për Punësim në Botën e Jashtme. Shqiptarët, rajoni më i shkatërruar dhe më i varfër i Jugosllavisë, Kosova, në vitet 60 filloi të depërtojë në Perëndim. Në vitet 70 i gjejmë në qytetet më të njohura të Zvicrës. Elfi Agushi, i cili në vitin 1972 vendoset në Zvicër, dha ndihmesë për themelimin e Klubit Shqiptar „Igballe Prishtina“ në Gjenevë, ku jeton edhe sot me trashëgimtarët e tij; Shefket Musliu, i cili vendoset në Zvicër më 1971, në Regensdorf, afër Zürich-ut, që dha kontribut njohjes së veprimtarit të dalluar të Kosovës, Kadri Zeka, më 1980 dhe ndarjes sipërfaqësore të Klubit të Punëtorëve Shqiptarë „Përparimi“, në Zürich, nga Seksionit të Klubit të RSFJ-së „Slloga“, që deri në ditët e fundit përcillet dhe luftohet nga disa shqipfolës, spiunë të UDB-së; Hajdar Sadrija, i cili në vitin 1973 vendoset në Zvicër, fillimisht në Luzern, ndërsa më 1977 në Bern, ku prej 1973 ishte i preokupuar me zgjidhjen e çështjes shqiptare, ndër të tjera me OMLK-në, Kadri Zekën, Hydajet Hysenin, Hasan Kadriun, Zija Shemsiun, Hasan Malën, Kadri Abdullahun, Sali Bashën, Skender Shalën, vëllain e tij, Ademin, Nuhi Muhadrin, Avni Deharin, etj.; Hivzi Thaçi, nga fshati Muçivërcë i Kamenicës, që në vitin 1973 është vendosur në Dipolsdau të St.Gallen-it dhe nga viti 1979 në Wittenbach me familjen e gjerë, ku ka dhënë kontribut njohjes së veprimtarit shqiptar Kadri Zeka, ndërsa në vitin 1982 krijon një celulë me Nuhi Muhadrin dhe Faik Jonuzin të LRSHJ-së, sikurse të mbajtjes gjallë të aktivitet të Klubit „Xheladin Zeqirit“, në St. Gallen; Jakup Halimi, nga Vitia, i cili u vendos në vitin 1974, në Gjenevë që dha kontribut të veçantë në themelimin e Klubit Shqiptar „Igballe Prishtina“, ndërsa kishte themeluar me Kadri Zekën dhe Kadri Avdullahun, një celulë të OMLK-së, dhe deri në fund të jetës do të jepte kontribut në organizimin e demonstratave, sikurse për zgjidhjen e çështjes shqiptare; Nazif Haziri, nga fshati Savrovë i Therandës, i cili, në vitin 1975 shkoi në Lenzburg dhe nga viti 1980 në Zürich, ku jep kontribut në shkëputjen e Klubit „Përparimi“ nga klubi serb „Sloga“; Zahir Kamberi, nga fshati Përlepnicë i Gjilanit, i cili në vitin 1975 vendoset në Zürich, pastaj Zug, dhe nga viti 1981 në Bern, ku edhe jeton me familjen e tij; Ilaz Krasniqi, nga fshati Negroc të Drenasit (në Drenicë), i cili mori rrugët e largëta të kurbetit në moshë fare të njomë dhe u vendos në Zürich, Arif Idrizi, nga fshati Uglar i Gjilanit, së bashku me miken e tij, Sarah Barbara Gretler kanë dhënë kontribut në veprimtarinë e Kadri Zekës që nga viti 1979, pastaj në njohjen e Beat Shaffer, Hajdar Sadrisë dhe të tjerëve, që jeton në Zürich-Orlikon me familjen e tij; Ejup Ahmetit, nga fshati Smirë të Vitisë, i vendosur në Gjenevë, në vitin 1979, ku ka qenë kryetar i Klubit Shqiptar„Igballe Prishtina“ nga viti 1982-1984, dhe tani jeton në të njëjtin vend me familjen dhe ishte njohës i mirë i Halil Alidemajt dhe i imi, që e morëm parasysh këtë kur e themeluam Degën e UNIKOMB-it në Zvicër, i cili mori pjesë si themelues i një treshi të LRSSHJ-së, etj.
Në shembullin e klubit shqiptar të Gjenevës, pak muaj më vonë ishte themeluar Klubi Shqiptar „Shotë Galica“, nga studenti shqiptar i mërgatës së re në Friburg të Zvicrës, në Bulle, ku jetonte daja im, Salih Ahmeti, i cili dha kontribut të veçantë në veprimtarinë e këtij klubi, të LRSSHJ-së, në krye të Xhafer Shatrit, Zijah Shemsiut, Hasan Malës, Kadri Avdullahut, Gafur Qalaj, deri kur papritur, më 17 shkurt 1998, vdiq në një fatkeqësi të komunikacionit, në Bullgari. Po këtë ndjenjë të respektit ma kishte ngjallur „Rrusta i Flamurit“ nga të gjitha demonstratat e Zvicrës. Rrustem Mahmutaj, i lindur më 1950 në Lybeniq të Pejës, ishte nip i familjes Gërvalla nga Duboviku i Deçanit, që vdiq më 30 maj 1999, në Bern të Zvicrës. Ai shkonte kudo nëpër demonstrata dhe nëpër klubet shqiptare, si psh. në Lozanë, në Klubin „Asim Vokshi“, që e kishte themeluar LRSSHJ-ja, sikurse në Martigny Klubin „Ganimete Tërbeshi“, që vepron në kuadër të tyre. [8]
Për një kohë të gjatë shqiptarët nuk shkojnë aq shumë nëpër klubet „e bashkatdhetarëve“ në Zvicër, sado që këto „klube“ UDB-istët e dalluar apo të fshehur ua „lavdëronin“ pa ndërprerë, qoftë në mërgatë, qoftë në atdhe, nëpër tubimet e tyre të rregullta të dimrit me „bashkatdhetarët tanë për punë të përkohshme në botën e jashtme“, që ndër të tjera kishte synim t’i kufizojë ata materialisht, t’i përcjellë e t’i gjurmojë, të pamundësoje vetëdijësimin politik në mërgatë dhe lidhjen e tyre me organizatat „separatiste“, „nacionaliste“ dhe „irredentiste“. Ata bëhen pengesë e pandërprerë e shqiptarëve. Të tilla janë pjesërisht disa klube të punëtorëve tanë…
Në vitin 1981, në mes të 06.03.1981, i ndodhur pa të holla në tren, pas kryerjes së kontrollit të gjerë të doganës në Chiasso, më zë gjumi në tren, para se të zbres në Bellinzona. Detyrohen të shkoj (me njëqind vuajtje të miat) në Zürich të Zvicrës, ku fshihem në park të vogël, nën Stacionin e Autobusëve në natën e tmerrshme 6 dhe 7 mars të vitit 1981. Të nesërmen, duke kërkuar ndonjë shqiptar të mundshëm, takohem me Zeqën, i cili po shpërndante Nr. 2 të „Lirisë“ dhe njihem mirë me te. Ai më ktheu bukë në restorantin ku zakonisht ulej në një tavolinë, në Bahnhofbüffet, 2 Klasse, e cila ka qenë në qoshen e Bahnhofit të Cyrihut, në krahun e Muzeut të Cyrihut, ku sot është hapur Tourist Service, pranë Brasserie Federal Shweiz, në anën e brendshme të Banhofit, pranë Museumstrasse. Pas një drame të natës paraprake, dita e njohjes meKadri Zekën më erdhi papritur si dita e veçantë e imja në tërë jetën time plot trauma të njëpasnjëshme, që vinë nga ngritjet e mia lartë dhe lëshimet e shpejtuara poshtë nga krerët e mëdhenj të fesë në Kosovë dhe në Gjakovë. I thashë se më tepër i doja Hajdar dhe Adem Sadrinë, që i kisha fqinjë të parë të dajëve të mi. Veçanërisht, më donte babai i tyre, Rama, ndërsa dajë më të mirë e kisha Ahmet Ahmetin në Gllogovc (tani Drenas) të Drenicë, ndërsa në Bulle të Zvicrës, e kisha dajën tjetër, Salih Ahmetin. Babalok, siç e thirrja unë, e kisha padyshim Nimon Ahmetin…
Atë ditë i mora nga Kadri Zeka 50 SFR; disa numra të „Lirisë“; të broshurës„Shpërngulja e shqiptarëve“, botim i redaksisë së organit „Liria“ dhe fletët volante apo traktet që do të shpërndaheshin. Njëkohësisht, i tregova atij njohjen time me Bajram Kosumin, kontaktet që mbaja rrallë nga shkaku i Jugosllavisë dhe njohja e Hydajet Hysenit, me ç’rast ai buzëqeshi dhe tregoi se ishte në një organizatë, i cili, e ndihmonte në të gjitha punët e shkrimit dhe redaktimit të organit „Liria“. Ai shprehu respekt për shkrimet e mia, të lexuara herë pas here në revistën „Jeta e Re“ dhe në disa gazeta tjera, si psh. „Bota e Re“, gazetë e studentëve të Universitetit të Kosovës.
Meqë isha anëtar i LNçKVSHJ-së, do ta kishte këtë parasysh deri sa të bashkohen këto organizata dhe do të bashkëpunonte në të ardhmen.
Në demonstratën e parë të organizuar në Bernë të Zvicrës nuk isha, sepse nuk më lejoi shefi im, Joe Pasquetto, por në Zürich, me 18 prill 1981 mbërrita vonë, dhe Gjenevë, me 30 maj 1981 kam marrë pjesë me gjithë një grup shqiptarësh nga Tiçino dhe jam radhitur në grupin për organizimin e demonstratës, i ulur me Ibrahim Kelmendin, Kadri Zekën dhe Bardhosh Gërvallës, etj. duke analizuar përgatitjen dhe duke marrë pjesë me fjalën time në restorantin „Fauburg“ të Gjenevës, para Kadri Zekës. Bardhosh Gërvallën e kam dëgjuar aty të flasë dhe kam respekt të veçantë për të që e kam njohur. Respekt të veçantë kam pasur për nënë Ajshen, nënën e të gjithë shqiptarëve dhe Hysen Gërvallën, i cili, pas burgut shumëvjeçarë të Jugosllavisë, me Avdyl Gërvallën dhe familjet e tyre jetonin në Delemont (JU), tani në Gjenevë të Zvicrës.
Xhafer Shatri, një personalitet kryesor në Gjenevë dhe në tërë mërgatën shqiptare, në Zvicër e Perëndim, ishte Kryeredaktor i „Zërit të Kosovës“, organ i LRSSHJ (shkurt: Lëvizja për Republikën Socialiste Shqiptare në Jugosllavi), në të cilën jepnin kontribut të denjë Kadri dhe Saime Avdullahu, Hasan Mala, Saime Isufi, Osman Osmani, Enver dhe Saide Avdullahu, Qamil Isufi, Qamil dhe Jonuz Salihu, Sami Kurteshi, Hajdin Daka dhe Gafurr Qalaj, etj. Sipas të dhënës së Sabri Novosellës, fjalën e vetme e kishte PPSH-ja dhe indirekt Beogradi[9] në organizimin e tyre.
Në vitin 1984 erdhi në pyetje personaliteti i Xhafer Shatrit, i cili, në këtë vit caktoi një numër të posaçëm të „Zërit të Kosovës“ polemikave me krerët e LPRSSHJ-së, ndër ta, Xhafer Durmishin dhe Sabri Novosellën. Këtu pushon së ekzistuari LPRSSHJ-a…
Atëbotë, përpjekjet e mia do të ndërlidhen në grupin e Hajdar Sadrisë, Xhafer Shatrit, Osman Osmanit, dhe me të riun, Faton Topalli, që e themeluan KKIOB-në (shkurt: Komiteti i Kosovës për Informimin e Opinionit Botëror); sikurse me Mustafë Xhemailin („Rrustemi“) dhe njerëzit e tjerë (Emrush Xhemajli, Ali Ahmeti, Destan Hajdini dhe Avni Dehari), që ishin ende pa adresë fikse dhe LPRK-në me adresë, në Biel-Bienne, në krye të së cilës ishin Hasan Mala, Saime Isufi, Naim Mala, etj. Me këto organizata do të bashkëpunoja…
Në Zvicër u krijuan këto klube, të rreshtuara në dy partitë kryesore, LPRK-në, përpos Qendrës Kulturore Shqiptare, ku bënin pjesë Klubi Shqiptar „Bashkimi Kombëtar“, Shoqata Kulturore „Pjetër Bogdani“, Shtypshkronja e LPRK-së, që të tria në të njëjtë adresë, në Biel-Bienne; Dega e LDK-së, në Zvicër; Dega e Partisë Shqiptare Demokristiane; Këshilli Inicues i Degës së Partisë së UNIKOMB-it, në Zvicër; Klubi Shqiptar „Sharri“, Zwingarten 15, Glis-Brig; Klubi Shqiptar „Kadri Zeka“, në Sierr; Klubi Shqiptar „Isa Boletini“, Avenue Turbillon 6, Sion; Qendra Kulturore Shqiptare, Ch. Mentmeillan 39, Lausanne; Klubi Shqiptar „Hasan Prishtina“, Stadtbachstrasse 36/b, Bern; Klubi Shqiptar “Zenel Hajdini“, në Soloturn, Kubi Shqiptar „Muharrem Bekteshi“,Postfach 1029, Olten; Klubi Shqiptar „Kosova“, Denliweg 21, Langental; Klubi Shqiptar„Liria“, Bruderholz 15, në Battmatingen/Bazel; Klubi Shqiptar „Aleksandër Moissiu“, Via Oligiati 4, Giubiasco, Bellizona, Klubi Shqiptar „Bajram Curri“, Detingen; Klubi Shqiptar „Bashkimi Kombëtar“, Grundstrasse 20, Rotkreuz; Klubi Shqiptar „Fan Noli“, Nezir Myrta, në Reinach; Shoqata për Mbrojtjen dhe Afirmimin e Kulturës Shqiptare„Aleksandër Moisiu“, në Lenzburg, më vonë Theatri Shqiptar–Theater „Kino Skala“,Ferrachstrasse 13, në Rüti/ZH; Klubi Shqiptar „Rinia“, Albulastrasse 40, Zürich, që më parë ishte një Qendër Kulturore Shqiptare „Rinia“, Hardstrasse 301, Zürich, ku të gjitha partitë, organizatat politike dhe humanitare shqiptare kishin dhomat e tyre, edhe Lidhja e Prindërve Shqiptarë, më vonë Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë (LAPSH); Dega e Partisë së Prosperitetit Demokratik (PPD); Shoqata Humanitare„Nënë Teresa“, në Zvicër; Shoqata Humanitare „Naser Veliu“, në Zvicër; por ky lokal me zyre u detyrua të jepet në shenjë të hakmarrjes së disa shqiptarëve dhe të policisë zvicerane. Klubi Shqiptar „Atdheu“ ishte në Zürich, përpos Klubit Shqiptar „Përparimi“;„Oda Shqiptare“ dhe Shoqata e Punëtorëve të Kosovës, në Zvicër, Neustadtgasse 8, 8400 Winterthur, në të cilën përfaqësohej Sindikata „Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës“, në Zvicër, Kryetar i Degës së të cilës ishte bërë Xhavit Hoxha; Klubi Shqiptar „Rugova“, Schaffhausenstrasse 47, në Frauenfeld; Klubi Shqiptar„Rilindja“, Lochstrasse 74, Schaffhausen; Klubi Shqiptar „Drini“, Herisauerstrasse 88, St. Gallen-Winkeln dhe Klubi Shqiptar „Gjergj Kastrioti-Skenderbeu“, Sägerstrasse 7, Kreuzlingen, etj.
Më vonë do të krijohen edhe këto klube: Klubi Shqiptar „Guri i Zi“, Bleicherstrasse 5, në St. Gallen; Klubi Shqiptar „Kosova“, Hivzi Thaqi, St. Gallerstrasse 4, në Kronbül/SG, më vonë,IKZ (Interkulturelles Zentrum) „Kosova“; Klubi Shqiptar „Ismail Qemali“, Schlossgasse 2, 9320 Arbon/TG; Klubi Shqiptar „Ilirida“, Poststrasse 5, në Amriswil/TG; Klubi Shqiptar „Valbona“, Kostanzstrasse 13, nëKreuzlingen/TG; Qendra Kulturore Shqiptare „Rinia“, Allestrasse 24, Romanshorm/TG;Shoqata Shqiptare „Xhevat Ajazi“, Bahnhofstrasse 46, në Widnau/SG; Shoqata e Mërgimtarëve Shqiptar „Bajram Curri“, Fuchbühlstrasse 50, Buchs/SG; Klubi Shqiptar „Dardania“, Wiedenstrasse 52, Buchs/SG; Qendra Kulturore Shqiptare „Bashkimi“ Säntissrasse 1, Will/SG, Klubi Shqiptar „Skenderbeu“, Quaderstrasse 32, nëChur/GR; Klubi Shqiptar „Kosova“, nëWinterthur/ZH; Shoqata Shqiptare „Bashkimi“, Neuwiesenstrasse 15, në Uster/ZH,Klubi Shqiptar „Lirija“, Bankstrasse 36, në Uster/ZH, Shoqata Kulturore Shqiptare „Baram Curri“, Qamil Nivokazi, Reintalstrasse 182, Leibstadt/AG; Qendra Kulturore Shqiptare, Agim Ramadani, Hohlstrasse 473, në Zürich; Klubi Letrar „Faik Konica“, pa lokal, në Zürich; Klubi Shqiptar „Kastrioti“, në Uznach/SG; ASBM (Këshillimorja Shqiptare), Gempenstrasse 27, në Basel; Shoqata Kulturore Shqiptare „Ilirida“, Nythenstrasse 7, në Luzern. U krijuan shumë „klube“ private, anë e kënd Zvicrës, të cilat nuk po i zë me gojë.
Kjo është vija e parë e organizatave dhe klubeve më të njohura të shqiptarëve në Zvicër. | Prishtina Press
[1] Dr. Sabile Keçmezi-Basha, “çështje të përdorimit të nocioneve: ilegale, klandestine dhe e fsheftë“, www.zemrashqiptare.net, apo libri Lëvizja ilegale patriotike shqiptare në Kosovë, 1945-1947, Rilindja, Prishtinë, 1998.
[2] Ethem çeku, Struktura politike e iligalës së Kosovës, Brezi `81, Prishtinë, 2006, f. 92-93.
[3] Xhafer Durmishit, „Organizatat politike shqiptare në Europë, 1979-1985“, shkruar në vitin 1992, publikuar në www.zemrashqiptare.net, /artikle/speciale/104343/1.
[4] Shih: Kadri Rexha, Fati i luleve/Rruga jetësore e shkrimtarit dhe atdhetarit Jusuf Gërvalla, NB „Gjon Buzuku“, Prishtinë, 1993.
[5] Në Gjakovë, ka qenë autori i kësaj vepre, 18 vjeçari Brahim Avdyli, një idhtar i Jusuf Gërvallës.
[6] Ethem çeku, f. 105.
[7] Muhamet Rogova, Kujtime nga burgu, Shoqata e Intelektualëve „Jakova“, Gjakovë, 2008.
[8] Ismet Rashiti, „Rrëfanë lirie“, Kombi, Prishtinë 2010.
[9] Shih shkrimin e Sabri Novosellës, „Kush i udhëhoqi organizatat kosovare në Përëndim“, si përsqarim në mes të viteve 1984-1990, në gazetën „Republika“, 1992, dhe Xhafer Durmishi, „Organizatat politike shqiptare në Evropë, në vitet 1979-1985“, artikull i cituar.