Shtëpia e re që po ndërtohej në Veternik, e përfolur shumë ka mbetur pa pronarin e saj. Kryeministri Hashim Thac nuk ka vendosur të kaloj tek shtëpia e re që ka dy vite që po ndërtohet dhe gjithcka duket se ecën sipas shijes së tij. Por kjo nuk po i ngutet, e mbase Kryeministri e ka rezervuar pas përfundimit të mandatit.
Pas incidentit në shtëpinë e tij në lagjen Arbëria kur një i ri po përpiqej të vidhte, Kryeministri dhe familja e tij u larguan në lagjen Bregu i Diellit ku për dy vite jetuan në një apartament, pronë e njërit prej deputetëve të partisë së tij. Por në muajt e fundit, Kryeministri është zhvendosur në një shtëpi tjetër përderisa kjo e reja, ende mbetet e pabanuar.
Për blerjen e saj, Kryeministri në deklarimin e pasurisë në AKK pati thënë se paratë i kishte mbledhur nga shitja e shtëpisë në Arbëria dhe marrjen e një kredie prej 100 mijë eurosh.
Aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, të martën pasdite, ndërmorën aksionin simbolik “Shitet prona, 26.300 euro” përpara shtëpisë së Kryeministrit Hashim Thaçi.
Vetëvendosje thotë se duke pasur në vëmendje ngutinë e Kryeministrit për të shitur pronat publike të Kosovës me çmime qesharake, veçanërisht ato që përbëjnë sektorët strategjikë, “aktivistët sot i sugjeruan që le të shesë pronat e tij private nëse ka zell për shitje”.
Aktivistja Etleva Malushaj tha se kur flasim për pasuritë e Kosovës, duhet ta kemi parasysh që kompanitë publike nuk janë pronë e qeverisë e as të ministrave e kryeministrit aktualisht janë në te.
“Duke qenë pronë e publikut, pronë e të gjithë neve, atyre që kanë qenë para nesh dhe atyre qe do të vijnë pas nesh, vendimin për privatizim e kompanive publike do të duhet ta merrnin vetëm qytetarët e Kosovës. Për më tepër kjo qeveri nuk ka legjitimitet politik për t’i privatizuar këto kompani nëse i kemi parasysh organizimet qytetare, qoftë reagimet e OJQ-ve, sindikatave, subjekteve politike e grupeve të tjera që e kanë kundërshtuar privatizimin e Distribucionit dhe PTK-së. Gjithë ky organizim shoqëror tregon se qytetarët e Kosovës nuk janë duke u pajtuar me privatizimin e këtyre kompanive publike”, ka thënë Malushaj.
Sipas saj, prona publike është diçka që nuk bëhet private ndërkaq “kompanitë publike do të duhej të ishin kompani të paprivatizueshme. Ato duhet të jenë interes kombëtar, strategjik e interes ekonomik dhe si të tilla duhet të mbesin publike”.
Malushaj thotë se mënyra që kjo qeveri po e përdor për privatizim e kompanive publike, duke i shitur ato sa më shpejtë e sa më lirë, po na bën të dyshojmë se kjo qeveri ka obligime e borxhe të cilat po përpiqe t’i shpaguajë duke e shitur pronën tonë.
“Por, ne i themi kryeministrit dhe ministrave që obligimet e tyre ti kryejnë duke e shitur pronën e tyre private e mos ta privatizojë pronën tonë të përbashkët e të mirën tonë të përgjithshme, për shkak se e mira jonë e përgjithshme, hapësira jonë publike dhe kompanitë tona publike nuk duhet të jenë pre e një qeverie e cila as legjitimitetin më të vogël politik nuk e ka për të qenë aty, e lëre më kredibilitetin për të ndërmarrë aktivitete në emër të qytetarëve të Kosovës”, ka theksuar Malushaj.