2012-04-02

Tadiqi dhe toka jonë


Burim Ramadani

Boris Tadiqi erdhi dhe foli. Tha se “kjo është toka jonë”. Që nënkupton se kjo tokë qenka e Serbisë. Hashim Thaçi ishte këtu. Të paktën mund të besojmë se ishte këtu, sepse nuk u pa askund. As nuk doli të flasë në televizione. As nuk e vizitoi rrugën e kombit. Habi. Thaçi e ka zakon që pothuajse sa herë është në pozitë të vështirë politike (dhe kjo ndodh jashtëzakonisht shpesh), ai shkon te punimet e autostradës. Prej aty i tregon popullit të Kosovës se ai “kujdeset” për të. Por, kësaj radhe, humbi diku. U fsheh. Nuk iu dëgjua zëri fare.

Ndoshta po mendonte cili është dallimi ndërmjet Kosovës dhe Dubait?

Edita Tahiri, njëra prej gjashtë zëvendësve të Thaçit, u kënaq duke bërë marrëveshje. Marrëveshje në letër, favorizuese për Serbinë dhe pa asnjë sukses për Kosovën. Ajo, të shtunën e të dielën, mori “të fala” nga shumë e shumë mërgimtarë që u bllokuan në kufijtë me Serbinë. Ata donin të kalojnë transit nëpër Serbi, për t’u kthyer në vendet e Perëndimit, ku jetojnë dhe punojnë. Kjo nuk ishte hera e parë që bënin kështu. Qysh vite më parë (edhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës) një numër mërgimtarësh kalojnë nëpër Serbi. Madje, e kishin më të lehtë para se Edita Tahiri të bënte marrëveshje për “lëvizjen e lirë”. Tmerr.

Edita Tahiri, kjo “akademike” e pashoqe me përvojë mbi 20-vjeçare në diplomaci, me marrëveshjet e saj vetëm sa po i nxjerr telashe qytetarëve të Kosovës. Në veçanti, mërgimtarëve, të cilët pa dyshim kanë mbajtur gjallë jetën familjare në vend. Njëjtë edhe me shqiptarët e Luginës së Preshevës. Edita Tahiri u doli “dardhë me bisht”.

Bajram Rexhepi u dorëzua. Tha se “e ka ditur edhe më herët se nuk mund t’i ndalojë targat e veturave të lëshuara nga Serbia me emër të qyteteve të Kosovës”. E pranoi se ka gënjyer popullin. Sepse, kohë më parë, me javë të tëra doli në televizione dhe në ballina të gazetave, duke thënë se ai do t’i heqë këto tabela. Madje, thoshte se nuk ka fare hapësirë për kompromis. Por, ja që vërtet nuk ndodhi kompromisi. Ndodhi shumë më keq. Dorëzim të Qeverisë para këtyre targave ilegale të veturave.

Hajredin Kuçi i tërhoqi vërejtjen Agim Çekut dhe Bajram Rexhepit. Duke folur në emër të Hashim Thaçit, ministri i Drejtësisë ndau drejtësinë për zhvillimet në Qeveri. Por, nuk i tha ato brenda mbledhjes së Qeverisë, sikurse do ta kërkonte rendi. Foli vetëm para medieve, duke thënë se memorandumeve ndërmjet ministrive u ka dalë moda. Është e vërtetë dhe për këtë pajtohem me Kuçin. Nuk ka kurrfarë logjike që të vazhdohet me këto lloj memorandumesh, kur ministritë janë pjesë e një organizimi qeveritar. Por, besoj se edhe Kuçi e di dhe pajtohet me mua se jo vetëm memorandumeve u ka dalë moda. Qeverisë së tij i ka dalë moda. Pra, Qeveria Thaçi është demode. E pa koncept, e paorganizim, e padije dhe, si e tillë, e pashpresë.

Të gjitha këto ndodhën gjatë ditëve të para të vitit 2012. Ditët kur në Kosovë qëndroi dhe u mor me politikë presidenti i Serbisë, Boris Tadiq. E vetmja pyetje bazike që mund dhe duhet të shtrohet në këtë situatë është kjo: çka iu nevojit Qeverisë së Hashim Thaçit të pranojë Tadiqin në Kosovë? Çfarë nevoje kishte për të?

Kjo vizitë e Tadiqit, vizitë politike në ditët e festës fetare, ndodhi në kohën kur Serbia duhet të vendosë definitivisht që të pranojë pashmangshëm kërkesat e Gjermanisë dhe të shteteve të tjera mike të Kosovës, për të hequr strukturat ilegale në Kosovës. Kërkesë e tillë kushtëzuese, të mos harrojmë, nuk i ka ardhur asnjëherë Serbisë nga vetë shteti i Kosovës. Kjo ka mundur të ndodhë, jo vetëm tash. Qysh prej shpalljes së pavarësisë së vendit, e sidomos pas opinionit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, Kosova ka mundur të kushtëzojë çfarëdo raporti me Serbinë.

Por, Thaçi nuk e bëri, Edita fluturoi për t’i takuar, e Bajrami nuk hezitoi të dorëzohet. Kjo është politika e Qeverisë së vendit tonë.

Në vend të tërë kësaj, Qeveria e Kosovës do të duhej që të bënte të paktën këto pesë veprime: 1) të kushtëzonte vazhdimin e bisedimeve në Bruksel, me heqjen definitive të strukturave ilegale të Serbisë nga Kosova; 2) të konsolidonte shtetin në tërë territorin, si fazë e patejkalueshme për të shqyrtuar mundësinë e vazhdimit të bisedimeve; 3) të refuzonte ardhjen e Tadiqit dhe Tadiqëve tjerë në Kosovë; 4) të vendoste masat e reciprocitetit politik, ekonomik dhe tregtar me Serbinë; 5) të kapte dhe të vinte para drejtësisë të gjithë ata që janë marrë me krim të organizuar dhe me kontrabandë në veri të vendit, pavarësisht se çfarë nacionaliteti kanë.

(Autori është sekretar i përgjithshëm i AAK-së dhe deputet në Kuvendin e Kosovës)

Administrata e Trump-it ofroi një mundësi, por jo një zgjidhje për problemet që ekzistojnë mes Kosovës dhe Serbisë

  Search inside image Akademik  Mehdi Hyseni,PHD Profesor Dr. Mehdi Hyseni  , është Doktor i Marrëdhënieve Politike Ndërkombëtare dhe Bashkë...