Anila LIMANI
Tregtia ilegale më artefakte është shndërruar në një biznes të mirë për shumë njerëz, të cilët gjatë kohë kanë vepruar dhe veprojnë lirshëm në Maqedoni. Mafia arkeologjike ka krijuar kanale të ndryshme ku qindra mjetet arkeologjike, artefakte dhe raritete nga Maqedonia shiten në shtetet e ndryshme evropiane, madje disa prej tyre kanë mbërritur edhe në Amerikë. Edhe pse nuk dihet saktësisht se sa eksponate mungojë, supozohet se në dhjetë vitet e fundit Maqedonisë i mungojnë rreth 20 mijë eksponate arkeologjike me madhësi të ndryshme me një vlerë prej disa dhjetave miliona eurove. Ndërkaq supozohet se gjatë viteve të tranzicionit prej Maqedonisë janë zhdukur mbi 100 mijë artefakte. Deri më tani në Maqedoni janë kthyer më pak se 250 artefakte, ndërsa të tjerat nuk dihet se ku kanë përfunduar. Dyshohet se në tregtinë ilegale me artefakte janë të kyçur edhe arkeologët, por deri më tani nuk është arrestuar asnjëri prej tyre. Aksioni më i madh i policisë kundër "gjuajtësve" të artefakteve është ai me emrin "Falanga" që u ndërmor në qershor të vitit 2010, ku u arrestua një grup i organizuar kriminelësh i përbërë nga 29 anëtarë nga e gjithë Maqedonia.
Ekzistojnë dy lloj gërmuesish ilegal
Kërkuesit e thesareve gërmojnë në çdo cep të Maqedonisë, në lokalitete arkeologjike dhe vende të tjera ku kanë dëgjuar se është fshehur ndonjë thesar. Ma harta dhe karta të vjetra ata kërkojnë vendet ku mund të gjendet thesari. Shumica e gërmuesve janë vendas, por ka edhe të huaj të cilët vijnë me harta në dorë dhe paguajnë vendasit për të gërmuar në vende të ndryshme.
Drejtor i Drejtorisë për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore (DMTK), Pasko Kuzman thotë se gërmimet ilegale janë bërë "si mirëmëngjesi dhe mirëdita" në të gjitha vendet e Ballkanit, ku nuk përjashtohet edhe Maqedonia. Ai thotë se në kohën e krizës ekonomike, gërmimet ilegale shtohen, fuqizohen shumë për arsye të kuptueshme. "Njerëzit kanë nevojë që në çdo lloj mënyre të arrijnë te ndonjë pasuri, të arrijnë tek mjete të cilat do ti siguronin ekzistencë të mëtejshme", thotë Kuzmani. Sipas tij ka dy lloj gërmuesish ilegal. "Motivi i parë është ky që e përmenda më lartë, pra është me natyrë ekzistenciale, njerëzit përpiqen që të sigurojnë mjete për ekzistencë. Motive tjetër është tregti ilegale me të mirat materiale. Këtu hyjnë ato persona që kërkojnë të pasurohen në një mënyrë më të lehtë, respektivisht nëpërmjet tregtisë të trashëgimisë kulturore. Këto dy motive janë të pranishme dhe besoj se që të dy janë shumë të dëmshëm, kuptohet që më të rrezikshëm janë këta të dytët", thotë numri një i Drejtorisë, duke shtuar se me shitjen e artefakteve bëhet shpronësimi nga vendi, në dëm të shtetit. Ai sqaron se inspektorët e Drejtorisë në bashkëpunim me stacionet policore të të gjithë Maqedonisë, kishin zënë mat mjaft gërmues ilegal në shumë lokalitete në të gjithë territorin e Maqedonisë, më shumë në pjesën jug lindore, në pjesën lindore, më pak në pjesën perëndimore. "Kohët e fundit kishim shumë aktivitete në pjesën jugperëndimore të Maqedonisë ku kishte vjedhje të ikonave të shekullit XIX, të cilat para së gjithash janë artefakte, të karakterit sarkal. Kur ta shohësh, vjedhje dhe shkatërrim kemi në të gjithë territorin e Maqedonisë. Në pjesën jugore dhe juglindore më shumë bëhej shkatërrime të lokaliteteve arkeologjike, vjedhje të mjeteve sarkale të kulturës, lëvizje të tyre, shitje të mjeteve arkeologjike", sqaron Kuzman.
Me harta në dorë të huajt kërkojnë thesare
Mariovo është një ndër zonat ku gati s’ka mbet qosh pa u gërmuar. Banorët e paktë të kësaj zone sqarojë se ka vite që aty kërkohen thesare të fshehura. Persona me harta në dorë, të ndihmuar nga vendasit me sonda dhe materiale të tjera gërmojnë dhe kërkojnë thesare. Goce Gj. nga fshati Sekirce i Prilepit rrëfen për atë që ka parë dhe dëgjuar në fshatin e tij dhe në rrethinë. "Shpesh herë vijë njerëz dhe kërkojnë ar këtu", thotë ai, duke shtuar se disa persona kanë gjetur, ndërsa disa të tjerë jo. Ai sqaron se shpeshherë ata që kërkojë thesare janë të huaj. "Vijnë nga Greqia, nga Bullgaria, dhe me ndihmën e vendasve skanojnë, punojnë natën, marrin atë që gjejnë dhe ikin. Shumica gjejnë gjëra të fshehta, dikush edhe mund të mos gjejë gjë…", thotë Goce, duke shtuar se të huajit kur shkojnë për të gërmuar me vete kanë edhe harta me ndihmën e të cilave locojnë vendin e kërkimit. Ai sqaron se gërmuesit fshihen pasi kanë frikë se mos "spiunohen" nga banorët dhe përgjithësisht punojnë natën, ndërsa të nesërmen duken vetëm pasojat e gërmimit. Banorët e kësaj zone u besojnë dhe legjendave dhe janë të bindur në atë që thuhet për to. "Ka vende ku kërkohet kurban, duhet dikush të flijohet. Aty nuk shkojnë për të gërmuar, pasi ai që shkon e ka pësuar", thotë ai, duke treguar për persona që janë sëmurë, ose çmendur pasi kanë gërmuar në "tokën e ndaluar".
Gërmuesit, transportuesit dhe shitësit e artefakteve përbëjnë një rrjet të organizuar mirë
Para aksionit Falanga, policia kishte raste të veçante të krimeve dhe nuk mund të gjente ndonjë lidhje më të madhe mes atyre grupeve që vepronin veç e veç në Maqedoni.
"Me aktivitetet dhe aksionin Falanga të Ministrisë së Punëve të Brendshme u lidhën mjaft punë dhe doli se shumë grupe janë të lidhura dhe veprojnë bashkërisht. U konstatua se ato grupe janë të lidhura, veprojnë me marrëveshje, jo të gjitha, por shumica dhe janë të organizuar në mënyrë të rrezikshme, rrezikshëm në aspektin e shpronësimit të trashëgimisë kulturore, në dëm të shtetit", sqaron drejtori i DMTK-së. Policia po ashtu ka arritur në përfundim se edhe grupi që vepronte në Maqedoninë perëndimore në vjedhjen e ikonave nëpër kisha është i organizuar.
Mungojnë rreth 100 mijë eksponate
Nuk dihet saktësisht se sa artefakte mungojnë në Maqedoni, por supozohet se gjatë viteve të tranzicionit janë shpronësuar rreth 100 mijë eksponate të madhësive dhe materialeve të ndryshme. Dëmet e shkaktuara nga shpronësimi i tyre janë të pa imagjinueshme. Ndërkaq, janë gjetur dhe kthyer në vendin e vet vetëm 230 eksponate. "Janë një humbje e madhe për shtetin, nga arsyeja e thjeshtë se trashëgimia kulture nuk ka çmim, pra meqë është pa çmim, do të thotë se dëmet nuk mund të llogariten, pasi janë shumë - shumë të mëdha. Ndryshe kur ato materiale, artefakte, eksponate që shiten në aukcione, bëhet vlerësimi i tyre, që nuk është real, atëherë ato janë shuma maramendase. P.sh. gjatë 10 viteve të fundit nga Maqedonia janë shpronësuar rreth 20 mijë eksponate arkeologjike më të mëdha, më të vogla, ajo është shumë prej disa dhjetërave miliona eurosh. Ndërkaq, gjatë 20 vjetëve janë shpronësuar 100 mijë eksponate nga Maqedonia atëherë ajo shumë do të ishte shumë më e madhe", thotë drejtori i DMTK-së. Ai thekson se deri më tani mungojnë më shumë se 100 mijë mjete arkeologjike, mjete etnologjike, edhe pse shifrën e saktë nuk e di askush, pasi, siç thotë ai, ato lëvizin në kanale sekrete dhe askush nuk e di numrin e saktë. Në vitin 2006/2007 në kufirin kroato -slloven, doganierët e atjeshëm sekuestruam 230 eksponate arkeologjike të cilat pas bisedimeve mes dy shteteve u kthyen në Maqedoni. Artefaktet ishin te fshehura në thasë me fasule, kamioni kish nisur nga Tetova, ndërsa në të kishte persona nga Gjevgjelia. Trafikantët kishin punuar të lidhur, shqiptarë, maqedonas e kroat.
Artefaktet nga Maqedonia shpërndahen nëpër Evropë nëpërmjet Serbisë
Artefaktet nga Maqedonia gjenden në të gjitha shtete e Evropës, madje edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA). Kanali kryesor nëpërmjet të cilit ata transportohen është Serbia. "Artefaktet më tepër i dërgojnë për ti shitur në shtetet perëndimore nëpërmjet disa firmave fantome që tashmë njihen. Kanalet janë nga Serbia e lartë, Zvicra, Anglia, Gjermania, Amerika e kështu me radhë. Këto janë rrugët kryesore që unë i di sipas informatave që kam, por sigurisht se ka edhe rrugë të tjera të lëvizjes së tregtisë ilegale me trashëgimi kulturore", thotë drejtori Kuzman. Të njëjtën e pohojnë edhe nga MPB-ja.
Vetëm dy inspektorë kontrollojnë gjithë Maqedoninë
DMTK-ja ka vetëm dy inspektorë të cilët kontrollojnë të gjithë territorin e Maqedonisë. Para pak viteve ka pas një ide për formimin e një njësie speciale të policisë që do të merrej me gërmuesit ilegal. Megjithatë deri më tani nuk është realizuar asgjë. Dy inspektorët në bashkëpunim me policinë lokale merren me mbrojtjen e lokaliteteve arkeologjike. "Kërkuam që të formohen pese punkte, tre në Maqedoninë lindore dhe dy në Maqedoninë perëndimore. Ministria e punëve të brendshme të ketë njësi speciale që do të merrej vetëm më kapjen e gërmuesve ilegal, një punkt i përbërë prej 3-5 personave në një grup të cilët do të lëviznin nëpër lokalitetet arkeologjike, do të bisedonin me personat e dyshimtë dhe më lehtë do ti kishin gjetur. Nuk e di a punon MPB në këtë drejtim, por ky ishte një propozim i yni , do të ishte mirë që të kishte një polici eksperte që të mund ta ndalonte ofensivën e gërmimeve dhe shkatërrimeve", thotë drejtori i këtij institucioni, Pasko Kuzman. Ai sqaron se Drejtoria që udhëheq ai ka vetëm dy inspektorë, të cilët janë të lidhur me të gjitha stacionet e policisë. "Inspektorët tanë nuk kanë ingerenca për ti kapur gërmuesit, atë e bën policia, ne e informojmë policinë, ajo vepron", thotë Kuzman, duke shtuar se inspektorët e tyre nuk janë ata që i gjuajnë gërmuesit ilegal.
Gërmohet dhe shkatërrohet gjithandej, por më shumë në Maqedoninë Lindore dhe Jugore (Gjevgjeli, Strumicë, Valandovë, etj)
Për tre vjet Doganat kanë sekuestruar 834 eksponate
Të dhënat e Drejtorisë së Doganave tregojnë se gjatë tre viteve të fundit janë sekuestruar 835 eksponate.
"Më 30 mars të vitit 2008 në, në vendkalimin kufitar Bogorodica janë sekuestruar 183 ikona, më 2 korrik të vitit 2008 në vendkalimin kufitar Qafë Thanë janë sekuestruar 22 mjete me vlerë etnologjike dhe arkeologjike, më 12 qershor të vitit 2008 në vendkalimin kufitar Tabanovce janë gjetur dhe sekuestruar 27 ikona dhe një pikturë", sqarojnë nga Drejtoria e Doganave. Ndërsa më 30 janar të vitit 2009 në vendkalimin kufitar Bogorodicë janë sekuestruar 16 ikona të vjetra, më 30 qershor të vitit 2009, në Aeroportin e Shkupit janë gjetur dhe sekuestruar 14 piktura, 1 pistoletë antike është sekuestruar më 15 korrik të vitit 2009 në vendkalimin kufitar Qafë Thanë, 569 monedha të vjetra, zbukurime, dhe stoli janë gjetur dhe sekuestruar më 18 korrik të vitit 2009 në vendkalimin kufitar Tabanoc, si dhe 2 ikona të vjetra janë gjetur dhe sekuestruar më 18 korrik të vitit 2009 në vendkalimin kufitar Bogorodica. Nda Drejtoria e Doganave informojnë se në vitin 2010 nuk është zbuluar asnjë rast tregtie ilegale të sendeve me vlerë.
Nga Drejtoria e Doganave informojnë se gjatë vitit 2008 janë regjistruar pesë padi penale nga lëmia e shkatërrimit të trashëgimisë kulturore dhe shpronësimin e artefakteve. Fjala është për dy padi penale "dëmtim ose shkatërrim i të mirave natyrore që janë nën mbrojtjen e shtetit", ku në njërin prej rasteve është dëmtuar "Kurshimli –anni" në Shkup, objekti i kulturës që është nën mbrojtjen e shtetit , ndërsa në rastin e dytë është dëmtuar një manastir në rrethinën e Prilepit. Po ashtu janë regjistruar edhe tre padi penale për "përvetësim i të mirave natyrore, që janë pjesë e trashëgimisë kulturore të shtetit", ku në dy raste janë kapur persona të cilët gjatë kohë kanë gërmuar nëpër varre në lokalitetin arkeologjik ‘Isar’, ku kanë përvetësuar një numër të madh të mjeteve arkeologjike dhe kanë pas për qëllim që ato t’ua shesin koleksionistëve , ndërsa në një rast tre persona nga Kumanova kanë pas për qëllim që të shesin 6 ikona.
Në vitin 2009 janë ndritur dy padi penale kundër dy personave fizik, që të dy shtetas të huaj, edhe atë një padi penale kundër personit Z.D., shtetas kroat, për shkak të dyshimeve bazë se ka kryer veprën penale "dërgim, respektivisht transportim jashtë shtetit të të mirave materiale që janë në mbrojtje të përkohshme, ose trashëgimi kulturore, ose raritete natyrore", dënuar në bazë të ligjit 266 të Kodit Penal të Republikës së Maqedonisë. I dyshuari më 18 gusht të vitit 2009 rreth orës 12 duke dalë nga Maqedonia në vendkalimin kufitar Tabanoc në makinën e tij të tipit ‘Mazda 3’ është përpjekur që të kalojë në mënyrë ilegale një numër të madh të monetave dhe sendeve të tjera të vjetra. I dyshuar Z.D. një kohë të gjatë është marrë me mbledhjen e parave dhe monetava të vjetra, ndërsa prej personave të tjerë nga Strumica dhe rrethina të cilët kanë pas qenë marrë me mbledhjeje e monetave të vjetra, për një shumë prej 500 eurosh disa herë ka blerë rreth 500 moneta dhe qindra sende të tjera. Ai ka pas qëllim që ato ti çojë në Kroaci. Monetat dhe sendet e tjera të vjetra i ka pas paketuar në qese najloni , në atë mënyrë që një pjesë e ka pas fshehur në bagazh, ndërsa pjesën tjetër, në hapësirën e bagazhit poshtë tapetit. Padia tjetër penale është ngritur ndaj personit S.M, shtetas grek, për shkak të dyshimive se është kryerës i veprës penale "trafikim" që dënohet në bazë të ligjit 278 të Kodit Penal, ai është përpjekur që të trafikojë 2 ikona të , me fytyrën e Jezu Krishtit dhe Shën Atanasit të cilat i përkasin shekullit 14 – 16. I dyshuari më 18 korrik të vitit 2009, rreth orës 10 në hyrje të republikës së Maqedonisë në vendkalimin kufitar Bogorodica në hapësirën e bagazhit të makinës së tij të tipit "Alfa Romeo" me targa gjermane të mbështjella me foli dhe me letër ka fshehur dy ikona me vlerë prej 1 126 000 denarë (një milion e 126 mijë denarë), me qëllim që ti ikë kontrollit doganor. Nga drejtoria e doganave informojnë se në tregtinë ilegale me sende të çmuara, artefakti nuk ka të involvuar nëpunës të doganave.
Policia për tre vjet ka arrestuar 53 persona dhe ka ngritur 46 padi penale
Ndihmës ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), Ivo Kotevski sqaron se gjatë tre viteve të fundit policia ka arrestuar 51 persona të dyshuar për vepra penale që kanë të bëjnë me vjedhjen, dëmtimin dhe shkatërrimin e trashëgimisë kulturore.
Gjatë vitit 2008 janë regjistruar 5 padi penale, për të cilat 8 persona janë ndjekur penalisht. Fjala është për dy padi penale ‘dëmtim ose shkatërrim të objekteve që janë nën mbrojtje të përkohshme, trashëgimi kulturore ose gjëra të rralla natyrore’, ku në njërin rast bëhet fjalë për dëmtimin e objektit të trashëgimisë kulturore ‘Kurshum Li Ann’ në Shkup, ndërsa në rastin e dytë dëmtim i një manastiri në rrethinën e Prilepit. Po ashtu janë ngritur edhe tre padi penale ‘përvetësim i materialeve të trashëgimisë kulturore ose artefakteve’, ku në dy raste janë zbuluar persona të cilët një kohë më të gjatë kanë pas gërmuar nëpër varreza në lokalitetin arkeologjik ‘Isar’ dhe kanë përvetësuar një numër të madh të mjeteve arkeologjike, ndërsa kanë pas për qëllim që tua shesin ato koleksionistëve. Ndërsa në një rast tre persona nga Kumanova kanë pas për qëllim që të shesin gjashtë ikona të shekullit 19-të dhe fillimit të shekullit 20, të cilat janë pjesë e produksionit të madh të ikonave ruse.
Në vitin 2009 janë regjistruar 12 vepra për të cilat janë ngrit padi penale ndaj 14 personave. Prej tyre 6 vepra janë "dëmtim ose shkatërrim i objekteve që janë nën mbrojtje të përkohshme, trashëgimi kulturore ose gjëra të rralla natyrore", ndërsa bëhet fjalë për dëmtim të lokaliteteve arkeologjike , gërmime në lokalitetet arkeologjike pa leje dhe shkatërrim i trashëgimisë kulturore si dhe "përvetësim i të mirave që janë në mbrojtje përkohshme ose trashëgimi kulturore, ose raritete natyrore", ndërsa bëhet fjalë për përvetësime të paligjshme të sendeve arkeologjike me vlerë shumë të çmuar historike dhe arkeologjike (moneta, figura bronzi, mjete prej metali etj), të cilat të paraqiturit i kanë gërmuar në lokalitete arkeologjike ose i kanë pas siguruar (marrë ) nga persona të tjerë me qëllim që t’ia shisnin koleksionuesve.
Në 2010-ën u zbulua një grup kriminal
Në gjysmën e parë të vitit 2010 janë regjistruar 12 padi penale për shkatërrim të trashëgimisë kulturore dhe rariteteve natyrore, me ç’rast janë arrestuar 35 persona.
Fjala është për katër vepra penale "dëmtim ose shkatërrim i objekteve që janë nën mbrojtje të përkohshme, trashëgimi kulturore ose gjëra të rralla natyrore", pesë vepra "përvetësim artefakteve dha materialeve të tjera që janë nën mbrojtje të përkohshme, trashëgimi kulturore ose gjëra të rralla natyrore’ dhe një padi penale "dërgim, eksport jashtë shtetit të artefakteve dhe të mirave natyrore".
Gjatë vitit 2010 është zbuluar një grup I organizuar kriminelësh I përbërë prej 29 anëtarë, nga disa qytete të Maqedonisë, të cilët gjatë vitit 2009 nga lokalitetet arkeologjike në rrethinën e Vallandovës, Negotinës, Prilepit, Shkupit, Velesit, Kërçovës, Demir Kapisë, Dojranit dhe qytete të tjera të Maqedonisë me përdorimin e hartave dhe letrave të ndryshme, përdorim të detektorëve, sondave dhe mjeteve të tjera teknike ndihmëse, kanë shkatërruar dhe shpronësuar trashëgimi kulturore me vlerë të pa çmueshme pronë e shtetit dhe e kanë shitur atë brenda dhe jashtë shtetit.
Ndërkaq, më 31 tetor të vitit 2010, në kuadër të aksionit policor "Falanga" që zbatohet kundër përvetësimit të paligjshëm të materialeve arkeologjike dhe të mirave materiale të cilat paraqesin trashëgimi kulturore të Maqedonisë policia arrestoi dy persona. Gjatë bastisjes së shtëpive të tyre janë gjetur dhe sekuestruar pjesë të një pajtoni të bronztë që është përdorur për varrimet solemne, i cili i përket shekullit të dytë të erës së re. Po ashtu në shtëpitë e tyre janë gjetur edhe materiale të tjera të periudhës romake, dy ikona si dhe një numër i madh monetash.
Ekspertët vlerësojnë se materialet e gjetura janë vetëm një pjesë e pajtonit. Sipas njohurive të policisë materialet e tjera kanë qenë shitur në tregun ilegal me antikitete jashtë shtetit. Ndër materialet e sekuestruara kishte edhe moneta, statuja, zbukurime, qeramikë, armë të vjetra, ndërsa mes materialeve më të çmueshme ishin menada tetovare dhe kali mbretëror.
Mbrojtje qesharake
Procesi gjyqësor ndaj 29 të arrestuarve në aksionin "Falanga" vazhdon. Të arrestuarit po mbrohen në mënyrë mjaft interesante. Të akuzuarit thonë se po përpiqen të shpëtojnë trashëgiminë kulturore që të mos përfundojë jashtë shtetit, meqë atë s’po e bëjnë arkeologët. "Ata nuk janë të vetëdijshëm se me paditurinë e tyre shkatërrojnë shtresat kulturore, që janë shumë të vlefshme për arkeologjinë, për shkencën dhe për historinë. Arkeologët e lexojnë tokën (dheun), horizontet e tokës nuk kërkojnë ar, ndërsa këta tipat debilë, vetëm të mbledhin mjetet e gjetura dhe ti shesin. Ata nuk kanë haber nga stratigrafia e tokës. Arkeologët lexojnë stratigrafinë e tokës, ajo është si bibël në arkeologji, ndërsa këta e shkatërrojnë biblën", thotë numri një i drejtorisë, duke shtuar se arkeologët e kanë tokën si libër të shenjtë.
Të dyshimtë janë edhe arkeologët
Edhe pse deri më tani nuk është arrestuar asnjë arkeolog, dyshohet se edhe ata janë pjesë e mafies arkeologjike. Arkeologët i dinë kolegët e tyre që janë të kyçur në këtë biznes, por nuk pranojnë të flasin zyrtarisht për ta. Ish drejtori i DMTK-së, Jovan Ristov tha se ka mafie arkeologjike e cila shet artefakte në tregun e zi. Megjithatë Ristov nuk dëshiron që të përmendë emra, pasi siç thotë ai, dikush tjetër duhet ti zbulojë ato. Ndërkaq, drejtori aktual Pasko Kuzman del në mbrojtje të arkeologëve.
"Jo, kategorikisht vërtetojë se nuk ka arkeologë që merren me tregti ilegale me artefakte, edhe pse ka disa njerëz që kanë qëllime të këqija thonë se edhe arkeologët kanë gisht në tregtinë ilegale me artefakte. Nëse dikush e pohon këtë, atëherë ai duhet edhe ta vërtetojë", thotë ai. Kuzman sqaron se arkeologët janë të dhënë pas gjetjeve arkeologjike, ata gjithë kohën, i shohin, i mbajnë në dorë për çdo ditë dhe ato nuk kanë nevojë që ti vjedhin, ti çojnë në shtëpi dhe ti shesin për tu pasuruar. "Nëse e bëjnë këtë të fundit, kemi të bëjmë me vepër penale numër një dhe nëse ka të tillë ata menjëherë duhet të arrestohen. Por jo, vërtetojë se nuk ka të tillë, pasi nuk është vërtetuar deri më tani. Unë besoj tek etika profesionale e kolegëve të mi dhe besoj se asnjë arkeolog në të gjithë Maqedoninë nuk merret me një veprimtari të tillë", thotë drejtori i DMTK-së.
Nga MPB sqarojnë se deri më tani nuk është arrestuar asnjë arkeolog për veprën penale tregti ose shkatërrim të artefakteve.
Interpoli ka gjet vetëm Kraterin e bronztë
Në fillim të këtij shekulli u bë një vjedhje, gërmime ilegale në një varrezë të madhe të lashtë në Demir Kapi, ku janë gjetur dhe marrë shumë mjete, ku që të gjitha janë dërguar jashtë nëpërmjet Serbisë, Zvicrës, Anglisë….Ky krateri i bronztë, i gjatë një metër e 10 centimetra, i zbuluar dhe i marr në atë varrezë është blerë nga familja hebreje Shellbi në Nju Jork, të cilët e kishin blerë atë në një ankand. "Kemi disa aktivitete kolegjiale, edhe nëpërmjet Interpolit, edhe nëpërmjet Amerikës, edhe me familjen dhe të shohim, ta gjejmë mënyrën për ta kthyer atë këtu", thotë Drejtori i DMTK-së Pasko Kuzman. Shteti nuk do ta blejë atë prej asaj familjeje, pasi sipas rregullave ndërkombëtare nuk mund të blesh diçka tënden.
Mjetet arkeologjike, që i gjen policia ose institucionet e tjera, i kthejnë në muzeun përkatës të qytetit, prej ku mund ta kenë ata origjinën, nëse nuk dihet saktësisht se cilit lokalitet, ose cilës zonë i përkasin, atëherë ata kthehen në Muzeun Nacional të Maqedonisë.
(Storia hulumtuese eshte ndihmuar nga SCOOP dhe shoqata daneze per hulumtim)