2012-04-02

Mesazhe bizantine

Dr.Sci..Xhavit Beqiri

I. Një rrethanë imagjinare

Në një rrethanë imagjinare, njeriu edhe mund të paramendojë një mrekulli të këtillë: presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, kërkon nga prefekti i Beogradit ta përcaktojë me urgjencë një hapësirë për ndërtimin e një memoriali kushtuar viktimave civile shqiptare të Kosovës. Me këtë akt, Tadiqi jo vetëm që do t’i nderonte afër 15.000 viktima civile shqiptare të terrorit serb gjatë viteve 1998-’99, por do t’i dërgonte një sinjal të qartë gjithë botës demokratike se tashmë e ka tejkaluar mendësinë politike të pararendësit të tij, Sllobadan Millosheviq, çmenduritë e të cilit e lanë në gjak ish-federatën e vendeve “të vëllazëruara e të bashkuara” të Jugosllavisë.

Një lapidar nderimi, një gur kujtimi për gjithë ata fëmijë e pleq të vrarë, një shenjë pendimi për gjithë ato vajza e gra të dhunuara, një pikë keqardhjeje për ato qindra-mijëra shtëpi, shkolla e objekte kulti të djegura e të rrënuara nga piromanët e vandalët serbë gjatë atyre viteve të egra, një shenjë e vockël çfarëdo qoftë ajo, që do ta kishte simbolikën e kërkimfaljes ndaj shqiptarëve, simbolikën e vetëdijesimit serb për atë që ka ndodhur këtu, mbase do të ishte një shenjë e fuqishme reflektimi, një pikë kthese në mënyrën se si Beogradi zyrtar, dhe serbët në përgjithësi, i shikojnë shqiptarët, veçmas ata të Kosovës.

Porse, në hendekun e madh që është krijuar mes të dyja kombeve, mes serbëve dhe shqiptarëve, një veprim i tillë i presidentit Tadiq sigurisht që do të pritej me shumë skepsë e dyshim nga shqiptarët. Çfarë do ky, tani, që dashka të ndërtojë memorial nderimi për shqiptarët e Kosovës, të cilët janë vrarë e janë masakruar pikërisht nga bashkëkombësit e tij? Çka synon të përfitojë nga bashkësia ndërkombëtare, veçmas nga Bashkimi Evropian, në kurriz të Kosovës, me këtë akt të çuditshëm?

Fundja, kur kanë shfaqur serbët, përveç ndonjë rasti individual, pendesë për krimet monstruoze kundër shqiptarëve? Pse dashkan ata të çojnë selam se ja, pikërisht ne që ju vramë, ju dëbuam nga tokat tuaja stërgjyshore dhe ju poshtëruam para botës, tani, në shekullin e ri, duam të kërkojmë ndjesë për ato mizori që jua kemi bërë dhe duam të pajtohemi përgjithmonë?!

Po serbët, si do ta përjetonin këtë akt bujar të Tadiqit? Sigurisht, shumica do ta shpallnin menjëherë tradhtar të “popullit qiellor serb”, të tjerët do ta akuzonin se, ja, ky “ua shiti” Kosovën “terroristave shiftarë”. Të rrallët, si Sonja Biserko, Natasha Kandiq, apo edhe liberali demokrat Çedomir Jovanoviq, do ta përshëndetnin këtë veprim të presidentit të tyre, duke rikujtuar se ka vite që kanë bërë thirrje për ndryshimin e kursit politik serb ndaj shqiptarëve, mirëpo thirrjet e tyre gjithmonë janë parë me përbuzje, madje për këtë qëndrim shpeshherë edhe janë kërcënuar nga nacionalistët e vijës së ashpër serbe.

II. Rehabilituesi...

Mirëpo, mrekullitë ndodhin vetëm në rrëfime fiksioni. E, politika ka rregulla të tjera, shumë më johumane sesa ato që ndeshim në romane, apo në përrallëza me “fund të lumtur”. Tadiqi e di se një akt i tillë do ta varroste politikisht në Serbi, ndaj as që i shkon ndërmend diçka e tillë. Vetëm ideja, e lëre më kërkesa e tij zyrtare për ndërtimin e një memoriali për shqiptarët e Kosovës, do të shënonte fundin e tij. Askush në Serbi, të paktën jo në këtë shekull, nuk do t’ia falte një “marrëzi të tillë”. Qysh bëhet që një president serb të kërkojë nderim për “shiftarët”.

Po, pra! Politika s’është aspak skofiare dhe në skenën e saj s’ka vend për pendesë (sado që Zoti i do të penduarit!). Tadiqi është mjaft i mençur që të bënte një gafë kaq naive. Një fije pendese për gjithë ato të liga që u janë bërë shqiptarëve mund t’i kushtojë atij me rrokullisjen e karrierës politike. E, këtë ai nuk e dëshiron, se është mjaft pragmatik dhe di të notojë shumë mirë politikisht, si në marrëdhëniet që ka me të tijët, ashtu edhe në ato me botën e jashtme, të cilën ndonjëherë të duket se po e hipnotizon me truqet e tij bizantine.

Prandaj, Tadiqi bën një veprim shumë më të mençur; ai e dënon “agresionin e NATO-s” ndaj vendit të tij, madje duke e cilësuar ndërhyrjen e Aleancës Veriatlantike për shpëtimin e popullit të Kosovës nga gjenocidi serb si “krim kundër vendit dhe popullit tonë”. Kështu tha ai në përkujtimin që u bëri disa viktimave serbe të bombardimeve të NATO-s, në qytetin Aleksinc. Mirëpo, me asnjë fjalë të vetme nuk i përmendi arsyet e kësaj ndërhyrjeje. Për 15.000 viktimat shqiptare as që bëhet fjalë. Tadiqi s’ka forcë, as vullnet, t’i zërë ngoje ata. Tekefundit, viktima ishin, porse ishin viktima shqiptare... E, Tadiqi s’është De Gol!

Në vend të kësaj, meqenëse edhe ndodhet në fushatë zgjedhore, “demokrati” Tadiq kërkoi rehabilitimin e figurës së prijësit të çetnikëve gjatë Luftës së Dytë Botërore, Drazha Mihajlloviq, një njeriu që u kishte prirë krimeve të rënda ndaj joserbëve atëkohë. Ndërsa fushata do të vazhdojë dhe zjarrmia patriotike serbe mund t’ia turbullojë paksa mendjen, Tadiqi mund të kërkojë edhe rehabilitimin e “figurës së ndritur” të Millosheviqit, i cili, sipas këtij biqim koncepti, s’ka bërë gjë të keqe, vetëm ka nxitur dhe ka urdhëruar vrasjen e mijëra kroatëve, vrasjen e gati treqind mijë qytetarëve të Bosnjës e Hercegovinës dhe të nja pesëmbëdhjetë mijë shqiptarëve, atje poshtë, në Kosovë.

III. Mesazhi suedez

Kuptohet, shqiptarët si komb, e veçanërisht shqiptarët që kanë pasur fatin e tmerrshëm të jetojnë në ish-federatën jugosllave, nuk presin mrekulli përrallash nga fqinji i tyre verior, Serbia. Aq më pak nga presidenti Tadiq, i cili, sado që mundohet të vishet me petkun e engjëllit paqedashës, prapëseprapë nuk dallon shumë nga paraardhësit e tij. Të paktën jo kur është fjala për Kosovën dhe qytetarët e saj!

Një satisfaksion, megjithatë, shqiptarëve u vjen nga një vend skandinav, nga Suedia. Një qytet i këtij vendi perëndimor tani e tutje do të ketë në njërin nga sheshet e tij një statujë me motiv nga tragjedia shqiptare e viteve të luftës 1998-’99, me të cilën suedezët duan t’i nderojnë të gjithë fëmijët refugjatë nga Kosova, të cilët gjetën strehim në këtë vend.

Statuja “Gëzimi”, që i kushtohet fëmijës Gëzim Dervishi, të cilin jeta e kishte degdisur deri në Suedinë e largët, do të simbolizojë ndër motet që do të vijnë jo vetëm tragjedinë e madhe të Gëzimit dhe të bashkëmoshatarëve të tij nga Kosova, por edhe shpirtin e lartë human të popullit suedez, që tregon nderim për të gjitha vuajtjet apokaliptike që kanë përjetuar Gëzimi dhe bashkatdhetarët e tij, për shkak të politikës shfarosëse të Beogradit ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Statuja “Gëzimi” është një mesazh i vlerave më supreme njerëzore, një mesazh që vjen nga një vend i demokracisë së vërtetë perëndimore. Në këtë shekull, diçka e tillë nuk mund të pritet nga Beogradi. As nga Tadiqi! Në domenin politik, mrekullive s’mund t’u besohet!

Mesazhi i Suedisë është mesazh Perëndimi, mesazh i dashurisë dhe i dhembshurisë njerëzore. Mesazhet e Tadiqit, që rreket të rehabilitojë kriminelë lufte, janë mesazhe obskurantiste, mesazhe bizantine!

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...