Agjencioni floripress.blogspot.com

2012/06/20

ABULLAH SIDRAN :LOTËT E NËNAVE TË SREBRENICËS






ABULLAH SIDRAN (1944)







Do të ishte më mirë mos të ekzistonte
sesa të ishte, kështu siç është sot
Sebrenica jonë. Asgjë e vdekur dhe e gjallë
s’mund të banojë më në të.
Nën një qiell të plumbtë ajrin e plumbtë
askush dhe asnjëherë nuk ka mësuar
ta thithë në mushkëri



Prej saj ikën gjithçka që ka këmbë
me të cilat mundet dhe di se ku të ikë.
Nga ajo merr arratinë gjithçka edhe ajo që në asnjë vend
përveçse nën tokën e zezë, mund të ikë.
Ortodoksët ikin, të rinj dhe të vjetër
myslimanët ikin, të vjetër dhe të rinj.
Dhe ai që në njëfarë mënyre
ka mbetur gjallë
që iku për t’u kthyer sërish
asnjë dimër dhe verë, s’ka bërë dot bashkë
as një vjeshtë me pranverë
por ka kërkuar sa më parë
të ikë nga Srebrenica.



Dhe katolikët, fqinjët tanë
edhe për ta Srebrenica, prej qindra vjetësh
ka qenë e dashur, e bukur
vend i madh i komunitetit fisnik 2
dhe të mirë kanë ikur prej kohësh
sikur prej mençurisë së tyre
të mësonin se kishte ardhur koha kur Srebrenica
nuk do të ishte më e mirë.



Na thonë, kanë dhjetë vjet që na e thonë
se në Bosnje lufta ka mbaruar.
Na shpjegojnë dhe na dërgojnë mësime të shkruara
se në vendin tonë, Bosnje-Hercegovinë
lufta ka mbaruar dhe se askush nuk duhet
të shohë më në të kaluarën.



Besojnë ndoshta me të vërtetë që jemi të gjallë
ne që qëndrojmë këtu dhe nga ky vend
flasim kështu, sikur të ishim me të vërtetë të gjallë.
Mendojnë vërtet se quhet shëndet
mendojnë vërtet se quhet arsye
ajo që ka mbetur tek ne
prej shëndetit dhe arsyes së asaj kohe?



Nuk shohin, nuk dëgjojnë ndoshta
nuk e dinë ndoshta se ne,
ata që qëndruam, jemi më të vdekur se të gjithë
të vdekurit tanë, dhe që sot këtu, me zërin e tyre,
zërin e të vdekurve tanë, me fytin e tyre,
ulërasim dhe me ulërimën e tyre - ne flasim?
Nuk na lejoni të shohim të shkuarën!
Dhe ne nuk do ta shohim, por është ajo që na sheh!


Ju thoni:
Shikoni të ardhmen!
Por ne, asnjë të ardhme në asnjë vend
nuk arrijmë të shikojmë
dhe nuk shikojmë që ajo
me një sy të vetëm na shikon ne.
Ne kemi një të tashmë që me sy njerëzor
nuk mund të shihet.



Ne, të njëjtin ajër të plumbtë të Srebrenicës sonë
që nuk ekziston më, thithim me ata
në sytë e të cilëve, në duart e të cilëve
në shpirtrat e të cilëve kullon gjaku ynë.
Dhe vetëm ata mund të gëzohen
nga urdhrat tuaj për mos të parë të shkuarën.
Por ne ç’gjë tjetër kemi përtej saj
ç’gjë tjetër përveç të shkuarës
kemi për të parë?


Me të vërtetë mund t’i thoni një nëne
mos të shohë të birin?
Me të vërtetë një motre mund t’i jepni urdhrin
që mos të shohë vëllanë?


Merrnani sytë
por mos na mësoni më, mos na dërgoni më
këshilla të tilla, mësime dhe urdhra!
Ndoshta më të vërtetë, siç na thoni ju, 5
Lufta ka mbaruar! Por sipas nesh, në Srebrenicën tonë,
lufta ka mbaruar veç pakëz, dhe vetë ne, gjatë ditës,
gënjejmë veten se është kështu, që ka mbaruar me të vërtetë!
Por gjatë verës dhe dimrit –kështu prej 17 vjetësh!-ditët janë shumë të shkurtra,
dhe të gjata, tejet të gjata netët.


Në kumtin e parë të muzgut, dyert tona
Me hekur I mbyllim,që mos të vijë dhe të hyjë
Ai që ahere erdhi dhe hyri, dhe të gjithë ato që
Për ne ishin të dashur dhe të shtrenjtë – i ndau nga jeta!
Pikërisht ai, sot, ruan Paqen në Srebrenicë!
Si mund të flerë një nënë e Srebrenicës?



Sapo mbyll sytë, ja lufta tek dera, ja
ai çast kur pa, nën kamën çetnike, të ndahej
nga trupi koka e birit të saj! Vetëm ndonjëherë, mes mijëra
Jasinëve të përshpëritur në pagjumësi, ka mëshirë I Madhi Zot!
Dhe kur gjumi ndër sy ulet, ajo, në ëndërr,
Vazhdon të bashkojë kokën me trupin e të Birit të pavarrosur!
Si mund të jetojmë më prezenten?



Si mund të mos shikojmë në të kaluarën?
Një motra jonë, megjithëse e gjallë, nuk është me ne!
Në varr e ka transformuar shtëpinë, këtu në Sarajevë
nuk i hap dritaret, nuk guxon të shohë jashtë, dhe as të dalë në rrugë!
Katër fëmijë ka humbur! Nëse nëpër rrugë një
Djalë apo vajzë të takonte, dhe t’i dukej se i ngjante një prej
Fëmijëve të saj – zemra do t’i shpërthente,
katërqind copash!


Kjo është Paqja?
Kështu mbaron Lufta?
Kur heshtin
armët e hekurta
dhe deri në qiell ulëret
zemra amënore?


Kur krimineli
Ndërron këmishën
Dhe kur me të renë e veshur
nën shtëpitë tona
nën dritaret tona
në Srebrenicën tonë
ruan paqen tonë?
Për ju e juaja ka kaluar
por për ne e kaluara jonë
nuk ka kaluar aspak!
Dhe nuk do të kalojë
sikur dhe qielli i plumbtë
i Srebrenicës tonë
të mbulohej me argjend.


Sikur edhe nën
qiellin e plumbtë
ajri i plumbtë
dhe i plumbti ajër
që thithim e gëlltisim
me ata që kanë 7
ndërruar këmishën
por që zemrën nën këmishë
dhe nën zemër urrejtjen
nuk kanë ndërruar
dhe nuk mendojnë ta ndërrojnë



Për ju, e juaja ka kaluar
por për ne
e kaluara jonë nuk ka kaluar!
Mos na ktheni
mos na ktheni
në këtë mbrapshti
të plumbtë
Srebrenicë


Por
vetëm për një çast të paktën
shikoni
në shpirtrat tuaj
në librat
ku ju ka humbur një kokrrizë
Vërtetësie dhe Drejtësie
Nëse në zemrën tuaj
një kokrrizë të vetme



Drejtësie dhe Vërtetësie
të gjeni
Të mirë dhe prej argjendi
prej argjendi dhe të mirë
Srebrenicë të bukur-
Srebrenicës ja ktheni!
Një grimcë Drejtësie
dhe një kokrrizë Vërtetësie
gjeni!


Srebrenicë
dhe Srebrenicës kthejani!
Dhe ne me ndihmën e Zotit
kush gjallë apo vdekur
shpejt do të kthehemi



Me ndihmën e Zotit
të bashkohen dhe të qetësohen
të gjitha shpirtrat e Srebrenicës
të të gjitha kohërave
shpirtrat e Srebrenicës
dhe po aq shpirtrat tanë
të pikëlluar dhe të vdekur
me shpirtrat e gjallë
të gjithë të vdekurve tanë.

--
Front CoverLe lacrime delle madri di Srebrenica

Abdullah Sidran është shkrimtari më i madh boshnjak, autor i librave "Kockë dhe mish" dhe "Përmbledhja e Sarajevës". Prej kohësh ka luftuar për lirinë e tokës së tij përgjatë pushtimit serb dhe për kapjen e gjeneralit Ratko Mlladiç. Poezia e tij e famshme Lotët e nënave të Srebrenicës është përkthyer në italisht nga Nadira Sehoviç

http://en.wikipedia.org/wiki/Abdulah_Sidran

PËRGATITI: FLORI  BRUQI

PËRKTHEU ILIRIAN DAHRI

2012/06/19

VELESHTA SI METAFORË (Ode për vendlindjen) "...dhe kudo që shkoj, kahdo që shkel/ Jam një copë Veleshtë."

Agim Vinca është njëri nga poetët e njohur bashkëkohorë shqiptarë dhe njëri ndër studiuesit e dalluar të letërsisë shqipe. Bibliografia e shkrimeve të tij është tejet e gjerë. Krijimtaria letrare e Agim Vincës i ka kaluar kufijtë gjuhësorë të gjuhës shqipe.


Agim Vinca ka lindur më 22 maj 1947 në Veleshtë, në një familje arsimdashëse. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në Strugë. Studimet për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe i kreu në vitin 1970, në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, ku edhe magjistroi dhe doktoroi. Aktualisht është profesor në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës, ku ligjëron Letërsinë e Sotme Shqipe. Jeton dhe punon në Prishtinë.

Agim Vinca është njëri nga poetët e njohur bashkëkohorë shqiptarë dhe njëri ndër studiuesit e dalluar të letërsisë shqipe. Bibliografia e shkrimeve të tij është tejet e gjerë. Krijimtaria letrare e Agim Vincës i ka kaluar kufijtë gjuhësorë të gjuhës shqipe. Poezi dhe shkrime të tjera të tij janë përkthyer dhe botuar edhe në gjuhën maqedonase, serbe, kroate, sllovene, polake, ruse, frënge, italiane, gjermane, angleze, turke, arabe, etj. Si poet, ai është prezantuar në shumë antologji të poezisë shqipe në botë, si në antologjinë e poezisë moderne shqiptare An elusive eagle soars (Shqiponja ngjitet kah qielli), përgatitur nga studiuesi i njohur i letërsisë shqipe, Robert Elsie, që u botua në vitin 1993; në Antologie de la poèsie albanaise (Antologji e poezisë shqipe) të Aleksandër Zotos, Paris, 1998; në Antologjinë e letërsisë shqipe të shekullit XX (1999), përgatitur nga albanologia e njohur ruse Gertruda Ejntrej, etj./FLORI BRUQI/




Nga AGIM VINCA






Nuk e kam të lehtë të flas para Jush, unë njeriu i penës dhe i fjalës publike, sepse njeriu i shkretë, sado moshë e përvojë që të ketë, para Nënës dhe Vendlindjes mbetet gjithmonë fëmijë, e shumta adoleshent.

Do të përpiqem, megjithatë, të them diçka për raportin tim me vendlindjen dhe për fenomenin vendlindje në përgjithësi, me shpresë se nuk do t’Ju bezdis.

Dyzet vjet më parë, si student i posadiplomuar në Prishtinë, shkrova poemën Vargje për Veleshtën, të cilën e pata botuar fillimisht te gazeta e atëhershme "Flaka e vëllazërimit" dhe pastaj edhe në librin tim të parë me poezi Feniksi ("Flaka", Shkup 1972). Në vargjet e kësaj poeme, shumë të dashur për mua, ndër të tjera, shkruaja:

"Jam unë, biri yt, Veleshtë/ unë - biri yt shkollari,/ jam unë që po të flas./ Jam unë që të rri para e mbas/ dhe pulsin ta mas/ dhe hapat t’i numëroj./ Letërnjoftimin tënd mbaj në xhep/ dhe e shfletoj kudo që është nevoja, emrin dhe mbiemrin ta shqiptoj,/ pa m’u marrë goja./ Unë flas me gjuhën tënde të thjeshtë/ dhe kudo që shkoj, kahdo që shkel/ Jam një copë Veleshtë".

Së shpejti do të mbushen plot dyzet vjet nga koha kur janë shkruar këto vargje (prill-maj 1971), që përçojnë edhe sot, pak a shumë, të njëjtin emocion: dashurinë për vendlindjen dhe mishërimin me fatin e saj.

Shumë ujë ka rrjedhur nga ajo kohë, shumë gjëra kanë ndryshuar, shumë njerëz nuk janë më në mesin tonë; kanë ikur përgjithmonë. As unë nuk jam ai poeti entuziast, që shkroi vargjet e mësipërme. Por vazhdoj të jem, sikurse Ju, secili veç e veç dhe të gjithë së bashku, kudo që jam dhe në çdo kohë, "një copë Veleshtë"! Sepse, të gjithë ne, pa përjashtim, jemi të lidhur ngushtë, pazgjidhshmërisht, me këtë vend ku kemi parë për herë të parë dritën e diellit dhe ku kemi bërë hapat e parë në jetë dhe që e duam secili në mënyrën e vet.

"Ne me demandez pas pourquoi j’aime la Touraine? (Mos më pyesni pse e dua Turenin?) - thoshte Balzaku i madh për krahinën nga e cila vinte dhe përgjigjej: «Unë e dua atë jo si fëmija djepin, as siç e duam një oazë në shkretëtirë; unë e dua ashtu si një artist e do artin», duke shtuar se pa Turenin, ndoshta, nuk do të mund të jetonte.

Kështu shkruan Balzaku te romani Zambaku në luginë.

Mos më pyetni pse e dua Veleshtën, të djeshmen dhe të sotmen; atë të shtëpive përdhese me qita, të varfër, por plot jetë dhe këtë të vilave luksoze, të bukura e komode, por shumë herë bosh, pa njerëz brenda; Veleshtën të qerreve me qe dhe të veturave super-moderne. Të parën sidomos.

Ka ndryshuar shumë Veleshta jonë; nuk është më ajo e dikurshmja. Koha e ka bërë të vetën; jeta është modernizuar; kurbeti s’ka pushuar, por ka ndërruar formë, duke u shndërruar shumë herë në mërgim. Sot, ndryshe nga pesëdhjetë a njëqind vjet më parë, jo të gjithë ata që quhen veleshtarë jetojnë në Veleshtë. Veleshtarë ka edhe në Strugë e në Ohër, edhe në Shkup e Tetovë, edhe në Prishtinë e Tiranë, e edhe në Evropë e Amerikë; në Austri, Gjermani, Suedi, SHBA. E ku nuk ka? Vetëm në Zvicër, siç dihet fare mirë, ka një Veleshtë të dytë! Një kanton i pashpallur veleshtar në tokën helvetike!

Jetojmë në erën e globalizmit dhe pakkush nga ne jeton më në fshatin e tij të lindjes, siç pat thënë nobelisti polak, Çesllav Millosh, i cili pjesën dërrmuese të jetës e kaloi në Paris e Nju-Jork, për t’u kthyer sërish në fund si elefanti në vendin lindor, ku mbylli sytë përgjithmonë. (Vdiq më 19 gusht 2004 në Krakovë).

Vendlindja apo vendlermi, si thoshin rilindësit tanë, shumica syresh mërgimtarë të përjetshëm, është vendi me të cilën na lidhin fije të shumta, të dukshme e të padukshme dhe mbi të gjitha kujtimet e fëmijërisë, stinës më të bukur të jetës.

"Do të vij tek ti,/ të zhytem kryehutas në Dri’/ të kridhem thellë në ujërat e tij/ të notoj syçelë pas fëmijërisë/ si pas gurëve të bardhë dikur" - shkruaja në atë poemën time rinore për Veleshtën, me të cilën e nisa këtë fjalë fjalë timen modeste, të shkruar apostafat për këtë rast.

Më lejoni t’ju them, të dashur miq, se kjo "zhytje" ende s’ka marrë fund (sa do të zgjasë nuk e di, por jam i bindur se do të vazhdojë edhe pas meje); unë jam në kërkim të fëmijërisë dhe të Veleshtës sime të dikurshme, e cila, për mua personalisht, më shumë se një vendbanim konkret, real, tokësor, është një realitet virtual dhe një metaforë.

Ç’është vendlindja? A mund të përkufizohet ajo?

Të provosh ta përkufizosh vendlindjen është njësoj si ta fusësh në kallëp zjarrin, dashurinë, mallin…

Vendlindje është toka dhe qielli, bari që mbin në pranverë dhe strehët që pikojnë në vjeshtë; xixëllonjat në netët verore dhe qirinjtë e akullit në dimër; vendlindje janë ritet e Ditës së Verës dhe festave të tjera të motmotit, të lashta sa vetë bota; vezët e skuqura me lëvore qepe dhe kukurekët herakë, kasnecë të stinës së re, që stolisin dyer e dritare, tok me shamitë e nuseve veleshtare; janë jargavanët (agravonat) që çelin oborreve pranë avllive dhe aroma e tyre dehëse; vendlindje janë dasmat, këngët, vallet, por edhe takimet, ndarjet, vdekjet dhe varret (ah, varret!)… "Stërgjyshërit ku kanë qënë dhe varret që kanë lënë", siç do të shoshte Çajupi i përgjëruar për Sheperin e tij atje në Misir.

Vendlindja është djep i frymëzimit, arkiv i kujtesës, peng i shpresës. Shkronja "V" si vetëtimë në ballë! Rrëfimet për trima e kaçakë me nam; për rapsodë e valltarë me talent të rrallë, që janë pjesë e kujtesës sonë kolektive dhe dëshmi e dhuntisë krijuese të njerëzve të kësaj treve. Vallet dyshe të burrave dhe vajtimet e grave veleshtare, që t’i kujtojnë tragjeditë antike, e që na shtyjnë të mendojnë se Veleshta jonë, sikurse edhe simotrat e saj përreth, ka pasur në të kaluarën Safot dhe Homerët e vet anonimë, ashtu siç i ka sot poetët, artistët dhe intelektualët e vet me emër.

Ky është imazhi i vendlindjes për brezin tim dhe ata para nesh. Për brezat që vijnë, ata që i takojnë Veleshtës së re, kësaj që quhet New Veleshta, si shkruan në atë tabelën në hyrje të fshatit, ky imazh mund të jetë krejt ndryshe.

Gjithkush ka Veleshtën e vet, që e ruan në kujtesë si gjënë më të shtrenjtë.

Më ka rënë të flas nëpër tribunat e botës, deri edhe në Romë, Paris, Berlin e Nju-Jork, por shumë rrallë këtu ku kam lindur e jam rritur. (Dhe kur them kështu, më shumë se Veleshtën, kam parasysh Strugën, që është qendër komunale dhe ku pushtetin tash sa vjet e kanë shqiptarët). Nuk më është dhënë ky shans në vendlindjen time të dashur. Nuk e di pse.

Si bir i saj, kam bërë për të aq sa kam mundur. (Të tjerët le ta vlerësojnë në është shumë a pak). Jam përpjekur t’ia rris namin, t’ia lartësoj emrin dhe t’i dal zot në ditë të vështira. Si poet kam thurur shumë vargje për të, kurse si njeri e intelektual jam vënë në mbrojtje të nderit të saj me shkrimet (dhe veprimet) e mia edhe në kohën kur fjala matej në kandarin e farmacistit, si i thonë një fjale, kurse çdo hap i bërë për të mirën e saj si pjesë e tërësisë që i takon, botës së njerëzve që flasin shqip dhe që e quajnë veten shqiptarë, ndiqej hap pas hapi nga qentë roje të regjimit.

"Pak kam bërë - thoshte Brehti, njëri nga kundërshtarët më të mëdhenj të nazizmit dhe të çdo ideologjie totalitare, në testamentin e tij poetik Atyre që vijnë pas nesh, por jam i bindur se sunduesit më të qetë do të ishin pa mua".

Do të mund të flisja gjatë për raportin tim me vendlindjen dhe të vendlindjes me mua, sigurisht, por nuk jam këtu për këtë punë.

Jam ftuar të marr pjesë në këtë takim dhe të lexoj diçka nga krijimtaria ime. Dhe këtu fillon dilema: ç’të zgjedh, cilën poezi, cilin tekst?

Citova pjesë nga poema e hershme Vargje për Veleshtën. Do të mund ta lexoja poezinë Plepat e vendlindjes, për të cilën miku im poet, Jusuf Gërvalla, qe shprehur me fjalët më të mira në kohën kur u botua (e pata takuar rastësisht në hotel "Metohia" në Pejë, ditën që doli vjersha në fjalë te "Rilindja", gusht 1978 dhe më pat thënë: "Edhe katër-pesë poezi si kjo po qe se shkruan, mjafton!"); do të mund t’jua thosha përmendsh vjershën Veleshtare, moj kokone, të shkruar mbi motivet e këngës së njohur me të njëjtin titull, që mund të quhet lirisht "këngë e shekullit" dhe himn i vendlindjes sonë të përbashkët; do të mund t’jua lexoja vjershën Abetarja e parë, kushtuar Fejzi Vincës dhe simotrën e saj Këngë për Osman Kicën, që flasin për dy figura të bukura të vendlindjes - për pishtarin e arsimit (e para) dhe luftëtarin kryengritës (e dyta); do të mund ta shpalosja satirën Përralla për mashat, për t’i rikujtuar ose, më mirë, për të mos i harruar të zezat që ia kemi bërë shumë herë njëri-tjetrit, në të vërtetë vetvetes, e edhe sa e sa poezi të tjera, por u përcaktova për një krijim poetik në të cilin flas për figurën e nënave tona, grave veleshtare, duke evokuar kujtimin e tyre dhe të vendlindjes nga larg, nga ku vendlindja duhet më shumë dhe jo rrallë edhe shihet më mirë e më qartë. Kjo poezi, e cila për nga forma i ngjan një proze poetike, është shkruar në Paris, në vitin 2002 dhe e përmbyll ciklin Fletorja e Parisit të librit tim tani për tani të fundit me poezi Psalmet e rrënjës (2007).

(Fjalë e mbajtur në takimin e intelektualëve veleshtarë, më 5 mars 2011, në Veleshtë)

PARIS! PARRIZ!

(Në vend të epilogut)


Gratë e fshatit tim, që s’dinin gjeografi as shkrim-lexim, sa herë shihnin ndonjë shtëpi të bukur, të pastër e të rregulluar me shije, qoftë edhe përdhese, psherëtinin me pahir: "Paris, he bir!". Ishin analfabete, por shijen e të bukurës e kishin të lindur, në vete. Ishin të pastra e qibare dhe visheshin bukur si kokona. Tamam ashtu siç thotë kënga. Nuk e di si e nga, por në katundin tim Parisi ishte mostër e rregullit, pastërtisë, bukurisë, shkëlqimit, ndonëse askush nga banorët e tij nuk e kishte vizituar ndonjëherë këtë qytet magjik. Dhe, doemos, edhe i ëndrrës për një ditë më të mirë, me më shumë dritë. E besa dhe i luleve, të bukura e shumëngjyrëshe, që nënat tona i mbillnin vetë me duart e tyre, rreth shtëpive. Me po ato duar me të cilat milnin lopët, lanin rrobat me finjë e gatuanin bukë në çerep. Dhe përkundnin djepin. Djepat. E ishte një kohë kur Veleshta ime rebele nuk ishte bërë ende zog shtegtar. Kur banorët e saj buzëdrinas lindnin e vdisnin aty, në atë luginë rrethuar me male, larg syve të botës e bukurive të saj, pa parë dynja me sy, si thonë ata...

E thoshin shpesh: "Si n’Paris!". "Si n’Paris!". Burra e gra, pleq e të rinj. Gratë sidomos. Dhe ime ëmë, ndjesë pastë. Më e mira e të gjithave, më e mençura, më e bukura, më e ditura, më bujarja. Më poetja.

Dhe ja, tani, unë sugari i saj (I teti në bronx!), tek endem rrugëve të këtij qyteti me një çantë në krah e syze në sy - e vizitoj Notrë Damë e Luvër e Tyjlëri - më vjen në mend fëmijëria ime e varfër me shtëpi përdhese e lehe lulesh strehëve, mbjellë nga duart e vyeshme të nënave tona, që kaherë kanë shkuar në atë botë (në parajsë a parriz). E në shpirt më ther si thikë një mall e më dokëndis: Paris! Paris! Parriz!

Nga ÇERÇIZ LOLOÇI :SKËNDER BUÇPAPAJ, POET JO VETËM I ATDHEUT



"Frika nga Atdheu", një lartësim i poezisë shqipe





Nga ÇERÇIZ LOLOÇI






"Jo vetëm e thjesht nga ky vëllim, por duke parë tërë krijimtarinë e Skënder Buçpapajt, mund të pohohet pa drojë se ai është një krijues i rëndësishëm i letrave shqipe. I mërguar si poetë të tjerë të kahershëm dhe të rinj, kushdo vëren lehtë se motivi shqiptar është i gjithgjendshëm, veçse në këtë botim ka një shumllojshmëri të mjeteve shprehëse, ka më shumë elegancë fjale, çka e bën autorin njësoj të lexueshëm si nga bashkëkombasit e tij ashtu edhe nga europianët e më gjerë.Nuk ka dyshim se përmbledhja më e re e Skënder Buçpapajt është një lartësim i poezisë shqipe."


Këtu e një vit më parë shtëpia botuese "Nacional" publikoi librin më të ri të poetit, publicistit dhe estetit Skënder Buçpapaj "Frika nga atdheu" që duhet thënë se e plotëson më mirë individualitetin e këtij autori të njohur brenda dhe jashtë vendit, si dhe sjell një ndihmesë të ndjeshme në letrat shqipe. I konceptuar në shtatë cikle: "Agon nata", "Rima", "Shkumbini", "Ritme", "Frika nga atdheu", "Moj e mira" dhe "Cikël më vete" si dhe duke përdorur në vend të hyrjes një përgjëratë për të ndjerën nënë, Buçpapaj rivjen para lexuesit, më i plotë, me shumësi motivesh dhe më një formë artistike që rrallë gjendet në autorë të tjerë shqiptarë. Megjithëse nga një trevë e rëndësishme ku nuk mungojnë emra të tjerë të spikatur të prozës dhe të poezisë shqipe, Bupapaj bën kujdes të mos përsëris askënd dhe të depërtojë atje ku nuk shkojnë kolegët e tij të kësaj zone apo edhe të krejt viseve shqiptare. Pavarësisht se çdo cikël në këtë vëllim prej treqind faqesh, mund të rrijë edhe si libër më vete, autori duket sikur ka pasur një ngutje për të trajtuar tema të mëdha e të vogla, për të qenë më përfaqësues dhe në gjithsecilën prej tyre të japë një mesazh poetik.



Autori ka preferuar ta çelë këtë vëllim me një poezi për nënën, por kushdo që e lexon sa ç’mëson për humbjen e një njeriu të çmuar të vetë poetit, aq sjell nëpër mend dhe ikje pa kthim nënash të të tjerëve.

Në 27 maj 2007, ndërroi jetë në Tiranë, kryeqytetin e Shqipërisë, Gjylë Buçpapaj, nënë, gjyshe, stërgjyshe…

Kështu nis përgjërata për nënën që ka ikur në muajin e luleve dhe ashtu si në lindje, edhe në vdekje shoqërohej nga Zoti e s’bëzanin as zogjtë, insektet, avionët, yjet… Poeti i jep një përmasë kozmike largimit të nënës së tij dhe midis rreshtave nuk ke se si të mos ndjesh edhe kujën. Jo vetëm kjo poezi, por edhe mjaft të tjera të krijojnë ndjesinë e pasaktë se motivet autobiografike zënë vend qëndror në këtë përmbledhje; përpos tyre dha falë titullimit të librit autori do të thotë se atdheu fillon nga secili prej nesh, nëna, babai, vëllezërit, të afërmit; akoma më tej fshati, krahina, zona ku secili më vete dhe bashkë ka përgjegjësinë ndaj tij.

Po aq sa motivet autobiografike, autofamiljare, edhe motivet e mërgimit zënë një vend të gjerë në përmbledhjen e fundit poetike, por Buçpapaj bën kujdes që të jetë sa më origjinal dhe që këtë temë ta shkojë në funksion të atdheut.

Jo vetëm e thjesht nga ky vëllim, por duke parë tërë krijimtarinë e Skënder Buçpapajt, mund të pohohet pa drojë se ai është një krijues i rëndësishëm i letrave shqipe. I mërguar si poetë të tjerë të kahershëm dhe të rinj, kushdo vëren lehtë se motivi shqiptar është i gjithgjendshëm, veçse në këtë botim ka një shumllojshmëri të mjeteve shprehëse, ka më shumë elegancë fjale, çka e bën autorin njësoj të lexueshëm si nga bashkëkombasit e tij ashtu edhe nga europianët e më gjerë.

Nuk ka dyshim se përmbledhja më e re e Skënder Buçpapajt është një lartësim i poezisë shqipe. Autori boton rrallë krijimtari artistike, por, teksa troket me një vëllim të ri, menjëherë do të tërheqë vëmendjen e kritikës dhe të lexuesve me rrëfimet tronditëse që të mbeten gjatë në kujtesë.





FRIKA NGA ATDHEU

POEMË NGA  SKËNDER BUÇPAPAJ






UDHËS PËR TEK NËNA



Kushtuar Gjylë Buçpapajt (1918-2007)



Më 27 maj 2007 ndërroi jetë në Tiranë, kryeqytetin e Shqipërisë, Gjylë Buçpapaj, nënë, gjyshe, stërgjyshe,



Para së gjithash, nëna ime.

Vdiq në muajin e luleve, në zemër të pranverës, në mes të natës më të qetë, më të kulluar dhe më të kthjellët të kohërave.

Shpirti i saj si një ortek meditues drite u ngjit lart madhërisht fluturim krejt parrëmujshëm, krejt heshtur,

Zoti i Madh, vetë ai i cili e kishte shoqëruar prej lindjes deri në vdekje, e shoqëronte përsëri për atje ku prehen të gjithë shpirtërat e mirë.

Të gjithë zogjtë, të gjithë insektet me flatra, rrinin paluar në çerdhet e tyre, në kuvlitë e tyre, në skutat e tyre.

Asnjë avion, civil, bombardues, spiun, asnjë satelit artificial, asnjë mjet tjetër fluturues, asnjë UFO, asnjë objekt tjetër dyshues E.T. (anglisht: ekstra terrestrial- shqip: jashtëtokësor ) nuk ishte në qiell.

Përkonte në atë çast që gjithë yjet, yllëngjashmit (asteroidët), yllësitë, mjegullnajat qiellore, pluhurat yjorë, trupat, trupthat, me një fjalë, turmat yjore që e përbëjnë Gjithësinë, të kenë rregulluar orbitat e tyre në mënyrë të tillë

Për t’ia hapur një shteg sa më të gjerë një shpirti të madh, një shpirti kaq të madh,

Tek shkëputej përfundimisht nga planeti Tokë, nga ajërnia që e mban si pelerinë, si membranë e si gëzhytër planeti Tokë, dhe vërsulej pazhurmshëm, pazhurmshëm për atje ku prehen shpirtërat e mirë.

Nëna ime, më në fund, kishte pranuar të ndërronte jetë, të jepte shpirt, siç thoshte vetë, në Tiranë, tek djemtë, nipat, mbesat, stërmbesat- dhe jo në Tpla, në fshatin ku ajo erdhi nuse në ditët e para të janarit 1944,

Fshatin ku në dimër bora shkonte një bojë njeriu, ku bariu shkonte një bojë njeriu në verë,

Erdhi me duvak nusërie mbi kalë dasmash dori, kur malet kishin veshur duvakë bore,

Kolonën zanore ia bëri dasmës së saj vetë ushtria e Hitlerit.

Pranimi i ndërrim jetës nuk ishte si zemërimi i Tetisit, nënës së Akilit, njërës nga pesëdhjetë bijat e Nereut, secila më profete se tjetra,

E cila, siç thotë Homeri në „Iliada“, provoi ta bënte të birin të përjetëshëm, duke e lënyrur me nektar dhe duke e larë në flakë,

Ngaqë, falë padijës së Peleut, burrit të saj, babait të Akilit, ajo dështoi në këtë përpjekje të saj,

Atëherë u largua nga të gjithë tokësorët e tjerë, për ta kaluar pjesën tjetër të jetës në vetmi, diku nën fundin e Detit Egje.

Nëna ime i bindej Zotit gjithsesi, ndonëse si çdo nënë, do të donte që mua, para së gjithash mua, të më kishte bërë të përjetëshëm.

E përcollën nënën për në atë botë Ruka, Ajshja, Xhevahirja, Zarifja, Hasani i dytë, Muja, Azgani, Flamuri,

E pritën në atë botë Hasani i parë, Qamili, Sania.

Ata të dy nuk dinin asnjë fjalë të flisnin kur u larguan nga jeta, kushedi sa të pafjalë kanë mbetur kur e kanë takuar,

Por Sania gjithsesi ua ka paraqitur nënën atyre,

Sepse, edhe pse rreth dy vjeçe kur iku, siç thoshte babai, kishte zënë më shumë mend se shumëkush tjetër për dyqind vjet.

Nënën nuk e përcolla unë. Ndonëse në jetë, isha më keq se në vdekje, i mërguar, nën peshën e Alpeve të Europës, më kërcisnin kockat e shpirtit, kockat e gjymtyrëve të shpirtit, pra lënda, materia, gëzhoja e shpirtit.

Nëna më kishte përcjellë mua miliarda herë, për në shkollë, për në punë, për në ushtri, për në bjeshkeë e vërri, nxënës, student, punëtor, ushtar, bjeshkëtar, më në fund më kishte përcjellë edhe ikanak për në botë,

Më kishte përcjellë mua për në kantjer, për në Luzhë, për në Berishë, për në Shëngjergj të Merturit, për në Babinë, për në Bajram Curr, për në Tiranë, për në Bernë,

Më kishte përcjellë deri te ura e Kënetës së Madhe, më kishte përcjellë deri te Lisi i Xhemajlit. Më kishte përcjellë me një rrem të frashërit të madh në xhep, mes Arës sonë të Sipërme dhe Arës sonë të Poshtëme,

Kudo që të jesh, mos harro, më kishte thënë, të mbash në xhep një rrem të vogël frashëri, që s’ka prekur kurrë në tokë,

Ta kesh si shenjë timen, më kishte thënë nëna.

Gjylë Buçpapaj ishte e përbetuar të jepte shpirt vetëm në Tplâ, pështetur tek trungu i manit të madh në oborr të shtëpisë.

Atje ajo me Mehmetin, burrin e saj, babain tonë, e kishin zgjedhur trollin e shtëpisë, ku do të lindnin një pas një gjithë ata djem dhe vajza, ku do të kishte lindje, vdekje, gosti, kanagjeçe, dasma.

Aty tek mani ynë, aty tek shtëpia jonë, tek kreveti (ballkoni) i saj, tek dritaret e saj, pikëtakoheshin të gjitha erërat, ngado që frynin,

Qoftë nga Qafa e Kolçit, nga Gryka e Drinit, nga Fundi i Tplanit, nga Qafa e Moknit, nga Qafa e Locit,

Edhe në pikun e gushtit, pranë atij mani, tek ai krevet, tek ato dritare, ndihej flladi i erërave, të cilat, mirënjohëse, kurrë nuk janë tërbuar me tepëri ndaj shtëpisë sonë.

Pështetur tek trungu i manit nëna, me vështrimin e saj të menduar, i drejtonte të gjitha linjat e fluturimit të ërërave, të gjitha linjat e fluturimit të zogjve, të gjitha linjat e jetës të bijve të bijave të saj.

Nga drejtimi, madhësia, dendësia e hijes së pemëve ajo merrte me mend trajektoren e diellit, të hënës, stinëve, viteve.

Dhe nuk donte kurrë të flinte pa i ditur të rehatuar jo vetëm fëmijët, fëmijët e fëmijëve, por edhe gjënë e shtëpisë në ahur a plevicë, edhe egërsirat në pyje, edhe zogjtë nëpër lisa.

Zogjtë do t’ia zbatonin porosinë dhe do të vinin tek unë për të më takuar në Zvicër në emër të saj, por dihet se fluturimi i tyre është tejet i kufizuar, nga Alpet e Shqipërisë nuk arrin deri në Alpet e Europës,

Por, natyrisht, ata kanë arritur në Tiranë dhe e kanë përcjellë nënën time për herë të fundit, Por këtë e kanë bërë në emër të tyre dhe jo në emrin tim.

(Vezët e tyre, të të gjithë shpendnisë tjetër, të të gjithë kandrrave të botës, dihet, unë i kam në gjakun tim, atje çelin dhe fluturojnë apo shkojnë këmbaduar – nëse mund të thuhet- ku të munden.)

Nënën e ka përcjellë edhe Shqiponja e Lord Alfred Tenisonit, e cila, siç thotë poeti, “kap thepat me duart e kërrutura, ngjitur me diellin në vendet vetmore, rrethuar me botë të bruztë, teksa deti rrudhoset nën të dhe shkon rrëshqanë, shqiponja e shikon nga kështjella e shkrepave dhe si një bubullinë zbret”.

Nënën e ka përcjellë edhe Korbi më i zi, Korbi më i famshëm edhe se vetë poeti, anipse më i bardhë se vetë poeti, pra kush tjerër përpos dora vetë Korbi i Edgar Allan Poes, natyrisht në trajtën e tij të shqipëruar nga Theofan Stilian Noli.

Nuk kishte degë ulliri, në sqep kishte vargun “Never More” (Kurrë më), thënë kushedi sa herë nga dashnorët, lypsarët, politikanët, strategët, por që ia mban përfundimisht autorësinë pikërisht ai zog.

Nënën e ka përcjellë edhe bilbili i John Keats, i odes së magjishme, i vetmi bar shërues për zemrën e trishtë të poetit, i vetmi bar shërues që ai ua porosit të trishtuarve.

Nënën e ka përcjellë edhe ajo që Emili Dickinson e quan gjë e gjëzë më flatra dhe që e mishëron shpresën e njeriut, ajo që ngulet në shpirt dhe këndon pjesë muzikore pa fjalë, dhe nuk pushon kurrë, sepse kush e dëgjon njëherë nuk mund të jetojë pa të.

Nënën e përcolli edhe zogu i Walt Witmanit që i imitonte pëshpëritjet e oqeanit, kishte ritmet e përkundjes së djepit dhe që i thoshte gjithmonë në vesh fjalë të dhimbshme Elizabeth Bishopit.

Nënën e përcollën edhe miliona zogj të tjerë të përveçëm apo të përgjithshëm, të dëgjuar apo anonimë të poetëve të tjerë.

Sepse nëna ime ishte poete dhe nënë poetësh,

Po aq tragjike sa Nancy Ginsberg, nëna e Allen Ginsbergut, poetit të madh amerikanohebre, përfaqësues aq kundërthënës i Beat Generation,

Po aq e përkushtuar sa Margaret Friedman, nëna e Thomas Friedmanit, gazetarit Pulitzer të The New York Times, së cilës për çdo Ditë të Nënave ai ia dërgonte 30 tulipanë plus vazoja falas baras me 39,99 dollarë amerikanë (“30 Tulips + FREE vase for just $39.99”, siç thotë tek e përditshmja njujorkeze Thomas Friedman në shkrimin “Call your Mother”, “Telefonoi nënës sate”).

Po aq e çmuar sa nëna e Rudyard Kiplingut, në refrenin “Mather ‘o Mine, Mother ‘o Mine” (Nënë moj e imja, Nënë moj e imja).

Sa herë që flisja me nënën në telefonin celular, në telefon, bashkë me zërin e nënës, më vinin edhe këngët e zogjve, edhe meloditë e gjetheve të manit, edhe frymëmarrja e erërave të fushës së Tplanit, Malit të Hekurave, Shkëlzenit, Kores së Merturit.

Edhe sot, sa e formoj atë numër telefoni, ato këngë, pëshpëritje, melodi, frymëmarrje më vijnë nga ai telefon.

Të cilin nëna ime e mbante gjithmonë poshtë jastëkut, kur pushonte, kur flinte, kur ishte pa qejf apo e sëmurë.

Ai telefon që cicërinte dhe përpëlitej poshtë jastëkut si nëpër pendët e klloçkës, e bënte nënën time të fluturonte.

Nëna ime, kontrast i plotë me nënën e Arthur Rembaud, i cili ishte jetim rrugësh për të gjallë të nënës së vet.

Nëna ime nuk e bënte kurrë gabimin e nënës së Stephan Malarmesë, i cili i mbijetoi që në foshnjëri prindërit e tij.

Nëna ime pranoi cipën e shijshme të një jete pelin të hidhur vetëm për hir të rritjes së fëmijëve të saj.

Vetëm duke shpresuar të më takonte mua sërish e prapoi vdekjen për vite e vite të tëra.

Dhe kur e kuptoi se nuk po shkoja dot te ajo, atëherë vendosi të shndërrohej në shpirt për të ardhur tek unë.

Kushedi sa je penduar, nënë. Sepse tash e ke kuptuar:

Vetëm të vdekurit pendohen.

Të gjallët nuk pendohen kurrë.

ËNDRRA E LIRISË DHE E LUMTURISË




Nga Perikli Jorgoni



Pas një pune afërsisht prej 10 vjetësh, poeti Mujo Buçpapaj, na paraqitet përsëri me një vëllim tjetër poetik, më të thellë, më të gjerë e më të punuar sesa vëllimi i parë.Vitet dhe përvoja si gazetar dhe veprimtar aktiv i lëvizjes për demokraci, kanë zgjeruar qarkun e njohjes dhe e kanë futur më thellë me problemet e dukuritë e shumta të jëtës shqiptare dhe ballkanike.

E gjithë poezia e Mujo Buçpapës, e përmbledhur në këtë vëllim, është një britmë e këlthitje shpirti të rreshkur e të lënduar nga vuajtjet e mjerimet, nga plojat, nga plagët e zjarret e luftës,që e ndoqën nëpër shekuj banorin e tokës arbërore e Ballkanin, një britmë për këlthitje për liri e lumturi.

Liria dhe lumturia qe do t’u buzëqeshë njërëzve, kur të vendosej në ballin e jetës pushteti i lirisë dhe i së drejtës, ka qënë ëndrra e kahershme e Shqipërisë dhe e Ballkanit. Kjo ëndërr e bukur dhe e artë, e përkëdhelur prej shekujsh në ëndërrimet e vocrrakëve të bjeshkëve tona e të luftëtarëve kryengritës, që merrnin udhët e malit e të lirisë, i njerr bisqet e veta dhe në gojëdhënat, legjendat e këngët kreshnike, të kënduara brez pas brezi me lahutë nga nga lahutarët e rapsodët popullorë nëpër kasolle e tebane,nëpër bjeshkë, rudina, zaje lumenjsh buzë kënetash e detesh. Me bukën e kësaj ëndrre është mëkuar që në djepin prej lisi e druri pishe shqiptari, prandaj pushkën e lahutën i ka patur të shenjta dhe nuk i ka hequr nga dora.

Poezia e Mujo Buçpapës, që na vjen, në një fazë pjekurie të poetit, më e strukturuar, më konkrete e më e ngjeshur e me lëndë jëtësore e fakte të dhimbshme e tronditëse, është frymëzuar e tëra nga ëndrra e lirisë dhe e lumturisë, nga dëshira e kahershme për hapësira jete të lirë, për një jetesë më të begatë e të pashqetësuar nga vërshëllima e plumbave dhe britma e barbarëve, që u sulën me vravashka të ndezura e armët e vdekjes nëpër duar, për të na rrëmbyer hisen e diellit, për të na djegur arat e shtëpite, për të na vrarë ëndrrën e jetës e të lirisë. Keta barbarë janë pjellë e shëmtuar e shtetit të lindur nga diktatura dhe nga etja e dëshira e çmendur e qarqeve shoviniste të ballkanit, për sundim e rrënime.

Shqipëria me të gjitha trojet, ku ka jetuar e ka mbjellur ëndrrën e lirisë e të jetës shqiptari, nuk i është nënshtruar dhunës, kërcënimit, burgjevë e dënimeve me vdekje.Liria dhe ëndrra e lirisë ka zënë fill që në legjendat e këngët tona të lashta.Me këtë ëndërr u sulën në ballin e luftës e të plumbave, luftëtarët kryengritës të çetave partizane e të Kosovës martire, dhe po me këtë ëndërr bredhin në mëngjeset e ftohta me cingërimë apo në zhegun e verës nëpër udhët e qyteteve të Arbërit të lashtë, fëmijët e bathores e të rrafshit të Dukagjinit, të Këlmendit e të Vurgut të Delvinës, e të Dhërmiut.



Ëndrra e lirisë e ndjek poetin dhe kur endet rrugëve të Nju Yorkut e të Parisit, dhe kur sheh Muzeun e Napoleonit Buonapartit, burrit të madh që i priu revoluconit Borgjez të Francës, në emër të lirisë vëllazërisë e drejtësisë..Duke parë Muzeun e Napoleonit

dhe urën e Bruklinit, poetit i kujtohet Ali Pashë Tepelena, që mbeti pa varr, historia e dhimbshme dhe e përgjakshme e Shqipërisë, dramë e dhimbshme e jetës shqiptare , nënat e plakura nga vuajtjet , të gjymtuarit e të rënët në fushën e luftës.

Dhe është e dhimbshme qe, dhe në pragg të shekullit të XXI, Shqipëria ka mbetur e copëtuar dhe e ndarë në tresh.Këtë tragjedi e padrejtësi të pakteve të fuqive të mëdha ka ndjerë bashkë me të tjerët edhe gjyshi i poetit.Ata luftuan me ushtritë e Perandorisë Osmane, dhe të hordhive të huaja, dhe mbetën të zhgënyer; sepse padrejtësisht trupi i atdheut u gjymtua, dhe u përgjak mizorisht.

Por ëndrra e lirisë mbeti përsëri e gjallë dhe e zjarrtë.Ajo përçon ngrohtësi dhe energji të pashtershme. Atë nuk ka asnjë forcë e pushtet tiranik ta shuajë e ta varrosë.

Ëndrra e lirisë dhe e lumturisë mbetet në epiqendrën e jetës shqiptare,me brumin e lashtë e të begatë të saj, shqiptarët do të ndërtojnë të ardhmen e tyre duke dëshmuar se janë një popull liridashës i qytetëruar dhe europian.

2.



Këto mesazhe na përcjell poezia e poetit Mujo Bucpapaj.

Kjo poezi e frymëzuar nga jeta dhe ngjarjet tronditëse që përjetoi e përjeton e gjithë hapësira gjeografike shqiptare, që vjen në këtë vëllim me fytyrën e një poezie moderne, me strukturën e një vargu të zhdërvjelltë e me përfytyrime të freskëta, të begata e mbresëlënëse.Ajo mëkohet me lëndë nga legjendat, nga përrallat dhe eposi verior, me lëndë nga ngjarjet e dramat e jetës shqiptare e ballkanike, nga dëshmitë e analet historike e nga realiteti i dhimbshëm e dramatik i kohërave moderne.

Drama Shqiptare është mbarë kombëtare, në të ndërkallet dhe drama e lufta heroike e Kosovës martire.

Skenat e gjalla e tronditësë të kësaj lufte, i shohim edhe nëpër udhët e Tropojës, ku enden luftëtarët kryengritës me plagë e flokë të përzhitura nga zjarri i luftës, i shtëpive, i staneve të djegura e të rrënuara nga flaka e nga bombardimet

Herë-herë poezia e Mujo Buçpapajt nuk është e përqëndruar vetëm në caqet e një figurë stilistike, ato kanë një shtrirje të gjërë. Sepse shpesh e gjithë ngrehina e poezisë apo gjymtyrë të rëndësishme e domethënëse të saj, kanë në themelin e tyre simbolin dhe metaforën.

Në këtë lloj mënyre origjinale të përdorimit të figurës artistike e të lëndës jetësore, poeti Mujo Buçpapaj ka përfituar dhe nga arritjet e përvoja e poetëve Tropojanë. Të një brezi më të vjëtër , nga Anton Papleka, Skënder Buçpapaj, Hamit Aliaj, Avni Mulaj, dhe Besnik Mustafaj, por dhe nga interesi gjithnjë i pashuar për të mësuar nga arritjet e poezisë së sotme moderne për t’u afruar gjithnjë e më tepër strukturave , arkitekturës kompozicionale të poezisë së sotme europiane e botërore.

Me këmbënguljen e pareshtur, me një synim të qartë e të vazhdueshëm Mujo Buçpapaj ka krijuar tashmë uniersin e vet poetik, ka përforcuar tiparet e poezisë së tij arbërore e moderne, e cila përmes përngjasimeve, thellësisë së problemeve e shtjellimit të dramës së jetës , merr herë-herë përmasa universale, lidhet me shqetësimet e përpjekjet e mbarë botës, për ti shpëtuar kërcënimit të mjerimit e makthit të hijeve të pushtetit të dhunës e të errësirës.

Çështja e pazgjidhur dhe tronditëse e fatit të Shqipërisë mbetët në kapërcyellin e një shekulli të ri, që sapo nisi një çështje madhore, e cila duhet të gjejë zgjidhen e vet të merituar.

Gjatë gjithë egzistencës dhe luftës së vet shqiptarët i kanë dëshmuar europës dhe botës, se meritojnë të jetojnë të lirë e të lumtur në tokën e tyre të lashtë.kjo thirrje e motiv qëndror përshkon të gjithë jetën e shqiptarëve e të popujve të ballkanit nëpër të gjitha shekujt.Pesha e rëndë dhe e përbindshme e saj nuk është lehtësuar e pakësuar.Dhe pas shembjes së perandorisë Osmane, Shqiptarët e banorët e ballkanit vuajtën nga kurthet, komplotet, pabesitë, vrasjet prapa shpine e shtypja e egër, e cila mori përmasa apokaliptike gjatë sundimit të shtetit autokrat, e cila i mbylli çdo shteg……në hapësirën e ngushtë të bunkerave prej betoni dhe hekuri.

Dramaciteti, i përkthyer herë-herë nga lirizmi, ironia e sarkazma është tipari themelor i poezisë së Mujo Buçpapajt.E gjithë poezia e tij ka në fijëzat e saj gjëndjen e acaruar të një drame. Dramë që ndihet dhe në kujtimet e vogëlisë, dhe në ëndrrat e brishta e fluturake të fëmijëve të bjeshkëve tona dhe në vegimin e kujtimet për shtëpinë e braktisur apo për nënën e poetit e të gjitha nënat tona, që presin me mall kthimin e fëmijëve, lulëzimin e qershive e të shegëve në kopështin e të parëve, në tokën e bekuar arbërore e cila s’u lodh së shpresuari se e ardhmja e saj do të jetë më e bardhë e më e bardhë e më me dritë.

3.Dhimbja, drama që kanë përjetuar e përjetojnë dhe në kapërcyellin e një shekulli të ri, i cili duhet të na mbyllë plagët e zemrës e të ndreqë paudhësitë e padrejtësitë e bëra gjatë shekujve, dhe mbi kurrizin e kombit tonë.

Në veprën e Mujo Buçpapajt është jo vetëm shtellë kryesore në përmbajtjen e lëndës jetësore por është kthyer dhe një element i rëndësishëm estetik.

Përmes dhimbjes së dramës së njejtë e të përbashkët realizohet bashkimi e njëhsimi i personazheve të shumtë që lëvizin në vepër, të cilët i mundon dhe u lëndon në shpirt, që mendon dhe nxit të shkruajë dhe vetë poetin. Përmes saj vijëzohet fizionomia e kësaj vepre poetike, e cila ka boshtin e vet filozofik e poetik. Vepër e mbrojtur me ndjeshmëri me mendim të thellë e lëndë të pasur e lëndë jetësore, e cila përzgjidhet me kujdes e merr formën dhe strukturën e vte të larmishme në vargjet e poetit, shpesh të shkurtuar e me një ritmikë dinamike e të shqetësuar.

Uni poetik i poetit njesohet dhe është në harmoni të plotë me shqetësimet, përpjekjet, përsjatjet e ëndërrimeve të personazheve, që gjallojnë në kohëra të ndryshme historike, në kohëra mitike dhe reale.Ai bëhët zëri dhe interpretonjësi i jetës, i biografisë, i përpjekjeve ,dhe i ëndrrave të tyre më të dukshme e më të fshehta.

Si poet e qytetar që e ka ndjekur më vëmëndje e duke marrë pjesë aktive në zhvillimet e ecurinë e jetës e të realitetit të sotëm. Poezia e Mujo Buçpapajt është poezi aktuale e bashkohore.

Edhe në rastet kur poeti na kujton ngjarje e personazhe të epokave më të vjeta historike.Kjo përmëndje e përçasje bëhët për të ndriçuar e shpjeguar më qërtë e në mënyrë të ngjarjet e pshtjellimet e fijet e ngatërruara të jetës sonë të përditshme. Struktura shpirtërore e popullit tonë, me gjithë gjymtimet e dëmet që ka pësuar, ka mbetur solide, dhe e palëkundur.Këtu mbështetet besimi në mundësitë e mëdha të së ardhmes.

NË POEZITË E BUÇPAPAJT DËGJOHEN KLITHMAT E NJË KOMBI TË TËRË



NGA LAURA BOWERS


"Në se e dini se çfarë do të thotë të ndihesh si në shtëpi, libri poetik "Fitorja e Padukshme" e poetit Mujë Buçpapaj të trondit zemrën. Në të përshkruhet portreti i bukur dhe i fshehtë i një kombi dhe vendi të coptuar nga lufta, dhe nga plagët e saj. Buçpapaj shndërrohet në thirrjen e turmave të të gjallëve dhe të vdekurve që përjetuan luftën e Kosovës dhe bashkimin e burrave dhe grave si dhe fëmijëve të vendlindjes së tyre. "


Mujë Buçpapaj 


Poezitë e librit "Fitorja e Padukshme" përbëhen nga copëzat e zemrës së poetit me thellësi mendimi dhe drite, të cilat vijnë të gjalla dhe të shpërndara mes dy popujve. Shpirti human është ai që i bashkon të gjitha poezitë e tij me mallin për atdheun e dikurshëm dhe popullin e humbur si dhe trishtimin e madh se ai ka mbetur vetëm një kujtim. Brishtësia pasqyrohet në zemrat e vëllezërve dhe motrave të poetit, të miqve, familjeve, armiqve dhe gjithë njerëzores që jeton brenda gjithësecilit prej nesh. Të gjithë janë bashkëvuajtës, të lidhur me dhembjen e tyre, prandaj dhembja dhe brishtësia janë pjesë e asaj që unifikohen si një e tërë në librin me poezi "Fitorja e Padukshme". Libri hapet me vuajtjet dhe përfundon me fitoren. Poezia e fundit profetizon dhe bën të njohur historinë. Në përmbledhjen poetike emocioni më i veçantë vjen nga trishtimi i poetit e mbi të gjitha nga trishtimi i kombeve. Megjithëse emocioni më i brendshëm është edhe përcaktimi i mprehtë i poetit në mbrojtjen e lirisë së fjalës për të mirën e kombeve.

Gjatë kohës që poeti shkruan këto poezi, ai jeton me pasion, dhe "Fitorja e Padukshme" kthehet në mposhtjen e çdo frike e cila mund të pengojë shpalljen e së vërtetës. Dëshmia e dashurisë së tij për vendlindjen dhe dhuntia e imagjinatës së gjallë, brilante dhe metaforike krijon mundësinë që Buçpapaj të unifikojë konceptet e shtëpisë dhe kujtimeve për të, e cila

është prekëse për secilin prej nesh. Sipas traditës, në poezi ndjehet malli për të kaluarën e humbur e cila mbetet e gjallë në kujtesën e tij, por është ndarë nga një vel i hollë dhe i palëvizshëm i kohës.

Buçpapaj e sjell substancën e kohës sipas një mjedisi poetik, megjithë shpresën se ai do të gjejë hapsira nga të cilat do të shpëtojë atë që ka humbur. Libri "Fitorja e Padukshme" nis në mënyrë ironike me imazhin e perëndimit të diellit, fillimi i fundit dhe mbyllet me poezinë "Ky është veç fillimi", i cili nis me imazhin e djalit të djallit që mbretëron mbi një fron të zjarrtë dhe përfundon me trishtimin dhe fitoren e kobshme.

"E korra afroi dhe vdekja pret".

Në strofën e fundit lexojmë: "Lamtumirë/o popull i fundit/ në fillim".

Në këtë vëllim poetik të duket sikur flitet se e gjithë përjetesa e ferrit është pasqyruar si paraardhëse e asaj që do të vijë. Por që të dyja si në poezinë "Fitorja e Padukshme" ashtu edhe në atë "Ky është fillimi" janë shkruar në kohën e shkuar. Përmbledhja ndryshoi nga poezi të shkurtra imagjinative në poezi si foto filmike të dala prej mendjes dhe kujtesës së tij. Ato e ndihmojnë lexuesin të ndalojë, të kthehet mbrapa dhe të hedh një vështrim plot ankth, duke arritur në përfundimin se çastet nuk kanë kohë. Buçpapaj flet në vetën e parë, duke sjellë gradualisht humbjen dhe trishtimin në këtë vepër. Në poezinë që mban edhe titullin e vëllimit poetik, poeti e bën të njohur vetveten si pjesë integrale e botës dhe rrethanave të tij:

Isha edhe unë

Nën lëkurë të çarë

Të rrobave të ndryshkura

Të diellit

Duke matur ngjyrat e Arave

( nga "Fitorja e Padukshme")

Dielli po perëndon dhe ekziston një shpërbërje kërcënuese në faktin se poezia është shkruar në kohën e shkuar:

"Jeta/ Nuk mjafton për njeriun të bëjë mirë." Poeti flet përtej kësaj kohe dhe tonet e tij derdhin një lloj melankolie që të lë pa frymë. Ndërkohë ti dëgjon jehonën vajtuese, ndërsa dielli fshihet më vonë, shumë më vonë.

Fillimisht i pari person duket se është disi larg ngjarjeve dhe i dëshpëruar nga ajo që ka dëshmuar. Por ai nuk ndodhet shumë larg, edhe pse rrëfimtari i drejtohet më parë vetvetes, kur nis të jetë i fshehtë dhe më i gjallë duke e shndërruar personalen në trajta universale.

O Zot

Siç duket nuk kam lënë Atdheun

Prapa derës së avionit

Por një fushë

Njerëzish

Të zhveshur nga vështrimi

(nga "Fantazia e ndotur")

Atëherë kur autori e sjell vetveten si më të dukshëm në poezitë e tij, të duket se dëgjohen klithmat e një kombi të tërë. Në poezinë "Letër nënës" e cila është një nga më të gjatat dhe më të fuqishmet.

Poeti jeton në sipërfaqen e poezisë së tij dhe në to ndihen disa nga pasazhet më drithëruese. Lotët e tij i shohim në këto vargje:

E dashur nënë,

kalova një dimër të zi

mbi varrin e mallkimit

ku vdekja të gjen

Në vetmi

Me rrugë të mbështjellë rreth kokës

Dhe qytetin

E prej fushës së rëndë

Lashë njërën këmbë

Dhe lotët e vajzës së vogël

Në pluhur

Fjalët e Buçpapaj mbartin një trishtim të hollë. Ai është krenar dhe joapolegjik në vajtimin e tij. Në poezinë: "Nata në Kosovë" flitet për zjarrin e urrejtjes që rrënoi shtëpi, zemra dhe një bukuri të tillë. Ai vajton mes lotësh e flakësh dhe përmes tyre kombi nis të ngrejë zërin e tij. Poezitë e Buçpapaj janë të shkurtra për nga forma, dhe zakonisht shkojnë jo më shumë se një faqe, dhe mbyllen në mënyrë të befasishme përmes një aforizmi të fuqishëm, por të nënkuptuar mjaft mirë, ndikimi i së cilës është mjaft mbresëlënës, ashtu si edhe pasojat që lë lufta nga pas. E gjitha kjo nuk ndodh aksidentalisht.

Kjo madje tërheq vëmendjen e lexuesit drejt një përfundimi të dhimbshëm në fund të çdo poezie. Vargjet e shkurtra funksionojnë mjaft mirë përmes kësaj teknike, e sidomos mjetet pasqyrojnë tek njëra-tjetra formën dhe ndikimin e tyre. Këto vargje krijojnë melodi tek lexuesi, të cilat japin ndjesinë e marrjes së frymës, sikur je i plagosur apo i lodhur. (si tek poezia "Letër nënës")

Vargjet e shkurtra në formë vertikale bashkohen me tonet poetike për të përshpejtuar leximin e poezisë dhe në këtë mënyrë krijojnë përfundime

të befasishme duke na tronditur, sikur të fluturoje nga toka në hapsirë, duke na lënë të kuptojmë se poeti i kishte të gjitha në mendjen e tij, për të na shkundur nga themelet e forta brenda nesh që të kuptojmë se sa shumë kanë vuajtur njerëzit për humbjet e mëdha.

Në mbylljen e poezive dhe brenda tyre gjithsecili sheh ngritjet mbi sipërfaqen e tokës dhe kundërshtinë e madhe të gravitetit e cila sjell ndryshimin në të kuptuarit e ‘domosdoshmërisë’ së këmbëve, po në të njëjtën mënyrë sikurse ata që kanë humbur të afërmit e tyre në luftë.

Ajo që më befason më shumë në këtë libër qëndron në atë që Buçpapaj sjell imazhe tronditëse dhe të qarta përmes metaforave. Për këtë arsye kam përzgjedhur tre shembuj nga libri:

Muzgu ra

mbi pemë

mbi çantat e nxënësve

Kërcitja e hirit të zjarrit

Vjen rreth e qark botës

(nga "Kosovë" 1999)

Këneta e Madhe

Ha prapë dhe, nën brinjë

Të të vdekurve

(nga "Fusha Tplani")

Lumi ngjyrë veriu

Ish portret i erës

Mbi pemë

( "Portreti i Erës")

Buçpapaj sjell gjithçka që urren dhe do për të pikturuar portretin e zemrës së tij të thyer. Faqet e librit shpalosen me perëndime, male, zogj, libra, dhe fusha me grurë, eksode të veshura nga errësira, baltosje, duar të ngrira të fëmijëve dhe një i vdekur poshtë një flake, rrugë të ngatërruara të një toke të shkatërruar.

I vdekuri na kujton se nuk ka vetëm stinë ripërtëritëse, por se disa nga të humburit nuk do të rikthehen më.

Poeti shkruan:

"Zhgënjime", "Vendi e ka braktisur/shtëpinë e tij"

Poezitë janë drithëruese, ashtu si edhe zemra e poetit, e mbushur me fantazmat e të humburve dhe me heshtjen e mundimshme të një moti tronditës. Në drithërimat e zemrës së poetit, shohim të vdekurin:

Ata që tashmë qajnë në

Varre

Janë në fund të livadhit

Të rrahur prej ere.

Të frikësuar nga lopët.

(nga "Heshtja e kobshme")

Më merrni me vete

O trena të braktisur,

Të pajtojmë të vdekurit

Që qajnë nën shi.

(nga "Trenat e Jugut")

Përveç faktit që libri mbyllet me fitoren e rënimit, nuk ndjehet frika e shkatërrimit, por është fitorja e shkruar dhe pushteti i lirisë.

Këtu prehet ëndrra jonë e përmbysur

Prej lirisë së ndaluar

Për të hyrë

Në botë

[....]

Do të shkojmë në rrënojat, të ringremë

LIRINË

E letrave të shkruara

Nga fundi i baltës

(nga "Sheshi Demokracia")

Frika e mposhti botën, thotë poeti tek "Frika e zezë". Ndoshta atëherë "Fitorja e Padukshme do të mundi frikën dhe shpirti i lirë i njerëzimit do të shpallë të vërtetën e cila është ajo për të cilën flet autori.

Shpresat s’më kanë lënë

Po ti ndize një zjarr të drunjtë

Përmbi këtë botë të shkretë;

Lutu për mua shqip

Sepse jam gjallë dhe

S’dua të humbas.

(nga "Letër nënës")

Në poezitë e tjera si: "Statujë e erës" zbulojmë një tjetër ironi: atë të dhunës që ka mbytur poetin, ndërsa ai flet për të gjithë ata që kërkojnë lirinë e fjalës. Ende zërat e popullit mbijetuan brenda tij, ndërsa shumë të tjerë u vranë.

Fitorja është e dukshme në faktin se përveç vdekjeve, ata mbetën në heshtje, sepse ai që mundi të mbijetojë nuk pati më frikë. Ndaj shumë të tjerë pas meje do të këndojnë lavde për punën e madhe të bërë nga autori.

Fitorja e Padukshme është një fitore e bukur, pa kufij kohorë.

-

*Laura Bowers është poete amerikane e konsideruar nga kritika si e ardhmja e poezisë se këtij vendi.

AM PËRQAFUAR TË GJITHA FOSHNJAT E DUKSHME DHE TË PADUKSHME

Skeda:Fahredin Shehu.jpg


Fahredin Shehu lindi në Rahovec në vitin 1972, është shkrimtar shqiptar.Studimet universitare i kryen ne Universitetin e Prishtinës, Studime Orientale. Aktivisht mirret me kaligrafi duke zbuluar teknika dhe mediume te reja për këtë lloj specifik të artit vizuel. Jeton dhe punon ne PrishtineStudiues i trashigimise shpirterore boterore. Shkruan edhe veshtrime estetike per artin vizuel.


Disa nga botimet e shkrimtarit Fahredin Shehu:



  1. NUN- përmbledhje me poezi mistike, 1996 botim autori,
  2. SHUMËSI E PADUKSHME- Prozë poetike, 2000, botim autori
  3. NEKTARINA- Roman epik transcendental, 2004, sht. Botuese, Rozafa Prishtinë projekt i Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sporteve të Kosovës
  4. ELEMENTAL 99- Tregime të shkurta poetike, 2006, Qendra për mendim pozitiv, Prishinë
  5. KUN- Përmbledhje me poezi të lirikës transcendentale, 2007, Sht. Botuese LOGOS-A, Shkup
  6. *Botimet në gazeta dhe revista:
  1. Ese në të përditshmen ZERI, Prishtinë,
  2. Ese në të përditshmen LAJM, Prishtinë,
  3. Ese në të përditshmen GAZETAEXPRESS, Prishtinë,
  4. Ese në të përditshmen ILIRIA POST, Prishtinë,
  5. Kolumne dhe ese në javoren JAVA, Prishtinë,
  6. Poezi në Revistën e Qendrës për studime humanistike GANI BOBI, Prishtinë
  7. Ese në revistën “Studime Orientale” të botuar nga Shoqata e Orientalistëve të Kosovës.
  8. Poezi në revistën STAV- Tuzla, Bosnie dhe Hercegovinë
  9. Poezi në Revistën ZIVOT- Sarajevë, Bosnie dhe Hercegovinë
  10. Poezi në revistën ULAZNICA- Zrenjanin, Vojvodinë
  11. Ese në revisten elektronike SEGURAWEB, Holandë
  12. Ese në revistën elektronike GAZETA START, Shqipëri
  • Pjesëmarrjet:
  1. Ekspozita e kaligrafive në Kajro, Egjipt, 2004
  2. Takimet e 44-ta te poezisë, Sarajevë 2005
  3. Kongresi mbi 600 vjetorin e Veprës së Abdurrahman Ibn Khaldunit, Kajro, Egjipt, 2006
  4. Takimi për të drejtat e pakicave etnike, Parlamenti Evropian, Bruksel, 2006
  5. Ekspozita e pikturave dhe e librave ne Ministrine e kultures se Egjiptit, Kajro , 2007






NGA FAHREDIN SHEHU


Kështu fliste Tamara

Kam lustruar sytë e fëmijës së përvuajtur
duke larguar shtresat e avullta të pamjes së tij
Të shoh dhëmbë të shkëlqyeshëm derisa buzëqeshë
dhe planetin e urrejtjes bukur mirë të fjetur dhe

fshehur të shpirtit tim

kam shpërlarë stratosferën e katastrofave
që prindërit e tyre me zell i shtresuan në qeniet e tyre
me lot të mbarsur me dashuri
kam qëruar të gjitha membranat e shpirtit

të kontaminuar

I dhashë buzëqeshjen bretkosës
dhe puthjen nefritit të heshtur

kam kulluar vesën nga petalja e trëndafilit

të bardhë dhe numëruar rubinët nga shega e pjekur

kam mbjellur të gjitha llojet e frutave
dhe mbaruar kopsht për të gjithë ne
ti mund ta quash pemishte
ti mund ta quash plantacion i të porsalindurve

të Dashurisë por unë di se është truall tahionik
ku vetëm Dashuria farë mund të mbjell

kam qepur petkun nga smeraldi
dhe parfumosur atë me Ambër që ta vesh

çdo fëmijë
unë ushqej çdo stomak
me dritën vetuese të shpirtit tim
T’i bëj transparent
T’i përndrisë

kam krijuar armatën e buzëqeshjes
dhe ftuar të gjithë shpirtrat ta çmontojmë

makinerinë e urrejtjes
në fushat e simfonisë së dritës
në momentin e shenjtë të amshimit

kam përqafuar të gjithë foshnjat e dukshme dhe

të padukshme dhe gëzuar për lumturinë e tyre

kam shtrydhur të gjitha armët
njerëzit dhe demonët që kanë krijuar
dhe krijuar pluhur ashtu që në çdo trohë
buzëqeshja lind Dashurinë




Pyetjet e Angeloidit


A jam unë gur i thjeshtë?

Të më gjuajnë larg nga shikimi

A jam lëkurë tigri

Të më shkel tregtari i pashpirt

A jam gjaku për t’u thithur nga shokët e afërt?

A jam udhëheqës i fisit të humbur?

Të më adhurojnë si të shenjtë

Jam profet i zhdukur?

Të cilin e kërkojnë në shpella që

xhinët e kolonizuan

A jam fosil i Jurës?

Të më shfaqin në kubin prej kristali

A jam esencë jasemini?

Të më erëmojnë pas mileniumit të tretë

A jam planet i humbur ?

Mallkim i njerëzimit

A jam paradigmë e mirësisë?

Të jem i shuar nga tretja

A jam e ligja e përkryer?

Të jem i lartësuar si këndim kishtar.

A jam krahu i engjëllit të purpurt?

Të të sjell hije

Derisa ti kërkon dituri.

A jam unë melodi e tej- ndjeshme?

Të më lozin me telat e zëmrës

së përndritur.

A jam shpirt ajror?

Të ju sjell stuhinë

Në mesditë kur dielli

E lexon strofën e tij

A jam fluid kozmik?

Të jem i shpërndarë si

hiri i yjeve.

A jam mjaft i shenjtë?

T’i gëzohem harmonisë kozmike

A jam kambanëz nga krihet e engjëjve?

Të bjerë për fillimin e profecisë së re.

A jam shenjtor i cili mezi shfaq mrekullinë e tij?

Të jem më vonë i adhuruar si hyjni.

A jam uji i pastër nga pusi i shkretëtirës?

Të më pinë në çastin e vdekjes

A jam unë vdekja e Artit?

Të ringjallem si Teurgji

A jam unë dashnori i dehur në Dashuri?

Të tretem në kuantumin e fotonit

A jam i marrë të zbuloj shpikjen e re?

Ashtu që të të dhimbsem ose

Ti mund të më përshëndesësh dhe aplaudosh

E kështu me radhë, e kështu me radhë,

e kështu me radhë.




Bëhet

Larg të kam

Kujtimi më vjen si dritë ylli

Shuarjen e të cilit

Dot s'e besoj

Kështu më ka bota

Të hutuar

Tek pres flladi

Ta freskoj

Vesa

Këtë trup zemre të huajsuar

Këtë buzë që thahet

Kur e thotë atë emër të bukur

Gjuha thahet

Ajo çahet

Balsam është vetëm prania si epifani

Por larg edhe nga kjo

Ajo çka gjuha dot s'e thotë

Ajo është

Kjo do të bëhet

Mrekulli e përhershme

Fjalë e Perëndisë

Kur thuhet BËHET

Ajo bëhet

Unë

Bëhem

Ajo

Dhe nuk më ka


NUK DUA FESTË NË DITËLINDJEN TIME




NGA REXHEP SHAHU-TIRANË




Nuk dua festë në ditëlindjen time

Nuk dua asgjë, as ta dijë e përmendë kush ditëlindjen time s’dua

As dhuratë nga askush, se askush s’e di se çfarë dua unë vertet.

Dua heshtje, heshtje, heshtje, teksa fëmijët mbyllin ditën e tyre

Pa menduar plakjen time të pashmangshme, të frikshme, të përditshme.

Asgjë s’dua, veç ti të jesh me mua, diku në mal mes freskut të lisave krenarë

A në një dhomë, ah sa e kemi ëndërruar me ty, buzë detit

Dhe më jep një gotë verë të kuqe të shoh përthyerjen e flakës së një qiriu

Që digjet në sytë tanë, si unë gjer më sot në heshtje të plumbtë

Heshtje që më thotë se duhet të jem më i matur në jetë e i pangutur

E gjërat në jetën e mbetur duhen vlerësuar më shumë

Për shkak të rëndësisië që kanë e që s’u kam kushtuar vemendje.



Të bënim festë me zhurmë e gëzime hipokrite për ditëlindjen time

Do duhej të fikja dhjetra qirinj nën duartrokitje e qeshje të paduhura

Se nuk duartrokitet jeta që iku e motet e dështuara që çova dëm

Nuk u gëzohem dot dështimeve të mia as sosjes së jetës time

As vitet që humba pa ty nuk duartrokiten se humbja s’duartrokitet kurrë.



Ndaj, lermë ta shoh si përthyhet flaka e qiririt në gotën me verë të kuqe

Dhe në sytë e tu që më shohin ëmbëlsisht pafund në këtë qetësi.

Më ler të heshtem në ty që je gjithë bota e jeta që dua,

Dhe lere detin të flasë e ta dëgjojmë teksa shihemi sy më sy, jo për të vajtuar

Motet e mia që ikën pa u nginjur e mbushur dot kurrë me ty,

Joooo! Por lere të flasë e ta dëgjojmë se flet më mirë nga ne të dy

Dhe na fton në valsin e tij magjik mbi valë të dalim të përqafuar në breg

Dorë për dore të ecim zbathur nëpër valën që ikën dhe vjen e të vallëzojmë

Nëpër valën që puth rërën që ikën e ikën poshtë këmbëve tona

Për të na thënë se ashtu ikën dhe ikin vitet e mia dhe s’i mbajtëm dot

Edhe pse dorë për dore kemi ndënjur siç po rrimë tani

Duke u mbajtur fort në njëri-tjetrin

Për të kuptuar e besuar se si na ikën toka nën këmbë, si na ikën jeta

E çuar dëm e që s’kthehet kurrë më për ne sado vaj e lutje të derdhim

Ne të dy dhe gjithë dashnorët e botës zemër coptuar.



Pasi të bëhemi esull në breg dhe njerëzorë sa njerëzit me mend,

Pasi t’i thërras e të flas me sirenat në sy tënd që t’i dëgjosh edhe ti,

E të të thonë se të kanë motër por të kanë lënë në tokë për mua,

Më prij për në dhomën ku kemi lënë qiririn të digjet, të digjemi në flakën e tij

Të sosim gotat e lëna përgjysmë duke pirë në buzët e njëri-tjetrit.



Unë nuk dua tavolinë të shtruar feste, urime gëzimi e cakërrime gotash

Në ditëlindjen time,

Sepse nuk dua të festoj humbjet e mia, vitet e çuara dëm

Nuk dua t’i shes mend zotit e as të festoj plakjen.

Nuk dua sepse kështu çoj dëm orët e lumtura që do të rrija veç me ty

Dhe trishtohem për këtë shkak, trishtohem pa fund…


Akademik Prof.dr.PhD. Rexhep Qosja mbi çthurjet ideologjike në shoqërinë shqiptare dhe eksperimentin proserb të ashtuquajtur “kombi kosovar”.

AKADEMIK REXHEP QOSJA Ideologjia e shpërbërjes – trajtesë mbi idetë çintegruese në shoqërinë e sotme shqiptare Argumente të shpikura për “k...