MUHARREM NITAJ
Duhet të jesh shumë i padijshëm, aspak politikan dhe ndoshta pak shqiptar, që sot të mos e kuptosh se bisedimet me Serbinë dhe për veriun nuk mund të jenë zgjedhje e klasës politike të Kosovës. Në këtë pjesë të Kosovës sot dhe tani, "haraju srpske bande" dhe pesë ose gjashtë kryeministrat e deritashëm të Kosovës dhe qeveritë e tyre nuk kanë mundur të bëjnë pothuaj asgjë që Kosova të shtrihet edhe në këtë pjesë. Kanë qenë edhe dhjetëra liderë opozitarë dhe parti, që pos llafeve për atdhe dhe liri, për veriun s`kanë pasur bythë të shkojnë as në veri.
Këtij i thonë patriotizëm me sharki në cicë. "Ne nuk flasim me Serbinë dhe për asnjë gjë". Kësaj i thonë me shitë pallavra e me rrah gjoks në odat e dala mode të katundit. "Ne nuk e shesim vendin, nuk e shesim Kosovën se jemi nipat e nipit të hamamit të Hyrës..."
Nuk besoj që sot ka njeri që ka qejf të flasë e të negociojë me Serbinë për çfarë do qoftë. I kam dëgjuar Hashim Thaçin, Isa Mustafën, Albin Kurtin, Blerim Shalën, Ahmet Isufin, Ismet Beqirin e deri të vogëlushët e politikës, të flasin për Kushtetutën, për Ahtisaarin, për Serbinë, për qeverinë, për Nikoliqin e Daçiqin, për veriun, por jo të thonë se ne duhet t`i përvishemi punës seriozisht dhe dhimbshëm ndoshta. Apo të tjerë të thonë se si Hashimi e Ramushi mund të bëhen bashkë për ta shitur veriun, se si njerëzit e kupolës politike paskan ëndrra të negociojnë me Serbinë e për ta falur veriun në mënyrë që ta fshehin hajninë e tyre, por jo të thonë se ndoshta ata mund ta marrin vetëm të mundshmën.
Çuditërisht në disa ditët e fundit disa njerëz kanë ngritur alarmin për rrezikun e madh nga një proces i ri bisedimesh me Serbinë dhe për veriun. Duhet të jesh shumë i padijshëm, aspak politikan dhe mbi të gjitha pak shqiptar ndoshta, që sot të mos e kuptosh se bisedimet me Serbinë nuk mund të jenë zgjedhje e klasës politike të Kosovës. Duhet të mos duash të shohësh asgjë përtej interesit të votës, nëse beson se kapërcimi i këtyre bisedimeve do ta kthejë veriun e vendit nën sovranitetin e Prishtinës. Në këtë pjesë të Kosovës sot dhe tani, "haraju srpske bande" dhe pesë ose gjashtë kryeministrat e deritashëm të Kosovës dhe qeveritë e tyre, nuk kanë mundur të bëjnë pothuaj asgjë që Kosova të shtrihet edhe në këtë pjesë.
Po kaq asgjë kanë bërë edhe katër ose pesë presidentët e vendit, apo tre ose katër legjislaturat e Kuvendit me qindra deputetët e tyre. Kanë qenë edhe dhjetëra liderë opozitarë dhe parti, që pos llafeve për atdhe dhe liri, për veriun s`kanë pasur bythë të shkojnë as në veri. Edhe Hashim Thaçi edhe Ramush Haradinaj, edhe Isa Mustafa edhe Albin Kurti... e dinë saktë se nuk kanë qare as derma pa u ulur edhe njëherë në bisedime me Serbinë, qofshin ato teknike apo politike. Secili veç e veç dhe të gjithë së bashku e dinë,se veriut të vendit duhet t`i vihet pikë dhe nëse ndonjëri prej këtyre nuk do të jetë pjesë e këtij procesi, në rastin më të mirë të mundshëm ka refuzuar ta marrë përgjegjësinë që i takon.
Nëse sot ka një kornizë të përcaktuar nga Komuniteti Ndërkombëtar se nuk ka ndryshim të kufijve, dhe këtë mesazh tashmë e ka marr edhe lidershipi në Beograd, klasa politike e Prishtinës, më në fund do të duhej që ta pranojë botërisht se ka një problem serioz me një pjesë të vendit të vet dhe ta njoftojë populln se bisedimet janë të pashmangshme. Sa më parë dhe sa më hapur të bëhet kjo, aq më mirë e aq më ndershëm për njerëzit që kanë marr guxim ta drejtojnë politikën e këtij vendi. Ambasadori i vendit, qe pa dyshim ka bërë shumë për Kosovën, pak ditë më parë thoshte se shmangja eventuale e bisedimeve për veriun, do të kishte pasoja të rënda për vendin.
Ambasadori britanik, amerikan ose francez, nuk mund ta drejtojnë vendin, por për ata që marrin vesh sado pak, kanë treguar se ku dhe si mbrohet ai. Deklarimet se nuk ka bisedime për veriun, mund të ishin të kuptueshme mbase, sikur veriu i vendit tashmë të ishte pjesë e tërësisë ose sikur ata që flasin ta kishin fuqinë e guximin për ta zgjidhur problemin. Por refuzimi i bisedimeve në emër të një farë patriotizmi të lodhët të tipit "jo nuk ndahet Mitrovica..." ma kujton politikën e Haxhi Qamilit.
Sfida më e madhe që e ka sot Kosova, është veriu i vendit, i cili duket se duhet të mbrohet në tavolinën e bisedimeve dhe jo në fushën e trimërisë. Ata që sot rrahin gjoks se e duan Kosovën, atë duhet ta mbrojnë në "tryezën e bisedimeve" Kundërshtarët e këtij procesi duhet t`i nxjerrin duart nga xhepat e mbushur plot, dhe të jenë pjesë e frontit politik.
Të jenë aty ku mbrohet kjo pjesë e Kosovës, ose të dalin në mal...ose ta pranojnë botërisht se nuk kanë as dije as kurajë të përballen me një proces kaq të komplikuar dhe të lëshojnë rrugë. Po të ishte për qeveritë në Prishtinë dhe në Beograd, veriu mbase edhe mund të mos diskutohej kurrë dhe të lihej ashtu siç është, ku banditët që flasin gjuhë të ndryshme ( serbisht, shqip e anglisht) do të vazhdonin të jetonin në "parajsën e hajnisë". Por tashmë ka disa procese të tjera në Evropën e Bashkuar që nuk iu lënë shumë zgjidhje.
Lidershipi në Prishtinë, këta që janë pro bisedimeve, por edhe kundërshtarët e tyre, duhet që të paktën një herë të bëhen burra dhe të thonë....bisedimet nuk janë në dorën tonë. Nuk është marre të thuhet se ato ndoshta do të përfundojnë me një "autonomi për veriun".