Agjencioni floripress.blogspot.com

2012/08/28

Nobeli dhe replika midis Kadaresë e Malcolmit



Malcolm: Gjonlekaj keqinterpreton shkrimin tim për Kadarenë


Artikulli i Gjekë Gjonlekaj ‘Nobeli dhe replika midis Kadaresë e Malcolmit’, që ju e publikuat , është tejet ngatërrestar. Gjithsesi, shkrimi kryen një detyrë të rëndësishme për mua: atë të zgjidhjes së një misteri që më ka munduar për një kohë tashmë.

Kur unë publikova një shkrim të gjatë rreth Ismail Kadaresë, në vitin 1997, në New York Review of Books, unë e mbrojta atë nga disa kritikë jo shumë të sofistikuar si Stephen Schwartz, dhe lavdërova vlerën letrare të punës së tij, të cilën megjithë mend e çmoj lart.

Kritika e vetme që kam bërë ka qenë e nivelit dytësor. Në intervistat dhe kujtimet e publikuara pas rënies së komunizmit, vija re që Kadareja kishte prirje të paraqiste veten sikur të kishte qenë për një kohë të gjatë një ‘disident’ aktiv, i cili konfrontohej me regjimin; unë ofrova disa arsye se pse mendoja që ky ishte një ekzagjerim. Mendova se ajo lloj rishikimi i së kaluarës thjesht nuk ishte i nevojshëm, për dy arsye.

Së pari, sepse duhej të kuptohet që kushdo që jetonte nën atë regjim duhet të bënte kompromise me të, pasi alternativa ishte burgimi afatgjatë ose vdekja; dhe së dyti, sepse vlera artistike e një literature aq madhështore e shpie atë në një hapësirë krejt tjetër, shumë më lart çdo aktiviteti politik.

Në të njëjtën kohë, unë theksoja (ndërsa kundërshtoja kritikat sipërfaqësore të Stephen Schwartz e të tjerëve, të cilët në mënyrë absurde përshkruanin Kadarenë si ‘vegël të partisë’ ose si ‘Zhdanov’) që Kadare kishte shkruar romane – si Gjenerali i ushtrisë së vdekur – të cilat i kundërviheshin thellësisht llojit të ‘realizmit socialist’; po ashtu, shkrova që Nëpunësi i pallatit të ëndrrave ishte një meditim i thellë për natyrën e shtetit totalitar.

Andaj u shtanga, kur dy muaj më vonë pash që New York Review of Books kishte publikuar një letër nga Z. Kadare, në të cilën ai shprehej shumë ashpër ndaj meje, me akuzën që e kisha quajtur një ‘Zhdanov’ (kur në fakt, unë qartazi kisha sulmuar ata të cilët e quanin atë ‘Zhdanov’), dhe përmbante disa keqkuptime të tjera thelbësore në lidhje me shkrimin tim. Duke ditur që Z. Kadare është një njeri inteligjent dhe i thellë, këtë sjellje të tij e kisha shumë të vështirë ta kuptoja.

Për mua dy shpjegime ishin të mundura. Njëra ishte që Kadareja, i cili ka njohuri të shkëlqyera të frëngjishtes, por të kufizuara të anglishtes, kishte lexuar shkrimin me të shpejtë dhe e kishte keqkuptuar gjithë logjikën. Shpjegimi tjetër ishte që Kadareja varej nga dikush tjetër që t’i jepte një përmbledhje të shkrimit, dikush që, edhe po të kishte njohuri paksa më të mira të gjuhës angleze, e kishte të vështirë të përcillte logjikën time ose ta paraqiste atë në mënyrë të saktë.

Mbas leximit të shkrimit të Z. Gjonlekaj, misteri zgjidhet: shpjegimi më i mundshëm është ai i dyti. Më vjen keq që Z. Gjonlekaj mori përsipër në vitin 1997 të krijojë një armiqësi krejt të panevojshme mes meje dhe Z. Kadare. Më vjen keq, po ashtu, që ai vazhdon të ofrojë një version tërësisht të pasaktë të shkrimit tim. Po ashtu, më vjen keq që në shkrimin e tij, të cilin ju e publikuat, ai krijon të njëjtën përshtypje të gabuar të letrës sime të cilën e dërgova si reagim ndaj ankesës së Kadaresë. Asnjë person i arsyeshëm që do lexonte letrën time nuk do arrinte në atë interpretim që ka dhënë Z. Gjonlekaj; çdo lexuesi tuaj që ka interes në këtë çështje do t’ju kisha sugjeruar që ta lexonin letrën vetë.

Në veçanti ndjej keqardhje që Z. Gjonlekaj tenton të rizgjojë një keqkuptim të vjetër, disa vite mbasi u harrua ajo punë. Ethem me krenari që kam kënaqësinë e një marrëdhënieje të mirë me Ismail Kadarenë, dhe kam qenë mikpritësi i tij në Oksford. Unë e konsideroj atë jo vetëm si novelisti më i madh shqiptar, por edhe si një prej shkrimtarëve më të mëdhenj botërorë të ditëve tona, dhe nuk kam dyshim që ai e meriton çmimin Nobel. Ky është një mendim imi i palëkundshëm, mendim të cilin e mbaj sot dhe të cilin e kisha edhe në vitin 1997. Unë besoj që Z. Kadare këtë e kupton. Me keqardhje mendoj që personi i cili arriti të bindë Z. Kadare 15 vite më parë që ta keqkuptojë këtë, akoma provon të bindë lexuesit tuaj që ta keqkuptojnë atë edhe sot






GJEK GJONLEKAJ



Helena Kadare në veprën letrare “Kohë e Pamjaftueshme”, botuar vitin e kaluar në Tiranë, në faqen 340 përmend emrin tim në lidhje me replikat midis profesorit anglez të Universitetit të Oxfordit, Noel Malcolm, dhe shkrimtarit Ismail Kadare. Shumë lexues shqiptarë këtu në New York më kanë pyetur në lidhje me frazën time shqiptarçe “Mos më bij ma”! Disa nuk e kanë kuptuar!

Në letrat amerikane të kulturës Ismail Kadare është emër i njohur për më shumë se tri dekada. Shqiptarët në këtë Kontinent janë kryelartë për veprimtarinë letrare të këtij shkrimtari të madh shqiptar. Gazetat dhe revistat më të njohura të Amerikës kanë shkruar më shumë për krijimtarinë letrare të Ismail Kadaresë vetëm, se për të gjithë shkrimtarët ose poetët shqiptarë së bashku. Botimet në mbështetje të Nobelit për shkrimtarin tonë janë pritur mirë nga shumica e shqiptarëve të Amerikës. Fitoren e Çmimit Nobël për Paqe të Nënës Tereze në vitin 1979 e kujtoj si një prej ditëve më të lumtura të jetës. Çmimi Nobel i Nënës Tereze na dha shpresë se edhe shqiptarët e tjerë mund ta fitojne këtë Kurorë tepër të nderuar. Pra Nëna Tereze hyri me këmbë të mbarë në derën e Nobelit sepse disa vjet më vonë u laurua edhe shqiptaro-amerikani Ferid Murat, për zbulimet e tij të mëdha në fushën e mjekësisë. Për pothuajse tri dekada Ismail Kadare është kandidat serioz për Çmimin Nobël. Botimet në mbështetje të Nobelit për shkrimtarin tonë janë pritur mirë nga shumica e shqiptarëve. Deri në vitin 1997 në shtypin amerikan nuk është botuar asnjë shkrim kundër Ismail Kadaresë.

Shkrimi i parë kundër tij u botua në pranverë të vitit 1997 në revistën amerikane “The Weekly Standard”. Autori Stephen Schwartz në shkrimin e tij i bën thirrje Fondacionit Nobel, që Ismail Kadaresë të mos i jepet Çmimi Nobël. Ai kishte shkruar edhe më përpara kundër tij. Titulli dhe nëntitujt e këtij shkrimi ishin tepër të shëmtuar. Një pjesë e shqiptarëve të Amerikës u shqetësuan për qëndrimin e Stephen Schwartz.

Artikulli i zotit Schwartz ishte i dëmshëm për kombin dhe kulturën shqiptare,sepse ishte botuar në një revistë prestigjioze amerikane. Përveç laureatëve të Nobelit për Paqe për fituesit e tjerë nuk flitet shumë. Pas botimit të këtij shkrimi bëmë disa përpjekje modeste kundër qëndrimit të Stephen Schwartz. Dërguam një telegram Fondacionit Nobël që të mos merret parasysh shkrimi i tij se ato që kishte thënë nuk janë të vërteta,bile ua theksuam se Ismail Kadare është i vetmi shkrimtar i madh botëror që shkruan në gjuhën e Nënës Tereze. Kështu menduam se e mbyllëm këtë kapitull. Por jo, sepse me 6 Nëntor 1997 Noel Malcolm botoi një shkrim në revistën e madhe letrare amerikane: “The New York Review of Books” kundër Ismail Kadaresë. Shkrimi i autorit anglez ishte shumë i gjatë. Noel Malcolm kishte bërë disa krahasime absurde.Në paragrafin e parë të atij shkrimi e cilësonte Ismail Kadarenë si shkrimtarin më të madh të botës komuniste pas Solzhenitsy-it, ndërsa në paragrafin e dytë e krahasonte me Zhdanovin.

U shqetësova shumë për këtë dhe për disa të dhëna të tjera, siç ishte për shembull botimi i poemës “Mësuesit e Atit” (Joseph Visarionovich Stalin) përkthyer anglisht. U brengosa sepse ky shkrim mund të ishte i dëmshëm për fitoren e Çmimit Nobël. Nuk u durova dhe menjëherë e thirra në telefon në Paris dhe i tregova për këto dhe disa vrejtje të tjera të Noel Malcolmit. Nuk kisha dëgjuar kurrë për poezinë që i kishte kushtuar Stalinit. E pyeta Kadarenë për elegjinë kushtuar Stalinit. Po tha Kadare, nuk ngurroi fare. Në atë kohë isha 18 vjeç.U qetësova menjëherë sepse më përpara kisha lexuar një rrëfim intim të nobelistit Andrei Sakharov i cili tregonte se në moshën e tij të re kishte menduar se Stalini është njeriu më i mirë në botë. Ndërsa bisedonim në telefon shfaqa mendimin për ta futur në gjyq Noel Malcolm. Ismail Kadare nuk e pëlqeu idenë time për një veprim të tillë.

Zoti Kadare tha se Profesor Noel Malcolm është mik i madh i Kosovës dhe padia gjyqësore do të ishte e dëmshme për shqiptarët. Një akt i tillë mund të dëmtojë qëndrimin e Profesorit Malcolm për Kosovën. U gëzova shumë për qëndrimin atdhetar e fisnik të shkrimtarit tonë. Atëherë ramë dakord për një replikë në revistën “The New York Review of Books”. Natyrisht se këtë çështje e kishte biseduar me Claude Durand të Shtëpisë Botuese “Fayard” dhe agjentin amerikan të librave Andrew Wylie, me të cilin isha takuar disa herë në New York,sipas sugjerimeve të Kadaresë. Zoti Wylie e adhuronte shumë krijimtarinë letrare të Kadaresë. Bile më kujtohet në një rast kur tha se Kadare është tepër i thellë në mendime dhe lexuesit e rëndomtë amerikanë nuk gëzojnë shumë nga shkrimet e tij. Evropianët janë më të sofistikuar dhe i kuptojnë më lehtë veprat letrare të Kadaresë. Shtëpia Botuese “Arcade” e New York-ut vazhdonte përkthimin dhe botimin e veprave të këtij autori gjigand shqiptar. Me pronarët e kësaj Shtëpie Botuese kisha lidhje të vazhdueshme. Shumë librari të Kosovës kërkonin veprat e Kadaresë dhe për disa vjet mund të kem dërguar mijëra kopje në Prishtinë për shumë lexues të huaj dhe për shqiptarë. Pas vdekjes se Richard Seaver pronar i “Arcade” Publishing u ndërpre totalisht veprimtaria botuese e kësaj shtëpie. Richard dhe Janet Seaver ishin entuziastë se Isamil Kadare një ditë do të fitonte Çmimin Nobël. Disa autorë të cilët i kishin botuar ata kishin fituar këtë Çmim.
Në bashkëpunim me “Arcade” Publishing dhe me Misionin e Shqipërisë në Kombet e Bashkuara organizuam promovimin e “Piramidës” në një prej lokaleve më luksoze të New York-ut,ku morën pjesë personalitete të larta të kulturës dhe diplomacisë botërore në OKB.

Ndërkohë prisnim me padurim replikën e Kadaresë në “The New York Review of Books” e cila u botua më 15 janar 1998. U gëzova shumë për këtë botim! Prej ngazëllimit nuk e lexova me vëmendje. I telefonova që është botuar por iu luta që të më jepte kohë ta lexoja edhe njëherë dhe përsëri do t’i bëja telefon. Pasi e lexova me kujdes për të dytën herë e kuptova se replika e Kadaresë kishte qenë e shkëlqyeshme. Në të njëjtin edicion ishte botuar edhe kundërpërgjigjja e Noel Malcolm. Kadare e kishte goditur aq rëndë profesorin anglez, sa që iu luta tekstualisht me këto fjalë: “Mos i bie ma”. Reagova si një refer në ndeshje boksit. Përgjigjja e Kadaresë ishte shumë e kulturuar dhe argumentet ishin të qëlluara. Shihej qartë nga kundërpërgjigjja se Profesori Malcom ishte penduar dhe tregonte keqardhje për këtë shkrim. Menjëherë e kuptova keqardhjen e Noel Malcolmit dhe indirekt kërkonte falje. Për këtë arsye iu luta Kadaresë të mos e godiste më. Natyrisht se gjuha ndryshon në momentet e ngazëllimit. Me të vertetë ishte një shprehje tipike shqiptarçe e Malësisë së Madhe “mos i bie ma”. Në Kosovë thonë “mos i mësho ma” në jug “mos e qëllo më” ,mos e godit më” e kështu me radhë.

Me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë ky titan i Letërsisë Shqiptare dhe Botërore meriton përpjekje dhe përkushtim të veçantë gjithkombëtar për t’ju dhanë Çmimi i Merituar Nobël për Letërsi.

(Autori është ish-gazetar i “Zërit të Amerikës”, aktualisht botues dhe biznesmen në New York)

Mendimi në ecje



ALBIN KURTI





Arbën Xhaferi e kishte për qejf një thënie të Umberto Eco-s për politikën si mendim në ecje. Siç je duke ecur, thoshte Arbëni dhe qeshej, ta vënë mikrofonin përpara dhe duhet të flasësh. Qesheshim të gjithë që ishim me të. Arbëni kishte njëfarë sikleti të brendshëm se çfarë iu desh politika. Kishte një pendim për veten në politikë por edhe një pasion për politikën kombëtare. Ky tension është vetëmohimi. Pa këtë tension nuk do ta njihnim Arbën Xhaferin si politikan. Me këtë tension, Arbën Xhaferi ishte më shumë se politikan. Përmes kësaj distance kritike ndaj politikës ai ishte politikan mbi politikën. Dhe, përmes këtij mohimi të politikës ai ia garantonte substancën asaj.

Arbën Xhaferi ka hyrë me shumë dije në politikë dhe ka prodhuar shumë dije në politikë. Sepse mendimi i tij ka qenë mendim në ecje, mendim që nuk ndalej asnjëherë. Sëmundja që e kaploi njëmend e pasivizoi atë fizikisht, porse mendja e tij u bë më dinamike se kurrë më parë. Ashtu sikurse që në trupin e ngurtë ziejnë pafund atome e grimca tjera me shpejtësi marramendëse, ngjashëm në siluetën e ngadalësuar të Arbën Xhaferit punonte mendja e tij krijuese. Ndonëse i kufizuar dhe i dërrmuar nga Parkinsoni, shkrimet më të mira dhe më të fuqishme të Arbënit ishin pikërisht ato të dekadës së fundit të jetës së tij.

Arbën Xhaferi ka lënë një trashëgimi të pasur dhe ka dhënë një kontribut të paçmuar në politikën kombëtare, mirëpo ai kishte një kapacitet me potencial në rritje që vdekja e tij na e rrëmbeu. Kemi aq shumë tekste e intervista të vlefshme të tij, porse kemi edhe shumë tekste e intervista të tjera të cilat duke mos mundur më t`i bëjë ai, s`i bën dot askush tjetër. Vepra e Arbën Xhaferit është shumë më e madhe sesa jeta e tij. Ama po të rronte edhe ca më gjatë, kjo vepër do të rritej edhe shumë më tepër. Vdekja nuk e mori Arbënin në perëndim të intelektit të tij, por atëherë kur ai po ndriçonte me tërë shkëlqimin e mundshëm. Kjo është arsyeja pse me Arbën Xhaferin fituam aq shumë që e patëm dhe humbëm po ashtu shumë që s`e kemi më.

Të gjithë politikanët kanë mendime. Mendime kanë shumë politikanë. Porse të menduar kanë fare pak politikanë. Arbën Xhaferi të mrekullonte me të menduarit e tij. Vështirë të gjesh ndër shqiptarë politikanë të tjerë, e sigurisht jo vetëm politikanë, që nxjerrin aq shumë margaritarë teksa mendojnë me zë për një çështje a temë të caktuar. Në njërën anë, Arbën Xhaferit nuk ke mundur t`ia ndërrosh mendjen meqë i kishte gjërat të menduara mirë, ndërsa, në anën tjetër, të menduarit e tij të atypëratyshëm ishte brilant si i askujt tjetër. Ecja e mendimit të tij ishte e jashtëzakonshme dhe fascinuese.

Arbën Xhaferi ka qenë më shumë filozofik sesa teorik, më shumë politik sesa ideologjik. Në filozofi, më parë se Platonin e donte Aristotelin, më shumë se Hegelin e donte Nietzschen. Kurse në politikë ishte më pranë Platonit e Hegelit sesa Marksit. Arbën Xhaferi për socialistët ishte tepër liberal, e për liberalët ishte tepër konservator; për konservatorët ishte tepër postmodern, e për postmodernët ishte tepër romantik. Por gjithmonë, dhe gjithnjë e më shumë, ai ishte politikan i fuqishëm i kombit shqiptar që kombin shqiptar e donte të fuqishëm në politikë.

Porosia e Arbën Xhaferit është se Rilindja Kombëtare Shqiptare dhe Lidhja Shqiptare e Prizrenit nuk kanë dhe as që kanë nevojë të kenë alternativë. Bashkimin kombëtar të shqiptarëve ai e shihte si kauzë të drejtë dhe të dobishme si nga këndvështrimi kulturor dhe ekonomik, po ashtu edhe nga ai politik e historik. Arbën Xhaferi thoshte që shqiptarët për ta ndryshuar gjendjen e tyre nuk duhet të ndryshohen ata vetë si shqiptarë që janë. Ndryshimi i situatës së shqiptarëve bëhet duke mos ndryshuar shqiptarët, duke mbetur shqiptarë, duke u bërë e ribërë përherë shqiptarë.

Përgjatë historisë shqiptarëve u janë ofruar solucione nga më të ndryshmet prej të gjitha anëve që ta lënë anash identitetin dhe përkatësinë e tyre, gjuhën e traditën, flamurin e kujtesën kolektive, sepse ashtu përfitojnë paqen dhe mirëqenien. Shqiptarët përgjithësisht nuk ranë asnjëherë në këtë kurth, madje edhe atëherë kur shumica e politikanëve të tyre sharronin thellë. Sot, kur kurthat e tilla vetëm sa ndërrojnë formë për t`u riaktualizuar më kollaj, porosia e Arbën Xhaferit bëhet veçse më e rëndësishme.

Arbën Xhaferi eci dhe mendoi tërë jetën. Tash, gjersa ne ecim, duhet ta kujtojmë me shumë mall njeriun që mendoi aq shumë për të gjithë neve. Ta kujtojmë duke e lexuar dhe duke e mësuar atë. Vepra e Arbën Xhaferit pa dyshim se do të jetë frymëzuese dhe inspiruese për të gjithë neve dhe brezat që do të vijnë pas nesh, për neve si qytetarë e si politikanë, si atdhetarë e si njerëz.

Shteti kunder njeriut








MENSUR ZHABARI

Ngritja e çmimeve të bukës, naftës, energjisë elektrike, furnizimi jo i kënaqshëm me ujë të pijshëm e të pastër, madje numri i madh i të papunëve, janë duke ndikuar negativisht në përsosjen jetësore të shoqërisë sonë moderne. Tash e sa vjet, kosovarët mundohen t’u bëjnë ballë këtyre problemeve, por e kotë. E gjitha është duke ndodhur për shkak politikes së gabuar, ku popullin e vetë është duke e përdor si mjet përfitimesh për nevoja të ndryshme personale, e jo si subjekt për te arritur qëllime. Dhe kjo po na çon drejt një skllavërisë qytetare!

Njeriu si qenie politike është pjesë e qytetarisë aktive të një vendi, ku jeton e vepron aty. Është e nevojshme dhe e domosdoshme të mendojë, të mbajë përgjithësi etike se kë vendosë të përzgjedhë në udhëheqjen e shtetit të tij, në mënyrë që ne si shoqëri politike të kemi një udhëheqësi, e cila do t’i përfaqësojë interesat dhe vullnetin e përgjithshëm të të gjithë qytetarëve, në përgjithësi.

Ne, si një shoqëri demokratike, ku udhëheqësit i zgjedhën vetë për të mirën e përgjithshme të shoqërisë, duket se kjo përzgjedhje nuk ke edhe aq e qëlluar, adekuate, pasi që elita politike po u kushton vërtetë shumë atyre që vet e zgjodhën. Qytetarët paguajnë rrymën. Rrymë s’kanë! Paguajnë ujin. Ujë s’kanë! Eh, çfarë ka i gjori, populli ynë? Këto, dhe probleme të tjera, tregojnë qartë se diçka nuk është ka funksionon ashtu si duhet dhe na bën të mendojmë se për kënd është ngritur shteti e në shërbim të kujt funksionon sot?

Shteti është në shërbim të popullit, dhe si i tillë shërben për nevojat e kërkesat e popullit. Dhe jo populli është në shërbim të një elite të caktuar njerëzish, siç po ndodh tani në Kosovë. Qytetari paguan taksat e të gjitha shërbimet e tjera, ndërsa shteti as që përmbush nevojat elementare të tij. Kjo tregon se qytetari për shtetin, në këtë rast, është skllav. Skllav modern, pavarësisht që punon e paguan taksat e shtetit. Siç vërehet, as këto nevoja elementare, shteti i Kosovës, nuk arrin që t`i përmbushë për qytetarët e vetë. Vërtetë, është për të ardhur keq nga spektri politik i Kosovës, se si vazhdon të manipulojë me paranë e popullit, ku shumica e tyre paguajnë taksat, e mundohen që brenda kushteve ekonomike që kanë t`i përmbushin të gjitha obligimet ndaj shtetit. Kurse, udhëheqja shtetërore, nuk po mund t’i plotësojë as kërkesat e saj minimale.

Atëherë, mua si qytetar më shtyn të mendojë: vallë, pse ne i paguajmë taksat ndaj këtij shteti? Siç dihet, qytetarët tanë taksat i paguajnë që shteti t`i menaxhojë dhe t`i shpenzojë paratë publike për të përmirësuar gjendjen ekonomike e sociale të tyre, t`i ofrojë qytetarit siguri e drejtësi, në funksionimin e gjykatave, si dhe në luftimin e krimeve, në përputhje me rregullat që janë të parapara me ligjet e shtetit, lirinë e lëvizjes. Megjithatë, ky përmirësim i standardit jetësor ende s’po ndodh. Kjo na bën të kuptojmë se paratë e qytetarëve të Kosovës po shfrytëzohen (manipulohen), për përfitime personale të elitave e individëve të caktuar, që u zgjodhën nga vetë populli. Kjo mospërgjegjësi ndaj qytetarëve, dhe manipulimi që shteti ua bën qytetarëve të saj, duke i shfrytëzuar si mjet për përfitim personal.

Ndërsa, lërja anash e pjesës tjetër tregon qartë se Kosova qëndron në një situatë jashtëzakonisht të vështirë, me një udhëheqje e cila qytetarin e trajton si mjet për përfitim, e jo si qëllim për krijimin e kushteve, për një standard më të mirë jetësor.

Pushteti është në shërbim të qytetarëve: "Qeverisja e popullit, nga populli, për popullin", pohonte Abraham Linkoln. Pra, shteti është në shërbim të popullit dhe si i tillë shërben për nevojat e kërkesat e popullit, e jo populli në shërbim të një elite të caktuar njerëzish, ku populli është në shërbim të kësaj elite. Qytetari paguan taksat e të gjitha shërbimet tjera, e shteti nuk përmbush as nevojat elementare të tij.

Në periudhën e feudalizmit bujkrobërit punuan tokat për të siguruar ekzistencën e tyre. Atë prodhim që e kishin arritur detyroheshin që një pjesë të caktuar ta ndanin për feudalin, i cili vazhdonte të shtonte pasurinë e tij dita-ditës, duke marrë nga prodhimet e bujkrobërve. Në këtë mënyrë ndodh edhe tani në periudhën moderne, ku qytetari nga qeveria përdoret si mjet për të paguar taksat dhe pasuria e disa politikanëve dita-ditës shkon duke u rritur. Pasurim në kurriz të qytetarëve të saj!

Kosova pas-Ahtisarit, e pavarur apo federatë ?!

Ardian Zejnaj

ARDIAN ZEJNAJ



Përfundimi i mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, është tregues se objektivat e Planit të ish-presidentit finlandez, Martih Ahtisari, janë "përmbushur", duke e "dërguar" këtë Plan në arkivat e historisë. Kjo do të thotë se nga 11 shtatori 2012, në Kosovë do të krijohet një gjendje e re politike dhe juridike, ajo post-Ahtisari. Më fillimin e kësaj epoke, nënkuptohet se palët do të kenë edhe obligime të reja të cilat, sado që po mohohet publikisht, privatisht po pranohet nga Qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë, si kohë për një betejë të re diplomatike, e cila do të vazhdojë nga ku kishte mbetur më 18 shkurt 2008, mbi urën e lumit Ibër.



Serbia do të provojë që status-quon trembëdhjetëvjeçare në veri ta shndërrojnë në një gjendje juridike dhe politike të favorshme për serbët (në një lloj autonomie), siç do të angazhohet edhe Kosova, që këtë status-quon ta "shkrijë" nën autoritetin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Përtej këtij angazhimi apo synimi, nuk ka asnjë arsye që Qeveria e Kosovës të provojë të manipulojë qytetarët e Kosovës se me organizime të festave në Prishtinë, kemi arritur "pavarësinë e plotë" të vendit tonë. Në vend të kësaj, pas 10 shtatorit 2012, institucionet e Kosovës do të jenë përgjegjëset kryesore për gjithë çfarë do të ndodhë më pastaj në dhe përreth vendit tonë (minus veriu i vendit).

Për të pasur pavarësi të plotë dhe sovranitet mbi tërë vendin, Kosova duhet që ta ndryshojë gjendjen e pas 18 shkurtit 2008 në veri, siç do të duhet të ndryshojë në gjithë Kosovën edhe gjendjen juridike dhe politike të vendosur në vitin 1999, mbi bazën e Rezolutës 1244 të KS të OKB-së. Kjo për faktin se, si Plani i Ahtisarit, ashtu edhe Rezoluta 1244, në Kosovë kanë vendosur apo zgjatur një lloj moratoriumi në raportet mes shumicës shqiptare dhe pakicës serbe, ndërsa që Veriun e kanë shndërruar në një "konflikt të ngrirë", ku serbët dhe shqiptarët kanë vazhduar t`i mbrojnë pozicionet e "fituar" pas 12 qershorit 1999, përkatësisht 18 shkurtit 2008.

Prandaj, edhe insistimi i ri i bashkësisë ndërkombëtare për një proces të ri negociator mes Kosovës dhe Serbisë, vetëm sa konfirmon këtë realitet dhe na dëshmon se as Rezoluta 1244, dhe as Plani i Ahtisarit nuk e kishin zgjidhur statusin përfundimtar të Kosovës! Të dy këto dokumente më shumë kanë shërbyer si korniza juridike dhe politike brenda së cilave, në njërën anë janë ndërtuar dhe kanë funksionuar institucionet e Kosovës dhe në anën tjetër i kanë dhenë hapësirë dhe mundësi Serbisë që në veri të Kosovës të zhvillojë dhe menaxhojë institucione paralele serbe!

Kështu që "njehsimi" i Rezolutës 1244 dhe Planit të Ahtisarit në një "zgjidhje" të vetme dhe gjithëpërfshirëse për Kosovën, nuk do të jetë e lehtë dhe as fitore për Kosovën. Procesi i ri negociator me Serbinë, më shumë sesa pavarësi të plotë për Kosovën, do të mund të sjellë një federalizim të vendit tonë, për shkak se vendi ynë rrezikon të ndahet në dy entitete, pavarësisht sa i madh dhe i fuqishëm do të jetë entiteti serb! Serbët tanimë kanë krijuar një entitetin e tyre kulturor dhe religjioz në Kosovë (me lejen dhe insistimin e Qeverisë së Kosovës), dhe u mungon vetëm edhe ai politik (që pritet të krijohet në Veri), për ta kompletuar federalizimin e Kosovës.

Dhe rrjedhën e lumit tani nuk do të mund ta parandalojnë as klishetë patriotike të partive opozitare në Kosovë, sepse edhe LDK-ja e AAK-ja, ashtu si PDK-ja dhe kryetari i saj Hashim Thaçi, që po kërkojnë më ngulm të përfshijnë sa më shumë aktorë vendorë në këto negociata, kanë qenë në pushtet dhe pjesë e bisedimeve të para katër vjetëve në Vjenë, kur bashkërisht e kanë lenë veriun në duart e Serbisë dhe jashtë Pakos së Ahtisarit dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës! Ndoshta e vetmja parti që ka të drejtë morale të flasë për këtë proces për shkak të kundërshtimit të vazhdueshëm, është Lëvizja Vetëvendosje!, por e cila me gjithë retorikën e fortë kundër një procesi të ri negociator me Serbinë, nuk ka ndonjë ide se si duhet kaluar pushteti i institucioneve të e Kosovës përtej lumit Ibër, përveç kërkesës për përdorim të forcës!

Nëse do të ishte zgjidhja për veriun sot kaq e lehtë, atëherë Hashim Thaçi këtë gjë do ta arrinte më 25 korrik 2011, kur urdhëroi ndërhyrjen e Forcave Speciale të Policisë së Kosovës atje, që dogji këtë mundësi të fundit! Pikërisht se nuk na ka mbetur ndonjë alternativë tjetër për të "shkuar" në veri, po ndodhur procesi i ri negociator, i cili synon t`u japë fund mosmarrëveshjeve politike mes Kosovës dhe Serbisë.

Nëse ka një ide tjetër se si mund të rikthehet veriu nën pushtetin e Prishtinës, le të thuhet sa më parë, por jo duke "shitur" patriotizëm të rremë dhe përsëritur frazat e vjetra, se zgjidhja është brenda Kushtetutës dhe Planit të Ahtisarit, ngase asnjëra nga këto dy dokumente, edhe pas trembëdhjetë vjetëve, nuk i ka dhenë zgjidhje status-quos në veri! Veriu i Kosovës vazhdon t`i bëjë rivalitet Republikës së pavarur të Kosovës!

Zgjedhjet e parakohshme (ndoshta) pastrojnë skenën politike?




       ZEJDUSH   KASTRATI


Kosovës, si asnjëherë më parë, i nevojitet një garniturë dhe klasë, krejt tjetër politike, dhe atë jo vetëm sa i përket ekzekutivit, përkatësisht koalicionit momental qeveritar, por në veçanti Parlamentit, por, patjetër, edhe Presidencës aktuale.

Shkojmë radhazi, dhe nëse bëjmë një analizë më të detajizuar të kësaj qeverie, nuk ka vend për mburrje apo lëvdata, as në sferën e proceseve pozitive zhvillimore, por as në aspektin e rritjes së besimit apo shpresave tek banorët e Kosovës, se e ardhmja e tyre do të jetë më e mirë,apo do të sjellë rezultate, të cilat ka kohë që jemi mësuar vetëm t’i dëgjojmë nëpër prononcime e debate mediale ,dhe atë që nga kryeministri Thaçi, ashtu edhe pothuaj gjithë ministrat e zëvendësministrat e shumtë në numër, të kësaj qeverie,por mos të harrojmë edhe të qeverive të mëhershme .

Kjo qeveri, me Hashim Thaçin në krye, i cili s’ka dilemë për momentin,edhe gjatë këtij mandati të tij të dytë,me lojën që po e zhvillon, ai është i pakontestueshëm dhe pa alternativë, se dikush nga skena aktuale politike kosovare do të mund ta zëvendësojë sa i përket përbërjes së këtij kabineti qeveritar,karakterizohen dhe identifikohen me personalitete e individë, që më tepër janë pjesë të klaneve e grupacioneve të caktuara të interesit,të cilët jo vetëm nga disa media që janë përfolur, si aktorë të aferave të mëdha , në radhë të parë atyre korruptive,falsifikimeve, por edhe sa i përket bagazhit profesional,moral e kombëtar , personaliteti i shumicës së tyre,që nga fillimi, ka qenë mjaft i diskutueshëm dhe kontarverz.

Mbi gjysma e kabinetit nën hetime,me një strukturë minoritare brenda këtij kabineti që nuk reflekton besueshmëri dhe kapacitete progresive,në këto momente, kur Kosova po përgatitet për bisedime politike dhe shumë të rëndësishme me Serbinë, e në veçanti çështja e veriut të Mitrovicës ,kërkohet një seriozitet konsensual,besueshmëri tek liderët, dhe në veçanti, një strukturë e re qeverisëse,më pak e shantazhuar, e cila me një platformë të qartë shkon edhe në këto bisedime, dhe pastaj di çka kërkon,pastaj ka guxim të thotë të vërtetën, edhe para popullit të Kosovës por edhe palës serbe, e faktorit ndërkombëtar.

Krijimi i kooalicioneve të reja qeverisëse,që po përfolet ditëve të fundit, në radhë të parë mes PDK-së e AAK-së, nuk paraqet asgjë të re dhe të mirë për Kosovën në këto momente ,por nëse ndodh atëherë, vetëm se do të arrijë që të instalohen disa figura të reja(nga ata të vjetrit), që botërisht dihet se kush janë edhe nga PDK-ja por edhe AAK-ja, të cilët vetëm se do të plotësonin dëshirat e disa njerëzve të caktuar nga këto dy subjekte politike ,por në veçanti do të plotësonin kërkesat e ndërkombëtarëve dhe palës serbe, të cilëve më së shumti po u ngutet dhe nuk po na kursejnë.

Është vështirë të besohet se kërkesës së Thaçit për një koalicion sa më të gjerë, me pjesëmarrjen edhe të LDK-së,hiq liderit të këtij subjekti më të madh opozitar z. Isa Mustafa, që po e kundërshton fuqishëm për momentin një propozim të tillë, nga ky subjekt politik gjinden me “kallaballëk” edhe ish ministra e politikanë tjerë të LDK-së, që do të përkuleshin e pranonin të jenë ministra në kabinetin e Thaçit,duke u thirrur në radhë te parë në presionin nga ndërkombëtarët, por edhe kinse po e bëjnë këtë në interes të vendit.

Kuptohet,futja në bashkëqeverisje edhe e LDK-së,për Thaçin si kryeministër dhe lider numër një në Kosovë, do të thotë fitore dhe poenë politikë,në radhë të parë tek ndërkombëtarët, dhe në anën tjetër, do të bartte përgjegjësinë, tek të tjerët ,sa i përket vendimeve gjatë bisedimeve politike me Serbinë, dhe do të krijonte hapësirë e mundësi që edhe më tepër të përçante dhe defaktorizonte opozitën, edhe ashtu të përçarë e dërmuar, që nga ardhja e tij në pushtet,e që është shkathtësi e tij e veçantë.

Zgjedhjet e parakohshme,më së shumti hëpërhë i nevojiten Parlamentit,si institucioni më i lartë legjislativ i vendit,por s’ka dilemë se përbërja e kësaj garniture deputetësh është ndër më të dobëtit dhe më të papërgatiturit sa i përket edhe kualitetit dhe debatit profesional kuvendor nga sfera e vendimmarrjes,por gjithashtu, fatkeqësisht, shumica e deputetëve, nga të gjitha subjektet, pjesëmarrëse në Kuvendin e Kosovës, ”aksidentalisht”,janë deputetë falë “vjedhjeve industriale” të zgjedhjeve të fundit,por fatlumnisht pa imunitet.

Ka opinione se faktorit ndërkombëtar, dhe Serbisë, po i ngutet për bisedime me Kosovën, me të vetmin qëllim që sa më parë Serbia të behet pjese e BE-së,por është mirë që ne, si Kosovë, bile një herë të jemi ata që të determinojmë dhe kushtëzojmë edhe bisedimet edhe kalkulimet e të tjerëve ,meqë më me rëndësi është që gjërat të shtyhen për një kohë, por që ato të jenë të përgatitura mirë nga ana jonë, por edhe të përfaqësuara sa më denjësisht.

Mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme, për Thaçin nuk paraqesin ndonjë problem të madh,që edhe në këto zgjedhje ai të fitojë dhe të jetë i pari, gjë që edhe nuk ka kush që mund ta rrezikojë atë dhe partinë e tij,pastaj edhe faktori ndërkombëtar ka krijuar raporte të tilla, dhe është bindur se vetëm me Thaçin në krye, proceset që duhet të kryhen mund të bëhen realitet, por “difekti”që Thaçit apo disa “të tjerëve” nuk u konvenon, është se (ndoshta) lista e të zgjedhurve nuk mund të përpilohet nëpër oda dhe të dominohet nga “komandantë lokalë” e njerëz të “nëntokës”,por pozitive më e madhe është se tek popullata krijohet një pasqyrë dhe besim që kurajon dhe jep shpresë, edhe para këtyre proceseve që priten të zhvillohen.

Është shansi i fundit që Hashim Thaçi, si njeriu numër një në Kosovë, përkundër kritikave të mëdha që i kanë drejtuar disa edhe publikisht, dhe po i bëhen edhe në këto momente, jo vetëm nga opozita, por edhe nga disa me të cilët po rrinë e po pinë(por tinëzisht), të pastrojë skenën politike me organizimin e zgjedhjeve të reja,të mbështesë idetë dhe projektet që çojnë proceset përpara, të largojë ata që po pengojnë këto procese, me çka me siguri do të krijonte një klimë të re relaksuese në Kosovë, e cila, vështirësitë dhe të këqijat edhe mund të harrohen,e që është edhe obligim i liderit të mirë të një vendi.

Merre si ta marrësh, PDK-ja e Thaçit ka kohë që është futur në zgjedhje lokale dhe atë fillimisht me Ferizajn, Kaçanikun ku edhe doli fituese, e se shpejti me siguri do vazhdohet edhe me Vitinë, Prizrenin, Lipjanin …andaj edhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të sjellin vetëm gjëra më të mira dhe do të legjitimonin figura dhe personalitete që mbi të gjitha, në radhë të parë, kanë interesin shtetëror, e pastaj atë personal.

Mos të harrojmë,kaptinë në vete është edhe rasti i presidentes, e që është kryekëput në dorë të Thaçit.

Zhbllokimi i procesit të Ligjit zgjedhor që po kushtëzohet jo vetëm nga LDK-ja por edhe subjekte tjera ,gjithashtu kërkon jo “kokëfortësi”,por në radhë të parë pjekuri,sens e respektim të marrëveshjes e cila është kusht edhe për marrëveshje të ardhshme,por edhe fuqizim apo degradim të personalitetit që ka qenë bartës i kësaj marrëveshjeje.

Kosova ka nevojë për koka të reja në skenën politike, e në veçanti me njerëz që kanë besim e mandat nga populli, i cili fatkeqësisht, deri më tash nuk arriti t’i zgjedhë ata që deshi.

Hashim Thaçi këtë mund ta bëjë…

zkastrati@hotmail.com

"Ne nuk e shesim vendin, nuk e shesim Kosovën se jemi nipat e nipit të hamamit të Hyrës...




MUHARREM    NITAJ

Duhet të jesh shumë i padijshëm, aspak politikan dhe ndoshta pak shqiptar, që sot të mos e kuptosh se bisedimet me Serbinë dhe për veriun nuk mund të jenë zgjedhje e klasës politike të Kosovës. Në këtë pjesë të Kosovës sot dhe tani, "haraju srpske bande" dhe pesë ose gjashtë kryeministrat e deritashëm të Kosovës dhe qeveritë e tyre nuk kanë mundur të bëjnë pothuaj asgjë që Kosova të shtrihet edhe në këtë pjesë. Kanë qenë edhe dhjetëra liderë opozitarë dhe parti, që pos llafeve për atdhe dhe liri, për veriun s`kanë pasur bythë të shkojnë as në veri.

Këtij i thonë patriotizëm me sharki në cicë. "Ne nuk flasim me Serbinë dhe për asnjë gjë". Kësaj i thonë me shitë pallavra e me rrah gjoks në odat e dala mode të katundit. "Ne nuk e shesim vendin, nuk e shesim Kosovën se jemi nipat e nipit të hamamit të Hyrës..."

Nuk besoj që sot ka njeri që ka qejf të flasë e të negociojë me Serbinë për çfarë do qoftë. I kam dëgjuar Hashim Thaçin, Isa Mustafën, Albin Kurtin, Blerim Shalën, Ahmet Isufin, Ismet Beqirin e deri të vogëlushët e politikës, të flasin për Kushtetutën, për Ahtisaarin, për Serbinë, për qeverinë, për Nikoliqin e Daçiqin, për veriun, por jo të thonë se ne duhet t`i përvishemi punës seriozisht dhe dhimbshëm ndoshta. Apo të tjerë të thonë se si Hashimi e Ramushi mund të bëhen bashkë për ta shitur veriun, se si njerëzit e kupolës politike paskan ëndrra të negociojnë me Serbinë e për ta falur veriun në mënyrë që ta fshehin hajninë e tyre, por jo të thonë se ndoshta ata mund ta marrin vetëm të mundshmën.

Çuditërisht në disa ditët e fundit disa njerëz kanë ngritur alarmin për rrezikun e madh nga një proces i ri bisedimesh me Serbinë dhe për veriun. Duhet të jesh shumë i padijshëm, aspak politikan dhe mbi të gjitha pak shqiptar ndoshta, që sot të mos e kuptosh se bisedimet me Serbinë nuk mund të jenë zgjedhje e klasës politike të Kosovës. Duhet të mos duash të shohësh asgjë përtej interesit të votës, nëse beson se kapërcimi i këtyre bisedimeve do ta kthejë veriun e vendit nën sovranitetin e Prishtinës. Në këtë pjesë të Kosovës sot dhe tani, "haraju srpske bande" dhe pesë ose gjashtë kryeministrat e deritashëm të Kosovës dhe qeveritë e tyre, nuk kanë mundur të bëjnë pothuaj asgjë që Kosova të shtrihet edhe në këtë pjesë.

Po kaq asgjë kanë bërë edhe katër ose pesë presidentët e vendit, apo tre ose katër legjislaturat e Kuvendit me qindra deputetët e tyre. Kanë qenë edhe dhjetëra liderë opozitarë dhe parti, që pos llafeve për atdhe dhe liri, për veriun s`kanë pasur bythë të shkojnë as në veri. Edhe Hashim Thaçi edhe Ramush Haradinaj, edhe Isa Mustafa edhe Albin Kurti... e dinë saktë se nuk kanë qare as derma pa u ulur edhe njëherë në bisedime me Serbinë, qofshin ato teknike apo politike. Secili veç e veç dhe të gjithë së bashku e dinë,se veriut të vendit duhet t`i vihet pikë dhe nëse ndonjëri prej këtyre nuk do të jetë pjesë e këtij procesi, në rastin më të mirë të mundshëm ka refuzuar ta marrë përgjegjësinë që i takon.

Nëse sot ka një kornizë të përcaktuar nga Komuniteti Ndërkombëtar se nuk ka ndryshim të kufijve, dhe këtë mesazh tashmë e ka marr edhe lidershipi në Beograd, klasa politike e Prishtinës, më në fund do të duhej që ta pranojë botërisht se ka një problem serioz me një pjesë të vendit të vet dhe ta njoftojë populln se bisedimet janë të pashmangshme. Sa më parë dhe sa më hapur të bëhet kjo, aq më mirë e aq më ndershëm për njerëzit që kanë marr guxim ta drejtojnë politikën e këtij vendi. Ambasadori i vendit, qe pa dyshim ka bërë shumë për Kosovën, pak ditë më parë thoshte se shmangja eventuale e bisedimeve për veriun, do të kishte pasoja të rënda për vendin.

Ambasadori britanik, amerikan ose francez, nuk mund ta drejtojnë vendin, por për ata që marrin vesh sado pak, kanë treguar se ku dhe si mbrohet ai. Deklarimet se nuk ka bisedime për veriun, mund të ishin të kuptueshme mbase, sikur veriu i vendit tashmë të ishte pjesë e tërësisë ose sikur ata që flasin ta kishin fuqinë e guximin për ta zgjidhur problemin. Por refuzimi i bisedimeve në emër të një farë patriotizmi të lodhët të tipit "jo nuk ndahet Mitrovica..." ma kujton politikën e Haxhi Qamilit.

Sfida më e madhe që e ka sot Kosova, është veriu i vendit, i cili duket se duhet të mbrohet në tavolinën e bisedimeve dhe jo në fushën e trimërisë. Ata që sot rrahin gjoks se e duan Kosovën, atë duhet ta mbrojnë në "tryezën e bisedimeve" Kundërshtarët e këtij procesi duhet t`i nxjerrin duart nga xhepat e mbushur plot, dhe të jenë pjesë e frontit politik.

Të jenë aty ku mbrohet kjo pjesë e Kosovës, ose të dalin në mal...ose ta pranojnë botërisht se nuk kanë as dije as kurajë të përballen me një proces kaq të komplikuar dhe të lëshojnë rrugë. Po të ishte për qeveritë në Prishtinë dhe në Beograd, veriu mbase edhe mund të mos diskutohej kurrë dhe të lihej ashtu siç është, ku banditët që flasin gjuhë të ndryshme ( serbisht, shqip e anglisht) do të vazhdonin të jetonin në "parajsën e hajnisë". Por tashmë ka disa procese të tjera në Evropën e Bashkuar që nuk iu lënë shumë zgjidhje.

Lidershipi në Prishtinë, këta që janë pro bisedimeve, por edhe kundërshtarët e tyre, duhet që të paktën një herë të bëhen burra dhe të thonë....bisedimet nuk janë në dorën tonë. Nuk është marre të thuhet se ato ndoshta do të përfundojnë me një "autonomi për veriun".

National Aeronautics and Space Administration -NASA: Ja zjarret në Kosovë





Kosova është përfshirë nga zjarret. Për këtë shqetësim nuk reagojnë vetëm partitë opozitare dhe organizatat vendore. Është edhe National Aeronautics and Space Administration -NASA ajo që jep imazhin e një fatkeqësie që po i ndodhë Kosovës.

Një foto e realizuar nga aparaturat moderne të agjencisë hapësinore National Aeronautics and Space Administration-NASA, është postuar në ueb-faqen e kësaj agjencie, ku Kosova shihet në flakë.
This visible image of Tropical Storm Isaac taken from NOAA's GOES-13 satellite shows the huge extent of the storm, where the eastern-most clouds lie over the Carolinas and the western-most clouds are brushing east Texas.
“Disa zjarre kanë shpërthyer në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e të cilat po paraqesin shumë rrezik”, thuhet në raportin e National Aeronautics and Space Administration- NASA-s. Zjarret në Kosovë janë të përshkruara me të kuqe.

http://www.nasa.gov/


KFOR: Qeveria nuk kërkoi ndihmë

Forca Paqeruajtëse e NATO-s në Kosovë, KFOR, ka hedhur poshtë pohimet e Ministrisë së Brendshme se ka kërkuar ndihmë nga ky mision për të luftuar zjarret që kanë shpërthyer gjithandej vendit.
Zëdhënësi i KFOR-it, Uve Nowitzki, ka konfirmuar se asnjë kërkesë zyrtare nuk ka arritur në KFOR nga ana e Ministrisë së Brendshme. Sidoqoftë, edhe po të bëhej kërkesa, KFOR-i thotë se tashmë nuk i ka helikopterët e nevojshëm për shuarjen e zjarrit, siç i kishte vite më parë.
“Deri në ora 17 [të së martës] asnjë kërkesë zyrtare nuk ka arritur në KFOR nga ana e Ministrisë së Brendshme. Nuk kemi pranuar gjë. Ajo që kemi hasur është kërkesa nga komunat në baza rajonale, kur autoritetet janë takuar me ushtarët tanë,” ka thënë Uve Nowitzki, për GazetaJNK.
Përmes një komunikate dërguar medieve, MPB-ja kosovare ka shkruar se “në mungesë të pajisjeve të mjaftueshme të specializuara për shuarjen e zjarreve, ka kërkuar asistencë nga KFOR-i dhe vendet e rajonit.”

Komunikata ishte dërguar ditën e hënë, si një përgjigje ndaj akuzave të Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila e ka kritikuar qeverinë se është treguar e paaftë për t`u përballuar më gjendjen e rëndë nga zjarret që kanë shkatërruar qindra hektarë pyje në vise të ndryshme të vendit.

Por edhe nëse qeveria do t’i dërgonte një kërkesë formale për ndihmë nga KFOR-i, misioni paqeruajtës ka pak gjasa që t’i dalë në ndihmë, sepse krahas zvogëlimit të numrit të ushtarëve, janë reduktuar edhe kapacitetet e saj në makineri.

“Nga perspektiva jonë, është shumë e rëndësishme që publiku ta dijë se KFOR nuk ka më helikopterët e nevojshëm për shuarjen e zjarrit, siç i kishte [vite] më parë”, ka sqaruar Nowitzki.
Për këtë shqetësim nuk reagojnë vetëm partitë opozitare dhe organizatat vendore. Indeksonline ka raportuar se është edhe NASA ajo që jep imazhin e një fatkeqësie që po i ndodhë Kosovës.
Një foto e realizuar nga aparaturat moderne të agjencisë hapësinore NASA, është postuar në ueb-faqen e kësaj agjencie, ku Kosova shihet në flakë.
“Disa zjarre kanë shpërthyer në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e të cilat po paraqesin shumë rrezik”, thuhet në raportin e NASA-s.

Profesor Dr.sci. Shkodran Cenë Imeraj Familja e Isa Boletinit me origjinë nga Isniqi i Deçanit

                                Historiaani Prof.dr.Shkodran  Cenë Imeraj  Zbritja nga vendbanimi i pjesës kodrinore-malore dhe vendosj...