2012-04-02

Do të na hyjnë edhe në shtëpi!


Adrian Çollaku

Të shtunën ndodhi poshtërimi më i ulët i shtetit dhe i institucioneve të Kosovës. Në mes të territorit të Republikës së Kosovës, xhandarmëria serbe arreston dy policë të Kosovës, ndërkaq ministri i Rendit i Serbisë, Ivica Daçiç, bën spektakle me fotografitë e policëve të poshtëruar, duarlidhur e me tyta në kokë... Ky skenar i përgatitur i Policisë së Serbisë ngjan me ndonjë organizatë terroriste kur ata zënë pengje të ndryshme apo me skenarë që mund të ngjajnë në kohë luftërash apo në rastin më të shpeshtë që mund t’i shohim nëpër filmat aksion.

Pavarësisht skenarit që mund të ketë ndodhur, që nuk ka dilema se është mirëpërgatitur nga Daçiqi, policët e Kosovës në këtë situatë mund të jenë treguar shumë të ngathët, ndonëse nuk bën të paragjykojmë se çka ka ndodhur para se ata që vijnë në atë situatë poshtëruese. Të paktën nuk është raportuar nëse policët tanë kanë provuar të mos dorëzohen, apo si janë arrestuar... Sidoqoftë, fotografia që u publikua nga MUP-i serb nuk do koment.

Ajo flet për dështimin e Policisë së Kosovës në ruajtjen e kufijve shtetërorë, flet për dështimin e ministrit të Brendshëm, Bajram Rexhepi dhe tërë Qeverisë së Kosovës. Po ashtu flet edhe për dështimin e misioneve ndërkombëtare qoftë të EULEX-it dhe KFOR-it që janë gjithashtu përgjegjëse për mbrojtjen e kufijve. Ka ndodhur me dhjetëra herë që xhandarmëria serbe të futet në territorin e Kosovës kur të dojë dhe të mos pengohet nga askush. Madje, ka pasur shumë raste kur ata kishin arrestuar qytetarë të Kosovës.

Ky poshtërim që na e bën Serbia nuk është i pari. Hiç më pak se ditë më parë Policia e Serbisë nën urdhrat e pasardhësit të Millosheviqit, Daçiçit arrestoi dy qytetarë të Kosovës pa kurrfarë baze ligjore.

Pavarësisht kësaj, ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj të shtunën në një intervistë dhënë për mediet e huaja ka ripërsëritur deklaratën më bizare dhe më ofenduese për inteligjencën e secilit qytetar të dhënë kohëve të fundit edhe nga shefi i tij, Hashim Thaçi se “me marrëveshjet e arritura në Bruksel Serbia de facto dhe de jure e ka njohur shtetin e Kosovës”. Nëse edhe kjo është njohje nga Serbia kur hyn e t’i arreston edhe policët në territorin e shtetit tënd, atëherë ose ne nuk jemi në rregull, ose Thaçi e Hoxhaj janë shumë të “avancuar” e “përparimtarë” saqë ne nuk po mund t’i kuptojmë në asnjë mënyrë.

I mjerë është edhe reagimi i institucioneve të Kosovës pas arrestimit të policëve kosovarë, e sidomos i Qeverisë. Ndonëse i poshtëruar maksimalisht shteti i Kosovës, ekzekutivi i udhëhequr nga kryeministri Thaçi gjen kohë që t’i “vajtojë” marrëveshjet e arritura me Serbinë në Bruksel, të cilat edhe ashtu janë bërë vetëm për përfitimin e Serbisë me përafrimin e saj me BE-në, gjegjësisht me fitimin e statusit të kandidatit.

Ja se çfarë thuhet ndër të tjera në deklaratën e Qeverisë së Republikës së Kosovës: "Ky është një akt qyqar i Qeverisë së Serbisë, është në kundërshtim me vlerat evropiane të fqinjësisë së mirë, kundër bashkëpunimit rajonal dhe cenon rëndë marrëveshjet e arritura mes të Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

Qeveria e Kosovës dhe institucionet tjera s’kanë pse të mundohen të mbrojnë me çdo kusht marrëveshjet e arritura me Serbinë. Institucionet kosovare së pari duhet që ta mbrojnë shtetin nga agresioni i Serbisë dhe t’i mbrojnë qytetarët tanë, sidomos ata që udhëtojnë nga diaspora nëpër shtetin fqinjë që të mos ndëshkohen nga kjo politikë millosheviqiane e Serbisë.

Në vend të këtyre reagimeve, sa për sy e faqe, sot në radhë të parë është dashur që të jepte përgjegjësi ministri i Policisë, Bajram Rexhepi, ngase ka dështuar sektori që ai e udhëheq. Në anën tjetër, kryeministri i vendit, si kryesues i Këshillit të Sigurisë, është dashur që ta mblidhte urgjentisht Këshillin e Sigurisë Kombëtare. E, jo të japin deklarata “qyçare”, me anë të të cilave kërkojnë “moscenimin” e marrëveshjeve të arritura me Serbinë me ndërmjetësimin e Brukselit.

Nëse institucionet tona do të vazhdojnë me këtë sjellje kaq inferiore karshi Serbisë, nuk duhet të çuditemi kur një ditë policia e Daçiçit dhe Tadiqit, e cila përdoret në këtë kohë fushate për të fituar edhe votat e secilit ekstremist serb, të na ndodhë ndonjë arrestim edhe në kryeqytetin kosovar, në Prishtinë. Të na poshtërojnë totalisht.

Administrata e Trump-it ofroi një mundësi, por jo një zgjidhje për problemet që ekzistojnë mes Kosovës dhe Serbisë

  Search inside image Akademik  Mehdi Hyseni,PHD Profesor Dr. Mehdi Hyseni  , është Doktor i Marrëdhënieve Politike Ndërkombëtare dhe Bashkë...