Agjencioni floripress.blogspot.com

2012/07/16

Jasha Zlobec, luftëtari i paepur për Kosovën dhe shqiptarët




Jasha Zlobec duke folur per shqiptaret ne Cankarijev Dom  me temen: ”Hapësira e përbashkët kulturore shqiptare,”  mbajtur më 23 qershor 1990.
Jasha Zllobec e Salih Kabashi gjatë vizitës së tyre në SHBA.


Jasha Zllobeci (1951-2011) ka qenë për rreth njëzetë vjet miku im më i mirë. Sa herë ia kemi ndjerë lezetin kafes së përbashkët të mëngjezit, sa gota kemi ngritur bashkë, sa byfe kemi frekuentuar, sa biseda kemi zhvilluar, sa mospajtime i kemi diskutuar, sa libra kemi këmbyer, sa herë kam qenë te ai e sa herë ai e Shtefka kanë qenë për vizitë në banesën time në Lubjanë… Edhe si slloven ai për shqiptarët ka qenë ndër shqiptarët më të mirë… E quanim dhe atij i pëlqente ta thërrisnim Irredent Jashari…
Nga Salih KABASHI
Gjithçka e dobishme për shqiptarët në Slloveni ka pasur krahun e Jasha Zllobecit : Këshilli për Mbrojten e të Drejave të Njeriut në Kosovë (Lubjanë, mars 1989), Shoqata Kulturore Shqiptare « Migjeni » me revistën « Alternativa » (qershor 1989), revista shqiptare « Republika » (1990), tubimi i pozitës dhe opozitës sllovene në Cankarjev Dom në mbrojtje dhe përkrahje të minatorëve në Stantërg, protestat e shumta shqiptare-sllovene në Sheshin Preshern, peticionet, kumtesat ku kërkohej tërheqje e kontigjenteve sllovene të milicisë sllovene nga Kosova, largim i ushtarëve sllovenë nga APJ për shkak të implikimeve të kësaj të fundit në shtypjen e revoltave të shqiptarëve… Dhe shumë nisma, shumë ndërhyrje te autoritetet sllovene në republikë dhe në federatë, në median sllovene. Të gjitha këto e kishin kreun e tyre të dukshëm e nën hije, që gjithmonë ishte një dhe i pari, Jasha Zllobeci, i cili bashkë me të jatin Ciril Zllobecin kanë merita të jashtëzakonshme edhe për praninë e kulturës e të letërsisë shqiptare, sidomos të asaj të Kosovës në gjuhën sllovene. Jasha Zllobeci ishte ai që nxiti dhe arriti që në fillim të viteve ’90 të shekullit të kaluar të hapte Lektoratin e Gjuhës Shqipe pranë Faklultetit Filologjik të Lubjanës.
Jasha Zllobeci për mendimin  tim, edhepse slloven dhe i huaj është një pjesë e shkëlqyeshme e historisë së zgjimit demokratik të shqiptarëve nën ish-Jugosllavinë. Angazhimi i tij nëpër tribuna, promovime, debate ishte i përhershëm, shumë intensiv dhe nga pozita të njohësit të thellë të problematikës shqiptare në shtetin e dikurshëm të përbashkët.
Si një poliglot i pa shoq, ai kishte krijuar lidhje dhe miqësi të shumta me lëvizje antitotalitare nëpër Evropën Lindore dhe në Perendim. Mund të them se ai dhe unë me të nga 1988 deri më 1991 kemi dhënë me dhjetëra intervista e dëshmi mbi terrorin serb e jugosllav mbi shqiptarët në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi. Se sa të tilla ka dhënë vetëm ai, kjo është vështirë edhe të imagjinohet. Mund të them se përmes angazhimit të Jasha Zllobecit opinionit publik evropian po i dilte gjumi dhe po shihnin se vetëm dy-tre orë nga Parisi, një regjim jodemokratik dhe fashist po shtypte një popull. Duke falënderuar  Jashën, Lubjana në njëfarë dore u bë kryeqendër për informimin e opinionit botëror për përshkallëzimin e rrezikshëm të shkatërrimeve e të dhunës shtetërore mbi Kosovën e mbipushtuar nga Serbia.
Me Jashën, mu në fillim të 1990-ës kemi pas vizituar SHBA. Jasha duke qenë slloven, si i tillë edhe më i bindshëm, ka pasur një shkëlqim të paparë gjatë elaborimeve (në Kongres e në Senat) të pozitës së shqiptarëve që po shtypeshin nga soldateska, milicia dhe stalinizmi serb fillimisht i fshehur nën ombrelën e ndërhyrjes federative. Intervistat e shumta në radiot e shumta në SHBA, përfshirë edhe « Zërin e Amerikës » në shqip dhe në sllovenisht, mund të dëshmojnë shkëlqyeshëm kapacitetin argumentues dhe oratorinë brilante të Jasha Zllobecit.
Miqësia ime me Jasha Zllobecin ka qenë e gjatë gati një çerek shekulli. Ato vite i konsideroj edhe vitet më të suksesshme edhe të aktivizmit tim për Kosovën dhe shqiptarët dhe çlirimin e tyre nga Serbia e diktaturat.
Jasha Zllobeci jipte vullnetarisht gjak çdo vit. Si 17 vjeçar i kishte ofruar pjesë të lëkurës së trupit të vet një njeriut për të cilin kishte dëgjuar në radio se i djegur qëndronte shtrirë e në rrezik jete në spital të Lubjanës. Me gjithë insistimin e tij ai nuk mund ta bënte atë sakrificë e dhuratë të pazakontë në humanizmin e saj, sepse ishte i moshës jomadhore, ndërkohë që prindërit e tij që mund të nënshkruanin, ato ditë rastësisht nuk gjendeshin në Slloveni.
Para dy muajsh ai vdiq. I shkova në varrimin e tij në Zhale të Lubjanës. Funerali përbëhej kryekëput nga familjarë, miq e kolegë nga jeta të cilën ai e kishte pasur aq të vrullshme e aq të bujshme. Vitet e fundit të jetës iu bënë skajshmërisht e tmerrësisht të mundimshme. Për familjen dhe miqtë e tij tepër të trishtueshme. Atë para syve të tyre njëherë ngadalë, befas e tinëzisht, më vonë edhe përfundimisht e shtroi sëmundja e Alzheimerit. Ai burrë i fuqishëm pak nga pak mbeti vetëm në eshtrat e në lëkurën e tij. E kisha parë se si përpiqej të gjente fijet e mendimeve e të thoshte një fjalë, kot, nuk arrinte dot, pastaj i trishtuar i lageshin faqet me lotë. Dhe fillonte të nxirrte thirrma të paartikuluara e të frikshme.
Funeral i 9 dhjetorit i përbërë nga shkrimtarë, gazetarë, njerëz të kulturës, familjarë, në një ceremoni joreligjioze ishin grumbulluar për t’i dhënë lamtumirën atij njeriu të mirë. U mbajtën fjalime rasti nga kryetari i shkrimtarëve sllovenë Milan Jesih, nga publicisti e diplomati Franco Juri, nga filozofi Darko Shtrajn e nga disa të tjerë. Aty ishte e shoqja Shtefka me djalin e vajzat e saj e të Jashës. Ishin edhe prindërit, i ati, akademiku 90 vjeçar Ciril Zlobeci me të shoqen Veronika, nënën e Jashës. I pashë të krruspur, shumë të lodhur, të mplakur e të pikëlluar. Brenda një vitit ata po humbnin dy pasardhësit e vetëm të tyre, vajzën dhe djalin.
Familja e zllobecëve është nga Bregdeti i Istrës. Cirili pothuajse fëmijë i ishte bashkangjitur LNÇ. Kur më 1982 u instalova në Slloveni, në të vetmin vend ku mund të shkoja pa pasaportë, në njërin nga antikvariatet pata gjetur të përkthyera poezitë e Jusuf Gërvallës. E pata kërkuar dhe e pata gjetë përkthyesin. Ishte Cirili. Një burrë impozant dhe shumë e i hijshëm me një mjekër të zezë e të gjatë, gjithnjë i qeshur, jashtëzakonisht i ditur. Njihte problemin e Kosovës dhe më kujtohet porosia e tij që të mos ndalim përpjekejet për mvehtësi, por ato përpjekje të jenë të pandërprera, legale dhe sa më të gjera. E kam mbajtë mend porosinë e tij që kërkesat tona të mos i shfaqnim në mënyrë klandestine, sepse në atë mënyrë policia e Serbisë del me argumente të shpifur që kriminalizojnë luftën e lëvizjen tuaj të drejtë…  Më vonë e kam takuar shpesh dhe gjithmonë më fascinonte me mendjedritësinë e tij. Më pat thënë që ta takoja birin e tij që punonte në Cankarjeva Zalozhba (shtëpi botuese).
Me të birin e tij Jashën që më vonë u bë miku im më i mirë, jam njohur më vonë, fillimisht indirekt përmes serisë së shkrimeve në Mladina, të cilat i botonte nën pseudonimin Xhuli Shviga, një anagram me emrin e diktatorit sovjetik, ku ai i ridikulizonte deri në groteskë veprimet absurde të komunistëve jugosllavë që po i bënin varrin krijesës së tyre. Në ato shkrime të famshme që lexoheshin me shumë interesim, Jasha Zllobeci haptas tallej me veprimet serbe e jugosllave në Kosovë në emër të shuarjes së « vatrës së kundërrevolucionit irredentist shqiptar ».
Direkt e pata takuar në një debat ku unë shkova pa ftuar dhe jo vetëm hyra, por shfrytëzova rastin që edhe të merrja fjalën e të thosha disa gjëra që shqiptarët së paku ende nuk mund t’i thonin haptas. Të gjithë të pranishmit, ndër ta edhe intelektualë nga Lubjana e Zagrebi i pritën me shumë simpati fjalët e mia. Pos korrespondentit të RTV të Shkupit dhe dy vëllezërve shqiptarë me origjinë nga Mali i Zi. Këta të fundit më sulmuan ashpër duke thënë se unë po flisja me fjalor irredente dhe se nuk kisha të drejtë të përgjithësoja e të flisja njësoj edhe për pozitën e shqiptarëve në Mal të Zi e Maqedoni si për ata në « krahinën e Kosovës »… Aty për herë të parë pashë se ka njerëz që e njohin problemin shqiptar, që e kuptojnë dhe që nuk druajnë që të denoncojnë dhunën e represionin serb e jugosllav. Jasha Zllobeci që e mori fjalën dy herë dhe që ndërhyri nja dhjetë herë, tha gjërat duhet të shihen e të emërtohen drejt…, është fakt se Kosova po mbahet nën okupim policor-ushtarak. Është koha e fundit që, së paku sllovenët, të tërhiqen nga këto ndërmarrje të turpshme shtypjeje e terrori mbi shqiptarët në Kosovë… Në atë tribunë ishte edhe Vladimir Sheksi, i cili pak vite më parë kishte qenë i burgosur i ndërgjegjes. Me të dalë nga burgu ai kishte shkruar një libër i cili, pos tjerash, dëshmonte pozitën e rëndë të të dënuarve për delikte politike, veçmas të shqiptarëve të rinj…
Takimet e mia me Jasha Zllobecin kanë qenë pothuajse të përditshme. Me të për dhjetë vjet me radhë kam bashkëpunuar intensivisht. Të gjitha veprimet e rëndësishme për shqiptarët i kam koordinuar me të, duke nisur nga tribuna të ndryshme të mëvonshme, organizimin e Cankarjev Domit, protestat në Lubjanë, themelimin e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Kosovë, themelimin e Shoqatës Kulturore Migjeni të Lubjanës, të revistave Alternativa dhe Republika, të simpoziumit për Hapësirën e përbashkët kulturore shqiptare që më 1990 u mbajt në Lubjanë, në njëvjetorin e aktivizimit të Migjenit, ku referatin kryesor, i cili ishte në fakt një material i vërtetë programatik për mbrojtjen nga copëzimi i tërësisë sonë kulturore që rrezikohej nga elitat politike e policore të Maqedonisë, Serbisë, Malit të Zi dhe të APJ-së, e pat mbajtur akademik Rexhep Qosja.
E thashë se me Jasha Zllobecin kemi pritur dhjetra gazetarë dhe kemi dhënë intervista të panumërta për shtypin botëror, kemi pritur dhe kemi dhënë intervista për ekipe të shumta televizive evropiane. Me Jasha Zllobecin në fund kam qenë edhe në SHBA ku jemi pranuar edhe në Kongres edhe në Senat ku Jasha Zllobeci në mënyrën më brilante alarmonte për agresionin e Serbisë të mbi shqiptarët.
Në karierën time kam takuar shumë dashamirës të kauzës shqiptare. Asnjë si Jasha Zllobecin. Asnjë me aq njohuri e me aq pasion për t’i mbrojtur shqiptarët. Ai ka shkruar me dekada për Mladinën. Shkrimet e tij, edhe kur kanë qenë me tematika krejtësisht tjera, kurrë nuk kanë qenë pa ndonjë pasus për Kosovën, shqiptarët e pozitën e pazgjidhur të tyre. Ai në ilustrimet e karikaturat në mediat sllovene gjithmonë paraqitej me kësulën e bardhë, me tirq dhe me një mitraloz në istikam lufte…Jashën njëherë unë e pastaj edhe rrethi ynë i miqve filluam ta quanim Jashar. Irredent Jashari. Ai qeshej. Në një ndejë njëherë disa prishtinas të pranishëm erdhën e shkuan me bindjen se me ta kishte qenë një Jashar, shqiptar i hershëm që e ka harruar shqipen po jo dashurinë për popullin e tij…
E kam përjetuar shumë rëndë vdekjen e tij. E dija se ai ishte i sëmurë rëndë. Atë njeri plot shëndet e plot elan e fuqi, atë burrë të pashëm, korpulent e elokuent, dalëngadalë e pabesisht nga viti 2006 e deri në fillim dhjetorit të tashëm e mposhti sëmundja e rëndë dhe e pashërueshme e Alzheimerit. Ai para tri vitesh humbi të gjitha mundësitë për të lidhur fijet e shregulluara në trurin e të tij. Sa herë kam biseduar me Shtefken dhe sa here kemi dashur të besojmë në një mrekulli. Nuk doja të besoja se ai po shkatërrohej ashtu përnjëheri. Më parë e mendoja, apo doja të besoja se ai po tallej me të gjithë ne dhe se një ditë do të këndellej dhe do të na thoshte me të qeshurën e tij aq të shëndetshme: Shihni, o të marrë se si u talla me ju… Jo, nuk ishte punë talljeje. Nuk kishte mundësi për asfarë mrekullie. Ai humbi fare derisa edhe vdiq.
Pas pavarësisë së Sllovenisë Jasha iu fut politikës, siç mund të futej në politikë një poet, një kolumnist, një shkrimtar hiperinteligjent me iluzionin se politikën do ta humanizonte e bënte të ndershme. Pastaj filloi karrierën diplomatike. Për dy mandate qëndroi ambasador i Republikës së Sllovenisë në Mbretërinë e Belgjikës. Kam qenë mysafir në rezidencën e tij në Bruksel.
Herën e fundit, ende të shëndoshë e të vetëdijshëm, e pata takuar në korrik 2006. Më kishte sjell një thes të madh plastik me libra, krejt beletristikë. Merri, më tha. Nuk kishte harruar se në shtëpinë time në Kosovë kishte rënë zjarri serb që mi kishte djegë të gjithë librat, fotografitë dhe gjërat e shkruara. “Po t’i jap, do të të jap edhe të tjera, sepse ti do ta ringrisësh sa më parë bibliotekën e re në shtëpinë tënde të re e në Kosovën tënde poashtu të re”.
“Shqipëria iu bashkua Kosovës!”
 Jasha Zllobeci ishte i njohur për skandalet e tij kundër regjimit. 
Më 1971 zgjidhet redaktor përgjegjës i gazetës studentore të Lubjanës “Tribuna”. Puna e parë e tij, në mbledhje të redaksisë, kritika të ashpra shahut të Iranit Reza Pahlavi dhe servilëve të tij jugosllavë. E përjashtojnë nga partia duke i thënë se nëse pendohet do ta kthejnë. Shkruan një tekst 70 faqesh ku tregon se kishte të drejtë ai e jo partia.
Më 1972 e karikaturon Leninin në faqe të pare të gazetës. E fusin në survejim policor.
Po atë vit kritikohet për komentet e tij mbi lëvizjen e Maspokut në Kroaci.
Në fund të 1972 ia marrin pasaportën, ngaqë kishte vënë kontakt me trockistë francezë dhe kishte shkruar se Hanry Kissingerin duhet rregulluar me një plumb kokës, ndërkohë që kishte kërkuar që të gjithë udhëheqësit partiakë jugosllavë duke përfshirë edhe Titon, duhet të japin dorëheqje.
Mbijeton nga puna në Radio Shtudent, por as aty nuk mund të rrijë rehat. Në prill 1974 hedhe në eter lajmin se Shqipëria iu ka bashkua Kosovës…
Jep edhe lajmin tjetër të rremë mbi gjoja dorëheqjen e KQ të Lidhjes së Komunistëve të Serbisë për shka të përjashtimit të shtatë profesorëve nga Universiteti. Gjyqi pas procesit që zgjati pesë vjet e shpall fajtor duke e dënuar me xhobën e 3/5-tave të rrogës mujore.
Tri veset e “këqija” të Jasha Zllobecit
Ne miqtë e tij që Jashën tonë Jashar e çmonim pa hesap, atij megjithatë ia njihnim tri vese të “këqija”, të cilat ai i pranonte dhe për të cilat aspak nuk pendohej.
E para, Jasha ka qenë një vjedhës i papërmirësueshëm i luleve. I vidhte ato në dyqane lulesh, në parqe qytetesh dhe në oborre e kopshte të shtëpive të huaja, ditën e natën. Shpesh i frikësuar e kam pa edhe vetë se si kapërcente rrethoja telash xhemborë dhe si një hajdut sypatrembur, pasi kryente operacionin dilte në trotuar i ngarkuar me një dëng lulesh nga m¨¨e të ndryshmet. Arsyetimi i Jashës ka qenë shumë i thjeshtë: Shtefka ( e shoqja e tij) i don lulet dhe unë dua që asaj t’ia bëj qejfin… Ne e dinim se pos kësaj ai me ato lule të vjedhura nganjëherë arsyetonte vonesat e mëdha në kthimin me kohë në shtëpi…
E dyta, Jasha ynë Jashar ka qenë një kleptoman, por vetëm në një tip dyqanesh dhe në një lloj malli – në librari e libra! E pranonte edhe vetë se rrallë ka ndodhë të dalë nga andej pa së paku një a dy libra të fshehura. Sidomos donte t’i “dëmtonte” libraritë jashtë shtetit, si ato të mëdhatë në Romë e Paris. Edhe në New York gjatë vizitës sonë nuk qe përmbajtur pa mbushë xhepat e palltos me të gjithë romane e Paul Austerit që i zuri syri…
E treta, e, kjo ishte shumë zbavitëse, Jasha shkruante shumë apele, peticione, të cilat pastaj i ofronim të tjerëve për nënshkrime. Nëse mblidhnim gjithsej 70 a 80 nënshkrime, në gazetat e median tjetër dilte se kishim mbledhur 10 mijë deri 15 mijë. Jasha ynë Jashar, si revolucionar i papërmirësueshëm, thoshte se asodore trembim regjimin, e alarmojmë deri në shkallën sa ai të humbasë sigurinë në fuqinë e tij…
Mosmirënjohja shqiptare
Kur ka vdekë Jasha Zllobeci, në varrimin e tij nuk ka marrë pjesë asnjë shqiptar i Kosovës me banim e punë në Slloveni, poashtu asnjë shqiptar dhe as edhe një institucion i vetëm kulturor nuk ka dërguar një telegram ngushllimi. Nuk kanë ngushlluar as dy ambasadat e dy shteteve shqiptare në Lubjanë. Kam shkuar vetë në të dyjat që t’u them se do të ishte e hijshme të bëhej një gjest ngushllimi. Ambasada e Kosovës dhe ata që takova atje me zhgënjyen tej mase. Ata as që i jepnin rëndësi atij gjesti të cilin ua sugjeroja. Ajo ambasadë që binte në sy me flamurin e shqyer e të përlyer, më shumë se gjithçkaje i ngjante një vendi mafiozësh që si të tillë janë komplet jashtë misionit të tyre diplomatik.
Shqiptarët e Lubjanës kanë ra në provimin e memorjes së tyre. Ambasada e Kosovës ishte karikatura e përfaqësimit të një shteti në një shtet tjetër. Edhe më keq, për Jasha Zllobecin sikur nuk kishin dëgjuar as Adem Demaçi dhe Lidhja e Shkrimtarëve, të cilës i prin ai. Mos të flas për ata biçimë poetë, shkrimtarë, publicistë që me vite të tëra, kur kanë shkuar në Lubjanë, nuk kanë njohur konak tjetër pos konakun e Jasha Zllobecit…
Sa here do ta kujtoj Jasha Zllobecin gjithmonë do të kujtoj njeriun e mikun tim më të mirë e sidomos mikun e madh të shqiptarëve. Kur do ta kujtoj vdekjen e tij do të kujtohem dhe pokështu do të turpërohem për mosmirënjohen monumentale shqiptare.
Jasha Zlobec, foto e viteve ’60

SHQIPONJA E KULLËS SË ADEMAJVE NË SHEREMET




Prof. Dr. Agron Fico, Nju Jork



 (Në nderim të dëshmorit të kombit, Vezir Hysen Ademaj)
Kulla është Atdheu. Kulla është vatra familjare. Kulla nuk është thjesht ndërtesa-mburojë. Kullat shqiptare kanë qenë dhe janë njëherazi Panteoni i nderimit të trimërive të brezave dhe i amanetit për të rinjtë.
Kullat shqiptare kanë qenë shkollat dhe universitetet gojore të edukimit atdhetar dhe virtyteve të racës shqiptare: burrëria, besa, bujaria, mikëpritja, ndershmëria dhe kodi fisnik shqiptar. Në ato kulla ashtu si aulat universitare, dhoma e miqve, ishte tribuna e mendimit të urtë dhe e fjalës së drejtë.
E tillë është edhe Kulla e Ademajve në Sheremet. Kulla e bujarisë dhe mikpritjes, derë-hapur për miqtë dhe luftëtarët e Lirisë. Në këtë vatër atdhetare shumë brezash Hysen Ademaj u mësoi dhe u kaliti djemve të vet virtytet e larta të atdhe-dashurisë dhe besës, të sakrificës dhe të qëndresës, të të jetuarit me nder dhe dinjitet.
“Organizime janë bërë nga kjo Kullë – kujton vëllai i dëshmorit, doktor Hasan Ademaj, dhe vazhdon – ku janë ndihmuar ushtarët e UÇK-së, në transportimin e armatimit dhe mbartjen e tij  nga Shqipëria për t’i futur në zonat ushtarake të Dukagjinit”.
Nënat shqiptare, siç kam shkruar në një Ese, nderohen si hyjni nga iliro-shqiptarët për rolin e tyre të pamasë në formimin atdhetar dhe të virtyteve të breza e brezash të rinj në historinë shqiptare.
Aty, në kullën e Ademajve në Sheremet, Vezir Ademaj, ashtu si vëllezërit e tij, u nanuris me ninullat e nënë Merjemit, që i këndonte:
Fli, o biri im, fli,
Të rritesh të bëhesh burrë,
Si Kastrioti e Azem Bejta…

Epos i kreshnikëve
Një nga thesaret më të lashta dhe më të pasura të kulturës iliro-arbresho-shqiptare është eposi   heroik shqiptar, i njohur edhe si eposi i kreshnikëve.
Universi i eposit heroik shqiptar ngërthen gjithë botën shqiptare të malësisë, rendin shoqëror dhe familjar, virtytet e larta të shqiptarit si: trimëria dhe nderi, besa dhe mikëpritja; dashuria e pamasë për lirinë, zakone dhe kanune tradicionale, besime të lashta, jeta blegtorale, natyra dhe bjeshkët e bukura, etj. Shkurt, një enciklopedi e jetës, kulturës dhe përjetimit artistik.
Kryetema, motivi themelor i këtij eposi madhështor është qëndresa e furishme, luftërat dhe ndeshjet kundër vërshimit të egër sllav, ose siç thuhet në epos lufta “kundër krajlave të krajlisë”. Muji dhe Halili dhe bashkëluftëtarët me ta jo vetëm përshkruhen me fuqi të pamasë, por mbi të gjitha janë “trim mbi trima”.
Kjo poemë madhëshore shqiptare është tepër e përhapur edhe e gjallë ende në zonën e Dukagjinit dhe këngët e saj jehonin shpesh në kullën legjendare të Ademajve. Çdo këngë është frymëzuese, por djaloshin syshkëndijë Vezir Ademin, e tërhiqnin më fort vargjet nga kënga e Gjergj Elez Alisë e këtij eposi:
Baloz, jam dredhë n’ket log për me t’kallxue,
Se ne t’parët nji kanun na kanë lanë:
“Armët me dhanë përpara e mandej gjanë,
Kurr bajlozit motrën mos m’ia dhanë,
Për pa u pre n’at fushën e mejdanit!
Por shtrëngoju bajloz se t’ka ardhë dita,
Se ktu i thonë-o Gjergj Elez Alia!
(Folklori shqiptar, II. Epika legjendare, 1966 f. 90)
Dhe stërnipërit e Gjergj Elez Alisë, në atë 25 korrik 1998 kishin dalë në log të mejdanit për të ndalur dhe shkatërruar bajlozat e zinj serbë. Ata ranë fizikisht, por hynë në legjendën e re shqiptare, fituan pavdekësinë.
Historia e gjallë
Kasapi i Ballkanit, Milosheviçi, në planin sekret “patkoi i kalit” kishte planifikuar zhdukjen e shqiptarëve të Kosovës me një oporacion të tipit nazist, që synonte dëbimin masiv të shqiptarëve dhe popullimin e Kosovës kryesisht me kolonë serbë. Zjarri i luftës ishte ndezur dhe krijimi dhe zgjerimi i UÇK-së u bë trumpeta e luftës popullore. Shqiptarët të ndihmuar nga NATO, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në krye, e ndalën dhe e shkatërrun makinën ushtarake serbe.
Bijë e Kosovës u ngritën në këmbë, rrëmbyen armët dhe i vunë gjoksin burrëror pushtuesit serb.
Vezir Ademaj la studimet në Zvicër, erdhi dhe u bashkua me luftëtarët e lirisë në zonën e Dukagjinit. Ai shpejt u dallua për guxim, për trimëri dhe vetëdije të lartë dhe prandaj u caktua përgjegjës i “Komandos”. Luftimet ishin të ashpëra në gjithë Kosovën. Trupa të shumta dhe të armatosura gjer në dhëmbë serbe vritnin pleq e fëmijë, gra dhe burra, digjnin dhe shkatërronin shtëpi dhe  zhduknin bagëtitinë e  pasurinë e shqiptarëve të Kosovës. Ata ndiqnin politikën koklonialiste të tokës së djegur. Përballë kësaj forca armike shkatërruese u bënë barrikadë e flaktë populli kosovar, bijtë dhe bijat e tij trime. Në një nga këto përleshje të ashpëra, më 25 korrik 1998 ra heroikisht në betejën e Kallavait, në zonën e Junikut, Vezir Ademaj, kjo legjendë e dalë nga kulla e njohur e Ademjave në Sheremet.
Image
Vezir Ademaj duke i stervitur ushtarët e rinj
Vitet  tutje dhe Ti tëhuKoha rrjedh vrullshëm nëpërmjet ngjarjeve të mëdha dhe të përditëshme. Po ndodh edhe një dukuri tjetër madhore. Dëshmorët e kombit, Vezir Ademi vijnë gjithnjë e më afër nesh, vepra e tyre e shenjtë, vdekja për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, bëhet gjithnjë e më e çmuar dhe më e dashur. Kjo shfaqet në shkrimet e shumta, në fjalët e zemrës që shkruajnë njerëz të ndryshëm për studentin trim, për Vezir Ademin. Ata shkruajnë thjesht, por me sinqeritet ose më saktë transkriptojnë në letër ato që u thotë zemra dhe mendja, fjalë nderimi.
Gazetari dhe autor librash, Muhamet Mjeku, shkruan:
Shtati yt si shtizë flamuri
U skalit në monument përjetësie.
Në gjakun tënd Vezir Ademaj,
Mbinë lulëkuqet me erë lirie.
Ndërsa gazetari Sinan Kamberi në “Kangë për Vezir Ademajn” portretizon dëshmorin në betejën e fundi, ku bie edhe trimërisht, duke evokuar pavdekësinë:

Të lumtë pushka, o Vezir trimi,
T’knon martina si zog bylbyli!
Prej Glloganit e dej n’Koshare,
Jehojnë pushkët , o çlirimtare…
Dhe poemthi mbyllet me vargjet e pavdekësisë:
Për sa t’jenë Bjeshkët e Shkëlzenit
S’do t’harrohet -o, Vezir Ademi!

Plot emocione janë edhe vjershat e këngët e krijuara nga Shaqir Krasniqi, Hamit Kastrati, Tom Gjergji, etj. Në këto krijime do të veçoja baladën “yll lirie” në 180 vargje, shkruar nga Halil Buçpapaj në stilin e traditës dhe në monokolonë, në të cilën përsëritjet dhe epitetet i japin muzikalitet baladës. Ja një shembull:

“Jam shqiptar e bir shqiptari”
Qysh kur në jetë m’erdh i pari.
Shqip flet toka, shqip flet druri.
Shqip qyteti e shqip katuni.
Jam shqiptar prej njëqind shekuj.
Me të gjallë e me të vdekur.

Kem flamurin kuq e zi,
Atë flamur që vlon n’Shqipëri…
Image
Kulla e Ademajve ne Sheremetaj
Për dëshmorin e kombit Veiz Ademaj është shkruar dhe shkruhet jo vetëm në vargje, por edhe në artikuj, intervista, etj. pra siç thuhet edhe në prozë. Po permendim vetëm një prej tyre, artikullin e studiuesit Besim Muhadri, shkruar me rastin e 12-vjetorit të rënies së Vezir Ademit, me titull “Vezir Ademi – luftëtar i paepur i lirisë së atdheut. Në artikull trajtohen këto çështje: Kush ishte Vezir Ademi; dëshmor i kombit; Vezir Ademaj; kampion svicerian në kik-boks kërkon që të mbrojë ngjyrat e Flamurit shqiptar; fillimi i luftës në Kosovë – Veziri kthehet në luftëtar lirie; rënia për liri.
Ndërsa Ali Geci në një apostrof poetik gdhend bjeshkët e natyrës shqiptare:
Mbi ato kodra, brigje e shpatije,
Mbi ata lisa të gjatë, me shkëmbinj thepisun,
Mbi sogje pllaja e ujvare,
Mbi frangji  të kullave me pigmente të rralla,
mbi çati e pullaze të ndezur nga flaka…
Aty lartësohet monument i pavdekësisë së Vezir Ademaj.
Trimat, dëshmorët e lirisë së Atdhuet , i takojnë tërë kombit, pavarësisht se nga ç’fshat, qytet ose krahinë janë. Ata bëhen pjesë e ndërgjegjes kombëtare dhe kënga i përhap si valët e erës nëpër tokën arbërore.
Kështu ndodh edhe me dëshmorin Vezir Ademaj. Në ballkonin e kalasë së Gjirokastrës, aty ku mbahet çdo pesë vjet festivali kombëtar folklorik, një grup polifonik këndonte në një melodi epike:

O Vezir Ademi asllan,
e dhe Jetën për vatan,
Për vatan e për liri,
Për Kosovën bukuri!
Mbete gjallë në histori.
Jehona e e isos së kësaj kënge kapërceu malin e Gjerë, arriti në Tomor dhe u ngrit e u ngrit dhe arriti në Shkëlzen dhe në Bjeshkët e Alpeve. Andej kjo iso-jehonë hyri nga frëngjitë e Kullës së Ademjave në Sheremet, në odën e zjarrit. Aty e dëgjuan edhe Bacë Hyseni dhe nënë Merjemi. Ajo iu bashkua jehohës me dëshirë-urimin:
Hallall buka, hallall sisa,
Hallal t’u bëfshin të gjitha..!
E kjo iso-refren tashmë është dëgjuar në të gjithë Rrafshin e Dukagjini:
Për Kosovën bukuri,
Mbete gjallë në histori
!

Mendime për Dr. Selahedin Velaj




At Artur Liolin

Kancellar i Kryepeshkopatës Ortodokse Shqiptare në Amerikë dhe Famulltar i Kishës Shën Gjergji, Boston
Është me të vërtetë një kënaqësi e veçantë të shkruash për Dr. Selahedin Velaj.
Personalisht kam pasur fatin ta njoh nga afër Dr. Selahedinin dekada më parë në Nju Jork si miku i ngushtë i prindërve të mi, në atë kohë, kur bashkpunonin për lartësimin e emrit të Kombit Shqiptar në Sh.B.A. dhe në Perëndim.
Respekti i ndërsjelltë në marëdhëniet e tyre më treguan që në fillim vullnetin e mirë dhe meritën e bashkatdhetarëve për të punuar së bashku e për të realizuar gjëra me vlerë.
Mësimet e mara që në moshë të njomë më ushqyen gradualisht konceptin se lartësimi i një populli në gjirin e popujve të tjerë arrihet jo vetëm me fjalë dhe angazhime personale apo me luftime politike, por duke zbuluar rrugë të denja për realizimin e synimeve të përbashkëta.
Më vonë, marëdhëniet me Dr. Selahedin Velaj në Nju Jork, Boston, Washington, kishim privilegjin për të bashkëpunuar për qellime ekumenike në rrënjosjen e frymës vëllazërore midis feve tek bashkathetarët tanë, si dhe për qellime humanitare, në mbrojtjen e të drejtave të njeriut , sidomos në ato vende dhe shkaqe që lidhen me popullin tonë të shumëvuajtur shpesh herë nga keqkuptimi, mosnjohja dhe mënjanëzimi.
Në të gjitha rastet më bëjnë përshtypje sjelljet e tij diplomatike, se në thelb është njeri pa frikë, i drejtë dhe i fisëm, pozitiv dhe krenar.
Vepra dhe përpjekjet e shumanëshme të Dr. Selahedin Velaj-t për mirëkuptim njerëzor, kapërcejnë patriotizmin, sepse ndjenjat e tij burojnë nga zemra dhe nga principe aq sa te thella e të larta, intelektuale e njerëzore, emocionale dhe shpirtërore.
Sa herë Dr. Velaj hyn në ambiente bisede sjell me vete një pasion të gëzueshëm, një vendosmëri të rrallë që e karakterizon dashurinë e tij për cilindo.
Ajo vepër, që për të tjerët duket e pamundur, Dr. Velaj e sheh si sfidë për të fituar.
Dëshpërimin dhe zhgënjimin nuk e gjejmë në fjalorin e tij.
Si atdhetar, si bashkëkombës, si shok, si koleg, si këshilltar, nuk mund të gjejmë një individ me më shumë besnikëri dhe besueshmëri se sa e gjejmë tek Dr. Velaj.


        Dr. Anna Kohen, Nju Jork

Me Dr. Selahedin Velaj kam njohje të hershme, që nga viti i largët 1967 kur familja ime pasi u largua nga Shqipëria erdhi në Sh.B.A. Dhe ishte pikërisht, Dr. Velaj dhe Peter Ktona që i pritën familjen time në aeroport. Nuk i di arësyet t'i spjegoj, se si ata komunikuan bashkë me familjen time.
Në atë kohë, ishte hapur shkolla shqipe në Nju Jork dhe ishte pikërisht Dr. Selahedin Velaj që i thotë motrës sime, Aliqi Masri, për t'u regjistruar në atë shkollë.
Edhe pas ardhjes sime në Amerikë, ishte përsëri Dr. Selahedini, të cilit, babai im i kërkoi ndihmë që të më mundësonte për të gjetur ndonjë pune.
I papërtuar si gjithmonë, Dr. Velaj, erdhi në shtëpinë tonë në Brooklyn; ishte shumë i interesuar që të më ndihmonte. Pra që nga ajo kohë, ai ka qenë miku i familjes sonë tek babai dhe më vonë mik i familjes sime të re kur unë u martova, madje ka qenë i vetmi shqiptar i ftuar në dasmën time, kaq shumë ishte i respektuar nga familja jonë.
Dua të theksoj se edhe me krijimin e Organizatës së Gruas Shqiptaro-Amerikane "Motrat Qiriazi" Dr. Selahedini ishte ndër të paktët anëtarë të kësaj organizate, sepse të gjithë mendonin, meqenëse është organizatë e gruas dhe anëtarët duhet të jenë gra. Por ne kemi patur edhe anëtarë meshkuj.
Ka qenë një rast i vështirë, kur organizata jonë humbi fondet, Dr. Velaj e mori vetë përsipër për të ndihmuar organizatën. Nëpërmjet miqve dhe shokëve të tij, ai grumbulloi një shumë dollarësh, duke na i dhuruar ne si organizatë, me të cilat, ne kemi ndihmuar njerëz të tjerë të komunitetit për nevojat e tyre të ndryshme.
Dr. Selahedin Velaj nuk ka munguar, jo vetëm në aktivitetet tona, por edhe në të gjitha aktivitetet dhe tubimet e ndryshme që ka bërë komuniteti ynë.
Për kontributin e tij të madh edhe ne si organizatë e kemi nderuar Dr. Velaj-n me një pllakatë nderi.
Për mua personalisht që e njoh shumë mirë veprimtarinë dhe kontributin e tij që i ka dhënë komunitetit dhe çështjes shqiptare për vite e vite me radhë, për më shumë se gjysëm shekulli, e meriton të quhet Nderi i Komunitetit apo edhe Nderi i Kombit...


Ngrohtësia që na sjellin figura të tilla



Elmira Muja Gazetare, Nju Jork

Dinjiteti nuk konsiston në nderin që ne zotërojmë, por në vetëdijen që ne e meritojmë atë. ( Aristoteli )

Njerëzit që takojmë gjatë jetës sonë, janë njerëz që ne jemi të destinuar t’i takojmë.
Gjithkush vjen në jetën tonë për disa arsye ose një tjetër dhe ne nuk e dimë gjithmonë qëllimin e tyre deri vonë. Ata të gjithë luajnë një rol në jetën tonë.
Disa mund të qëndrojnë për tërë jetën, të tjerët për një kohë të shkurtër.
Njerëzit vijnë e shkojnë në jetë shumë shpejt, por nganjëherë ne jemi me fat kur takojmë një person të veçantë nga mësimet e të cilit mësojmë për jetën, madje diçka më shumë për veten tonë.
Nga shumë njerëz dhe figura të komunitetit shqiptar në USA që kam njohur, e ndjej të domosdoshme dhe një obligim që unë të bashkëbisedoj nëpërmjet këtij shkrimi me lexuesit për këtë figurë.
Dr.Selahedin Velaj, edhe pse vitet kanë rënduar mbi supet e tij, mosha nuk e ka lodhur aspak.
Asnjë rrugë nuk është e gjatë për atë që përparon ngadalë dhe nuk nxiton, dhe asnjë arritje nuk është përtej së arritshmes, për atë që përgatit veten për ta arritur atë .
Realiteti ka formuar tek Dr.Velaj, portretin e njeriut tek i cili janë mishëruar ndershmëria, dinjiteti, bujaria dhe fisnikëria.
Ndershmëria është pasuria e rrallë që dikush mund të zotërojë. Ndershmëria në optikën e tij është kapitulli i parë në librin e diturisë.
Vendi i njeriut nuk është toka, malet, lumenjtë dhe pyjet, por është një parim dhe patriotizmi është besnik i këtij parimi.
Atdhedashuria dhe patriotizmi e kanë ndjekur Dr.Velaj në çdo hap të jetës. E kaluara e tij, ashtu si e shumë shqiptarëve të tjerë ka një histori të vetme. Ajo fillon atje, në Vlorën heroike që ende rri në mendjen e tij, në vitet djaloshare që ëndërronin një Shqipëri të pavarur, etnike dhe pa komunistë.
Zemra e tij gjithmonë ka qenë atje, në djepin e përkundjeve të para.
Dashuria e tij, është ende atje ku ka kaluar fëmijërinë dhe një pjesë të rinisë, atje ku prindërit kanë shpenzuar mundin dhe besimin, shpresën dhe nderin e tyre.
Ai e ka konsideruar se Atdheu nuk është e vetmja gjë për të cilin i ka borxh besnikërinë, është një borxh edhe ndaj drejtësisë dhe njerëzimit.
Patriotizmi nuk konsiston në mbajtjen e flamurit, por në përpjekje që Atdheu të jetë në rrugë të drejtë dhe i fuqishëm.
Lëvizjet e tij në qarqet diplomatike, takime me figura të njohura të poltikës, tregojnë punën e palodhur të Dr.Velaj për çështjen kombëtare.
Tek Dr.Velaj shohim figurën e prindit shembullor. Familja është vendi ku parimet hartohen dhe rrihen në kudhrën e jetës së përditëshme. Ai ka qënë modeli i prindit në jetën e fëmijëve çdo ditë, për të qene nesër dhe përgjithmonë në kujtimet e tyre.
Njohës i tri gjuhëve dhe zotërimi i tyre tregon ngritjen e tij intelektuale dhe kulturore. Përkthimet, nga gjuha angleze, italiane dhe spanjolle, mbeten të pazevendësueshme për lexuesin shqiptar.
Në udhërrëfimin e tij Dr.Velaj është drejtuar nga mendimi se synimet mund të arrihen vetëm nëpërmjet një plani, në të cilin duhet të besojmë me gjithë shpirt, dhe mbi të cilën duhet të veprojmë fuqishëm. Nuk ka asnjë rrugë tjetër për tek suksesi.
Shumica e njerëzve nuk arrijnë qëllimet e tyre, sepse ata nuk i përcaktojnë ato, ose ndonjëherë nuk i konsiderojnë seriozisht ato si të besueshme apo të arritshme.
Në jetën e tij rregulli dhe disiplina kanë vendosur urën ndërmjet qëllimit dhe arritjes.
Në biografinë e tij, që nga ditët e fëmijërisë deri në ditët e sotme, lexojmë dhe mësojmë se jeta është një udhëtim i mbushur me mësime, vështirësi, marra-mendje, gëzime, festime dhe momente të veçanta të cilat përfundimisht të çojnë në destinacion, qëllimin në jetë, se rruga nuk është gjithmonë e qetë, ajo mbart në vete sfida që kërkon mjaft sakrifica, se mundësitë më të mira në jetë janë ato që ne krijojmë.
Sfidat dhe sakrificat kanë testuar guximin e Dr.Velaj, pikat e forta, dobësitë dhe besimin, me të cilat ka përballuar shumë situata të mbushura me plot gëzime dhe dhimbje.
Koha, kurrë nuk nga ngelur pas për Dr.Velaj, gjë që ka bërë të mundur, që kurrë të mos humbasë gjërat e mahnitshme që jeta i ka ofruar.
Ai kurrë nuk ka kthyer kokën prapa, por vetëm ka mësuar nga e kaluara dhe nga eksperienca e fituar ka ditur si të lëvizë përpara, duke u bërë kështu më i fortë, më i fuqishëm.
Kujtimet janë thesare tepër të çmuara që i mban gjallë në shpirt. Nëpërmjet tyre Dr.Velaj sjell nga afër botën që e ka rrethuar në çdo hap.
Nga rrëfimet e tij shohim brenda vetes dhe mësojmë se kush jemi ne që përballë nesh gjejmë një person që e kemi ditur se kurrë nuk ka ekzistuar.
Sytë tanë ndeshin realitetin e një bote, ku koha është aq e çmuar me momente që nuk zgjasin shumë.
Natyra e mirë e njeriut vlen më shumë se dija, më shumë se paratë, më shumë se nderi, që ata zotërojnë.


Albana Lifschin Shkrimtare, Nju Jork

Jetojmë në një kohë të çuditshme kur sheh rreth e rrotull njerëz që kujdesen shumë për "imazhin” e tyre" publik, vetëlëvdohen, vetëkurorëzohen, u bien borive që t’i dëgjojnë të tjerët, i japin vetes të drejtën e "udhëheqësit", intelektualit të “shquar” , e shkelin tokën duke bërë zhurmë.
Në anën krahun tjetër qëndron një pakicë njerëzish të heshtur, modestë, fisnikë, që jetojnë me pulsin dhe hallet e komunitetit, janë të vëmendshëm ndaj tij dhe kontribuojnë shpirtërisht e madje edhe materialisht kur e do puna, pa lëshuar fishekzjarre në qiell.
Në ballë të këtyre personaliteteve të respektuara për kontributin dhe modestinë e tyre, do të dalloja Dr. Selahedin Velaj.
Dr. Selahedinin e kam njohur nëpërmjet gazetës së komunitetit, “ILLYRIA”, me të cilën bashkëpunoj tashmë prej 20 vjetësh .
Më ka ndodhur disa herë që pas ndonjë shkrimi, të kem marrë letër prej Dr. Selahedinit. Më bënte përshtypje ky fakt, pasi personalisht, nuk kisha patur rast të njihesha më parë me të.
Por nuk do të kisha vlerësuar më shumë komplimentet e një miku apo mikeshe për shkrimet e mia, se sa korespondencën me Dr. Selahedin Velaj.
Nga letrat e tij mësova që ai jo vetëm e ndiqte krijimtarinë time,( do nënkuptoja këtu edhe të kolegëve të mi të penës) por letrat në vetvete ishin shkëmbim mendimesh për një temë të caktuar, apo për një problem të caktuar, ishin shprehje direkte e interesimit të tij intelektual dhe patriotik në disa sfera.
Letrat e Dr. Selahedinit më kanë përcjellë imazhin e një intelektuali të preokupuar realisht për komunitetin shqiptar të Nju Jorkut, në përgjithësi dhe për emigrantët e rinj që hynin në këtë komunitet, në veçanti.
Por jo vetem kaq. Edhe pse mbi 60 vjet i larguar nga mëmëdheu, ai vazhdon të mendojë e merakoset për të. Në një nga letrat e tij, shprehte shqetësimin për pastërtinë e gjuhës shqipe në kohën e sotme, kujdesit që duhet të bëjë kushdo që shkruan për evitimin e fjalëve të huaja që kanë 'sulmuar’shqipen, duke e pretenduar përdorimin e tyre si 'kulturë'.
Vitin që shkoi , kur u ktheva nga pushimet në atdhe, gjeta një letër të Dr.Velajt, e cila merrte shkas nga një shkrim i imi tek ILIRIA për një konceptim të drejtë të Kanunit të Lek Dukagjinit në përgjithësi dhe për gjakmarrjen në veçanti , shkrim të cilin ia pata dërguar gazetës që nga Tirana.
Në atë letër të gjatë, Dr.Selahedini ndante pikpamjet e tij të përbashkëta mbi këtë temë dhe përmendte veprën e Yamamotos,’si libri më i mirë që ka dalë në diasporë, këto 20 vitet e fundit’.
Për dekada të tëra jete në komunitetin shqiptar të Nju Jorkut, me gjithë kontributin e tij të madh e të vazhdueshëm, puna e Dr. Velaj-t nuk rresht.
Edhe pas goditjes më të rëndë që mund të pësojë një prind, siç është humbja e fëmijës, Dr. Selahedin Velaj vazhdon të qëndrojë po ai sy i vëmendshëm dhe po ajo zemër bujare, si një nga baballarët e komunitetit.
Angazhimi intelektual, si autor, studiues e përkthyes, ndërthuret me atë prindëror, gjë që do ta theksonin edhe më mirë veçanërisht ata emigrantë që kanë ndjerë nga afër ngrohtësinë shpirtërore, por edhe atë materiale të Dr.Selahedinit për t’i ndihmuar e aftësuar ata për të nisur një jetë të re e të pavarur në Amerikë.



Gjekë Gjonlekaj Publiçist, ish korrespodent i Zërit të Amerikës

Mёrgata shqiptare e pas Luftёs sё Dytё Botёrore ishte shume politike por edhe patriotike. Shumica nuk jetojnё mё.
Ata u larguan nga Shqipёria nё rrethana tepёr tragjike. Kishin njё parandjenjё se Shqipёrinё po e mbulonte terri i Diktaturёs Bolshevike.
Disa djem shqiptarё iu bashkangjitёn mёrgatёs antikomuniste dhe u vendosёn nё Shtetet e Bashkuara dhe menjёherё filluan aktivitetet e tyre kombёtare e shoqёrore.
Edhe disa prej nesh qё emigruam pak mё vonё iu bashkuam asaj mёrgate. U gjetёm pranё tyre nё festa kombёtare, nё kuvende tё ndryshme dhe nё gёzime e hidhёrime.
Shumica e mёrgimtarёve tё pas Luftës së Dytë Botërore, kishin lindur dhe ishin edukuar nё familje fisnike tё Shqipёrisё.
Kёshtu filloi shoqёrimi im me Zotin Selahedin Velaj.
U njohёm pёr herё tё parё nё Kuvendin e “Vatrёs” nё Boston nё vjeshtёn e vitit 1976. U gёzua shumё kur i tregova se kisha lidhje familjare me ish editorin e “Diellit” Dr.Athanas Gegaj dhe aktivistin Prenkё Grudёn,i cili merrte pjesё nё atё kuvend.
Selahedin Velaj ishte njё personalitet impozant. Merrte pjesё aktive nё demonstrata pёr lirinё e Kosovёs. Ishte antikomunsit i vendosur,sepse kjo familje e kishte pёsuar rёndё nga Diktatura Staliniste e Shqipёrisё .
Menjёherё pas Luftës së Dytë Botërore vёllai i tij Hulusi Velaj u dёnua me vdekje nga regjimi komunist. Ndёrsa vёllai tjetёr Petrit Velaj u dёnuar pothuajse me burgim tё pёrjetshёm.
Petrit Velaj qёndroi nё burgjet komuniste tё Shqipёrisё 37 vjetë.
Pikёpamjet antikomuniste tё Zotit Selahedin Velaj ishin absolute dhe nuk u lёkund asnjёherё siç ndodhi me disa shqiptarё tё tjerё.
Zoti Velaj nuk kishte paragjykime krahinore ose fetare. Ishte bujar.
Ai ishte specialist nё profesionin e tij. Nё kёtё fushё ishte njё ndёr shqiptarёt mё tё suksesshёm nё Amerikё. Kishte krijuar njё rrjet tё gjerё bashkёpunimi me ndёrmarrjet mё tё mёdha tё vendit. Ishte shumё i nderuar nё rrethet e tij shoqёrore amerikane dhe shqiptare. Ai i ndihmonte klientёt e tij.
Ishte gati pёr kontribute gjatё fushatave tё ndryshme, sidomos pёr demokratizimin e Shqipёrisё dhe lirinё e Kosovёs.
Ndihmoi shumё shqiptarё nё Amerikё para dhe pas rёnijes sё diktaturёs. Mbante fjalime dhe botonte shkrime nё shtypin shqiptar. U tregua shumё i kujdesshёm pёr arsimimin e djemve tё tij, Drinit dhe Lekёs.
Vdekja e parakohshme e Drinit e goditi rёndё nё moshёn e tij tё thyer. Por edhe kёtё tragjedi tё madhe familjare e kapёrceu nё mёnyrё dinjitoze.
Zoti Selahedin Velaj bёn pjesё nё plejadёn e atdhetarёve shqiptarё mё tё njohur tё Amerikёs.
Unё personalisht dhe e gjithё familja Gjonlekaj ruajmё kujtime tё bukura nga bashkёpunimi me Zotin Velaj.
E kujtojmё me dashuri e respekt kёtё patriot tё madh shqiptar tё Amerikёs. Dhe me rastin e 100-vjetorit tё Pavarsisё sё Shqipёrisё, Dr.Selahedin Velaj meriton nderime tё larta nga shteti dhe populli shqiptar.


Magjistër Sali Aliçkaj, Nju Jork

Për herë të parë Dr. Selahedin Velaj e kam njohur në tetor të vitit 1992, kur kemi bashkëpunuar për hapjen e Shkollës Shqipe në Nju Jork.
Ai ishte njëri nga anëtarët e kryesisë së këshillit të arsimtarëve.
Bashkë me Dr. Velaj-n edhe një grup tjetër shokësh, u bë e mundur për hapjen edhe të tri shkollave të tjera shqipe; një në Bronx, një në Staten Island dhe një në Brooklyn.
Dr. Selahedin Velaj ishte gjithnjë aktiv dhe ndihmoi në organizimin dhe themelimin e atyre 3 shkollave.
Nga viti 1997 gjendja e shqiptarëve erdhi duke u përkeqësuar, pothuajse në të gjitha trojet shqiptare; veçanërisht në Kosovë, gjendja ishte dramatike.
Dr. Velaj vazhdimisht angazhohej për ta ndihmuar çështjen kombëtare në përgjithësi. Kontribuoi në forma të ndryshme duke biseduar me kongresmenë dhe senatorë amerikanë dhe duke atribuar gjithashtu me sinqeritet për gjendjen në Kosovë dhe, në këtë drejtim, ka patur sukses.
Çështjen kombëtare, Dr. Selahedin Velaj e ka ndihmuar edhe me kontributin e vet edhe materialisht, duke u dërguar ndihma në të holla njerëzve të varfër ekonomikisht, të sëmurë dhe u interesua për shumë shqiptarë emigrantë për t'i punësuar.
Dr. Velaj, nuk kursen asgjë për të ndihmuar pjesëtarët e komunitetit të vet.
Gjithë jetën e tij ka qenë bashkë me popullin e vet dhe është dalluar për patriotizmin e tij, njeri humanitar që disponon virtytet e larta njerëzore.
Dr. Velaj është i sinqertë dhe me këtë veti të tij i pëprvetëson bashkatdhetarët e tij, të cilët e kanë çmuar dhe vlerësuar si të tillë.
Për të gjitha meritat e tij të larta atdhetare, humanitare... Dr. Selahedin Velaj e meriton të quhet Nderi i Komunitetit, pse jo edhe Nderi i Kombit Shqiptar.


Dr. Gani Çelaj Nju Jork

Dr. Selahedin Velaj-n e njoh që nga viti 1986 nëpërmjet intelektualit, të ndjerit Mal Mustafaj.
Në atë kohë, unë erdha si turist. E takova mikun tim Mal dhe u interesova të dija për çështjen shqiptare në Sh.B.A., veçanërisht në Nju Jork.
Zoti Mal, duke më folur edhe për disa bashkatdhetarë të tjerë të nderuar që kanë punuar për çështjen shqiptare më foli edhe për Dr. Selahedin Velaj, i cili m'a krahasoi me figurat e ndritura të Kombit tonë, Noli, Konica.
Që nga ajo ditë, kisha një nxitje në vetvete ta njihja atë njeri për të cilin më foli miku im, pra të njihja Dr. Selahedin Velaj.
Rasti i mirë m'u dha në vitin 1992 me rastin e hapjes së shkollës shqipe në Bronx, ku unë, bashkë me disa intelektualë të tjerë filluam punën.
Vazhdimisht kishim përkrahjen e Dr. Selahedin Velaj-t.
Meqenëse kishte përvojë më parë nga shkollat shqipe të hapura vite më parë, ç'do ditë Dr. Velaj ishte prezent në shkollë. Na jepte mendime dhe sugjerime për punën me nxënësit për vetë faktin se ata, nxënësit shkonin në shkollë në gjuhën angleze.
Gjithmonë për çështjen kombëtare Dr. Velaj ka qenë i kudogjendur dhe i palodhur.
Dr. Velaj, ka qenë përherë sofër e shtruar për të gjithë shqiptarët ngado që vinin nga të gjitha viset shqiptare.
Edhe pse ishte në moshë të thyer, ai angazhoi të gjithë pjesëtarët e famijes së tij për të ndihmuar shqiptarët këtu në Sh.B.A. dhe për të dërguar ndihma në viset shqiptare kudo janë.
Unë personalisht, kam qenë përherë në kontakt me të dhe e kam parë interesimin e tij në ç'do kohë duke u interesuar për shqiptarët që vinin në Sh.B.A. që, sigurisht, kanë qenë pa përkrahje dhe pa mjete materiale.
Vazhdimisht ka qenë i interesuar për të punësuar shqiptarët. Gjithashtu Dr. Velaj, ka qenë shumë i interesuar për shkollimin e të rinjve.
Duke e parë edhe gjendjen e vështirë ekonomike të sapoardhurve, Dr. Velaj i ka ndihmuar edhe materialisht, duke ua blerë vetë librat dhe mjetet e tjera mësimore.
Dr. Selahedin Velaj ka dhënë një ndihmë të madhe për Shoqatën Panshqiptare VATRA dhe për gazetën DIELLI, madje edhe në rastet më kritike i ka ndihmuar materialisht. Gjithashtu ai ka ofruar shumë intelektualë për t'u anëtarësuar në Shoqatën Vatra.
E meriton të quhet Nderi i Komunitetit, madje edhe më tepër...


Prof. Sali Bollati

Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës Çamëria, Sh.B.A.

Shumë rrallë mund të njihesh me njerëz të vërtetë që edhe mbas 5o vjetë ndarje nga atdheu të qendrojnë me mëndje dhe zemër gjithmonë pranë tij.
Zotnia shumë i nderuar, Dr.Selahedin Velaj, jo vetëm nga gjuha shumë e pastër shqipe që flet dhe shkruan, por edhe nga veprimtaria e tij e pandërprerë atdhetare, të ngjall një respekt të madh me menyrat se si përpiqet të promovojë dhe t'i përhapi nëpër botë, ato pjesë të çmuara karakteristike shqiptare.
Deri në Japoni, Dr.Velaj ka gjetur kohë dhe miq-profesora universiteti për të bërë të njohur traditat tona.
Dr.Velaj, megjithë moshën e tij, është gjithmonë i ri, jo vetëm me pjesëmarjen por edhe angazhimin e plotë të tij në organizimin e takimeve me intelektualë të nderuar të Diasporës nga të gjitha trojet etnike shqiptare.
Dr.Velaj është gjithmonë i preoekupuar për mbarëvajtjen e shqiptarizmës, që prej Preveze m'Leqet të Hotit, siç ka shkruajtur At Gjergj Fishta .
Kur e kam parë me kostum kombëtar duke prezantuar Kanunin në Japoni, m'u duk si i madhi F.Konica, që e mbante gjithmonë me krenari të qenuritt shqiptar.
I uroj përzemërsisht shëndet, gëzime në familje dhe sukses në vazhdimësinë e të qenurit Nderi i Shqiptarizmës!



Dr. Namik Shehu

Sekretar shkenor i Akademisë Shqiptaro-Amerikane të Shkencave dhe Arteve

Intelektuali i respektuar dhe atdhetari i nderuar , Dr. Selahedin Velaj, përfaqëson me dinjitet, në mënyrë të admirueshme dhe mjaft të ndershme figurën e shquar të personalitetit të njeriut të kulturuar, patriot i flakët , shkrimtar, poliglot, shkencëtar, propagandist, aktivist i flakët i çështjes shqiptare dhe mendimtar i përsosur i Diasporës Shqiptaro-Amerikane dhe më gjerë.
Ai njihet si një emigrant i hershëm politikë i ardhur në Sh.B.A, fillimisht nga Europa dhe Kanadaja dhe mori pjesë aktivisht në demostratat të ndryshme të organizuara për mbrojtjen e çështjes shqiptare dhe të pavarësisë së Kosovës;


Prof. Dr. Agron Fico

Nën-Kryetar i Akademisë Shqiptaro-Amerikane të Shkencave dhe Arteve

I lindur në Vlorën historike dhe me bukuri të pamasë, me Adriatikun përballë, Dr. Selahedin Velaj do të rritej dhe formohej me tipare burrërore dhe pamje fisnike.
Vlora ka një natyrë të mrekullueshme, ku rriten plantacionet e limonëve dhe portokalleve, ullinjve e shumë pemë të tjera.
Në këtë mjedis shumë piktoresk, ku ushtojnë betejat luftarake dhe përshkëndijnë shpatat e trimave që ndeshen me bajlozët e zinj pushtues, do të nanuriset edhe i riu Selahedin Velaj.
Vlora dhe rrethinat e saj janë të njohura në historinë tonë kombëtare, kanë qenë vatra të ndezura për liri kundër pushtuesve turq.
Kryengritjet e njohura të vitit 1847 kundër Tanzimatit (reforma centralizuese) shtratin e patën në krahinën e Vlorës.
Ngjarjet, faktet dhe këngët e shumta i vulosin këto bëma trimërore.
Aty dolën Gjon Leka,Tafil Buzi, Hodo Nivica, Rrapo Hekali, etj. që ndrisin në faqet e historisë shqiptare.
Vlora u bë vendlindja dhe tribuna e Pavarësisë. Aty shtetari i madh, diplomati vlonjat Ismail Qemali ngriti më 28 nëntor 1912 Flamurin kombëtar.
Vlora ka qenë, është dhe do të nderohet si qyteti historik i Pavarësisë.
Një faqe e ndritur e Vlorës është lufta e qershorit 1920 kundër pushtuesve italianë, të cilët trimat vlonjatë i hodhën në det, andaj nga kishin ardhur.
Me armë e priti Vlora, si gjithë Shqipëria, pushtuesin fashist më 7 prill 1939.
Shqipëria u çlirua, por u vendos një regjim antidemokratik dhe antipopullor.
Këto rrethana historiko-politike e detyruan edhe Selahedin Velajn të largohej nga Vlora, duke ruajtur e mbartur me vete dashurinë e prushtë për familjen dhe popullin e tij.
Në rrugën e vështirë të emigracionit ai vazhdoi traditat atdhetare për të përmbysur atë regjim që e detyroi të braktiste vatrën familjare.
Në Amerikë ai, si gjithë shqiptarët, gjeti mundësi të mëdha pune dhe veprimtarie.
Zoti Selahedin Velaj shquhet si nismëtar i mjaft veprimtarive atdhetare, si donator për çështjen kombëtare, për luftën e shqiptarëve të Kosovës kundër pushtuesve serbë.
Dr. Velaj dëshmoi dashuri për kulturën shqiptare duke ndihmuar dhe bashkëpunuar me dijetarin japonez, Prof. Dr. Kazuhiko Yamamoto, i cili i kushtoi Kanunit shqiptar të Lekë Dukagjinit studime të veçanta dhe serioze.
Vetë Dr. Velaj, i veshur me kostum kombëtar, shkoi në Japoni dhe ngriti Flamurin Shqiptar.
Dr. Velaj shquhet për karakterin e fortë, për dinjitetin njerëzor, për ndershmërinë dhe frymën miqësore.
Edhe në humbjen e dhimbshme të të birit, ai manifestoi virtyte të larta burrërore dhe shqiptare, duke fituar nderimin dhe përkrahjen e dhjetëra e dhjetëra miqve shqiptarë dhe amerikanë.
Është kënaqësi intelektuale të takohesh dhe të bisedosh me Dr. Selahedin Velajn, që shquhet për fjalën e mençur dhe realiste, për humorin e këndshëm dhe për respektin civilizues.
Dr. Selahedin Velaj është legjenda e gjallë vlonjate në gjirin e bashkësisë shqiptare në Amerikë, e cila e do, e nderon dhe i uron shëndet, jetë të gjatë dhe të mbarë.


Muhamet Mjeku Publiçist, Nju Jork

Dr. Selahedin Velaj-n e njoha në vitin 1991, atëherë kur filloi botimi i gazetës shqiptaro-amerikane ILLYRIA në New York.
Pak kohë pas daljes së numrave të parë të asaj gazete, ai erdhi për vizitë në redaksi. Nga qëndrimi i tij i dinjitetshëm, përdorimi i fjalëve dhe shprehjeve të zgjedhura, më bëri përshtypje të një burri me kulturë të lartë të shqiptarëve që, në mes të dy luftrave botërore, kishin mbaruar universitetin në Vjenë.
Në një bisedë të shkurtër Dr. Velaj shfaqi një ineresim të jashtëzakonshëm për prezantimin në gazetë të kulturës shqiptare në SHBA.
Duke u nisur nga interesimi im për këtë intelektual, Dr. Velaj më tregoi historinë e familjes dhe përplasjet e tij, pas braktisjes së dhunshme të Shqipërisë në vitin 1945.
I entuziazmuar për punën që bëhej brenda stafit të kësaj gazeta, në një kohë kur Kosova ndodhej në një situatë tejet dramatike dhe Shqipëria para demokratizimit, pas një regjimi të gjatë diktatorial, zoti Velaj shprehi një gadishmëri për të bashkëpunuar me gazetën Illyria.
Nga kjo bisedë me zotin Velaj, vërejta një përmallim të tij për Shqipërinë, të cilën nuk e kishte parë me dekada të tëra.
Në përfundim të asaj vizite, ky burrë i gjatë, me pamje prestigjioze dhe kulturë, sipas përshtypjeve të para të mia, më tha: " Duhet të punojmë shumë, kudo që ndodhemi, për çështjen kombëtare se përballë kemi dy armiq të egërr e të padinjitetshëm: serbët dhe grekët".
Nga ai takim, para njëzet vjetësh, e deri më sot, Dr. Velaj-n e bëra mik të madh dhe, ç'ka dua të them, e admiroj për energjinë, invencionin, guximin dhe dashurinë që shpreh ndaj atdheut dhe kombit.
Pak vjet pas përfundimit të luftës, me zotin Velaj kam qenë në Kosovë dhe në takim me njerëz të penës dhe politikës la një përshtypje të jashtëzakonshme. Edhe sot kur shkoj atje, më pyesin për të.
Dr.Velaj është një intelektual i rrallë i komunitetit tonë shqiptaro-amerikan që ka ndërmarrë aksione të shumta për çështjen e Shqipërisë dhe Kosovës.
Asnjëherë, në asnjë moment, s' ka pushuar për ta ngritur problemin shqiptar në Washington dhe në qarqe të tjera. Më thoshte: "Ne duhet ta bëjmë punën tonë, para grekëve dhe serbëve".
Ky burrë fisnik me ndjenjë të thellë atdhetare, bëri çdo gjë që ishte e mundur edhe për ruajtjen e vlerave të kulturës shqiptare: ruajtjen e gjuhës shqipe, të traditave dhe zakoneve ndër bashkëkombasët tanë.
Dr. Velaj, duke pasur karakter human- ka ndihmuar familje, individë, institucione, shumë intelektualë të ardhur nga Shqipëria dhe Kosova dhe me këtë ka treguar
shpirtmadhësinë e tij prej personaliteti të admiruar.
Kam qenë me fat që e njoha dhe u bëra mik i tij.


Sulltana Begeja

Është në nderin tim të shkruaj për doktorin e nderuar, akademikun, njeriun me vlera të rralla atdhetare, të urtin, të palodhurin, Selahedin Velaj.
Unë Dr. Selahedinin e njoh shumë vite të shkuara, që kur ishim të rinj, në Vlorë. Bashkë kemi qenë në shkollën fillore.
Ai vjen nga një familje e njohur dhe e respektuar vlonjate.
Në Vlorë, Dr. Velaj kreu shkollën tregëtare. Që nga ajo kohë, e mbaj mend atë njeri të zgjuar, i etur për të mësuar dhe për të lexuar, i dashur me të gjithë njerëzit...
Edhe pasi erdhi këtu në Sh.B.A. përveç punëve të shumta që kishte dhe preokupimeve familjare, Dr. Selahedin Velaj gjithmonë ishte i etur për shkollim dhe ia ariti asaj që donte të bënte.
Dr. Selahein Velaj ka meritën e madhe, sepse ai kurrë nuk heshti për gjërat më të rëndësishme të Kombit tonë.
Kishte një mall, një dashuri për Shqipërinë, për Vlorën, për të gjithë njerëzit.
Me iniciativën dhe ndihmën e tij, janë hapur shkollat shqipe në Nju Jork,
Kam një jetë të tërë që e njoh Dr. Selahedinin. Edhe pse vitet ikin, jeta ndryshon dhe mosha bën të vetën, në mendjen dhe kujtesën time mbetet po ai Selahedin, i urti, atdhetari i zjarrtë që nuk pushoi asnjeherë për shqetësimet dhe hallet e popullit të tij. Energjik nëpër demostratat dhe tubimet e ndryshme për mbrojtjen e çështjes shqiptare.
I uroj ditë të bardha në jetën e tij.
Selahedin Velaj është nder për të gjithë neve, nderi i komunitetit tonë...


Beqir Sina Gazetar, publiçist, Bensonhurst, Brooklyn, New York

Dr Selahedin Velaj, intelektuali vlonjat, patriot e atdhetar, veprimtar i shquar në më shumë se pesë dekada në Diasporë.
Kur bie fjala të flasësh për dikë në diasporë, sidomos ai që është pjesë e diasporës së vjetër, asaj diaspore që luajti rolin e shtetit shqiptar në Amerikë gjatë periudhës kur vendi ynë ishte i sunduar nga diktatura komuniste, i izoluar totalisht nga bota e jashtme, duhet të dish mirë:" Se kush është ky person, nga vjen ky njeri, ç'farë prejardhje ka, pse është arratisur dhe si është arratisur, cili ka qënë kontributi i tij në diasporë për çështjen kombëtare dhe çfarë reputacioni ka ai në komunitet"
Dr Selahedin Velaj-n, si mbiemër e kam njohur qysh në interrnim, vendi ku unë u linda dhe u rrita. Mbasi edhe disa nga anëtarët të familjes Velaj - kaluan me xhaxhain tim edhe ata kalvarin e stërmundimeve të rregjimit të Hoxhës, në burgjet e tmerrshme të diktaturës.
Vëllai i tij Petrit Velaj u arrestua vetëm e vetëm se kishte "një faj - ishte anëtari një familje të njohur patriote dhe fisnike nga Vlora" e futën pa gjyq në burg dhe e mbajtën rreth 37- vjet, dhe qëndroi në një birucë me xhaxhain tim - Musa Sina.
Kur erdha në Amerikë kur në Shqipëri ndodhën ndryshimet e mëdha, m'u dha rasti të lexoj dhe të më tregojnë shumë për Dr. Velaj-n si i thërrasin miqtë, shokët dhe kolegët e tij. Mirëpo m'u dha rasti t'a takoj dhe t'a njohë personalisht. Pesëmbëdhjetë vjet si gazetar i njërës prej gazetave më të mëdha shqiptare në Diasporë, pata rastin t'a ndjek nga afër në çdo aktivitet në dobi të çështjeve kombëtare, ku Dr. Velaj nuk mungonte asnjëherë.
Madje disa herë vetë Dr. Velaj do të ishte organizatori dhe udhëheqës i disa veprimtarive që kanë lënë gjurmë në komunitet. Ai udhëhoqi si kryetar lidershipi i emblemës "Kryetari i të tre besimeve fetare" çka simbolizonte edhe këtu në mërgim atë lidhjen e fortë dhe bashkjetësën e veçantë në botë që kanë besimet fetare tek shqiptarët.
Dr Selahedin Velaj-n, e dallon jo vetëm sensi intelektual e patriot i shquar në Komunitetin Shqiptar të Amerikës, por ai është edhe autor i disa librave dhe përkthimeve.
Dr Velaj është dalluar në përkthimin dhe sponsorizmin e librit të Prof. Dr. Kazuhiko Yamamoto, me titull: "Struktura Etike e Kanunit dhe Nënkuptimet e saj Kulturore". Libri ka rreth 290 faqe dhe është i shkruar në dy gjuhët - anglisht dhe shqip. Libri u përkthye dhe u përgatit për botim, nga Dr Selahedin A. Velaj, nga një shtëpi botuese amerikane me redaktor Prof. Dr Tomorr Plangarica dhe me kopertinë e faqosje të firmës"Melosi Desing".
Në një artikull të shkruar për promovimin e këtij libri, kam shkruar në gazetën Bota Sot: "Meqenëse këto lloj aktivitetesh kanë marrë një rritje të madhe në bashkësinë shqiptare, në SHBA-s, atëhere lexuesi, vet-natyrëshëm është i interesuar të dijë edhe diçka më shumë; se kush është autori ose kush është figura e librit, e cila, ka nxitur ose frymëzuar autorin të shkruaj ose përkthyesin e përgatitësin e tij ?
Lexuesi, me këtë rast patjetër kërkon të dijë, se cila, është jeta e tij në mërgim, por edhe andej nga ka ardhur.
Ç'trashëgimni i ka lënë vepra dhe jeta e tij në diasporë, atë të shqiptarëve në trojet e tyre etnike, të andej e këtej kufirit shqiptaro-shqiptarë ?
Pra, më thjesht, mendoj se duhet thënë me këtë rastë se, ai është Dr Selahedin Velaj, që nga vitit 1945 jeton e punon në SHBA.
Dr. Velaj me arratisjen, la në Shqipëri familjen e tij që i ra mbi kurriz për më se gjysëm shekulli, saga e vujtjeve të mëdha, të shkaktuara ato prej rregjimit komunist, enverian.
Vëllai i tij Petrit Velaj e futën pa gjyq në burg dhe e mbajtën rreth 37- vjet, vetëm e vetëm se nuk pajtohej kurrë me rregjimin enverian.
Vëllai më i madh i tij Hulusi, i cili, në atë kohë ishte nëndrejtor i Bankës Kombëtare në Vlorë, u akuzua nga ai rregjim si bashkëpuntor ose kolaboratorist me amerikanët dhe, për këtë akuzë, u pushkatua në moshën e 38- vjeçare.
E gjithë familja, u internua dhe u persekutua në kampet famëkeqe të rregjimit enverian.
Ndërkohë, nuk do t'a harrojë kurrë djalin e tij, i cili vdiq aksidentalisht në moshën e tij më të bukur, i ndjeri Drini Velaj, që, megjithëse i lindur e i rritur në Amerikë, fliste shqip, fliste me aq dashuri për Shqipërinë dhe krenari për familjen e tij dhe babain e tij Dr Velaj. "Është një kënaqësi e madhe, që të flasë sot, për baban tim, tha ai, në një aktivitet që organizohej në Komunitetin tonë në Nju Jork, i cili, është njëri prej atyre shqiptarëve, që shumë vjet më parë mori rrugën e stërmundimëshme, në kohën e "borës së madhe" atje. Babi im, tha i ndjeri Drini, në botën e lirë, j'u përkushtua me shumë punë, pergjegjësi e nderëshmëri, familjes, e kombit të tij.


Gani Përrolli New Jersey

Doktorin e nderuar Selahedin Velaj e njoh si një burrë me dinjitet, të urtë dhe të sjellshëm.
Dr. Velaj është një njeri me ndjenja të shëndosha kombëtare që ka guximin të shprehë dhe të mbrojë të drejtat legjitime të kombit tonë, që janë: E drejta e bashkimit të trojeve shqiptare dhe të popullit shqiptar në një shtet të përbashkët.
Unë, bashkë me Dr. Selahedin Velaj, kemi marrë pjesë në delegacionin e organizuar nga shoqata VATRA për kthimin në vendlindje të eshtrave të Faik Konicës, sipas amanetit të tij.
Në atë ceremoni madhështore që u organizua në Tiranë më 2 maj, 1995, ku, përveç delegacionit tonë, morën pjesë të gjithë intelektualët dhe qeveritarët e vendit dhe një shumicë e madhe e banorëve të kryeqytetit, Tiranë, ku presidenti i asaj kohe, zoti Sali Berisha, në fjalën e tij, e përmblodhi atë ngjarje të rëndësishme me këto fjalë: "Konicën në atdhe nuk e solli vdekja, por pavdekësia".
Këtu në Diasporën Shqiptare të Amerikës, Dr. Selahedini gjatë gjithë jetës së tij është treguar burrë me virtyte dhe njeri i traditës dhe tolerancës, njeri i nderuar që di të respektojë të tjerët. Gjithmonë i ka dashur të gjithë shqiptarët e mirë pa dallime partiake dhe krahinore.
Pas çlirimit të Kosovës Dr. Velaj ka udhëtuar atje për të përgëzuar dhe uruar vëllezërit dhe motrat e një gjaku...
E kam për nder, ta quaj mik, Dr. Selahedin Velaj, këtë burrë të nderuar dhe të respektuar të Diasporës Shqiptare.


Rita Saliu Poete Rodhe Island, Sh.B.A.

Atdhetarët shqiptarë edhe pse të emigruar nuk e shuajtën frymën kombëtare.
Një ndër emigrantët e larguar shumë vite të shkuara nga atdheu është edhe Dr. Selahedin Velaj.
E madhe është zemra e Dr. Selahedin Velaj-t sa herë e kërkoi atdheu Shqipëria, Kosova, Çamëria.
Me punen e tij të palodhur, humane dhe atdhetare, ai ishte gjithmonë atje për ta ngritur zërin e Tij.
Përkushtimi i Dr. Velaj-t është i pakontenstueshëm, sepse edhe njerëzit e mëdhenj nuk munden nga njëherë të fshefin lotin karshi dhimbjes kombëtare.
Sa herë e kërkoi atdheu ai ishte atje, për të senzibilizuar, informuar, për gjendjen tonë të vërtetë, sidomos në këto vite gjenenocidiale të Dardanisë sonë të lashtë.
Dr. Velaj ka qenë gjithmonë analist dhe ambasador i traditës shqiptare, një penë e fortë e stërholluar.
Kurdoherë që e kam takuar, kam komunikuar me Dr. Selahedinin jam mbushur me ide dhe ideale, veçmas me ngrohtësinë tipike të një atdhetari kombëtari të rrallë.
Dr. Velaj vepron me sy, zemër dhe duar hapur, që të jetë afër me kombin kudo.
Pena ime është shumë e vogël të shkruaj për Dr. Selahedin Velaj, i cili mori rrugën e shtegëtimit kombëtar, me spektër vlerash të pakapshme, gjithmonë me konsideratë njerezore dhe kombëtare.
Balli krenar i Dr. Selahedin Velaj do rrjedhë si ligjërim brezash.
Unë si shqiptare jam krenare që njoh figura të tilla si Dr. Velaj dhe mendoj se duhet të nderohet në të gjitha nivelet tona kombëtare e instuticionale.


Lumturi Oruçi

Me Dr. Selahedin Velaj njihemi familjarisht qysh para 46 vjetëve.
Njohja jonë e ka lidhjen, kur bashkëshorti im Hamdi Oruçi dhe Dr. Velaj kanë qenë anëtarë të Shoqatës Panshqipatre VATRA, të cilët, menjëherë, sapo erdhën në Amerikë u anëtarësuan. Kanë punuar dhe kanë dhënë shumë për Vatrën.
Në vitin 1967 Dr. Selahedin Velaj shkoi në Romë, Itali, bashkë me disa atdhetarë të tjerë, në përurimin e një sheshi në Romë, me emrin e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj, Kastrioti Skënderbeu.
Dr. Selahedin Velaj gjatë gjithë jetës së tij ka qenë njeri aktiv, aktivist i kudogjendur mes shqiptarëve për çështjet e ndryshme shqiptare.
Gjithashtu, dua të përmend se, me iniciativën e tij, u bë e munduar hapja e shkollës shqipe në Nju Jork.
Dr. Selahedin Velaj mbetet njeri i nderuar dhe i respektuar për të gjithë ne që e njohim punën dhe veprimtarinë e tij atdhetare. Ai mbetet nderi i shqiptarizmës...


Tomë Mrijaj Shkrimtar, Nju Jork

Aktivistin e çështjes atdhetare Dr. Selaudin Velaj e njoha para 30 vitesh, kur për herë të parë mbërrita ne SHBA. Ishte viti 1978, kur Kisha Katolike “Zoja e Këshillit të Mirë” në Park Ave Bronx, NY, kremtonte përurimin e Kishës së re; në mes të pranishmëve ishte edhe z. Velaj.
Më vonë takimet tona u shpeshtuan në raste dhe aktivitete të ndryshme me profil atdhetar dhe kulturorë, ku ai gjithnjë ishte një pjesëmarrës aktiv.
Disa herë jemi takuar në zyrat e Komitetit “Shqipnia e Lirë”, e cila asokohe drejtohej nga Prof. Rexhep Krasniqi dhe ndihej në shpirtin e tij patriotik preokupimi për trojet etnike shqiptare.
Z. Selahedin Velaj, shquhet për një humor të hollë dhe krijon një atmosferë të këndshme për të gjithë.
Në zyrën e Mons. Dr. Zef Oroshit jemi takuar disa herë. Gjatë bisedave të lira me tematikë të ndryshme, tek ai shihej preokupimi për fatin e keq të Shqipërisë, që ishte nën sundimin komunisto-ateist dhe atë të Kosovës nën sundimin e kolonizatorëve shekullore serb.
Sikurse gjatë dekadave që kanë kaluar ashtu edhe në ditët tona, Dr. Velaj, është po ai njeriu energjik, i etur për të ndihmuar çeshtjen e Atdheut për të integruar Kosovën dhe Shqipërinë në strukturat bashkëkohore përkrah shtetëve përparimtare të botës. Ai gjithnjë flet dhe shkruan edhe për çeshtjen delikate të Çamërisë.
Kudo dhe kurdoherë e kemi në mesin tonë z. Velaj, në promovimin e librave të rinj të komunitetit tonë, tek diskuton dhe jep opinione pozitive për studiuesit e rinj, duke i nxitur ato në punën e tyre të vlefshme, për të mirën e kulturës dhe historisë së kombit tonë në trojet etnike shqiptare...


Mimoza Dajci Bashkëpunëtore e medias shqiptare, Nju Jork

Me Dr. Selahedin Velaj kam patur rast të njihem në veprimtaritë e ndryshme që
organizon komuniteti ynë në New York.
Nga bisedat e kumtesat e ndryshme të tij, jemi prezantuar njëherësh me intelektin, fisnikërinë e urtësinë e një njeriu me zemër të madhe.
Ai shquhet si antikomunist, patriot, dhe një personalitet me
vizion të gjërë përsa i përket demokracisë, lirisë e të drejtave të
njeriut.
Cilitdo që i jepet rasti të qendrojë pranë Tij, apo të bisedojë me
atë, ka se çfarë të mësojë e të përfitojë në jetë, veçanërisht në emigracion.
Dr. Selahedin Velaj është enciklopedist dhe njeri me vlera të rralla. Personalisht ndihem e privilegjuar që jam duke hedhur pak rreshta në këtë përmbledhje biografike për Dr. Selahedin Velaj, këtij burri të madh të Diasporës Shqiptare.


Zymer Neziri, Instituti Albanologjik i Prishtinës

Takimi im i parë me Dr. Selahedin Velaj ka qenë në Prishtinë
Kishte kaluar gati një shekull robërie nën sllavët e Jugut. Vazhdimi i jetës në liri, pas masakrave, dhunimeve dhe djegieve të shumë katundeve dhe të qyteteve tona, por, edhe vazhdimi i jetës së studimeve albanologjike. Vazhdimi i punës së Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Ardhja e studiuesve nga të gjitha viset e botës. Madje edhe Japonia e largët, profesor Kazuhiko Jamamoto dhe e shoqja. Bashkë me ta edhe i nderuari Dr. Selahedin Velaj.
Ishte viti 2005, muaji gusht. Bëmë biseda nga më të ndryshmet, jo vetëm për Kosovën e Shqipërinë, për Japoninë e SHBA-në, po edhe për ndihmën amerikane gjatë shekullit XX, me peshë të madhe historike. Për kujtim kam edhe një fotografi nga ai takim i paharrueshëm. Aty jemi së bashku me prof. Kazuhikon, të shoqen e tij, Dr. Selahedinin dhe Dr. Gustavo Loria nga Kosta Rika në tarracën e hotelit të vjetër të Prishtinës.
Ishte kënaqësi të takosh Dr. Selahedinin, njeriun që krijoi emër në SHBA. Emër i dalluar në komunitetin shqiptar dhe amerikan. Emër i veçantë edhe ndër intelektualët shqiptarë në Amerikë për çështjen shqiptare, për çështjen e Kosovës. E kujtoj me respekt të veçantë...


Astrit Tota Skenograf, Nju Jork

Doktor Selahedin Velaj është me origjinë nga Vlora heroike, qyteti në të cilin u vendos edhe gjyshi im, Halil Tota me familje ne vitin 1914, (Kryeplaku i Fshatit Borsh) kur grekërit dogjën, vranë dhe përzunë borshiotët nga fshati i tyre.
Doktor Selahedin Velaj ishte i ri në moshë dhe mbartte idera me veprimtari nacionaliste.
Ai erdhi në Amerikë mbas Luftës së Dytë Botërore, si emigrant politik; duke qendruar kurdoherë mjaft afër, me hallet e vëllezërve të tij shqiptaro-amerikanë në Sh. B. A.; veçanërisht në New York, Boston, Çhikago, Philadelfia, Washington dhe shtetet përreth tyre, gjithashtu
Ai është angazhuar nëpër tubimet patriotike për Shqipërinë dhe shqiptarët; i kudo ndodhur edhe nëpër aktivitete e manifestime gëzimesh e hidhërimesh shoqërore e familjare.
Dr. Selahedini shquhet ndër shokë për kontributet e dhëna në shëndetësi dhe arsimin shqiptar.
Për çlirimin e Kosovës dhe për ndihmesa të ndryshme e të pa numërta që vazhdon të japë me kontribute financiare për hallexhinjtë, për botime librash etj.
Në disa vite, ka dhënë mësimet e Gjuhës Shqipe; Mësues i dashur dhe i respektuar nga mjaft të rinj shqiptaro-amerikanë të lindur në Amerikë.
Librat e shkruara nga Dr. Velaj, janë me tematikë patriotike, shoqërore dhe artistike.
Artikujt e botuara nëpër gazeta të ndryshme dhe diskutimet e ngrohta shoqërore të Dr. Velaj-t, janë pritur kurdoherë mirë dhe me me nderime, të cilat janë berë shembuj të bukur për të gjithë emigrantët shqiptarë në Amerikë..
I uroj shëndet të mirë, gezime familjare dhe suksese nëpër angazhimet e tija të mëtejshme.


Shaqir Foniqi Publiçist, Prtishtinë

Emrin e Dr.Selahetin Velaj-t për herë të parë e kisha dëgjuar, dikur para dymbëdhjetë vjetësh nga kolegu dhe miku im Muhamet Mjeku, publiçist.
Gjithashtu, po nga z.Mjeku kisha patur edhe rastin që Dr.Velaj-n ta takoja në Prishtinë, sapo përfundoi lufta, pra më 1999, diku në fundvitin e '99-ës.
Miku im Muhamet Mjeku më kishte folur me konsideratë për Dr.Velajn dhe për këtë u binda edhe vetë, që në kontaktin e parë me të, i cili, sikurse shumë bashkëkombas tanë të mërgatës, kishin zbritur turravrap në Kosovën e lirë, për të cilën kishin punuar aq shumë dhe tashti për ta prekur lirinë aq shumë të munguar dhe aq shumë të dëshiruar, të fituar me luftën tonë dhe mbeshtjetejen e miqve tradicionalë, të udhëhequr nga SHBA!
Me t'u parë me Dr. Selahedin Velaj, mu kujtua thënia emblematike e Nolit: "Mbahu nëno, mos ki frike, se ke djemtë në Amerike'!
Një burrë hijerëndë, sikurse thuhet, fisnik e pak tradicionalist, korpulent e vigjilent, i fjalës dhe i besës, i vullnetit dhe i shpresës.
Dr.Velaj, me emocine po përjetonte gjithçka dhe po mundohej ti bëhej i tëri sy e vesh për të parë dhe për të dëgjuar drama nga më të ndryshmet, por edhe për tu gëzuar që ato katrahura, tashmë po bëheshin të kaluara.
Zemra po i bëhej mal dhe syri pishë. Kureshtja e tij e bënte edhe me insistues dhe dëshironte që, në çast ta vizitonte çdo cep të Kosovës, por prioritet e kishte Prekazin legjendar!
Uragani Velaj, kudo që shkonte mbante shënime dhe më vonë i botonte në formë udhëpërshkrimi, apo reportazhi në gazetën Ilyria që botohet në Amerikë.
Me elegancë dhe pasion kishte pikasur gjithçka, madje u gëzova kur dëgjova që në fejtonet e tij, kishte zënë vend edhe emri im, natyrisht për të mirë!
Respekti per të në sytë e mi u bë edhe më i theksuar, kur nga miku im, Muhamet Mjeku mësova se Dr.Velaj kishte përkthyer në anglisht Kanunin e Lekë Dukagjinit, i cili edhe sot konsiderohet si Kushtetuta e parë e (pa)shkruar e shqiptarëve.
Lidhur me këtë projekt të tij, unë dhe kolegja ime, Fitnete Tuda kishim zhvilluar dy biseda me Dr.Vleja-n për RTK, madje me ndihmën e tij unë përgatita edhe një emision dokumentar për Kanunin, ku edhe ai ishte pjesë e emisionit me kontributin e tij të vlefshëm.
I gatshem që të zëjë çdo gjë që ofron çasti, Dr. Velaj po shpaloste historinë e vet intersante.
Më vonë, Dr.Velaj, kishte ardhur sërish në Prishtinë në seminarin ndërkombëtar për gjuhën, kulturën dhe letërsinë shqiptare, i cili tash e tridhjetë vjetë mbahet në gjysmën e gushtit ne kryeqytetin e Republikes se Kosovës, në Prishtinë.
Dr. Velaj kishte ardhur bashkë me përkthyesin e Kanunit ne gjuhën japoneze, Dr.Kazuhiko Jamamoto, me të cilin, po ashtu kisha zhvilluar një bisedë të gjatë, me mbështetjen e Dr.Velaj-t.
Pra, kështu unë e njoha dhe e portretizova Dr. Selahedin Velaj-n.
Mendoj, se është një shkrim modest për aktivitetin dhe punën e tij prej kolosi.
I uroj shëndet dhe jetë të gjatë e plot vullnet.


Gjeto Turmalaj Poet Connecticut, Sh.B.A.

Me Dr. Selahedin Velaj, jam njohur kur erdhëm familjarisht në Amerikë.
Njohja jonë ka qenë edhe koincidencë edhe për vetë faktin , sepse jetojmë në të njëjtin shtet, Connecticut.
Që në pamje të parë, Dr. Selahedini të jep përshtypjen e një burri të nderuar, fisnik. Në bisedë me të dallohet inteligjenca e tij, kultura, atdhedashuria, patriotizmi që e karakterizon atë njeri.
Kam dëgjuar nga anëtarët e tjerë të Komunitetit tonë këtu në Sh.B.A. sidomos ata që e kanë njohur vite më parë të flasin me fjalët më të mira dhe me respekt për Dr. Selahedinin.
Edhe unë vetë kam qenë i pranishëm në disa aktivitete që zhvillohen në komunitet dhe kam njohur nga afër Dr. Selahedinin. Ai është gjithmonë aktiv, i papërtuar, diskuton me inteligjencë, duke i dhënë edhe shpesh herë humor bisedës.
Është gjithmonë aktiv dhe i gatshëm të ndihmojë njerëzit në nevojë.
Kam dëgjuar se Dr. Velaj ka qenë nismëtar i hapjes së shkollës shqipe në Nju Jork vite më parë. Ky akt, si edhe të tjerë si ky, e lartësojnë figurën e nderuar të Dr. Selahedinit.
Me dhimbje e kujtoj kur humbi djalin ne tij, Dr. Drini Velaj dhe, ashtu siç ndjeu dhimbjen e madhe për humbjen e djalit të tij, atë dhimbje e ndjemë të gjithë. Madje, dua të them se nga ajo dhimbje, unë shkruajta një elegji për të ndjerin Dr. Drini Velaj.
Dr. Selahedin Velaj mbetet përherë nderi i komunitetit tonë në Sh.B.A.


Adem Belliu Producent i Televizionit "Kultura Shqiptare", Nju Jork

Kur erdha në Amerikë në vitin 1994 pak emra dëgjoja nga emigrantët e suksesshëm, që kishin kontribuar shumë për Komunitetin Shqiptar të Amerikës dhe për çështjet e ndryshme shqiptare.
Një ndër ata emra ishte edhe Dr. Selahedin Velaj.
Më vonë, kur m'u dha mundësia të njihem nga afër në aktivitetet e ndryshme që zhivlloheshin në komunitet, pash tek ai njeri se ende vazhdonte të ruante traditat dhe cilësitë e vlonjatëve, patriotizmi: intelekti, kultura e tij e lartë dhe ajo që dua të veçoj, është, e folura pastër e gjuhës shqipe edhe pse ka gati 60-të vite larguar nga mëmëdheu ynë.
Dr. Selahedin Velaj është burrë i nderuar në Komunitetin tonë. Duke dëgjuar nga ata që e kanë pas njohur nga afër, mëson më tepër për atë burrë të nderuar, që gjithë jetën e tij në emigracion ka punuar me përkushtim për mbrojtjen e çështjes shqiptare dhe Pavarësinë e Kosovës.
Njeriu që e ka dhënë shembullin e tij personal duke iu gjendur pranë komunitetit në aktivitete të ndryshme.
Ruaj respektin e madh për Dr. e nderuar Selahedin Velaj, sepse ai vërtet është nderi i komunitetit tonë...


Akademik Mark Krasniqi, Prishtinë

Dr. Selahedin Velaj-n e kam njohur para disa vitesh në Prishtinë, atëhere, kur erdhi për të parë Kosovën.
Ai interesohej për çdo gjë, për popullin e Kosovës, për gjendjen e tij politike, kulturore, ekonomike e tjera. Biseduam nja dy orë duke pirë nje kafe në bahçen e hotelit, "Grand'.
Zotëri Velaj ditën e nesërme herët do kthehej për në Amerikë, kështu që nuk kishte mundesi të qendronte më shumë për ta parë Kosovën ashtu siç dëshironte në çdo skutë të saj.
Unë pata në çantën time disa libra, ndër të cilat edhe nje referatin tim që e kisha paraqitur në Bruksel në Senatin belg më 1992.
Ia dhashë atë referat Dr. Velajt, për të parë diçka më tepër për situatën dhe problemin e përgjithshëm të Kosovës.
Mbas nja dy javëve, Dr. Velaj më mori në telefon; më falenderoi për atë referat dhe shprehu habinë e tij të madhe, si kam guxuar të shkruaj në atë kohë një gjë të tillë kundër politikës antishqiptare të Serbisë dhe si munda ta bëj publike, madje në një forum të rëndësishëm në një shtet tjetër...
Gjithashtu, midis të tjerash, Dr.Selahedin Velaj më tha se, referatin tim "Kosova sot", e ka përkthyer në gjuhën angleze dhe do të ma dërgonte shpejt, por një mik i tij, një intelektual japonez, i cili e ka lexuar përkthimin, ka shfaqur dëshirën që ta përkthente edhe ai në gjuhën e tij japoneze, nëse e lejoja unë.
Kuptohet, do t'i isha shumë mirënjohës atij intelektuali japonez. Sigurisht, e lejova të bëhej përkthimi, madje, nëse kishte mundësi, të përkthehej sa më shpejt të jetë e mundur. Le të informohet bota për të drejtat tona dhe për padrejtësine e Serbisë e të Greqisë ndaj shqiptarëve...
E vlerësoj, e respektoj, Dr.Selahedin Velaj, që me përkthimin e referatit tim në gjuhën angleze ka dhënë një kontribut të vlefshëm për të njohur më mirë të drejtën e Kosovës që të jetë shtet i lirë e sovran në trojet e veta shekullore, në kuptimin e plotë të fjalës.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...