Ramadan Mehmeti lindi më 20 shtator 1948 në Livoç të Poshtëm të Gjilanit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Prishtinë, ku edhe studioi Gjuhë dhe Letërsi Shqipe. Me shkrime letrare merret që nga bankat e shkollës fillore. Është bashkëpunëtor i të gjitha gazetave dhe revistave në gjuhën shqipe. Shkrimet e tij janë përkthyer edhe në gjuhët serbe dhe boshnjake dhe u nderua me shumë çmime letrare.
Eshtë editor i shtëpisë botuese ROZAFA të Prishtinës dhe anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës
Jeton në Prishtinë.
Vepra të botuara
1. Jeta pa titull, poezi, botoi Rilindja, Prishtinë, 1977
2. Koncerti i heshtjes, poezi, botoi Rilindja, Prishtinë, 1987
3. Loja e ruletit, poezi, botoi Plejada, Prishtinë, 1994
4. Requiem për Mirko Gashin, poezi, botoi Rilindja, Prishtinë, 1997
5. Ti je e vogël, poezi për fëmijë, botoi ILIRIKU, Prishtinë, 1997
6. Ringjallja, SHSHK, Prishtinë, 1998
7. Fusha e korbave, tregime, Rilindja, Prishtinë, 2000
8. Te guri i atdheut, poezi për fëmijë, Prishtinë, 2000
9. Zemrat bëhen ura, vjersha për fëmijë, Shtëpia botuese Rozafa, Prishtinë, 2002
10. Brigje shpirti, poezi, Shtëpia botuese Rozafa, Prishtinë, 2004
11. Mëkate të zgjuara, poezi, Shtëpia botuese Rozafa, Prishtinë, 2004
12. Testamenti i gjyshit, poezi për fëmijë, Prishtinë, 2006
13. Loja e ruletit, botimi i dytë, poezi, Faik Konica, Prishtinë, 2006
14. Te guri i atdheut, botim i dytë, poezi për fëmijë, Prishtinë, 2006
15 Kur pikëllohen zogjtë, poezi për fëmijë, Rozafa, Prishtinë, 2007
16 Ura e Maskatarit, dramë, Rozafa, Prishtinë, 2007
17. Poshtërim i ndjenjës, dramë, OMBRA GVG, Tiranë, 2007
18. Bekimi i gjurmëve, libër i poezisë së përzgjedhur nga Anton N. Berisha, Shtëpia botuese Rozafa, Prishtinë, 2008
19. Tekstament letrar, mendimi kritik për krijimtarinë letrare të Ramadan Mehmetit përgatitur nga Prend Buzhala.
Requiem i vitit '95
"Dhe erdhi ajo kohë, thanë,
kur duhet edhe t'balsamohemi"
Requiemi i vitit 1995 ndezi kandilin në shandan
Që e kishe lënë vetëm një ditë më parë
Për t'i shënuar biografitë që i patëm
Që i kishim e s'i kishim ëndërruar kurrë
Shumë para lindjes së Ademit më beso
Pastaj i dëshifruam vdekjelindjet
Në kafe Koha e mbuluam jetën me inat
Hymë në pyllin e errët në pikë të natës
Mallkuam e çmallkuam
Ato vdekje mordare që poetët i vodhën
E në brendinë e shpirtit zjarrin na e ndezën
Dita ta baltoi dritën në përqafim
Muzgu u sos në skaj të pikëllimit
Dora shtrëngohet në shenjë të qëndresës
Edhe kjo ndarje ia lëshon vendin tjetrës
Gjilani të përkujtoi udhëtimin e gjatë
Përderisa i more erë bukurisë së zezë
Dita ta baltoi dritën në përqafim
Të qoftë dheu i lehtë
Pak para fillimit të fundit
Ndarja në pafund na shpie
Ne u takuam ashtu siç s'dëshironim
Nga fundi ia filluam
Biseduam gjerë e gjatë
Për të arritur atje ku ishim
Sa udhëtim i çuditshëm në këtë milenium
Pas pak çastesh kllapia të sfidoi
Të mori në grykë mortja pastaj asgjë s'pipëtiu
Qirinjët e Mirkos, Antonit, Hajdarit, Aliut
Ende nuk janë fikur të thashë
Vallë kush e ndezi atë të pestin
Të qoftë dheu i lehtë fytyrë engjëlli
Ne u ndamë pak para fillimit të pafundit tënd
Zogu i ngrirë
Asgjë s'more me vete pos këngës
Zogu i ngriu puplat në mugëtirë
E mortja qeshej si fëmija në djep
Nga pikëllimi i thellë i natës që vdiq në harresë
Shiu rigoi pandërprerë në Kuqëlinë
Duke vërshuar shtegun e pikëllimit
Frymë e ringjalljes
"Ajo që s'ishte në këngë tash lehtë këndohet
E një sëmundje la që emër s'diti t'i japë kush
Një i urtë në shtegtimet e veta nëpër botë"
Këtu gjithçka ringjallet për hir të udhëtimit
Kur dita ta fali shtegëtimin nëpër botë
Amshimi është mbyllur në një gotë të kristaltë
E bukuria e natës s'ngopet deri në agim
Edhe pse shtatë mijë mbretëri ndërruar janë nëpër kohë
Ku mbetën ëndrrat e atij që nuk u kthye
As në këtë përdëllim që këndohet në fyell të shqyer
Amshimi ende ka mbetur në fytyrat tona antike
Si statujë në vazo përderisa na Frymon ringjallja
Molla e Ademit
"Gjer te kënga që rri e kthyer me fytyrë kah Veriu
thuaj: n'këtë kohë s'më solli as Beqir Musliu"
Deri këtu të solli kënga e në këngë s'jetohet shqim
Udhëtimi është i gjatë për të arritur deri në breg
Aty ku mbet arti që po të frymon në heshtje
Përpara e ke Urën e Siratit si në përrallë
Kur të kalosh mbaje drejtpeshim the
Mos e kafsho mollën e Ademit në parajsë
Mos e humb durimin në lumin e qetë e të gjatë
Zogu ta kafshoi pikëllimin në mesnatë të vonë
Në vorbullën e lotëve mbyllur e ke durimin
Që e pate e s'e pate për jetë e mot në grushta
"Për t'i mplakur të tëra stinët në këngë nuk është mëkat
në fyell për ta trimëruar kohën a do munden gishtat"
Velloja e nusërisë
"Vdekja mysafire ka banuar në shpinat tona
Kot e paskemi shpikur edhe atë Alkimi
Se ajo që na ndriçon është vetëm shuplakë"
A mund ta gjejmë buzëqeshjen në pasqyrë që mbet
Përderisa vetmia në një ëndërr me vello na mbulon
Prej së cilës hyjnia me këngë fyelli na vret
O ku mbet alkimia e rreme që po na hyjnon
Vesa e hershme fjalët në xham të avulluar i ngushëllon
Në pasqyrë të pusit mbetur kanë memoaret e pashkruara
Tani në thellësi të shpirtit përpiqem për t'i përkujtuar
Me një shpresë të bukur netët jam duke t'i himnuar
Në errësirën e thellë të natës Zotit iu lutëm
Për një strumbullar që e pate të lidhur fatin
Ndërsa mordja të kafshoi ti kurrë nuk u ngute
Edhe pse ta shëmtoi deri në fund shtatin
Në fundlojë u takuam në qëndisje
"Rend mund të këndohet e të vajtohet
Zjarrshëm e ftohtë për gjithçka, o Zot"
A po sheh amshimi flet e s'flet
E ne në fundlojë u takuam në një qëndisje
Por këtë nuk ma the as s'mund ta thashë
Kur pjella e pjellës sate i përlot sytë
Thashë, vallë a mund të jetë ky takim i fundit
Ëndrra kishte zaptuar gjelbërimin
Ti mirë e dije atë natë pse binte shi
Ne s'kuptonim ç'po ndodh në shtegtim
Sikur doje të më thoshe diç në besë
Në shikimin e përmallshëm si vesë lutje
Vdekja u shpall një mijë vjet më vonë
Derisa gjithçka ndodh në fundin e këngëtimit në fushë
Diellin e zbritëm si meteor në pasqyrë të pusit
Recitali filloi atëherë kur nuk ishe Ti
Që ta kishin shkruar përmortshmërinë e Bukurisë së zezë
Edhe nata pështolli këmbët e veta në atë pëlhurë
Diku në thellësi dëgjohet një zë heu burrë
Poetët këtë fat e kanë tatuazh në lëkurë
Pastaj ngapak ndodh çdo gjë si në përrallë
Ju lutem më zbritni nga shuplaka në këtë fushë
Ta shpërdëllojmë qetësinë që derdhet kot së koti
Deri te Udha e Madhe që të mbes var në vazo
Përderisa bukuria ngrënte kufomën në Gjilan
Aty ku dergjen plagët e Gjergj Elez Alisë
Për vdekjen që u shpall një mijë vjet më vonë
Nata në kupë
"Secili e ka një ferr që ka për ta dashuruar
para zjarrit t'vdekur hiri ka për ta himnuar"
Heshtja na i numëron ornamentet në fytyrë
Mat e çmat ku mbet formula e heshtjes
Që ta poqi durimin nën saçin e skuqur
Kali i varreve të përndoqi deri në breg
E nata në kupë ta përgatiti amshimin
Ty t'u poq durimi i heshtjes deri në fund
Mat e çmat, ku mbet formula e vdekjes
"Që të balsamohet në një mijë e tri gjuhë"
Fytyrat tona antike
Të gjeta në një ëndërr mordare të fjetur
Fytyrën ta përshkrova në një varg antik
Ti përgatiteshe të vazhdoje udhëtimin e gjatë
E ai ende nuk kishte marrë fund i pafundi
Heshtja e vdekur
Thneglat takohen me pagjumësi në mesnatë
Përderisa na kafshon qetësia e heshtjes së vdekur
Dita na barazon në pasqyrë të pusit
Horizontet bashkohen në një pikë të fshehtë
Pas resë së zezë që vrik e mbuloi qiellin
Alarmet e hamshorëve zgjohen në mesditë
Nga pikëllimi i thellë i ditës që po vdes në harresë
Zogjtë e përlotur të poezisë Antike
Në këtë mbrëmje të fundit ta recituan
Lojën e madhe të Halil Garrisë ku filloi ringjallja
Derisa "gjithçka po këndohet për hir të udhëtimit"
Lashtësia e grishjes
(Kujtimit të Beqir Musliut)
Lashtësia e grishjes
«Për t'i mplakur tëra stinët në këngë nuk është mëkat
në fyell për ta trimëruar kohën a do munden gishtat»
Lashtësia n'agoni mbet duke pritur grishjen tënde
Harrova edhe një herë vetminë e natës së mjerë
Në ngjyrat e jetës përpëlitem derisa
Në kornizë më mbeti vetëm pritja jote
Portreti im i ngarkuar me ngjyra të zeza
Rikujton stuhitë e shfrenuara të natës së vonë
Në hapësirën e largët i mas hapat e mi
Ngushëllimi më bën shoqëri ndenjë më ndenjë
Tani u mësova të m'i marrin duart edhe sytë
Këngët për të m'i varrosur në shtratin e zemrës
Në këtë natë të rëndë sa largësia jote e afërt
Dhe për çudi qëndroj në këtë çmenduri
Para shtatit tënd çka të solli fati
Rrugët tona
Rrugët i shndërruam në një lodër
Për t'i matur mëkatrët e të parëve
E mbledhur lusprat në xhamin e thyer
Tash i mbledh korubet e zbrazta në lojë
Nata e pabesë orët m'i mat pa ndalur
Për ta kthyer buzëqeshjen e rrejshme në skenë
Që të rri varur në një ornament
Udhëtimi më përkëdhel përherë në pakthim
Ashtu siç ishim kujtimet të lodhura
Që nuk e kishim ëndërruar më parë atë verë
Me thikat e mprehta të bajlozit matan detit
Për t'i ngrohur gishtat në prushin e unit tonë
Dita në prehje
Amullia na ka lidhur nyje or mik
Nata është çuar peshë si shtrigë
Sezamet janë hapur për amshim
Dita na i mat ndjenjat në prehje
Derisa në shpinën tënde të regjur
Kali i varreve
Ta kulloti edhe atë gjelbërim që pate
A po sheh
Kobëzeza t'i numëron javët ditët orët
Shekujt kafshohen mes veti
Si në përrallë nga trishtimi
E ti ëndërron bukurinë e bardhë
Bota ëndërron një hap matan vetes
Heshtjen nga pikllimi nata e kafshoi
Duke vazhduar udhëtimin nëpër botë
Ece me orë të tëra për një mrekulli
Bari u tha derisa nuk binte shi
Mbi varrin tënd që më peshon mbi supe
E në prehje kujtimet na mat dita
Fshehtësia më kafshon ag e terr
Fshehtësia më kafshon ag e terr
Që dikush e tradhtoi mesditën e mjerë
Duke i matur këngët e veta me këngë bajlozi
Dikush i shtrëngoi dhëmbët në shenjë pikëllimi
Derisa në të njëjtën kohë një gojë e urtë
Rikëndoi bukurinë që nuk e pati nata
Por gjithkund e kërkuam derisa e kemi në grushta
Heshtjen që zogjtë ta falën urti
Që e kënduan këngën për Halil Garrinë
Tani më kot guri veç kishte plasur nga inati
Thneglat në vatër folën në vend të këngëtarit
I cili i ra lyrës në dasmën e Rexhës
Në tingëllimat e këngës u zgjua zogu
Në tingëllimat e këngës zogu u zgjua
Nga gjumi i thellë i ditës që po vdiste në harresë
Një gojë e urtë foli edhe u ringjall fjala
Tani nata në heshtje vetveten e zotëron
Për të gjitha ato fshehtësi që u diktuan
Ne mund të vajtojmë me gjithë zë bre burrë
E t'i ndezim unat në vatër si memecët n'qetësi
Duke matur heshtjen e rëndë si plumb
Tani na mbet kënga që të ngrohemi
Kur zgjohemi nga gjumi i thellë i ditës
Për urtësitë që më pezullojnë në vetmi
Që ringjallet në një mrekulli
Bredhje nëpër bukuri
(Takim poetik me Mirko Gashin)
Mbrëmja letrare me Mirko Gashin
(Arbor vitae 1)
«Bredhi nëpër bukuritë që i zbulove ti»
Mbrëmja letrare me Mirko Gashin
Filloi në muzgun e parë të ditës së parë
Që e kishte zënë ai në një fletë
Ku kishte shkruar vargun e fundit
Që Arbor Vitae e zëvendësoi me një lule
Sikur deshi t’i sfidonte vetë poetit
Për t’ia zvetënuar hijen Mollës së Hallës
Që e kërkonte te një varrezë e zbrazët
Për ta ringjallur prapë atë
Të hynte në Mbrëmjen Letrare në paramuzgun
Që vetë e kishte hetuar kahmot
Aty erdhi vetë Mirko Gashi dhe tha
«Bredhi nëpër bukuritë që i zbulove ti»
Nën hijen e Mollës së Hallës mbeti një lule
Në vend të Epitafit që unë (s)ta shkrova
Një minutë pa vdekur Ai që kurrë nuk vdes
Gejzeri
«Ja, e ke prekur lumin»
Gejzeri të mrizon në dorë
Mbi kokë të rri një kurorë
Derisa stërgjyshërit gjumëpakë
Numëronin plagët në shuplakë
Koha që ua la në shpinë varë
Ti rrjedh pa pushim si ujëvarë
Në vargun idhnak të Mirko Gashit
Mollë e kuqe në brirë të dashit
Të kërkojnë ty në Mbrëmjen letrare
Të ëndërrojnë nja dy sylynjare
Gejzeri vetë e zbuloi edhe unin
Ti the: «Ja, e ke prekur lumin»
Nëse bota s’e kupton gjuhën e uratës
«Arrna jemi arrna s’kemi
Dhembjet t’i arrnojmë»
Një botë e vogël na ka mbetur në grushta
Të na i bartin eshtrat qentë e mesnatës
Apo të na shpiejnë skëterrës në ushta
Në dreq nëse bota s’e kupton gjuhën e uratës
Një botë e vogël na ka mbetur në grushta
Ti do të vijsh përsëri te Molla lot i zi
Për ta zhvarrosur amanetin që mbeti varë
Të heshtin të gjitha ato që e kanë pasur
Thneglat duke zhvilluar një procesion të marrë
Ti do të vijsh përsëri te Molla lot i zi
«Arrna jemi arrna s’kemi
Dhembjet t’i arrnojmë»
Me kujtimet që na mbështjellin në vdekje
Vetmia
«Në fluturimin e tij të fundit zogu më fton»
Rëndë është të jetosh me poezinë
Ku çdo mbrëmje të kafshon vetmia
Tash mund të vajtoj deri në çmendi
Për Lumin me fytyrën e përlyer të shekullit
Njëzet e një nëpër marramendje
Çdo natë çoj nga një gotë
Për shëndet të tij, ç’u bë kjo botë
Derisa eshtrat e trupit tim
Po i grryen krimbi në trishtim
«Në fluturimin e tij
të fundit zogu më fton»
Të darkoj poezinë
Në sofrën e vetmisë
Ferrin tim parajson
Si s’të njohën Zogjtë e Stimfalisë
(Arbor vitae 2)
«Lironi Kalorësit e Apokalipsës»
Si nuk të njohën Zogjtë e Stimfalisë
Kur erdhe sërish këtu në këtë vend
T’i këndosh vargjet e fundit të poezisë
Që nuk e shkrove ende në Arbor Vitae
Pak pa ta zvetnuar hijen Molla e Hallës
Mbrëmja letrare mund të fillojë the
Askush nuk e hetoi se ti ishe aty
Dhe këndoje vetë uratën që s’ta kënduan
Pak pa rënë muzgu i parë i ditës së parë
Kur u zure pisk në Selishtë të Karadakut
Gjilani të mbeti në perëndim të vargut
Kur the: «Lironi Kalorësit e Apokalipsës»
Sa nuk ju zuri Muzgu i Mbrëmjes letrare
Recitali i parë
«Kërkojmë fytyrat tona të humbura»
Ta kujtova fytyrën tënde antike
Në një varg tekanjoz që vinte si dehja
Ime kur të shikoja ty të dehur si unë
Recitali fillonte nëpërmjet përsëritjeve
Të netve që i kishim sharruar në kupa
The, në esullimin të dehjes shenjtërore
«Kërkojmë fytyrat tona të humbura»
Unë fytyrën tënde e gjeta në dehjen time
Ku mbeti ajo imja që e shihje në kupë
Si diçka që nuk është as fytyrë as kupë
Por bota jonë e ndarë në dy pjesë
Prej nga të nxirrja prapë unë të pastër
Si alkooli që e pinim së bashku në ahengje
Të Dionisit dhe përthurnim Boheminë tonë
Që s’i ngjante asnjërës që e njihnin të tjerët
Që s’ishim Ne por të tjerë që s’i njihnim
«Kërkojmë fytyrat tona të humbura», the
Dhe recitali e vazhdoi Mbrëmjen letrare
Prekja
«Edhe ndarja është si çdo vdekje»
Ikur ke shtatë konaqe në gjëmë
Pus në pus të pusit pasqyrë
Lëri kuajt e zes të lodrojnë në lëmë
Bota zgërdhin dhëmbët pas shpine
Ne askujt s’i kemi grrithur fytyrën
Në rrazhginë të një lëndine
Heshtjen ta falën zogjtë
I ktheve në poezi
Zogjtë të këndojnë prapë në mesditë
Ç’u bë, kush i fshiu të dhënat e jetës
I more me vete kur shkove në Selishtë
Të mbeti një poetikë pa unazë të etjes
Lulja u venit derisa e shikove në sy
Ajo dy herë u lulëzua vetëm për ty
«Edhe ndarja është si çdo vdekje»
Si kjo butësi që dallohet në prekje
Gjakimin e këndimit Hyji vetë ta fali
«Me Feniksin e fjetur në zemër
zbrite nga Mali i errtë»
Thneglat marrin udhë t’i ikin vjeshtës
Për ta gjetur të fjetur në vesë
Në ëndërr e tejkalojnë në legjione kreshtën
T’i fshihen gjarprit të shtëpisë në harresë
Si zog i zgjuar përsëri i dehur dremitem
Në këngën tënde ende më ushtojnë veshët
Në melodinë e qetësisë i tëri shafitem
U ndërrua kjo lojë derisa me mua u ndeshët
Ti flokëve të thinjura u vure emër
Gjakimin e këndimit Hyji vetë ta fali
A nuk më njohe në melodinë e parë
Kur na ngarkuan të dehur Trojën si një kali
Ritmin e hapave numëron nata e skëterrtë
Ikonat në dhomë buzëqeshin ngadalë heu
Derisa asgjë s’pipëtin veç hija jote orfeu
«Me Feniksin e fjetur n’zemër zbrite nga Mali i errtë»
Gjeli herak
«Ja,
Ajo që më është imja Golgota
Portreti im i dalë nga gota»
Tani më kot e bëre grevën grevë
Në këtë natë pa hënë skëterrë
Se gjuhën s’ta kupton asnjëherë
Asnjë kalorës as e shenjta Evë
Diellin na e pagëzuan në fund
Udhëtar të humbur në thellësi
Dashurinë tënde prej këngëtari
Nuk ta kuptojnë thua askund
Në trupin e trarit të shtëpisë
Varë e ke buzëqeshjen gri
Për të njohur siç je i ri
Mbrëmjen kamertale të poezisë
Në faqen e hënës së këputur
Asgjë nuk pipëtin më
Veç qenve lazdranë e një flutur
Qetësinë e bëjnë asgjë
Recitali i dytë
«Të gjitha dituritë për lulen
janë gjysmë të vdekura»
Lulja çeli në poezinë tënde sërish lule
Përderisa mbaroi recitali i parë
Poezia më solli te Molla e Hallës
Në Selishtë të Karadakut të Gjilanit
Sa kishte filluar Mbrëmja letrare
Ti erdhe dhe the se dehja kish marrë fund
Poezia i merr të gjitha fronet kur s’jemi
Aty ku jemi gjithmonë është dhe poezia
Unë ta recitova një varg të ri
Që e kishe harruar në vjershën e mbramë
Kur e shpëtuam nga dehja e shenjtë
Bohemia është art mbi artet, më the, art
Është të heshtësh kur të gjithë belbëzojnë
Por, poezia është kur «Të gjitha dituritë
Për lulen janë gjysmë të vdekura»,
Ashtu siç unë jetova përgjysmë
Për të mbetur gjithmonë në Bohemi,
Garson, të lutem, edhe një, garson
Filozofia e lumit
«Ajo do të thotë të luash me fjalë»
Bëj ç’të duash me mjekrën time
Të bardhë të zezë si do ti
Vetëm qafën mos ma dridh në litar
Para se të më recitoni poezi
Çerdhen ngrite mbi plisin tim të zi
Mos lejo që Zogjtë e Stimfalisë
Që me dhëmbët e marrëzisë
Mbi varrin tim të këndojnë përsëri
Era le të fryjë me breshër e përzier
Në Mbrëmjen e nisur letrare
Derisa Mollës gjethet t’i jenë futuar
Nga ky varr mos më zgjoni fare
Mbi botë ka mbetur prapë një valë
Dhe gjithnjë i njëjti lumë rrjedh
Nëpër mua deri në amshim bredh
«Ajo do të thotë të luash me fjalë»
Muzgu u sos n’peshën e pikëllimit
«Nga hiri im
do të fluturojë Feniksi»
Kali i varreve e sosi gjelbërimin
Derisa pëlciti nga tepria e vetvetes
Ti të gjitha këto i pe Mirko Gashi
Muzgu u sos në peshën e pikëllimit
Vetmia i bëri vargjet të lotojnë
Unë ta mbolla vetëm një lule në kujtesë
U kullot krejt gjelbërimi mbi varrin tënd
E varri yt askund ai varr varri
Vetëm lulja më mbeti në dorë
Dhe recitali i poezisë sate
«Nga hiri im do të fluturojë Feniksi»
Ti e lotove i fundit pjesën që mbeti
Ç’u bë me Mbrëmjen letrare
Me Mirko Gashin në Selishtë
Të Karadakut te Molla e Hallës
«Nga hiri im
do të fluturojë Feniksi»
Amaneti ka mbetur varur në degë
«Gjeli lajmëron të hënën e vërshimave»
Derisa amaneti ka mbetur në degë varë
Mollës së Hallës gjethet i janë tharë
Gjithçka ndodhi pastaj pak nga pak
Në varreza në Selishtë o në Karadak
Nga Mbrëmja letrare u shfaq
Varrimi që s’u pa, stuhia
Na solli prapë këtu, sakaq
Të gjitha në dorë i mori poezia
Për zhvarrimin e eshtrave të tu
Krushqit e përlotur pipëtijnë mes veti
Për botën e madhe të fëmijëve që mbeti në hu
Të ligjëron më së miri vetë poeti
A thua u shter gjithë ai ujë i madh
Emër na dhanë gur t’vetëtimave
Para se të ndodhë zhvarrimi në gërmadhë
E pelenat e palara mbetën në bregdet
«Gjeli lajmëron të hënën e vërshimave»
(Selishtë - Prishtinë, 1996)