XHAVIT HALITI
Para gati një viti u vura në fokus të kritikave mediatike, kur citova një burim informues, në të cilin thuhej se “qendrat e vendosjes në botë janë duke dërguar sinjale se dhënia e një statusi special, të administruar nga Kosova, do të ishte zgjidhje e problemit të veriut”. Për këtë citim, që nuk përfaqësonte as mendimin dhe, aq më pak, as pëlqimin tim veprues, “u mallkova!”.
Megjithatë, shpallja e të vërtetave “të hidhura” e parakupton këtë pasojë. Ndaj, po marr “rolin e avokatit” për ta mbrojtur edhe rifillimin e dialogut Kosovë - Serbi dhe mund të them se ky nuk mund të shmanget e nuk mund të ketë vlerë pa “ndërhyrjen e diskutimin” në të të politikës.
Përfundimi i mësipërm konsiderohet e quhet i tillë (përfundim) pas parashikimit të premisave nga të cilat rrjedh. Le t’i parashtrojmë: Së pari, Brukseli dhe Uashingtoni, që luajnë “ndërprerjen” e bisedimeve Prishtinë - Beograd, për arsye të zhvillimit të zgjedhjeve të trefishta në Serbi, iu rikthyen me intensitet rifillimit të tyre pas përfundimit të këtij procesi. Presioni i dy kryeqendrave të politikës aktuale sunduese të botës demokratike ishte aq imponues saqë presidenti i sapozgjedhur i Serbisë, nacionalisti Nikoliq, (që nuk “harroi” pa përmendur Kushtetutën e Republikës së Serbisë, që ende vazhdon ta konsiderojë shtetin e pavarur të Kosovës si pjesë të vet), të deklarohej për vazhdimin e bisedimeve Serbi - Kosovë, por edhe të premtonte botërisht angazhimin personal në këto bisedime.
Nikoliq provokoi, duke e ditur që në planet ligjore dhe politike ishte superior në vëmendjen e ndërkombëtarëve përball presidentes së Kosovës. Si çdo provokator në mungesë të suksesit, ai u tërhoq nga premtimi i vet dhe autorizoi Dacicin për t’i rifilluar bisedimet me Thaçin. Së dyti, kryeqendrat perëndimore të politikës botërore, gjendja aktuale në Evropë dhe, sidomos në Ballkan, e shtyn shtetin serb të njihte nivele pariteti; ta pranonte takimin mes kryeministrave. Ky deklarim, që kërkohet dhe pritet të bëhet sa më parë fakt, në fakt, por jo në planet formale (ligjore ndërkombëtare), është njohje faktike dhe pranim botërisht i ekzistencës dhe funksionimit të shtetit të pavarur të Kosovës. Nëse ky argument merret në konsideratë dhe pranohet, atëherë bisedimet mes dy kryeministrave, edhe kur bëhen nën monitorimin ndërkombëtar, nuk mund t’i shmangen dhe as nuk e meritojnë nivelin e negociuesve pa atakuar e diskutuar problemet jetike të karakterit politik.
Duke iu shmangur parashtrimeve të mësipërme, disi teorike, le të dalim te titulli i këtij shkrimi: Dialogu politik në kuadër të rifillimit të bisedimeve Kosovë - Serbi është i pashmangshëm. Atë e kërkojnë Brukseli dhe Uashingtoni, madje e kërkon edhe Beogradi, para se ta krijojë Prishtina. Na takon ne ta kërkojmë dialogun në rrafshin politik, sepse e ka të vështirë ta kuptojë kërkesën për “pavarësinë” ose “autonominë” e veriut të Mitrovicës si “superiore” dhe “kryefjalë” e bisedimeve të pritshme kur ne, Kosova, jemi ende në Kushtetutën e RS-së, pjesë e Republikës së Serbisë.
Por, kjo pashmangësi ka një pengesë të njohur dhe të pakalueshme, që është shpallur dhe mbrohet politikisht dhe institucionalisht në Kosovë; zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri tashmë në bisedimet mes dy shteteve. Mendoj se duhet hyrë në bisedimet e kërkuara me Serbinë me aksiomat e afirmuara nga Republika e Kosovës dhe aleatët tanë të afirmuar euroatlantikë: Pavarësia është e njohur; tërësia dhe sovraniteti territorial i Republikës së Kosovës është i padiskutueshëm. Atëherë, le të diskutojmë në rang kryeministrash, duke mbajtur parasysh dhe mbrojtur me argument përparësitë tona. Ndjesia e të voglit na dëmton.
Përparësia jonë është argument i ngritur nga realiteti; një status special i veriut të Mitrovicës mund të jetë i papëlqyeshëm për Deçanin dhe bashkësitë e serbëve në distancë me kufijtë shtetërorë Kosovë - Serbi. Bisedimet e pritshme, pa pretenduar të jenë një zgjidhje, janë një sfidë. Kjo sfidë, duke shmangur elementët dytësore, përballet me Serbinë, BE-në dhe SHBA-në. Është sfidë se kërkohet nga Beogradi, për çudi, nga Nikoliqi nacionalisti serb, që fitoi votat me propagandën anti-Kosovë. Ky “ujk” i shndërruar në qengj bëhet iniciues dhe promotor i rifillimit të bisedimeve. Kam dëgjuar dhe lexuar për “mëkatarë” të shndërruar në “shenjtorë”, por asnjëherë nuk kam besuar se Nikoliqi t’ia kalojë liberalizimit të ish-kryeministrit të ndjerë Xhinxhiq dhe të vazhdojë jo vetëm ta gëzojë postin, por edhe të mbetet i gjallë.
Rifillimi i bisedimeve është sfidë. Ecuria jonë e derisotme është në favor të Kosovës. Me ne janë faktorët politikë më të rëndësishëm kombëtarë dhe ndërkombëtarë. Për herë të parë politikisht dhe botërisht Serbia po hyn në raporte me Kosovën në raporte barazie. Është rasti i parë i përballjes për të qenë dinjitoz, ndaj e kërkon sfidën.
Xhavit Haliti lindi më 8 mars të vitit 1956 në Novo Sellë(shq: fshati i ri) të Pejës, Kosovë, është politikan shqiptar, një ndër themeluesit[citim i duhur] e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ka qenë i burgosur politik, me ç'rast detyrohet të shpërngulet në Zvicër, ku caktohet një nga udhëheqësit e LPK (Lëvizjes Popullore të Kosovës). Në vitin 1993, së bashku me Ali Ahmetin dhe Azem Sylën, caktohet në Sektorin e Rëndësisë së Veçantë, organ i cili kishte kompetenca të bashkërendojë grupet e atëhershme guerile që vepronin në Kosovë.
Pas bashkrendimit të grupeve, ky Sektor, themelon Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe cakton Shtabin Qendror të UÇK-së (më pas Shtabin e Përgjithshëm). Kohë pas kohe Xhavit Haliti, udhëtonte nga Zvicrra në Shqipëri, ku mbante takime me udhëheqësit e grupeve guerile të UÇK-së, si dhe me zyrtarët e shtetit Shqiptar dhe diplomatë të huaj.
Kishte kontakte direkte apo indirekte me të gjithë eprorët e UÇK-së, sidomos me korrdinatorin e UÇK-së në Kosovë, Nait Hasani. Xhavit Haliti dhe sektori që e udhëheqi u vlerësua shumë lartë dhe efikas në punën e tij.
Gjatë tërë kohës, mbështeti dhe koordinoi furnizimin e rregulltë të njësive të para të UÇK-së, e pas daljes së saj publike, luajti rolin e diplomatit dhe mbrojti luftën e UÇK-së në bisedat e shumtame diplomatët e huaj, si dhe mbajti raportet me zyrtarët e shtetit shqiptar.
Në Konferencën e Rambujes, u caktua anëtar i Delegacionit. Ishte halë në sy të pushtetit serb, dhe ndaj tij në Zvicërr u organizua një atentat, nga i cili shpëtoi pa pasoja, por pësuan disa familjarë të tij.
Pasi nuk ia arritit qëllimit që ta vriste, Serbia, me tërë arsenalin e vet propagandues, hapi propaganda të ndryshme kundër tij, e kjo vazhdoi edhe pas çlirimit të Kosovës.
Arsimimi
Fakulteti Filologjik, Dega e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe Tiranë dhe Prishtinë.
Veprimtaria
Gjatë viteve 1987–1999 ishte anëtar i Kryesisë së LPK-së
Në vitin 1993 ishte bashkthemelues i UÇK-së
Gjatë viteve 1993-1999 ishte anëtar[citim i duhur] i SHP të UÇK-së
Që nga viti 1999 është anëtar i Kryesisë së PDK-së
Që nga viti 2001 është Deputet i Kuvendit të Kosovës dhe anëtar i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës në të tri legjislacionet.