Agjencioni floripress.blogspot.com

2012/04/22

Jo Ivan Kastrioti, por Gjon Kastrioti!




Trajta sllave "Ivan" me të cilën ai quan të atin e Skënderbeut, ka shkaktuar me të drejtë një përshtypje të hidhur në opinionin shqiptar

Kristo Frashëri


Në punimin e vet mbi Skënderbeun, historiani zviceran Oliver Jens Schmitt ka përdorur në shumë raste onomastikën sllave. Në pajtim me këtë prirje, të atin e Skënderbeut nuk e quan Gjon, por Ivan Kastrioti. Trajta sllave "Ivan" me të cilën ai quan të atin e Skënderbeut, ka shkaktuar me të drejtë një përshtypje të hidhur në opinionin shqiptar në përgjithësi. Arsyeja nuk është vetëm fakti se opinioni shqiptar është mësuar deri tani ta quajë të atin e Heroit me emrin shqiptar Gjon Kastrioti, por edhe te ngarkesa e heshtur etnike që nënkupton përdorimi i pasaktë dhe i panevojshëm për shqiptarët i një trajte sllave që ata s‘e kanë dëgjuar asnjëherë.

Dimë se prapa emrave të përveçëm në trajta të huaja që kanë përdorur shqiptarët, ka në të kaluarën historianë që janë përpjekur të shohin kombësinë e huaj. Kështu për shembull, nacionalistët serbë kanë ngulur këmbë në të kaluarën për origjinën sllave të Skënderbeut duke shfrytëzuar trajtën që ndeshet në disa akte sllave Jovan për të atin, Vojsava për të ëmën, madje dhe trajtën serbe Gjuragj për vetë Gjergj Kastriotin. Me sa dimë ne, edhe serbët e ditëve tona (p.sh. Jovan Radoviçi) e kanë hedhur poshtë këtë tezë.

Për hir të madhështisë që Skënderbeu fitoi në historinë evropiane, nuk janë vetëm serbët, por edhe grekët, që u përpoqën t‘i atribuonin Skënderbeut origjinë helenike. Ndërsa serbët u kapën pas emrit Jovan të të atit të Skënderbeut që ndeshet në aktet serbe dhe pas emrit Stanish që mbante vëllai i tij i madh, - nacionalistët grekë u kapën pas mbiemrit Kastriot, të cilin e lexuan Kastriotis, që do të thotë në greqisht banor i Kalasë. Madje, historiani grek i shekullit XIX, M. Dimitzas dhe të tjerë pas tij, për ta helenizuar njëqind për qind Skënderbeun e modifikuan mbiemrin Kastriot në Kastriotis, kurse emrin nga Gjergj në Jorgo.

Historiani zviceran besoj se e di, por nëse nuk e di do t‘ia kujtojmë prirjen proverbiale të nacionalistëve serbë, të cilët i sllavizonin apo i serbizonin jo vetëm emrat e viseve të sunduara prej tyre, por edhe emrat e qyteteve jo serbe që lakmonin një ditë t‘i pushtonin, për të argumentuar aneksimin e tyre. Dihet për shembull, se serbëve mesjetarë nuk ua zinte goja ta quanin Venedikun - Venediko, por Mletac, Raguzën - Dubrovnik, Selanikun - Solum, Stambollin - Carigrad, Durrësin - Drraç, Shkodrën - Skadar, Beratin - Beligrad, madje për të mos u zgjatur, edhe Vjenën ku zoti Schmitt jep mësime, e quajtën Beç.

Mund të thuhet se historiani zviceran paska bërë një "zbulim" shkencor, - paska zbuluar emrin e vërtetë të të atit të Skënderbeut dhe se përpara këtij zbulimi ne u dashkemi të përulemi, të korrigjojmë vetveten dhe të qepim gojën. Nëse historiani zviceran do të ndjekë sëmundjen serbe, se lumi Danub i cili në Antikitet quhej Ister, ne duhet ta quajmë Tunë, sepse kështu e quanin në Mesjetë serbët. Megjithatë, këtu rasti i Danubit nuk është i ngjashëm me atë të Gjon Kastriotit. Pyetja shtrohet: a është i vërtetë pohimi që ka bërë historiani zviceran se në burimet historike babai i Skënderbeut shfaqet me emrin Ivan dhe se edhe vetë shqiptarët e kohës së tij e paskan quajtur Ivan Kastrioti, kurse forma Gjon nuk ndeshet, sipas tij, në burimet historike? ("Gazeta Shqiptare", 21 dhjetor 2008).

Në intervistën që i dha "Gazetës Shqiptare" historiani zviceran thotë se, reagimi që pati opinioni publik shqiptar është një "keqkuptim thelbësor", sepse, sipas tij, emri personal nuk nënkupton kombësi. Kjo dihet nga të gjithë. Ky fenomen nuk ndodh vetëm te shqiptarët, por te tërë popujt e Evropës, sigurisht edhe jashtë saj. Le të mos shkojmë më tej, por të kufizohemi vetëm te gjermanët. Janë me mijëra e mijëra gjermanë që mbajnë emra shenjtorësh të kishës së krishterë me origjinë izraelite, greke, romake, madje edhe sllave, por askujt nuk i shkon ndërmend të mendojë se ata janë qytetarë me origjinë izraelite, greke, romake apo sllave. Vetë emri Oliver, që mban historiani zviceran emër të cilin në shek. XV e kanë përdorur edhe shqiptarë, sigurisht nuk nënkupton kombësi angleze. Kur shefi i propagandës hitleriane, Joseph Goebbels, akuzoi një shkencëtar gjerman se ishte izraelit dhe kur si dëshmi i tregoi emrin hebraik Joseph - të lutem, i tha shkencëtari, nëse më gjykon nga emri, ç‘duhet të them unë për ju zoti Goebbels që mbani të njëjtin emër izraelit, Joseph! Kjo për arsye se këto emra janë fosilizuar prej shekujsh në onomastikën gjermane, ashtu si janë fosilizuar prej shekujsh nëpërmjet feve edhe te shqiptarët emrat me origjinë hebraike, bizantine, latine, turke, aty-këtu dhe sllave. Megjithatë, me emrin Ivan puna qëndron ndryshe. E para, emri Ivan nuk është përdorur asnjëherë nga shqiptarët. Dihet se emri Ivan vjen nga emri antik i shenjtorit Johan. Emri Johan i shenjtorit te serbët ka marrë trajtën Jovan. Trajta Jovan ka hyrë në disa vise dhe te shqiptarët është shqiptarizuar aq thellë sa askujt nuk i shkon ndërmend se kur ka përballë një shqiptar me emrin Jovan (p.sh. Jovan Kosturi, Jovan Adhami) të mendojë se është sllav. E dyta, deri sot askush përveç O. Schmitt-it, nuk e ka quajtur të atin e Skënderbeut Ivan - trajtë ruse dhe aty-këtu malazeze e emrit Johan. Historiani zviceran thotë se ai zgjodhi trajtën Ivan, mbasi ajo u gjetka në të gjitha burimet, jo vetëm sllave, por edhe latine. Këtu ai me siguri që e tepron. Trajta Ivan ndeshet vetëm në tri raste - në një aktmarrëveshje tregtare në sllavisht lidhur më 1420 midis Gjon Kastriotit dhe Republikës së Raguzës, redaktuar nga kancelaria sllave e Dubrovnikut dhe në dy akte noteriale kishtare paleosllave, të hartuara më 1426, në manastirin e Hilandarit të malit Athos (mali i shenjtë), në të cilin kishte edhe murgj rusë.

Pretendimi i historianit zviceran se emri Ivan ndeshet edhe në burimet latinishte, është trillim. Në korrespondencën latinisht të shkëmbyer me Republikën e Venedikut, Gjoni quhet në trajtën latine, Juanum Castrioti (më 1407), Johannes Castriot (në tre akte: 1413, 1417, 1433), Yanus (1424) ose Juano Castrioth (1439), Juani (1445). Edhe humanisti italian, bashkëkohësi i Skënderbeut, Raphael Volaterranus, të atin e Skënderbeut e quan Johannes Dibras. Në burimet osmane, emri i të atit të Skënderbeut quhet Juvan (lexohet edhe Jovan, por jo Ivan) dhe zotërimi i tij Juvan-ili (tokat e Juvanit ose Jovanit). Deri këtu kemi të dokumentuara tri trajta: Ivan, Johan, Juvan. Këtu lind pyetja: Përse historiani zviceran nuk e përmend kronistin shqiptar, Gjon Muzakën, bashkëkohës të Skënderbeut, madje kushëri i parë i Donikës, bashkëshortes së Skënderbeut, i cili në memorandën e vet italisht të diktuar në pleqëri të thellë më 1510, të atin e Skënderbeut nuk e quan as Ivan, as Johan, as Juvan, por Giovanni Castriota, trajtë italishte e emrit shqip Gjon. Këto emërtime të ndryshme që kanë lidhje me gjuhë të huaja e nxisin historianin të pyesë se cila ka qenë trajta shqipe e emrit të të atit të Skënderbeut. Nëse nuk e ditka trajtën shqipe, përse zgjodhi trajtën Ivan, e cila përmendet më pak se trajta latine Johannes?

Po të ishte interesuar të shihte regjistrat e trevës dibrane, hartuar nga administrata osmane më 1467, kur Skënderbeu ishte ende gjallë, do të shihte se banorët dibranë nuk përdornin as Ivan, as Juvan, as Johan, por trajtën shqipe, Gjon. Për shembull, në Rahonik (sot qyteti i Dibrës, në cepin veriperëndimor të Maqedonisë), gjejmë banorë me emrin Gjon (Gjoni, vëllai i Radecit, biri i Jankut); në Jablanicë ndeshim një fshatar me emrin Miho, biri i Gjonit; në Banishtë, pranë qytetit të Dibrës një Gjon Popoviçi (Gjoni, biri i priftit); në fshatin Majtarë, Miho, biri i Gjonit; në Peshkopi: Gjon Supa; në Brezhdan: Gjon Uraqi; në Brestin e Epërm: Gjon Mëlika; në Shumbat disa Gjonë (Gjon Bardhi, Gjon Urugobrazi, Gjon Bullaçi, Gjoni i Çalë, Gjon Zografi, Gjon Murrizi); në Obok: Gjon Shtupjaku; në Konjarë: Gjon Mesi e të tjerë. Shtojmë me këtë rast se në shekullin XV në trevën dibrane ndeshim gjithashtu banorë me emra tradicionalë shqip - në Bulqizë Gjin Kimëza, Gjin Kolandi, Gjergj i Glat(ë), (i Gjatë); në fshatin Dekë: Bogjisha Gjin; në fshatin Xhurati: papa Gjini, Gjergj Kuqi; në fshatin Banishtë: Kajo, biri i Gjergjit; në Kërçisht të Epërm: Gjorgji, vëllai i Lije Kolecit, Gjorgji, biri i Dimitrit; në Peshkopi: Pop Gjergji; në Starovë: Martini biri i Gjinit, Lekë Gjergji; në Çerjan: Gjin Gjerasi, Gjergji biri i Gjin Gjerasit, Gjin Mazha, Gjergj Luga; në Shumbat: Gjergj Bozi; në Kovaçicë: Stepani i Gjinit.

Në shek. XV trajta shqipe Gjon nuk përdorej vetëm në trevën e Dibrës. Atë e ndeshim dhe në vise të tjera të Shqipërisë. Në Katastën e hartuar nga administrata e Venedikut në vitet 1416-1417 për trevën e Shkodrës, e cila ndodhej nën zotërimin e Republikës së Shën Markut, ndeshim një mori fshatarësh, madje edhe pronarësh, pra feudalë të vegjël, të cilët mbanin emrin Gjon. Për shembull: Gjon Bardhi (në fshatin Kukël), Gjon Baksa (po aty), Gjon Bero (në Dozan), Gjon Berri (në Sordan), Gjon Bestole, proniar (në fshatin Samrisht), Gjon Akela (në Koplik), Dom Gjon Bafe, prift (në Barbullush), Gjon Balori (po aty), Gjon de Bogosavo (në Samrisht), Gjon Borri (në Sakol), Gjon Dobrançi (në Rrushkull), Gjon Brilja (në Bulsar), Gjon Buba (në Dar), Gjon Bulsari (në Grizhë), Gjon Bushati (në Sakol), Gjon Bushati (në Serel), Gjon Butadosi (në Shën Vraç), Gjon Çerga (në Gur të Zi), Gjon Dajçi (në Barbullush), Gjon Dajçi (në Samrisht), Gjon Domi (në Zamarak) dhe me dhjetëra e dhjetëra të tjerë Gjonë në fshatra të pellgut të Shkodrës, kurse dy banorë me emrin Jovan (Jovan Novaku dhe Jovan Bozhidari) i ndeshim në fshatin Bobrodol të Pejës, të cilët duket se qenë me përkatësi etnike serbe dhe dy fshatarë me emrin Ivan (Ivani biri i Radiçit dhe Ivani vëllai i Boshkos, gjithashtu në rrethinat e Pejës), të cilët duket se qenë me përkatësi etnike malazeze.

Rreth gjashtëdhjetë vjet më vonë, pra, pasi Shkodra kishte rënë në sundimin osman (1479), në regjistrin e parë që kreu gjashtë vjet më vonë (1485) administrata perandorake në sanxhakun veriperëndimor të Shqipërisë (sanxhaku i Shkodrës), ndeshim gjithashtu një mori banorësh të trevës që mbanin emrin Gjon. Vetëm në fshatin Kuç të rrethit të Shkodrës lexojmë nëntë kryefamiljarë që mbanin emrin ose mbiemrin Gjon (Gjon Andrija, Dedë Gjoni, Bogë Gjoni, Gjon Nikolla, Gjon Visha, madje edhe prifti i fshatit quhej Gjon). Për më tepër, në kadastrën osmane të rrethit të Shkodrës ndeshim edhe banorë të myslimanizuar, të cilët kishin për mbiemër emrin Gjon të babait të tyre.

Emri Gjon qoftë si emër i përveçëm, qoftë si mbiemër familjar ka qenë i përhapur edhe në krahinat jugore të Shqipërisë. Kështu për shembull në regjistri mufassal të Himarës, hartuar nga administrata osmane në vitin 1583, ndeshim brenda në kryeqendrën e krahinës në Himarë: Petri Gjoni, Mark Gjoni, Gjikë Gjoni, Gjon Palloshi, Pteri Gjoni, Gjin Gjon Aleksi, Gjon Pavllari Mëhilli, Dhimo Gjon Vllasi, Gjon Leondari, Dhima Gjon Meshi, Kont Gjoni, Gjon Mënika, Todor Gjin Gjoni, Nikolla Gjoni, Merkul Gjoni, Zot Gjoni; në fshatin Dhërmi: Gjin Gjoni, Gjon Panoja; në fshatin Palasë: Gjin Gjoni, Gjon Lehamo, Gjon Lohomo, Gjon Gjiraçe, Gjon Mihali, Gjon Shiko.

Emri Gjon ishte aq tepër i përhapur në mbarë trevën shqiptare, sa atë e morën me vete dhe banorët e viseve të jugut, të cilët gjatë shek. XIV dhe XV mërguan në viset e Greqisë kontinentale dhe ishullore. Emrin Gjon e mbanin deri vonë, ndoshta edhe sot, arvanitët si për shembull, në ishullin Hidra (Gjon Gjika, Gjon Dhimitri, Gjon Mihaili e të tjerë) ose në ishullin Andros ku emri Gjon ndeshet krahas emrave të tjerë shqiptarë si Gjin, Lekë, Pepë e të tjerë, të dhëna këto që i lexojmë në trajtesat shkencore të profesorit të Athinës, Titos Johallas.

Për ta mbyllur çështjen e emrit Gjon, të cilën e provokoi, pa qenë nevoja, historiani zviceran O. Schmitt, do të nënvizojmë së trajta shqipe Gjon si emër i përveçëm, por edhe si mbiemër familjar, lindi jo në shekullin XV, por shumë më herët. Nuk do të depërtojmë thellë në historinë e Mesjetës së hershme kur nga trajta latine Johannes, Johan u formua sipas rregullave gramatikore dhe fonetike të gjuhës shqipe, trajta Gjon. Si dëshmi të sigurta që tregojnë se përdorimi i emrit Gjon si emër i përveçëm ose si emër familjar, madje edhe si emër fshati dokumentohet në hapësirën shqiptare që në shek. XIII, do të përmendim sevastin shqiptar të periudhës anzhuine Jonima (Yonima, Gionima), në vitin 1274, i cili sipas praktikës së njohur të krerëve mesjetarë shqiptarë mbiemrin e ka marrë nga fshati Gjonima - fshat që ekziston edhe sot në trajtën Gjonëm në rrethin e Kurbinit. Në të njëjtën kohë kemi edhe fshatin e Vlorës Gjonëm, i cili përmendet në defterin e shek. XV, fshat që sot nën ndikimin e fenomenit të rotacizmit, fenomen që ka vepruar në krahinat e jugut, quhet Gjorm. Kemi pastaj më 1335, një akt dokumentar që flet për një bari, me emrin Gjon, në afërsi të Tuzit (Gon, pastor prope Tuzi) dhe një tjetër Gjon Mëhilli (Gon Michil), në Kushevë diku në veri të Koplikut. Gjejmë më tej një Gjon (Jon) pranë Kotorrit në vitin 1327 dhe një tjetër Gjon (Jon de Albania), vajza e të cilit më 1392 ishte shërbyese e Radaçë-s (eius filia: Radaça serva). Shih për këto të dhëna në vëllimet e njohura të Acta et Diplomata Res Albaniae Mediae Aetatis Illustrantia, vol.I (1913), Vol.II (1916), në vendet përkatëse sipas datave.

Emri Gjon është kaq i lashtë sa ka hyrë edhe në sferën e legjendave të vjetra shqiptare. Fillin e saj legjenda e ka te një nënë, djali i vetëm i së cilës me emrin Gjon, u zhduk. Nëna, thellësisht e dëshiruar për të birin, brodhi në të katër anët duke thirrur çdo natë: Gjon! Gjon! Në pritje të përgjigjes ajo nuk vdiq, por u shndërrua në shpendin e njohur me emrin gjon ose qokth (në latinisht: otus scops), i cili natën gjatë verës guat afërsisht: Gjon, Gjon! Për gjyshet tona të dikurshme gjoni nuk është shpend, por është nëna e dëshiruar e shndërruar në shpend, që vazhdon të kërkojë të birin e vet, Gjonin. Sipas albanologut të shquar gjerman, Gustav Meyer, legjenda e nënave shqiptare ka hyrë edhe në mitologjinë e grekëve të kohës së re, të cilët shpendin e natës e quajnë sipas apelativit shqip, në greqisht γκιώνης (gjonis). Nuk është pa vend të kujtojmë edhe emrin e shkrimtarit të parë të literaturës shqipe, i cili në Mesharin e tij të botuar më 1555, prezantohej në pasthënie para lexuesve me këto fjalë: "Unë, dom Gjoni, biri i Bdek Buzukut".

Le ta mbyllim këtë rrufe që historiani zviceran e shkrepi në qiell të kthjellët, me traditën popullore shqiptare. Kur etnografët tanë filluan, më tepër se një shekull më parë, të regjistronin kujtesën popullore mbi Skënderbeun, ata vazhdimisht kanë ndeshur në dy emra të lidhur ngushtë me të - me vetë trajtën Gjergj që mbante Heroi dhe me emrin Gjon që mbante i ati i tij. Nuk janë pra emra të stisur nga fryma nacionaliste e rilindësve tanë. E kundërta, janë rilindësit tanë, të cilët emrat Gjergj dhe Gjon i trashëguan nga tradita popullore. Këtë faktor të dorës së parë duhej ta dinte historiani O. Schmitt. Në intervistën e përmendur që ai dha më 21 dhjetor 2008, ai justifikohet duke na thënë se emrin Ivan e ka përdorur mbasi e ka gjetur të përshtatshëm për publikun gjerman, meqenëse punimi i tij në origjinal është në gjermanisht. Orvatja për t‘i shpëtuar gabimit e shtyn atë të bjerë në një gabim tjetër. Emri Ivan nuk i përket as onomastikës gjermane. Pyesim: Përse zoti Schmitt parapëlqeu për publikun gjerman trajtën Ivan, e cila ndeshet vetëm në dy apo tre dokumente sllave dhe nuk preferoi ta quante të atin e Skënderbeut në trajtën "Johanes" që ndeshet në burimet latine, trajtë që ka përdorur vetë i ati i Skënderbeut? Po të kishte parasysh publikun gjerman, ai të atin e Skënderbeut duhej ta quante të paktën Johanes, siç quhet p.sh. gjeniu i muzikës gjermane Johanes Sebastian Bach. Nga ana tjetër, me justifikimin se emrin Ivan e ka përdorur se kështu e donte publiku gjerman, duket sikur në variantin shqip ai përgjegjësinë e vet kërkon t‘ia hedhë përkthyesit, Ardian Klosit, i cili duhej ta kishte pasur në konsideratë kërkesën e publikut shqiptar. Se kush e ka përgjegjësinë, autori apo përkthyesi për këtë shpërfytyrim të emrit pagëzimor të të atit të Skënderbeut, le ta zgjidhin ata vetë. Pas gjithë këtyre të dhënave kaq bindëse, lind pyetja: Përse historiani zviceran e quan me lehtësi dhe papërgjegjësi të atin e Skënderbeut Ivan, qoftë edhe në tekstin gjermanisht? Kur shohim se në trajtesën e tij historiani zviceran përdor për shqiptarët onomastikë dhe toponomastikë serbe edhe në raste të tjera të pajustifikuara, madje kur shohim se ai quan Ivan edhe birin e Skënderbeut, pa qenë në gjendje të na japë si dëshmi qoftë edhe një akt dokumentar - kemi të drejtë të shohim te historiani zviceran një provokim. Për ne ky qëndrim ka vetëm një shpjegim. Shpjegimin duhet ta kërkojmë për sa i përket ideologjisë, te shkolla historiografike gjermano-prusiane, e cila përçmon popujt e vegjël, kurse për sa i përket faktologjisë, materialin historik ai e ka vjelë në magazinën e shkollës historiografike agresive serbomadhe, e cila për interesat e saj ekspansioniste, e ka denigruar vazhdimisht historinë e shqiptarëve. Ashtu si në të kaluarën, edhe në të ardhmen, shqiptarët të atin e Skënderbeut do të vazhdojnë ta quajnë Gjon Kastrioti, ashtu siç e kanë quajtur dhe do ta quajnë Gjon Kastrioti edhe birin e Heroit.

Vepra e Skënderbeut

Mit apo histori e vërtetë?

Historiani zviceran, Oliver Jens Schmitt, ngul këmbë se historia e Skënderbeut, ashtu siç është trajtuar deri sot në historiografinë botërore dhe shqiptare ka veshjen e një miti. Kjo do të thotë se nuk është histori e vërtetë. Ai shton gjithashtu se gjatë dekadave të regjimit komunist, miti i Skënderbeut mori nota të theksuara, mbasi ai i shërbente interesave partiake të Enver Hoxhës. Si rrjedhim, motivi që e shtyu historianin zviceran të ndërmerrte trajtesën mbi Skënderbeun ishte ta çlironte popullin shqiptar nga zgjedha e mitit të tij, pra ta çmitizonte Skënderbeun nga mjegullnaja që ka krijuar për të, sipas tij, historiografia skënderbegiane botërore dhe shqiptare. Pra, ta zhvishte Skënderbeun nga veshja legjendare dhe ta ulte në tokën e një personaliteti historik.

Pyetja që shtrohet këtu është kjo: A është me të vërtetë jeta dhe veprimtaria e Skënderbeut, ashtu siç e ka trajtuar historiografia e re skënderbegiane, një mit apo është një histori reale? Po fillojmë me pyetjen paraprake: Ç‘është miti?

Miti (në greqisht: μυτος, përrallë) nënkupton qenie mbinatyrore ose personazhe dhe ngjarje të lidhura me historinë e një populli, diku me një bazë të pakët historike, diku krejtësisht imagjinare, të cilat njerëzimi i ka hyjnizuar pa qenë i sigurt se kanë ose jo një bazë të vërtetë historike. Mite në botën antike janë për shembull figura legjendare të lidhura me origjinën e kombësive, siç janë Remi dhe Romuli për origjinën historike të Romës ose tregimi i legjendarizuar i themelimit të kështjellës së Rozafës. Mite janë edhe tregime të kohëve përrallore ose heroike prapa të cilave ato lënë të kuptohet një fakt i rëndësishëm natyror, historik ose filozofik, siç është p.sh. legjenda e varkës së Noes që shpëtoi nga përmbytja universale. Më në fund, në mit hyjnë edhe llojet e veçanta të krijimtarisë gojore popullore në trajtë rrëfenje për qenie të mbinatyrshme, për heronj legjendarë, për ngjarje a dëshmi të çuditshme, ku pasqyrohen parafytyrimet e lashta të njerëzve, për prejardhjen e botës e të jetës mbi tokë, për natyrën dhe shoqërinë. Historianët konsiderojnë mit edhe orvatjen për ta paraqitur një ngjarje apo një personalitet historik ndryshe nga ç‘ka qenë, duke i veshur ngjarjes apo personalitetit një petk të rremë ose përrallor.

Sipas historianit zviceran, jeta dhe veprimtaria e Skënderbeut, në radhë të parë lufta njëçerekshekullore që ai udhëhoqi kundër invazorëve osmanë, krijimi nën udhëheqjen e tij të shtetit të përqendruar shqiptar, konsiderata që ai fitoi sa ishte gjallë nga elita politike dhe humaniste evropiane dhe kontributi që ai dha për mbrojtjen e qytetërimit evropian nuk janë ashtu siç i ka përshkruar deri sot historiografia skënderbegiane. Për të ato janë vlerësime të fryra jo reale. Pra, janë mite, të cilat për hir të shkencës së vërtetë moderne duhen shpartalluar.

Në kapitullin e parafundit të punimit të tij me titull, "Kujtimi, harresa, rikujtimi", O. Schmitt-i pranon se miti i Skënderbeut u krijua që sa ishte gjallë Heroi. Pas vdekjes, shton ai, "lavdia e tij jashtë Shqipërisë u rrit aq fort sa që zor se gjeje vend në Evropë ku të mos njihej emri i tij". Vini re: simpatinë kaq të madhe që Skënderbeu siguroi në Evropë që kur ishte gjallë, historiani zviceran e quan mit! Por, thekson ai, ndërsa miti i Skënderbeut në Evropë po rritej, në Shqipëri po venitej. Në Shqipëri, shkruan ai, miti mbijetoi vetëm në radhët e shqiptarëve katolikë. Pas vitit 1800, ai thotë më tej, miti mori drejtim të kundërt. Ndërsa Evropa filloi ta harronte Skënderbeun sepse nuk kishte pse të trembej më nga osmanët, gjë që nuk është e vërtetë, mbasi në shek. XIX ka një mori veprash për të nga historianë e letrarë evropianë, në Shqipëri dhe në Ballkan, shkruan ai, miti filloi të ringjallej, sepse kishin nevojë për të hequr qafe zgjedhën osmane. Ringjallja në Shqipëri, nënvizon ai, mori përpjesëtime historike në periudhën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Ai shton se vetëm në fund të shek. XIX Skënderbeu u kthye në atdheun e vet, ku ndërkaq shumica e popullsisë shqiptare ishte kthyer në fenë myslimane. Vini re: Skënderbeu, prijësi i krishterë, u kthye në atdheun e vet kur shumica e shqiptarëve qenë myslimanë. Edhe ky qenka mit. Që nga fundi i shek. XIX e deri në ditët tona, pohon ai, Skënderbeu do të bëhej simboli kombëtar i padiskutueshëm i shqiptarëve.

Burimet dokumentare që kemi kaluar nëpër duar na sugjerojnë të pohojmë se ky përvijëzim i historianit zviceran për jehonën historike të Skënderbeut gjatë katër shekujve që pasuan vdekjen e tij nuk është i saktë. Ai është fund e krye një përvijëzim i rremë.

Siç e kemi pohuar edhe herë të tjera, Skënderbeu më 1468 vdiq vetëm fizikisht, por emri i tij buçiti pa ndërprerë, për shekuj, si brenda ashtu edhe jashtë Shqipërisë.

Nga burimet historike të shek. XV del se Skënderbeu u nderua si Hero që kur ai ishte gjallë, madje jo vetëm nga shqiptarët, por edhe nga elita politike dhe humaniste evropiane. Mjafton të përmendim dy përgëzime që i erdhën Skënderbeut, kur ishte gjallë, nga jashtë vendit për fitoret e mëdha që shqiptarët korrën kundër ushtrive osmane. Pasi shqiptarët e mundën më 1450 sulltan Muratin II nën muret e Krujës dhe e detyruan të largohej me turp nga Shqipëria së bashku me ushtrinë perandorake - Republika e Raguzës e përgëzonte Skënderbeun për madhështinë e pabesueshme të shpirtit të tij dhe për burrërinë e shkëlqyer që ai tregoi, duke mbrojtur dhe duke ruajtur fenë katolike kundër turqve të pashpirt. Në mesazhin e përgëzimit thuhej tekstualisht:

"Me të vërtetë ju përballuat me një ushtri të vogël gjithë ato turma të panumërta të turqve, i dolët zot qytetit dhe kështjellave tuaja të paprekura kundra hovit dhe peshës së gjithë asaj përgatitjeje dhe për këtë punë do të fitoni shpërblim të amshuar pranë Perëndisë. Po ashtu, ndër mbretër, ndër princa të të gjithë botës do të keni lavdërime dhe lavdi të pavdekshme... Qofshi pasqyrë e shembull për të gjithë princat e krishterë dhe për mbarë kombet dhe emri juaj do të kurorëzohet prej famës së amshuar".

Në letrën që Papa Kaliksti III i dërgoi Skënderbeut më 9 qershor 1457, i shkruante ndër të tjera: "Ne, bir i dashur, kemi pasur gjithmonë mendim shumë të mirë për fisnikërinë tënde dhe e kemi ditur se me sa durim dhe dituri u ke qëndruar në ato anë, i vetëm, turqve të egër, të cilët me një mizëri të madhe njerëzish kanë vërshue në tokat tuaja për të dëmtuar dhe shkatërruar besnikët e Krishtit". Më tej, "Emri yt i lumtur është përhapur në të gjithë popujt katolikë për të gjitha këto punë të mira që ti ke kryer, për këto fitore të shkëlqyera që ti ke korrur".

Në një letër tjetër që Papa Kaliksti III i dërgoi Skënderbeut më 11 shtator 1457, pasi i njoftonte hidhërimin e madh që ndjeu kur mori vesh dëmet e mëdha që kishin pësuar viset shqiptare nga mizëria e ushtrive osmane, i thoshte: "Kur dëgjuam këto lajme, ne u prekëm thellësisht, sepse po shohim se ti gjithnjë e më tepër po bëhesh i denjë për trimërinë tënde të shkëlqyer dhe për bëmat e tua, të cilat do të kujtohen më tepër se ato të princave të tjerë katolikë".

Përtej këtyre përgëzimeve vlen të përmendet edhe një fakt historik, që tregon reputacionin jo të vogël që Skënderbeu kishte siguruar sa ishte ende gjallë në arenën ndërkombëtare - krejt në kundërshtim me pohimin e historianit zviceran se Evropa u kujtua për Skënderbeun vetëm pas vdekjes së tij. Konsiderata që tashmë Evropa kishte për Skënderbeun del në punimet e Dietës së Mantovës - kongres i cili u zhvillua në korrik të vitit 1459 për të shqyrtuar projektin e hartuar nga Papa Piusi II për një fushatë të re kundër Perandorisë Osmane. Si një argument të rëndësishëm për dëbimin e sigurt të invazorëve osmanë nga Evropa, Papa përdori pjesëmarrjen e Skënderbeut dhe të shqiptarëve në fushatë. Në Kuvendin e Mantovës Piusi II tha ndër të tjera: "E kush do të mendojë se turqit nuk do të munden? Atyre do t‘u shtohet edhe Gjergj Skënderbeu me një ushtri shumë të fortë shqiptarësh" (Et quis non his copiis superatum izi Turcas arbitratur? His accedet Georgius Scanderbechius et Albanorum fortissima manus...).

Pohimet e Raguzës, Kalikstit III dhe Piusit II, O. Schmitt mund t‘i konsiderojë si përgëzime dhe vlerësime retorike, pra si nxitje për të vazhduar rezistencën shqiptare, e cila ishte në interes të tyre - për këtë arsye jo argumente me vlerë dokumentare. Nuk di nëse do ta pranojë vlerësimin që ka bërë një kundërshtar i Skënderbeut, Antonio Sabeliko (Antonius Sabellicus), një humanist italian, bashkëkohës i Skënderbeut, i cili ishte 32 vjeç kur vdiq Heroi. Në veprën e vet "De Bello napolitano" (Mbi Luftën napolitane), ai tregon se çfarë i kishte thënë i ati, Johan Koçi (Johannes Coccius), i cili si dhe Skënderbeu kishte marrë pjesë në luftërat që u zhvilluan në Pulje, më 1461. Në këtë luftë Skënderbeu ishte rreshtuar në anën e mbretit të Napolit, Ferdinandit të Aragonës, kurse Johan Koçi luftonte nën komandën e Robert Orsinit në radhët e kundërshtarëve të mbretit napolitan, të kryesuar nga Rene d‘Anzhu. Biri i Johan Koçit, humanisti Antonio Sabeliko, ka shkruar në veprën e përmendur: "Thonë se ky (Skënderbeu - K.F.) ka qenë shumë i rreptë në luftë dhe se, pas Pirros, i cili luftoi në tokën e Italisë me romakët, nuk ka dalë nga shqiptarët njeri me nam kaq të madh. Im atë, Johan Koçi, i cili për shumë kohë shërbeu në Luftën Kalabreze, kishte zakon, kur unë isha i ri, të më tregonte se kishte parë një burrë epirot (Skënderbeun - K.F.), i cili kishte dalë me gjashtëqind kalorës në Pulje në emër të Ferdinandit. Sa qe i gjallë, ai mbrojti trimërisht me një grusht burra kundër turqve, në Epir, principatën që kishte shtënë në dorë rishtazi me përpjekje të mëdha. Mbante gjithmonë gjashtëqind kalorës të zgjedhur. Së bashku me ta, në përleshje të egra, ai shpesh shpartalloi dhe vuri përpara ushtri armike shumë më të mëdha se të vetat". Pastaj Antonio Sabeliko shkruan nga ana e vet: "Pas vdekjes së tij, (Skënderbeut - K.F.) thonë se popujt, të habitur nga trimëria e këtij burri, zunë të shihnin tek ai diçka që kalonte përtej aftësive njerëzore dhe të kujtonin princin e dashur me këngë madhështore. Burra të denjë për t‘u besuar më kanë treguar se m‘u në mes të zjarrit të luftës, kur gjithçka shungullonte nga armët e barbarëve, grumbuj vajzash (shqiptare) e kishin zakon të mblidheshin çdo tetë ditë në sheshe, ku ai kish sunduar dhe të këndonin lavdinë e princit të tyre të vdekur, ashtu siç bënin edhe të moçmit në kremtimet mortore të heronjve të mëdhenj". Ja teksti në origjinal: "Ferunt hunc ferocissimum in armis furisse, et qualem post Pyrrhum, qui cum Romanis in terra Italia bellavit, Epiroticum nomen non habuit. Solebat Joannes Coccius, pater meus, qui Calabro bello... aliquandiu militavit, adolescenti mihi enarrare, vidisse se Epirotam hominem, qui cum sex centis equitibus Ferdinandi nomine in Apuliam transiverat... Is principatum sua industria in Epirum recuperatum, quood vixit, adversus Turcos cum paucissimis fortiter defendit. Sexcentos lectissimos equites habuit semper. Cum his saepissime barbarotum copias suis longe majores, conserto proelio, fudit, fugavitque. Quo factum esse ajuint, ut post ejus mortem eximia viri admiratione populi imbuta, quasi in illo aliquid vidissent quod humanum excederet fastigium, grati principis memoriam solemnibus consecrabant carminibus. Retubrunt mihi fide digni viri, vel medio ardore belli, et tum quum barbarorum armis omnia strepebant, puellarrum caetus in his urbibus, qiubus ille imperavit, octavo quoque die mediis triviis coire solitos ac defucti principis, ut veteres magnorum heroum in comitiis solebant, lauder decantare. (Antonius Sabellicus, Rerum Venetarum, Venecia 1718, f. 756-757).

O. Schmitt lë të kuptohet se e ka lexuar A. Sabelikon dhe e citon tri herë. Dy herë pothuajse për të njëjtën gjë - se i ati i kishte treguar se Skënderbeu luftonte me llërë përveshur (f. 121, 315). Vetëm kaq! Herën e tretë e përmend vetëm si burim italian për historinë e Skënderbeut, pa cituar prej tij asnjë njoftim (f. 484). Nuk kuptohet përse historiani zviceran hesht për njoftimet e përmendura që jep A. Sabeliko për Skënderbeun. Siç shihet këtu, Johan Koçi, edhe pse kundërshtar, e ngre lart Skënderbeun për nga fitoret që korrte kundër sulltanëve. Për këtë arsye, dëshmia e tij se Skënderbeu korrte vazhdimisht fitore me ushtrinë e vet të pakët kundër ushtrive superiore osmane duhet besuar më tepër se sa pohimi i vonuar i historianit zviceran, i cili flet përçart kur thotë se Skënderbeu pësonte vazhdimisht disfata nga sulltanët turq. Veç kësaj, mospërfillja e këtij dëshmitari të kohës tregon se O. Schmitt nuk është i ndershëm përballë burimeve dokumentare.

Edhe njoftimi i dytë që A. Sabeliko ka marrë jo nga i ati, por nga dëshmitarë të tjerë, se fill pas vdekjes së Skënderbeut vajzat shqiptare e nderonin Heroin me kremtime përkujtimore në vendet ku ai kishte luftuar, tregon se për Heroin shqiptar ishte krijuar edhe një rit, i cili nënkupton edhe një mit.

Kështu zë fill që në shek. XV miti i Skënderbeut, i cili siç do ta shohim nuk u shua as më vonë, sikurse pretendon historiani zviceran. Ky është një fenomen krejt i natyrshëm e krejt i shpjegueshëm, po të kemi parasysh se në mungesë të letërsisë së shkruar historike dhe të biografive të dokumentuara, respekti i shtresave të gjera të popullsisë lind dhe zhvillohet nëpërmjet legjendave dhe miteve.

Krahas mitit nuk vonoi të fillonte jetën e vet edhe historia e shkruar. Nuk do të kapemi në këtë rast pas botimeve të shekullit XV që janë në diskutim për autenticitetin e tyre, siç është ajo e Anonimit Tivaras dhe e Martin Segonit, por do të fillojmë me një monument letrar të sigurt - me veprën themelore të historiografisë skënderbegiane - të humanistit shkodran, Marin Barleti, botuar latinisht 40 vjet pas vdekjes së Heroit në Romë, në vitet 1508-1510.

Siç dihet, vepra e M. Barletit me titull "Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut, princ i epirotëve", më tepër se një përshkrim biografik i Heroit është një trajtesë historike kushtuar luftës çlirimtare që zhvilluan shqiptarët nën udhëheqjen e tij kundër invazorëve osmanë në shek. XV. Lëndën e veprës së vet, autori në pjesën më të madhe e ka vjelur me sa mundi, nga goja e pjesëmarrësve dhe e bashkëkohëtarëve të Heroit, ndoshta edhe nga tregimet e pasardhësve të tyre dhe vetëm pjesërisht e ka hulumtuar nëpër dokumente të shkruara venedikase. Si rrjedhim, vepra e tij i përket kryesisht historiografisë tregimtare dhe më pak asaj dokumentare. Megjithatë, Barleti bën pjesë në pararendësit e historiografisë moderne. Ai ka meritën se e hartoi trajtesën jo vetëm me mish, por edhe me tru, madje edhe me ndjenja. Nuk është një historian i ftohtë. Ashtu siç e kërkonte koha, ai është edhe një letrar humanist. Si humanist, Barleti ishte i mbrujtur me kulturë klasike latine. Megjithatë, ndonëse jetoi në mërgim të gjatë, për nga ndjenjat ai mbeti një shqiptar i lidhur me fatet e atdheut të vet. Dashuria për atdheun e vet përputhej dhe me momentin dramatik që kalonte Evropa, e cila në atë kohë jetonte nën ankthin e invazorit osman. Për këto arsye, "Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut" rrëmbeu elitën intelektuale evropiane, të cilët shikonin te vetëmohimi i shqiptarëve dhe te madhështia e Skënderbeut një burim frymëzimi për të mbrojtur lirinë e atdheut të tyre, sa herë që kjo liri rrezikohej nga ndonjë agresor i huaj, apo nga ndonjë despot i brendshëm. Te këto vlera, të marra bashkërisht, qëndron sekreti përse vepra e humanistit shkodran pushtoi, për shekuj me radhë, historiografinë skënderbegiane perëndimore dhe lindore. E shkruar në latinisht, vepra e Barletit u përhap kryesisht në vendet evropiane dhe jo në Shqipëri, ku përveçse ndalohej nga sundimtarët osmanë, nuk njihej as gjuha e ciceronit. Shqiptarët që banonin në atdhe nuk patën pra mundësi ta mësonin historinë e Heroit të pavdekshëm as nga vepra e Barletit, as nga përshtatjet e saj, as nga veprat e shumta që u botuan dhe u ribotuan në gjuhë të huaja, me të cilat u mbush një bibliotekë e tërë. Si rrjedhim, pas vdekjes së Skënderbeut, trajtimi i figurës së Heroit ndoqi dy rrugë paralele, të veçuara njëra nga tjetra - brenda në Shqipëri nëpërmjet legjendave, tregimeve, këngëve, toponimeve, të cilat e shndërruan Heroin në mit popullor - jashtë Shqipërisë nëpërmjet Marin Barletit, i cili ndikoi në krijimtarinë historike, letrare, muzikore, artistike evropiane. Pohimi i historianit zviceran se miti i Skënderbeut në traditën popullore mori fund me vendosjen e sundimit osman dhe u ruajt aty-këtu vetëm nga shqiptarët katolikë, nuk është i saktë. Vizitatori apostolik, Marin Bizzi, i raportonte Papës Pali V më 1610 se Skënderbeu "i cili u dallua në luftimet e shumta kundër turqve, luftime të cilat të thurura në vargje këndohen në atë gjuhë prej të gjithë shqiptarëve, edhe në prani të turqve" (Scanderbegh, che si segnalo con tante valorose fattioni contra Turchi, le quali ridotte in versi si cantano in quella lingua da tutti gl‘Albanesi in prezenca anco dei Turchi. M. Bizzi, Relazione dell‘arcivescovo d‘Antivari diretta al Papa Paolo V, nell anno 1610, f. 86 e dorëshkrimit).

Shprehja e M. Bizzi-t "nga të gjithë shqiptarët" (da tutti gl‘albanesi) nuk do të thotë vetëm nga shqiptarët katolikë, siç e shtrembëron O. Schmitt, por nga të gjithë shqiptarët, pavarësisht nga përkatësia fetare, pra dhe nga shqiptarët myslimanë. Është e tepërt të riprodhojmë këtu dëshmitë që kemi nga udhëtarë të huaj, të cilëve, siç shkruanin ata, u bëri përshtypje kujtimi tepër i gjallë i veprës së Skënderbeut jo vetëm nëpër fshatra, por edhe nëpër qytetet shqiptare. Do të përmendim vetëm njërin prej tyre. Një udhëtar gjerman që e vizitoi Shqipërinë e Veriut më 1868, në një bashkëbisedim që pati me një malësor shqiptar, i cili e njihte Heroin vetëm nëpërmjet traditës popullore, kur e pyeti nëpërmjet përkthyesit se a e dinte që në atë vit mbusheshin 400 vjet nga vdekja e Skënderbeut, malësori iu përgjigj afërsisht kështu: "Mbaje gojën, zotni, se Skënderbeu nuk ka vdekur!" Dhe pyetjes së udhëtarit të huaj "nëse nuk ka vdekur ku ndodhet?" - përsëri malësori iu përgjigj: "Këtu rreth e rrotull nëpër bjeshkët tona". Prapë vizitori i huaj: "Përse rri në bjeshkë? Përse nuk vjen t‘ju çlirojë?" Malësori i nxehur i tha: "Të lutem, se të kam mysafir në shtëpinë time, mos e ofendo Skënderbeun. Se kur do të na çlirojë, ai e di. Nuk ka nevojë ta mësojmë as unë, as ti". Ja ky është miti i Skënderbeut. Ky është përfytyrimi që kanë ruajtur malësorët tanë për shekuj për Skënderbeun - përfytyrim që nuk ka lidhje me të vërtetën historike, por që dëshmon adhurimin e malësorëve të pashkolluar për Heroin e tyre të së kaluarës. Miti i Skënderbeut në traditën popullore ishte ende i gjallë, madje tepër i pasur edhe në shek. XX. Një pjesë e legjendave të lidhura me Heroin që qarkullonin ndër shqiptarët e pashkolluar në fillim të shek. XX i mblodhi Marin Sirdani, të cilat i botoi në punimin e tij "Skanderbegu mbas gojëdhanash", botuar në Shkodër më 1926. Materiali i përmbledhur në këtë vëllim, edhe pse ka veshjen e legjendave, pavarësisht nëse i pëlqen apo nuk i pëlqen historianit zviceran, është një pasuri e vyer historike, njëkohësisht edhe letrare. Legjendat tregojnë rrënjët e thella që ka lënë Skënderbeu në kujtesën popullore. Gjatë viteve ‘50 të shek. të kaluar - vitet e regjimit komunist - folkloristët shqiptarë vunë re se në malësitë e paprekura nga shkolla kombëtare lëvrinte ende një letërsi gojore e pasur mbi Skënderbeun. Malësorët tanë të thjeshtë nuk dinin as kur lindi, as kur vdiq Heroi Kombëtar. Por ata dinin sikur të ishte fosilizuar në ndërgjegjen e tyre se Skënderbeu ishte një hero që kishte luftuar kundër zgjedhës osmane për lirinë e vendit dhe e kishte ngritur atdheun në shkallën më të lartë të lavdisë.

Historiografia shkencore skënderbegiane, qoftë evropiane, qoftë shqiptare, nuk ka fare lidhje me traditën popullore skënderbegiane. Ashtu si tradita popullore skënderbegiane mbijetoi pa u ndikuar nga historiografia e përpunuar skënderbegiane, po ashtu ndodhi edhe me historiografinë e përpunuar evropiane, e cila u zhvillua gjatë shekujve pa e njohur traditën popullore skënderbegiane. Ndërsa tradita popullore skënderbegiane vazhdoi rrugën e saj shekullore të mitizimit përherë e më tepër të Gjergj Kastrioti Skënderbeut, historiografia e përpunuar evropiane u shkëput dalëngadalë nga historiografia tregimtare e M.Barletit dhe hyri gjatë shek. XIX në historiografinë kritike dokumentare skënderbegiane. Ndonëse me vonesë, edhe historiografia shqiptare skënderbegiane u shkëput dalëngadalë nga mitizimi barletian i Skënderbeut. Sikurse u tha edhe më parë, historiografia shqiptare skënderbegiane e shek. XX, nën ndikimin e historiografisë shkencore skënderbegiane evropiane, hyri edhe ajo në rrugën e historiografisë kritike shkencore dokumentare. Duke ndjekur këtë rrugë, ajo nuk e ka parë Skënderbeun si një mit, por si një personalitet historik të shtjelluar në bazë të burimeve dokumentare. Si përfundim, akuzat që historiani zviceran O. Schmitt, i pasuar nga duartrokitësit e tij johistorianë i drejtojnë historiografisë së re shqiptare skënderbegiane sikur ajo vazhdon të përkundet në djepin e mitologjisë skënderbegiane, është fund e krye një shpifje groteske.

Heronjtë që vdesin pa humbur mbesin heronj përjetë. Edhe ata që vdesin duke luftuar për liri po të tillë janë.


"Skënderbeu" dhe marramendjet e Schmitt-it

Fjalia e parë e parathënies së monografisë së Oliver Schmitt-it, me titull "Skënderbeu", paralajmëron se vepra është shkruar "për lexues joshqiptarë". Sigurisht që kujdesi i autorit për të bërë të qartë audiencën e synuar prej tij meriton lodhjen përkatëse të lexuesit për ta kuptuar, e pse jo, edhe për ta mirëkuptuar.

Me drojën normale se po hyja në fushën e lexuesve gjermanishtfolës, për të cilët thuhej se ishte shkruar "Skënderbeu" i Schmitt-it, fillova leximin e librit. Por droja u shndërrua në habi, kur vetëm pak rreshta më poshtë, në libër, lexova lajmin shumë interesant se libri ishte përkthyer dhe botuar para se ai t‘u kishte mbërritur lexuesve për të cilët ishte shkruar. Pra, si rrallëherë, përkthimi i një libri botohej përpara daljes së tij në gjuhën origjinale.

Përpara një premtimi të tillë, pra, përpara një gjëje "të rrallë", edhe interesi për të lexuar u ngrit në një nivel jo të zakonshëm. Megjithatë, nga fillimi e deri te faqja e 557-të e librit nuk arrita të kuptoj as bujarinë e autorëve për ndërrimin e rrethit të synuar të lexuesve, as se përse gjermanishtfolësit ende nuk e kanë marrë në dorë veprën e shkruar për ta.

Duke besuar në skrupulozitetin e shkollës së autorit, vijova leximin pa i dhënë rëndësi të tepruar luhatjes së tij fillestare.

Pretendimet e larta, ose guximi i skajshëm i Schmitt-it

Libri i Schmitt-it fillon me një titull që thotë shumë, një emër prej dhjetë germash: "Skënderbeu". Asgjë më shumë e as më pak.

Shpeshherë, në raste të ngjashme, studiuesit, për hir të rigorozitetit shkencor, u vendosin kufij veprave të tyre. Schmitt-i duket se ka vendosur ta shmangë këtë kërkesë metodike dhe të punojë në një fushë pa kufij tematikë, hapësinorë, kohorë apo burimorë. Pra, edhe në këtë këndvështrim duket se autori i ka hyrë një sipërmarrjeje ambicioze. Ai pretendon të trajtojë krejt universin e Skënderbeut, duke filluar nga parahistoria e tij për të mbërritur te ditët e sotme.

Schmitt-i e ka organizuar punimin e tij në pesë pjesë. Pjesa e parë titullohet "Burri nga Dibra". Pjesa e dytë nuk ka titull. Pjesa e tretë titullohet "Një hero i Rilindjes evropiane". Pjesa e katërt i kushtohet luftës dhe duket se nuk mund ta shmangë titullin "Lufta totale". Pjesa e pestë, "Fama Perennis", plotëson skemën organizative të monografisë. Sigurisht që libri i ka dhe aksesorët e tjerë, si: parathënien, përfundimet në trajtë përmbledhjeje të autorit, indekset e ndryshme, bibliografinë etj.

Në përpjekjen e autorit për të organizuar lëndën e tij bie në sy fakti që pjesa e dytë e librit është lënë pa emër. Në fillim kjo mund të konsiderohej si një prej atyre mijëra gabimeve teknike, që shoqërojnë librin pothuajse në të gjitha faqet e tij. Por një analizë më e hollësishme e kësaj pjese jep të tjera rezultate. Në rastin e pjesës së dytë duket se Schmitt-i nuk ka mundur të gjejë një titull për t‘i vënë kufij metodikë shkapërdamjes së tij "të paparë" tematike, e cila në këtë pjesë arrin kulmin e saj. Karizma, sundimi dhe pasuesit, lidhjet e gjakut, paraja, hapësira, armiqësitë, tradhtia, dy sulltanë, komandantët e rajoneve kufitare, renegatët, popujt ortodoksë dhe zhvillimi i luftës janë disa nga nëntitujt e pjesës pa emër. Pra, kushdo e ka të lehtë ta mirëkuptojë pamundësinë e Schmitt-it për t‘i dhënë qoftë edhe të paktën një emër kësaj pjese të librit të tij.

Prejardhja e familjes dhe emrit Kastriot, ose kastrimi i historisë nga Schmitt-i

Pjesa e parë e librit i kushtohet prejardhjes së Skënderbeut. Schmitt-i shkon rreth një shekull përpara lindjes së heroit për të kërkuar rrënjët biologjike të tij. Lidhur me origjinën e emrit të familjes Kastrioti, autori duket se e ka të lehtë nxjerrjen e përfundimit. Atij i mjafton fakti se në fjalorin e greqishtes ekziston një fjalë, "kastron", e huazuar prej latinishtes, "castrum", që do të thotë kështjellë, për të konkluduar: "Emri i familjes tregon një trajtë greke; ai vjen pa dyshim prej greqishtes ‘kastron‘".

Në argumentimin e mësipërm, ajo që të bën më shumë përshtypje është fjala pa dyshim. Në librin e Schmitt-it kjo fjalë është ndër më fatlumet për sa i përket dendurisë së përdorimit të saj. Pothuajse shumicës së konkluzioneve të tij në libër, Schmitt-i u bashkëngjit në trajtën e patericës këtë fjalë. Shumëkush e ka të qartë se në shkencë kjo është një ndër fjalët më problematike, kur dihet se vetë shkenca është pa dyshim një dyshim i mirëfilltë. Edhe në shkencat ekzakte, madje dhe aksiomat apo teoremat e matematikës kanë njëfarë hije dyshimi dhe marrin trajtë të padyshimtë vetëm në kushte qartësisht të përcaktuara. Në rastin e shkencave humane, dyshimi është rregull e mungesa e tij është përjashtim. Me keqardhje të sinqertë konstatohet se siguria absolute, pra padyshimi, shoqërojnë nga fillimi në fund përfundimet e Schmitt-it në libër. Në qoftë se ekzistenca në fjalorin e greqishtes e fjalës "kastron" është e mjaftueshme për të shpjeguar emrin e familjes shqiptare Kastrioti, mund t‘i lejojmë vetes naivitetin e padyshimtë për të deduktuar se Kastriotët vijojnë epokën e tyre të lavdisë së radhës duke drejtuar Kubën e sotme komuniste. Edhe atje janë disa Castro, të cilët, edhe nëse nuk kanë lidhje me Kastriotët, të paktën emrin e familjes duhet ta lidhin me origjinën greke të kësaj fjale, në qoftë se i besojnë sigurisë së Schmitt-it.

Siguria e Schmitt-it kur trajton probleme të origjinës së familjes Kastrioti duket se lëkundet kur trajton prejardhjen e saj. Duke përjashtuar të gjitha ato që janë shkruar deri më sot, Schmitt-it i mjafton pohimi retorik i një fisniku arbër dhe pohimet e murgjve grekë të Manastirit Hilandar në malin Atos për të konkluduar se "Kastriotët ishin parvëny". Duket se përkthyesi Klosi u drejtohet, me përkthimin e tij, atyre lexuesve shqiptarë që e dinë kuptimin e fjalës "parvëny", ose kërkon t‘i vendosë ata në kontakt me fjalorët. Pra, Schmitt-i me parvëny-në e tij i vendos Kastriotët në malet e Dibrës, duke i shkëputur arbitrarisht e pa argument nga autoktonia, si dhe dinjiteti i fisnikërisë. Me këtë ai i bën Kastriotët ardhacakë, të cilët ishin pasuruar shpejt dhe në mënyrë të paqartë. Për gjithë këtë degradim rangu, Schmitt-i nuk jep asnjë provë. Në vend të provës, edhe në këtë çështje i mjafton hamendja e tij.

Karakteristikë e qartë e librit është preferenca e Schmitt-it për të përmendur në mënyrë krejt specifike emra sllavë, toponime sllave apo për të cituar autorë sllavë gjatë gjithë librit të tij. Sa për ilustrim po jap dy shembuj:

Shembulli i parë: "Pak kohë pas fillimit të veprimeve luftarake, ai (Skënderbeu, shënimi im) dërgoi familjen e vet, në radhë të parë të birin, Ivanin, bashkëshorten dhe motrën e tij, Mamicën, si dhe pasuritë e tij të tundshme në mbretërinë e Napolit".

Shembulli i dytë: "Më 26 tetor 1467 arqipeshkvi i Durrësit dhe i biri i Skënderbeut, Ivani, u paraqitën para Senatit dhe u lutën për furnizimin e Krujës, si dhe për ndihma për përforcimin e Rodonit, ku ishte strehuar Skënderbeu".

Në të dy shembujt e mësipërm bie në sy fakti që Schmitt-i përpiqet të theksojë emrin "Ivan" të të birit të Skënderbeut. Po përse u dashka ta besojmë Schmitt-in për emrin e djalit të Skënderbeut, "Ivanit". Mirë babai i Skënderbeut quhej Ivan, se u dashka bërë medoemos ortodoks e sllav gjashtëqind vjet pas vdekjes, po pse u dashka që edhe djali i një njeriu të lidhur ngushtë me besimin katolik, sikurse ishte Gjergj Kastrioti, të quhet prapë Ivan?! Duket mjaft interesant kujdesi i Schmitt-it për ta shkruar emrin e djalit të Skënderbeut në çdo rast, ndërkohë që mjaftohet, për shembull, të thotë thjesht gruaja e Skënderbeut, por jo Donika, apo arqipeshkvi i Durrësit dhe jo Pal Engjëlli. Nuk kuptohet kujdesi i Schmitt-it për t‘i lënë pa emër ata që rreshton në fjalitë e tij përkrah "Ivanit". Megjithatë, sado të përpiqet Schmitt-i për t‘i lënë pa emër si nënën Donikë të "Ivanit" të tij, apo arqipeshkvin Pal, çështja nuk zgjidhet në favor të Ivanit. Sipas të gjitha rregullave, aty ku është një Gjergj, një Donikë apo një Pal, në mënyrën më të natyrshme gjendet një Gjon. Schmitt-it i duhet që të gjejë prindër të tjerë për Ivanin e tij.

Marramendja Kanunore

Schmitt-i nuk humbet shumë kohë për të zbuluar një ndër misteret e tij. Qysh në fillim të librit të tij, krejt "padyshim" ai pretendon të zgjidhë "rebusin" e librit, nëpërmjet interpretimit të një dokumenti arkivor të datës 10 janar 1454 nga arkivi i Milanos, në të cilin diplomatë milanezë raportojnë se Skënderbeu i kishte transmetuar Papës informacionin për përfshirjen e tij në vrasjen e një vëllai të Sulltan Mehmetit.

I entuziazmuar nga ky dokument, Schmitt-i, me një lehtësi të rrallë, nxiton të pohojë përfundimin më të rëndësishëm të librit të tij. Ai "zgjidh rebusin" dhe shpjegon motivin e kryengritjes së Skënderbeut. Gjakmarrja!

Së pari, është e nevojshme të theksohet se dokumenti i cituar është mjaft i mjegullt për të marrë atë vlerë që i jep Schmitt-i. Vetë autori shkruan se një fragment i dokumentit, pikërisht ai që e konsideron Skënderbeun të pafé, është korrigjuar më vonë nga vetë shkruesit e tij. Por ky fakt nuk luhat aspak besimin e Schmitt-it te pjesa tjetër e këtij dokumenti. As fakti se hartuesit e dokumentit nuk kanë asnjë ide për kë shkruajnë, se ata shkruajnë për njëfarë zoti Xandrebech, fakti se e gjithë kjo padije e diplomatëve milanezë është e vitit 1454 dhe se ajo kontraston me famën e jashtëzakonshme që gëzonte ndërkohë Skënderbeu jo vetëm në Itali, por në gjithë Evropën e asaj periudhe, nuk e bëjnë aspak dyshues Schmitt-in rreth dokumentit të tij të dashur. Schmitt-in duket se nuk e ka shqetësuar aspak padituria e thellë e hartuesve të dokumentit të tij të preferuar. Vetëm katër vjet më parë, Skënderbeu kishte thyer rëndë në Arbëri Sulltan Muratin dhe ushtrinë e tij të stërmadhe. Lajmi i kësaj fitoreje kishte marrë dhenë, ndërkohë që diplomatët milanezë ende nuk dinin se kush ishte ky "njëfarë zoti Xandrebech". A thua janë aq të besueshëm këta diplomatë, saqë raporti i tyre të mund të hyjë pa koment në qendër të trajtimit të Schmitt-it?!

Por megjithëse dokumenti i përdorur nga Schmitt-i, në vetëm pesë rreshtat e botuar lë shkak për shumë dyshime, atij i është dhënë statusi i një fjalëkalimi për te "rebusi" i një prej periudhave më të lavdishme të historisë shqiptare dhe evropiane.

Përdorja e gjakmarrjes si argument bazë duket më shumë se romantike. Schmitt-i pretendon se e drejta zakonore shqiptare, që sipas tij "gjëllonte në mesjetë", ia pamundësoi Skënderbeut jetën normale dhe e detyroi atë t‘u nënshtrohej rregullave të gjakmarrjes. (Shënim: lexuesi lutet t‘i japë vetë fjalës "gjëlloj" kuptimin e përshtatshëm, pasi autori i këtyre radhëve nuk arrin në tjetër përfundim të saktë, përveç hamendjes se fjala mund të jetë për "gjalloj".)

Në argumentimin e vet Schmitt-i vijon luhatjet e tij kur zhvendos të drejtën zakonore shqiptare në një hapësirë kohore të mesjetës, pa pasur në favor fakte të pranuara për këtë. Për më tepër, Schmitt-i etiketon si aplikim të së drejtës zakonore shqiptare të gjithë epopenë e Skënderbeut kundër Sulltanit. Për hir të së vërtetës, edhe nëse do të pranohej "padyshim" teza e Schmitt-it se Skënderbeu vepronte nën parimet e gjakmarrjes, logjika na kërkon që të pretendojmë prej Skënderbeut respektimin e rregullave të këtyre ligjeve të kësaj gjakmarrjeje. Nëse Skënderbeu i Schmitt-it ishte i detyruar të mbronte nderin e tij duke marrë gjakun e babait, ai nuk mund t‘i lejonte vetes dy gabime trashanike:

Së pari, gjakmarrja, pra vendosja e nderit në vend, nuk bazohet mbi komplotin e fshehtë, por mbi efektin publik të saj. Pra, Skënderbeu i Schmitt-it nuk do të mund të kishte përfituar asnjë kompensim për nderin e tij të dhunuar, nëse gjakmarrja e tij ndaj Sulltanit nuk do të ishte bërë publike. Përderisa princi i kurorës osmane ishte vrarë nga Kara Hidr Pashai, Skënderbeu nuk mund të kishte përfitim. Sipas rregullit elementar të gjakmarrjes, Skënderbeu do të duhej t‘i kishte "çue fjalë" Sulltanit. Pra, do të duhej që akti të ishte bërë publik. Përndryshe, akti nuk vlen, nuk sjell nder, të paktën sipas së drejtës zakonore shqiptare.

Së dyti, Skënderbeu nuk mund të vijonte që për njëzet e pesë vjet të shkelte në përmasa astronomike të drejtën, që Schmitt-i i ka dhënë nëpërmjet së drejtës zakonore. Sipas kësaj të drejte, Skënderbeu do të kishte shpaguar gjakun e babait të vrarë me vrasjen e sulltanit ose të ndonjërit prej meshkujve të afërt të tij, por kurrsesi të fëmijëve ose grave. Mijëra osmanë të tjerë, që lanë jetën në tokat e Arbërisë në dekadat që pasuan nuk parashikohen në asnjë paragraf të së drejtës zakonore shqiptare. Aq më tepër që ata nuk kishin lidhje gjaku me sulltanët osmanë. E gjaku nuk merret as te shërbëtorët, as tek ushtarët, as te fqinjët e gjakësit, por vetëm te rrethi i tij i afërt i gjakut.

Mund të vazhdohej me radhitjen e dhjetëra argumenteve të tjera, që e rrëzojnë përpjekjen e Schmitt-it për ta shpjeguar epopenë e Skënderbeut me ndihmën e kriminalistikës apo gjakmarrjes shqiptare.

Mbështetja e gjithë monografisë mbi një argument kaq të dobët u ngjan atyre defekteve në lindje, të cilat zor se riparohen gjatë jetës. Kështu, vepra e Schmitt-it, pas shuarjes së intrigës fillestare, bie në konfuzion të thellë dhe në vijimin e saj është e vështirë të ndiqen linja konsekuente të trajtimit.

Përpjekje për një përfundim

Edhe pse ka shkruar një libër prej 557 faqesh, Schmitt-i ende mbetet i munduar nga fakti se "do të mbetet e hapur pyetja nëse ai (Skënderbeu, shënimi im) do të kishte ngritur krye sikur sulltani të mos ia kishte vrarë babanë". Sigurisht që mund të ndiesh keqardhje për një harakiri të kësaj përmase. Kushdo mund ta përfytyrojë mundimin që do t‘i jepte vetes një shkencëtar, sikur të përpiqej t‘i përgjigjej pyetjes: A do të kishte pasur atë fat tragjik Pirroja i Epirit nëse gjyshja e tij do ta kishte kuptuar gravitetin më parë sesa Njutoni?!

Schmitt-i përpiqet të bindë lexuesit se Skënderbeu ishte një figurë tragjike, që nuk arriti të fitojë, që u mposht prej sulltanit, që vdiq i vetmuar në një vend të shkretuar. Mund të listoheshin shumë prej barrëve që Schmitt-i i lëshon mbi supe Skënderbeut. Megjithatë, disa prej fakteve bazë janë përjetësisht të stampuara në histori. Skënderbeu luftoi dhe fitoi, duke u ndeshur me superfuqinë e kohës së tij. Ai, në krye të ushtrisë së tij, mbeti fitimtar. Vetëm vdekja natyrale arriti të sundojë mbi heroin e madh. Për sa i përket Schmitt-it, mbetet për të pyetur se si e përkufizon ai humbjen në luftë? Me sa kuptohet nga analiza e tij, duket se Schmitt-i pretendon se në vitet e fundit, pasi osmanët kishin kuptuar mirë strategjinë e Skënderbeut dhe kishin zhvilluar strategjinë e re, që bazohej në një fushatë të pandërprerë, e cila mbështetej te kryerja e re ushtarake osmane në Elbasan, shanset e Skënderbeut për një tjetër fitore kishin mbaruar. Ndoshta Schmitt-i ka të drejtë, ndoshta Skënderbeu kishte mbërritur në limitin e rezistencës së tij, ndoshta... Por askush nuk na jep të drejtën ta konsiderojmë atë si të humbur, përderisa kjo gjë nuk ndodhi kurrë. Skënderbeu ndërroi jetë si hero fitimtar. Pas vdekjes ky status nuk mund të ndryshojë prej asnjë lloj studimi apo studiuesi. Edhe kriminelët që vdesin pa marrë një verdikt gjyqësor, që i shpall të fajshëm, sigurojnë, të paktën de jure, një pafajësi formale të përjetshme.

Heronjtë që vdesin pa humbur mbesin heronj përjetë. Edhe ata që vdesin duke luftuar për liri po të tillë janë.

Vetë Schmitt-i, pasi shpall të pavlerë pothuajse gjithçka që është publikuar prej shqiptarëve për Skënderbeun, thotë se "Numri i biografive të Skënderbeut është një legjion i vërtetë, megjithatë sasia e jetëshkrimeve nuk i përgjigjet aspak cilësisë së tyre shkencore e as nuk mund të thuhet që veprat më të reja përfaqësojnë përparësi në zgjerimin e njohurive krahasuar me paraardhëset e tyre".

Ky pohim duket se është ndër më të saktët nëse edhe librin e Schmitt-it e konsiderojmë si "një ndër veprat më të reja", ose veprën më të re në këtë fushë.

Ashtu siç thotë Schmitt-i për të tjerët mund të konkludohet edhe për veprën e tij. Ajo nuk sjell asnjë kontribut esencial për zgjerimin e njohurive për Skënderbeun. Schmitt-i nuk arrin të na japë asnjë fakt të ri me peshë që të mund të ndryshonte njohuritë tona për heroin. Ajo që sjell Schmitt-i është përpjekja për të relativizuar faktet e mëdha, siç janë betejat e Skënderbeut, dhe përpjekja për t‘u dhënë statusin e faktit "padyshimeve të tij". Po ashtu mund të thuhet, ndoshta me dhembje, se numri i konsiderueshëm i fletëve të librit të Schmitt-it është në përpjesëtim të zhdrejtë me saktësinë shkencore të përmbajtjes së tyre. Do të mjaftonte vetëm ushtria e stërmadhe e gabimeve në argumente, në fakte, në fjalë, në fjali, në data, në shifra etj., për të justifikuar klasifikimin e librit të Schmitt-it si një ndër kampionët absolutë të pasaktësisë dhe mungesës së korrektësisë e të seriozitetit ndër radhët e "legjioneve" të botimeve rreth Skënderbeut. Puna më e mirë që mund të bënin autori, përkthyesi dhe botuesi i librit do të ishte tërheqja e tij nga tregu, me qëllim rishkrimin e plotë të tij ose lënien në magazinë. Analiza e mësipërme do të mund të plotësohej vetëm pas shqyrtimit edhe të versionit gjermanisht të librit. Por duket se deri atëherë do të duhet të presim gjatë. Padurimi ynë për këtë do të ndeshë patjetër në rreptësinë e botuesve gjermanë, të cilët, të mësuar me standarde të tjera në drejtim të rigorozitetit, do ta kenë të vështirë t‘i japin publikut të tyre një vepër kaq problematike. Megjithatë, i mbetet Schmitt-it sfida për ta shkurtuar kohën tonë të pritjes.

Ç'thonë burimet historike për familjen e Kastriotëve...

Familja e Kastriotëve nis të shquhet nga mbarimi i shekullit XIV dhe në fillim të të XV-it, me Gjon Kastriotin, t'atin e Skënderbeut. Mbi të parët e tij nuk dimë pothuajse asgjë. Gjin Muzaka, në Gjenealogjinë, thotë se i gjyshi i Skënderbeut quhej Pal Kastrioti dhe se zotëronte vetëm dy fshatra, Sinjën dhe Gardhin e Poshtmë, që ndodhen në Dibrën e Poshtme, pranë Drinit. Dëshmi e Gjin Muzakës ka të ngjarë të jetë e vërtetë, sepse ky ishte i njëkohshëm i Skënderbeut dhe kishte lidhje familjare me Kastriotët. Një tjetër gjenealogji e lajluar, shkruar më vonë prej Andrea Engjëll Komnenit, na çon gjer tek stërgjyshi i Skënderbeut, i cili, sipas këtij auktori, quhej Kostandin, dhe i gjyshi, Gjergj. Ky emër i fundit përputhet me atë që jep historiani gjerman J. Hammer-Purgstall, i cili thotë se në luftën e Kosovës, më 1389, ndodhej edhe një princ shqiptar i quajtur Gjergj Kastrioti, që propozoi në këshillën e luftës t'iu bihej Turqvet natën. Veçse Hammer-i nuk shënon se ngaha e di këtë hollësi, dhe s'kemi asnjë dokument që t'a vërtetojë. Ndoshta Hammer-i e ngatërron emrin e Gjergj Balshës me atë të Gjergj Kastriotit.

Është shkruar shumë edhe mbi origjinën e Kastriotëvet. Por dokumentat më të pakundërshtuarshme vërtetojnë se ishin prej malësisë së Hasit, nga një katund i quajtur Kastriot.

Sikurse Balshajt, ashtu edhe Kastriotët, të dalë nga një origjinë fshatare, patën një ngritje të shpejtë. I pari që e bëri të njohur familjen e Kastriotëvet dhe që e vuri në një radhë me familjet princore më të mëdha të Shqipërisë, qe Gjon Kastrioti. Ka shumë të ngjarë që ky të mos ketë trashëguar nga i ati veçse dy fshatrat që përmend Gjin Muzaka. Por pastaj vetë, duke përdorur herë politikën e herë forcën, arriti të formojë një principatë.

Në tronditjen që pësoi Shqipëria dhe gjithë Ballkani nga sulmet e para të Turqvet, Gjon Kastrioti, duke manevruar me mjeshtëri, herë si aliat i Venetikut, herë si vasal i Sulltanit, i zgjeroi vazhdimisht zotërimet e veta mbi ngastrat e principatës së Balshajvet dhe t'asaj së Thopiajvet. Nuk mund të japim kufij të përpiktë të principatës së Gjon Kastriotit, sepse kufijt e zotërimevet feudale, n'atë kohë, ndryshohëshin shumë shpejt. Sipas dokumentavet më të pranuarshme, Gjon Kastrioti, pasi zotëroi Dibrën dhe Matin, e shtriu sundimin e tij gjer në rrethet e Tiranës dhe, nga anë e detit, gjer në Shufadajë të Leshit, duke përfshirë kështu të tërë principatën e vjetër t'Arbërisë. Por Krujën duket se nuk e pati ose e mori më pastaj. Nga veri-lindja, principata e tij arrinte gjer në Prizrend. Këta kufij, në vija të përgjithshme, vërtetohen nga një traktat tregëtie dhe të drejtash doganore nënshkruar prej Gjon Kastriotit dhe katër bijvet me Republikën e Raguzës, më 1420. Aty caktohen taksat që duhej të paguanin tregëtarët raguzanë për të kaluar nëpër tokat e Kastriotëvet, prej Shufadajës, në jugë të Leshit, gjer në Prizrend.

Gjon Kastrioti ishte martuar me Voisavën, të bijën e sundimtarit të Pollogut, krahinë që shtrihej midis Tetovës dhe Shkupit. Megjithëse një pjesë e banorëve të Pollogut përbëhej prej Bullgarësh, familja sundonjëse Tribalda (ose "Triballorum princeps" siç e quante Barleti, emër që vjen nga dy fjalët shqipe : Tri-ballë) ishte fjeshtë shqiptare dhe i vazhdonte martesat me dyer shqiptare. Sipas Gjin Muzakës, Voisava lidhej nga e ëma me familjen e Muzakajvet. Prej kësaj martese Gjon Kastrioti pati pesë vajza dhe katër djem: Stanishin, Reposhin1 Kostandinin dhe Gjergjin. Ky m'i vogli u bë Skënderbeu i famshëm. Duket se Stanishi i qe dhënë peng Sulltanit disa herë, dhe ish martuar me një zonjë turke nga e cila pati një djalë, Hamzë Kastriotin2 që e nisi aq mirë dhe e sosi aq keq historinë e tij. Katër nga vajzat i martoi Gjon Kastrioti në familje të mëdha, duke zgjeruar rrethin e lidhjevet miqësore. Më të voglën, Mamicën, e martoi Skënderbeu me Muzakë Thopinë, pasi e çliroi principatën prej Turqvet.

Nuk i dimë me hollësi përpjekjet e para të Gjon Kastriotit, nga mbarimi i shekullit XIV, sesi arriti të formonte një principatë duke u nisur nga dy fshatrat që i la i-ati. Duket se dinte të përfitonte nga rastet a rrethanat e brendëshme e të jashtëme dhe t'a loste mirë politikën e kohës.

Gjatë luftës së brendëshme që plasi në Turqi midis djemve të Bajazitit I për trashëgimin e fronit, Gjon Kastrioti, sikurse edhe krerët e tjerë të Shqipërisë, u përpoq të çlirohej nga sundimi turk. Por duket se më 1410 u thye dhe u shtrëngua t'iu jepte Turqve si peng një nga djemtë e tij, ndoshta Stanishin. Një vit më vonë, Gjon Kastrioti kërkon t'afrohet përsëri me Republikën e Venetikut si edhe me atë të Raguzës, të cilat, më 1413, e njohën njëra edhe tjetra si qytetar nderi. Me këto lidhje shpresonte ndoshta të forconte pozitën e tij kundrejt Turqvet. Por kur lufta për fronin mori fund tek Osmanllinjtë dhe Sulltan Mehmeti I e mblodhi të tërë Perandorinë nër duart e tij, Gjon Kastrioti e pau pisk, si të gjithë Shqiptarët. Më 1415, ushtëritë turke sulmuan përsëri Shqipërinë për të rivendosur autoritetin e lëkundur të Sulltanit. Gjon Kastrioti duket se u nënshtrua, mbasi më 1416 përmendet si vasal i Turqisë. Por principatën e tij e ruajti dhe ndoshta e zgjeroi ca më shumë. Vazhdonte gjithashtu të bënte një politikë të tijnë me shtetet fqinjë. Më 1420, nënshkroi me Republikën e Raguzës traktatin që përmendëm më sipër. Më 1422, kur Venetiku ndodhej në luftë me Krajlin e Serbisë, Stefan Lazareviçin, Gjon Kastrioti mori anën e Krajlit, të cilit i dërgoi në ndihmë edhe një nga djemtë e tij me një ushtëri shqiptare. Por pastaj u tërhoq nga lufta dhe hyri si ndërmjetës për të rregulluar paqen midis dy palëve.

Më 1423, Sulltan Murati II dërgon një ushtëri të fortë në Shqipëri për të vendosur pushtetin turk - gjithmonë i lëkundshëm deri atëhere - dhe për të siguruar besnikërinë e vasalëvet. Gjon Kastrioti mundi t'a shpëtojë edhe këtë herë principatën e tij, por duket se u shtrëngua t'i jepte Sulltanit tre ose katër djemtë si peng.

Më 1426, Gjon Kastrioti me të katër të bijtë përmenden së bashku në një dokument me anën e të cilit i falin dy fshatra manastirit serb të Hilandarit, në Mal të Shenjtë. Nga kjo mund të besohet se në këtë datë të katër djemtë ndodhen përsëri pranë familjes3.

Organizimi që patën nisur të bënin Turqit në Shqipëri duke regjistruar tokat dhe popullsinë dhe duke futur administratën e tyre në shumë pjesë të vendit, pat mërzitur jo vetëm krerët feudalë por edhe masat e gjera të popullit, të cilat në shumicë përbëhëshin prej fshatarësh të lirë. Prandaj që të gjithë ishin gati për kryengritje porsa të paraqitej rasti i volitshëm.

Gjon Kastriotit iu duk se erdhi ky rast më 1428, kur Sulltan Murati II i hapi luftë Venetikut për t'i marrë Selanikun. Njëkohësisht Turqit sulmuan edhe qytetet bregdetare të Shqipërisë që ndodhëshin nën Venetikun. Lufta mori gjatë në fillim, dhe Gjon Kastrioti u lidh me Republikën duke shpresuar se këtë herë mund të shkëputej nga mvarësia e Sulltanit. Por fati i luftës ndryshoi më 1430. Turqit e pushtuan Selanikun dhe nisën në drejtim të Shqipërisë një ushtëri të madhe, nën kumandën e Isak Bej Evrenozit, për të shtypur kryengritësit. Furtuna u përplas mbi Gjon Kastriotin, i cili këtë herë u thye keq dhe u shtrëngua të bënte me Sulltanin një paqe me kondita shumë të rënda: të gjitha kështjellat e Gjon Kastriotit u pushtuan prej Turqvet. Ca prej tyre u prishnë; në disa të tjera, si në Krujë e në Sfetigrad, Turqit vunë garnizone ushtarake. Krahina e Dibrës kaloi nën sundimin e Turqve, që e lidhën me vilajetin e Kosovës. Pjesa tjetër e principatës fort e ngushtuar i mbet prapë Gjon Kastriotit, por ky detyrohej të paguante haraç më të rëndë dhe të shërbente n'ushtërinë turke bashkë me të bijtë kurdoherë që të thërritej. Për t'i shpëtuar furtunës, ati edhe djemtë u kthyen myslimanë, sa për dukje, dhe Gjoni vetë mori emrin Hamza.

Venetiku bëri paqe të veçantë me Sulltanin dhe i ruajti qytetet që kishte në Shqipëri. Por Gjon Kastrioti s'u ngrit dot më prej katastrofës së vitit 1430. Përmendet edhe një herë më 1438, kur ai bashkë me të bijtë kërkojnë të bëhen qytetarë të Venetikut. Sipas një dokumenti të datës 10 Korrik 1439, u bënë edhe qytetarë nderi të Republikës së Raguzës. Në këtë dokument, emri i Gjergj Kastriotit është shkruar dhe pastaj prishur me një vijë. Nga kjo kuptohet se Skënderbeu, n'atë kohë, kishte marrë famë n'ushtërinë turke dhe shikohej si armik i krishterimit. Gjon Kastrioti vdiq aty nga viti 1442, dhe mbeturitë e principatës së tij u pushtuan prej Turqvet.

Mbasi dërrmuan Gjon Kastriotin, më 1430, dhe e shkelën të tërë Epirin duke marrë edhe Janinën, më 1431, Turqit iu vunë me forcë organizimit të vendit sipas mënyrës së tyre. Krijuan një sanxhak të Shqipërisë, me qendër në Gjirokastër, i cili përmblidhte pothuajse të gjitha krahinat e shkelura, përveç disa malësive të veriut dhe qytetevet që ndodhëshin nën Venetikun. Vendosja e administratës turke, me regjistrimin e tokave dhe të popullsisë, me detyrimin e taksave dhe t'angarive, ishte një masë fort e rëndë për Shqiptarët, të cilët qenë mësuar të jetonin të lirë nër malet e tyre. Prandaj, si krerët ashtu edhe populli u gjetën të gatishëm për një kryengritje të përgjithshme.

Flamurin e kryengritjes, këtë radhë, e rroku Gjergj Araniti pasi u muar vesh me të tjerë krerë të pakënaqur si ai. Por shënjat e para të luftës i dha Andrea Thopia, i cili u ngrit me rrethet e Durrësit dhe të Tiranës, në verën e vitit 1432, dhe theu një ushtëri turke në malet e Krrabës. Kryengritja u përhap deri në veri, ku Shqiptarët, nën kumandën e Nikollë Dukagjinit, sulmuan qytetin e Danjës. Kryengritësit iu ranë kudo garnizonevet turke dhe e spastruan vendin prej spahinjve të Sulltanit. Turqit dërguan fuqi të reja dhe e shtypën lëvizjen në veri dhe në Shqipërinë e Mesme. Por kur u ndeshën, në jugë, në qëndresën e Gjergj Aranitit, u thyen plotësisht. Atëhere Ali Bej Evrenozi, sanxhakbeu i Shqipërisë, u nis me një ushtëri të madhe për t'a shtypur kryengritjen e Aranitit dhe për t'a shtruar vendin me zjarr e me hekur. Ngado që kaloi kjo ushtëri, bëri dëme të mëdha. Por në male të Kurveleshit, ku e priste Gjergj Araniti, u bë një luftë e përgjakshme në të cilën Turqit u dërrmuan plotësisht. Në sulmet e tyre për të kapërcyer grykat e maleve, ata u shpartalluan dhe u copëtuan tërësej prej Shqiptarëvet. Ali Bej Evrenozi mezi mundi të tërhiqej me një pjesë të vogël t'ushtërisë së tij.

Kjo fitore e Gjergj Aranitit bëri bujë lartushtuëse n'Evropë dhe ngjalli shpresa të reja, sepse ishte e para herë që një ushtëri e madhe turke dërrmohej në një mënyrë t'atillë prej një ushtërie të krishtere. Papa Eugjeni IV, mbreti Alfons V i Napolit, Republika e Raguzës dhe perandori gjerman Sigismund i dërguan Aranitit letra përgëzimi dhe premtime për ndihmë.

Po n'atë vit, më 1433, Araniti korri një fitore të dytë kundër Turqve, dhe një fitore të tretë në vitin 1434. Kjo iu dha zemër edhe Shqiptarëve të krahinave të tjera. Rrethet e Gjirokastrës thirrën Depe Zenebishin, që ndodhej në Korfus, u ngritën dhe e qarkuan qytetin. Por garnizoni turk qëndroi deri sa arriti nga Thesalia, në mes të dimrit, Turhan Pasha me një ushtëri të madhe, i cili iu ra Shqiptarëvet prapa krahëvet. Të ndodhur befas midis dy zjarresh, Shqiptarët u thyen duke lënë përmbi njëmijë të vrarë. Depe Zenebishin e zunë rob Turqit edhe e varën.

Fuqi të reja turke erdhën nga Rumelia, nën kumandën e Sinan Pashës, për të shtypur kryengritjen shqiptare. Gjergj Araniti iu bëri ballë deri më 1435. Pastaj u thye, u tërhoq malevet dhe u shtrëngua të nënshtrohej si vasal i Sulltanit.

Më 1437, një tjetër kryengritje shpërtheu në rrethet e Beratit, e udhëhequr nga Theodhor Korona Muzaka, i cili e mori qytetin. Por një ushtëri e madhe turke arriti rishtaz nga Thesalia, nën kumandën e Turhan Pashës, dhe e rrethoi Beratin. Kjo ushtëri, pasi e rrahu me top fortesën disa muaj me radhë dhe s'mundi t'a merrte, iu lëshua Myzeqesë ku vrau e preu barbarisht sa deshi, dhe Turhan Pasha e nxori dufin duke ngritur një piramidë me koka të prera Shqiptarësh. Ata krerë të Myzeqesë që u zunë të gjallë, Turqit i vranë duke ua thyer kockat me çekan.

Siç shihet, të gjitha këto kryengritje u shtypën njëra pas tjetrës se nuk ishin të lidhura në një plan vepërimi të përbashkët, nuk bëhëshin në të njëjtën kohë dhe nën një kumandë të vetëme. Secili princ a kryetar luftonte veças në krahinën e tij, kur i mbushej mendja, dhe natyrisht ishte i dënuar që të shtypej. Kundër një perandorie ushtarake aq të fortë siç ishte Turqia, duhëshin bashkuar të gjitha fuqitë e kombit në një shtet të përqendruar dhe nën një kumandë. Mandej duhej ndërlidhur lufta e Shqiptarëvet me atë të popujve të tjerë që kishin të njëjtin armik. Këtë bashkim të forcavet shqiptare nën një kumandë të vetëme dhe në një shtet të përqendruar u mundua t'a bënte Skënderbeu, siç do t'a shohim më poshtë.

Spekulimet e biografëve të Skënderbeut


....

I vetmi portret i Skënderbeut që njohim është ai që gjendet në Muzeun e Firences, në Itali. Ka të ngjarë të jetë portret autentik dhe duhet të jetë bërë përpara vitit 1466, kur Skënderbeu vizitoi tregtarët e pasur Mediçi të Firences, që financuan kryqëzatën e tij. Sipas kësaj pikture, Skënderbeu nuk duhet të ketë qënë më pak se 65 vjeç, në mos më i moshuar.
Një person që e ka parë Skënderbeun kur ky vizitoi Romën më 1466 shkruan për të ?E homo molto de tempo passa li 60 anni?. Domethënë: ?Ai është mbi 60 vjeç. Në rast të kundërt i njëjti person do të kish thënëÓ ?Ai është rreth të gjashtëdhjetave? ose ?Ai është rreth të shtatëdhjetave?.
Më 1420, Gjon Kastrioti, i ati i Skënderbeut lidhi një traktat tregtar me Republikën e Raguzës, të cilin e lidhi në emrin e vet dhe të katër djemve të tij si bashkësundimtarë. Kjo do të thotë që në atë kohë Skënderbeu duhet të ketë qënë rreth 20 vjeç, përndryshe nuk do të ishte bashkësundimtar i principatës së Kastriotëve, e cila shtrihej nga Prizreni në Sharfadaj, në detin Adriatik. Me këto arsyetime mund të arrijmë në përfundimin që Skënderbeu duhet të ketë lindur rreth vitit 1400 dhe ishte rreth 68 vjeç kur vdiq, më 1468.
Peng i Sulltanit
Sipas biografit të Skënderbeut, Marin Barletit, nga Shkodra, Gjon Kastrioti i dha si peng Sulltan Muratit II të katër djemtë e tij. Mirëpo nuk ka asnjë dokument të vërtetojë që Gjon Kastrioti ti ketë dhënë ndonjëherë Sulltanit të katër djemtë e tij në të njëjtën kohë. Ka dy dokumente, një i shkruar më 1410 dhe tjetri më 1428, ku thuhet që Gjon Kastrioti i jep si peng Sulltanit një nga djemtë e tij. Por, nga ana tjetër, ka dokumente të tjera, një i shkruar më 1420 dhe një tjetër më 1426, që vërtetojnë se të gjithë djemtë e Kastriotit kanë qënë në Shqipëri dhe jo në oborrin e Sulltan Muratit II.
Përveç kësaj, dokumentet e Raguzës të vitit 1430, të botuara në Illyrisch ?Albanische Forschungen e bëjnë përfundimisht të pamundur versionin që të katërt djemtë u morën si peng nga Sulltani. Po atë vit, kur shpërtheu lufta midis Venedikut dhe Turqisë, Gjon Kastrioti mori anën e Venedikut dhe i shpalli luftë Sulltan Muratit II. Kjo do të ishte e paimagjinueshme nëse të katër djemtë e tij do të ishin në oborrin e sulltanit si pengje. Kjo do të thoshte që të katër djemtë, pa dyshim, të gjenin vdekjen, por siç dihet, nuk ka prind që të rrezikojë në këtë mënyrë.
Nga ana tjetër, versioni i Barletit që tre nga djemtë e Gjon Kastriotit u helmuan nga Sulltani para vitit 1443, viti i kthimit të Skënderbeut në Krujë, bie në kundërshtim me dokumentet arkivore. Një dokument i manastirit serb të Hilandarit në malin Athos na thotë që Reposhi, djali i dytë i Gjon Kastriotit, vdiq si murg më 25 korrik 1431. Një dokument venecian na thotë që Stanisha, djali i madh i Kastriotit, ishte gjallë më 1445, pra dy vjet mbas kthimit të Skënderbeut në Krujë.
Nga këto dokumente del: së pari, që Gjon Kastrioti dërgonte herë pas here një nga djemtë bashkë me ushtarët shqiptarë për të ndihmuar sulltan Muratin II dhe që ky djalë kthehej në shtëpi në fund të çdo ekspedite; së dyti, që vetëm Kostandini, njëri nga djemtë e Gjon Kastriotit, u vra në një nga këto ekspedita turke përpara vitit 1443; së treti, që Skënderbeu u dha si peng kur ishte 30 vjeç, dhe jo 9 vjeç siç na thotë Barleti dhe kjo ndodhi vetëm mbas disfatës që pësoi Gjon Kastrioti më 1430; së katërti, që djali i Gjon Kastriotit, i cili përmendet në dokumentet e vitit 1410 dhe 1428 si peng i sulltanit, mund të ketë qënë Stanisha, djali më i madh dhe i ati i Hamza Kastriotit.
Konvertimi në fenë islame
Versioni që Skënderbeu dhe i ati i tij u konvertua në islamizëm ka mundësi të jetë një tjetër mit i papranueshëm. Ka katër dokumente të viteve 1420, 1426, 1438 dhe 1439 ku Skënderbeu përmendet si i krishterë, me emrin e tij të krishterë, Gjergj.
Është e vërtet që në disa vepra letrare përmendet si mysliman, por nuk ka asnjë dokument arkivor të provojë që Skënderbeu vërtet u konvertua në fenë islame.
Për shembull, në disa burime letrare gjejmë që Skënderbeu u emërua nga sulltan Murati II si subash (guvernator ushtarak) i Krujës, si sanxhakbej i Dibrës më 1439 dhe më 1443 si pasardhës i babait të tij. Por kjo nuk do të thotë që Skënderbeu ose i ati i tij u konvertuan në fenë islame. Ata vetëm sa adaptuan një emër turk sa herë që ndihmonin sulltanin në ekspeditat e tij. Mirëpo ai emër turk nuk kishte ndonjë rëndësi të madhe. Sot ne kemi shqiptarë të krishterë me emra muhamedanë. Por më tepër sulltani, si rregull, caktonte guvernatorë të krishterë në provincat e thella ku jetonin të krishterë. Për shembull, që në fillim të shekullit mund të përmendim guvernatorin e krishterë të Samos.
Si përfundim mund të themi që konvertimi i Skënderbeut në fenë slame duket të ketë qënë sa për emër dhe të jetë mbështetur mbi supozimin që, përderisa ai luftonte për turqit, duhet të kish qënë mysliman.
Shkolla ushtarake
Një tjetër legjendë e Barletit, që nuk duhet pranuar, është ajo që trajton arsimimin e Skënderbeut në Akademinë Ushtarake të Adrianopojës. Në këtë shkollë pranoheshin vetëm dhjetëvjeçarë dhe myslimanë të lindur ose të konvertuar. Skënderbeu ishte mbi 30 vjeç kur hyri në shërbim të sulltanit dhe përmëndet në dokumentet arkivore si i krishterë deri më 1439, domethënë katër vjet përpara se të kthehej në Krujë. Kjo do të thotë që ai nuk mund të kishte studiuar në Shkollën Ushtarake të Adrianopojës
Katolik apo ortodoks?
As që mund të dyshohet që Skënderbeu ishte katolik. Papët, duke folur për Skënderbeun me fjalët më të zjarrta, e quajtën atë ?mbrojtës të krishtërimit? (Athleta Christi). Shih letrat e Papë Eugjenit IV, 1431-1447, Papë Nikolla V, 1447-1455; Papë Kalikisti II, 1455-1458; Papë Piu II, 1458-1464; Papë Pavli II. 1464-1471. Çështja shtrohet nëse ishte i ritit latin apo i ritit bizantin. Ka shumë të ngjarë të ketë qenë i këtij të fundit.
Për shembull, një dokument i Venedikut i 17 gushtit 1428, na thotë që përfaqësuesi i Gjon Kastriotit, at Dhimitri, i paraqiti Senatit një kërkesë në greqisht, kjo tregon që ai është më tepër ortodoks oriental sesa katolik i Romës. Edhe përfaqësuesi i Skënderbeut, peshkop Stefani i Krujës, kur nënshkroi një traktat me Alfonsin e Pestë më 1451 e shkroi emrin e tij në greqisht. Një vit më vonë, at Elia, kapedan i trupave ushtarake napolitane në Krujë, kryeqytet i Skënderbeut, i bëri një kërkesë Oborrit të Napolit ti dërgonin një dhjak që ta ndihmonte në shërbesat e tij, sepse në Krujë nuk kishte asnjë diakon që mund të lexonte latinisht. Kjo do të thotë që, si Gjon Kastrioti dhe Skënderbeu ishin katolikë të ritit bizantin.
S?ka asgjë për tu çuditur që këta princa të Shqipërisë, ortodoksë orientalë, i qëndruan besnikë Papës së Romës. Në fakt, Shqipëria ka qënë nën juridiksionin e Papës së Romës deri më 730 p.e.s, kur Leoni i Tretë e shkëputi nga Papa i Romës dhe ia dha patrikut të Kostandinopojës. Mirëpo dekreti i Leonit të Tretë nuk i bëri shqiptarët ortodoksë orientalë. Shqipëria mbeti besnike e Papës së Romës derisa u pushtua nga turqit pas vdekjes së Skënderbeut.
Përveç kësaj, nuk duhet harruar që ndarja e Kishës së Romës dhe e Kishës së Kostandinopojës në të vërtetë nuk u bë zyrtarisht. Kjo ndarje u bë në fakt vetëm mbas pushtimit të Kostandinopojës, kur Muhameti II i dha fund çdo kontakti midis dy kishave. Këtu nuk duhet harruar, së pari, që katër vite përpara rënies së Kostandinopojës, këshilli ekumenikal i Firences, më 1449, pothuajse njëzëri (me përjashtim të Markut të Efesit që e kundërshtoi), ripohoi bashkimin e dy kishave, dhe së dyti, që perandori i fundit i Kostandinopojës, Kostandini XIII, vdiq si hero i lidhur me Papën e Romës. Kështu, ishte e natyrshme që edhe princat e tjerë ortodoksë si Skëndërbeu dhe i ati i tij të lidheshin me Romën dhe të ishin nën juridiksionin e Papës.
Biemi
Dy dijetarë të shquar gjermanë, Kurt Ohli dhe Franc Babinger kanë pohuar se Historia e Skënderbeut e Antivarionos (Antivariono ?Historia Scanderbegi? Venecie 1430), që përmëndet nga Xhiamaria Biemi i shek. XVIII, është një shtrembërim letrar. Mirëpo ka prova të brëndshme që tregojnë se historia e Antivarinos nuk është shpikje e Biemit. Ky mendim mbështetet në këto arsyetim: Gjergj Arianiti, i vjehrri i Skënderbeut, përmëndet vazhdimisht nga Antivarioni si ?Princ i Kaninës?, titull ky, që nuk njihet te Barleti. Ky titull është konfirmuar në një traktat të nënshkruar nga mbreti Alfons i Pestë i Napolit dhe Gjergj Arianitit në kalanë e Gaetës, më 7 korrik 1451. Në këtë traktat, mbreti Alfons i premton Gjergj Arianitit t?i japë Vlorën dhe Kaninën kur ky t?i merrte këto nga duart e turqve. Biemi nuk kishte dijeni për këtë traktat, sepse u zbulua aty nga fillimi i shek.XX (shih: Spomenik XCV, 74, Botim i posaçëm i Akademisë Mbretërore serbe mbi Gjergj Kastriotin Skënderbeun ? nga dr.Jovan Radoviç, Beograd, 1942, f.28). Në dasmën e Mamicës, motrës më të vogël të Skëndërbeut, më 26 janar 1445, në qytetin e Muzakisë u zhvillua një ndeshje me armë midis dy princave shqiptarë, Lek Zaharisë dhe Lek Dukagjinit për shkak të princeshës Irenë Dushmani e Zadrimës. Disa qindra njerëz u vranë dhe dasmorët u shpërndanë nga të katër anët. Këtë ndeshje e përmend vetëm njëri nga biografët e Skënderbeut, Antivarino. Kjo ndeshje vërtetohet edhe nga fakti që disa muaj më vonë Lek Zaharia vritet nga Lek Dukagjini. Dy djemtë e Gjergj Arianitit nuk pranuan të shoqëronin motrën e tyre në dasmën e saj me Skënderbeun në Krujë, më 1451. I vetmi biograf i Skënderbeut që e përmend këtë fakt është Antivarino. Ata ishin inatosur për pajën e madhe që i ati Gjergj Arianiti, i kishte dhënë motrës së tyre. Kjo armiqësi midis djemve të Arianitit dhe Skënderbeut vërtetohet edhe me një dokument venecian i 3 shtatorit 1463 (shih: Ljubich Listine, vëll.X, f.269-270).
Më 1451 Vrana Konti e mbrojti heroikisht Krujën dhe si shpërblim të kësaj Skënderbeu i dha feudin e Bullgarisë. Përsëri Antivarino është i vetmi nga biografët e Skënderbeut që na e jep emrin e këtij feudi. Me ?feud të Bullgarisë? kuptohet një grup fshatrash në principatën e Skënderbeut, ku flitej bullgarisht. (shih: Archiv za Arbansku Starinu, Kniga II, Sr.2, Beograd, 1924, f.241).
Më 1452 u përpoqën të vrasin Skënderbeun. Dhe përsëri i vetmi biograf i Skënderbeut që e përmend këtë është Antivarino. Dokumentet veneciane vërtetojnë që Republika e Venedikut u përpoq të gjente një njeri që të vriste Skënderbeun, duke e shpërblyer me një pension të përjetshëm. (shih: ljubich Listine, vëll.IX, faqet 268 -269. Dokument i datës 4 maj 1448).
Më 1456, Gjergj Balsha, nip i Skënderbeut, u shiti turqve kalanë e Modricës, të cilën ai si komandant i saj ishte zotuar ta mbronte kundër turqve. Kjo shitje vërtetohet në gjenealogjinë e Gjin Muzakës, botuar nga karl Hopf në veprën e tij Chroniques Greco-Romanes, Berlin, 1873.
Nga të gjithë bibliografët e Skënderbeut, vetëm Antivarino na jep emrat dhe datat e dy betejave më të rëndësishme të Skënderbeut, atë të Torviollit më 29 qershor 1444 dhe betejën e Albulenës, më 2 shtator 1457. Antivarino është gjithashtu i vetmi që përshkruan pushtimin e Beratit nga turqit dhe ekzekutimin nga turqit të princit Teodor Korona. Përshkrimi i betejës së Torviollit është aq i gjallë, sikur të jetë shkruar nga një njeri që ka qenë i pranishëm në atë betejë. Antivarino përshkruan gjithashtu Hamza kastriotin në atë mënyrë sikur ta kishte njohur personalisht. Ka disa prova të tjera të brendshme që më bëjnë të besoj se ?Historia e Skënderbeut?, e Antivarinos kurrsesi nuk mund të jetë shtrembërim letrar. Kjo vepër është një nga dokumentet më të rëndësishme, në mos më i rëndësishmi, që trajton biografinë e Skënderbeut. Prandaj për ta vërtetuar këtë unë citova dokumentet arkivore. Dokumente që vërtetojnë të dhëna të tjera të paraqitura në këtë studim mund të gjenden në veprën time ?Gjergj Kastrioti Skënderbeu? (Peshkop Fan S. Noli, ?George Castrioti Scanderbeg?. International Universites Press. New York, N.Y.1947).
Përfundim
Skënderbeu jetoi në shek.XV. Ne jetojmë në shek.XX. Ç?përfaqëson për ne Skënderbeu, sot mbas pesë shekujsh? Ai ende jeton midis nesh. Problemi i tij pesëqind vjet më parë ishte pikërisht i njëjti problem që kishim edhe ne në Rilindjen Shqiptare: Davidi i rreckosur, me një hobe në dorë, që lufton kundër Goliathit të armatosur gjer në dhëmbë. Ai fitoi, edhe ne fituam. Shqipërinë e çliruam me gjithë pengesat e mëdha që ndeshëm.
Më 1912 Ismail Qemali ngriti flamurin e Skënderbeut në Vlorë dhe shpalli Pavarësinë Shqiptare. Skënderbeu ishte frymëzuesi ynë gjatë atyre viteve të para e të mundimshme që shoqëruan lindjen e Shqipërisë. Skënderbeu frymëzoi poetët, historianët, skulptorët tanë. Ai po na frymëzon edhe sot e kësaj ditë. Ndonëjherë pyes veten i habitur nëse mund të ketë sot ndonjë njeri që të jetë po aq i gjallë sa Skënderbeu.

Luftërat e Skënderbeut në Pollog

Shkruan Vebi Xhemaili-Tetovë


Pollogu si një krahinë e vogël por tejet e rëndsishme njihet shumë heret në histori, posaçërisht ka qenë e përshkruar nga komandantë e strategë të luftrave të ndryshme që nga periudha ilire e deri më sot. Pastaj këto luftra vazhdojnë pa ndërprer me dyndjen e sllavëve në këto troje ku janë të njohura luftratë bizantine kundër plaçkitësve sllavë të cilët pasi e pushtuan Dardaninë me qytetet kryesore të saja: si Naisusin (Nishin) Skupin-Skopin (Shkupin) Manastirin u vërsulën drejtë Selanikut.
Qysh në atë kohë të hershme mesjetare në trevën e Pollogut gjendeshin lokalitete të shumta mbi 27 fshatra. Në anën e Sharrit më të njohura ishin këto lokalitete: Gradeci, (Draudrakum), Pirgosi (Piroku), Leshka etj. Si qendra më të njohura në Pollog kah shekulli XII përmenden Leshka dhe Piroku, të cilët kanë qenë qendra të rëndësishme ekonomiko-politike para shekullit XII. Kah fundi i këtij shekulli në këto anë kalojnë ushtritë e kryqëzatës së III të shoqëruara nga udhëheqësi i dinastisë serbe Nemanja Plak. Në këto rrethana këto vendbanime në Pollog me fshatrat e saj janë djegur deri në themel nga ushtria serbe e cila erdhi në këto anë për së pari herë si përcjellse e Komandantit Frederik Barbarosa, që në atë kohë ishte komandant i kryqëzatave. Ky kaloi nëpër fushën e Pollogut duke rrethuar Gradecin e lashtë, të cilin e mbajti të rrethuar për tre ditë rresht por nuk arriti ta pushton. Prej nga vazhdoi rrugën për në Kostandinopol kah Ohri.

Për lokalitet e lashta që kanë egzistuar në fushën e Pollogut flet edhe gjeografi i njohur arab i Idriz, icili në shekullin e XII i vizitoi Maqedoninë dhe fushën e Pollogut.Ky në këtë rast fshën e Pollogut e quajti Bollog.
Poashtu edhe studjuesit sllav merren me etimologjinë e fushës së Pollogut, duke e pagëzuar me emra të llojllojhëm me teza të pa definuara si duhet në aspektin shkencor. Ata mundohen që fushën e Pollogut ta spjegojnë sipas fjalorit të tyre sllav “Po-logu”, (Bozhja shuma)që do të thotë vend i pasur me male apo i mbuluar me male.
Fusha e Pollogut shtrihet në Perëndim të Shkupit dhe lidhte rrugët Prizren-Tetovë-Shkup dhe rrugën e vjetër Durrës Ohër Kërçovë Gostivar-Tetovë-Shkup.
Por rruga që çonë Shkup Gostivar Dibër, kjo rrugë që kalonte rrënzë Malit të Thatë mbi grykën e Dërvendit, duke u lidhur me Gostivarin e ka shfrytzuar shpeshherë edhe Leka i Madh siç e quqnin turqit Skënderbeun. në luftra kundër turqve. Me ardhjen e turqve ata e rriparuan këtë rrugë. Për këtë arsye më vonë nga popullata e kësaj ane u pagëzua Stamboll-Xhade.
Pas rënjes së Shkupit nën sundimin turk më 6 janar të vitit 1391, sipas studiuesve bullgarë, ndërsa studiuesi i ri shqiptar Mr. Qerim Dalipi, duke bërë një studim të mirfilltë shkencor në librin e tij, “Inkursionet osmane në trevat shqiptare deri më1402”, mbronë shkencërisht në mënyrë të argumentuar se Shkupi u pushtua nga ushtria osmane kah fundi i vitit 1391 dhe fillimi i vitit 1392 (më 6 janar 1392), duke u mbështetur në të dhënat e historiografisë më të re kohore.
Pas pushtimit të Shkupit edhe krahina e fushës së Pollogut me qytetet Gostivar e Tetovë, ra nën sundimin e ushtrisë osmane.
Pas rënjes së vendeve tona nën sundimin osman fillon një epokë e re e popullatës shqiptare nën adminisrtratën e Perandorisë turke. Në këto rrethana të reja politike u ndryshua në tërësi struktura e popullsisë shqiptare, duke u asimilur për turq, që flasin defteret osmane për regjistrim. Në këto dokumente turke për afërsisht deri vitin1455, Shkupi dukej kështu: me 511 familje muslimane dhe 339 familje të krishterë. ku shumica nga këta familje ishin shqiptarë të krishter, katolikë apo ortodoks.(V.XH).
Rreth vitit 1440 në Provincën e Maqedonisë dhe në disa krahina të Shqipërisë u zbatua krejtësisht sistemi timaro-spahilluk Në Shqipëri nuk ngeci asnjë lagje qyteti apo fshati pa u përfshi në njerin nga tri llojet e sundimit feudal:-has, zeamet, ose timar. Në fillim në Krahinën e Maqedonisë ishin: Pashësanxhaku, Sanxhaku i Ohrit dhe ai Qustendilit. Në gjysmën e dytë të shekullit XVI nga Pashasanxhaku u ndanë dhe u formuan dy sanxhaqe të veçuara i Selanikut dhe i Shkupit. Në kuadër të Sanxhakut të Shkupit u bashkuan nahitë e Shkupit, Tetovës, Kërçovës dhe Prilepit.
Pushtimi i tokave të Shqipërisë, fillon nga Shkupi, thotë studiuesi gjerman Peter Batrl, e cila u shoqërua me një rezistencë të fortë.
Por shumë shpejtë pas rrënjes së Shqipërisë nën sundimin osman, fillon shtimi i paknaqësisë duke u shoqërua me një varg kryengrytjesh,nga popullata shqiptare, duke filluar nga viti 1432 deri në vitet1438 nën udhëheqjen e disa feudalëve në Shqipërinë e Mesme e të Jugut.
Në vitin 1432 fillon kryengritja në Shqipërinë e Mesme e udhëhequr nga Andrej Topija, e cila u shua me gjak nga ushtria osmane. Sipas studiuesve sllav, kjo kryengritje është shtrirë edhe në mesin e shqiptarëve të Maqedonisë Perëndimore ku bënë pjesë edhe fusha e Pollogut, me qytetet Tetovë dhe Gostivar. Por më e theksuara është ajo e vitit 1440 kur Skenderbeu u emrua për drejtues (Sanxhakbej),të Dibrës me rrethinë, ku pati mundësi të kontaktojë me popullsinë e kësaj ane dhe të shohë disponimin e popullatës shqiptare për një kryengritje të përgjithshme.
Pas betejës së Nishit, Skenderbeu me 300 luftarë pas shtatë ditë rugëtimi arriti në Dibër, prej kah vazhdoi rrugën për në Krujë. Kjo ngjau më 13 nëntor 1443. Prej kësaj date fillon pavarësia e Shqipërisë dhe periudha më heroike e popupllit Shqiptar. Shënon në librin e vetë Vlladan Gjorgjeviçi. Ky armik i përbetuar i Shqipërisë e pranon Skenderbeun si komandant, por shton se ushtria e Skënderbeut përbahej nga popullata serbe, e cila në atë kohë e kishte vërshuar Shqipërinë nga të gjitha anët.Ndërsa për betejën e Nishit më 1443 nuk i përmendë fare hungarezët dhe Janosh Huniadin. Por potencon këtë betejë e fituan serbët.

Pas marrjes së Krujës Ushtria e Skënderbeut për një muaj çliroi tërë territorin që mbante dikur nën kontrollin e vetë babai i tij Gjoni. Duke u zgjeruar nga Dibra, Gostivari, deri në Tetovë. Pasi edhe nëna e tij Vojsava ishte nga fusha e Pollogut. Më konkretisht, nga qyteti i vjetër Iliro-Romak i ashtuquajtur Draudrakum, që nga Mesjeta e herëshme njihet me emrin e Gradecit të sotshëm. Pra, territori i i shtetit të Skënderbeut shtrihej në ato kufij që posedonte dikur babai i tij. Por i zgjeruar me një marrëveshje tregëtaro-doganore që lidhi ai më 1426 me Republikën e Raguzës, të cilën e ka nënshkruar në emrin e vetë dhe të djemëve të tij. Kufijt e këtyre zotërimeve përcaktoheshin prej Shufadaje në jugë të Lezhës, e prej Rodonit në bregdet deri në Prizren. Nga ana tjetër në zotërimet Gjonit bënte pjesë edhe Krahina e Rekës në Verilindje të Dibrës, që kufizohej me Gostivarin. Pra këto territore ishin të bashkuara deri në vdekje të Gjonit, që përafërsisht ka vdekur në mes viteve 1437-1440. Kjo datë e vdekjes së babait të Skënderbeut sipas historiografisë shqiptare nuk mund të merret si e saktë, pasi babai i Skënderbeut në bazë të burimeve më të reja ka vdekur më vitin 1437.
Pra këto territore Skënderbeu do të tentojë ti rruaj nga inkursionet turke në Maqedoni duke filluar nga gryka e Dërvendit që lidhë Shkupin me Tetovën deri në Liqenin e Ohrit, duke përfshi këto qytete: Tetovën, Gostivarin, Kërçovën, Strugën me rrethinën e Ohrit.
Kryengrytjet e shqiptarëve që shpërthyen gjatë këtyre viteve në Shqipëri kurr në këto troje sundonte babai i Skënderbeut. Dhe disa suksese të principatave shqiptare të cilat pastaj u shtypën me një egërsirë të paparë nga turqit. Këto veprime barbare lanë te Skënderbeu një zemrim të thellë shpitëror, me plotë trauma psikologjike, duke filluar moshat e reja të popullatës shqiptare e në veçanti në familjen e Kastriotëve e posaçërishtë në vetë Lekën e Madh-Skënderbeun. V.XH).
Në këto rrethana tejet të vështira kryengritëse e në veçanti feudalët shqiptarë nuk mund të duronin sundimin e e vrazhdë turk, kërkonin nga familja e kastriotëve që të dërgonin dërgonin njerëz të besueshëm te Skënderbeu në Adrianopojë, duke e ftuar që tëkthehej në në Shqipëri për vazhdimin e luftës kryengritëse për çlirim nga zgjedha turke e tërë Shqipërisë dhe bashkimin e principatave feudale në një shtetë të përbashkët me një mbret trashëgues.
Sipas disa burimeve më të reja italiane Skënderbeu ka qenë në Shqipëri para vitit 1440, menjëherë pas vdekjes së babait 1437-1440.Gjatë kësaj periudhe si duket sulltani e shton dyshimin në veprimin e Skënderbeut, për çlirimin e Shqipërisë. Prandaj sulltani jep urdhër për emrim të rri, që Skënderbeu të largohet nga Shqipëria dhe emrohet për Sanxhakbej në Nikopol, krahinë në Bullgari, që ishte më afër Edrenes dhe vetë sulltanit.Kjo argumenthet edhe në veprimtarinë diplomatike,të shtuar të Skenderbeut. Pasi ky kishte filluar ti shpeshtojë edhe kontaktet interne me Venedikun, Raguzën. Skënderbeu u përpoq të afrohej edhe me Napolin. Këtë veprimtari të dendur diplomatike e ka shënuar kronisti italian Donado da Lece.
Në bazë të këtyre të dhënave më të reja historiografike diplomacia e Skënderbeut kishte filluar më parë se ai të kthehet në Shqipëri në vitin 1443, duke i bërë të ditur fshehurazi mbretit Alfons,: “se ishte dëshira e tij ta çlironte Shqipërinë kundër turqve”. Pra Skënderbeu e kishte përgaditur terenin kundër turqve dhe priste momentin e volitshëm, Ky rast u paraqitë pas betejës së Nishit më 1443.
Në anë tjetër edhe papa Eugjeni i IV ishte shumë i interesuar për një kryengritje të përgjithshme në Shqipëri,se ai tani më ishte i bindur se me shqiptarët dhe Skënderbeun që kishte përsosur artin ushtarak në Turqi. Pasi ky ishte njohës i mirë i operacioneve luftrake të ushtrisë të turke, pasi ishte shkolluar së bashku me Mehmetin dhe në beteja ishte treguar më i mirë se ai.
Pra,Vetëm te Skënderbeu dhe heroizmin e tij egzistonte shpresa se do ta ndalonte depërtimin osman kah Italia dhe Europa qëndrore. Prandaj ai mbante lidhje intensive me peshkopët katolikë në të gjitha qytetet e Shqipërisë dhe me bujarët shqiptarë, Gjergj Arianitin, por edhe me Skënderbeun.
Thyerja e ushtrive turke në afërsi të Nishit i dha shkas Skënderbeut të të zbatonte planin e tij të përgaditur prej kohësh së bashku me 300 kalorës shqiptarë të repartit të tij dhe i shoqëruar nga i vëllaj Stanishi dhe nipi Hamza Kastrioti,të cilët pas disfatës së Nishit, e braktisin fronin dhe nisen në drejtim të Dibrës, ku arrinë për shtatë ditë. Duke marë me vete një ferman të remë kinse ia kishte nënshkruar sekretari i vulës së sulltanit që e shoqëronte Bejlerbeun Kasam Pasha, me të cilën urdhërohej Subashi i Krujës ti dorëzonte Skënderbeut kështjellën.
Skënderbeu kudo u pritë si çlirues, ai pasi e mori Dibrën, u nisë për në Krujë, kudo në viset e posa çliruara u hoq flamuri turk dhe u ngritë flamur i kuq me shkabën e zezë dy krerëshe. Pra kudo valonte flamuri i Kastriotëve.
Pas marrjes së Krujës, Skënderbeu u nisë në krahinat e Matit e Dibrës, ku bënin pjesë edhe fusha e Pollogut me qytetet Tetovë e Gostivar. Pra fuhsha e Pollogut bënte pjesë në zotërimet e Kastriotëve. Më 27 nëntor Skënderbeu arriti vetë në Krujë, të nesërmen më 28 nëntor1443 në saje të përkrahjes së madhe që gjeti, në popull, u shpallë zot i Principatës së lirë dhe të pavarur të Kastriotëve me qendër në Krujë. V.XH.).
Në çlirimin e shpejtë të principatës rol të rëndësishëm luajtën masat e gjëra popullore, thot Barleci në fjalët që u tha atë ditë krutanëve në Krujë: ”Lirinë mund ta kishit fituar me trimrinë tuaj edhe me një çlirimtarë tjetër, se Shqipërisë nuk i mungojnë burrat…Lirinë nuk u solla unë po e gjeta këtu në mesin tuaj…armët nuk ua ngjesha unë, po ju gjeta të armatosur, lirinë e kishit kudo, në krahror, në ballë, në shpatë dhe në ushtat…”
Pas mbajtjes së Kuvendit mbarë kombëtar në Lezhë ku për herë të parë u bashkuan shqiptarët në historinë tonë. Këtu në në këtë kuvend historik u krijua Shqipëria feudale. Kuvendi shpalli Skënderbeun për kryetar të saj. Që njëherit i takuan edhe ingerencat komandantit të parë të ushtrisë së parë shqiptare, si komandant i përgjithshëm” me titull”kapiten i Përgjithshëm” (Capitaneus Generalis).
Pas fitoreve të një pas njëshme të Skënderbeut, Sulltan Memeti i II vendosi që së pari ti jep fundë Kështjellës së fundit të Bizantit dhe sundimit të saj që përjetonte një krizë të mbrendëshme si politike dhe ekonomike. Sulltan Mehmeti vendosi që kësaj radhe të vazhdojë rrethimin dhe me sulmin e pestë arriti që ta pushtojë Konstandinopolin më 29 maj 1453.
Poashtu në anën tjetër sulltani vendosi të dërgojë në Shqipëri Ibrahim beun që të hakmirej për disfatën e rëndë që kishin pësuar Dalip e Hamza pasha një vit më parë në betejën e Modricës, më 21 korrik 1452 ku u zu rob vetë Hamza pasha nga vetë Mojsi Golemi, me një pjesë të ushtrisë dhe shtabit, pjesa tjetër e ushtrisë u vu në ikje.
Skënderbeu në një manovrim të të shpejtë ushtarak me Mojsi Golemin për dy orë arriti në fushë betejë të re në vendin e ashtuquajtur Meçad aritën të rrethojnë ushtrinë e Dalip pashës e cila numronte mbi 15 mijë ushtarë. Në këtë betejë të përgjakur u vra edhe edhe vetë Dalip pasha. Sipas kronistëve të kohës në këto dy beteja u vranë më shumë se 7000 ushtarë turq dhe u kapë një material shumë i madh luftarak.Ndërsa ushtria shqiptare humbi përafërsisht një mijë luftarë dhe shumë të plagosur.



Beteja e Parë e Pollogut

Ushtria turke e udhëhequr nga komandanti Ibrahim beu u nisë me 14 mijë ushtarë në derejtim të Shkupit, për të hyrë në Pollog, kah Gryka e Dërvendit. Ku e priste ushtria e Skënderbeut, dhe më 22 prill 1453 erdhi deri te beteja e njohur në histori si beteja e Pollogut.
Për këtë betejë të zhvilluar në fushën e Pollogut, na jep një përshkrim të hollsishëm për shtrirjen e Pollogut dhe kufizimin e saj. Marin Barleti në mënyrë të hollsishme e përshkruan fushën e Pollogut me rrethinë duke e cituar se ajo rrethohet me male rreth e përqark të ashtuquajtura “male të Pollogut. Sipas Barlecit turqit para se të vendoseshin në fushën e Pollogut më 22 prill kaluan qytetin e Shkupit qytet të turqve të ashtuquajtur-Shkup.
Por me keq ardhje mundë të konstatojmë se edhe studjuesit shqiptarë në studimet e veta Shkupin e përmendin si qytet të turqve. (Këta historian të cilët arkivistikën turke e përdorin si kallup, nuk është mirë të prezntohen si shqiptar). Por në këtë rast është e patjetërsueshme të theksohet se në statistikat turke kanë qenë të punsuar ekspert që dinin të favorizonin popullin turk dhe Perandorinë Osmane. Prandaj edhe statistikat turke flasin në favor të politikës së asaj kohe, “se popullata që banonte në qytetin e Shkupit në vitin 1455 ishte në përpjestim 2/1, me muslimanë”. Nga këta 516 familje, turke ndërsa të krishterë 339 familje, nga këta shqiptarë të krishterë,dhe një pjesë e vogël e sllavëve e të tjerëve.( V.XH).
Beteja e Pollogut u zhvillua në mes Gostivarit dhe Tetovës, Sipas Nolit beteja e Pollogut u zhvillua në afërsi të Tetovës.
Ushtria turke pasi e kaloi grykën e Dërvendit u vendosë rrënzë malit të Thatë në vijën Merrovë-Stërmnicë-mbi Zhelinë në drejtim të fshatit Çellopek. Në betejën me ushtrinë turke fitoi Skenderbeu me një taktikë tejet të përsosur ushtarake edhe pse ushtria turke ishte shumë më e madhe.
Skenderbeu sëbashku me Mojsi Golemin arritën në fushën e Pollogut në një kohë shumë të vështirë klimatike. Gjatë rrugës filloi një shi shumë i fuqishëm. Por Komandanti i Përgjthshëm shqiptar Skënderbeu dha urdhër që edhe në ato kushte të vështira të marrshohet nga Gostivari, nëpër fushën e Pollogut duke iu afruar malit të Thatë e më konkretisht Skenderbeu zuri pozicione në vijën në mes Çegranit dhe dhe fshatit Vollkovi, me pjesën më të madhe të ushtrisë u vendosë në hapsirën në mes fshatrave Tenovë –Radiovcë, përgjatë rrjedhës së lumit Vardar. Në këto kushte me shi pas një pushimi që bëri ushtria turke, Ibrahim pasha dha urdhër që të marrshohet nëpër fushën e Pollogut, në drejtim të Mokrës për në Dibër.
Në këtto rrethana tejet të papritura Skenderbeu e sulmoi ushtrinë turke të komanduar nga Ibrahim pasha, kurr ai fare nuk priste këtë sulm se mundë të sulmohej në fushën e Pollogut. Ushtria turke e ndryshoi drejtimin në vend që të niset kah Gostivari për në Dibër filloi të shkapërderdhet dhe të prapset ka gryka e Dërvendit në drejtim të Shkupit. Kjo grykë mbaron deri para dyerëve të Shkupit dhe është tejet e përshtatur për sulme nga të dy anëte rrugës. Në këtë betejë ushtria turke pësoi një disfatë të rëndë, duke lënë një numër të madh vrarë, që sipas kronistëve të kohës kalonte numrin mbi 3000 ushtarë dhe shumë të plagosur. Në këtë betejë u vra edhe vetë Ibrahim pasha. Merritor për suksesin e madh të kësaj beteje padyshim është edhe Mojsi Golemi. Pas kësaj beteje të shkëlqyer në Pollog, Skënderbeu u kthye në Krujë ku i vazhdoi bisedimet diplomatike me disa shtete të Evropës.
Në të njetin vit Mehmeti i II arrinë ta pushton Kështjellën e fundit të Perandorisë së Bizantit Kostadinopolin,(Islambollin), që sot njihet me këtë emër Stamboll. Pushtimi i Kostadinopolit nga Sulltan Mehmeti u futi frigën shteteve evropiane e në veçanti Venedikut dhe mbretit të Napolit, të cilët të vetmin shpëtim e shihnin vetëm te Mbreti i shqiptarëve Skënderbeu.
Këta shtete të Evropës nxitën Skënderbeun duke i premtuar ndihma të mëdha. Pasi vetëm në prisin e shqiptarëve ishin të bindur se mundë të mbrojnë Evropën nga invadimi osman.
Skënderbeu në këto rrethana të favorëshme diplomatike për Shqipërinë vendosi të rrimkëmbte vendin. Së pari të sanonte fortifikatat e shkatruara nga ushtritë turke dhe të rrikthente me ndihmën e tyre teknike së pari Svetigradin dhe Beratin. Me këto fortifikata dominuese në aspektin strategjiko-ushtarak, Skënderbeu ishte i bindur thellë se do të përgaditej më mirë mbrojtja e vendit nga sulmet e ardhshme turke. Për këtë arsye i thiri në konsultim me komandantët e vet.(këshillin komandues). Të cilët erdhën në përfundim që së pari të merret Berati e pastaj Svetigradi. Ndërsa vetë Mojsi Golemi kërkoi që të shkojë në kufij për të sigurar vendin nga ndonjë sulm i pa pritur nga ushtria turke.
Në këto rrethana kurr Shqipëria identifikohej me Skënderbeun nga goja e Papës si shpëtimtar i vetëm i tërë kristianizmit, papritmas u përhap lajmi se Mojsi Golemi ka tradhëtuar Skënderbeun, Komandantin më të madh në Historinë e Mesjetës dhe të mbarë Evropës. Nga kjo tradhti Skënderbeu pësoi një disfatë të rëndë ku humbi mbi 6000 bashkluftarë, para dyerëve të Beratit. Për këtë ngjarje të kobëshme, të komandantit më të besueshëm të Skënderbeut, Historianja ruse Smirnova për katastrofën e Beratit do shkruaj: “katastrofa e Beratit bani një jehonë të keqe për pozitën e Principatës shqiptare dhe për autoritetin e Skenderbeut shumë kush kujtoi se vepra e tij mbaroi”.
Vitet 1455-1456 janë vite tejet të vështira në Sundimin e Skënderbeut në Shqipëri. Pas Mojsi Golemit edhe nipi i tij Gjergj Stres Balsha u shiti turqve në tetor 1456 kalanë e Modricës për 30 000 dukatë të argjenta.Pas tij u largua nga Skënderbeu edhe Hamza Kastrioti bashkë me të shoqen e fëmijët. Ishin këto grushte të rënda për Skënderbeun që e tronditën shumë fortë, por nuk e thyen moralin e lartë luftarak të Skënderbeut.
Në këto çaste shumë të vështira për Komandantin shqiptar, e braktisën edhe diplomatët e huaj,të akredituar në zyrën politike pranë Skënderbeut në Krujë. Këta diplomat filluan të humbin besimin në rezistencën e mëtutjeshme në luftrat e Skënderbeut kundër turqve. Por këtë vuajtje shpirtërore Skënderbeut e tejkaloi me një fitore të shkëlqyer kundër tradhtarit dibran Mojsiut, i cili u nisë me 15 000 luftarë kah Maqedonia për në Dibër. Beteja zhvillua më 18-20 maj 1456 në fushën e Oranikut, duke i shkatruar një disfatë katastrofale mbi 10 000 të vrarë, ndërsa vetë Mojsi Dibra, pas dy muajve hiku nga Stambolli, pasi nuk munndë ti duronte fyerjet si shqiptar që i bërin turqit, u kthye në Shqipëri, ku Skënderbeu i madh ja fali jetën për tradhtinë e bërë.
Në këto rrethana tejet të vështira politike në Shqipëri, kurr shtetet e Evropës i kishin humbur shpresat për vetë mbrojtje. Papritmas në vitin 1456 kemi edhe një fitore nga Janosh Huniadi në Beograd, më më 6 gusht 1456 Për fat të keq të botës së krishter, pas këtyre betejave të shkëlqyera pas 7-8 ditëve papritmas nga ethet vdes Janosh Huniadi.
Pas vdekjes së Huniadit 1456, “Skenderbeu ishte njeriu më i rëndësishëm që mbronte integritetin e shteteve kristiane para turqve”.
Pushteti i Papës para së gjithëve filloi të shoh në Skënderbeun figurën më të rëndsishme udhëheqëse të planifikuar për komandimin e luftrave kryqëtare. Ky ishte shkaku që vetë Papa Kaliksti i III, këtë udhëheqës musliman e pagëzoi “Atleta Christi”.
Pas kthimit të Skenderbeut në vitin 1462 nga Napoli ku i siguroi Ferdinandit kurrorën mbretërore. Skënderbeu në Napoli themeloi edhe koloninë e parë shqiptare të udhëhequr nga Demetrie Pepesi.
Me kthimin e Skenderbeut në Shqipëri dhe ekspeditn e sukseshme të Skënderbeut në në Itali 1461-62 , Sulltan Mehmeti dërgoi tri ushtri për ta mposhtur Princin e arbërve dhe Komandantin legjendar Skënderbeun. Ky gjatë vitit 1462 zhivilloi tri beteja tejet të rëndësishme kundër turqve. Në drejtim të malit Mokra dërgoi Sinan Pashën, i cili u thye më 27 gusht 1462, poashu edhe krahu i majtë i kësaj ushtrie u thye pa arritur në Dibër, Husein beu.u kap i gjallë.
Pak ditë më vonë nga Kosova (është fjala për Shkupin që në atë kohë ende njihej si qendër e Dardanisë e pas beteës së Kosovës në vitin 1389 si qendër administrarivee Kosovës, V.XH).),u nisë edhe Jusuf beu me 18 000 ushtarë, por u thye në hyrje të Pollogut pa arritur në Tetovë .
Sulltan Mehmeti i II dërgoi edhe ushtrnë e III në krye me Karaxha beun i cili pa arritur në Dibër u thye shumë keq në shtator të vitit 1462 te beteja e Livadit (Livadhia e sodit), afër Strugës.

Beteja e II e Pollogut

Kjo betejë u zhvillua në verë të vitit 1462. Jusuf beu kësaj radhe tentoi me një manovrim që nga Shkupi të hy në Pollog, nga rruga e vjetër që lidhë Shkupin me Tetovën nëpërmes Grykës së Kaçanukut, për rreth lumit Vardar kah Kalaja e Orashjes, që me pzitën e saj straregjike është pika më dominuese në hyrje të fushës së Pollogut, që nga populli i vendit quhet Kalaja e Skënderbeut.
Komandanti i shquar shqiptar që në këtë kohë ishte shpallë mbojtës i tërë krisherizmit, nuk lejoi që ta mashtrojë një komandant nga Anadolli. Ky arriti ta ndaj ushtrinë e vetë në dy pjesë, duke sulmuar nga kalaja e Orashjes për rreth lumit Vardar ndërsa me pjesën dërmuese të kalorsisë e sulmoi ushtrinë turke mbi urën e gurit në fshatin Zhelinë në drejtim të grykës së Dërvendit. Ushtria e Jusuf beut e habitur nga ky sulm i furishëm i komandantëve të Skënderbeut nuk pati kohë që të zen pozicione për zhvillimin e luftës dhe filloi zbrapsjen e pa kontrulluar, ajo u tërhoqë përgjatë grykës së Dërvendit, ndërsa një pjesë e saj kah fshati Radushë që çon nëpër luginën e Vardarit për në Shkup, duke pësuar humbje katastrofale. Komanda turke tentoi në hyrje të Shkupit të bënë rezistencë ushtrisë shqiptare, por nuk pati sukeses. Pozita strategjike e kësaj ngushtice e vulosi fatin e betejës në favor të ushtrisë shqiptare.Pasi kjo zonë me pozitën që ka nuk lejon përhapjen apo zhvillimin e operacioneve luftarake dhe përdorimin e armatimit të rëndë, deri në hyrje të Shkupit. Këtë epërsi gjeostrategjike, komandantët e spikatur të ushtrisë sonë kombëtare të udhëhequr nga vetë Skënderbeu arritën ta ta shfrytzonin me përpikni deri para dyerëve të Shkupit, duke i sjellur një disfatë të rëndë ushtrisë turke e cila nga fusha e Pollogut deri në hyrje të Shkupit la mbi 2 000 të vrarë dhe disa qindra të plagosur.
Kjo betejë e shkëqyer e Skënderbeut në Pollog duke i dëbuar turqit deri ppara dyrëve të Shkupit i dha popullatës shqiptare kudo që ishte shpresën e çlirimit nga sunduesit turq të Anadollit.
Sulltan Mehmeti i dëshpruar nga disfata e Pollogut, me të shpejtë nisi një ekspedit tjetër ushtarake me një ushtri edhe më të madhe drejtë Shqiprisë nën komandën e Karaxha beut, shqiptarët të vendosur si çdo herë për të mbrojtur çdo pllëmbë tokë i dolën përpara te fusha e Livadit (Livadhisë), duke i shkëtuar një disfatë të rëndë. Pra këtë vit kalendarik kurr mbushen 540 vite të fitores së Pollogut, Dibrës dhe të Betejës së Livadhisë. Me plotë krenari këto fitore i përkujton: Tetova, Dibëra,Gostivari, Struga, e në veçanti Livadhia. Pra këto fitore janë të tërë popullit shqiptar, të udhëhequr nga prisi i ynë legjendar Skënderbeu.I cili në ato kushte të ngrytjes së vetëdies kombëtare arriti të themelon shtetin feudal shqiptar duke i bashkuar për herë të parë shqptarët nga të gjitha trojet etnike, nga Shkupi deri në Ulqin.V.XH)
Këto suksese në luftarake në Shqipëri dhe fitorja e Skënderbeut në Napoli, ku arriti vetëm me 2 500 ushtarë të mundë kundërshtarët e Ferdinandit, njëherit mikut më të sinqertë të popullit shqiptar dhe të vetë Skënderbeut, ku erdhi deri te forcimi i i aleancës shqiptaro-napolitane.
Këto fitore e forcuan pozicionin diplomatik të Skënderbeut në arenën ndërkombëtare.



Marrëveshja Shqiptaro-turke në Shkup


Paqa e Shkupit njihet në histori si një marrëveshje me rëndësi të madhe historike që u nënshkrua në mes përfaqësuesve të Skënderbeut dhe Mehmmetit të II në Shkup kah fundi i prillit 1463.
Kjo marrëveshje u nënshkrua me një afatë dhjetë vjeçar. Kjo paqë u pranua si tejet tragjike për shtetet e Evropës e në veçanti nga vetë papa Pio II, i cili ishte në atë kohë edhe nismëtar i lutrave kryqëtare kundër gjysëm hënës. Skënderbeu më këtë alencë të lidhur në Shkup, bëri një çmenduri në politiken e papës e në veçanti në diplomacinë e jashtme të Vnedikut. E cila disa vite me radhë nxiste Turqinë në luftë me Skenderbeun. Që të mbante nën hegjemoninë e vetë sferat e interesit në tërë bregdetin shqiptar me disa qytete të rëndësishme në zonën bregdetare. Paqa e Shkupit sipas historianëve të kohës është një e arritur fenomenale e diplomacisë së Skënderbeut, në forcimin e politikës së vendit në analet diplomatike. Që sipas analistëve të kohës, lidhja e kësaj marrëveshje në Shkup cilsohet si një fitore e shkëlqyer e diplomacisë Skënderbegiane, kundër një politike shterpe (e shpeshëherë poltroniste), që mbante deri në atë kohë Republika e Shën-Markut.V.XH).
Në këto rrethana të reja në Ballkan Shqipëria u bë vend merritor për forcat e shteteve Europiane. Tani Venediku për herë të parë kërkoi në vitin 1463 prishjen e traktatit të Shkupit, duke kërkuar publikisht që të lidhë aleancë me Shqipërinë dhe të ndihmojë ushtarakisht Skënderbeut,duke i ofruar mbi 1000 ushtarë dhe 5000 dukat për luftën që do të pasonte.
Historianja ruse Smirnova, thotëe këtë aleancë defakto Venediku ka pranuar Shqipërinë si shtet të pavarur në krye me Skënderbeun. Ajo në punimin e vetë Histori e Shkurtë e Shqipërisë pranon: se merrita kryesore për goditjen dhe qëndresën e që iu ba Perandorisë otomane, e cila asokohe ishte në lulzimin e saj të plotë , në Europën Juglindore, u përket popujve që bënë qëndresën më të fortë –Shqiptarëve Sllavëve të Jugut dhe Hungarezëve”.
Historiografia gjermane për emrin e Skënderbeut thotë se emri i Skënderbeut do të jetë simbol i rezistencës për brezat shqiptarë. Emri i Skënderbeut do të jetë në shfrytëzimin e kujtesës për bashkim të gjithë shqiptarëve. Ky personalitet i ynë kombëtar do të jetë personifikim edhe gjatë Rilindjes sonë kombëtare.
Lufta e Skënderbeut dhe bashkimi i popullit shqiptar në kohën e tij, do të shërbejë si fundament edhe krerëve të Lëvizjes sonë Kombëtare, duke filluar nga Lidhja e Prizrenit e deri më sot. Ata thirrën heroin që të vendosej së bashku me ta në llogoret e luftës çlirimtare që të frymëzonte në çdo hap me flamurin dhe me trimërinë e pashoq dhe urtësinë e tij.Ky kolos i historisë sonë kombëtare do të ngel si: simbol i rezistencës kombëtare për pasardhësit e tij, në luftë për çlirim e bashkim kombëtar të popullit shqiptar kudo që jetojnë.


LITERATURA


1.Jahja Drançolli Shteti Mesjetar i Gjergj Kastriotit Skënderbeut, Pejë, 2001.
2.Ali Vishko, Nahija e Gostivarit në gjysmën e dytë të shekullit XIX, “Jehona”, nr.8-9, Shkup.
3.Iliri i Albanci,(nauëni skupovi ) libri i 10, Beograd, 1988.
4.Vasil Kënçov, Izabrani Proizvedenija, Tom II, Sofija, 1970.
5.Qerim Dalipi, Inkursionet osmane në trevat shqiptare deri më 1402, Kërçovë, 2002.
6.Tetovo i tetovsko niz istorijata, I,Tetovo,1982.
7.Istorija na makedonskiot narod, Shkup. 1969.
8.Historia popullit Maqedonas, Shkup, 1983.
9.Peter Batrl, Albanien, Regensburg, 1995, (Përkthyer nga gjermanishtja 10.Lubinka Milenkoviq, botuar në Beograd në vitin 2001).
11.Historia e popullit shqiptarë, I, Prishtinë, 1969.
12.Burime të zjedhura për historinë e Shqipërisë, vëlimi i II, Tiranë, 1962.
13.Vladana Gjorgjeviça, Arnauti i Velike Sile, Beograd, 1913.
14.Vebi Xhemaili, Pushtimet e para serbe në Pollog, “Flaka”, më 16-19 mars 1993.
15.Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe lufta shqiptaro-turke e she. XV, Tiranë, 1967.
16.Muzafer Bislimi, Borbite na Skenderbeg so osmanlite so poseben osfrt na Makedonija, Shkup, 2001.
17.Marin Barleti, Historiae jetës dhe e veprave të Skënderbeut,Tiranë, 1964.
18.Fan Noli, Historia e Skënderbeut, Prishtinë, 1968.
19.Masar Kodra, Historia e Diplomacisë shqiptare, (vep.në dorshkrim).
20.Arsh-Senkieviç-Smirnova, Histori e shkurtë e Shqipërisë, Prishtinë, 1967.
21.Mahmut Hysa, Shqiptarët e Maqedonisë, Shkup, 1994.
22.Abas Ermenji, Albania, Romë, 1968.
23.Joseph Hameer, Historija Turskog Osmanskog carstva, Zagreb, 1979.
24.Tetovo i tetovsko niz istoriata, Tetvë, 1982.

Pema gjenealogjike e Kastriotëve


Shkruar nga Entela Resuli

Burrë shteti, udhëheqës politik, prijës popullor dhe strategu ushtarak më i madh i kombit shqiptar, Heroi i vetëm Kombëtar. Është Gjergj Kastriot Skënderbeu. Kastriotët e Shqipërisë dhe pasardhësit e tyre tashmë përshihen në historinë botërore. Libra, romane dhe opinione të historianëve në mbarë rruzullin tokësor vështrojnë dhe formulojnë konsiderata superlative për të. Skënderbeu është testuar ndër 200 udhëheqësit më të mëdhenj të botës që nga fillimet e civilizimit e gjer në epokën moderne.


Fisniku dhe pasardhësi i Gj.Kastriot Skënderbeut që mban emrin e stërgjyshit, Giorgio Castriolo Skanderbeg (me banim familjar në rrethet e Napolit). Saktësisht nga viti 1432 deri 1963, por rrënjët e asaj peme gjenealogjike gjigante vijojnë ende të shtrihen më tej, madje gjer në ditët tona.
Familja
Rreth familjes së Kastriotëve dhe breznive të njëpasnjëshme gjatë 6 shekujve, disponohet një shkallë njohjeje e përciptë dhe e errët. Ndaj ky dokument sqarues i drejtpërdrejtë nga vetë familja e Kastriotëve plotëson një boshllëk tejet të ndjeshëm e të domosdoshëm për historiografinë mbarëkombëtare dhe diasporiale shqiptare. Sepse mund të përbëjë një dukuri unikale në historinë e përbotshme që një trung familjar të përfaqësohet pa ndërprerje, në vijimësi dhe nuk dimë gjer ku do të shkojë. Dhe, për çka e thellon rastin e veçantë dhe plot-meritueshëm shqiptar, kur nga ajo derë tepër madhore dhe e fisme si populli vet, rezultuan njëherësh sa e sa trashëgimtarë të denjë aq edhe prijës të qëndresës e të luftës së stërzgjatur antiosmane për çlirim, bashkësi, pavarësi, shtet-formësim e përparim!

Kastriotët vijnë si ndër familjet e rralla feudale – atdhetare. Ata zënë fill nga Kanina e Vlorës (1368), por me prejardhje nga Hasi dhe mandej u zgjeruan në dy Dibrat, përfshi Shqipërinë e Mesme. Zmadhimi territorial, fuqizimi ekonomiko-shtetëror dhe kontributet ushtarake për kombin shqiptar gërshetohen pazgjidhshmërisht me emrat dhe veprat e Gjon e Gjergj Kastriotit (at e bir), dy nga figurat më të shquara, ku padyshim Gjergji ose Skënderbeu qëndron si olimp në Akropolin e pemës së Kastriotëve. Nga dinastia e Kastriotëve përmenden edhe Gjoni II, djali i Skënderbeut; Gjergji II, nipi i Skënderbeut; si dhe Donika, bij e Gjergj Aranitit, bashkëshorte e Skënderbeut si pasues të idealeve shqiptare e të veprës kombëtare të Gjon – Gjergj Kastriotëve; Vjosava, gruaja e Gjonit dhe nëna e Skënderbeut, një pinjolle e sunduesve të Pollogut – Tetovë, por dhe Mamica, motra më e vogël e Skënderbeut.
Pema
Pema gjenealogjike e Kastriotëve siç shënohet në skemë mbart dy degëzime themelore:
I
Ajo shtyllore, që rrjedh me Gjergjin (Skënderbeun), me orientim fetar ortodoks. Dihet se familja e Skënderbeut pas vdekjes së tij dhe pushtimit otoman shtrëngohet të emigrojë në Italinë e Jugut. Ajo vendoset në pronat që iu dhanë nga Mbreti Ferdinand i Aragonës, si mirënjohje për ndihmën ushtarake që Skënderbeu nuk kurseu kundër princit rebelues të Tarantos (Giacomo Piçinino-s) dhe banorëve aleatë (gusht-dhjetor 1461), të cilët përkrahnin derën franceze d’Anjou që sundonte mbi Mbretërinë e Napolit. Prej pemës rezulton se Kastriotët në Itali gëzuan ndere dhe tituj fisnikërie të ndryshme e të shumta.
II
Degëzimi i dytë është dega e Topiajve të islamizuar i Toptanëve, si rezultat i martesës së motrës së Skënderbeut, Mamicës, më 1445, me Karl Muzak Topinë. Çifti lindi 3 djem: Gjonin, Gjergjin dhe i treti i islamizuar me emrin Ali bej Toptani. Pra, familja e madhe e Toptanëve të sotëm vijnë nga i pari Ali bej Toptani, djali i motrës së Gjergj Kastriot Skënderbeut. Në aneksin e Toptanëve për mungesë lidhjesh shekullore shënimet anagrafike për brezat pasardhës paraqiten me të meta dhe gjenerike.

Megjithatë dera e Toptanëve është shekullore e përmendur dhe rrjedh nga i pari Karl Muzak Topija (Princ i Arbërisë – Shqipërisë së Mesme). Ai përballë kërcënimit të Balshës II dhe Venedikut iu drejtua për ndihmë Turqisë, e cila dërgoi (1385) ushtrinë nën komandën e Hajredin Pashës, duke mundur Balshën në Lushnjë.


Siç shikohet me kujdes nga pema gjenealogjike, për çdo brez janë përjetësuar emrat e të parëve zëmëdhenj, Gjon dhe Gjergj. Për mirënjohje ndaj Arangozëve ato me emrat Ferdinand e Alfons.

Ato fal historisë janë parapëlqyer emrat e Pirros e të Akilit. Dhe për respekt të femrës shqiptare u përjetësuan emrat Donika, Maria e Mara. Pavarësisht nga degëzimi fetar, pasardhësit e dy palëve të integruar në shoqëritë dhe shtetet përkatëse, dhanë ndihmesa në përparimin e atyre dy kombeve pa harruar gjakun, tokën, gjuhën, zakonet dhe kontributet për mëmëdhenë.


Tërheq vëmendjen se nga burimi i Mamicë-Karl Muzak Topisë rrodhi edhe Ahmet Zogu (Presidenti i parë i Shqipërisë dhe i vetmi president në botë në moshën 32 vjeç).

Prej skemës del se Pinjotë jepen vetëm me vitlindje ose me të dy skajet e jetës (lindje-vdekje), ose pa vite për mungesë të dhënash burimore. Pavarësisht nga ndonjë mangësi për t’u shtuar, pema gjenealogjike e familjes së Kastriotëve do t’u shërbejë studiuesve dhe krijuesve në pasurimin e mëtejshëm të jetë-veprës së Kastriotëve, posaçërisht të Skënderbeut.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...