2012-08-28

Zgjedhjet e parakohshme (ndoshta) pastrojnë skenën politike?




       ZEJDUSH   KASTRATI


Kosovës, si asnjëherë më parë, i nevojitet një garniturë dhe klasë, krejt tjetër politike, dhe atë jo vetëm sa i përket ekzekutivit, përkatësisht koalicionit momental qeveritar, por në veçanti Parlamentit, por, patjetër, edhe Presidencës aktuale.

Shkojmë radhazi, dhe nëse bëjmë një analizë më të detajizuar të kësaj qeverie, nuk ka vend për mburrje apo lëvdata, as në sferën e proceseve pozitive zhvillimore, por as në aspektin e rritjes së besimit apo shpresave tek banorët e Kosovës, se e ardhmja e tyre do të jetë më e mirë,apo do të sjellë rezultate, të cilat ka kohë që jemi mësuar vetëm t’i dëgjojmë nëpër prononcime e debate mediale ,dhe atë që nga kryeministri Thaçi, ashtu edhe pothuaj gjithë ministrat e zëvendësministrat e shumtë në numër, të kësaj qeverie,por mos të harrojmë edhe të qeverive të mëhershme .

Kjo qeveri, me Hashim Thaçin në krye, i cili s’ka dilemë për momentin,edhe gjatë këtij mandati të tij të dytë,me lojën që po e zhvillon, ai është i pakontestueshëm dhe pa alternativë, se dikush nga skena aktuale politike kosovare do të mund ta zëvendësojë sa i përket përbërjes së këtij kabineti qeveritar,karakterizohen dhe identifikohen me personalitete e individë, që më tepër janë pjesë të klaneve e grupacioneve të caktuara të interesit,të cilët jo vetëm nga disa media që janë përfolur, si aktorë të aferave të mëdha , në radhë të parë atyre korruptive,falsifikimeve, por edhe sa i përket bagazhit profesional,moral e kombëtar , personaliteti i shumicës së tyre,që nga fillimi, ka qenë mjaft i diskutueshëm dhe kontarverz.

Mbi gjysma e kabinetit nën hetime,me një strukturë minoritare brenda këtij kabineti që nuk reflekton besueshmëri dhe kapacitete progresive,në këto momente, kur Kosova po përgatitet për bisedime politike dhe shumë të rëndësishme me Serbinë, e në veçanti çështja e veriut të Mitrovicës ,kërkohet një seriozitet konsensual,besueshmëri tek liderët, dhe në veçanti, një strukturë e re qeverisëse,më pak e shantazhuar, e cila me një platformë të qartë shkon edhe në këto bisedime, dhe pastaj di çka kërkon,pastaj ka guxim të thotë të vërtetën, edhe para popullit të Kosovës por edhe palës serbe, e faktorit ndërkombëtar.

Krijimi i kooalicioneve të reja qeverisëse,që po përfolet ditëve të fundit, në radhë të parë mes PDK-së e AAK-së, nuk paraqet asgjë të re dhe të mirë për Kosovën në këto momente ,por nëse ndodh atëherë, vetëm se do të arrijë që të instalohen disa figura të reja(nga ata të vjetrit), që botërisht dihet se kush janë edhe nga PDK-ja por edhe AAK-ja, të cilët vetëm se do të plotësonin dëshirat e disa njerëzve të caktuar nga këto dy subjekte politike ,por në veçanti do të plotësonin kërkesat e ndërkombëtarëve dhe palës serbe, të cilëve më së shumti po u ngutet dhe nuk po na kursejnë.

Është vështirë të besohet se kërkesës së Thaçit për një koalicion sa më të gjerë, me pjesëmarrjen edhe të LDK-së,hiq liderit të këtij subjekti më të madh opozitar z. Isa Mustafa, që po e kundërshton fuqishëm për momentin një propozim të tillë, nga ky subjekt politik gjinden me “kallaballëk” edhe ish ministra e politikanë tjerë të LDK-së, që do të përkuleshin e pranonin të jenë ministra në kabinetin e Thaçit,duke u thirrur në radhë te parë në presionin nga ndërkombëtarët, por edhe kinse po e bëjnë këtë në interes të vendit.

Kuptohet,futja në bashkëqeverisje edhe e LDK-së,për Thaçin si kryeministër dhe lider numër një në Kosovë, do të thotë fitore dhe poenë politikë,në radhë të parë tek ndërkombëtarët, dhe në anën tjetër, do të bartte përgjegjësinë, tek të tjerët ,sa i përket vendimeve gjatë bisedimeve politike me Serbinë, dhe do të krijonte hapësirë e mundësi që edhe më tepër të përçante dhe defaktorizonte opozitën, edhe ashtu të përçarë e dërmuar, që nga ardhja e tij në pushtet,e që është shkathtësi e tij e veçantë.

Zgjedhjet e parakohshme,më së shumti hëpërhë i nevojiten Parlamentit,si institucioni më i lartë legjislativ i vendit,por s’ka dilemë se përbërja e kësaj garniture deputetësh është ndër më të dobëtit dhe më të papërgatiturit sa i përket edhe kualitetit dhe debatit profesional kuvendor nga sfera e vendimmarrjes,por gjithashtu, fatkeqësisht, shumica e deputetëve, nga të gjitha subjektet, pjesëmarrëse në Kuvendin e Kosovës, ”aksidentalisht”,janë deputetë falë “vjedhjeve industriale” të zgjedhjeve të fundit,por fatlumnisht pa imunitet.

Ka opinione se faktorit ndërkombëtar, dhe Serbisë, po i ngutet për bisedime me Kosovën, me të vetmin qëllim që sa më parë Serbia të behet pjese e BE-së,por është mirë që ne, si Kosovë, bile një herë të jemi ata që të determinojmë dhe kushtëzojmë edhe bisedimet edhe kalkulimet e të tjerëve ,meqë më me rëndësi është që gjërat të shtyhen për një kohë, por që ato të jenë të përgatitura mirë nga ana jonë, por edhe të përfaqësuara sa më denjësisht.

Mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme, për Thaçin nuk paraqesin ndonjë problem të madh,që edhe në këto zgjedhje ai të fitojë dhe të jetë i pari, gjë që edhe nuk ka kush që mund ta rrezikojë atë dhe partinë e tij,pastaj edhe faktori ndërkombëtar ka krijuar raporte të tilla, dhe është bindur se vetëm me Thaçin në krye, proceset që duhet të kryhen mund të bëhen realitet, por “difekti”që Thaçit apo disa “të tjerëve” nuk u konvenon, është se (ndoshta) lista e të zgjedhurve nuk mund të përpilohet nëpër oda dhe të dominohet nga “komandantë lokalë” e njerëz të “nëntokës”,por pozitive më e madhe është se tek popullata krijohet një pasqyrë dhe besim që kurajon dhe jep shpresë, edhe para këtyre proceseve që priten të zhvillohen.

Është shansi i fundit që Hashim Thaçi, si njeriu numër një në Kosovë, përkundër kritikave të mëdha që i kanë drejtuar disa edhe publikisht, dhe po i bëhen edhe në këto momente, jo vetëm nga opozita, por edhe nga disa me të cilët po rrinë e po pinë(por tinëzisht), të pastrojë skenën politike me organizimin e zgjedhjeve të reja,të mbështesë idetë dhe projektet që çojnë proceset përpara, të largojë ata që po pengojnë këto procese, me çka me siguri do të krijonte një klimë të re relaksuese në Kosovë, e cila, vështirësitë dhe të këqijat edhe mund të harrohen,e që është edhe obligim i liderit të mirë të një vendi.

Merre si ta marrësh, PDK-ja e Thaçit ka kohë që është futur në zgjedhje lokale dhe atë fillimisht me Ferizajn, Kaçanikun ku edhe doli fituese, e se shpejti me siguri do vazhdohet edhe me Vitinë, Prizrenin, Lipjanin …andaj edhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të sjellin vetëm gjëra më të mira dhe do të legjitimonin figura dhe personalitete që mbi të gjitha, në radhë të parë, kanë interesin shtetëror, e pastaj atë personal.

Mos të harrojmë,kaptinë në vete është edhe rasti i presidentes, e që është kryekëput në dorë të Thaçit.

Zhbllokimi i procesit të Ligjit zgjedhor që po kushtëzohet jo vetëm nga LDK-ja por edhe subjekte tjera ,gjithashtu kërkon jo “kokëfortësi”,por në radhë të parë pjekuri,sens e respektim të marrëveshjes e cila është kusht edhe për marrëveshje të ardhshme,por edhe fuqizim apo degradim të personalitetit që ka qenë bartës i kësaj marrëveshjeje.

Kosova ka nevojë për koka të reja në skenën politike, e në veçanti me njerëz që kanë besim e mandat nga populli, i cili fatkeqësisht, deri më tash nuk arriti t’i zgjedhë ata që deshi.

Hashim Thaçi këtë mund ta bëjë…

zkastrati@hotmail.com

No comments:

Post a Comment

Myrvete Dreshaj – Baliu: Shëmbëlltyra e Adem Jasharit dhe familjes së tij në poezinë e sotme shqipe 1,2 3.

            Profesor Dr. Myrvete Dreshaj-Baliu, PHD.   Përmbledhje e shkurtër: Objekt i kërkimit në këtë studim është reflektimi i shëmbëllt...