ZEF PERGEGA:MEDITIM PER GONXHEN…





Nana Terezë është shija e përkryer e humanizmit njerëzor, melhemi i shpirtit të përvuajtur që kërkon shpetim nga ëngjëjt e gjallë. Ajo, rrugëve të botës mblodhi eshtra dhe plagë të ngjitura nëpër trotuaret shqepanë e baltën e kasolleve të varfëra të Indisë dhe në gropat e thella të syve të mjerimit vaditi fidanin e shpresës Nana Terezë është pema hyjnore, që poqi frutin e dritës në agime të papërseritshme.
Ajo ështe gurrë e nëndheshme e liqenit të Shkodrës, kokrra e joduar e rerës së Shirokës, filizi i njomë në palcën e harmonisë së kullave të fisit tonë. Eshtë maja e Olimpit të shpirtit të Madh, është feja e re mbi fetë, mëndafshi i butë në qiellin e kalasë me frengji të shqiptarit, që në pëllëmbë të vizionit të tij paraprinë me hapin e fanarit.

Nana e Madhe shqiptare ështe pesha e globit dhe balanca e gravitetit. Veshja e saj e bardhë me vija blu, simbol i zanës së detit shqiptar, që lidhi valët me dallgët e oqeanit të mirësisë, për t’u ngritur lart në prehër të Atit, si pëllumbeshë e paqës. Në anijen e saj plot dhurata Krishtlindjësh punuan marinaret e pathyera nga përplasjet bord me bord me çmenduritë fortunale, për t’u ankoruar aty ku pllakoste sëmundja, shëndeti i lig, zvenitja e verdhë, aty ku mungonte buka edhe kripa, si një sfidë përballë luksit, dhunës dhe shtypjës së shfytyruar të anës tjetër të rrugës.

Nana Terezë është gonxhe trandofili në yllin me të shëndritshëm të shqiptarit, që kurrë nuk e mohoi të qenurit dhe gjuhën shqipe se ajo i përkiste Dheut të Atit të Arbërisë. Mohimit të rëndë iu përgjigj me një buçetë lulesh mbi varrin e diktatorit të Shqipërisë.
Une sa i preka dorën e lëmuar me frymë zane. Me krah mjelme përshëndeti në Tiranë në kodrën bektashijane. Atdheu atë ditë m’u duk se nuk kishte rrudhje e nuk qe thinjur nga dryni i kyçur në portën e mbylljës së hekurt. Prej erës së petaleve të saj, lavdija e kombit s’ka mortje. Hiri i saj hyjnor ardhur në tokën e nenës dhe motrës së vet, në epitafe të humbura diktature, flakëruar dhurata e vonë, si qirinjë të ndezur faltorëve.
Afsh prej ballit të fisit me erdhi si frymë e trojeve etnike, lotin tim ngjyrë ylberi Mikelanxhelo në penel e ktheu portretin e mëshirës të Nana Terezës. Për këtë Bijë, që është dashuria në veprim me vëllaun njeri, gjithkushi me tha një ditë në Detroit. biografi Dom Lushi.
Universi i humanizmit, Gonxhe, që shqip të rëndi gjaku dejeve, e Clintonit i the : “Ma ndihmo Rugoven se është vellau im!” Formën mori shekulli i 20-t në plazmën e gjakut ilirike, në mishërim me qiellin që shqip e dëgjoi punën e pendimit nga goja jote. Ajo është libri i bardhë i lutjeve në sheshin e Prishtinës, ku e thyen qafën Carët, për të rilindur Kosova me kosovaret!
Në hemisferën e privatizuar pa tapi nga këmbëza e zhdukjës, Nana Terezë është kënga e hymnit me kumbuese e korit njerëzor e ndihmës në nevojë dhe e paqës që ajo dirigjoi me vertebrat e fjalës hyjnore. Zonja e Shkodrës dhe Nana Terezë, lindur nga kalaja “Rozafa”, ngritur mbi lëgjënden e murimit që prej saj rrjedh tamel guri, janë princshat e qiellit të shtatë të shpirtit të njeriut dhe mërgimtarit, të cilin e ushqejnë me begati meteorësh.

Në vesen e barit të parimeve ideologjike të unit, ne, e përthyem dhe e vramë driten e tyre, por Dheu i Atit i mbati ngrohtë në djepine tij dhe me rrënjët e veta i mekoi për enërgji krahësh e veprash të mrekullueshme, për me e mbajtë eshkën ndezur në sytë tanë, për nga jemi nisur ta kapin bregun e diellit nga e mbara…

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)