2012-04-02
Profecia e Gjingjiqit
Beqë Cufaj
Disa muaj para se ta vrisnin, lideri serb i Beogradit postmillosheviqian, Zoran Gjingjiqi, pati deklaruar: shqiptarët mund edhe të shikojnë dhe shkojnë në Europë përmes Tiranës e Shqipërisë... por të mos harrojnë që gjatë atij rrugëtimi do të mund të mbyten edhe në detin e tyre!
Sot, gati një dekadë prej asaj thënieje të tij, del që nuk e ka pasur edhe aq gabim. Sepse shqiptarët (e Kosovës), edhe përkundër faktit që në vitin 1999 u çliruan nga robëria shekullore serbe, kurse në vitin 2008 shpallën pavarësinë, megjithatë duket që ende shohin nga Serbia dhe përmes Serbisë rrugën e tyre drejt Europës. Sado e dhimbshme që tingëllon, duhet që këtë realitet ta shohim drejt në sy.
Së pari, është më tepër se e pakuptimtë joshja, për të mos e quajtur ndryshe, e shqiptarëve që të udhëtojnë drejt dhe përmes Serbisë. Asaj pra: e cila ka rrahur, poshtëruar, maltretuar, terrorizuar, vrarë e përndjekur jo vetëm gjatë regjimit të Milosheviqit, por edhe më herët për dekada e dekada të tëra. Për një shekull me radhë!
Si, si është e mundshme pra që njerëzit tanë ta hanë atë karotë “udhëtimi” për disa qindra kilometra më pak apo edhe qindra euro më shumë dhe t’i bien në gjunjë e grazhd dorasit e armikut? Për të mos i lënë vetëm “udhëtarët” apo për të ndier sidomos këtë varësi fatale nuk kemi pse u hedhemi në shpinë vetëm këtyre... sepse vetë fakti sesi në Kosovë ende dhe sot e kësaj dite konsumohet me të madhe çdo gjë serbe...tregon që ajo shtrirje e Serbisë në peizazhin mental e shpirtëror të shqiptarëve vazhdon të jetë aq e fuqishme sa nuk ka si të mos quhet një rast “sui generis” në historinë e re të civilizimit europian.
Të udhëtosh a të hash produktet e fqinjit, i cili të ka vrarë e poshtëroruar për vite me radhë?! Nuk ka si të mos jetë ndryshe pos një vetëposhtërim i pashoq dhe vërtetim i sindromit të lidhjes viktimë-doras! Prandaj: vazhdoni e udhëtoni dhe mos u ankoni. Kur ju rrahin e ju lënë të prisni në radhë me orë e ditë të tëra. Për “ryshfetet” e “bakshishet” që ua jepni... as mos të flasim. Dhe në të njëjtën kohë: vazhdoni të ushqeheni sa të mundeni me çdo gjë serbe. Sepse jeni mësuar. Dhe nuk mundeni pa to. (Që hebrenjtë s’e kanë folur e lëre më që s’e kanë parë as s’kanë dashur të dëgjojnë kurrë më fjalën “Gjermani”, me siguri s’e dini. Apo bëheni që s’e dini).
Të ketë qenë ajo varësi e asaj kohe që e pati shtyrë Gjingjiqin t’i thoshte ato fjalë që i rikujtuam në fillim të kësaj trajtese? Natyrisht. Dështimet e shoqërisë shqiptare të Kosovës, kur marrëdhëniet me fqinjët tanë serbë janë në pyetje... mund të quhen të panumërta. Vetëm disa mund t’i numërojmë këtu për të nxjerrë shkaqet e pasojat e eksperimentimeve e poshtërimeve të muajve e ditëve të fundit që na vijnë nga Beogradi.
Së pari: shqiptarët nuk arritën të ndërtojnë një kulturë kujtese për krimet gjenocidale serbe ndaj Kosovës, dhe si pasojë patëm dhe kemi këtë varësi fizike nga “nevojat” për udhëtime deri tek ato për ushqime... serbe.
Së dyti: nuk u gjetën rrugë as mundësi për ta kaluar traumën e distancimit të kriminelëve serbë nga ata të popullësisë së thjeshtë serbe të Kosovës, e cila edhe sot e kësaj dite vazhdon që “pjesërisht” të jetë pjesë e dekorit të blerë institucional (me traktora e tendera) në Prishtinë.
Së treti, kastat politike dhe intelektuale të Kosovës prej pasluftës e deri më sot zgjodhën moton e derrave të kënaqur dhe jo sokratëve të vuajtur, dhe për këtë edhe iu nënshtruan stihive megalomane të ndërkombëtarëve të lokalizuar për “nevojat” e multikulturalizimit të shpifur të quajtura “marrëdhënie të mira ndëretnike”.
Dhe fare për fund- vetë fakti që Kosova, qoftë në kohën e UNMIK-ut ashtu edhe të Fusnotës, vazhdon të jetë e mbërthyer në ujërat e keqqeverisjeve dhe korrupsionit të cilat në mënyrë direkte asaj ia dobësojnë pozitën edhe kur Serbia dhe serbët janë në pyetje bëjnë që të jemi si jemi.
Ndërkaq, personifikimi i krejt këtyre ngatërresave dhe huqjeve s’ka dyshim që është Hashim Thaçi, i cili për ta ruajtur kokën (nën hetime) dhe pushtetin (të korruptuar si askund tjetër në Europë) jo veç që ka bërë e do të bëjë koncesione, por është në gjendje të bëjë atë që askush s’do ta kishte besuar: ta durojë poshtërimin që Beogradi na e bën, ta ndihmojë Tadiqin të rizgjedhet në pushtet e hap rrugën drejt BE-së dhe fare në fund...edhe të takohet me të!
Kur do të ndodhë kjo - s’ka rëndësi. Prandaj - ec e mos i quaj profeci fjalët e Gjingjiqit!
Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)
Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës. Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...