Agjencioni floripress.blogspot.com

2012/06/27

DËSHMIA SIPËRANE E POETIT




Visar Zhiti, lindur më 2 dhjetor 1952 në Durrës është shkrimtar shqiptar,është bir i aktorit dhe poetit Hekuran Zhiti (1911-1989). Visar Zhiti u rrit në Lushnjë, ku ai përfundoi shkollën e mesme në vitin 1970. Pas përfundimit të studimeve në Institutin e Lartë Pedagogjik në Shkodër (sot Universiteti Luigj Gurakuqi), ai filloi karrierën e tij të mësimdhënies në qytetin malor verior të Kukësit, duke demonstruar një interes në fillim në vjersha, disa nga të cilat u botuan në revistat letrare.



Në 1973, ai përgatiti për botim një përmbledhje, "Rapsodia e jetës së trëdafilave". Ishte koha e Plenumit të 4-t të KQ të Partisë së Punës (Partia Komuniste)në të cilin diktatori komunist Enver Hoxha filloi një fushatë të egër kundër të rinjve që pëlqenin kulturën perëndimore. Babai i Zhitit kishte patur më parë një konflikt me autoritetet, dhe poeti i ri papritmas u bë një nga viktimat politike të diktaturës për të frikësur intelektualët shqiptarë. Dorëshkrimi i përmbledhjes së tij të përmendur më sipër, që kishte qenë dorëzuar për botim në shtëpinë botuese Naim Frashëri, u konsiderua si një krijim me gabime të rënda ideologjike dhe që nxinte realitetin socialist. Ai u arrestua më datë 8 nëntor, 1979 në Kukës. Mbasi u dënua në një gjyq qesharak në prill të vitit 1980 me trembëdhjetë vjet burg, ai u dërgua në burgun e Tiranës dhe më vonë transferohet në burgun famëkeq të Spaçit. Shumë nga të burgosurit që ishin me të në burg vdiqën nga keqtrajtimet, torturat dhe kequshqyerja ose pësuan çrregullime mendore.

Ai u lirua nga burgu në fillim të vitit 1987 dhe u "lejua" nga pushteti komunist për të punuar në një fabrikë të prodhimit të tullave në Lushnjë. Mbas rënies së diktaturës komuniste në vitin 1991, ai arriti të shkojë në Itali ku punuoi në Milano deri në 1992. Përmes një burse studimi nga Fondacioni Heinrich Boll, Zhiti shkoi në Gjermani në vitin 1993 dhe vitin e ardhshëm shkoi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Pas kthimit të tij në Shqipëri, ai punoi si gazetar dhe u emërua kreu i ndërmarrjes botuese e cila kishte planifikuar të botonte librin e tij të parë. Ai ka qenë i punësuar më vonë nga shërbimet administrative të parlamentit të ri shqiptar dhe në 1996 u zgjodh vetë në parlament. Mbas Realiteteve të zymta të politikës shqiptare, ai u tërhoq nga politika. Në vitin 1997 ai u emërua atashe kulturor në ambasadën shqiptare në Romë, ku ai qëndroi deri në vitin 1999.

Veprimtaria Krijuese

Libri i tij i parë me poezi, "Kujtesa e ajrit" u botua në Tiranë në vitin 1993, i cili përfshnte disa poezi nga burgu. "Hedh njė kafkë te këmbët tuaja" u botua vitin e ardhshëm. Ky vëllim përmbante të gjitha 100 poezitë të krijuara në burg në mes 1979 dhe 1987, të cilat kishin mbijetuar vetëm në kujtesën e tij. Vëllime të shumta pasuan, dhe ai është i njohur tani si një prej poetëve të mëdhenj shqiptare të shekullit të 20-të. Ai ka shkruar edhe shumë tregime të shkurtëra, të mbledhura në dy vëllime, dhe ka përkthyer në gjuhën shqipe vepra nga Garcia Lorka dhe poeti italian Mario Luzi. Kujtimet e tij nga burgu, "Rrugët e ferrit: burgologji" u botuan në Tiranë në vitin 2001. Në vitin 1991 atij iu dha çmimi italian për poezi "Leopardi d'oro" (Leopardi i artë), dhe në 1997 ai mori çmimin prestigjioz "Ada Negri".

Libra me poezi:


Kujtesa e ajrit (Tiranë: Lidhja e shkrimtarëve, 1993)
Koha e krisur (1993)
Hedh njė kafkë te këmbët tuaja (Tiranë: Shtëpia Botuese Naim Frashëri, 1994)
Mbjellja e vetëtimave (Shkup: Flaka e vëllazërimit, 1994)
Koha e krisur (1993)
Dyert e gjalla (Tiranë: Eurorilindja, 1995)
Kohë e vrarë në sy (Prishtinë: Rilindja, 1997)
Si shkohet në Kosovë (Tiranë: Toena, 2000)
Rruget e ferrit: burgologji(2001)
Ka shkruajtur edhe Pazari I Kepucarit. Përkthyer në Gjuhën Agleze:
Condemned Apple (Molla e dënuar): Poezi të zgjedhura, përkthyer nga Robert Elsie (Los Angeles: Green Integer, 2005).

Floripress:Flori Bruqi





------------------------------------------

DËSHMIA SIPËRANE E POETIT


Prof.dr.Agim Vinca,Prishtinë

(Burgologjia e Visar Zhitit në dy libra autobiografikë)

E arrestuan më 8 nëntor 1979, në ditë feste, ditën e themelimit të PKSH-së së famshme, që ndërkohë e kishte ndërruar emrin e saj në PPSH, ndërsa po pinte kafe me një mikun e tij piktor në barin e hotelit të vetëm të qytetit të Kukësit, ku kishte zbritur nga fshati në të cilin punonte mësues, edukonte vogëlushët, bij të fshatarëve të varfër. Papritmas, si në ndonjë film absurd, në jetën e tij u shfaqën operativi i zonës, gazi i degës, prangat… Pasuan shtatë vjet burg (1979-1987), marrjet në pyetje ditën e natën, natën sidomos, vetmia, muret qikllopike të qelisë, vargjet e para të krijuara me mend, si një dorë e zgjatur nga providenca, pastaj dalja në gjyq, salla, publiku, dëshmitarët, kryesisht të rremë, trupi gjykues, një karikaturë, shqiptimi i dënimit me dhjetë vjet burg, vuajtja e dënimit në Spaç, puna e rëndë në minierë, ku kurrë nuk dihej a dilje i gjallë, ajo punë e tmerrshme e sfilitëse në një vend pa ajër, ku poeti i ri shtynte vagonët me qymyrgur dhe imagjinonte vargje, figura, metafora…për jetën, dashurinë, lumturinë, vdekjen, përjetësinë; edhe për marrëzinë e diktatorëve e të diktaturave, të sistemeve politike që cenojnë lirinë e njeriut, që e mbikëqyrin dhe kufizojnë atë në çdo hap, ashtu si Big Bradhëri famoz i Oruellit dhe Cjapi hamshor i Vargas Ljosës dhe sekretari i parë i PPSH-së i Trebeshinës, Arbnorit, Zhitit vetë, edhe i Kadaresë, në periudhën “post”, por jo më parë dhe i sa e sa të tjerëve; edhe Tito e Rankoviqi, ky i dyti sidomos, i Adem Demaçit, Rexhep Qosjes, Ramiz Kelmendit e ndonjë prozatori tjetër këtu në Kosovë, ku poezia, për çudi, ka lënë më shumë dëshmi se proza për kohën kur njerëzit detyroheshin ta varnin veten në litar për pushkën që s’e kishin (aksioni famëkeq i mbledhjes së armëve, 1956) dhe të tjerat që erdhën më pas…


Mësues në një fshat të humbur të Kukësit, jo larg Kosovës, tek e kishte caktuar Partia që t’i shërbente atdheut, djaloshi nga Lushnja e Myzeqesë, i pashëm, inteligjent e përplot ëndrra, pa i mbushur ende 27 vjet, aq sa ishte Migjeni kur vdiq, filloi kalvarin e vuajtjeve: vetmi, hetim, gjyq, policë, burg, punë e detyrueshme në minierë, por edhe qëndresë e miqësi e kalitur në ato kushte, solidaritet, motive që do të bëhen frymëzim i krijimtarisë së tij të frytshme letrare, në poezi e prozë, përfshirë edhe dy librat që po paraqesim sot: Rrugët e ferrit dhe Ferri i çarë.

Fjala është për dy libra të vëllimshëm, që së bashku kanë mbi një mijë faqe tekst, në këtë version të plotësuar nga autori pas botimit të versionit të parë vite më parë.

Vetë autori i quan këto vepra “romane me personazhe reale e ngjarje të vërteta”, ku ai vetë është kryepersonazh, çka do të thotë se ato janë vepra me karakter dokumentar. Por, këto dy vepra të Zhitit janë në të vërtetë vepra me strukturë të përzier, mikste: poezi, prozë, ese, skica, parabola, thënie, memoare, publicistikë, me një fjalë ars combinatoria.

Të shtojmë sakaq se letërsia e kohës sonë, proza sidomos, priret gjithnjë e më shumë kah ky prosede. Dostojevski thoshte: “S’ka gjë më fantastike se realiteti”, kurse Borhesi shton se shkrimtarit i duhet fantazia për ta përdorur citatin e jo për të trilluar situata.

Situatat për të cilat flet Visar Zhiti, atij ia ofroi jeta, përvoja e hidhur jetësore, kurse personazhet nuk pati nevojë t’i trillonte: ato i njohu në burgun e Spaçit e të Qafë-Barit, në ferrin nëntërrathësh, sa ferri i Dantes, por që, për shumëçka, ia kalonte të parit.

Visar Zhiti është krijues që u dënua me burg për shkak të poezisë. Kjo dihet tashmë nga të gjithë. Në parathënien e librit Hedh një kafkë te këmbët tuaja (1994) ai shkruan se poezia qe lavirja që e denoncoi dhe e flaku në qeli, por edhe shpëtimtarja që e shpëtoi nga tmerri, ankthi, absurdi dhe vetmia.

Po përse? Ç’faj kishte bërë?

Në kohën kur kërkohej të shkruhej për partinë dhe socializmin, Visar Zhiti shkruante për trëndafilat! Kur duhej të këndonte për fitoret e së resë, të revolucionit, që shembte çdo gjë të vjetër, tempujt, zakonet, moralin, kujtimet, ai këndonte për trëndafilat e jo për minat! Një pararendës i tij, yni, në kapërcyell të viteve ‘50-‘60, duke goditur poezinë e asfiksuar sentimentale, pat shkruar dhe botuar vargjet: “Poet është ai që me dorën e fortë/ Ashtu, siç këput një trëndafil në lëndinë,/ Mund të zbërthejë pranë trëndafilit/ Edhe një minë”.

Poeti, pra, sipas autorit të vargjeve të mësipërme, që në atë kohë i printe procesit të rinovimit të poezisë shqipe të kohës, duhej t’i bënte bashkë minat dhe trëndafilat ose shpatën dhe karanfilat, siç do të shprehej, në një kontekst tjetër, poeti i shquar spanjoll Rafael Alberti, i arratisur në botë nga diktatura e Frankos.

“Poet është ai që /(…) Mund të zbërthejë pranë trëndafilit/ Edhe një minë” – shkruante Ismail Kadareja i ri në vitin 1960.

Në kohën kur po dilte në skenë Visar Zhiti dhe brezi i tij, në vitet ‘70, ishte kapërcyer ky mentalitet. Diktatura ishte forcuar e konsoliduar dhe për shumëçka ishte bërë më e egër, paranojake, madje. Djalosh plot ëndrra e ideale, student letërsie në Shkodër, inteligjent, i pashëm, flokëkaçurrel, si babai i tij dikur, Zhiti i ri kishte dorëzuar për botim në shtëpinë e vetme botuese, që mbante emrin e poetit kombëtar “Naim Frashëri”, librin e tij me poezi Rapsodia e jetës së trëndafilave, në prag të Plenumit IV famëkeq, që u shpalli luftë të egër, të pakompromis, ndikimeve të huaja e liberale në letërsi dhe arte.

Pa kaluar shumë kohë libri i tij me poezi, herë-herë mbase edhe naive, tok me një ditar rinor, do të përfundonin në dosjet e Sigurimit Shtetëror, kurse autori i tyre fatkeq, që e rëndonte, veç të tjerash, edhe biografia e keqe, prapa grilave.

Burgu është burg kudo në botë, por burgjet komuniste ishin një ferr i vërtetë. Kjo është njëra anë e medaljes, ajo e keqja, e errëta. Pse, a thua mund të ketë burgu edhe anë tjetër, të mirë, të shndritshme? Natyrisht që jo. Por nga dy librat e Zhitit del se ato (burgjet shqiptare) ishin edhe shkollë e universitet: aq shumë njerëz të ditur e të talentuar kishte në to sa njeriu thjesht habitet me bisedat që zhvillojnë dhe mendimet që shfaqin ata për probleme shoqërore, politike, filozofike, estetike, letrare, fetare e të tjera, me një fjalë për jetën në përgjithësi. Në to ka spiunë, kriminelë, aventurierë, degjenerikë, por edhe krijues, dijetarë, klerikë, shpikës, novatorë, fantastë, shkencëtarë, ish-politikanë e ish-diplomatë. Ka shumë portrete njerëzish në këta dy libra, banorë të ferrit, sikurse autori i tyre; portrete të gdhendura me mjeshtri si në mermer, herë-herë me pak penelata, por përplot ngrohtësi, çiltërsi, humanitet. Shkrimtari Halil Laze, këngëtari Sherif Merdani, gazetarët Vangjel Nezho e Fadil Kokomani dhe martiri tjetër i kësaj tresheje, Xhelal Koprencka; kleriku Sabri Koçi, poeti Zyhdi Morava, piktori i talentuar me nënë ruse, Valeri; inxhinier Farka, i quajtur Fausti; i biri i ish-ministrit të tregtisë, Lenc Ngjela etj. Tepër e dashur dhe njerëzore figura e Bajos, çamit që i bëhet engjëll roje në burg poetit të padjallëzuar. Me dashuri të rrallë vizaton figurat e familjarëve të vet, veçanërisht të nënës, “perëndeshës së mbrojtjes”, por edhe të babait, Hekuran Zhitit, poet dhe ai, të cilin i biri kur del nga burgu e gjen të verbër . Në libër, në të dy librat, flitet edhe për ata jashtë burgut, sidomos për shkrimtarët si I. Kadare, D. Agolli, F. Arapi, Xh. Spahiu, F. Haliti, F. Reshpja, N. Gjetja, B. Shehu, R. Marku etj. Shfaqen mendime e gjykime me interes për veprën e tyre, për jetën letrare në kryeqytet, për raportin e elitës intelektuale me pushtetarët dhe me kolegët etj.

Faqe të tëra të këtyre veprave, skena e dialogë, t’i kujtojnë filmat horror. I tillë është rrëfimi tronditës për thyerjen e qëllimshme të gjymtyrëve të trupit nga ana e të burgosurve për t’i shpëtuar torturës së punës sfilitëse në kampet e burgut.

Zhiti end pëlhurën e quajtur tekst letrar me aftësinë e njeriut që i vë në veprim të gjitha shqisat: sheh, dëgjon, ndien, prek, vëren, regjistron, gjykon, duke i lidhur ngjarjet, pamjet, faktet, hollësitë me perin e trillit artistik. Ngjarje të vërteta, personazhe reale, vëzhgim i hollë, fantazi trallisëse. Ky është prosedeu i tij krijues. Po a s’kanë bërë kështu, më në fund, edhe Balzaku e Dostojevski, Andre Zhidi e Oskar Uajldi, për të mos u shtyrë më tej në kohë, gjer te Rableja e Servantesi? Dhe a s’bëjnë kështu, në kohën tonë, kush më shumë e kush më pak, edhe Ismail Kadareja e Rexhep Qosja (mjaftojnë të kujtojmë romanet e tyre të viteve të fundit: Darka e gabuar dhe E penguara të të parit dhe Një dashuri e shtatë faje dhe Bijtë e askujt të të dytit, që mbështeten fuqimisht mbi ngjarje reale dhe prototipa, që, shumë herë, nuk është vështirë të identifikohen nga bashkëkohësit). Edhe Adem Demaçi e Fatos Lubonja ecin në këtë linjë, pa harruar kolosët e realizmit magjik hispanoamerikan: Sabato e Markesi, Asturiasi e Mario Vargas Ljosa? Mjafton të lexohet romani i jashtëzakonshëm i këtij të fundit, Festa e cjapit, i përkthyer edhe në gjuhën shqipe, për të parë se si shkruhet për diktaturat e diktatorët, se si zhvishen ato deri në palcë, por edhe për të parë, kuptuar e kujtuar se jo vetëm ne shqiptarët dhe në këtë rast e kam fjalën për vëllezërit tanë të Shqipërisë shtetërore, kemi parë, kaluar e përjetuar një diktaturë, e cila duke na ndenjur si fantomë mbi krye, por mbase edhe si njëfarë alibie, ka rrezik të na rrezikojë edhe të ardhmen, ashtu siç po na e rrezikon!

Bota ka njohur shumë diktatura dhe vazhdon të njohë, madje, edhe në ditët e sotme.

Prej këtyre dy librave të Visar Zhitit mësojmë si ta njohim më mirë të kaluarën tonë dhe si ta trasojmë rrugën drejt të ardhmes. Këta dy libra mund t’u shërbejnë si nxitje dhe si model ish-të burgosurve politikë të Kosovës, sidomos kur qëllon të jenë shkrimtarë, për të lënë dëshmi autentike, por edhe artistike, për tmerrin që kanë përjetuar ata në burgjet jugosllave; për torturat e tmerrshme të UDB-së, për gjyqet shumë herë butaforike, për regjimin e rreptë të burgjeve të Jugosllavisë liberale, ku, siç dëshmon shkrimtari i njohur kroat Vlado Gotovac, mund të shkruaje vetëm në nevojtore!

Janë botuar jo pak libra nga ish-të burgosurit tanë politikë, përfshirë edhe ato të veprimtarit dhe shkrimtarit të shquar Adem Demaçi (në dy-tre romanet e tij të viteve të fundit, “Baca” flet për burgimet e tij dhe përballjen me pushtetin), por, mjerisht, mund të thuhet se ne në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare këndej kufirit nuk kemi libra të tillë, të këtij niveli artistik dhe të kësaj gjerësie observuese, me kaq fate tronditëse njerëzish, pa harruar as gjuhën dhe stilin rrëzëllues të shkrimtarit, një veçori dalluese e të cilit është eksperimenti gjuhësor, loja me fjalë, që ky autor e luan si rrallëkush tjetër, duke aktivizuar jo rrallë kllapat, tri pikat dhe shenjat e tjera grafike. Fjalori, shprehja dhe figuracioni i pasur janë plotësisht në harmoni me përmbajtjen e veprës: rrëfimin për burgjet e regjimit komunist shqiptar, nëpër të cilat kaluan dy-tre breza njerëzorë, duke filluar nga fundi i vitit 1944, kur Shqipëria u çlirua nga pushtimi nazist, e deri në mbarim të vitit 1990, kur ra sistemi komunist.

Dy veprat e tij, që flasin gjerësisht për këtë kalvar, Rrugët e ferrit dhe Ferri i çarë, duke regjistruar pothuajse gjithçka, deri edhe hollësitë më të imëta, Visar Zhiti i quan “burgologji”. Nuk e dimë në e shpiku vetë këtë fjalë, por duhej shpikur dhe vënë në përdorim gjithsesi ajo në letrat shqipe: fjala burgologji. Burgologji dhe ferr! “Burgologjia ime për Spaçin dhe më parë” dhe “Burgologjia ime për Qafë-Barin dhe më pas”, janë nëntitujt e veprave në fjalë.

Visar Zhiti është mjeshtër i fjalës. Dhe kur themi kështu kujtoj se i kemi thënë të gjitha.

Edhe pse natyrë skofiare si njeri, ai e zotëron për mrekulli gjuhën e ironisë. Në tekstin e tij bashkëjetojnë “grotesku dhe meditimi serioz”, patetizmi dhe tmerri, sublimja dhe banaliteti. Siç është vërejtur edhe nga të huajt, kurdo që vepra e tij është përkthyer në gjuhë të tjera, Zhiti është autor që të përvetëson, mbi të gjitha, “me fisnikërinë e ndjenjave dhe me aftësinë e të shprehurit lehtë dhe fuqishëm”.

Si studiues i letërsisë shqipe nuk mund të mos shprehi me këtë rast një mendim timin për specifikat në të cilat u zhvillua kjo letërsi pas Luftës së Dytë Botërore, veçanërisht në Shqipërinë shtetërore.

Fjala është për ekspertizën si fenomen, që nuk njihet në letërsitë e krijuara në kushte pak a shumë normale, madje as në letërsinë shqipe të krijuar në Kosovë, së paku jo në këtë masë. Dorëshkrimit me poezi të Visar Zhitit, për të cilin ai ra në burg, iu bë ekspertiza nga dy njerëz, anëtarë të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe redaktorë në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”, të cilët e vlerësuan si vepër armiqësore. Ekziston dokumenti lidhur me këtë, akt-ekspertiza, e përfshirë në libër, ashtu siç ekziston një dokument i tillë edhe për poezinë Saharaja të poetit nga Librazhdi Vilson Blloshmi, të pushkatuar bashkë me shokun e tij, Genc Leka.

Regjimi diktatorial shqiptar e arrestoi, e burgosi, e dënoi dhe e mbajti në burg Visar Zhitin dhe sa e sa të tjerë, poetë, intelektualë, shkrimtarë, artistë, të dënuar me nenin famëkeq 55 për agjitacion e propagandë, por, duke e dënuar atë dhe të tjerët si ai, e dënoi veten. Çdo dënim i njerëzve të penës, faj i vetëm i të cilëve është mospajtimi me dhunën mbi mendimin e lirë dhe integritetin fizik e moral të njeriut, shndërrohet, herët a vonë, në bumerang. Poeti i talentuar Visar Zhiti, që jo më pak i suksesshëm po tregohet edhe në prozë, po i hakmerret atij regjimi dhe asaj kohe në mënyrën e vet, duke ia bërë autopsinë me penë si ndonjë kirurg i vërtetë kufomës me skalpel, me librat e tij të shumtë dhe posaçërisht me këta dy libra kapitalë, Rrugët e ferrit dhe Ferri i çarë, për të cilët u përpoqëm të themi ndonjë fjalë.



(Fjalë e mbajtur në përurimin e dy librave të Visar Zhitit: Rrugët e ferrit dhe Ferri i çarë, në Panairin e Librit në Prishtinë, më 6 qershor të këtij viti).

Arben Kondi, 8 vepra kushtuar Çamërisë dhe Kosovës


Në vijim të “Javës së Historisë dhe Kulturës së Çamërisë” promovohet në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve korpusi letrar me 8 vepra i shkrimtarit Arben Kondi, kushtuar Çamërisë dhe Kosovës. Në fjalën përshëndetëse, kryetari i PDIU-së, z. Shpëtim Idrizi theksoi se shqiptarët e Çamërisë dhe të Kosovës, si dy pjesët e kombit shqiptar që kanë pësuar më shumë goditje nga historia, janë motor lëvizës i kombit tonë. “Në kuadër të ‘Javës së Kulturës dhe Historisë së Çamërisë’, në Ministrinë e Kulturës po promovohet një kolanë, e cila bashkon dy pjesë të kombit shqiptar, që së bashku kanë vuajtur dhe janë syrgjynosur, shqiptarët e Çamërisë dhe shqiptarët e Kosovës. Më lejoni që të falenderoj shqiptarët e Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme ndaj një prej çështjeve më të pazgjidhura kombëtare, çështjes çame”, – tha Idrizi. Në korpusin e Kondit renden: “Djaj në Veladon”, “Barbarët”, “Rikthim në Çamëri”, apo “Tmerri”, i cili është botuar ditët e fundit. Krijimtarinë letrare dhe publicistike të Kondit e vlerësoi edhe aktori Reshat Arbana, i pranishëm në takim.

Kur Reshat Kripa gatuan gjellë bajate me kripën e Orhanit




 Nga Naim Xhelal Staravecka




Përgjigje e detyruar ndaj “veteranëve” të fanatizmit ideologjik

Më 11 prill 2012, në një nga sallat e Akademisë së Shkencave në Tiranë, me pjesëmarrjen e shumë historianëve dhe autoriteteve të vendit, u bë promovimi i librit me kujtime historike “Përpara gjyqit të historisë” të Xhelal Staraveckës. Figura të nderuara të shkencës e politikës si profesorët Pëllumb Xhufi, Shaban Sinani, publicisti dhe miku im i viteve të burgut në Spaç, Fatos Lubonja, kryetari i bashkisë së Beratit, Fadil Nasufi, nënkryetari i bashkisë së Fierit, Haxhi Kalluci, kryetari i komunës së Potomit, Edmond Omeri, vlerësuan kujtimet e Xhelalit si një kontribut për rishikimin e historisë. Në këtë promovim ishin të pranishëm edhe shumë të tjerë si akademikë, historianë, dashamirës apo edhe të afërm të familjes Staravecka. Natyrisht, si djali dhe pasardhësi i vetëm i drejtpërdrejtë i autorit, me ftesë të botuesit Naim Zoto, në këtë promovim nuk mund të mungoja, edhe pse prej vitesh jetoj në SHBA.
Dua ta them që në fillim; asnjëherë nuk jam ndjerë aq krenar për tim atë sa atë ditë që u promovua libri i tij me kujtime. Dhe jo për faktin se jam djali i Xhelalit, por se për herë të parë, dhe këtë e thanë publikisht historianët dhe jo unë, doli në dritë historia e një prej figurave kryesore të luftës çlirimtare kundër fashizmit pushtues në Shqipëri, figurë që ishte njollosur padrejtësisht nga regjimi komunist i Enver Hoxhës dhe lakejtë e tij, ndoshta edhe pse kjo figurë iu bënte hije shumë prej atyre që përfituan nga kjo luftë e nga ai pushtet, ndërkohë që familja e Xhelalit e mbetur në Shqipëri pas luftës, pra, gruaja e tij dhe unë përfunduam burgjeve dhe kampeve të përqendrimit, deri sa në vitet ’90 ai regjim shtypës ra.

http://www.youtube.com/watch?v=dBueIwlVfi0

Kur Reshat Kripa gatuan gjellë bajate me kripën e Orhanit
Libri me kujtime i Xhelal Staraveckës është pritur me interes të jashtëzakonshëm si nga lexuesi, ashtu edhe nga media në Shqipëri e jashtë vendit. Të gjitha gazetat dhe televizionet e mëdha në gjuhën shqipe dhanë lajme, kronika dhe fragmente nga ky libër. I falënderova dhe i falënderoj të gjithë për këtë. Mirëpo, duket se jo të gjithëve iu kanë pëlqyer të vërtetat që publikohen në librin e babait tim.



Madje, siç e thashë edhe në fjalën time në promovimin e librit, fjalë që u publikua edhe në disa gazeta, disa prej vlerësimeve të Xhelal Staraveckës për figura të caktuara historike nuk shkojnë me shijen dhe bindjet e mia politike të formuara nga jeta nën diktaturë. Edhe për faktin e thjeshtë se shumë prej pasardhësve të miqve apo armiqve politikë të Xhelalit, midis tyre edhe ne pasardhësit, për shkak të historisë paradoksale dhe tragjike të atdheut tonë, patëm të njëjtin fat: përfunduam në burgjet komuniste të asaj kohe të nëmur. Për më tepër: me pasardhësit e Abas Kupit, Fiqiri Dines apo të ndonjë tjetri, njerëz të mrekullueshëm, unë kam krijuar miqësi familjare: mbesën e Abas Kupit e kam nusen e djalit tim të madh; nipit të Fiqiri Dines nga i ati dhe nip i Hasan Dostit nga e ëma unë i kam dhënë vajzën për nuse. Me djemtë e Kol Bibë Mirakës e djalin e Gjon Marka Gjonit kam qenë nëpër burgje dhe internime. Pra, më vështirë e kam pasur unë vetë publikimin e kujtimeve të tim eti se sa ndokush tjetër. Por në peshore ishin gënjeshtrat komuniste për Xhelalin dhe veprimtarinë e tij dhe gjykimet negative të Xhelalit për miqtë e mi të një kohe tjetër. Natyrisht, në këto rrethana, unë anova nga e vërteta historike dhe jo nga aspekti personal e familjar. Jam i bindur se vlerësimin përfundimtar për historinë dhe figurat e saj e japin ekspertët e historisë, historianët dhe jo veteranët e atij apo këtij krahu.




Në rrethanat e mësipërme kisha vendosur të mos merresha personalisht me debate apo reagime për kujtimet e babait tim. Edhe pse, për fat të keq, babai im më la disajavësh dhe unë kurrë nuk arrita ta njoh apo ta shoh më. Së dyti, nuk jam historian. Mirëpo ndodhi ajo që nuk e prisja: bashkimi i një enveristi me një antikomunist për të shkruar kundër kujtimeve të Xhelal Staraveckës.


 Më konkretisht, në gazetën “Zëri i Popullit”, 11 prill 2012, botohet shkrimi i Orhan Frashërit, kryetar i Shoqatës së Veteranëve të Luftës, ndërsa në gazetën “Metropol”, 27 prill 2012, shkrimi i Reshat Kripës, kryetar i Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë Demokratë të Tiranës. Të dy shkrimet janë e njëjta gjellë, gatuar me kripën e epiteteve dhe argumenteve të Enverit dhe kanë në themel luftën e klasave! Aq sa të duket se i ka shkruar një person: Reshat Orhan Kripa.



Shkruan Reshat Kripa: “Ditët e fundit ish komunistët, por që kanë mbetur të tillë edhe në ditët tona, kanë filluar një fushatë të shfrenuar kundër nacionalizmit shqiptar. Si pikënisje e kësaj fushate shërbeu promovimi i librit me “kujtime” të aventurierit politik, Don Kishotit të Luftës së Dytë Botërore, Xhelal Staravecka, botuar, çuditërisht, me pëlqimin e birit të tij që, për 46 vjet me radhë (aq sa pati jetën edhe sistemi komunist), nuk njohu gjë tjetër veçse tmerret e kampeve të internimit dhe birucat e tmerrshme të burgjeve komuniste. Ky promovim u zhvillua me pjesëmarrjen e një aradhe bijsh të ish nomenklaturës së lartë të sistemit të përmbysur... Promovimi u krye pa pjesëmarrjen e shokëve të burgjeve e internimeve të të birit të autorit. Shtresa e të përndjekurve politikë të vërtetë mungonte. Përse…?”. Dhe më poshtë Tru-Kripuri vazhdon: “Të gjithë ata politikanë, që e quajnë veten të djathtë, duhet ta ngrenë zërin në kupë të qiellit, për të hartuar një histori të drejtë ku çdo personazhi dhe ngjarje t’i vihet nota që i takon. Një përgjegjësi akoma më të madhe kanë përfaqësuesit e partive të vjetra nacionaliste që duhet detyrimisht të hedhin poshtë baltën që u është hedhur përsipër për gati shtatëdhjetë vjet...”.


Lexoni tani se ç’shkruan në stilin e hartimeve të dikurshme për luftën, edhe Kripa tjetër, Orhani: “Xhelal Staravecka nga një kuadër me reputacion në L.A.N.ÇL në Qarkun e Beratit, me rastin e dezertimit të tij nga radhët e ushtrisë N.ÇL u shndrua nga një partizan, në një fashist i vendosur... Xhelali vazhdoi rrugën me pikësynim për të formuar në komunën e Potomit një parti “të re” Parti nacionaliste. Këto plane të Xhelal Staraveckës dështuan... Xhelal Staravecka u bashkua me krerët e Ballit Kombëtar... Përpjekjet e bashkëpunëtorëve të fashistëve apo të pasardhësve të tyre hakmarrëse dhe antikombëtare për të mohuar L.A.N.ÇL janë të destinuar të dështojnë me turp”.
Dhe shikoni se të dy artikullbërsit, ndonëse kujtojnë se janë në kampe të kundërt, bashkohen në epitetet që përdorin kundër Xhelalit. Për Reshat Kripën, ashtu si për Orhan Kripën (nuk e shkruaj dot mbiemrin e tij “Frashëri”, pasi është Xhelal Staravecka që të parën betejë inaguruese e bën për çlirimin e Frashërit të Frashërlinjve), Xhelal Staravecka është “tradhtar”, “kolaboracionist”, “aventurier”, “kriminel lufte”. Kripa “demokrat” i Tiranës ndahet nga Orhani i Beratit pikërisht në ato vlerësime e motive të cilat zbulojnë arsyet e vërteta që ata e sulmojnë Staraveckën: Reshati e quan Xhelalin “tradhtar” pse u bë me Nacional-çlirimtaren, pse në libër demaskon Ballin dhe Legalitetin, kurse Orhani pse nuk i qëndroi besnik Enverit deri në fund; Reshati, ashtu si Orhan prokurori, nuk i fal Xhelalit zbulimin e së vërtetës së masakrës së 4 shkurtit dhe kështu të dy i shërbejnë verbërisht alibisë së Enverit për këtë ngjarje. Ashtu si Kripa flet në emër të shoqatës së të persekutuarëve, edhe Orhani i Beratit, një partizan i rëndomtë në kohën e Luftës, firmos në emër të veteranëve të luftës apo në emër të “popullit të Skraparit”, njësoj si Enveri që fliste në emër të popullit shqiptar.
Dhe tani të vijmë tek një argument tjetër. Zoti Kripa qenka indinjuar se në promovimin e librit “nuk kishte të djathtë”, ndërkohë që aktiviteti ishte i hapur për këdo! Por edhe kjo nuk është aspak e vërtetë; aty ishin kushërinjtë e mi nga fisi i babait dhe i nënës, miqtë e mi nga Tirana, Lushnja, Fieri, Berati e Skrapari, shumica e të cilëve ka votuar e voton djathtas. Për këtë të siguroj, pavarësisht se shumicën e pjesëmarrësve nuk i njihja dhe nuk më interesojnë bindjet apo vota e tyre. Sepse, sipas meje, për promovimin e një libri historik është e turpshme të bësh ftesa si nëpër mbledhjet apo tubimet partiake. Nëse zoti Kripa e bën këtë për librat e tij, kjo është punë dhe shije e tij. Dhe nga ana tjetër; nëse salla na ishte mbushur me të majtë, zoti Kripa duhet të gëzohej pse ishin komunistët ata që e denigruan Xhelalin, pikërisht pse Xhelali u nda nga komunistët dhe partia e tyre për disa arsye të forta që i shpjegon në kujtimet e tij, ndër të cilat kryesore ishte përulësia e komunistëve shqiptarë ndaj atyre jugosllave. Dhe e fundit, ftesën për pjesëmarrje dhe një kopje falas të librit ia kam shpënë personalisht në shtëpi z. Uran Butka, një historian “i djathtë”, siç e cilësojnë në Shqipëri.
Zoti Kripa dhe shoku Orhan: Shqipëria dhe historia e saj nuk kanë rënë aq poshtë sa me të sot të merren injorantët dhe fanatikët politikë të atij apo këtij krahu politik. Kësisoj na del e vërtetë ajo që thonë për gomerët: po t’i vësh gomarit syze jeshile e ha barin e thatë për të njomë; ndërsa trukripurit e partive patriotët i bëjnë tradhtarë dhe anasjelltas! Për trukripurin e Tiranës patriotë janë vetëm “të djathtët”, për trukripurin e Beratit patriotë janë vetëm ata që duan Enverin. Për fatin e mirë të kombit shqiptar, historinë po e shkruajnë dhe do ta shkruajnë, herët a vonë, historianët objektivë, ekspertët e saj, intelektualët. Këtë mësim e mora edhe unë nga botimi dhe promovimi i librit me kujtime të Xhelal Staraveckës, që, për fatin tim të keq dje e të mirë sot, është edhe im atë. Xhelal Staravecka nuk më përket as mua, as fisit tim: ai i përket historisë së Shqipërisë.


Kujtimet e personazheve politike protagoniste ne gjysmen e pare te shek.XX, te cilat jane botuar ne dekadat e fundit, kane ngjallur shpesh entuziazmin per ndriçimin e faqes tjeter te medaljes se historise shqiptare. E kur identifikohej se tekefundit kujtimet janë e vërteta e autorit dhe jo e vërteta prej fakteve historike, fashitej ky entuziazëm për t’u përtërirë në një palë kujtime të ardhshme që, prapëseprapë, do të shihen si e kundërta e vërtetë e historiografisë zyrtare.

Te kjo dilemë shpie edhe botimi i librit të Xhelal Staraveckës “Përpara gjyqit të historisë. Kujtime historike: 1912-1966” (Naimi, 2012). Prezantimi u bë në Akademinë e Shkencave por iniciativa ishte private, e botuesit.

Moderatori i takimit, publicisti Fatos Lubonja bëri njëfarë dallimi të vlerës së kujtimeve në shërbim të historisë, nga përdorimi i historisë zyrtare prej ideologjisë komuniste. Kujtimet kanë një meritë e cila në faqet e historisë thahet e vdes në data e shifra. Liria e të shkruarit në kujtime mund të identifikohej me atë që quhet atmosferë. Nga libri i kujtimeve të Xhelal Staraveckës (1912-1975), Lubonjën e ka tronditur pikërisht atmosfera e egër e luftës, që folës të tjerë më vonë e klasifikuan si cilësi e veçantë ligjërimore e Staraveckës, për ta treguar historinë, për ta tërhequr lexuesin te vetja. Duke lexuar libra si ky që ndalen në periudhën e fundit të monarkisë dhe në luftën antifashiste, “shtyhesh të kuptosh më mirë realitetin e sotëm shqiptar”. Një problem nxjerr publicisti nga ky libër që, në emër të historisë, Staravecka i jep Enver Hoxhën e Mehmet Shehun si burra shteti, e megjithëse kujtimet janë përfunduar në 1966 në mërgim, autori e glorifikon LANÇ-in.

Akte të një figure kontroverse i quan historiani Pëllumb Xhufi reagimet në momente kulmore në jetën e Staraveckës. Kishte kryer Akademinë Ushtarake në Napoli; ishte protagonist në kryengritjen antizogiste të Fierit për çka dënohet me vdekje, por bën vetëm burg politik; udhëhoqi çeta dhe luftoi për çlirimin e disa krahinave në Skrapar, Berat, Korçë e Fier; bashkëpunoi me Enver Hoxhën për krijimin e Brigadës së Parë partizane (siç thuhet në CV e tij shkurt në krye të librit); braktisi Frontin për shkak të ndërhyrjes jugosllave në Partinë Komuniste; pas masakrës së 4 shkurtit 1944, për disa muaj komandoi Xhandarmërinë e Tiranës e pas këtij viti, marrëdhënia e tij më Shqipërinë shkëputet. Peripeci disa vjet në Itali dhe mërgim politik në Francë deri në fund të jetës. Në Paris i prehen eshtrat. Në Shqipëri ai kishte lënë gruan e re Ylldës dhe birin 2 javësh Naim. I pranishëm në prezantimin e librit, Naimi tregoi jetën pa të atin fare shkurt, aq sa po e botojmë të plotë. Dorëshkrimi i babait i ra në dorë në vitin 1993 nga një person që kishte jetuar pranë tij në Paris. Naimi shpreson t’i sjellë eshtrat e të atit dhe t’i bashkojë me eshtrat e nënës e cila prehet në Lushnje, vendi i tyre i internimit të gjatë. Sepse Xhelal Staravecka në tekstet e historisë pas ‘45-ës cilësohej tradhtar, kriminel, përgjegjës për masakrën e 4 shkurtit.

Historiani Pëllumb Xhufi e gjen me vend botimin e librit në valën e entuziazmit të 100- vjetorit të Pavarësisë, sepse përkrah kësaj atmosfere shqiptarët duhet të ballafaqohen me vesin e tyre kombëtar: tradhtinë. “Kjo nuk është aq një histori dëshmish sesa një histori e ilustruar e tradhtisë ndaj atdheut. Se si shqiptarët e kanë tradhtuar atdheun e tyre pafundësisht. Ky është testamenti politik i Staraveckës.” Të ashpra i quan Xhufi kujtimet e këtij trimi të çartur, me temperament të zjarrtë që ka ndikuar jo pak në kurbën e jetës së tij. “Libri është i mbushur, me situata, personazhe që shpesh shihen ndryshe, si Mit’hat Frashëri, Fan Noli, Esad Pashë Toptani. Vepra të tilla janë si goditje elektroshoku për ne shqiptarët që jemi mësuar të vetëkënaqemi nganjëherë që jemi populli heroik, liridashës, paqedashës, demokratik. Por jemi edhe si gjithë popujt dhe ne, një popull që ka ato veset e veta që shpeshherë i fsheh, por Xhelal Staravecka ka vendosur që t’i tregojë.”

Mesazhi që figura të tilla të historisë që u është hedhur baltë, lind nevoja të rehabilitohen, ishte i qartë, madje shkoi edhe më tej. Në emër të banorëve të fshatit

Staraveckë – vendlindja e Xhelal Staraveckës – Haxhi Kalluci, kryetar i njësisë vendore të komunës së Potomit, tha se kjo figurë dhe figura të tjera që mbajnë mbiemrin Staravecka “janë krenaria jonë dhe do të mbeten shkollë e madhe sidomos për brezin e ri”. Prandaj zoti Kalluci shprehu gatishmërinë për t’i pajisur bibliotekat e shkollave të komunës me librin e Staravenckës. Kjo kaloi thjesht si një dëshirë, sepse ndërkaq gjërat më të rëndësishme ishin thënë.

Në përfundim, i pyetur historiani Xhufi a është korrekte të sugjerohen edhe në shkolla këto lloj tekstesh-memuare si ana tjetër e historisë, ai u përgjigj se jo çdo gjë që thotë Staravecka duhet marrë e duhet futur në tekstet e historisë, duhen konfrontuar me ato që thonë dokumente të tjera, dëshmitarë të tjerë, por “sigurisht që ai sjell situata të reja, të panjohura më përpara dhe kjo është gjë e madhe. Është një ngacmim që para se të hidhet në histori, duhet konfrontuar”.

Fatos Lubonja, publicist

Me Naimin kemi shtyrë vagonë në Spaç e në Qafë Bari së bashku. Ne jemi të dy njerëz që kemi vuajtur edhe për shkak të baballarëve dhe njëkohësisht Naimi, nëpër internimet e tija, ka qenë thellësisht i pafajshëm si fëmijë, së bashku me shumë nga fëmijët e personazheve të këtij libri, për të cilët shpeshherë Xhelali është i pamëshirshëm. Dhe ne e kemi një çikë të vështirë të kapërcejmë në emër të së vërtetës ato emocionet e lidhjeve klanore familjare. Desha ta them këtë sepse e di që edhe vetë Naimi e ka problem që këtu mungojnë një pjesë e bashkëvuajtësve të tij të jetës edhe të burgjeve. Por historia është ashtu siç është, nganjëherë e pamëshirshme. Edhe ky lloj libri bën pjesë në edukimin për të njohur të vërtetat e hidhura tonat, për t’i parë ato në distancë në mënyrë më racionale.

Prof.dr. Shaban Sinani

Duke qenë se Staravecka nuk është një dëshmitar çfarëdo i historisë, por një figurë e lidhur me ngjarje të karakterit parësor si Kryengritja e Fierit, antifashizmi, bashkëpunimi, mërgata politike e pasluftës, ky libër nuk është thjesht libër kujtimesh por edhe dëshmimi e vlerësimit të së shkuarës me rëndësi parësore burimologjike. Tashmë në në mendjet e njerëzve është shtruar pyetja: cili ka të drejtë, autori apo ngjarjet që lidhen tradicionalisht me jetën e tij. Kjo dilemë do ta zhvendosë të drejtën nga pikëpamja dhe vlerësimi i Staraveckës. Një njeri që në shkrimet e tij pranon se në rrethanat e luftës ka vrarë, nuk mund të gënjejë kur dëshmon për krimet e të tjerëve. Ai u ofron shqiptarëve jo vetëm të vërteta historike, por edhe certifikime të përpikta për komplekset etnike dhe psikozat sociale të popullit nga ka dalë edhe ai vetë.

Pëllumb Xhufi, historian

Aq shumë duket se e ka identifikuar veten me Lëvizjen Nacional-Çlirimtare Staravecka sa në nëntor 1943 në Skrapar, ai gati-gati duket se e përjeton me gëzim shpartallimin e forcave balliste e të Abaz Ermenjit. A thua ishte udhëheqës i luftës partizane! Për këdo që njeh akuzat e formuluara nga historiografia komuniste kundër tij, mund t’i dukej befasuese që ai nuk shpreh ndonjë pakënaqësi ndaj udhëheqësve të Frontit Nacionalçlirimtar, përveçse asaj të varësisë nga jugosllavët. Nuk është ideologjia komuniste me sa duket që e shqetëson Staraveckën; ashpërsia shpeshherë e pajustifikuar me kundërshtarin që përfundonte dhe në akte terroriste si në rastin e pushkatimeve pa gjyq në Kremenarë; nuk kishte ndonjë mendim të ndryshim mbi marrëdhëniet e Ballit Kombëtar me Legalitetin, me forcat e ashtuquajtura nacionaliste. Ato ishin për Staraveckën organizata tradhtare që luftonin me armikun, dhe në këtë drejtim, ai nuk bën fajtor Frontin as edhe për prishjen e marrëveshjes së Mukjes.

Më quajnë Naim Staravecka

Më quajnë Naim Staravecka, biri i vetëm i Xhelal Staraveckës, lindur nga ajo martesë fatkeqe në vjeshtë të vitit 1943 në Berat në mes të Luftës së Dytë Botërore. Them fatkeqe jo vetëm se kjo martesë pati jetë shumë të shkurtër, por sepse më shumë se babai im që vuajti pasojat e zgjedhjes që bëri personalisht duke iu futur politikës dhe idealit kombëtar, do të vuanim ne shumë më tepër. Unë dhe nëna ime vuajtëm dhe u torturuam nga diktatura komuniste. Jo se u morëm me politikë, por thjesht se ishim djali apo gruaja e Xhelal Staraveckës. Jeta ime qysh kur isha akoma në gji të nënës do të ishte një kalvar i gjatë vuajtjes nëpër kampet e përqendrimit dhe së fundmi në burgun e Spaçit dhe të Qafë Barit.

Kur kam qenë 8 vjeç në kampin famëkeq të Tepelenës më kanë ndarë nga nëna forcërisht pasi atë e morën të lidhur dhe e çuan në fabrikën e tullave në Tiranë për krahë pune. Për mua në mungesë të nënës është kujdesur një grua fisnike nga Dukati i Vlorës që më ka trajtuar barabar me tre fëmijët e saj. Më 1954 u transferuam në sektorin e Fermës së Lushnjes, ku natyrisht trajtimi ishte shumë më ndryshe se sa në Tepelenë. Aty bëra gjimnazin në qytetin e Lushnjes. Po aty u martova. Sot prej disa vjetësh jetoj në Amerikë me gruan dhe tre fëmijët e me shumë mbesa e nipër.

Natyrisht jam shumë i kënaqur nga jeta atje. Ne jemi mbledhur për librin e Xhelal Staraveckës jo për mua. Por jua tregova këto që të merret vesh si përfundojnë idealistët dhe familjet e tyre. Ne shqiptarët sakrificat për prindër, vëllezër apo farefisin i bëjmë pa vrarje ndërgjegje. Në rastin tim, sakrifica e detyruar e pushtetit komunist kishte diçka që nuk shkonte. Unë vërtet po bëja internim dhe burg për Xhelal Staraveckën por Xhelal Staraveckën historia komuniste e nxirrte tradhtar dhe kriminel dhe jo një luftëtar të madh antifashist të pakompromis ashtu siç ka qenë në të vërtetë dhe siç del dhe nga libri që lexojmë sot. Ai regjim u përpoq të njolloste jo vetëm mua dhe fëmijët e mi por gjithë farefisin tim nga babai dhe nëna të gjithë e pësuan kush më shumë e kush më pak. Kur Naim Zoto më kërkoi se donte të botonte kujtimet e Xhelalit, unë hezitova.

Sepse shumë nga personazhet që Xhelali i gjykon negativisht në kujtimet e tij, me pasardhësit e tyre unë i kam miq të mirë, shokë të ngushtë me të cilët kam ndarë të mirat e të këqijat nën diktaturë. Ndërsa Xhelali shprehet negativisht për disa prej figurave historike të viteve 1935-‘44, unë do të shprehesha me superlativa për qëndrimin heroik të bijve të tyre nën diktaturë. Unë nuk i kam borxh apo ndonjë lloj detyrimi Xhelal Staraveckës pavarësisht se jam djali i tij. Ai u largua nga Shqipëria kur unë isha vetëm dy javësh. Nëse jam ky që më shihni sot, jam në sajë të nënës sime, asaj gruaje fisnike dhe trime që qëndroi e paepur nën terrorin komunist. Sipas mendimit tim, heroizmi i saj dhe i shoqeve të saj e kaluan atë të Xhelal Staraveckës gjatë luftës. Pranova t’i botoj këto kujtime sepse hedhin dritë mbi jetën e Xhelalit se nuk ka qenë Xhelali që ka bërë 4 shkurtin famëkeq.

Se nuk u nda nga lufta antifashiste e Partisë Komuniste për karrierë e motive personale po për arsye të mëdha që lidheshin me vartësinë e komunistëve shqiptarë nga ata jugosllavë. Unë nuk pata fatin ta njoh babain tim, më saktë nuk më lanë ta njoh. Por nga kujtimet e tij Xhelali rezulton se ka qenë një trim i madh, një idealist i ndershëm, një patriot që e donte Shqipërinë mbi të gjitha. Madje për Shqipërinë dhe për progresin e saj sakrifikoi gjithçka, na sakrifikoi edhe neve. Shkurt Xhelal Staravecka ishte i Shqipërisë por nuk mund të ishte edhe i shtëpisë së tij. Botimi i librit më bën krenar, mua fëmijët e mi, gjithë farefisin dhe gjithë skrapalinjtë të cilët i ka dashur e vlerësuar shumë. Besoj se ky libër e ka hequr baltën që u hodh përmbi Xhelal Staraveckën përmbi 50 vjet. E vërteta nuk vdes kurrë dhe unë jam i gëzuar që ajo sot doli publikisht, ndonëse tmerrësisht vonë

-----------------------------



Ruhuni nga komunistët edhe kur ju lavdërojnë!

Nga Reshat Kripa



Reshat Kripa
E titullova këtë shkrim me një sugjerim që i bëja “mikut tim”, Naim Staravecka, në një shkrim timin të titulluar “Edhe një herë mbi kolaboracionizmin”, botuar në gazetën “Metropol” datë 16 prill 2012. Mendoja se ky sugjerim do t’i bëhej mësim. Por kjo nuk ndodhi. Në po këtë gazetë, të datës 4 maj 2012, lexoj shkrimin e zotit Naim si përgjigje të një shkrimi tjetër timin mbi librin e babait të tij “Përpara gjyqit të historisë“.

Çfarë titulli i ve autori shkrimit të mësipërm: “Reshat Kripa gatuan gjellë me kripën e Orhanit”. Ç’do të thotë me këto fjalë e di vetëm ai pasi unë nuk e marrë vesh. Unë di se kripa prodhohet vetëm në Vlorë dhe unë ndaj e kam mbiemrin të tillë. Ç’kërkon kripa në Përmet? Madje ai harron se kripa është lezeti i gjellës dhe sidomos kur ajo përdoret me karar.

Por le t’i lemë lojrat e fjalëve dhe t’i kthehemi shkrimit në fjalë. Autori bën një paralelizëm ndërmjet shkrimit tim dhe një tjetri, të një farë Orhan Frashëri, kryetar i Shoqatës së Veteranëve të Luftës, botuar në gazetën “Zëri i Popullit” më datën 11 prill 2012, të cilin as që e njoh dhe as e kam dëgjuar ndonjë herë. Madje, zoti Naim, e di që unë atë gazetë nuk e lexoj kurrë, pasi titulli i saj, i njëjtë me atë të periudhës së totalitarizmit, më sjell ndër mend atë kohë të tmerrshme kur ne dhe populli ynë dergjej burgjeve dhe kampeve mizore apo dhe burgut të madh që quhej Shqipëri. Një nga këta ishte edhe vetë zoti Naim.

Le t’i krahasojmë të dy shkrimet. Ndërsa shkrimi i zotit Orhan, sipas asaj që citon zoti Naim, bënë fjalë për mllefin e autorit për braktisjen që Xhelal Staravecka i bëri Frontit Nacionalçlirimtar dhe gjoja bashkimin e tij me Ballin Kombëtar dhe forcat e tjera nacionaliste, shkrimi im, ose të paktën ajo shprehje që citon ai, bënë fjalë për personat që shoqëruan promovimin e librit të atit të tij. Siç shihet këto nuk kanë asnjë lidhje me njëra-tjetrën. “Hane Shan, hane Bagdat” thotë populli ynë. Këtu dua të bëj edhe një korigjim tjetër, gjë që del edhe nga autori i librit. Xhelal Staravecka asnjëherë nuk ka qenë me Ballin Kombëtar apo forcat e tjera nacionaliste. Madje dihet prej të gjithëve që Mit-hat Frashëri e hodhi poshte kërkesën e tij për bashkëpunim me Ballin Kombëtar, me arsyetimin se nuk mund të bashkëpunonin me një person që kishte treguar që nuk ishte gjë tjetër veçse një karrierist dhe vrasës i paskrupullt.

I nderuar zoti Naim, ju paska ardhur keq që unë kisha shkruar se promovimin e kishit bërë në prani të një aradhe bijsh të ish-nomenklaturës së lartë të sistemit të përmbysur dhe pa pjesmarrjen e shokëve të burgjeve dhe internimeve. Nuk besoj se jeni aq i verbër sa të mos e konstatoni këtë. Kujt shtrese i përkasin “figurat e shquara të shkencës e politikës” , historianët Xhufi e Sinani, publicisti dhe miku i burgut tuaj Lubonja, kryetari i Bashkisë Berat Nasufi, nënkryetari i Bashkisë Fier Kalluci, Kryetari i Komunës Potomit Omeri, apo edhe shumë “akademikë, historianë dhe dashamirës të tjerë” të pranishëm. Mos më thuaj se këta janë të djathtë pasi kjo do të ishte kulmi i hipokrizisë. Ju e dini prejardhjen e tyre. Ata vijnë nga skutat e errëta të ish-Sigurimit të Shtetit dhe Byrosë Politike të Partisë së Punës. Lejomë , i nderuar, t’ju tregoj një ngjarje që më ka ndodhur në ditët e para pas vendosjes së sistemit demokratik.

Po nxitoja për të shkuar në zyrë. Papritmas më doli para ish-operativi i sigurimit, toger

Ademi, që kisha pasur në kampin e punës së detyruar në Bulqizë

– Ç’kërkoni? – i thashë ftohtë.

- Nuk ishte faji i ynë – u pergjigj. – Ishte i sistemit që na bëri të tillë.

Unë nuk po e dëgjoja. Para syve më dilte një skenë mizore që lidhej drejtpërdrejt me të

Ishim në kampin e Bulqizës. Ishte dimër. Binte borë. Acari të thante fytyrën. Sapo ishim kthyer

nga puna të raskapitur dhe prisnim të na jepnin lugën e supës me qepë. Ai erdhi dhe duke iu drejtuar një djaloshi nga Mirdita, i tha me egërsi:

- Përse nuk e realizove normën?

- Isha i sëmurë, zoti toger! – u pergjigj djaloshi me gjysmë zëri.

Nuk e la të mbaronte fjalën. E rrëmbeu me forcë dhe duke e hequr zvarrë, e përplasi përjashta në borën që vazhdonte të binte. Filloi ta godiste ku mundte me kamzhik. Pastaj, duke e tërhequr gjithmonë zvarrë, e mbylli në një nga birucat e caktuara për këtë qëllim.

Kur u err një miku i tij i çoi një copë bukë. Nuk e kish mbaruar ende, kur ia behu krimineli. Sapo e pa, filloi ta godiste përsëri me kamzhik, duke kërkuar t’i tregonte se kush ia kishte dhënë copën e bukës. Djaloshi nuk tregoi. Atëherë dha urdhër ta lidhnin në një shtyllë telefoni që ndodhej afër kapanoneve. Caktoi edhe dy roje për të mos lejuar njeri t’i afrohej. Ishte thëllim. Binte borë. Unë dhe shokët e mi dëgjonim rënkimet e tij të mbytura dhe nuk ishim në gjendje ta ndihmonin. Tërë atë natë nuk mbyllëm sy duke dëgjuar rënkimet e tij. Dikur afër mëngjesit ato pushuan. Mirditori trim kishte ndërruar jetë. Nuk i kishte mbushur ende te shtatëmbëdhjetë vjetët.

-Shpormu nga sytë! – thirra.

Por krimineli e kishte kuptuar me kohë dhe ishte zhdukur.

Në atë kohë m’u kujtua një film gjerman që kisha parë në fëmini. Ishte një prodhim i pasluftës. Në qendër të filmit ishte një mjek nazist që në të vërtetë ishte mishërimi i mizorisë. Në laboratorët e tij kishte kryer eksperimente nga më të përbindëshmet për torturimin dhe shfarrosjen e njerëzve. Pas mbarimit të luftës e kishin çuar në bangën e të akuzuarve.

Kishin kaluar vite që atëherë. I kisha harruar pothuajse të gjitha sekuencat e filmit. Më kujtohej vetëm finalja e tij. Mjeku i kapur me të dy duart pas hekurave të burgut thërriste:

- Jam i pafajshëm! Jam i pafajshëm!

Ndërsa në sfond prapa tij, si përgënjeshtrim, shfaqeshin torturat, pushkatimet, varrosjet për së gjalli, djegiet në dhomat e gazit që ai kishte projektuar. Një skenë e paharruar. Një zgjidhje e përkryer regjizoriale.

Filmi kishte një titull kuptimplotë: “Vrasësit janë midis nesh”.

E pra, i dashur mik, bijtë e këtyre vrasësve sot i kemi nëpër këmbë. Edhe ata, si dikur mjeku gjerman, thërrasin :

- Jemi të pafajshëm, jemi të pafajshëm!

A thua se ajo kohë nuk paska pasur fajtorë. A thua se këta individë na qenkan ithtarët e lirisë dhe demokracisë dhe ne që e vujtëm më tepër se kushdo atë periudhë, u dashka të marrim si avokatë mbrojtës pikërisht këta pasardhës të atyre që na groposën.

Ku ishin historianët dhe akademikët e djathtë që munguan në atë promovim. Ku ishin Beqir Meta, Muharrem Dezhgiu, Uran Butka, Kolec Topalli, Pjetër Pepa dhe plot figura të tjera të shquara të shkencës dhe historisë. Ku ishin përfaqësuesit e Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit, Institutit të Integrimit të Përndjekurve Politikë, Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë Demokratë, anëtar i së cilës jeni edhe ju? Ju shkruani se në promovim kishte shumë të “djathtë” por nuk përmendni asnjë emër. Përse…? Ju thoni se në raste të tilla nuk bëhen ftesa. Ku e keni parë që të zhvillohet një ceremoni e tillë dhe të mos ketë ftesa? Atëherë si

do ta marrin vesh pjesëmarrësit një gjë të tillë?

Tani le t’i kthehemi shkrimit tim “Për Liri, për Shqipëri, për Flamurin Kuq e Zi”. Më çudit fakti se në replikën tuaj nuk shoh asnjë rresht për të. Nuk e di në se jeni dakord me ato që kisha shkruar unë, apo nuk keni argumente për t’i kundërshtuar. Unë, në atë shkrim të gjitha i kam argumentuar me fakte të nxjerra nga libri i babait tuaj, madje kam shënuar edhe faqet e librit ku mbështetem. Kështu kam vepruar kur shkrova për “bëmat e jashtëzakonshme të mbinjeriut” që fill i vetëm përballonte një regjiment italian apo komunist. Për “çlirimet madhështore” që paska bërë ky njeri, për “interpretimet imagjinare” të ngjarjeve të ndryshne të Luftës së Dytë Botërore. Sot nuk do të përsëris të njëjtat gjëra por dua t’ju them se ato veprime që shkruan yt atë, i ngjasin atyre që kryente Don Kishoti i Mançes me mullinjtë e erës. Në rast se ty nuk të vjen mirë për këto ky nuk është faji im, por i atit tuaj që i ka shkruar, apo ndoshta i të tjerëve që i kanë transformuar më vonë. Është edhe faji yt që pranove të botoheshin të tilla idiotizma që më tepër e ulin figurën e tyt eti se sa e ngrenë atë. Kjo është e vërteta që del nga ai libër.

Tashti më lejo të them edhe dy fjalë përse të nxitën për ta botuar për të dytën herë librin në fjalë. Ajo është pjesë e lojës që e majta shqiptare po luan në kurriz të nacionalizmit shqiptar. Në këtë lojë janë përfshirë të gjitha mjetet e mundëshme që nga individët e thjeshtë deri te gazetarët, analistët, historianët dhe politikanët. Vështroji gazetat dhe televizionet e majta. Përditë shkruajnë dhe shfaqin pamjet e bëmave të mëdhaja që paskan kryer krerët e atyre që e shkatërruan këtë vend. Përditë botojnë apo shfaqin pamje për diskreditimin e lëvizjes nacionaliste, e cila ka qenë lëvizja më demokratike dhe më kombëtare që është zhvilluar ndonjë herë në vendin tonë. I këtij mendimi ke qenë edhe ti dikur. Kemi biseduar disa herë bashkë dhe kemi patur të njejtin mendim, kur të dy luftonim në shoqatën tonë me në krye të paharruarin Lalë Osmanin. Nuk e kuptoj përse paskeni ndryshuar tani, kur shpëtimin e kërkoni në kampin e majtë.

Në shkrimin tuaj ju thoni se disa vlerësime të Xhelal Staraveckës për figura të caktuara historike nuk shkokan me shijet dhe bindjet e tua politike të formuara nga jeta nën diktaturë. Këtu përmendni emrat e Abaz Kupit, Fiqiri Dines, Hasan Dostit, Kol Bibë Mirakajt, Gjon Marka Gjonit, me të cilët ju paskan lidhur krushqitë e ndryshme apo qënia nëpër burgje e kampe së bashku. Megjithatë nuk guxoni të thoni përse nuk jeni dakord. Përse…?

Përse nuk guxoni të thoni gjë edhe për figura të tjera nacionaliste të përbaltura nga ati juaj, si Mit-hat Frashëri, Hysni Lepenica dhe 36 trimat e tjerë të rënë në një betejë të ngjashme me Termopilet e Greqisë së lashtë, Abaz Ermenji, Tefik Sfiri, Besim Belishova, Xhafer Deva, Rexhep Mitrovica, Rexhep Krasniqi, Ago Agaj dhe plot burra të tjerë. Dikur si ti dhe unë kishim të njejtin mendim për ta. Përse tashti paske ndryshuar/ Mos vallë ta prishi mendjen libri i atit tuaj? Përse…?

Në shkrimin tuaj ju thoni se Xhelal Staravecka zbuloi të vërtetën e 4 shkurtit. Cila është kjo e vërtetë? Vrasja e 84 të pafajshmëve”? Ju e besoni këtë? Atëherë më thoni, ju lutem, emrat e tyre. Apo ishte një sajim i propagandës komuniste, i ngjashëm me shumë prej atyre që ata dinin të fabrikonin.

A e dini përse sot janë bashkuar me ju pinjollët e diktaturës? Pikërisht për faktin se yt atë, ndoshta edhe pse ai ishte një adhurues i të ashtuquajturit Front Nacionalçlirimtar, nuk lë më baltë pa hedhur mbi Ballin Kombëtar dhe Legalitetin. Është e drejta juaj të jeni apo jo me këtë mendim. Por unë njoh një Naim Staravecka që dikur ishte me një mendim të kundërt me këtë. Ndaj më erdhi keq kur ju pashë midis pasardhësve të atyre që ju burgosën dhe internuan. Sido qoftë kjo është e drejta juaj. Unë doja vetëm t’ju përsërisja frazën që përdora si titull të këtij shkrimi:

- Ruhuni nga komunistët edhe kur ju lavdërojnë!

Është në dorën tuaj të vendosni.


-----------------------

Staravecka: Çfarë nuk i fal kurrë babait tim

Roland Qafoku

Pa kujtimet e Xhelal Staraveckës, Lufta e Dytë Botërore në Shqipëri padyshim që do shkruhej me mangësi. Kujtimet e tij nuk janë ato të shkruarat më mirë se kushdo shqiptar apo i huaj, porse kur ato vijnë nga një dëshmitar real, i gjallë, që shkrehu i pari pushkët ndaj pushtuesit italian, padyshim që marrin një vlerë të pamatë. Xhelal Staravecka është partizani i parë, por i pari fare ama, që krijoi çetën e parë, por të parën ama, që zhvilloi betejën e parë, por të parën ama, në Luftën e Dytë Botërore në Shqipëri. Në një vend që kishte tre vjet i pushtuar nga Italia dhe nuk kishte bërë edhe rezistencën më të vogël, ajo që bëri Xhelal Staravecka në 8 shtator 1942 në fshatin Radësh kundër italianëve ishte shkëndija që solli zjarrin e luftës kundër okupatorit. Ishin këto pushkë të hedhura në Skraparin malor, që bënë që kryeministri anglez Winston Churchill të deklaronte në Dhomën e Komunëve, se në Shqipëri ka nisur rezistenca antifashiste. Vetë Staravecka e titullon librin "Përballë gjyqit të historisë". Për të zbardhur disa enigma të tjera mbi figurën e Xhelal Staraveckës, për ata që nuk e njohin apo e njohin shumë pak atë, rrëfehet Naim Staravecka, djali i tij, në intervistën për Roland Qafokun në "Planet TV".
Si u ndjetë kur në akademinë e shkencave folën intelektualët më të lartë të historisë, lidhur mbi figurën e babait tuaj, Xhelal Staravecka?
Të them të drejtën ishte e paparashikuar dhe nuk ma merrte mendja diçka të tillë, pasi ndjeva një kënaqësi të jashtëzakonshme. Unë kam vuajtur për Xhelal Staraveckën, pa e njohur atë, pavarësisht se kam qenë djali i tij. Të vuash për një njeri që e ke baba, nuk është ndonjë fatkeqësi, por kur babain ta etiketojnë kriminel, apo tradhtar, kjo është e rëndë. Gjatë asaj dite m'u duk sikur historia e Xhelal Staraveckës po ndryshohej dhe ai do të marrë vendin që i takon në historinë e Shqipërisë.
A mund të na tregoni kush është Naim Staravecka? Cila ka qenë jeta juaj?
Unë kam lindur në 19 gusht 1944 në Tiranë dhe nëna ime është Jalldës Myftiu nga qyteti i Beratit. Dy javë pasi kam lindur unë, së bashku me nënën kemi shkuar në shtëpinë e saj në Berat, pasi babai ka qëndruar në Tiranë edhe për dy javë të tjera, pasi ishte komandant i Xhandarmërisë në kohën e Regjencës. Në qershor të vitit 1945, kur unë ende nuk kisha mbushur 1 vjeç, mua dhe nënën time na internojnë në Krujë, pasi babai im u largua nga Shqipëria, më 1944.
Pra, ju nuk e keni takuar asnjëherë babain tuaj?
Absolutisht asnjëherë, madje në varrin e tij ka shkuar vetëm djali im i madh, kur ishte në Paris, pasi atje gjenden eshtrat e tij.
Ndërkohë, pas Krujës ku ju internuan?
Pas Krujës, kemi qenë në Valias të Tiranës dhe më pas na kanë dërguar sërish në Krujë, pastaj në Kamëz, Cërrik dhe në Tepelenë, në kampin më famëkeq që ka pasur Shqipëria në regjimin komunist. D.m.th ka qenë një tmerr i vërtetë, hanim ushqim me krimba, dhe mbaj mend që nëna i hiqte krimbat dhe gjithë racionin e gjellës ma jepte mua dhe vetë hante bukë me vaj apo me sheqer. Në atë kamp kanë vdekur shumë fëmijë të vegjël nga shumëllojshmëria e sëmundjeve. Nga Tepelena, nënën e morën si krah punë në fabrikën e tullave në Tiranë, ndërsa mua më lanë aty dhe më kujdesi një familje nga Vlora, ndërkohë që isha 8 vjeç, pasi ishin vitet '52-'53. U lirova nga internimi në shtator të '53-it dhe shkova të jetoja me gjyshin tim në Berat, ndërsa nëna në '54-ën u transferuar në fermën e Lushnjës. Gjatë atij viti u bashkova dhe unë me të, kështu që nga 1954 e deri më tutje kam jetuar në fshatrat e Lushnjës. Gjatë kohës që isha i ri, isha afër me qytetin, kështu që ndoqa dhe gjimnazin dhe më vonë u martova me vajzën e Ali Maliqit nga Kërçishti i Dibrës. Pata tre fëmijë me të, që u rritën në internim dhe ndërkohë mua më futën në burg në janar të 1979-ës, me aktakuzën "agjitacion dhe propagandë kundër pushtetit popullor" dhe natyrisht që kjo ishte një gjë që parashikohej. Pasi më burgosën, përfundova në Spaç dhe më pas në Qafë-Bardhi dhe më 1986-ën u lirova nga burgu dhe u riktheva sërish në kampin e internimit ku isha më parë. Tani jetoj në Amerikë së bashku me fëmijët e mi në Ohajo. Mesa duket, Shqipëria nuk pati më vend për ne që nga 1944. Të them të drejtën nuk ndiheshim mirë, sepse ne ishim pa atdhe.
Kur keni dëgjuar për herë të parë për historinë e babait tuaj?
Unë kam dëgjuar copëza historie nga njerëz të ndryshëm, sigurisht, më shumë nga nëna ime. Ajo, edhe pse ishte e lidhur vetëm një vit me Xhelalin, mund të fliste për ditë të tëra për të. Ata u martuan në mesin e luftës dhe në dasmën e tyre ka qenë e ftuar e gjithë Brigada e Parë.
Me ato që ju tregonte nëna juaj, por edhe të tjerë, si e përfytyronit ju babain? Pasi ju kishit dy versione, atë që ju tregonte nëna dhe atë që ju tregonin librat që e shpallnin armik.
Me librin e tij, e kam njohur ashtu siç ma tregonte nëna ime, ndërsa faktet e tjera ishin pjesë e propagandës komuniste.
Si e kuptoje dhe si ndiheshe kur dëgjoje këtë frazë?
Kur je fëmijë e përjeton më shumë, se e ndjen diferencën me fëmijët e tjera, por kur rritesh je më i stabilizuar dhe i mendon krejt ndryshe gjërat. Natyrisht që unë nuk mendoja kurrë që Xhelal Staravecka ka qenë tradhtar apo kriminel. Ka qenë ngjarja e "4 shkurtit", ajo që komunizmi ia linte në kurriz Xhelal Staraveckës.
Përse ndodhi kështu, sepse edhe Xhaferr Deva nuk ishte me partizanët?
Kjo ishte politikë e komunistëve, pasi Xhaferr Deva ishte kosovar dhe komunistët ndiqnin tjetër politikë me ta. Dhe u interesonte më shumë të thoshin për Xhelal Staraveckën, për shkak të efektit që shkaktonte në Shqipëri. Vetëm zbardhja e "4 shkurtit" më ka shtyrë që të botoj këtë libër, sepse ajo ka qenë njolla më e madhe që ka pasur familja ime.
Në libër, shpeshherë Xhelal Staravecka kundërshton veten, në lidhjet e marrëdhëniet që ka pasur me drejtues të asaj kohe, duke qenë herë miq e herë armiq me ta. Ishte ky njeri që luftoi Ahmet Zogun, kur ai i dha të drejtën e studimit në Tiranë dhe Napoli, apo që vrau italianë dhe gjermanë, por që avokatja e tij ishte e veja e Kolonelit Zampa. Të gjitha këto kundërshti si i sqaroni ju, si djali i tij? A mund të na tregoni diçka më shumë lidhur me mbrojtjen që i ka bërë e veja e Kolonel Zampës, Xhelal Staraveckës në gjyqin e Italisë?
Kam pasur një libër, që për fat të keq ma ka humbur një miku im dhe Xhelal Staravecka e tregonte këtë çështje shumë bukur. E veja e Kolonelit, të cilën ai e përshkruante si një grua shumë të bukur, bëri një mbrojtje shumë të mirë e cila ishte dhe më e papritura e atij gjyqi. Ai shkruan fjalët e saj: "Unë burrin tim nuk e di në ma ka vrarë ky njeri, por di një gjë tjetër, se burrin tim nuk ma ka vrarë në Itali, por në Shqipëri ku ky luftonte për vendin e tij, ndërsa burri im për të pushtuar. Kështu që, nëse ju doni ta dënoni për vrasjen e kolonelit, unë jam e mendimit që ky të lirohet nga salla e gjyqit". Kjo duket që bëri efekt dhe duket që kjo grua ka qenë e civilizuar dhe e drejtë.
Në libër mund të kuptojmë shumë gjëra për veprimet e tij, por ajo çka mbetet e paqartë është se ai zhvilloi një betejë edhe kundër partizanëve edhe kundër ballistëve. Si mund ta shpjegoni ju këtë çështje?
Xhelali nuk ka qenë anëtar as i Ballit Kombëtar, as i komunistëve, dhe ky është një fakt që dihet. Kur ai pa që LANÇ-in po e drejtonin jugosllavët dhe që po kërkonin që Shqipërinë ta bënin republikë të shtatë, atëherë hoqi dorë dhe u bë kundër shokëve të tij. Xhelali nuk ishte kundër LANÇ-it pasi e nisi vetë atë, por ai nuk mund të ishte as me ballin, pasi mendonte se ata po bashkë-punonin me të huajt.
Një nga figurat për të cilat Xhelali flet mirë dhe me simpati është Mehmet Shehu, duke e cilësuar atë trim. A keni pasur ju ra-porte me të, pasi Mehmet Shehu e dinte shumë mirë që gruaja dhe djali i Xhelal Staraveckës ishin në internim?
Absolutisht jo. Unë di vetëm diçka që kishte thënë babai: "Unë Mehmetin e kam pasur si vëlla, por kishte një diferencë mes nesh. Mehmeti mund të më vriste mua, ndërsa unë nuk mund ta bëja kurrë këtë". Ndoshta kjo vinte nga miqësia që ai kishte me të, dhe Xhelali e kishte studiuar mirë Mehmet Shehun dhe e dinte që një ditë ai do ta hiqte qafe.
Mbase momenti më i rëndësishëm në libër është kontestimi që ai u bën emisarëve jugosllavë e sidomos Dushan Mugoshës. Ai tregon edhe momente shumë prekëse nga torturat që Mugosha bënte ndaj të rinjve, duke treguar edhe një rast shumë prekës të torturimit të një të riu nga Bilishti...
Më vjen mirë që pas gjithë asaj skenë të dhunshme Xhelal Staravecka u largua nga partizanët. Pasi këto tortura që bënte Mugosha me miratimin e partizanëve justifikojnë edhe largimin e tij nga partizanët.
Emërimi i Xhelal Staraveckës si komandat i Xhandarmërisë është mbase edhe pika më e errët e tij. Ju, si e shpjegoni këtë?
Në fakt këtë e shpjegon ai vetë. Babai kishte një debulesë të madhe për Mehdi Frashërin, pasi ai mund të ishte një figurë komplekse, por ishte një figurë e pastër, ndaj edhe ai ka qenë edhe arsyeja përse babai pranoi këtë detyrë. Ndoshta një arsye tjetër ishte dhe prezenca e batalionit kosovar, i cili bëri shumë poshtërsira sipas babait.
Si e komentoni largimin e tij nga Shqipëria?
Për Shqipërinë nuk ekzistonte as Xhelali vetë e jo më familja e tij. Personazhe të tillë janë shumë të rrallë për L.II.B, të cilët mund të sakrifikojnë gjithçka për vendin.
A mendoni se do të ketë sërish kundërshtarë politikë Xhelal Staravecka?
Tani nuk kam asnjë merak për këtë çështje, sepse historia po thotë të vërtetën dhe do të jenë historianët që do ta vlerësojnë Xhelal Staraveckën. Kur takova një historian dhe i thashë se "4 shkurti" është arsyeja që botoj librin, më tha se ajo punë tashmë ishte sqaruar. Por, megjithatë, pashë se nuk kishte asnjë shkrim apo diskutim për këtë, vetëm shkrime kosovare, Xhaferr Devën pashë, ndaj dhe ishte i nevojshme ky libër, që media të fliste për këtë çështje.
Sipas jush, kush ishte gabimi më i madh i Xhelal Staraveckës?
Po të kisha qenë në vend të Xhelalit, pas ndarjes nga LANC-i, do të kisha ikur jashtë shtetit dhe natyrisht që do të kisha marrë edhe familjen. Kjo ka qenë gjëja më e keqe që ai ka bërë. Nëna ime ia ka falur këtë, por unë jo. Me këtë ai shkatërroi jetën time, të nënës dhe nëse nuk do të kishte ardhur demokracia, do të ishte shkatërruar edhe jeta e fëmijëve të mi.


Libri i Xhelal Staraveckës, shqiptarët-tradhtarë, Enver Hoxha-burrë shteti





“Përpara gjyqit të historisë”, libri me kujtime historike të Xhelal Staraveckës, botuar në kuadër të 100-vjetorit të shtetit shqiptar dhe 100-vjetorit të lindjes së autorit, nga shtëpia botuese “Naimi”, ka hapur debate mes studiuesve, historianëve dhe intelektualëve për të vërtetat e veta që autori sjell në libër. Një rrëfim “i egër” e i “pamëshirshëm” i tri periudhave më të rëndësishme të historisë së Shqipërisë, do ta cilësonin historiani Pëllumb Xhufi dhe studiuesi Shaban Sinani. Analisti dhe moderatori i promovimit të librit në Akademinë e Shkencave, Fatos Lubonja, e cilësoi librin si një memuar që duhet marrë në konsideratë nga historianët, pavarësisht se ai shprehu dhe rezervat e tij mbi rrëfimet e 

autorit. “Libri është shumë interesant, por është memuaristik, nuk është histori dhe ka një diferencë të madhe midis memuaristikës dhe historiografisë. Por ky libër mendoj se është burim shumë i rëndësishëm për historianët. Gjithashtu është një libër që del nga dy versionet që kemi parë përgjithësisht të historisë, nga ai versioni i bardhe e zi”- tha analisti Fatos Lubonja. Por ajo që Lubonja ka si kritikë ndaj të vërtetave të autorit në këtë libër ka të bëjë me trajtimin që ai i bën Luftës nacionalçlirimtare dhe udhëheqësve komunistë. “Për Luftën nacionalçlirimtare, e cila është gjithmonë një mollë sherri edhe në debatet e sotme përsa i përket trajtimit të saj. Unë nuk mendoj se ky libër thotë të vërtetën, por thotë të vërtetën e autorit dhe ka shumë probleme brenda këtij rrëfimi. Ajo që më trondit duke lexuar këtë libër, që në një farë mënyre është një përshkrim mjaft realist në shumë aspekte i situatës dhe atmosferës, është një lloj egërsie që kishte krijuar situata e luftës. Shqiptarë që vrasin shqiptarë, sesi lufta e bën njeriun një qenie shumë mizore. Autori tregon me shumë qetësi vrasjet e shumta që bëheshin në atë situatë. Është një libër, në këtë aspekt, që padyshim do të ketë shumë polemika se ka akuza të shumta nga të gjitha anët. Një aspekt tjetër që dua ta përmend është dhe fakti se autori duke treguar ka selektivitetin e vet, ndikimet e kohës në emigracion, armiqësitë e veta që lënë gjurmë në këtë libër dhe në një farë mënyre e fusin autorin në polemika. E në këtë kontekst do të thoja se ka gjera me të cilat nuk bie dakord dhe nuk bindesh, si p.sh vlerësimi që ka autori për Enver Hoxhën dhe Mehmet Shehun është një vlerësim që autori në fakt e bën në emër të atdheut, si Shqipëria po i reziston dhe po u jep dinjitet shqiptarëve. Autori, në këtë kuptim, flet për Enver Hoxhën si burrë shteti dhe unë mendoj se historia e Shqipërisë dhe kjo që po jetojmë tani ka treguar se nuk ishte kështu. Ata nuk e donin Shqipërinë dhe unë i akuzoj si dy nga kriminelët më të mëdhenj të Shqipërisë”- kritikon Lubonja. Historianët cilësuan se libri i Xhelal Staraveckës, “Përpara gjyqit të historisë”, është një libër tronditës, i shkruar pa mëshirë ndaj komplekseve dhe mbrapshtive shqiptare. Historiani Pëllumb Xhufi thotë se duket gati heretike që pikërisht në këtë 100-vjetor të Pavarësisë shqiptarët të ballafaqohen me të keqen e tyre. “Në këtë atmosferë festive për 100-vjetorin e Pavarësisë do të dukej e pavend të mësosh, siç mësohet në këtë libër përmes kujtimeve të Xh. Staraveckës, sesi shqiptarët, të mëdhenj e të vegjël, të pasur e të varfër, si individë apo si grup e kanë tradhtuar pafundësisht atdheun dhe shtetin e tyre në këta 100 vjet të ekzistencës së tij. Por pikërisht sot në kushtet e konfuzionit të madh që i është krijuar edhe vetëdijes sonë historike, edhe siç druan me të drejtë Staravecka, mund të ndodhë që vesi të shihet si virtyt dhe tradhtia si meritë. Shqiptarët, dhe në radhë të parë elita drejtuese kanë nevojë ta shohin në sy edhe këtë anë të errët të historisë sonë që ka gërryer dhe vazhdon të gërryejë themelet e shtetit shqiptar. Libri apo testamenti politik është një shpërthim, një nxjerrje dufi pas një jete të mbushur plot me zhgënjime, dështime dhe sigurisht edhe me shumë tradhti.”- referon historiani Pëllumb Xhufi. Tri janë nyjat kulmore të këtyre kujtimeve: Mbretëria e Zogut dhe kryengritja e Fierit, lëvizja antifashiste e lufta partizane, si edhe fati i mërgatës politike shqiptare në Perëndim. “Nderi dhe dinjiteti, të kuptuar në radhë të parë si shërbim ndaj atdheut, janë për autorin njësia e vetme matëse me të cilën duhet të matet secili prej nesh. Në këtë vështrim, Ahmet Zogu mbreti i shqiptarëve bie poshtë për sa kohë që erdhi në pushtet me bajonetat serbe dhe iku nga pushteti si frikacak, pa hedhur dhe një pushkë, pasi kishte shitur dhe plaçkitur pasuritë e shqiptarëve dhe pasi me korrupsion dhe para kishte degjeneruar edhe vetë moralin e shqiptarëve. Staravecka nxin pa mëshirë bajraktarët dhe bejlerët që kapardiseshin në sheshet dhe lokalet e Tiranës, duke ekspozuar secili armët më të bukura të lyera edhe me ar, por që nuk i përdorën asnjëherë për vendin dhe popullin e tyre, por vetëm e vetëm për të vrarë shqiptarë, madje dhe me pagesë. Akoma më shumë ai himnizon si rrallë kush luftën antifashiste të popullit shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore. Pas përplasjes që pati me udhëheqësit komunistë për ndikimin jugosllav në Luftën Antifashiste, dhe për këtë i ikur nga Shqipëria si tradhtar dhe i persekutuar dhe i dënuar në Itali si komunist, ai kundërshtoi me forcë dhe me zë veprimtarinë diversioniste të organizuar kundër qeverisë së Tiranës, nga ata që ai i quan nacionalistë të “metelikut” dhe “arapashit”. E akuzoi botërisht veprimtarinë e Komitetit “Shqipëria e lirë” dhe sidomos bashkëpunimin e tyre me jugosllavët dhe grekët për të ndërhyrë e për të rrëzuar qeverinë e Tiranës. E pas gjithë kësaj, Staravecka ngre disa pyetje: shqetësues edhe për vetë autorin.  Si është e mundur që asnjë popull tjetër nuk ka prodhuar aq tradhtarë sa kemi prodhuar ne shqiptarët?! Si është e mundur që nuk është gjendur një grek i vetëm apo një serb i vetëm që të ketë sakrifikuar edhe gjënë më të vogël për vendin tonë në një kohë kur kemi aq e aq shqiptarë që janë gati të marrin urdhër në dorë për të djegur, për të vrarë e për të pjekur vendin dhe vëllezërit e tyre për të mirë të Greqisë apo të Serbisë? Këto janë pyetje asgjësuese dhe dëshpëruese për autorin. Kujtimet e tij janë një tërësi gjykimesh të ashpra e të pamëshirshme për ngjarje dhe protagonistë shqiptarë të Luftës së Dytë Botërore, të bëra nga një karakter me temperament të zjarrtë”- përfundon historiani Pëllumb Xhufi. Po kaq të rrepta i konsideron të vërtetat e këtij protagonisti të të tria periudhave më të rëndësishme të historisë së Shqipërisë: Mbretërinë e Zogut, Luftën Nacionalçlirimtare dhe vendosjen e regjimit komunist në Shqipëri, edhe studiuesi Shaban Sinani. “Përpara gjyqit të historisë”, është një libër i rreptë, ashtu siç është çdo gjyq, aq më tepër kur ai vjen me vështrimin drejt së ardhmes. Për fat të mirë autori Staravecka e mbylli këtë shërbim të fundit në vitin 1966, sepse ndryshe mundësitë e paragjykimeve mund të kishin qenë shumë të mëdha. Është dhe një libër i pamëshirshëm, sepse autori i tillë është para vetes dhe të tjerëve. Ky është një libër që implikon rëndë protagonistët e 3 periudhave të historisë Shqipërisë; asaj mbretënore, antifashizmit dhe komunizmit”. Nga Amerika për t’u ndjerë për herë të parë krenar si i biri i Xehlal Staraveckës, kishte ardhur në këtë promovim dhe i biri Naim Staravecka. Kur babai u largua në mërgim, ai mbeti në Shqipëri me nënën. Ishte vetëm 1 vjeç kur provoi internimin dhe më pas burgjet e komunizmit, duke ia zbehur krenarinë e të qenit djali i Xhelal Staraveckës. “Ndoshta kjo është hera e parë që ndihem krenar që jam djali i Xhelal Staraveckës. Historia komuniste e gjykoi figurën e babait tim në mënyrë të padrejtë e sot po nxirret në pah nderi i tij, i familjes. Libri përmban kujtimet e babait tim me një vërtetësi që rrallë herë e gjen. Historia ka shkruar jashtëzakonisht keq, jo vetëm për Xhelalin, por dhe për shumë figura dhe ajo duhet rishkruar ashtu siç ka qenë.”- thotë Naim Staravecka, djali që kurrë nuk e njohu babanë e tij Xhelal Staravecka.


Përparim Hysi: Një akuzë tronditëse…Pas leximit të “Shkallët e ferrit” të Reshat Kripës



PERPARIM HYSI
E lexon romanin e Reshat  Kripës “Shkallët e ferrit” dhe, menjëherë, zë e hamendëson: të jenë hipotetike apo reale këto shkallë ? Duke hamendësuar, me të vërtetë, që nuk ke se si mos tronditesh:shkallët,mjerisht, nuk janë hipotetike apo sajesa të një pene, por një realitet i zymtë dhe rrëngjethës.  Aq rrëngjethëse janë, sa të vjen të ulërish dhe të bërtasësh kundër atyre që i ngritën këto shkallë që janë aty e aty, indentike apo dhe ca më keq se sa rrathët e Ferrit që ka përshkuar këtu e 8 shekuj më parë, Dante  i madh dhe i papërsëritshëm.
Në roman, pa ndonjë sforcim të madh, hasë në befasi, sa,për një çast, nuk të duket se je bash në shekullin e XX-të, por të duket vetja sikur je një “pasagjer modern” që ke hipur mbi trenin e mesjetës. Dhe ç’shkruaj  është pak.Fare pak. Kur sheh toturat  që ushtrohen nëpër qelitë e degës mbrëndshme,nuk ka se si nuk të shkon mëndja në qindra e qindra vjet më parë,në ato tortura që,ndoshta,me aq sa kam lexuar,ushtroheshin vetëm nga  njerëzit e inkuizicionit,sidomos nga jezuitët,kundër njerëzve të shkencës e përparimit. Ajo që i dallon këto tortura,është vetëm një fakt:në diktaturën komuniste mungoi vetëm djegia made in Xhordano Bruna,Jan Hus,Kopernik dhe për të mos vazhduar më tej. Toturat e diktaturës komuniste-hoxhiste ishin ku e ku më sadiste dhe më të egra nga të gjithë vëndet e lindjes komuniste. Vërtet që yrnekun e kish marrë nga Rusia,por “xherahët” e  Hoxhës e Co… qenë nga më sadistët. E kam thënë dhe diku tjetër,më duket: në se Stalini ,mes miqësh intimë,kish nofkën aq kuptimplote:Koba,ky “Enveri inë!!!”,pa patur frikë se i prish “ajkën”,duhet ta kish nofkën:Kobi. Se kob që hëngri të gjallë qindra familje atdhetare,por,sistematikisht,hëngri dhe shokët e vetë. Metaforikisht,më kujton atë filmin “Shpatarja e verbër”,e cila,godiste vertikalisht dhe horizonatlisht. Ky,Kobi inë,sikur kish lindur si një “zombie” që kënaqej veç duke toturuar dhe,sa më shumë njerëz të dënonte,aq më i qetë dhe i gëzuar qe. Dhe të ngrihen flokët gjëmb e të shkojnë mornica kur lexon,se “Kobi in” kish studjuar në Francë.Në Perëndim. E mori nuk e mori diplomën,as që ka rëndësi. Ai për 50-vjet sundoi,si me zjarr e  me hekur,dhe,do nuk do, të shkon në mëndje,një parashikim gjenial  bërë nga një  misionar  kishtar grek,i cili,sa vuri këmbë në Gjirokastër (thonë e zuri mbrëmja atje dhe qe aty nga viti 1820  ) ,u thotë bashkëshokëve të vetë:-O burra të ikim nga ky qytet,se mbas  afër 100-vjetësh,në këtë qytet do të lindë një djall… Orakulli grek qe mik i Pasha Aliut dhe është Shën Kozmai. Një parashikim gjenial:djall e kaluar djallit.


                          Reshat Kripa 
                                                                  *    *   *   
Të vijmë tek romani. Në qendër të romanit,është një igjinier nga një familje të lidhur me luftën. Igjinieri ka mbaruar studimet në një nga vëndet e Lindjes (mike aso kohe me vëndin tonë ) dhe mundohet,me mish e me shpirt, që këto dije t’i vëjë në shërbim të Atdheut. Igjinier Agron Canaj,është intelektuali i asajj kohe,që,përveç punës,shuan pasionin e tij mbi libra.Zgjeron horizontin që si e si të kryejë sa më mirë detyrën e tij. Jo vetëm punonjës i mirë,po dhe një familjar shëmbullor.Dhe bashkëshortja e tij është intelektuale:drejtoreshë shkolle dhe,parë kështu,kalimthi,nuk ke se çfarë kërkon më shumë nga kjo familje,e cila,ka dhe një çupë si trëndafil dhe mjaft të mbarë. Veç tyre,me ta rron dhe e ëma që,siç zhvillohen ngjarjet më vonë,ka një përfaqësim dinjitoz në roman.  Por kaq sa lexoni,është veç një “trokitje” në portën e kësaj familje.Trokit atje dhe,pasi hapet porta,ke për të parë se si para syve tënd, shfletohet një histori aq tronditëse,sa nuk ke të bësh më me një rrëfim,po me një dramë. Një dramë që pak ose fare pak,dallon nga ato tragjeditë e lashta ku pjesa më e madhee e personazheve gjen vdekjen. Edhe këtu,pas kësaj porte që u “hap”,ka për të parë syri lemerira.Lemerira që të stresojnë dhe,në je në moshën time apo diku tay afër,ka rrezik që të lëviz tensioni. Nodh si pa dashje,po i tillë është densiteti i ngjarjeve që zënë e zhvillohen para syve,si në një ekran të madh.Veç ekrani është i zi dhe të vjen pështirë nga ato që sheh.
          

                                                  *    *    *   
Partia apo “Kobi in” janë kapur nga një obsesion tragjik: të sajojnë armiq,qofshin dhe imagjinarë se kanë nevojë të ushqejnë oreksin  sadist për ngrënie kokash. Armiq të jashtëm,po se po:imperialstë e revizionistë,por,sidomos,të brëndshëm. Këta,të brëndshmit,janë dhe më të”kërkuar”,se”sirit vigjelent të partisë” nuk i shpëton asgjë;se “lufta e kllasave zhvillohet dhe në gjirin e  familjes”,-porosiste Kobi,shoku SHPATI !!! Dhe pikërisht,nga kjo “luftë e sajuar për gjetje armiqësh” e pëson dhe igjinier Agron Canaj. Këtë intelektual të ndershëm dhe aq paqësor,pa pritur,e prangosin si armik dhe sabotator. Kaq qe.Nga një familje e qetë dhe,relativisht,e lumtur në këtë familje bie një tërmet i vërtetë politik. Agron Canaj,me që nuk pranonte të tradhtonte shokët,u torturua çnjerëzishj,por nuk u dha. Nuk u dha…Është veç një fjalë goje. “Xherahët” e “Kobi in”,dinë mirë se si t’i mrephin hanxharët. Ata janë si ata djajët e vegjël që ecin në gjurmat e Djallit të madh. Janë aq të egër e sadist,sa nuk njohin skrupuj. Lëshohen si hijena mbi bashkëshorten dhe të bijën. Duke përdhunuar qoft të shoqen dhe ca më shumë të bijën 15-vjeçare,para sysh të dalin veç nazistët e Hitlerit me çifutët apo dhe me vëndaset në viset që pushtonin. S’ka krim më të ndyrë se sa kaq. Kur bëhet me fëmijë,njeriu është më pak burrnor;bëhet pak më i “thyeshm” dhe ndodh që e dhe dorëzohet,siç ndodhi me igjinier Agronin. Është një “thyerje” e dhimbshme dhe  tronditëse. Sa i bukur para torturave dhe sa burrëror dhe për t’u marrë shëmbull,aq keqardhës bëhet kur fillon “thyerjen”. Një “thyerje” që lë pasoja:një bashkëshok pushkatohet dhe tre prej tyre burgosen kot së koti. Parë me këtë sy,Agron Canaj,hyn tek ata personazh që herë del i bukur dhe herë pak përçud,po,megjithatë,i dhimbshëm. Të jetë unik ky personazh apo veç sajesë e një pene që i ka njohur dhe ca më tepër i ka kaluar këto “shkallë ferri”. Duke bërë pak anaologji me këto shkallë dhe me rrathët mitike të “Ferrit” të Dantes,autori,sjell me shëmbuj dy tercina,që,unë,përmbledhtas,mund t’i them  kështu:
-Ju që kini hyrë këtu,lani duarët nga çdo shpresë”.Dhe vërtet që kështu ndodhi.Po ta lexosh romanin,gjen gjithë atë dramë që zhvillohej mu para syve tanë. Dhe Reshat  Kripa nuk është as i pari dhe as i fundit që shkruan për këtë “ferr” të asaj kohe.Por,megjithatë,unë iu futa kësaj “esseje” jo për të folur për këtë dramë,sajuar nga hiçi,nga një obsesion pervers e sadist,por e thërres në “gjyq të hapur” Reshta Kripën si “plagjiat” që më “ka parë gurët”.
                                                       *    *   *  
Sentenca “më ke parë gurët”,përdoret në domino.Lojtari që mundet,akuzon kundërshtarin se”më ke parë gurët”,pa fitove. Po Reshat Kriap “ç’gurë më ka parë?”. Ju lutem bëni pak durim.Unë “akuzoj” veç me fakte. Në qytetin tim,dënuan një ditë prej ditësh,një igjinier shumë të zotin,që kish mbaruar në  Poloni.E quajtën agjent dhe sabotator. E shpallën armik. E ndau gruaja”se nuk mund të rronte me një “armik”,dhe jo pak,po 7-vjet të mira,në apsan.
Prokurori që bëri akuzën qe i njohuri im dhe,një ditë në intimitet,i them:-Ore,si e morët në qafë atë igjinier X… ?!!! Dhe prokurori më tha:-I kishim vënë 15 veta që e “ruanin” dhe kur pamë që gjithë ai mundim na shkoi kot,e arrestuam,e torturuam dhe i bëmë skicën e vëndndodhjes të”asaj shtëpisë në Vrashavë” ku “çonte dhe merrte informata”.Këto do t’i mësonte përmëndësh dhe do t’i “recitonte” paara”gjyqit të popullit”. A nuk ndodhi kështu me Agron  Canaj ? Ç’më thuaj,more Reshat  Kripa?!!!
Por dhe pak më tej. Një zanatçi të rëndomtë në qytetin tim që rregullonte vetëm bicikleta,e arrestuan për”agjitacion e propagandë” (e vërteta:qe pinjollë i një dere të madhe !)  ;e arrestauan dhe drejt e në kaush:në Tiranë. Duke u nisur nga përbërja familjare,destinacioni i tij qe për në Burrel. Tek prisja,-më tregonte fakiri,- për të shkuar në Burrel,befas më afrohet një i burgosur dhe më thotë:- Ti ke me shkue në Burrel.Atje janë do shoq të mi (priftërinj katolikë,më tha dhe emrat,po sot nuk më kujtohen ),të lutna me u çue fjalë pendim prej meje,se nuk mujta me i rujt e me më fal,due.
-Shkova,- tregonte miku im, dhe,sa mbrrita,i kërkova dhe u thashë porosinë.Dhe ata njëzëri më thanë:-Po si mos me e fal,or mik! Këtij satanai (aludimi është për xherahët e Kobit ) nuk mundesh me i rezistue. E,tani,të dashur lexues:bëni krahasimin dhe më shkruani:- “M’i ka për gurët Reshat  Kripa ?” Se a nuk e arrestuan kot së koti igjinier Agronin?A nuk ia prishën familjen si atij,në Fier? A nuk u “thye” si ai  miku i kaushit në Tiranë? Dhe,së fundi,a nuk e falën dhe Agronin njësoj si ndodhi me  ata priftërinjtë katolikë? Ja,të gjitha,këto ndodhin dhe në romanin e Reshat Kripës ,i cili,jo vetëm nuk ka shpikur,por e ka mbajtur pak dorën të “shtrënguar” duke na treguar  për një dramë kaq trondtëse.
                                                   *     *   *   
Ajo që ia ngre vlerat këtij romani,është  fakti shumë domethënës:falja. Falja është një finale aq e bukur.Finsikët dinë të falin.Dhe  janë para nesh,ende të gjallë,një pjesë e atyre që i ngjitën ato shkallë ferri dhe që të gjithë nuk kërkuan hakmarrje,por,përkundrazi,falën. Falja është ruba më e bukur që  ka veshur ky roman. I kapur pas kësaj  faljeje,edhe unë po e “fal” Reshat Kirpën që”duke më parë gurët”,ka sjellë për lexuesit një libër që nuk është vetëm artistik,por dhe si një dëshmi dhe porosi:ato “shkallë ferri” kurrë mos u  ua pafshin sytë më.Dhe nga ana tjetër,a nuk ia vlen që “pasazhe të këtij romani,siodmos ato faqet ku sadistët lëshohen si hijenat mbi një adoloshente ,duke e shpërfytruar aq sa e cojnë në varr, të ishin si”tregime për moshat parrauniversitare dhe jo vetëm për to? Unë mendoj që,tërsisht,romani ka vlera të një leksioni moral të  papërsëritshëm.Thyer para këtyre vlerave,ia fal ” plagjiaturën” Reshat Kripës dhe jo vetëm kaq:pafshë “gurë të tjerë më cilësorë” !!!.

Reshat Kripa: Edhe një herë mbi dosjet e komunizmit


RESHAT KRIPA
Këto ditë ka dalë përsëri në skenën e politikës shqiptare çështja e dosjeve. Shkak për këtë u bë zgjedhja e Presidentit të Republikës. Çuditërisht, kjo çështje del në skenë sa herë vendi ndodhet para fenomeneve të mëdha , sikurse është edhe ky i tanishmi. Kalon kjo çështje dhe më në fund, si zakonisht, zhurma e madhe shkrihet si një flluskë sapuni. Por çudia më e madhe është se, kur në vend nuk ka një ligj të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë dhe nga organet që kanë kompetencën për ta çvlerësuar, si ka mundësi që politikanë, analistë, gazetarë dhe ku e di unë se çfarë monstra të tjera deklarojnë se ky apo ai individ paska pasur një dosje të hapur në ish-Sigurimin e Shtetit totalitar. Madje qarkullojnë edhe lloj-lloj pseudonimesh të ndryshëm për këta persona. Gama e këtyre “të njollosurve” është mjaft e madhe. Ajo përfshin një pjesë të mirë të deputetëve, qeveritarëve, opozitarëve, analistëve, gazetarëve, drejtuesve të partive politike dhe shoqatave “jo qeveritare” dhe plot të tjerëve. A është e drejtë një gjë e tillë? Kush ua jep këtë të drejtë akuzuesve?
Personalisht nuk jam në gjendje të konfirmoj nëse këto akuza kanë ndonjë të vërtetë brenda vetes së tyre apo jo, pasi nuk kam në duar dokumenta që ta vërtetojnë apo hedhin poshtë një gjë të tillë. Por zhurma e madhe e bërë rreth tyre më bën edhe mua të dyzuar. Edhe unë filloj të dyshoj për njerin apo tjerin se paska qenë spiun i ish- Sigurimit të Shtetit, çfardo posti apo detyre që gëzoka ky person. Në fakt, një gjë e tillë më hidhëron. Po të jetë e vërtetë kjo, atëherë çfarë shteti demokratik po ndërtokemi kur në krye të organeve drejtuese apo të opozitës paskemi njerëz që me ndërgjegje i paskan shërbyer organit më të zi të kombit shqiptar. Sikur një gjë e tillë të jetë e vërtetë, atëherë do të thotë se këtë vend e paska mbuluar kolera më e tmerrshme që mund të ketë njohur një komb.
Tani le t’i hymë më thellë kësaj çështje dhe le ta analizojmë. Dihet nga të gjithë që njëra nga metodat e përdorura nga ish-Sigurimi i Shtetit për të mbajtur me çdo kusht pushtetin totalitar, ishte rekrutimi i agjentëve që do të viheshin në shërbim të tij. Këta agjentë i duheshin për t’i vënë njëri kundër tjetrit, babai kundër djalit , vëllai kundër vëllait, shoku kundër shokut. Spiunllëku ishte bërë mënyrë jetese. Madje disave ai u ishte kthyer si ushqimi që hanin përditë. Pa të nuk mund të jetonin. Ata mbajnë në ndërgjegjen e tyre ndëshkimin e padrejtë për sa e sa viktima të tyre.
Kishte edhe një kategori tjetër nënshkruesish të deklaratës së bashkëpunimit me organet e Sigurimit të Shtetit. Kësaj kategorie i përkasin ata që, të ndodhur nën një presion të fortë fizik apo psikologjik, u detyruan të nënshkruajnë. Të mos harrojmë, metodat e diktaturës ishin nga më të tmerrshmet, që nga torturat e pakrahasueshme fizike dhe deri tek tentativat për përdhunimin e familjarëve në sy të tyre.
Një kategori tjetër e atyre që duhet të mbajnë përgjegjësinë për të ashtuquajturat dosje janë edhe përfaqësuesit e komiteteve të partisë, organeve të Ministrisë së Brendëshme, prokurorive dhe gjykatave politike, komisioneve të ngritura qëllimisht për dëbim-internimet dhe deri tek zbatuesit e thjeshtë të ish-Sigurimit të Shtetit që janë promotorët e këtij fenomeni.
Unë mendoj se të tre këtyre kategorive duhet t’iu ndalohet pjesmarrja në organet drejtuese të shtetit shqiptar. Këtu kam parasysh si shumicën ashtu edhe pakicën. Madje duhet të jenë vetë ata që nuk duhet të pranojnë çdo lloj oferte që u vjen si nga e djathta ashtu edhe nga e majta, për poste apo detyra të tjera të larta. Le të merren me çfarë të duan. Shoqëria kapitaliste ka mundësi të panumërta për të jetuar. Le të merren me aktivitet privat të çdo lloji dhe të mos
tentojnë të futen në politikë me qëllim përfitimi. Dikush mund të më thotë se kjo është një shkelje e të drejtave të njeriut, pasi sipas Kushtetutës së Shqipërisë, kushdo ka të drejtë të zgjedhë dhe të zgjidhet. Keni të drejtë. Hapini dosjet dhe në rast se masa e gjërë e zgjedhësve i pranon me njollat e së kaluarës mbi shpinë, atëherë le ta gëzojnë detyrën që u është besuar! Në të kundërt le të heqin dorë!
Kanë kaluar gati njëzetedy vjet nga përmbysja e sistemit totaliatr dhe ne jemi ende i vetmi vend i bllokut ish-komunist që nuk kemi të hartuar një ligj të saktë për hapjen e dosjeve. Edhe disa inisiativa gjysmake të marra deri tani kanë përfunduar në koshin e plehrave. Kështu ndodhi me ligjin e lustracionit të miratuar nga Qeveria Demokratike në vitin 1996, ligj që u hodh poshtë sapo socialistët morën poushtetin. Të njejtin fat pësoi dhe ligji i dytë i miratuar nga parlamenti shqiptar me votat e demokratëve që u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese e përbërë në shumicën e saj nga individë që prekeshin direkt nga ky ligj. Unë nuk pretendoj se të dy këto ligje kanë qënë të përsosur. Mendoj se asnjëri prej tyre nuk e zgjidhte plotësisht problemin e dosjeve. Por, sidoqoftë ishte një hap para në rrugën e hapjes së tyre përfundimtare.
Kjo periudhë ka gati tre vjet që ka kaluar dhe nuk shohim ende ndonjë përpjekje nga ana e shumicës që të përpiqet për të bërë një ligj mbi lustracionin, pasi vetëm ajo mund të përpilojë një ligj të tillë. Përse? Unë mendoj se shkaktarët e kësaj pengese janë përfaqësuesit e nostalgjikëve të majtë të së kaluarës që sot kanë zënë poste drejtuese në hierarkinë e djathtë. Janë edhe ata, qofshin të djathtë ose të majtë, qofshin ish-të përndjekur politikë ose jo, që ndërgjegjen tyre e kanë të përlyer me deklaratat e turpshme që mund të kenë nënshkruar në të kaluiarën dhe tani tremben nga zbardhja e së vërtetës. Unë mendoj se duhet të gjejnë forca brenda vetes së tyre për të hedhur poshtë atë të kaluar të hidhur dhe do të shohin se do ta ndjejnë veten shumë më të lehtësuar dhe ndërgjegjen më të qetë. Ju kujtoj se brejtja e ndërgjegjes është sëmundja më e rëndë që mund të zërë një idivid.
Le të hapen pra dosjet! Le të hapen dhe të publikohen të gjitha dosjet e sistemit totalitar. Është e drejta e qytetarëve të mësojnë mbi gjithçka që ka lidhje me ata që do të zgjedhin në të ardhmen. Zgjedhjet e reja janë në prag. Le të hapen dosjet për të mos lejuar që vendet në parlamentin shqiptar dhe administratën shtetërore të zihen nga ish- bashkëpuntorët e Sigurimit të Shtetit. Kështu do të kemi një Parlament të pastër, një Qeveri të pastër, një drejtësi të pastër, një shtet të pastër. Në rast se sot flitet për një shtet të korruptuar, kjo vjen edhe si rezultat se në të bëjnë pjesë edhe të korruptuarit me dosje që sjellin frymën korruptive të sistemit që i degradoi deri në atë gjendje.
Dua të theksoj gjithashtu edhe një çështje tjetër mjaft të rëndësishme. Në rast se miratohet një ligj i tillë, kush do të jenë zbatuesit e tij? Këtë pyetje e bëj pasi kam frikë se ndoshta kjo do të bjerë në duart e mëkatarëve, siç ka ndodhur edhe herë të tjera në raste analoge. Mos një ligj i tillë do të përdoret nga njëra apo tjetra palë për të bërë presione politike mbi individë të ndryshëm? A do të jetë një proces i ndershëm dhe i hapur? Do të presim dhe do të shohim.
Së fundi dua t’i drejtohem Kryetarit të Shërbimit Informativ Shtetëror apo drejtuesve të institucioneve të tjera që kanë në duar dosjet e së kaluarës, ju lutem, hapini dhe bëjini publike dosjet e mia që kushdo të mësojë se si kam vepruar unë në kohën e diktaturës. Dosjen time që kam pasur pranë Arshivës së Ministrisë së Brendëshme tashmë unë e kam marrë. Është dosja me numër 8445. Kushdo mund të lexojë. Ka autorizimin tim. Tani kërkoj edhe hapjen dhe publikimin edhe të dosjeve të tjera. Ftoj të gjithë qytetarët të bëjnë të njëjtën gjë.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...