2012-04-04

Krahasimi i teksteve të historisë



Inspirimi kryesor për këtë nismë janë dallimet thelbësore mes teksteve arsimore të historisë ,të botuara në Kosovë, Shqipëri e Serbi. Detyrën për t’i analizuar dhe studiuar ato e ka marrë mbi supe studiuesi i shkencave politike, Shkëlzen Gashi.


Projekti “'Historia e Kosovës 1912-2012, në tekstet mësimore të historisë në Kosovë, Shqipëri e Serbi', është raport i cili do të publikohet në fillim të muajit prill, në vëllimet shqip, anglisht e serbisht.
Gashi ka rreth 6 muaj që po punon intensivisht në raport, ndërsa tregon se kanë dalë shumë fakte interesante me të studiuar këtë aspekt historie. Kur flitet për diskrepancën midis librave të historisë në Kosovë, dhe atyre në Serbi, ai thotë se ndryshimet i ka pasur të pritshme, edhe të çuditshme në raste.
“Tekstet e historisë të Serbisë merren me Kosovën, kryesisht te seksioni që e trajton vitin 1912/1913, kurse kur shpjegohen periudhat tjera, Kosova përmendet shumë pak sepse, siç vërehet nga hartat e botuara në këto tekste, ajo trajtohet gjithmonë si pjesë e pandashme e Serbisë. Natyrisht, theks i veçantë i kushtohet luftës së fundit në Kosovë 1998-1999. Krimet e forcave serbe ndaj shqiptarëve nuk prezantohen askund në tekstet e Serbisë, njësoj sikur që në tekstet e Kosovës nuk përmenden krimet ndaj serbëve”, thotë Gashi, duke shtuar se edhe midis atyre çka thuhet në tekstet e historisë së Kosovës e Shqipërisë po ashtu ka dallime, këtë herë më pak në përmbajtje sesa në përdorimin e stilit gjuhësor.
“Dallimet kryesore mes teksteve te Shqipërisë dhe të Kosovës, sa i përket paraqitjes së historisë së Kosovës 1912-2012, konsistojnë kryesisht në gjuhën e përdorur: tekstet e Kosovës përdorin gjuhë të ashpër dhe pa ofruar argumente mbështetëse, kurse tekstet e Shqipërisë përdorin gjuhë më të matur sa u takon krimeve të forcave serbe”, vazhdon Gashi.
Projekti i cili do të botohet si libërth është përkthyer nga Elizabeth Gowing në anglisht dhe Vehap Shita në serbisht. Ai përmban pesë kapituj; “Kosova 1912/1913” i cili trajton futjen e Kosovës nën sundimin e trupave të Serbisë, që në tekstet e Kosovës paraqitet si okupim, kurse në ato të Serbisë si çlirim,“Kosova 1918-1939” kapitull i cili trajton Kosovën mes dy luftërave botërore, por e shtjellon pak edhe Kosovën gjatë Luftës së Parë Botërore, kapitulli “Kosova në RSFJ 1945-1992” që trajton krimet gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe të pas Luftës së Dytë Botërore, themelimin e LDK-së, 2 korriku 1990, 7 shtatori 1990 dhe referendumi 1991, kapitulli “Lufta në Kosovë 1998-1999” që është kapitulli më interesant dhe trajton krimet e luftës, Konferencën e Rambujesë dhe ndërhyrjen e NATO-s dhe kapitulli i fundit “Pavarësia e Kosovës”, i cili trajton shpalljen e pavarësisë, Pakon e Ahtisaarit dhe mendimin e GJND-së.
Gashi thotë se me gjithë këtë botim, misioni nuk përfundon pa u rrekur mirë edhe shënjestra e gjithë libërthit, që asocon në shpërndarje të raportit dhe paraqitje të tij në vazhdime në medie të ndryshme shqiptare e serbe.
“Target i raportit janë: hartuesit e teksteve mësimore të historisë për shkollat fillore e të mesme në Kosovë, Shqipëri dhe Serbi; personave përgjegjës në Ministritë e Arsimit në Kosovë, Shqipëri e Serbi, të cilët japin leje për botimin e këtyre teksteve; profesorëve të historisë në shkollat fillore e të mesme dhe opinionit publik, meqenëse raporti do të botohet në vazhdime në një gazetë të përditshme në Kosovë, në Shqipëri dhe shpresojmë edhe në Serbi”, vazhdon studiuesi dhe autori i raportit, Shkëlzen Gashi.
Libri është ndihmuar financiarisht nga KFOS dhe do të botohet nga KAHCR dhe KEC.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...