2012-04-02
Kush u poshtërua?
Faton H. Bislimi
Arrestimi i dy policëve të Kosovës poshtëron Serbinë, mirëpo ky akt poshtëron edhe Bashkimin Evropian. Për hair, BE, se ke bërë zgjedhje të duhur: po afron afër vetes një gacë të mbuluar që do të të djegë edhe ty, ashtu siç i ka djegur të tjerët në rajon
Fotot e publikuara të arrestimit të dy zyrtarëve policorë të Kosovës ishin të rënda të shikoheshin, edhe pse ne shqiptarët e Kosovës jemi mësuar me pamje të tilla, veçanërisht gjatë sundimit serb mbi Kosovën. Mirëpo, pamje të tilla të arrestimit dhe të përtokjes së zyrtarëve policorë të shtetit tonë nuk kemi parë ndonjëherë. Jo që nuk kemi parë, por edhe sikur të kishim parë, të paktën nuk do të kishim besuar e as pritur se arrestuesit në këtë rast do të ishin policë serbë. Kjo është për t’u habitur, apo jo?! Po edhe jo.
Po – nëse kihet parasysh fakti që Kosova është shtet dhe duhet e mund të veprojë si i tillë; nëse merren si të njëmendta marrëveshjet Beograd-Prishtinë nën mbikëqyrjen e BE-së; nëse kihet parasysh fakti se Serbia është një shtet kandidat për anëtarësim në BE.
Jo – nëse kihet parasysh se cilët janë serbët në të vërtetë; nëse përkujtohet historia e re e Kosovës dhe krimet e tyre kundër shqiptarëve dhe të tjerëve në rajon; nëse njihet taktika e tyre politiko-diplomatike, që thonë një gjë dhe e bëjnë të kundërtën vazhdimisht; nëse mbahet mend ultranacionalizmi dhe racizmi që kanë ndaj shqiptarëve, etj.
Pas publikimit të lajmit për arrestimin e dy policëve të Kosovës nga policët serbë dhe veçanërisht pas publikimit të fotove të të arrestuarve, përtokë, nën tutelën e automatikëve serbë, nuk munguan reagimet e Prishtinës, e ajo që më bëri përshtypje më shumë ishin reagimet e shumta të qytetarëve të Kosovës përmes rrjeteve sociale online. Ata ishin të mllefosur, ndiheshin të fyer, të poshtëruar. Dhe, me të drejtë!
Mirëpo, ajo që nuk duhet harruar, është së policët kosovarë ishin në kryerje të detyrës së tyre zyrtare në brendësi të kufirit të Kosovës. Ata ndoshta edhe kanë mundur të mos i bindeshin urdhër-ndalesës së policisë së Serbisë dhe të shkrehnin armët kundër tyre.
Dikush do ta kishte quajtur këtë akt trimëri, e Serbia me propagandën e saj, goxha të fuqishme mos të harrojmë, do ta kishte çuar një botë të tërë në këmbë duke e cilësuar e prezantuar një akt të tillë si agresion të hapur, të armatosur e të drejtpërdrejtë të Kosovës ndaj zyrtarëve serbë. E, me gjasë, në sferën ndërkombëtare, Prishtina mandej do të humbte në imazh dhe në përkrahje.
Fakti që policët kosovarë nuk rezistuan, i dha mundësi Serbisë, e veçanërisht ministrit të Punëve të Brendshme, Daçiq, që botërisht të tregojë nivelin e ulët që ai ka si individ, dhe urrejtjen e mbjellë shpirtërore që Serbia ka ndaj shqiptarëve. Dalja e një ministri të një shteti kandidat për anëtarësim në BE në një konferencë për shtyp dhe mburrja e tij me foto të tilla të arrestimeve të pabaza por komplet politike, tregon nivelin e ulët të politikës serbe dhe, mbi të gjitha, poshtëron ata e jo policët kosovarë e as Kosovën.
Të mburresh se ke përulur përtokë dy zyrtarë policorë, gjersa i ke mbajtur ata nën tutelën e automatikut, nuk është gjë tjetër veç shprehje e urrejtjes së çmendur që ke ndaj shqiptarëve në këtë rast. Është akt që nuk ka vend në institucione të një vendi të quajtur demokratik e aq më pak të një vendi me kandidaturë për anëtarësim në BE. Kjo poshtëron Serbinë, por atyre u ka humbur marrja moti kohë, kështu që nuk është çudi të mos ndihen të poshtëruar.
Mirëpo, ky akt poshtëron edhe BE-në, pasi që është BE-ja ajo që po ia mundëson Serbisë krekëzimin e tillë, sepse përkundër gjithë shkatërrimit që ka shkaktuar në Ballkan, Serbia ende ka lëmoshën e BE-së. E, sa më gjatë të vazhdojë kjo lëmoshë e BE-së kundrejt këtij shteti keqbërës, aq më shumë do të krekëzohet Serbia dhe aq çmim më të lartë do të paguajë një ditë BE-ja për këtë.
Sa i ulët që ishte ky akti i fundit serb kundër Kosovës, aq më i ulët ishte edhe “arsyetimi” se këto arrestime kinse po bëhen për të mbrojtur rendin kushtetues të Serbisë. E, kuptohet, kjo thuhet në kontekstin se, sipas Serbisë, Kosova ende konsiderohet pjesë e saj. Mirëpo, pyetja që duhet bërë Daçiqit është se a thua çfarë do të ndodhte sikur Kosova të vendoste të prangoste gjithsecilin brenda kufijve të saj që thyen rendin kushtetues të Kosovës?
Sikur të vendoste Kosova të arrestonte secilin që thyen rendin kushtetues të Kosovës, atëherë, pikë së pari, do të krijohej goxha punë në ndërtimtari. Kosova do të duhej të ndërtonte burgje e burgje të tëra për të akomoduar të gjithë të prangosurit nën këtë pretekst. Pse? Sepse, thuajse të gjithë serbët e Kosovës do të duhej arrestuar sepse ata janë në vazhdimësi thyes të rendit kushtetues të Kosovës. Shumica e tyre nuk njohin institucionet e Kosovës, nuk i përmbushin obligimet e tyre si qytetarë të Kosovës, etj.
Që nga Prishtina e deri në Beograd, Kosova do të mund të shtronte rrugën me foto të serbëve të Kosovës që do të mund të prangoseshin me arsyen se e thyejnë rendin kushtetues të Kosovës. A thua si do të ndjehej Daçiqi atëherë?!
Veprimet e tilla të Serbisë tregojnë në vazhdimësi brendësinë e tyre të mbushur me urrejtje ndaj shqiptarëve; pamundësinë e tyre të tejkalojnë të kaluarën dhe ambicien për Serbi të Madhe; ultranacionalizmin dhe racizmin që e kanë si bukën e gojës.
Për hair, BE, se ke bërë zgjedhje të duhur – po e afron afër vetes një gacë të mbuluar që do të të djegë edhe ty, ashtu siç i ka djegur të tjerët në rajon. Beogradi zyrtar fytyrën e ndërron, por zanatin e dinakërisë kurrë nuk e harron.
Andaj, në vend se t’i ofrohej karota nga BE, atij duhej ofruar shkopin mbi kokë deri sa të shpaguante të gjitha dëmet e luftërave që ka bërë në Ballkan, duke përfshirë edhe zbardhjen e fatit të mijëra kosovarëve për të cilët ende nuk dihet gjë. Eventualisht, pas nja tri-katër dekadave me shkop mbi kokë, ndoshta Beogradi do të merrte një mësim dhe do të ndryshonte për së miri. Ndoshta!
(Autori është profesor i ekonomisë dhe politikës në Mount Saint Vincent University dhe studiues në Qendrën e Ekselencës së BE-së në Dalhousie University në Halifax, Kanada)
Administrata e Trump-it ofroi një mundësi, por jo një zgjidhje për problemet që ekzistojnë mes Kosovës dhe Serbisë
Search inside image Akademik Mehdi Hyseni,PHD Profesor Dr. Mehdi Hyseni , është Doktor i Marrëdhënieve Politike Ndërkombëtare dhe Bashkë...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...