UNIONI I SHKRIMTARËVE DHE I KRITIKËVE
SHQIPTARË
Reshat Sahitaj -
Begzad Baliu
’DHIMBË E BUKUR’
Homazh për Ali Podrimjen (1942-2012)
Prishtinë, 2012
PËRMBAJTJA
Parathënie
Reshat
SAHITAJ
ALI PODRIMJA - PRINCI I POEZISË SHQIPE
Të nderuar kolegë[1],
ora e sotme letrare dallon prej orëve të tjera letrare që ne i kemi mbajtur.
Sot, në mesin tonë mungon ai të cilin të gjithë e kemi dashur dhe i cili ishte
inspirim yni, Princi i Poezisë Shqiptare ALI PODRIMJA. Ai fizikisht u nda prej
nesh, mirëpo do të jetojë me ne përmes
vargjeve të tij dhe kujtimeve tona për të.
Çdonjëri që sot
është prezent në këtë orë letrare, dhe shumë të tjerë, të cilët nuk kanë pasur
mundësi të vijnë për të ndarë dhembjen dhe për t’i thënë Lamtumirë Ali
Podrimjes, ndjejmë dhembje për humbjen e papritur të poetit tonë. Secili prej
nesh në thellësi të shpirtit ruan kujtime për çastet që kemi kaluar me Ali
Podrimjen. Ato ishin momente të këndshme diskutimesh letrare, po edhe çaste e
momente të bezdisshme, të cilat kushtëzoheshin prej jetës sonë, përditshmërisë
sonë dhe doemos një prirjeje aktive të mikut tonë, e cila kushtëzohej prej
shqetësimeve të brendshme të tij.
Aliu krijonte ditën
dhe natën, ulur dhe në ecje, ai kurrë nuk ishte pasiv. Poezinë e tij të sapo
shkruar na e lexonte jo vetëm në kafene e rrugë, po edhe përmes telefonit, pa e
shikuar se ç’kohë e natës apo e ditës ishte. Për Aliun nuk ekzistonte dita e as
nata, ai jetonte në botën e tij krijuese, botë plot imagjinatë dhe intuitë, që
kurrë nuk e linte të vetmuar.
Sot, po e ndjejmë mungesën e tij. Sot, madje edhe
bezdisjet e tij të herëpashershme po na mungojnë!
Sot, në këtë orë
letrare, në shenjë respekti dhe përkujtimi do të lexohen krijimet tuaja, që ju
të dashur shkrimtarë, ia keni kushtuar Ali Podrimjes, sa ishtim bashkë, apo që
i keni shkruar në çastet e para të marrjes së lajmit për ndarjen e tij nga ne.
Sot, do të bëni që me fjalën tuaj, me vargun e ndjenjave poetike, Ali Podrimja të gjallojë në zemrat tona
dhe në zemrat e secilit shqiptar.
Nuk jemi mbledhur
këtu të vajtojmë për Princin e Poezisë Shqiptare, Ali Podrimjen, por t’i
këndojmë atij, që tërë jetën i këndoi popullit të tij, që nga rinia e tij e
hershme kur shkruante “Kosova është gjaku im që nuk falet”.
Këto dhjetë vitet e
fundit, Ali Podrimja ishte në kontakt dhe aktivitete letrare të vazhdueshme me
Smajl Smakën, Shaqir Foniqin dhe me mua, por Ali Podrimja ishte në kontakte dhe
aktivitete të vazhdueshme me secilin prej jush, kudo dhe kushdo që e ftonte, për
të marrë pjesë në aktivitete letrare. Pra, askush nuk duhet të ketë pretendime
se Aliu ishte vetëm yni apo vetëm i tyre sepse Ali Podrimja ishte i të
gjithëve.
Ali Podrimja jetoi
për poezinë dhe vdekja e mori në Festivalin e poezisë, një rast ky i
jashtëzakonshëm, që i takon vetëm poetit të vërtetë, sikur ishte Ai.
Begzad BALIU
LAMTUMIRË
POETIT ALI PODRIMJA
E nderuara Familje Podrimja,
I nderuari z. Adem Demaçi, z. zëvendësministër
Hajdin Abazi,
I nderuar z. Vehap Shita, z. Ramiz
Kelmendi, z. Rexhep Ferri
Jemi tubuar sot
nga Unioni i Kritikëve dhe Shkrimtarëve Shqiptarë që t’ia themi Lamtumirën e
fundit poetit Ali Podrimja. Unioni i Kritikëve dhe Shkrimtarëve është njëri
prej institucioneve kulturore ndërkombëtare, në të cilin mjeshtri ynë gjente
strehën e tij prej miku dhe krijuesi, prandaj mes tij dhe kësaj qendre
kulturore, që i krijonte hapësirë veprimi, respekti nuk u shua deri në fund.
Po ndahemi nga poeti,
i cili na la pa i mbushur të 70-tat, sado, po të na pyesnin vetëm pak ditë më
parë, rrallë prej nesh do ta besonim moshën e tij. Ai ishte prej atyre miqve të
përditshmërisë së qytetit tonë dhe botës shqiptare, i cili kudo reflektonte një
botë të pasur ndjenjash të hareshme, sado poezitë e tij kishin kaq shumë
dhembje dhe togfjalësha me këtë sintagmë, ku njëra prej fjalëve, simboleve a
metaforave, doemos lidhej me vdekjen dhe dhembjen që shkaktonte ajo.
E kuptueshme për
ata që e kanë njohur biografinë e tij, biografinë e familjes së tij dhe doemos
biografinë e popullit të tij!
I lindur rreth 70
vjet më parë (28 gusht 1942, në qytetin e Gjakovës), Ali Podrimja u rritë me dramën e madhe të dhembjes krenare,
sikur shprehej jo vetëm ai, po edhe i gjithë brezi i tij.
Pas përpjekjeve të tij prej gjimnazisti në
Gjakovë, ku poezia po i sillte famë mes popullit të tij, por edhe shqetësime me
sigurimin shtetëror, ai vazhdon studimet në Universitetin e Prishtinës, për t’u
bërë njëkohësisht edhe njëri prej bartësve të jetës krijuese dhe artistike në
institucionet më të rëndësishme letrare të Kosovës, në gazetën Rilindja (1966), dhe sidomos në
redaksinë e botimeve të Rilindjes (1976
-). Në këtë institucion, i cili për shumë dekada ishte sinonim i arritjeve
kulturore të botës shqiptare në ish-Jugosllavi, Ali Podrimja realizon synimet
më të larta të përpjekjeve të tij kulturore e artistike deri në vitin 1989, por
njëkohësisht edhe përjeton rrënimet materiale e shpirtërore të popullit
shqiptar në Kosovë nga regjimi serb pas vitit 1990.
Për disa dekada
me radhë Ali Podrimja ishte njëri prej përfaqësuesve më të përhershëm të
krijimtarisë letrare jo vetëm në hapësirën shqiptare, po edhe në botën letrare,
prandaj në vitin 1996 ai u zgjodh anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të
Kosovës.
Pa dashur që në
këtë fjalë rasti të merrem me veprimtarinë e tij të pasur letrare, këtu dua të
theksoj tri periudha letrare, të cilave jo vetëm ju ka takuar, por edhe
identifikohen gjerësisht me veprën letrare të tij.
Në periudhën e
parë, vitet ’60, Ali Podrimja do t’iu bashkohet këngëtarëve të fatit të vështirë të popullit shqiptar. Poezitë e
tij, si edhe proza poetike janë elegji të dhembjes së trashëguar brez as brezi.
Veprat e tij të kësaj periudhe[3],
do t’ia falin poetit atë me të cilin ëndërronte brezi i tij, misionin e poetit, një ëndërr të cilin
ai nuk e braktisi deri në fund të jetës së tij, mbase edhe me mënyrën se si u
nda nga ne. Nuk i mbeti borxh në këtë drejtim as poezia. Vargu i tij poetik Kosova është gjaku im që nuk falet, u bë
simboli më emblematik i poezisë shqiptare, po edhe sinonim i Lëvizjes Kombëtare
Shqiptare për Çlirim nga ish-Jugosllavia.
Periudha e dytë e
krijimtarisë së tij përfshin vitet ’70-‘80 të shekullit XX, në të cilën poeti
ynë do të shquhet me dy veçori letrare: e para me mënyrën se si e refuzoi krijimtarinë
poetike në frymën e realizimit socialist në letërsi dhe me mënyrën se si e
krijoi poezinë moderne shqipe, sado nuk arriti të lirohet prej simboleve
etno-folklorike të botës shpirtërore e materiale shqiptare[4];
dhe e dyta me realizimin e veprës Lum
Lumi, 1982, njërës prej veprave, pa dyshim më të mira të letërsisë së
shekulli XX. Lexuesi shqiptar apo i huaj, një ditë mbase nuk do të mund t’i
perceptojë shumë simbole etno-historike të poezisë shqipe, por zor se do të
mund të vjen ajo ditë apo ai shekull, kur lexuesi shqiptar apo i huaj, nuk do
ta përjetojë dhembjen, të cilën Poeti ynë e ka ngritur në kategori universale:
dhembjen për Lumin. Për shkak se gjatë kësaj periudhe Ali Podrimja ia ka lënë
letërsisë shqipe njërin prej simboleve më me ndikim në letrat shqipe, sot mund
të thuhet se misioni i tij letrar gjatë kësaj periudhe dhe misioni i tij prej
poeti është përmbushur plotësisht.
Periudha e tretë
përfshinë krijimtarinë e tij të dy dekadave të fundit[5],
në të cilën bashkohen elemente të periudhës së parë: disa nga simbolet dhe
motivet elegjiake; dhe të periudhës së dytë: filozofia ekzistencialiste dhe
disa nga temat e motivet nacionale. Rrethanat historike me të cilat ndeshet
populli shqiptar, tek poeti sikur ridimensionojnë edhe konceptet e tij për
poezinë dhe poetikën e saj. Për ta përmbushur misionin e tij, ai përveç poezisë
shkruan edhe prozën[6]
dhe veçanërisht esenë[7],
sado, fjalësi dhe togfjalëshi i tij treten në mënyrë të padiktueshme nga poezia
në ese dhe anasjelltas.
Gjatë gjithë
krijimtarisë së tij letrare, Ali Podrimja do të shquhet edhe me disa nga
veçoritë krijuese me të cilat nuk do të veçohen edhe krijues të tjerë të brezit
të tij. Me veprat e para ai do të shquhet për ndikimin e tij në mjedisin ku
krijon, me veprat e mëtejme madje do të shquhet paralelisht: në ambientin
gjuhësor të ish-Jugosllavisë[8]
dhe në botimet e letërsisë së Kosovës në Shqipëri,[9]
duke e vënë madje atë në krye të vëllimeve antologjike[10],
ndërsa nga vitet ’70 e deri në fund, krijimtaria e tij letrare do të reflektojë
edhe në botimet letrare në gjuhën frënge, gjermane, angleze, polake, italiane,
rumune, greke, hungareze, lituane, suedeze, ruse, arabe etj.
Që nga vitet ’60
e deri në fund, zor të gjendet një vëllim antologjik, një përfaqësim sado
modest i poezisë shqipe në revista letrare, në të cilin të mos jetë përfaqësuar
edhe Ali Podrmija[11].
Që nga kjo kohë, zor të gjendet një Festival sado i madh apo i vogël i poezisë
evropiane, e të mos jetë ftuar edhe Poeti ynë.
Poeti Ali Podrimja,
nuk ishte vetëm autori i përzgjedhur i botimeve antologjike, por edhe autor e
bashkautor i botimit të shumë vëllimeve antologjike në gjuhën shqipe[12]
dhe në gjuhë të huaja[13].
Si i tillë me
kohë dhe në mënyrë aktive ai është bërë poet i vlerësuar nga kritika letrare
shqipe dhe evropiane[14].
Në të vërtet, duke mos qenë krijues që më parë se sa me veprën, ndikimin e tij
në mendimin kritik e krijon edhe me jetën, Ali Podrimja, si pak shkrimtarë të
mëdhenj të letërsisë shqipe, më parë se sa me biografinë, në kritikën letrare
është shquar për vlerat estetike të poezisë së tij. Pra, ai është bërë sinonim
i klasikut të poezisë shqipe të shekullit XX.
Ka shumë vjet që
disa nga poetët e letërsisë shqipe i cilësojmë si bohem të saj. Këtë nuk ia
kemi atribuar Ali Podrimjes deri më tash, për faktin se e kemi ndjerë më
ndryshe nga ata poetë, që krijimtarinë letrare dhe jetën njëkohësisht e bënin
pranë një gote dhe nën strehën e një kafeneje të qytetit.
Sot ndoshta
pritet të themi se kemi gabuar dhe ndoshta është koha ta përmirësojmë këtë
gabim, por jo. Sot është koha ta themi atë që i takon Podrimjes. Ai jetonte si
poet, pra gjithnjë duke shkruar; na takonte jo si bohem i poezisë, po si
krijues që të fliste vetëm për poezinë; që i besonte asaj që ta thoshte (në të
vërtetë që e kishte krijuar ndoshta vetëm pak kohë më parë) dhe që i besonte
asaj që ia thoshe për poezinë e tij; që besonte se me poezinë i kontribuonte
shoqërisë dhe popullit të tij; që bëhej bashkëvuajtës dhe qëndrestar i popullit
të tij; që e shikonte të kaluarën dhe të ardhmen e popullit të tij kryesisht
vetëm përmes vargut letrar; që e jetonte poezinë kudo dhe kurdo. Për shkak se,
poezinë e tij e shihte si mision, por jo veten si misionar, sepse në jetën e
tij ishte tepër modest, sot për të mund të thuhet se ai nuk ishte poet bohemësh,
por ka një veçori, të cilën zor ta gjejmë në biografinë e të gjithë poetëve,
pavarësisht sojit të tyre: vdekjen e tij, për të cilën sigurisht nuk ka pse të
thuren mistere, por ka arsye për të ndërtuar imazhin e krijuesit që nuk ka një
kufi, një fund, një datë, një moshë, si dhe një model tepër origjinal të të
nxënit të vdekjes, dhe të cilit i përgjigjet edhe një varg i poezisë së tij: Mora rrugën të takoj njeri![15]
Pra, ai ecën,
është në rrugë dhe nuk ka kush të mos e besoj këtë! Lexuesit e tij e dinë ku
është nisur Ali Podrimja: drejt Yllit të tij, drejt simbolit të tij jetësor dhe
krijues: Lumit. Dhe në asnjë mënyrë a variant nuk do ta ndalin atë.
Prandaj, në këtë
rrjedhë, në këtë rrugë të përjetshme, të cilën e ka trasuar disa dekada më parë
me jetën dhe poezinë e tij, miqtë e tij bën, që sot, të thonë vetëm një
përshëndetje për të: Lamtumirë!
Prishtinë,
më 23. 7. 2012
PASTHËNIE
Zhdukjen e Ali
Podrimjes nga festivali i poezisë mesdhetare “Voix de la Méditerranée”, në qytetin e Lodève në
Francë,
fillimisht e morëm si në shaka, sepse mendonim se Aliu ishte takuar me ndonjë
bashkatdhetarë që jeton në Francë. Smajl Smaka kishte telefonuar në Francë, për
t’u njoftuar më shumë se a ishte kthyer Aliu në hotel, dhe kur u kuptua se Aliu
nuk ishte kthyer, fytyrat tona morën pamje të zymtë. Smajl Samka dhe Behare
Rexhepi, shkuan edhe njëherë lart në zyrën e Smajlit, në mënyrë që Beharja të bisedonte
me telefon më drejtorin e festivalit, e të merrej vesh më saktë për fatin e
Aliut, për të cilin tani filluam të shqetësoheshim. Organizatori i festivalit
në Francë, i tha Behares që Aliu ishte zhdukur dhe për të bërë kërkime përmes
policisë franceze duhej autorizim i njërit nga anëtarët e familjes se tij. Lajmi
mori dhenë! Të nesërmen policia franceze
kishte gjetur trupin e pajetë të Aliut.
Lajmi për vdekjen e
Ali Podrimjes, ishte një lajm befasues për të gjithë ata që e njohën Aliun nga
afër. Askush nuk do ta kishte imagjinuar se trupi i Ali Podrimjes do të kthehej
pa jetë në Kosovë, sepse Aliu kishte kondicion fizik dhe nuk paraqiste ndonjë
shenjë të veçantë dobësimi të shëndetit të tij, pavarësisht se ai po i mbushte
të shtatëdhjetat.
Lajmi për vdekjen e
Ali Podrimjes, kishte shkaktuar dhembje në mesin e qytetarëve të Kosovës e
veçmas në komunitetin artistik. Krijuesit mbushnin faqe të tëra të gazetave dhe
të internetit me poezi që ia kushtuan poetit dhe mikut të tyre shumë dashur.
Sikur ndodh
përgjithësisht me institucionet që ju ka takuar poeti, ato organizojnë takime
lamtumirëse për të. Një Akademi përkujtimore e organizoi Akademia e Shkencave
dhe Arteve e Kosovës, anëtar i së cilës ishte, ndërsa një takim letrar
lamtumirës e organizoi Unioni i Kritikëve dhe Shkrimtarëve Shqiptarë, të cilin
Ali Podrimja, dy vjetët e fundit e kishte përfaqësuar në disa aktivitete
ndërkombëtare.
Me këtë rast, ne ju
bëmë thirrje publike shumë poetëve që të dërgojnë që më parë krijimet e tyre
kushtuar Podrimjes edhe përmes formave elektronike. Brenda 24 orësh në adresën
tonë erdhën disa qindra poezi, skica, kujtime, poema, vlerësime, tekste,
informata publicistike etj., nga të gjitha trevat e hapësirës shqiptare dhe nga
diaspora jonë, të cilat as përafërsisht nuk kishte mundësi të lexoheshin. Para
një situate të tillë vendosëm që gjithashtu një pjesë të zgjedhur të tyre t’i
përmbledhim në një vëllim, që nuk është asgjë tjetër veçse vazhdim i orës
lamtumirëse, të organizuar më 24 korrik 2012.
Numri i poezive,
kujtimeve dhe eseve të ndryshme kushtuar Ali Podrimjes, është i madh, aq sa do
na duhej të bënim një libër shumë voluminoz, prandaj zgjodhëm vetëm një pjesë
të tyre, të shkruara në shenjë kujtimi me rastin e vdekjes dhe jo poezi të
shkruara vite dhe dekada më parë, ndërsa ne u përcaktuam vetëm për ato që janë
shkruar pas lajmit të vdekjes së tij. Të tjerat shpresojmë të zënë vend në një
vëllim tjetër më vete. Për përgatitjen e këtij vëllimi kishim parasysh disa
parime:
* Ali Podrimja është
njëri prej poetëve me fondin më të madh të poezive përkushtuese për miq dhe të
tjerë, prandaj edhe poezitë e shkruara për të nuk kanë munguar, mirëpo për këtë
vëllim vendosëm të botojmë vetëm ato poezi që i janë kushtuar poetit me rastin
e vdekjes;
* Vendosëm të
përfshijmë tekstet e shkruar nga miqtë e tij, me të cilët ka kaluar pjesë të
veçanta të kohës, sado disa prej tyre nuk i plotësojnë premisat poetike, të
domosdoshme për një botim thjesht letrar e artistik;
* në këtë botim
vendosëm të përfshijmë: poezi, kritikë, eseistikë dhe madje publicistikë, të
cilat paraqesin momente të veçanta të jetës dhe të veprës së Ali Podrimjes, po
jo edhe tekste thjesht informative;
* në adresën tonë, kanë
ardhur shpesh më shumë se një tekst letrar: poezi, kujtime, tekste publicistike
dhe vlerësime kritike, kujtime, ese, përsiatje, skica etj. nga i njëjti autor,
për ç’arsye vëllimi shkonte në rreth katërqind njësi, me rreth gjashtëqind faqe
(tekste në gjuhën shqipe, frënge, angleze, italiane, malazeze, boshnjake,
serbe, maqedonase etj., por vendosëm që në këtë botim homazh të përfshijmë
vetëm një numër tekstesh të zgjedhura, me qëllim që të përfshijmë sa më shumë
miq të Ali Podrimjes,.
Botimi i teksteve është
bërë sipas radhës alfabetike, të emrit të autorëve të tyre, ndërsa për t’i
ndërlidhur të gjitha këto edhe me veprën e Ali Podrimjes përdorëm një nga
titujt e veprës së tij poetike “Dhimbë e bukur”.
Unioni i Shkrimtarëve dhe
Kritikëve Shqiptarë
[1] Fjala e
hapjes së takimit lamtumirës për Ali Podrimjen, organizuar nga Unioni i
Shkrimtarëve dhe Kritikëve Shqiptarë, në
Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, më 24 korrik 2012.
[2] Fjalë lamtumirëse për Ali Podrimjen, në takimin e organizuar nga Unioni
i Shkrimtarëve dhe Kritikëve Shqiptarë,
në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, më 24 korrik 2012.
[3] Thirrje
(1961), e cila u përkthye dhe u botua vetëm pak vite më vonë edhe në gjuhën
serbe (1968); Shamijat e përshëndetjeve (1963); Dhimbë
e bukur (1967); Sampo (1969).
[4] Torzo (1971); Hija e tokës
(1971); Folja (1973); Credo (1976); Poema (1979); Sampo 2
(1980); Drejtpeshimi (1981); Lum Lumi (1982).
[5] Fund i gëzuar (1988); Zari (1990); Në bisht të sorrës (1994);
Buzëqeshje në kafaz (1994); Burgu i hapur(1998); Ishulli Albani (1999); Dielli
i zi (2000); Burgu i hapur (1998), Harakiri (1999) etj.
[6] Loja
nën diell(1967); Burgu i hapur (1998); Fundi i mitit (2007)
[7] Tkurrja
e Atdheut (1996); Libri që nuk
mbyllet (2001); Letra nga të vdekurit (2004); Sfidë Harrimit (2006).
[8] Serbokroatisht: Dozivi, (1968), U bogus u
nazeli zmiju (1972), Zatim bello (1978); maqedonisht: Lili i našata sloboda (1968), Sonot sto produluva (1978); sllovenisht:
Suzenj pesmi (1976); hungarisht: Nungatalan Ko (1988).
[9] Veprat e tij Thirrje, (1972) dhe Poezi,
(1986), si dhe botimet antologjike: Për ty, poezi nga Kosova (1970); E
di një fjalë prej guri, poezi nga Kosova, (1972); Heshtja e një kohe,
poezi nga Kosova (1976); Vendlindja ime, vjersha të poetëve nga Kosova
(1980); Qëndresa e emrit, poezi nga Kosova (1981); Kur buzëqesh nëna
ime, poezi nga Kosova, (1984); si dhe në antologjinë në gjuhën greke: Polikani (To). Poliemata kai degamate siggrafen apo ten
Kosova. Metafraste apo t alvanika. (Autorë nga Kosova) P.
Çuka. Gjirokastër, (1987).
[10] Shih, dy antologjitë e para të poezisë
shqipe, të botuara në Tiranë, në fillim të viteve ’70: Për ty, Poezi nga Kosova,
përmblodhi dhe redaktoi Pandeli Koçi, 1970, f. 124. Përmbledhja hapet me hyrjen
“Dy fjalë“, f. 3-5 dhe më pas përfshihen poetët sipas kësaj radhe: Ali
Podrimja, Azem Shkreli, Din Mehmeti, Enver Gjergjeku, Esat Mekuli dhe Nebih
Muriqi; E di një fjalë prej guri,
poezi nga Kosova, redaktuar nga Pandeli Koçi, 1972, f. 264. Përmbajtja: Ali
Podrimja, Azem Shkreli, Besim Bokshi, Din Mehmeti, Enver Gjerqeku, Fahredin
Gunga, Ibrahim Kadriu, Jakup Ceraja, Latif Berisha, Muhamet Kërveshi, Milaim
Berisha, Nexhat Pustina, Qerim Ujkani, Rrahman Dedaj, Rahmi Tuda, Rifat Kukaj
dhe Shime Dëshpali.
[11] Shtigjet
e qëndresës (1961); Pesme gorke i ponose (serbokroatisht, 1962); Panoramë e letërsisë bashkëkohore shqipe
në Jugosllavi (1964); Pravostoina (maqedonisht, 1968); Tregime të moçme shqiptare (1969); Për ty (1969); Rrëfimi i njeriut me
samar (1970); Antologji e lirikës shqipe (1970); Cormoran y delfin (spanjollisht,
1970); E di një fjalë prej guri (1972);
Trolli betohet 1975, Bescheingter Stein (gjermanisht, 1976); Regen in einer
Legende (gjermanisht, 1977);
Antologji e poezisë së sotme shqipe në Jugosllavi (1977); Oçi marena (serbokratisht,
1978); Arnavut siiri antolojisi (turqisht,
1979); Sla po suncu (sllovenisht,
1979); Antologija i komentuari savremene
jugosllavenske misione poezije (serbokroatisht, 1980); Antologji e poezisë jugosllave (turqisht, 1980); Ludi bez oružja (serbokroatisht, 1985); Iz savremene albanske poezije (serbokroatisht,
1985); Pisatelji za demokracijo (sllovenisht,
1989), Antologjia e poezisë së
përshpirtshme shqipe (1999); Poezia del Kossovo (italisht, 1999); Gui anh ngoi Kosovo (vietnamisht, 1999);
Antologji e poezisë shqipe (2000); Katër
poetë (2000).
[12] Taka të
larta - Antologji e poeteve kosovare (2000); E frikshme dhe e bukur (2003); Eni
vjen prej çamërie (2003); I kujt j, atdhe (2003); Një gur i arë (2005).
[13] Vertikale
(kroatisht, 1970); Duboko je
korijenje (kroatisht, 1970); Le
parole rinato (italisht, 1970); Kiša
u jednoj legendi (serbokroatisht, 1973); Bez glagola (kroatisht, 1978); Poezia
acontemporano din Yugolavia (1978); Poeti
albanesi in Jugoslavia (italisht, 1978); Degë e piukëlluar (gjermanisht, frëngjisht, anglisht dhe arabisht,
1979); Poezia revolucionare e popujve të
Jugosllavisë (1981).
[14] Veç tjerash Ali Podrimja ka marrë çmimin
ndërkombëtar “Nikolas Linao” (Shtutgart)
në Gjermani (1999); çmimin ndërkombëtar “Liburnia” në Durrës (2005);
ndërsa më 2006 zgjidhet në mesin e 400 poetëve më të mirë të Europës së
shekullit XX, në revistën ndërkombëtare italiane “Poesia”.
[15] Lum
Lumi, Prishtinë, 1982, f. 7.
/Redaksia Floripress,nuk disponon me disa fotografi të autorëve/