ARDIAN ZEJNAJ
Përfundimi i mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, është tregues se objektivat e Planit të ish-presidentit finlandez, Martih Ahtisari, janë "përmbushur", duke e "dërguar" këtë Plan në arkivat e historisë. Kjo do të thotë se nga 11 shtatori 2012, në Kosovë do të krijohet një gjendje e re politike dhe juridike, ajo post-Ahtisari. Më fillimin e kësaj epoke, nënkuptohet se palët do të kenë edhe obligime të reja të cilat, sado që po mohohet publikisht, privatisht po pranohet nga Qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë, si kohë për një betejë të re diplomatike, e cila do të vazhdojë nga ku kishte mbetur më 18 shkurt 2008, mbi urën e lumit Ibër.
Serbia do të provojë që status-quon trembëdhjetëvjeçare në veri ta shndërrojnë në një gjendje juridike dhe politike të favorshme për serbët (në një lloj autonomie), siç do të angazhohet edhe Kosova, që këtë status-quon ta "shkrijë" nën autoritetin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Përtej këtij angazhimi apo synimi, nuk ka asnjë arsye që Qeveria e Kosovës të provojë të manipulojë qytetarët e Kosovës se me organizime të festave në Prishtinë, kemi arritur "pavarësinë e plotë" të vendit tonë. Në vend të kësaj, pas 10 shtatorit 2012, institucionet e Kosovës do të jenë përgjegjëset kryesore për gjithë çfarë do të ndodhë më pastaj në dhe përreth vendit tonë (minus veriu i vendit).
Për të pasur pavarësi të plotë dhe sovranitet mbi tërë vendin, Kosova duhet që ta ndryshojë gjendjen e pas 18 shkurtit 2008 në veri, siç do të duhet të ndryshojë në gjithë Kosovën edhe gjendjen juridike dhe politike të vendosur në vitin 1999, mbi bazën e Rezolutës 1244 të KS të OKB-së. Kjo për faktin se, si Plani i Ahtisarit, ashtu edhe Rezoluta 1244, në Kosovë kanë vendosur apo zgjatur një lloj moratoriumi në raportet mes shumicës shqiptare dhe pakicës serbe, ndërsa që Veriun e kanë shndërruar në një "konflikt të ngrirë", ku serbët dhe shqiptarët kanë vazhduar t`i mbrojnë pozicionet e "fituar" pas 12 qershorit 1999, përkatësisht 18 shkurtit 2008.
Prandaj, edhe insistimi i ri i bashkësisë ndërkombëtare për një proces të ri negociator mes Kosovës dhe Serbisë, vetëm sa konfirmon këtë realitet dhe na dëshmon se as Rezoluta 1244, dhe as Plani i Ahtisarit nuk e kishin zgjidhur statusin përfundimtar të Kosovës! Të dy këto dokumente më shumë kanë shërbyer si korniza juridike dhe politike brenda së cilave, në njërën anë janë ndërtuar dhe kanë funksionuar institucionet e Kosovës dhe në anën tjetër i kanë dhenë hapësirë dhe mundësi Serbisë që në veri të Kosovës të zhvillojë dhe menaxhojë institucione paralele serbe!
Kështu që "njehsimi" i Rezolutës 1244 dhe Planit të Ahtisarit në një "zgjidhje" të vetme dhe gjithëpërfshirëse për Kosovën, nuk do të jetë e lehtë dhe as fitore për Kosovën. Procesi i ri negociator me Serbinë, më shumë sesa pavarësi të plotë për Kosovën, do të mund të sjellë një federalizim të vendit tonë, për shkak se vendi ynë rrezikon të ndahet në dy entitete, pavarësisht sa i madh dhe i fuqishëm do të jetë entiteti serb! Serbët tanimë kanë krijuar një entitetin e tyre kulturor dhe religjioz në Kosovë (me lejen dhe insistimin e Qeverisë së Kosovës), dhe u mungon vetëm edhe ai politik (që pritet të krijohet në Veri), për ta kompletuar federalizimin e Kosovës.
Dhe rrjedhën e lumit tani nuk do të mund ta parandalojnë as klishetë patriotike të partive opozitare në Kosovë, sepse edhe LDK-ja e AAK-ja, ashtu si PDK-ja dhe kryetari i saj Hashim Thaçi, që po kërkojnë më ngulm të përfshijnë sa më shumë aktorë vendorë në këto negociata, kanë qenë në pushtet dhe pjesë e bisedimeve të para katër vjetëve në Vjenë, kur bashkërisht e kanë lenë veriun në duart e Serbisë dhe jashtë Pakos së Ahtisarit dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës! Ndoshta e vetmja parti që ka të drejtë morale të flasë për këtë proces për shkak të kundërshtimit të vazhdueshëm, është Lëvizja Vetëvendosje!, por e cila me gjithë retorikën e fortë kundër një procesi të ri negociator me Serbinë, nuk ka ndonjë ide se si duhet kaluar pushteti i institucioneve të e Kosovës përtej lumit Ibër, përveç kërkesës për përdorim të forcës!
Nëse do të ishte zgjidhja për veriun sot kaq e lehtë, atëherë Hashim Thaçi këtë gjë do ta arrinte më 25 korrik 2011, kur urdhëroi ndërhyrjen e Forcave Speciale të Policisë së Kosovës atje, që dogji këtë mundësi të fundit! Pikërisht se nuk na ka mbetur ndonjë alternativë tjetër për të "shkuar" në veri, po ndodhur procesi i ri negociator, i cili synon t`u japë fund mosmarrëveshjeve politike mes Kosovës dhe Serbisë.
Nëse ka një ide tjetër se si mund të rikthehet veriu nën pushtetin e Prishtinës, le të thuhet sa më parë, por jo duke "shitur" patriotizëm të rremë dhe përsëritur frazat e vjetra, se zgjidhja është brenda Kushtetutës dhe Planit të Ahtisarit, ngase asnjëra nga këto dy dokumente, edhe pas trembëdhjetë vjetëve, nuk i ka dhenë zgjidhje status-quos në veri! Veriu i Kosovës vazhdon t`i bëjë rivalitet Republikës së pavarur të Kosovës!