Në amfiteatrin e rektoratit të Universitetit Shtetëror të Tetovës kohë më parë u promovua libri “Sfidat e Farmaceutikës” të anëtares të Kryetares së shoqatës shqiptare-kanadeze, Dr. Ruki Kondaj.
Në fjalën e Tij, para studentëve dhe stafit akademik, rektori i USHT-së, Prof. dr. Vullnet Ameti, theksoi se promovimi i kësaj vepre, është një lajm i mirë për të gjithë studentët e Universitetit tonë, sidomos për studentët e Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë.
Rektori vlerësoi lartë rolin e librave në formimin dhe reformimin e shoqërisë sonë, dhe para auditorit shkencor u shpreh “librat e kanë ndryshuar dhe përsosur shoqërinë me vlera të reja të dijes, prandaj me të drejtë thuhet, se ndër instrumentet e shumtë të njeriut, më i mahnitshmi dhe më reformatori është libri.
I vetëdijshëm për rëndësinë e veprimtarisë botuese dhe forcën progresive të saj, edhe Universiteti ynë angazhohet maksimalisht për të nxjerrë në dritë botime të reja të të gjitha fushave të nevojshme për studentët dhe kuadrin mësimdhënës” tha Rektori, Prof.dr. Vullnet Ameti.
Ai po ashtu vuri në dukje se përmes promovimeve të veprave të këtij niveli shkencor, ne jemi në hap me zhvillimet e reja që kanë përfshirë shkencën dhe botën e qytetëruar.
Në përfundim të fjalës së Tij, Rektori Prof. dr .Vullnet Ameti deklaroi se meritat u takojnë vetëm atyre që shkruajnë dhe krijojnë për mbarë shoqërinë, dhe me këtë rast doktoreshës Ruki Kondaj i shprehi mirënjohjen për kontributin e saj në fushën e farmaceutikës dhe shëndetësisë. Autorja e librit, Dr.Ruki Kondaj në fillim falënderoi udhëheqësinë e Universitetit për pritjen e ngrohtë, dhe më pas për pjesëmarrësit prezantoi në detaje Sistemin farmaceutik në Shqipëri në kontekstin bashkëkohor.
Nga prezantimi i saj, studentët dhe stafi akademik i USHT-së u njohën në detaje me hulumtimet studimore krahasuese të evidencës ekzistuese farmaceutike në botë me realitetin në Shqipëri dhe gjerë.
Në paraqitjen e hollësive, Dr. Ruki Kondaj solli tematikën dhe objektivin që përbëjnë problematikat më të mprehta të Sistemit Shëndetësor dhe Farmaceutikës në Shqipëri. Përndryshe, Ruki Kondaj është autore e një numri të madh publikimesh shkencore brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Është anëtare e disa shoqatave ndërkombëtare për shëndetësinë dhe farmaceutikën, dhe kontribuon në konferencat kombëtare e ndërkombëtare në fushën e shëndetësisë në përgjithësi dhe në mënyrë të veçantë në sektorin e farmacisë. Në promovimin e librit të lartpërmendur, morën pjesë edhe Këshilltari i Diasporës Shqiptare, Zekirja Aliu, Prorektori për arsim, Doc. dr. Fehari Ramadani, Prorektori për marrëdhënie ndërkombëtare, Prof. dr. Arbër Çeliku, dekanë të fakulteteve, profesorë dhe studentë të USHT-së.