2012-04-02
Tadiqi dhe toka jonë
Burim Ramadani
Boris Tadiqi erdhi dhe foli. Tha se “kjo është toka jonë”. Që nënkupton se kjo tokë qenka e Serbisë. Hashim Thaçi ishte këtu. Të paktën mund të besojmë se ishte këtu, sepse nuk u pa askund. As nuk doli të flasë në televizione. As nuk e vizitoi rrugën e kombit. Habi. Thaçi e ka zakon që pothuajse sa herë është në pozitë të vështirë politike (dhe kjo ndodh jashtëzakonisht shpesh), ai shkon te punimet e autostradës. Prej aty i tregon popullit të Kosovës se ai “kujdeset” për të. Por, kësaj radhe, humbi diku. U fsheh. Nuk iu dëgjua zëri fare.
Ndoshta po mendonte cili është dallimi ndërmjet Kosovës dhe Dubait?
Edita Tahiri, njëra prej gjashtë zëvendësve të Thaçit, u kënaq duke bërë marrëveshje. Marrëveshje në letër, favorizuese për Serbinë dhe pa asnjë sukses për Kosovën. Ajo, të shtunën e të dielën, mori “të fala” nga shumë e shumë mërgimtarë që u bllokuan në kufijtë me Serbinë. Ata donin të kalojnë transit nëpër Serbi, për t’u kthyer në vendet e Perëndimit, ku jetojnë dhe punojnë. Kjo nuk ishte hera e parë që bënin kështu. Qysh vite më parë (edhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës) një numër mërgimtarësh kalojnë nëpër Serbi. Madje, e kishin më të lehtë para se Edita Tahiri të bënte marrëveshje për “lëvizjen e lirë”. Tmerr.
Edita Tahiri, kjo “akademike” e pashoqe me përvojë mbi 20-vjeçare në diplomaci, me marrëveshjet e saj vetëm sa po i nxjerr telashe qytetarëve të Kosovës. Në veçanti, mërgimtarëve, të cilët pa dyshim kanë mbajtur gjallë jetën familjare në vend. Njëjtë edhe me shqiptarët e Luginës së Preshevës. Edita Tahiri u doli “dardhë me bisht”.
Bajram Rexhepi u dorëzua. Tha se “e ka ditur edhe më herët se nuk mund t’i ndalojë targat e veturave të lëshuara nga Serbia me emër të qyteteve të Kosovës”. E pranoi se ka gënjyer popullin. Sepse, kohë më parë, me javë të tëra doli në televizione dhe në ballina të gazetave, duke thënë se ai do t’i heqë këto tabela. Madje, thoshte se nuk ka fare hapësirë për kompromis. Por, ja që vërtet nuk ndodhi kompromisi. Ndodhi shumë më keq. Dorëzim të Qeverisë para këtyre targave ilegale të veturave.
Hajredin Kuçi i tërhoqi vërejtjen Agim Çekut dhe Bajram Rexhepit. Duke folur në emër të Hashim Thaçit, ministri i Drejtësisë ndau drejtësinë për zhvillimet në Qeveri. Por, nuk i tha ato brenda mbledhjes së Qeverisë, sikurse do ta kërkonte rendi. Foli vetëm para medieve, duke thënë se memorandumeve ndërmjet ministrive u ka dalë moda. Është e vërtetë dhe për këtë pajtohem me Kuçin. Nuk ka kurrfarë logjike që të vazhdohet me këto lloj memorandumesh, kur ministritë janë pjesë e një organizimi qeveritar. Por, besoj se edhe Kuçi e di dhe pajtohet me mua se jo vetëm memorandumeve u ka dalë moda. Qeverisë së tij i ka dalë moda. Pra, Qeveria Thaçi është demode. E pa koncept, e paorganizim, e padije dhe, si e tillë, e pashpresë.
Të gjitha këto ndodhën gjatë ditëve të para të vitit 2012. Ditët kur në Kosovë qëndroi dhe u mor me politikë presidenti i Serbisë, Boris Tadiq. E vetmja pyetje bazike që mund dhe duhet të shtrohet në këtë situatë është kjo: çka iu nevojit Qeverisë së Hashim Thaçit të pranojë Tadiqin në Kosovë? Çfarë nevoje kishte për të?
Kjo vizitë e Tadiqit, vizitë politike në ditët e festës fetare, ndodhi në kohën kur Serbia duhet të vendosë definitivisht që të pranojë pashmangshëm kërkesat e Gjermanisë dhe të shteteve të tjera mike të Kosovës, për të hequr strukturat ilegale në Kosovës. Kërkesë e tillë kushtëzuese, të mos harrojmë, nuk i ka ardhur asnjëherë Serbisë nga vetë shteti i Kosovës. Kjo ka mundur të ndodhë, jo vetëm tash. Qysh prej shpalljes së pavarësisë së vendit, e sidomos pas opinionit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, Kosova ka mundur të kushtëzojë çfarëdo raporti me Serbinë.
Por, Thaçi nuk e bëri, Edita fluturoi për t’i takuar, e Bajrami nuk hezitoi të dorëzohet. Kjo është politika e Qeverisë së vendit tonë.
Në vend të tërë kësaj, Qeveria e Kosovës do të duhej që të bënte të paktën këto pesë veprime: 1) të kushtëzonte vazhdimin e bisedimeve në Bruksel, me heqjen definitive të strukturave ilegale të Serbisë nga Kosova; 2) të konsolidonte shtetin në tërë territorin, si fazë e patejkalueshme për të shqyrtuar mundësinë e vazhdimit të bisedimeve; 3) të refuzonte ardhjen e Tadiqit dhe Tadiqëve tjerë në Kosovë; 4) të vendoste masat e reciprocitetit politik, ekonomik dhe tregtar me Serbinë; 5) të kapte dhe të vinte para drejtësisë të gjithë ata që janë marrë me krim të organizuar dhe me kontrabandë në veri të vendit, pavarësisht se çfarë nacionaliteti kanë.
(Autori është sekretar i përgjithshëm i AAK-së dhe deputet në Kuvendin e Kosovës)
Kjo është Serbia!
Burim Ramadani
A thua ku është Edita Tahiri? Çfarë po ndjen ajo kur Serbia po arreston policët dhe qytetarët e Kosovës? Po Bajram Rexhepi? Ministri i fjalëve të mëdha dhe veprave barazi me zero! Tashmë, kryeministri Hashim Thaçi u nis për në Uashington dhe normalisht se “ka punë më të mençura” se të merret me fatin e qytetarëve të vendit të tij!
Këto dhe shumë pyetje tjera na bien ndërmend pas asaj fotoje tmerruese dhe të turpshme që publikoi Qeveria e Serbisë dje, kur çarmatosi, lidhi dhe shtriu për tokë policë të Kosovës. Tre xhandarë serbë rrinë me armë automatke mbi kokat e policëve të Kosovës, bash njëjtë sikurse po i rri Serbia mbi kokë Kosovës, në të gjitha aspektet dhe tërë kohën. Me kërcënim, me dhunë, me ndërhyrje direkte, me fuqi prej dhunuesi, me bindje fashiste dhe me sjellje shtazarake.
Por, a do ta kuptojnë këta tanët ndonjëherë këtë? A po e kupton Edita Tahiri këtë, bashkë me Bajram Rexhepin e ndonjë tjetër? Që nuk po e kupton kryeministri Thaçi, kjo është e qartë. Ai tekefundit është shefi i të tjerëve që shkojnë pa hezitim të ulen në tavolinën përballë me delegacionin e Qeverisë së Serbisë. Që bëjnë marrëveshje plotësisht kundër interesave nacionale të Kosovës dhe madje me arrogancën e tyre shkelin mbi çdo institucion e vlerë tjetër.
Kryeministri Thaçi, i cili udhëhiqte operacionin e dështuar policor të 25 korrikut 2011, në veri të vendit, ka obligim direkt edhe për pamjen e turpshme që e publikoi Beogradi, me policët kosovarë të shtrirë për tokë dhe xhandarëve serbë që qëndrojnë me armë mbi kokat e tyre. Ai po bën marrëveshje “historike” me Serbinë.
Kjo është Serbia. Me armë mbi kokën e Kosovës. Me kërcënim agresori mbi shpirtin e shtetit të Kosovës. Me ambicie hegjemoniste për të vendosur kontrollin mbi Kosovën, apo ndonjë pjesë të territorit të Kosovës. Me të njëjtën politikë ndaj Kosovës sikurse ajo e Millosheviqit dhe partizanëve të tij të vegjël e të trashë.
Kjo është Serbia. Me shumë fytyra. Një në raport me Bashkimin Evropian. Një fytyrë tjetër në raport me NATO-n. Një tjetër në raport me Rusinë. Një fytyrë tjetër në raport me vendet dhe grupacionet islamiste kudo nëpër botë. Dhe, një fytyrë krejt tjetër në raport me Kosovën, popullin shqiptar dhe serbët kosovarë.
Kjo është Serbia. Nuk duhet pritur asgjë tjetër. Nuk duhet shpresuar se atje paska ndërruar mentaliteti. Nuk duhet gënjyer veten dhe të tjerët se tashmë kemi arritur pajtimin historik midis shqiptarëve të Kosovës dhe shtetit të Serbisë. Pavarësisht se çka na thotë kryeministri Thaçi. Mos i besoni, sepse nuk po e thotë të vërtetën. Saherë që flet për këtë, ai bën deklarata të pabesueshme, joreale, të paqëndrueshme, të pavërteta dhe, mbi të gjitha, fyese. Të fyen mendjen. Të fyen shpirtin. Të fyen qenien.
Kryeministri Thaçi tërë kohën na flet neve se si Kosova dhe Serbia po normalizojnë raportet. Se si marrëveshjet historike në Bruksel (mes Editës dhe Borkos) po ndërrojnë faqet e historisë. Se si Serbia po e njeh sa e sa herë Kosovën si shtet të pavarur e sovran. U pata thënë qeveritarëve njëherë para pak muajsh në foltoren e Kuvendit të Kosovës, se duhet të ndizen fishekzjarrët në Prishtinë, nëse është e vërtetë ajo që po na thotë kryeministri Thaçi dhe zëvendësja e tij Tahiri, se Serbia e ka njohur Kosovën si shtet. Por, as atëherë dhe as tash nuk kam asnjë dilemë: Serbia nuk e ka njohur shtetin e Kosovës, por Thaçi e Tahiri po gënjenjë!
Për më keq, Serbia për çdo moment bën plane dhe veprime se si të shkatërrojë shtetin e Kosovës. Ta bëjë atë jofunksional, të mos lejojë Kosovën të konsolidohet dhe të bllokojë çfarëdo zhvillimi përmes strukturave të saj ilegale të sigurisë dhe inteligjencës brenda territorit të shtetit tonë.
Serbia vazhdon të lobojë në Perëndim kundër Kosovës. Edhe pse e di që Perëndimi është fuqia më e madhe mbështetëse për Kosovën, qeveria e Beogradit nuk po dorëzohet asnjëherë. E të mos flasim për vendet në zhvillim dhe për Botën e Tretë. Lobimi që po bën Serbia nuk është ndalur asnjë ditë që prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008. Derisa dogji pikat kufitare dhe doganore në veri të Kosovës, Serbia nuk ndali as dhunën direkte dhe dhunën strukturale mbi qytetarët serbë e shqiptarë të Kosovës.
Por, kjo nuk e kuptua asnjëherë seriozisht nga Qeveria e Kosovës. Edhe ajo që ishte pas shpalljes së pavarësisë, e as kjo që është sot, e që të përbashkët e kanë kryeministrin Thaçi dhe Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) si partneri i madh i koalicionit qeverisës.
Kjo është Serbia. Mos pritni asgjë më mirë. Por, fatkeqësisht, duhet thënë se kjo është Qeveria e Kosovës. Mos pritni asgjë më mirë!
(Autori është sekretar i përgjithshëm i AAK-së dhe deputet i Kuvendit të Kosovës)
Kush u poshtërua?
Faton H. Bislimi
Arrestimi i dy policëve të Kosovës poshtëron Serbinë, mirëpo ky akt poshtëron edhe Bashkimin Evropian. Për hair, BE, se ke bërë zgjedhje të duhur: po afron afër vetes një gacë të mbuluar që do të të djegë edhe ty, ashtu siç i ka djegur të tjerët në rajon
Fotot e publikuara të arrestimit të dy zyrtarëve policorë të Kosovës ishin të rënda të shikoheshin, edhe pse ne shqiptarët e Kosovës jemi mësuar me pamje të tilla, veçanërisht gjatë sundimit serb mbi Kosovën. Mirëpo, pamje të tilla të arrestimit dhe të përtokjes së zyrtarëve policorë të shtetit tonë nuk kemi parë ndonjëherë. Jo që nuk kemi parë, por edhe sikur të kishim parë, të paktën nuk do të kishim besuar e as pritur se arrestuesit në këtë rast do të ishin policë serbë. Kjo është për t’u habitur, apo jo?! Po edhe jo.
Po – nëse kihet parasysh fakti që Kosova është shtet dhe duhet e mund të veprojë si i tillë; nëse merren si të njëmendta marrëveshjet Beograd-Prishtinë nën mbikëqyrjen e BE-së; nëse kihet parasysh fakti se Serbia është një shtet kandidat për anëtarësim në BE.
Jo – nëse kihet parasysh se cilët janë serbët në të vërtetë; nëse përkujtohet historia e re e Kosovës dhe krimet e tyre kundër shqiptarëve dhe të tjerëve në rajon; nëse njihet taktika e tyre politiko-diplomatike, që thonë një gjë dhe e bëjnë të kundërtën vazhdimisht; nëse mbahet mend ultranacionalizmi dhe racizmi që kanë ndaj shqiptarëve, etj.
Pas publikimit të lajmit për arrestimin e dy policëve të Kosovës nga policët serbë dhe veçanërisht pas publikimit të fotove të të arrestuarve, përtokë, nën tutelën e automatikëve serbë, nuk munguan reagimet e Prishtinës, e ajo që më bëri përshtypje më shumë ishin reagimet e shumta të qytetarëve të Kosovës përmes rrjeteve sociale online. Ata ishin të mllefosur, ndiheshin të fyer, të poshtëruar. Dhe, me të drejtë!
Mirëpo, ajo që nuk duhet harruar, është së policët kosovarë ishin në kryerje të detyrës së tyre zyrtare në brendësi të kufirit të Kosovës. Ata ndoshta edhe kanë mundur të mos i bindeshin urdhër-ndalesës së policisë së Serbisë dhe të shkrehnin armët kundër tyre.
Dikush do ta kishte quajtur këtë akt trimëri, e Serbia me propagandën e saj, goxha të fuqishme mos të harrojmë, do ta kishte çuar një botë të tërë në këmbë duke e cilësuar e prezantuar një akt të tillë si agresion të hapur, të armatosur e të drejtpërdrejtë të Kosovës ndaj zyrtarëve serbë. E, me gjasë, në sferën ndërkombëtare, Prishtina mandej do të humbte në imazh dhe në përkrahje.
Fakti që policët kosovarë nuk rezistuan, i dha mundësi Serbisë, e veçanërisht ministrit të Punëve të Brendshme, Daçiq, që botërisht të tregojë nivelin e ulët që ai ka si individ, dhe urrejtjen e mbjellë shpirtërore që Serbia ka ndaj shqiptarëve. Dalja e një ministri të një shteti kandidat për anëtarësim në BE në një konferencë për shtyp dhe mburrja e tij me foto të tilla të arrestimeve të pabaza por komplet politike, tregon nivelin e ulët të politikës serbe dhe, mbi të gjitha, poshtëron ata e jo policët kosovarë e as Kosovën.
Të mburresh se ke përulur përtokë dy zyrtarë policorë, gjersa i ke mbajtur ata nën tutelën e automatikut, nuk është gjë tjetër veç shprehje e urrejtjes së çmendur që ke ndaj shqiptarëve në këtë rast. Është akt që nuk ka vend në institucione të një vendi të quajtur demokratik e aq më pak të një vendi me kandidaturë për anëtarësim në BE. Kjo poshtëron Serbinë, por atyre u ka humbur marrja moti kohë, kështu që nuk është çudi të mos ndihen të poshtëruar.
Mirëpo, ky akt poshtëron edhe BE-në, pasi që është BE-ja ajo që po ia mundëson Serbisë krekëzimin e tillë, sepse përkundër gjithë shkatërrimit që ka shkaktuar në Ballkan, Serbia ende ka lëmoshën e BE-së. E, sa më gjatë të vazhdojë kjo lëmoshë e BE-së kundrejt këtij shteti keqbërës, aq më shumë do të krekëzohet Serbia dhe aq çmim më të lartë do të paguajë një ditë BE-ja për këtë.
Sa i ulët që ishte ky akti i fundit serb kundër Kosovës, aq më i ulët ishte edhe “arsyetimi” se këto arrestime kinse po bëhen për të mbrojtur rendin kushtetues të Serbisë. E, kuptohet, kjo thuhet në kontekstin se, sipas Serbisë, Kosova ende konsiderohet pjesë e saj. Mirëpo, pyetja që duhet bërë Daçiqit është se a thua çfarë do të ndodhte sikur Kosova të vendoste të prangoste gjithsecilin brenda kufijve të saj që thyen rendin kushtetues të Kosovës?
Sikur të vendoste Kosova të arrestonte secilin që thyen rendin kushtetues të Kosovës, atëherë, pikë së pari, do të krijohej goxha punë në ndërtimtari. Kosova do të duhej të ndërtonte burgje e burgje të tëra për të akomoduar të gjithë të prangosurit nën këtë pretekst. Pse? Sepse, thuajse të gjithë serbët e Kosovës do të duhej arrestuar sepse ata janë në vazhdimësi thyes të rendit kushtetues të Kosovës. Shumica e tyre nuk njohin institucionet e Kosovës, nuk i përmbushin obligimet e tyre si qytetarë të Kosovës, etj.
Që nga Prishtina e deri në Beograd, Kosova do të mund të shtronte rrugën me foto të serbëve të Kosovës që do të mund të prangoseshin me arsyen se e thyejnë rendin kushtetues të Kosovës. A thua si do të ndjehej Daçiqi atëherë?!
Veprimet e tilla të Serbisë tregojnë në vazhdimësi brendësinë e tyre të mbushur me urrejtje ndaj shqiptarëve; pamundësinë e tyre të tejkalojnë të kaluarën dhe ambicien për Serbi të Madhe; ultranacionalizmin dhe racizmin që e kanë si bukën e gojës.
Për hair, BE, se ke bërë zgjedhje të duhur – po e afron afër vetes një gacë të mbuluar që do të të djegë edhe ty, ashtu siç i ka djegur të tjerët në rajon. Beogradi zyrtar fytyrën e ndërron, por zanatin e dinakërisë kurrë nuk e harron.
Andaj, në vend se t’i ofrohej karota nga BE, atij duhej ofruar shkopin mbi kokë deri sa të shpaguante të gjitha dëmet e luftërave që ka bërë në Ballkan, duke përfshirë edhe zbardhjen e fatit të mijëra kosovarëve për të cilët ende nuk dihet gjë. Eventualisht, pas nja tri-katër dekadave me shkop mbi kokë, ndoshta Beogradi do të merrte një mësim dhe do të ndryshonte për së miri. Ndoshta!
(Autori është profesor i ekonomisë dhe politikës në Mount Saint Vincent University dhe studiues në Qendrën e Ekselencës së BE-së në Dalhousie University në Halifax, Kanada)
Do të na hyjnë edhe në shtëpi!
Adrian Çollaku
Të shtunën ndodhi poshtërimi më i ulët i shtetit dhe i institucioneve të Kosovës. Në mes të territorit të Republikës së Kosovës, xhandarmëria serbe arreston dy policë të Kosovës, ndërkaq ministri i Rendit i Serbisë, Ivica Daçiç, bën spektakle me fotografitë e policëve të poshtëruar, duarlidhur e me tyta në kokë... Ky skenar i përgatitur i Policisë së Serbisë ngjan me ndonjë organizatë terroriste kur ata zënë pengje të ndryshme apo me skenarë që mund të ngjajnë në kohë luftërash apo në rastin më të shpeshtë që mund t’i shohim nëpër filmat aksion.
Pavarësisht skenarit që mund të ketë ndodhur, që nuk ka dilema se është mirëpërgatitur nga Daçiqi, policët e Kosovës në këtë situatë mund të jenë treguar shumë të ngathët, ndonëse nuk bën të paragjykojmë se çka ka ndodhur para se ata që vijnë në atë situatë poshtëruese. Të paktën nuk është raportuar nëse policët tanë kanë provuar të mos dorëzohen, apo si janë arrestuar... Sidoqoftë, fotografia që u publikua nga MUP-i serb nuk do koment.
Ajo flet për dështimin e Policisë së Kosovës në ruajtjen e kufijve shtetërorë, flet për dështimin e ministrit të Brendshëm, Bajram Rexhepi dhe tërë Qeverisë së Kosovës. Po ashtu flet edhe për dështimin e misioneve ndërkombëtare qoftë të EULEX-it dhe KFOR-it që janë gjithashtu përgjegjëse për mbrojtjen e kufijve. Ka ndodhur me dhjetëra herë që xhandarmëria serbe të futet në territorin e Kosovës kur të dojë dhe të mos pengohet nga askush. Madje, ka pasur shumë raste kur ata kishin arrestuar qytetarë të Kosovës.
Ky poshtërim që na e bën Serbia nuk është i pari. Hiç më pak se ditë më parë Policia e Serbisë nën urdhrat e pasardhësit të Millosheviqit, Daçiçit arrestoi dy qytetarë të Kosovës pa kurrfarë baze ligjore.
Pavarësisht kësaj, ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj të shtunën në një intervistë dhënë për mediet e huaja ka ripërsëritur deklaratën më bizare dhe më ofenduese për inteligjencën e secilit qytetar të dhënë kohëve të fundit edhe nga shefi i tij, Hashim Thaçi se “me marrëveshjet e arritura në Bruksel Serbia de facto dhe de jure e ka njohur shtetin e Kosovës”. Nëse edhe kjo është njohje nga Serbia kur hyn e t’i arreston edhe policët në territorin e shtetit tënd, atëherë ose ne nuk jemi në rregull, ose Thaçi e Hoxhaj janë shumë të “avancuar” e “përparimtarë” saqë ne nuk po mund t’i kuptojmë në asnjë mënyrë.
I mjerë është edhe reagimi i institucioneve të Kosovës pas arrestimit të policëve kosovarë, e sidomos i Qeverisë. Ndonëse i poshtëruar maksimalisht shteti i Kosovës, ekzekutivi i udhëhequr nga kryeministri Thaçi gjen kohë që t’i “vajtojë” marrëveshjet e arritura me Serbinë në Bruksel, të cilat edhe ashtu janë bërë vetëm për përfitimin e Serbisë me përafrimin e saj me BE-në, gjegjësisht me fitimin e statusit të kandidatit.
Ja se çfarë thuhet ndër të tjera në deklaratën e Qeverisë së Republikës së Kosovës: "Ky është një akt qyqar i Qeverisë së Serbisë, është në kundërshtim me vlerat evropiane të fqinjësisë së mirë, kundër bashkëpunimit rajonal dhe cenon rëndë marrëveshjet e arritura mes të Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.
Qeveria e Kosovës dhe institucionet tjera s’kanë pse të mundohen të mbrojnë me çdo kusht marrëveshjet e arritura me Serbinë. Institucionet kosovare së pari duhet që ta mbrojnë shtetin nga agresioni i Serbisë dhe t’i mbrojnë qytetarët tanë, sidomos ata që udhëtojnë nga diaspora nëpër shtetin fqinjë që të mos ndëshkohen nga kjo politikë millosheviqiane e Serbisë.
Në vend të këtyre reagimeve, sa për sy e faqe, sot në radhë të parë është dashur që të jepte përgjegjësi ministri i Policisë, Bajram Rexhepi, ngase ka dështuar sektori që ai e udhëheq. Në anën tjetër, kryeministri i vendit, si kryesues i Këshillit të Sigurisë, është dashur që ta mblidhte urgjentisht Këshillin e Sigurisë Kombëtare. E, jo të japin deklarata “qyçare”, me anë të të cilave kërkojnë “moscenimin” e marrëveshjeve të arritura me Serbinë me ndërmjetësimin e Brukselit.
Nëse institucionet tona do të vazhdojnë me këtë sjellje kaq inferiore karshi Serbisë, nuk duhet të çuditemi kur një ditë policia e Daçiçit dhe Tadiqit, e cila përdoret në këtë kohë fushate për të fituar edhe votat e secilit ekstremist serb, të na ndodhë ndonjë arrestim edhe në kryeqytetin kosovar, në Prishtinë. Të na poshtërojnë totalisht.
Bordelet e portaleve
Muharrem Nitaj
Bossët e medies në Kosovë, me shumë pak përjashtime, arritën që mediet e tyre t’i drejtojnë kah është fuqia, kah është paraja, kah është sefaja. Zbulimi i fundit i një pjese të madhe të medies së shkruar ose elektronike janë portalet e tyre dhe “logu” i krijuar për të gjithë ata që shajnë e s’duken, që vrasin e që s’kanë emër, por që renditën në komentues të shkrimeve e të protagonistëve...
Si sot dita, 15 vjet më parë, Veton Surroi na kishte thirrur neve pak gazetarëve që në atë kohë ishim në zanatin tonë, në një zyrë të vogël për të na thënë se ai kishte vendosur të dilte më një gazetë të përditshme e që do ta quante “Koha ditore”.
Kolegu ynë i zanatit me këtë formë e bënte publik një lajm të rëndësishëm për kohën dhe e kërkonte ndihmesën tonë në rrugën e tij, e cila nuk kishte se si të ishte e lehtë. Në vitin e “Kohës ditore”, përpos radiove të huaja në shqipe, Kosova e kishte vetëm një gazetë të përditshme, e cila vepronte në kushte të tmerrshme dhe, për hir të së vërtetës, jo në pak raste nuk e kishte shumë të qartë se çfarë bënte.
Për vendet normale, 15 vjet nuk janë shumë, por për Kosovën që vitet i kishte të gjata e të mbrapshta, ata 15 vjet bëjnë sa një epokë. Për kaq pak kohë kanë ndodhur shumë ngjarje për secilin prej nesh dhe po kaq shumë edhe në sferën mediale, që sot është më e çuditshme se asnjëherë më parë.
Në vitet e para të lirisë së Kosovës, që erdhën jo shumë pas “Kohës” së Surroit, vendi i vogël që kishte luftuar gjithmonë për lirinë e tij, përjetoi një “bum mediatik”: me dhjetëra radio e televizione, gazeta e revista dhe së voni dhe me qindra portale. Por, për habi, media e vendit të vogël, sikur asnjëherë nuk arriti të bëhet më profesionale se sa që ishte disa vjet më parë.
Bossët e medies në Kosovë, me shumë pak përjashtime, arritën që mediet e tyre t’i drejtojnë kah është fuqia, kah është paraja, kah është sefaja. Zbulimi i fundit i një pjese të madhe të medies së shkruar ose elektronike janë portalet e tyre dhe “logu” i krijuar për të gjithë ata që shajnë e s’duken, që vrasin e që s’kanë emër, por që renditen në komentues të shkrimeve e të protagonistëve.
Gjuha që përdoret në këto portale tashmë nuk është rezultat i lirisë së të shprehurit, por i linçimit publik me mjetet më të pista të mundshme. Hapësira për komentet e lexuesve në shumë media e portale, është shndërruar në bordel ku bëhet sex kolektiv. Dikush duhet të përgjigjet për këto qihane.
Vendet normale, ku pretendon të jetë edhe Kosova, kanë rregulla dhe norma dhe sa herë që një medium guxon ta shajë e ta përdhosë, ta shkelë e ta varrosë karakterin e dikujt, përgjigjet, dhe rëndë bile. Kanë rënë edhe perandori mediatike, vetëm pse kanë guxuar të përdorin mjete të ndaluara dhe për linçimin e të tjerëve.
Në raportet ndërkombëtare për lirinë e medies, Kosova gjithmonë është renditur në vendin me liri të pjesshme dhe kjo jo vetëm për shkak se këtu nuk është shkruar lirshëm, por sepse media kryesisht ka qenë e kontrolluar, me hatër ose me zor. Sipas një logjike rezulton se të kontrolluara mund të jenë edhe fushatat e pista të portaleve, që nuk kanë asnjë kufi, as në gjuhë e as në ndershmëri.
Unë nuk e di çfarë bën Policia e Kosovës dhe nuk e di se cilat janë gjasat e krijimit të një policie kibernetike, për të parë se kush dhe sa dhe për hesap të kujt shkruan dhe vret aq pamëshirshëm dhe e fsheh surratin me aq komoditet. Por, e di që shoqëritë normale tashmë kanë vendosur rregull edhe në këtë fushë. Atje gjithçka që publikohet, e ka një adresë dhe e ka një zot që i sheh. Vetëm ndër ne, akoma mund të thuhet e të shkruhet pa e pasur gajle se krimi dhe dënimi mund të jenë të lidhur bashkë.
Kufiri ndërmjet propagandës së fëlliqur dhe informimit, nuk ka qenë kurrë më i hollë se ç‘është tani. Nuk është lajm të thuhet se një pjesë e medies sot është në shërbim të politikës, në shërbim të biznesit, të hajnisë ose të interesit. Por, lajm mbase mund të jetë se si një pjesë e gazetarëve janë shndërruar në “mercenarë”, që shkruajnë me para e që ta bëjnë gjëmën edhe me dëshmi të rreme.
Më ka rënë të dëgjoj se si qenka vënë një rregull edhe në fushën e farërave dhe në atë të barërave, por çuditërisht jo edhe në sferën e lirisë së portaleve. Deri ku shkon kjo liri dhe kur në emër të saj cenohet liria e tjetrit.
Aman vendoseni një rregull se na fëlliqën, aq më tepër kur ata që fëlliqin nuk janë lexuesit e zakonshëm, por grupe të paguara njerëzish që shkruajnë gjithë ditën e për hesap të dreqit e të birit.
Kriminaliteti televiziv!
Luan Morina
Tetë filmat e Harry Potter kanë inkasuar mbi 7 miliardë dollarë vetëm nga kinematë, derisa vlera e përgjithshme e kësaj franshize është mbi 21 miliardë dollarë. Për të qenë më i saktë, të hyrat e Harry Potter nga kinematë kanë qenë 7.7 miliardë dollarë, nga DVD shitjet 4.5 miliardë, dhe nga të drejtat televizive 1.3 miliardë dollarë.
Për t’u krenuar apo për t’u turpëruar është që asnjë cent nga këto nuk kanë ardhur nga kosovarët, pos neve që kemi blerë librat e kësaj serie.
Shfaqja në kinema e këtij filmi do të kushtonte shtrenjtë dhe kinemaja e vetme në kryeqytet, Kino ABC nuk do të kishte hesap të blinte këto të drejta. Të drejtat për t’u shfaqur në televizion zakonisht vonojnë dhe nuk janë as ato aq të lira, e për DVD mos të flasim.
Lëre individët, por as televizionet lokale nuk blejnë DVD origjinale. Ju që keni fatin të keni televizione lokale në vendbanimin tuaj mund ta konsideroni veten fatlum pasi nuk do t’ju mungojnë alternativat për programet televizive.
Falë internetit të pakontrolluar në vendin tonë, ju duhet dije minimale për kompjuter që të mund të shihni filmat dhe serialet e fundit. E nëse keni pak më shumë se njohurit fillestare për shkarkimin e filmave, diçka si titrimi apo e ngjashme, ju mund të përfundoni si kryeredaktor i televizioneve lokale. Shkarkoni, e hapni me Windows MediaPlayer, Full-Screen edhe shkoni në gjumë. Kjo është fakt dhe besoj që shumica e keni vërejtur këtë.
Shumica e televizioneve lokale po transmetojnë filmat më të fundit vetëm disa ditë pas shfaqjes në kinematë amerikane. Kjo është ‘përparim’ në krahasim me televizionet në mbarë botën, të cilat minimum duhet të presin 6 muaj pas shfaqjes në kinema që të mund të shfaqin filmin në televizion dhe atë si zakonisht në fillim janë ato me parapagim – PPV, pastaj ato të koduara në satelit dhe në kabllor, ato të lira në kabllor, dhe së fundmi kanalet kombëtare.
Zakonisht pas kanaleve kombëtare vijnë kanalet lokale, por tek ne ndodh e kundërta. Së pari televizioni lokal, pastaj ndoshta kinemaja, PPV, dhe diku pas dy-tri viteve ose më shumë kanalet kombëtare të cilat si zakonisht janë të ngulfatura me seriale turke dhe edicione informative. S’di sa ka kuptim për shembull të abonoheni në Digi Gold, kur të njëjtin film mund ta shihni në kanalet lokale.
S’kam nevojë të paragjykoj, por jam i sigurt që televizionet tona lokale nuk mund të përballojnë financiarisht transmetimin e filmave që po i shfaqin çdo ditë. Por, edhe në qoftë se do të konsistonin se kanë ndonjë leje për këta filma, atëherë koha e transmetimit që vjen disa ditë, ndoshta javë prej shfaqjes në kinema është absurde. Thjesht çdo arsyetim i tyre është absurd!
Kjo edhe një herë vë në pah “punën” e KPM-së e cila siç duket ekziston vetëm në letër. Është e vërtetë që kanë mungesë të bazës ligjore për disa fusha si digjitalizimi, IPTV, por televizionet lokale janë nën legjislaturën e tyre të plotë.
Duhet lavdëruar që kanë bërë punë të mirë në mbrojtjen e të drejtave autoriale me disa vendime të para 3-4 viteve por që nga atëherë asgjë. Nuk duhet të presin vetëm të ankohet dikush, por duhet të krijojnë një ambient audio-vizuel ku e drejta autoriale do të respektohej në maksimum.
Kjo ndoshta do të na mundësonte që një ditë të shohim filmat e fundit në kinematë tona, të mos shiten 3 DVD për 1 euro, dhe të kemi diçka origjinale në këtë vend. Edhe kjo do të rregullohet nëse dëshirojmë BE-në, por më mirë të niset të punohet në këtë drejtim qysh tani.
Letërsia kosovare në Zagreb
Arbër Selmani
Njëmbëdhjetë shkrimtarë e përkthyes nga Kosova do të marrin pjesë në Festivalin e Letërsisë “Vështrime në letërsitë e vogla” (Review of Small Literatures), i cili organizohet në Zagreb nga data 4-7 tetor 2011. Festivali organizohet nga klubi letrar “Booska” i asociacionit kulturor “Kulturtreger”.
Çdo vit, ky festival prezanton nga një skenë nacionale të letërsisë së shteteve të Evropës Juglindore, duke shënjestruar arritjet e saj dhe efektet e gjendjen politike në të. Sivjet, vëmendja dhe fokusi kryesor i festivalit do të jenë në letërsinë e re bashkëkohore kosovare, ku për tre net me radhë artistët do të lexojnë krijmet e tyre letrare.
Festivali, viteve të kaluara u kishte kushtuar shumë hapësirë letërsive ballkanase, si asaj ruse, boshnjake e serbe. Jeton Neziraj, njëri nga pjesëmarrësit, thotë se kjo është arritje e madhe për letërsinë kosovare, e cila rrënjët i ka shumë të thella. “Shpesh ka ndodhur që 2-3 pjesëmarrës të marrin pjesë, por 11 është numër i madh. Secili do të paraqesë mendimet e tij dhe mënyrën e të perceptuarit.
Do të ndeshet letërsia e re kosovare me ato rajonale”, shton Neziraj. Festivali, gjatë tre netëve letrare, do të mbajë edhe diskutime mbi gjendjen e tanishme të letërsisë, përparimin apo ngecjet e saj, si dhe do të organizohen panele mbi krahasimin e saj me tjerat letërsi ballkanike.
Poeti dhe publicisti Avni Rudaku, gjithashtu pjesëmarrës dhe i ftuar në festivalin në fjalë, tha se jo pa arsye është zgjedhur letërsia shqipe për t’u analizuar në nivel ndërkombëtar.
“Luftërat e tmerrshme në Ballkan interferuan në të gjitha sferat e jetës së interaksioneve ndërmjet fqinjëve dhe kombeve. Ato prekën edhe shkëmbimet dhe marrëdhëniet në mes të letërsive kombëtare letrare.
Prandaj, ky prezantim në Zagreb është i vlefshëm për shkak të fillimit të arratisjes së letërsisë nga nacionalizmi përjashtues në zhvendosjen e vlerave letrare në planin ideo-artistik”, pohon Rudaku.
Një bashkëpunim i tillë midis shkrimtarëve e përkthyesve shqiptarë dhe atyre kroatë ka ndodhur për shkak se këto dy vende i kanë mjaft të rregulluara relacionet si në aspektin politik ashtu edhe në atë kulturor e artistik.
Të ftuar për të qenë pjesë e këtij festivali janë: Avni Rudaku, Arben Idrizi, Shpëtim Selmani, Genc Kadriu, Jeton Neziraj, Ervina Halili, Ballsor Hoxha, Halil Matoshi, Qerim Ondozi, Shkëlzen Maliqi e Ardian Haxhaj.
Subscribe to:
Posts (Atom)
Ndërrimi i motmoteve, ripërtëritje e dashurisë vëllazërore
Kërko brenda në imazh Nga : FLORI BRUQI Për të festuar Viti i Ri 2025 , ja disa urime që mund të ndani ...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...