2012-08-29

KONKURSET LETRARE, JURITE DHE PROFESIONALIZMI I TYRE



KONKURSET LETRARE, JURITE DHE PROFESIONALIZMI I TYRE

Konkurset letrare, janë bërë forma të realizimit të projekteve të shoqatave të ndryshme, të cilat vënë në krye njerëz filanë, e këta pastaj, realizojnë skena të vlerësimit që nuk lënë vend për pjesëmarrje herëve të tjera. Kjo është bërë traditë tashme artistike, është bërë një far turpi që detyrimisht, intelektualët e përkrahin me duartrokitje dhe luajtje kokash.
Juria përbehet nga njerëz që nuk kanë kurrë kompetencë as dije të mjaftueshme për poezinë, madje të profesioneve që nuk kanë lidhje me artin e lëre më me poezinë- poezinë e kanë hobi etj., janë shkrues tekesh, me të cilët arrijnë lehtë të manipulojnë organizatorët.

Ja se çka bëhet:

Vlerësojnë dukjen dhe jo artin, jo poezinë, jo tekstin dhe ndërtimin e tij;
Vlerësojnë moshën e autorit – sikur janë në dijeni se autori do të vdes që neser në mëngjes ( çka ka rëndësi nëse një autor është i moçëm dhe përballë tij një tjetër i ri, vlerësojeni poezinë jo moshën, ose le të organizohet ndonjë konkurs vetëm për poetë të vjetër );
Vlerësojnë shokun më të ngushtë- me të cilin e ndajnë interesin nëpër konkurse ( në këtë konkurs ti do ta kesh një vend sepse unë jam juri, ama nëse ti do të jesh nesër në një konkurs ma kthen borxhin );
Nuk lejojnë të lexohen publikisht poezitë e konkurruesve, ( thirren në vendime të jurisë, se koha është e shkurtër, numri i madh i konkurrentëve, prandaj poezitë do t’i lexojnë vetëm tre fituesit e konkursit, kjo është e dhimbshme, është krim serik. Sikur të lexoheshin poezitë e të gjithëve, dhe juria përballë publikut të merrte vendime, atëherë filonoidiotizmi nuk do të jepte rezultat )
Për të mbuluar me hi sytë e heshtur, thonë u kemi bërë nga një mirënjohje në nderim të mundit tuaj.
Mbajnë do farë “ kumtesa “shkencore për poezinë, njerëz me profesion gjeografie, ekonomie, biologjie, njerëz me profesion inxhinier të komunikacionit hekurudhor, njerëz profesionist për hedhje nga parashuta etj. etj.).

I kanë rënë në fije që të organizojnë konkurse nëpër data të rëndësishme, data të cilat janë obligim moral, njerëzor e kombëtar që të përkrahen financiarisht, prandaj, tentimi për përfitim në rrethana të tilla, është bërë një vjedhje e meritës, një ndërtim karriere kryekëput pa erë të vlerave të mirëfillta.

Fenomeni i tillë, ka zënë të zhvillohet, pas luftës, meqë më herët ndodhte thuajse e njëjta gjë, me ato garat e recituesve, e dini të gjithë, që mashtrohej para syve publiku dhe fitonin fëmijët e drejtorëve, fëmijët e njerëzve që kishin mundësi të ndërhynin te juria etj.

A duhet të ndodhë kjo gjë?

S’kam nevojë të përgjigjem, por po e zgjeroj paksa me disa fjalë:

“ Kur nuk ka shi edhe breshëri është i mirë “- kjo është shprehja që e kam dëgjuar nga poetë të njohur, të cilët zhgënjeheshin pas përfundimit të aktivitetit në të cili ishin konkurrent, por ata, do të duhej të ngriheshin në këmbë dhe të thoshin, se kjo është dukuri e fëlliqur që duhet ndalë. Por edhe atyre u konvenon dhe u konvenonte heshtja, sepse janë edhe vetë njerëz të veprimeve të tilla.
Këto gjëra janë të ngjashme me atë “ S’ka tjetër pos diktatorit “, prandaj “ S’ka tjetër përveç poetëve të apostrofuar, të cilët tashmë janë të njohur, e për çudi kanë filluar ta njohin edhe vetën në raport me të tjerët “.


Malishevë, më 27.08.2012