2012-04-07

Lumit, sugarit tim...



    SHKRUAN  FLORI BRUQI



Poezia e Mirko Gashit mund të kuptohet më mirë vetëm ne komparacion me jetëshkrimin aq të vullkantë të këtij shkëmbi të letrave shqipe...




Mirko Gashi u lind më 2 janar 1939 në Kralevë, Serbi. Shkollën fillore e kreu në Preshevë ndërsa Gjimnazin në Gjilan. Ka kryer edhe një shkollë për gazetarë. Ka punuar si mësues në fshatin Caravajkë të Preshevës, pastaj gazetar në Radio Prishtinë, Në Teatrin e Kombësive në Shkup, në Teatrin Popullor të Prishtinës e së fundit ka redaktuar gazetën “Kosova” të një ndërmarrje ndërtimore në Prishtinë. Me krijime letrare ka filluar të merret qysh herët. Është marr edhe me përkthime nga gjuha shqipe në atë serbe dhe anasjelltas. Punimet e Mirko Gashit janë përkthyer në gjuhët frënge, italiane, gjermane, arabe, sllovene, angleze, turke dhe maqedone. Është prezantuar në shumë vepra të autorëve që kanë shkruara për shkrimtarët shqiptarë. Ka kaluar një jetë prej bohemi, gjatë kohës sa ishte pensionist.
Vdiq në vitin 1995, në Prishtinë.






Tituj të veprave

* “Në vorbullën e ujit” Prishtinë 1972
* “Netët e bardha”, Prishtinë 1975
* “Liberto për gjenetivin e ujit”(serbisht), Prishtinë 1977
* “Gjarpëri i shtëpisë”, Prishtinë, 1980
* “Arbror vitae”, Prishtinë 1988
* “Plagë uji”, Prishtinë 1990




Përkthime


* Poezitë e Ali Podrimjes
* Poezitë e Din Mehmetit
* Poezitë e Qerim Ujkanit
* Poezitë e Sabri Hamitit
* Poezitë e Ibrahim Kadriut
* Drama “Gof” të Anton Pashkut
* “Anija e vjetër” të Resul Shabanit
* “Bregu i pikëllimit” të Teki Dërvishit
* “Memoaret” të Ismet Shaqirit etj.






Populus Illyricus



Populli
e di
kur duhet bërë kryq
me tre
e kur
me pesë gishtërinj
e kur
të thuhet dova
Ai
më së miri
të thotë
s'ka përëndi të tjerë
përvec meje
Populli të thotë
se s'ka kryeplak
më të urtë se fshati
Ai e ka meteorologjinë
e vet
në gjunjtë e pleqëve e të plakave
kur ky yll apo ai
gjendet këtu apo aty
Populli di
pse
s'duhet përqeshur lumin
për rrugën e tij gjarpërore
rrjedhën mund ta gabojë ndonjë pikë
po lumi kurrë


2.-


pasi vetëm ai e di
rrugën e vet
vallen e popullit
askush
s'do ta mësojë
as t'i marrë erë
për një jetë kalimtare
Kurrë mos humb besë
ndaj Zotit tënd të ri
beso
e po të besoj
në këtë aksiomë


Populli e di
se vetëm fëmijët dhe kafshët
të duan pa hile


Cdo fjalë që të thuhet
për Popullin
është e stërvockël
Ai e ka celësin
për cdo rebus
vetëm për të s'ka enigma
Eu
Ai
di
se cili mashkull i shtëpisë
është për pazar
e cili jo
Ai e di
mu si Luli i vocërr


3.-


ku është hija
e ku gjendet dielli
kush është Mark
kush Januz
e kush Janus
Populli e ka syrin
të thellë
sa një oqean
populli të thotë
se kënga
është vaji i burrit
se kështu e ka jeta
Ai ka
cka s'ka
asnjë kryevepër s'e ka krijuar Dante Aligieri
apo ndonjë tjetër
po Ai
i mjeri
Për cdogjë që ke ndier
mos beso as ti
po populli
e di
Ai
para se ta capojë
të njëmbëdhjetin hap
dhjetë i ka kaluar
Populli
s'ka epiqendër
të gjitha trojet
e skajet
e tij
ashtu mund të quhen


4.-


Populli të mëson
me proverba
ai të thotë:
"I di Meta punët e veta"




BUZÊ LUMIT


Sa të shkurtëra janë largësitë
nganjëherë
deri në breg të lumit

Kur kitara therret
lumi vlon
peshqve zëri u shterret

Ti për bukuri
zgjon puhinë
fjetur në flokët e së dashurës
dhe ia leshon freret




LIRIA

(Lumit,sugarir tim)

Eu cfarë djali kam,
eu cfarë Lumi kam.
sa kafshata,
sa një pëllëmbë
s'e ka mjekrën
s'ka as dhëmbë,
mallkon yje,
shkatërron yje
Edhe në muajin e vet
të tetë s'don të lidhet në djepin e vet.



Nisia e dashurisë-Atlantida ime



Hëna lëshoi rrjetën
qyteti vazhdoi jetën

në muzgun e parë
si në zgjua
jeta vloi

të dashuruarit
bluanin
drithin e dashurisë

e zemra ime
vaj e në vaj
si zurkajë
as në këtë moshë
me dashuri
s'u josh

jetoja
pa mostra
bëja zustra

me cdo varg
shkoja larg
e më larg

shkrova
për renë e zezë
për nënën Terezë
por jo edhe këtë këngë
jetoja zi e më zi
skamnor e i pasur
por i tëri në poezi

taverna
më celi
kaverna në cdo tavernë
nga një kavernë

po qe besa
s'më la shpresa
se njëherë në jetë do të më paraqitet
ajo kometë
e Halejit

prej tavernës më shpien
në orën letrare
atje poezia ime
qe abetare
e jetës së shkretë
e jetës së vërtetë

dhe aty
në odeonin e diturisë
zë fill i dashurisë

e gjeta

në syrin e qiellit
në zenitin e diellit
në orën e gjelit

nëpër tingujt e lahutës
me ata sytë e sutës
erdhi në livadhin tim

dre o dre
i pafre
sa gjumin e pamatur
e kishe pasur

dora dorës
zemra zemrës

me baticë i mbushur uri
për dashuri
unë urithi
pashë kometën e Halejit
u harruan tavernat
u mbyllën kavernat

në prehrin e henës
sa e lumtur
m'ishte jeta
edhe në shpirtin tim
tashti zbriti bleta

dre o dre
i pafre
zemra jote dorë
luan duallën kraharor

kush është Ikari
kush Arnstrongu

u dëgjua gongu

pa fijen e romantikës
do ta pushtoj
yllin më të largët
të Galaktikës
t'ia dhuroj
Etës flockë
Etës lockë

klithën yjet
nga gëzimi
i saj dhe imi

ajo Rrushë
imja
jo e Rexhës
i largoi
pas ferexhes
se reve

pastaj
diku larg
pelat hingëlluan
qentë kuitën
arat e thara
të dashurisë
s'u ujitën

kush na bëri magji
lenetit i dha gji

treti Eta
u zhduk drenusha
vajti nuse Rrusha


mua fati
Rexhën ati
mua ylli im i fatit
Rexhën thundra e atit

diku lart
flet një alt
Eta Eta
e jo Mauthia
Etaaa

e unë e hëna
vajtojmë
luajmë etida
c'u bë nisia
ku është Atlandida.

Nisia e dashurisë - Atlantida ime


Hëna lëshoi rrjetën
qyteti vazhdoi jetën

në muzgun e parë
si në zgjua
jeta vloi

të dashuruarit në çdo hap
bluanin
drithin e dashurisë

e zemra ime
vaj e në vaj
si zurkajë
as në këtë moshë
me dashuri
s' u josh

jetoja
pa mostra
bëja zustra

me çdo varg
shkoja larg
e më larg

shkrova
për renë e zezë
për nënën Terezë
por jo edhe këtë këngë
jetoja zi e më zi
skamnor e i pasur
por i tëri në poezi

taverna
më çeli
kaverna në çdo tavernë
nga një kavernë

po qe besa
s' më la shpresa
se njëherë në jetë do të më paraqitet
ajo kometë
e Halejit

prej tavernës më shpien
në orën letrare
atje poezia ime
qe abetare
e jetës së shkretë
e jetës së vërtetë

dhe aty
në odeonin e diturisë
zë fill i dashurisë

e gjeta

në syrin e qiellit
në zenitin e diellit
në orën e gjelit

nëpër tingujt e lahutës
me ata sytë e sutës
erdhi në livadhin tim

dre o dre
i pafre
sa gjumin e pamatur
e kishe pasur

dora dorës
zemra zemrës

me baticë i mbushur uri
për dashuri
unë urithi
pashë kometën e Halejit
u harruan tavernat
u mbyllën kavernat

në prehrin e hënës
sa e lumtur
m' ishte jeta
edhe në shpirtin tim
tashti zbriti bleta

dre o dre
i pafre
zemra jote dorë
luan daullën kraharor

Eta nuk m' ishte vetëm floçkë
ajo m' ishte loçkë
ar
thesar

dre o dre
i pafre
zemra jote dorë
luan daullën kraharor

kush është Ikari
kush Armstrongu

u dëgjua gongu

pa fijen e romantikës
do ta pushtoj
yllin më të largët
të Galaktikës
t' ia dhuroj
Etës floçkë
Etës loçkë

klithën yjet
nga gëzimi
i saj dhe imi

ajo Rrushë
imja
jo e Rexhës
i largoi
pas ferexhes
së reve

pastaj
diku larg
pelat hingëlluan
qentë kuitën
arat e thara
të dashurisë
s' u ujitën

kush na bëri magji
lanetit i dha gji

treti Eta
u zhduk drenusha
vajti nuse Rrusha

mua fati
Rexhën ati
mua ylli im i fatit
Rexhën thundra e atit

diku lart
flet një alt
Eta Eta
e jo Mauthia
Etaaa

e unë e hëna
vajtojmë
luajmë etida
ç' u bë nisia
ku është Atlandida.

Liria

(Lumit, sugarit tim)

Eu çfarë djali kam,
eu çfarë Lumi kam.
Sa kafshata,
sa një pëllëmbë
s' e ka mjekrën
s' ka as dhëmbë,
mallkon yje,
shkatërron yje
Edhe në muajin e vet
të tetë s' don të lidhet në djepin e vet.


http://groups.yahoo.com/group/LKAB_cameri-arvaniti/message/11194




NË VEND Të PËRKUJTIMIT



Intervista e Qani Mehmedit me Mirko Gashi, Marrë nga Zëri i Rinisë, 1984

Mirko Gashi


“Jetoj ashtu siç dëshiroj!...”


Si mendon, çka punon e çka mendon njëri ndër poetët më bohemik në qarqet tona letrare?


Edhe lexuesi më i rëndomtë i gazetave dhe i revistave tona mund ta ketë hetuar fare lehtë se poeti Mirko Gashi rrallë, tepër rrallë, jep intervista. Për më shumë se 20 vjet krijimtari, ai nuk i ka bërë as dy-tri biseda për gazetë. Mbase, prandaj është e nevojshme që të kalohet qoftë edhe shkarazi nëpër biografinë e tij. Banon diku në skaj të Prishtinës, në nja dy dhoma përdhese, plot lagështi, në një hapësirë ku ladrojnë minjtë më të mëdhenj se maca, në “Morava 11” rrugë kjo e njerëzve me shumë halle. Është i kënaqur, sic shprehet vetë, me bashkëshorten e fundit, Sevdijen, e cila ka mirëkuptim të plotë ndaj personalitetit dhe përkushtimeve të këtij poeti si dhe me fëmijët e tij Zorën, Antonion dhe me Lumin e vogël, ndaj të cilëve duket se ushqen dashuri të madhe.

Fëmijëria e poetit Mirko Gashit, e cila shpesh është prezente edhe ne poezinë e tij, fillon diku në Preshevë. Atje nis të mendojë e të preokupohet edhe për çështje që ndoshta moshanikëve të tij kurrë nuk u kanë rënë ndërmend. Djalë i bashkëshortëve të përzier, shkollën fillore e të mesme e vijon në gjuhën serbokroate, por dashurinë ndaj gjuhës atnore ia nxit nëna, që, sic shprehet vetë, vazhdimisht i thoshte: “Biro, ti je shqiptar, mësoje gjuhën e babit tënd!”. Kjo këshillë e nënës qe bërë për Mirkon e ri obsesion. Në moshën 17 vjeçare, nën përkujdesjen e Rizah Bicajt dhe të Rexhep Elmazit, fillon ta mësojë shqipen për të arritur aty ku ka arritur: të krijojë poezi në këtë gjuhë.

Është i madh vargu i vendeve të punës nëpër të cilat ka kaluar Mirko Gashi. Arsimtar, gazetar i “Flakës së vëllazërimit”, aktor profesional në Teatrin e Kombësive në Shkup, gazetar i Radio-Prishtinës (7 vjet), redaktor i gazetës “Kosova” të Obiliqit (3vjet), gazetar-përkthyes në gazetën “Kosovodërvo” (7 vjet)dhe tash, më në fund, prej 7.10.1983, pensionit, artisti i lirë, siç thotë ai... Ata që i përcjellin rrjedhat e poezisë sone e dinë se Mirko Gashi ka filluar të botojë poezi në vitin 1995, por përmbledhjen e parë “Në vorbullën e ujit” e botoi në vitin 1972, “Netët e bardha” në vitin 1975, ndërkaq “Gjarpërin e shtëpisë” në vitin 1980. I janë përkthyer shumë poezi në vendin tonë dhe jashtë (frëngjisht, anglisht, rumanisht, arabisht, etj). Është i përfaqësuar në të gjitha antologjitë e poezisë sonë.

Në fillim na thatë se nuk jepni intervista. Pse?

Le të flasin vargjet. S’jam unë as Fadil Vokrri e as Sabri Fejzullahu. Ata janë për faqe të para të gazetave. Kjo është hera e dytë që jap intervistë. Më kanë lutur, por s’doja të flisja...


Kur shikoni pas, çka i thoni vetvetes?

Mbi të gjitha e çmoj lirinë. Jetoj ashtu siç dëshiroj... Dëshirat nuk i kam të mëdha për jetë luksoze, por mundësitë i kam tepër të vogla për të jetuar si njeri i rëndomtë. Qe 22 vjet bredh nëpër lagje të ndryshme të Prishtinës, pa kulm timin mbi kokë. Më në fund këto ditë pres vendimin për banesë nga BVI-ja Krahinore për Kulturë. (Sabit Jakupin, të lutem mos e harro se i jam falënderues për tërë jetën! Ai me disa shokë të tjerë që m’i dinë fort mirë hallet kanë bërë përpjekje të mëdha që, më në fund, të sigurohet një banesë shoqërore për Mirko Gashin). Jam i kënaqur me tre fëmijët e mi dhe, më në fund, e gjeta edhe bashkudhëtaren e mirëfilltë e cila më kupton dhe më respekton të këtillë sic jam – Mirko Gashi! Shumë gjëra i humba në jetë për shkak të poezisë. Kam mundur të bëhem “dikush” por kam mbetur “një poet i shkretë” rrugëve të Prishtinës, kafeneve, 22 vjet pa kulm mbi kokë. Pra, poezia shumëçka më mori e pak gjë më dha. Të merresh me poezi është punë tejet e vështirë. Vjen koha që fjalët ta kërkojnë kokën tënde. (Nëse dikush ia fal jetën poezisë, ai duhet të jetojë me fjalët, e fjala e ka masën, dimensionin, huqet e veta). S’është poet ai i cili nuk e jep edhe jetën për fjalët e veta. Është shumë vështirë, por kështu është. Jam tejet i sinqertë në këtë bindjen time. Pra, tepër e vështirë është loja me fjalë, nëse i kupton fjalët siç duhet. Të thashë, s’dëshiroj të bisedoj për gazetë, por pasi është e të rinjve, nejse...

Çka është poezia, çka mendon për të?

Begatia jonë në poezi është ajo që kemi mjaft individualitete poetike. Të gjithë përbëjnë koloritin aq të duhur të letërsisë shqipe. Poezia jonë është motive, eminente dhe e përmasave ndërkombëtare. Këtë e kam vërejtur edhe prej kontakteve të mia me letrarë të vendeve të ndryshme... Kur e pyeta një të ri një ditë se ku po shkon, m’u përgjigj se shkon në shtëpinë e tij për të shkruar poezi! U çudita. Unë qe shtatë-tetë vjet mendoj për ta trajtuar në poezi motivin e “lulediellit” mirëpo ende s’mund të shkruaj asgjë...

E poezia e të rinjve?

Një 115 emra të letërsisë sonë i kam përkthyer në gjuhën serbokroate, në gazeta e revista, plus 35 vepra letrare. E kam një vërejtje tek të rinjtë, mirë është që e shfrytëzojnë traditën, por më duket se nuk po gjurmojnë sa duhet. Le ta dinë se shumë motive të jetës sonë bashkëkohore, por edhe të thesarit tonë popullor, janë ende të patrajtuara...

E, kush duhet të shkruaj poezi?

Vetëm ai që e ndjen pulsin e popullit. E, mund ta ndjejë nëse jeton në mesin e tij. S’mundet të ndjejë pulsin e masës poeti që shëtit me “Mercedez” e që jeton në vilë luksoze. Nuk them se poetët për të shkruar poezi duhet të jetojnë në kushte “mizerable” sic kam jetuar unë dekada të tëra, por ai gjithsesi duhet të gjendet në mese të ndryshme të shtresave më të gjera popullore, t’i njohë hallet dhe peripecitë e tyre, gëzimet dhe lumturitë, jetën e tyre... Me ka ndodhur që gruaja 70 vjeçare të ma lëshojë vendin në autobus, cka për mua ka qenë kritikë mbi të gjitha kritikat.

Thatë diçka mbi atë se si duhet shkruar poezia. A keni të shtoni edhe diçka?

Se si krijohet poezia, varet edhe prej atij që e shkruan, por edhe prej frymëzimit. Unë nuk mund të shkruaj poezi të papërjetuar. E bart idenë si nëna fëmijën me vite të tëra deria vjen momenti për ta nxjerr në dritë. Më në fund, tash jam letrar i lirë, kam më shumë kohë për frymëzim e meditim, prandaj besoj se lexuesit mund të presin prej meje dicka më të rëndësishme jo vetëm në poezi, por edhe në gjininë e dramës. Megjithëkëtë, edhe tash e tutje do të paraqitem rrallë (do të përpiqem) e për mall.

Fjala jetë është shumë prezentë në poezinë tënde. Cka është jeta për ty?

Unë vetëm e përshkruaj jetën. Ashtu siç është e vrazhdë, e hidhur, shumë më pak e hareshme. Ne poezinë time i këndoj hidhësisë sepse më shumë e kam përjetuar atë. Duke i kënduar dëshiroj që sidomos të rinjtë, mos ta përjetojnë kurrë.

Cila nga hidhësitë e jetës të preokuptojnë më shumë?

Më së shumti jeta edhe vdekja, veset dhe vyrtyet, shqetësimi dhe trishtimi... shpeshherë nuk ndodh ashtu siç thuhet: hudhe farën në det e do të gjesh dikur e diku... Kam përjetuar shumë por përsëri jam i lumtur sepse tre fëmijët e mia janë të rrugë të drejtë. Dinë të çmojnë edhe jetën edhe lirinë, edhe krijimtarinë...

A jeni i kënaqur nga kritika letrare?

Janë do ushtarë të mirë në kritikën tonë letrare, por kritikë ata nuk mund të bëhen kurrë. U mungon etika krijuese, ndërkaq, kemi disa teorikë të kritikës, estet e kritikë të shkencës, siç është, bie fjala, Rexhep Qosja me dinjitet, etikë të lartë shkencore e me individualitet plotësisht të formuar. Në kritikën tonë letrare janë disa që premtojnë por tash për tash edhe veprat e tyre e edhe mundësitë krijuese janë të atilla sa, të thuash, se premtojnë.

Çka kujtoni më me dëshirë në jetë?

Fëmijërinë time të varfër. Kur me një rrogë të babait mësues ne fëmijët e tij jetonin dhe shkolloheshim, sic thuhet, me bukë e kripë...

Cka ju shtyn të pini?

Të përgjigjem me pyetje: Të banosh 22 vjet nëpër bodrume të huaja, t’i përkthesh 35 vepra, t’i kishe botuar mbi 10 mijë vargje, ta kishe një rrogë të vogël tash si pensionist në këtë moshën time, por edhe shumë probleme intime jetësore, shumë moskuptime... cka do të gejshe tjetër ti pos t’i kaloje do çaste të lumtura me gotën e rakisë në buzë?!... (Të lutem, mos harro të thuash fjalë të mira për Sabit Jakupin, i cili po ma zgjidh problemin më të madh ekzistencial). C’është e vërteta, hallet e mia i kanë kuptuar edhe kolegët e mi poetë, por çka kanë mundur të më ndihmojnë?

Çka ju bën të lumtur?

Tash në moshën 44 vjeçare kam edhe një djalë – Lumin. Ai po ma shton jetën. Ai është gëzimi im, pasuria më e madhe që mund të ketë njeriu. Në të tretën martesë kam gjetur edhe gruan, bashkudhëtaren time të jetës, e cila më do e më kupton.

Po e përmendni shpesh gruan. Cka mendon për gruan në përgjithësi?

E kishin pyetur Muhamedin: a është gruaja myslimane? I duhet myslimanit – i ishte përgjigjur. E kishin përsëritur pyetjen duke menduar se nuk e ka kuptuar... Kishte dhënë po të njëjtën përgjigje. Edhe për të tretën herë e kishin pyetur: A është gruaja myslimane? I duhet myslimanit – ishte përgjigjur.

E për burrin?

Ka trima dhe budallenj...

Për fund?

Kam folur ashtu siç ndjej. Edhe nëse diku nuk ia kam qëlluar – s’prish punë... E madhe është kjo dritë që del nga këto poça kur e di se është fryt i djersës së xehetarit. I njoh xehetarët mirë, kam jetuar gjatë në mesin e tyre. A e ke lexuar atë vargun e poezisë së Ymër Shkrelit në përmbledhjen “Febris”: Mbi varrin tim mos mbani fjalime? Këta ia kam përsëritur poetit unë aq shpesh. Shkova se më pret Lumi...

A dëshironi të autorizoni tekstin e kësaj bisede?

Më ke ofenduar. Cka kam ta autorizoj unë. E kreva punën time...



P.S. Biseda u zhvillua kryesisht në kafenenë “Tre sheshirat” por edhe në lokalet e redaksisë sonë.
Qani Mehmedi


Marrë nga Zëri i Rinisë, 1984




BARDH FRANGU :KATËR PAMJE PËR MIRKO GASHIN

PAMJA E PARË: 1988

Plasat e zemrës
i mbush me ujë të rëndë
termometër i fortë
bohemi i rrugëve të ngushtuara
këmishën pa pulla O
ç’të duan parullat ty për nam
kur e zgjodhe jetën
varr pa dimension

PAMJA E DYTË: 1992

Thyeje shishen
derdhe këtë ujë të bekuar
kolegët pas grave
në orë letrare kanë shkuar
mblidhi copat e zemrës
lëri ata dy gishta të lutem
kërkoje poezinë nëpër xhepa
atë që e shkrove mbrëmë
ndërsa hëna
pshurrej nën dritaren tënde

PAMJA E TRETË: 1994

Vdekjes ia ke mbyllur derën
me çelësin e avrur në qafë
hap portat e dhembjes prishtinës
Lumi nuk e pret kund në semafor
udhët kanë harruar këmbët e tij
veç sytë ia thith nga fundi i gotës
Miqve u thotë fort keq jam
ata shtrëngojnë kravatat në qafë
rrëshqasin trotuareve si shurra e pulës

PAMJA E KATËRT: 1995

Sa mirë që vdiqe dje
s’bartet dhembja dhe mërzia
nëpër udhët që s’ecin dot
Çelësin ia le gjarprit të shtëpisë
ta ruajnë shishen e zbrazur
fjalën që do të kallet në vetmi
Jetë i thënçin në prishtinë
për arbor vitae s’pati stinë
asnjë lojë shahu s’loze n’lëndinë
Gjithë jetën ece nëpër prush
as dukagjini s’pati rrush
të ta shuajë etjen babush

(Komentimi dhe poezitë u morën nga libri : Prend Buzhala: “Gjenitivi i lirikës”, studim monografik, Prishtinë 2009)




BEQË CUFAJ : ELEGJI PËR MIRKO GASHIN

Thellë diku në një Birucë
në Dhomë Vdekjeje, Dhomë Dhembjeje,
Dhomë Dashurie
Dhomë Artistike
Ëndërronte Jetën Qençe Artistike
Vdekjen Qençe Artistike, Dhembjen Qençe
Artistike,
Dashurinë Qençe Artistike
në Hapësira Harrimi
me Naimin stepur
përballë Madonës
mplakur në një tavolinë KëmbëThyer
me një llambë Aladini
një Qenie Artsitike dhunonte
Art Artistik, në Dhomën Artistike

2.

Tashti pushon. Përjetësisht.
duhet pyetur
kush do pshurrë mbi patetikën e palarë
kush Jetën Poezi ta bëjë
gëzim, a do të thotë ShpresëZhgënjim?
Shkronjat e shkreta luftojnë
ta dehin
njëra-tjetrën Peizazhet
e të Vetmuarit,
Shëmtuarit,
Rebeluarit,
Këngëtarit… Pushojnë me diellin Rrezeftohtë
ShpirtNgrohtë i rrugëve me rite të shpejta
me ditë si hije vdekatarësh të zakonshëm
në Prish(s)tinën e dehur me fundëndrra
për Lumin,
për tufat morbide moderne,
për rimat e mbjellura në hi përqeshjesh,
për të fundit
Lamtumirë Këngëve të Mashtruara! …

Nga libri “2005”, poezi nga Beqë Cufaj,botoi Dukagjini, Pejë 1995, f. 12-13



ESAT LOSHAJ : MEMORIUM

( M. Gashit )
Në një bufe
ndenjur fillikat mu shfaqe sonte
do të pi rakinë e rrushit
rakinë e poetit,
mëngjesin mund të mos e pres në shtëpi
do t’i pëshpëris tre emra
që i deshe aq shumë
Lumin,
Poezinë,
Rakinë,…
Sonte shpirti im
nuk e di
si ta ngrejë dollinë
për Ty!

Nga libri poetik “Me diellin në duar”,Shtëpia botuese “Medaur” – Tiranë 1999, f. 64




RAMADAN MEHMETI: :REKUIEM PË MIRKO GASHIN

(Arbor vitae 1)

«Bredhi nëpër bukuritë që i zbulove ti»
Mbrëmja letrare me Mirko Gashin
Filloi në muzgun e parë të ditës së parë
Që e kishte zënë ai në një fletë
Ku kishte shkruar vargun e fundit
Që Arbor Vitae e zëvendësoi me një lule
Sikur deshi t’i sfidonte vetë poetit
Për t’ia zvetënuar hijen Mollës së Hallës
Që e kërkonte te një varrezë e zbrazët
Për ta ringjallur prapë atë
Të hynte në Mbrëmjen Letrare në paramuzgun
Që vetë e kishte hetuar kahmot
Aty erdhi vetë Mirko Gashi dhe tha
«Bredhi nëpër bukuritë që i zbulove ti»
Nën hijen e Mollës së Hallës mbeti një lule
Në vend të Epitafit që unë (s) ta shkrova
Një minutë pa vdekur Ai që kurrë nuk vdes
Nëse bota s’e kupton gjuhën e uratës
«Arrna jemi arrna s’kemi
Dhembjet t’i arrnojmë»
Një botë e vogël na ka mbetur në grushta
Të na i bartin eshtrat qentë e mesnatës
Apo të na shpiejnë skëterrës në ushta
Në dreq nëse bota s’e kupton gjuhën e uratës
Një botë e vogël na ka mbetur në grushta
Ti do vijsh përsëri te Molla lot i zi
Për ta zhvarrosur amanetin që mbeti varë
Të heshtin të gjitha ato që e kanë pasur
Thneglat duke zhvilluar një procesion të marrë
Ti do të vijsh përsëri te Molla lot i zi
«Arrna jemi arrna s’kemi
Dhembjet t’i arrnojmë»
Me kujtimet që na mbështjellin në vdekje
Vetmia
«Në fluturimin e tij të fundit zogu më fton»
Rëndë është të jetosh me poezinë
Ku çdo mbrëmje të kafshon vetmia
Tash mund të vajtoj deri në çmendi
Për Lumin me fytyrën e përlyer të shekullit
Njëzet e një nëpër marramendje
Çdo natë çoj nga një gotë
Për shëndet të tij, ç’u bë kjo botë
Derisa eshtrat e trupit tim
Po i grryen krimbi në trishtim
«Në fluturimin e tij
të fundit zogu më fton»
Të darkoj poezinë
Në sofrën e vetmisë
Ferrin tim parajson
Si s’të njohën Zogjtë e Stimfalisë
Si nuk të njohën Zogjtë e Stimfalisë

(Arbor vitae 2)

«Lironi Kalorësit e Apokalipsës»
Kur erdhe sërish këtu në këtë vend
T’i këndosh vargjet e fundit të poezisë
Që nuk e shkrove ende në Arbor Vitae
Pak pa ta zvetnuar hijen Molla e Hallës
Mbrëmja letrare mund të fillojë the
Askush nuk e hetoi se ti ishe aty
Dhe këndoje vetë uratën që s’ta kënduan
Pak pa rënë muzgu i parë i ditës së parë
Kur u zure pisk në Selishtë të Karadakut
Gjilani të mbeti në perëndim të vargut
Kur the: «Lironi Kalorësit e Apokalipsës»
Sa nuk ju zuri Muzgu i Mbrëmjes letrare
Recitali i parë
«Kërkojmë fytyrat tona të humbura»
Ta kujtova fytyrën tënde antike
Në një varg tekanjoz që vinte si dehja
Ime kur të shikoja ty të dehur si unë
Recitali fillonte nëpërmjet përsëritjeve
Të netve që i kishim sharruar në kupa
The, në esullimin të dehjes shenjtërore
«Kërkojmë fytyrat tona të humbura»
Unë fytyrën tënde e gjeta në dehjen time
Ku mbeti ajo imja që e shihje në kupë
Si diçka që nuk është as fytyrë as kupë
Por bota jonë e ndarë në dy pjesë
Prej nga të nxirrja prapë unë të pastër
Si alkooli që e pinim së bashku në ahengje
Të Dionisit dhe përthurnim Boheminë tonë
Që s’i ngjante asnjërës që e njihnin të tjerët
Që s’ishim Na por të tjerë që s’i njihnim
«Kërkojmë fytyrat tona të humbura», the
Dhe recitali e vazhdoi Mbrëmjen letrare
Gjakimin e këndimit Hyji vetë ta fali
«Me Feniksin e fjetur në zemër
zbrite nga Mali i errtë»
Thneglat marrin udhë t’i ikin vjeshtës
Për ta gjetur të fjetur në vesë
Në ëndërr e tejkalojnë në legjione kreshtën
T’i fshihen gjarprit të shtëpisë në harresë
Si zog i zgjuar përsëri i dehur dremitem
Në këngën tënde ende më ushtojnë veshët
Në melodinë e qetësisë i tëri shafitem
U ndërrua kjo lojë derisa me mua u ndeshët
Ti flokëve të thinjura u vure emër
Gjakimin e këndimit Hyji vetë ta fali
A nuk më njohe në melodinë e parë
Kur na ngarkuan të dehur Trojën si një kali
Ritmin e hapave numëron nata e skëterrtë
Ikonat në dhomë buzëqeshin ngadalë heu
Derisa asgjë s’pipëtin veç hija jote orfeu
«Me Feniksin e fjetur n’zemër zbrite nga Mali i errtë»
Filozofia e lumit
«Ajo do të thotë të luash me fjalë»
Bëj ç’të duash me mjekrën time
Të bardhë të zezë si do ti
Vetëm qafën mos ma dridh në litar
Para se të më recitoni poezi
Çerdhen ngrite mbi plisin tim të zi
Mos lejo që Zogjtë e Stimfalisë
Që me dhëmbët e marrëzisë
Mbi varrin tim të këndojnë përsëri
Era le të fryjë me breshër e përzier
Në Mbrëmjen e nisur letrare
Derisa Mollës gjethet t’i jenë futuar
Nga ky varr mos më zgjoni fare
Mbi botë ka mbetur prapë një valë
Dhe gjithnjë i njëjti lumë rrjedhë
Nëpër mua deri në amshim bredh
«Ajo do të thotë të luash me fjalë»
(Selishtë – Prishtinë, 1996)

Nga libri poetik “Requiem për Mirko Gashin”, Prishtinë 1997.




TAHIR DESKU : MIRKO GASHI

Duke i dashur të tjerët veten po e urren
Bota ka punë të mëdha shoko nuk ka kohë
Hajde shpejto ta pimë jetën dimri po na zë
Ti e di mirë ç’bëre për dashurinë e parë
Po harroje ujin se një ditë do të humbet
Vetëm ai korb i kuq nga gjaku që kish derdhur
Edhe shekuj e vjet në qiell do të duket
Të lutem mos qaj për fatin
Bëju kinse nuk pi më raki të fortë
(Dikush nuk ka pirë kurrë raki të fortë)
Ec mirë, mbaje drejtpeshimin në tavolinë rri qetë
Bëj kthesë
Do të të kuptojnë mirë, do të të japin banesë…
Ti kurrë nuk ke bërë gabime
Këngën fort e ke dashur shkruar me zemër e ke
Thoshe popullit i duhen poetë, mban mend
Ai që nuk mendon si ti ende s’ka le
Po të pyes edhe diçka: pse korbin e bëre të kuq
A mos vallë pse jetën të kuqe e kemi
Hiqe nga vjershat atë të mallkuar
Le të shkojë ndër dhera të tjera atje ku s’rron njeri
Vraje me ndjenjat e tua prej poeti
Po u kalltë bota po u bëftë kiameti
Poezia le të vazhdojë ujit kurrë mos i beso
Mësa dashurisë së parë
Vetëm atij korbi të mallkuar or shoko
Bëju më i qetë kinse nuk pi raki bëju
Bota do të të kuptojë më mirë
e tillë është bota

Nga libri “Nga biografia e pashkruar”,Rilindja, Prishtinë, 1984, f. 67-68




MEXHID MEHEMTI : VARKA E NOES

(Mirko Gashit)

Vallë
Andej ëndrrës
A këndej zhgjëndrrës
Është varka e Noes?!
- Ç’thua Mirko?
“Përtej fjalës
në buzëqeshje”
- Ku, ku?
“Mbi pikëllimin
në kureshtje
- Ashtu thua?!?
“Është në zhurmë
është në heshtje…”
- Dua ta gjej
të vij tek Ti
krejt i dehur
i bërë tapë
me magji
ta kthej borxhin
me këto vargje
bashkë me mallin
për vendlindjen
“Shtatë pashë cok
është në ne
vite drite
lart mbi re”
lundron në jetë
Varka e Noes
N’përjetësi…

Nga libri poetik “Pikë në zemër”,Ura, Prishtinë 2005, f. 68-69




SABIT RRUSTEMI : ALTARET E MIA

(Mirko Gashit)

Te Altari nuk dal I Pari
Pa një Fije Bari
Agu le t’më ndjek kah eci
S’dua të më mund turreci
Dhe varr në syrin tim
Të çelë bubrreci
Më pret e dashura
E Pavluara
Në këto Orë të Vonuara
Barrë kam Kujtesën
E Etën
Dhe diku Veten
Po një Fije Bar
Më tërheq zvarrë
Këtu në Altar
Altari s’jam unë
As kjo Gunë
Që s’shafoi në Bunë
As Lulebora mornicë
Tek dridhet në ngricë
Mes dhëmbëve Provincë
Vetëm Po e zia
Dhe dashuri
Mbeten Altaret e mia
(31. V. 1995)

(Nga libri poetik“Ëndrra që puthet”, Rozafa, Prishtinë 2001, f. 54)




Prend Buzhala : LEXIM NË NARTURA NATURATA




Këndimi i poetit për poetët përjetohet si Këngë Mbi Këngë. Sikur me tekstet poetike bredhim “nëpër bukuri”; edhe ne lëvizim në ato hapësira. Është një ndërkomunikim i rrallë lirik që të shtyn të reflektosh: si endëzohet e si ndërthuret semantika e ligjërimit poetik; si bashkëveprojnë receptuesit në marrëdhënie me veprën e artit të ndërmjetvetshëm poetik? Ndërkomunikimi i tillë shndërrohet në “proces estezik” (lidhjet e ndërsjella në mes veprës artistike dhe receptuesve krijuesve, Pol Valeri-së), mesazhi i poetëve përçohet tek krijuesit-receptues, duke rrezatuar kuptime të reja, “duke i interpretuar” shenjat artistike të Mirko Gashit përvojave vetanake artistike receptuese.
1.
Shpalimi i botës artistike i poetëve përballë poetit, përmes aktit estetik të krijuesit letrar për krijuesin, do të na çonte tek ligjëratat e filozofit më të njohur çifut, Spinozës, i cili, në ag të kohëve moderne, i mbante ato në katedrat e Sinagogës së Amsterdamit: Deus sive Natura (Hyji ose Natyra); Hyji dhe Njeriu përbëjnë një njësi të përbashkët krijuese; natura naturans, natyrë botëkrijuese. Metaforikisht: edhe krijuesi letrar konsiderohej me natyrë botëkrijuese, ashtu sikundër ishin këta dy poetë; do të thotë, se ata ishin edhe natura naturata (përsëri Spinozës), pra natyrë e krijuar. Lasgushi ynë këtë “naturë krijonjëse” e përkufizon si “frymë”, “magji-dhëmbëse”, “transfigurim”, “tronditje shpirtërore”, “krijim i ri prej lëndës së vjetër”.
Poeti Ramadan Mehmeti ia kushtoi një libër të tërë Mirko Gashit. Ky poet, me veprën “Reuqiem për Mirko Gashin”, nis një projekt tjetër interesant poetik i autorit: Portretet e Kënduara për krijues që kanë shkuar në amshim: për Mirko Gashin e Beqir Musliun. Porse, çuditërisht, vetë Beqir Musliu do të jetë lexuesi i parë i këtij projekti, duke u bërë pastaj vetë Folës Lirik i këtij projekti! Ndërsa leximet tona ngjajnë në Korin Metafizik të një Recitali Magjik. Le të na lejohet ta themi ngjashëm e ta përsërisim atë që e kemi thënë njëherë tjetër: Duke e profilizuar së brendshmi portretin e Mirkos, krijuesit letrarë Sabit Rrustemi, Tahir Desku, Esat Loshaj, Mexhid Mehmeti, Milaim Berisha, Kalosh Çeliku, Beqë Cufaj, dhe, sidomos Ramadan Mehmeti, veçojnë gjakimin e bukurisë, të trashëgimisë e të ekzistencës nacionale në burimet e pashtershme të forcës shpirtërore, por edhe shpirtin e lirë e të lirshëm, bohemik, të virgjër mu si vestalet e kpënduara të shpirtit poetik. Aty është pikëzuar shëmbëlltyra e krijuesit si urtak, mendimtar e si krijues i thellë, i dramatikes e i tragjikes shpirtërore, tek ndërthuren me jetën nacionale e personale e me të bukurën. Tashmë, të rikënduara si Poezi për Poezinë, të portretizimit shpirtëror, në qenien e në qenësinë e Kohës Sonë na vijnë si vetëdije letrare e si vetëdije artistike. Në këtë ndërkomunikim modern letrar, poeti i rikënduar Mirko Gashi tashmë hyn si aktant i strukturës së ndërsjellë aktanciale (nocione teoricienit frëng, A. J. Greimas: “Les Actants, les Acteurs et les Figures”); ndërkohë që në këtë strukturë kanë hisen e tyre aktanciale edhe kritikët edhe lexuesit. A nuk hymë të gjithë në këtë Lojë të esullimit dehës?… Një ndërkomunikim i rrallë lirik që të shtyn të reflektosh edhe njëherë: si endëzohet e si ndërthuret semantika e ligjërimit poetik. Poezitë lexohen edhe si tërësi metapoetike, që i shënjojnë përplasjet ndërlidhjet e bashkë-jetesën me Artin, Të Bukurën, Metaforën.

2.

Së këndejmi, endëzohet një hipertekst, një estetizim i vdekjes së poetëve, një idealizim i dhimbjes për ta që shndërrohet në recital, në gjakim hyjnor të këngëtimit, në tingëllima këngësh, në frymë të ringjalljes; rekuiemi lirik shndërrohet në Ideal Poetik. Shndërrohet në idealizim të kujtimit, në thellësi të konotacionit figurativ, në fusha referencash të pasura semantike, në hapësira të pëlleshme asociative, në ndërtime tekstesh mbi kodet e përzgjedhura, në transformime ndërtekstore e mbitekste poetike dhe, sidomos, në dinamikë të brendshme të strukturës kuptimore.


Mirko Gashi mbetet poeti më i njohur bohem i poezisë shqipe. Me jetën e tij të veçantë, me poezinë dhe zërin e tij të veçantë, ai konsiderohet edhe si njëri prej poetëve më të mirë të Kosovës. Mbi jetën e tij dhe mbi poezinë e tij janë shkruar shumë artikuj që janë botuar nëpër gazeta, revista letrare dhe nëpër libra të ndryshëm. Studimi më i plotë mbi jetën dhe mbi poezinë e tij i botuar deri më tani lirisht mund të konsiderohet libri me titull “Gjenitivi i lirikës – poezia e Mirko Gashit”, i autorit Prend Buzhala. Libri është botuar nga shtëpia botuese “Rozafa” dhe përkon me shtatëdhjetë vjetorin e lindjes së poetit. Autori i librit tashmë është dëshmuar si kritik letrar, si njohës i mirë i letërsisë shqipe, si autor i disa librave me studime si dhe autor i disa librave monografikë mbi disa prej autorëve të njohur të letërsisë shqipe. Në këtë libër, Buzhala mbështetet në një zbërthim e përgjithësim të shumanshëm të lëndës së trajtuar, duke nxjerrë në pah elemente të ndryshme të poezisë së Gashit. Libri është i ndarë në nëntë kapituj. Në kapitullin e parë “Lexim mitopoetik (Nga gjenitivi i krijimit të kozmosit)” autori e analizon kryesimbolin e Mirko Gashit, ujin, të cilin autori e quan Ideal Poetik, nga i cili ideal rrjedhin edhe kuptimet tjera të poezisë e të poetikës së Mirko Gashit, siç janë raportet mes poezisë, artit e realitetit, miti i krijimit kozmologjik e kozmogjenetik i kënduar në artin e poetit bohem. Kapitulli i dytë “Lexim kontekstual (Kulti i bohemës)” i kushtohet konteksteve kohore kur u krijua kjo poezi, kurse kapitujt “Lexim akvapoetik (Në vorbullën e ujit)”, “Lexim në intermedium (Hapësira eternale e akvapoetikës), “Lexim situacional (Netët e bardha)”, Lexim i subverzionit estetik (Gjarpri i shtëpisë)”, Lexim paradigmatik”, (Arbor vitae)”, “Lexim fenomenologjik (Reinkarnimi im)”, merren me interpretimin e leximit, të cilin autori e quan polimorfizëm të leximit. Në një rast, Buzhala ka shkruar se Mirko Gashi e kishte zërin e vet të veçantë, mënyrën e veçantë të reagimit dhe mënyrën e veçantë të jetesës. Ndërsa diku tjetër, ai ka shkruar se ‘vet jeta me ngjyrime tragjike e Mirko Gashit përbën thelbin e poezisë së tij, thelbin e dilemave tragjike’. Mirko Gashi në rrethet letrare ka qenë i njohur si poet bohem, i cili nuk pajtohej me konventat e shoqërisë, prandaj doemos e bënte jetën e vet të veçantë, ashtu të dëshiruar, të vetëzgjedhur, si artist endacak duke bredhur midis realitetit dhe ëndrrës, midis jetës dhe vdekjes, midis gëzimit dhe vizionit. “Mirko Gashi hyn në radhën e atyre pak poetëve tanë bashkëkohorë, i cili nuk ngarend mbas sasisë, por është i dhënë qenësisht pas krijimit të poezisë dhe me përkushtim e zhvillon dhe e thellon procesin e vet krijues poetik”, ka shkruar për të studiuesi Anton Nikë Berisha. Studimin e tij monografik mbi poetin bohem, Buzhala e përfundon me botimin e disa poezive që poetë të ndryshëm i kanë kushtuar Mirko Gashit.


http://floart-press.blogspot.com/2007/08/kush-sht-mirko-gashi-mirko-gashi-u-lind.html


http://groups.yahoo.com/group/LKAB_cameri-arvaniti/message/11194

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...