MUZA E ALFABETIT DHE DED GJON LULI




NGA ZEF  PERGEGA

Ende pa u përfunduar fjalori, nga Shkodra me 1908 i kumtohej Vjenës: “Sado e rëndësishsme të jetë kjo punë për përparimin e gjuhës shqipe, nga ana tjetër ne nuk duhet të lejojmë pa e parë se ajo do të këtë si rrjedhim një përkrahje të metejshme të gjuhës italiane në Shqipëri. Shoqëria gjuhësore “Bashkimi” e mbaroi fjalorin. Eshtë një vellim me 538 faqe, shkruar me alfabetin e “Bashkimit”që do të thotë, dy shkronjësh, i cili merr si bazë dialektin e Shkodrës më shumë theksime mirditore”

Abati i Mirditës Prend Doçi i shkruante dhe i botonte librat në Vjenë me këtë fjalor me gërma latine dhe kur i sillte në Shqipëri u griste fletën e parë për ti shpetuar përndjekjës nga autoritetet turke. Për këtë fjalor shqip-italisht, të hartuar nga Abati Doçi, Faik Konica i shkruan At Shtjefen Gjeçovit. “Mundësisht ti jepet zë imzot Prend Doçit se puna vete shumë mirë. Megjithë kundërshtimet e paarsyeshme, shoqëria që themeloi Abati me bashkëpunëtoret e tij do të zërë vendin e parë në listën e bashkimit të gjuhës e kombësisë shqipe!”

Aktiviteti letrar i Abatit të Mirditës është përfshirë në Enciklopedinë turke, shteti pushtues 550 vjeçar, që këtë meshtar e burgosi.

NUK SHUHET FLAKA E LIRISE

Abat Prend Doçi ishte një nga udhëheqësit e kryengitjeve mirditore kundra Portës së Lartë. Autoritet turke ishin shprehur që Abat Doçi mund të shkonte në Romë, por të mos kthehej më kurrë në Shqipëri, për shkak të aktivitetit të tij letrar dhe atdhetar.

Kështu Prend Doçi largohet nga Shqipëria nepërmjet viseve të Malësisë Madhe, për të kaluar në Mal të Zi e pataj në Romë e në kryeqytetet perëndimore, për të realizuar planet e tij, si një prift mendje hollë dhe patriot i flaktë, pasi ishte përzier në trubullirat e Mirditës

Pasi mbërriti në derën e parë të fisit të Hotit, trokiti në derën bujare të Ded Gjo’ lulit. Atë natë Deda thirri besnikët më të afërt në trimeri e besë të tij. Asnjë nuk fjeti, e kuvendi erdhi e u ndez, siç përflakën kullat nga gjuhët e flakëve të lisit në votër. Kulla e Ded Gjo’lulit nuk kishte patur mik më të mirë mirditor dhe prift me të ditur së Abati i Mirditës Prend Doçi. Deda me azganet e tij paraqiten gjithë zonën e kufirit, përqendrimin e forcave turke dhe malazeze dhe mundësinë e gjetjës së një shtegu për ta përcjellë të sigurtë Prend Doçin deri në tokën malazeze.

Heret në agim Ded Gjo’luli bëhet gati për rrugë dhe ndoshta edhe për përpjekje me armë. Kështu edhe njëherë kontrollojnë armët dhe municionin. Deda shkon tek arka e tij dhe prej andej nxjerr një kostum kombëtar të malësorit, bashkë me xhamadanin, një revole dhe disa fishekë dhe i thotë Abatit se është më mirë dhe me sigurtë për jetën që Prend Doçi të lente velladonin, librin e shënjtë dhe uratët në shtëpinë e Dedës dhe ai të udhëtonte me ta si një malësor i zakonshëm. Kur Deda u sigurue se jeta e Abatit nuk përbënte rrezik se kishte kaluar kufirin shqiptar, Abati Doçi duke i shtërnguar dorën dhe përpjekur kokat vëllazërore e burrërore, i ka thënë Ded Gjo’Lulit:

“Mos harroni se në këto male as nuk është shuar as nuk do të shuhet kurrë për jetë flaka e lirisë dhe nuk do të shqimbët besa e shqiptarit. Ai gjak që ka valuar në dejet e atij burri të varrosur në Lezhë nuk është bërë ujë. E përderisa rron emri i Gjergj Kastriotit, që dëgjohet shpesh në këto male rron e ka për të jetuar Shqipëria. Unë për vete si bir i këtyre maleve edhe pse po tres larg tharmit të truallit tim arbëror, mendja do të më punojë veç për këto troje e zemra ka më më rrah veç për Shqipërinë. Ne po ndahemi, por e kam besimin se shpejt kemi me u pa dhe nuk po të them o Ded trimi lamtumitrë por mirë u pafshim!”

Deda u hodhi një veshtim maleve dhe i pa një për një në sy trimat e tij si për tu marrë pelqimin për besën që do të jepte. I shtiu dorën Abatit mirditor, ia mbajti fort dhe pasi u falen sipas zakonit i tha: “Ma para se të ndahemi po ju tham dy fjalë imzot Doçi vella. Pa dalë faret Hoti e gjithë Malësia e Madhe pushka e shqiptarit nuk ka me pushue në këto anë pa e ba Shqipninë të lirë e zojë me vete në katër Vilajete. Dalsh faqëbardhë dhe Zoti e ndihmoftë misionin tënd!”

RREFIMET E PREK GRUDES

Një ditë në Detroit, krejt rastësisht, me disa gazeta dhe botime të vjetra nga nacionalizmi shqiptar me bie në dorë një letër e shkruar nga Prek Gruda në Florida me 3 prill 1999. E lëxova me vëmendje pasi ai jepte versionin e tij mbi tri momente të jetës së heroit të popullit Ded Gjo’ lulit. Ja çfarë shkruan ai fjalë për fjalë:

“Ded Gjo’ luli është një burrë malësor. Me burrëri e karakter, zemër përveluar për atdhe dhe me këto ndjenja i rriti të tre djemtë e tij. Një ditë Deda ra në Shkodër për tregti. Frati i Brigjeve të Hotit i jep një letër për P. Pal Dodën në Kuvend të Fretneve. Deda ishte i njohur me freten dhe me njëherë ato e ftojnë mbrënda ku ishin edhe meshtar të tjerë. Ndërkohë Padër Pashko Bardhi po lëxonte një gazetë të huaj. Deda pa të keq i drejtohet P. Palit dhe i thotë së zotnisë po i dhimkan sytë. Jo, Dedë, i thotë P. Pali, por para tij e lëxova edhe unë atë gazetë dhe m’u mbushën sytë me lot se i ligu i Bosforit është dobësuar dhe serbo greket kanë me e përla Shqiprinë. Deda trishtohet nga këto fjalë e bof në kamë dhe e pyet meshtarin “Ç’ka dom më thanë i ligu i Bosforit?!” Meshtaret ia shpjegojnë se është Perandoria Turke dhe se duhet me luftue për më e mbrojt vendin e më fitue lirinë. Deda ju jep besën se sa të mbërrijë në Hot ka me fillue luftën. Dhe ashtu ndodhi e filloi luftën me tre djem dhe kushurinjt.

Mark Gjeloshi Gojçaj, antari i çetës ishte 16-vjeçar. Kam bisedue me te disa herë dhe ai me ka diftue si u kanë ra turqeve befas në postën e Rapshës se Hotit. Si ua kanë marrë armët…

Pika e dytë ndoshta ma e rëndësishmja në jetëshkrimin e Ded Gjo’ lulit, të cilin deri me tash nuk e përmend askush. Deda dhe Kol Zefi i Grudës shkojnë tek Knjaz Nikolla në Cetinë. Jo njëherë, por disa herë kam pas rastin me e dëgjue Kol Zefin ka difton: “Ishim në lufte me Turki e kishim nëvojë për armë, strehim e çdo gja tjetër. Shkuem të Sokol Baci në Nikshiq e i diftuem qëllimin tonë. Ai urdhëroi sekretarin me na shkrue një letër për Knjazin dhe u nisëm për në Cetinë, ku mbërritem në bramje. Mark Culi i Trieshit na çeli derën. Mbas disa kohe erdhi Knjazi me krahë të hapur duke theksuar në gjuhën shqipe: “Mirë se ju pruni Zoti bijtë e mi! Deda ka ik prapa disa hapa duke thenë; “Kurrë mos e pastë than Zoti më të mësye për babë, as për vëlla, por për mik të afermt!” Unë rashë në krahët e tij, thotë Kola, dhe me dha gradën major e një fishek me napolona të verdhë, kurse Dedën e qiti jashtë dhe e përcuell me dy gjandarë deri në Kotorr që e zotnonte Austria.

Pika e tretë ende pezull dhe e pasqarueme është vrasja e tij nga serbet e bashibozuket e Esat Pashë Toptanit. Kjo leu e gabuar me djallëzi të E. Hoxhës dhe erdh e u bë e bësuar edhe nga historiani i Mirditës P. Doçi që mendon së është vrarë me kurdisje të Gjon Markagjonit. Kjo nuk është aspak e vërtetë. Pikësepari në Orosh në shtator të vitit 1915 nuk ka qenë kërkush nga mashkujt e familjës së Gjonmarkut, kur është vrarë Deda.

Me 1930 kam shkuar në Orosh në shkollë e në Konviktit e Mirditës. Atëherë isha 18 vjeç mjaft me interesim me ditë e me kuptue. E shoqja e Preng Marka Prengës që ishte bajraktari i Oroshit dhe kryebajraktari i Mirditës me ka thënë: “Erdhi Ded Gjo’luli fillikat në shtëpinë tonë dhe me tha se don me shkue të Sali Mani në Krasniqe dhe me lypi njerëz me e përcjellë. Banda e Esat Pashë Toptanit e diktoi dhe e arrestoi dhe më vonë morëm vesh që i masakruan të gjithë bashkë me Deden dhe i qitën në Shpellë të Akullit mbas Shkambit të Qërshisë të Oroshit…”

Shtatë burrat mirditor që u vranë për Ded Gjo Lulin, të caktuar nga bajraktari i Oroshit ta shoqëronin deri në Krasniqe kanë qenë: Mark Llesh Doda, Ndue Kol Pjetri, Zef Ndue Gjoka, Preng Cup Deda, Preng Gjok Skana, Preng Marlura e Llesh Deda. Serbët arrestuan edhe 70 mirditor të tjerë, bashkë me të birin e Ded Gjo” ulit, Kolën dhe i intërrnuan në Itali.

Në festën e përkujtimit te 100 vjetorit të Kryengritjës së Malësisë Madhe të organizuar në Kishen e Shën Palit në Detroit, një burrë i moshuar dhe me kujtesë të freskët, Fran Lulgjuraj, në moshë 78 vjeçare me ka treguar:

“Në vitin 1980 kam takuar në Podgoricë në shtëpinë e tij në rrethina miditorin e zgjuar Frrok Bisaku. Malësoret dhe kosovarët e merrnin Frrokun kur kishin prombleme gjaku dhe ngatërresa, të cilat ai i zgjidhte si njohës i thellë i Kanunit. Sipas tij 11 herë janë ndryshuar ligjet e Kanunit të Lekë Dukagjinit. Ai me ka thenë se Ded Gjo’ lulin e ka parë të shtrirë përdhe të vrarë. Ishte vetëm trupi i tij pa jetë. Ia kishin marrë çakshirët, armët dhe e kishin lënë me mbathje të gjata, me çorape e këmishë të bardhë…”

MALCORET U BIJNE TURVET

Gjergj Fishta


“ Ishte nata e Nuncjatës 24 Mars 1911, e natën nëpër terr nji çetë tetmdhetë vetesh, shtatë me armë e njimdhetë pa armë, rrugë pa rrugë, bite Qafës Bukoviqit, drejt ka Rrapsha, ku gjindej nji ndër blochaus, qi Bedri Pasha kishte ngref kah Malcija. Tue shkue malit e tue bisedue të vogel njani me tjetrin, po zën e thotë Kol Marash Vata, qi u kishte pri:

“Me nimë të Zotit, burra, na i herë sande po i bijmë kaushës se asqerit e… të dalë ku të dalë. Për në kjoftë se na ec falli mbarë, po i marrim njato tridhet mauzerre të turkut e masandej po ia çojmë puçë Bedri Pashës e po ia lajmë të dhetat me kokrra plumash. Por në kjoftë thanë prej zotit me mbetë, prap mirë se mirë, mos tjetër, s’kemi me pa dhunitë e barbaritë, qi Xhemleti don me na ba mbi Malci. Ma mirë dekë si burrat, së gjallë e më marre”

Kështu tha Kol Marashi dhe çeta iu avit blochausit të ushtarëve të Turkisë. Aty xunë vend, e masi u shtërnguen me armë ia nisën pushkën ushtarëve, shtatë malcorë e tridhet ushtar. Ushtarët mrenda e malcoret jashtë. Krisi pushka sa krisi e qatje vonë xu me i lshue zemra ushtarët edhe u ranë ndore malcorëve. Malcorët u muarne armët, e ushtarët i lshuan me shkue ka deshtën. Nuk ishin Sllav me pre robt e nxanun. Malcorët atëherë në fillim mësyen kaushën e Çemerrit dhe e pushtuen pa pushkë të shtime.

Gruda në tjetrën anë, tue luftue si kulshedra me dragoj, kishte marrë kaushet e Pikalës e të Shtegut te Selishtit, të Bokrrines e kur u err dita e 25 Marcit, Kol Mirashi e Gjon Pllumi me shokë të vet u kishin marrë ushtarëve të Turkis 86 mauzerre. Atëbotë iu qit kushtrimi Malcisë, e mësyen e morën Tuzin e filluen me u shtërngue për më i ra Shkodrës.

Mjaf ka kenë prej anet të malcorëve me mujt me e mendue!”

Pader Gjergj Fishta i ka përshkrue fazat e ndyshme të kësaj kryengritje në “Hyllin e Drites” 1914 me një varg artikujsh me titull “Lot Gjaku” ne “Mrizin e Zanave” e “Lahutën e Malcisë” duke e përjetësuar trimin e malsorëve Ded Gjo’lulin

Edhe pas gritjës së flamurit në Deçiq me 6 prill 1911Ded Gjo’luli nuk e ndali luftën. Me 16 prill 1914 dymbëdhjetë batalione malazeze mësyjnë natën Malsinë dhe bëjnë masakra në Hot e Grudë. Flakë kallën fahatrat bagëtia e pasuria. 575 shtëpi bëhen të pabanueshme dhe malsorët lëshojnë vendin. Ded Gjo’luli bashkë me dy krenë nga paria e Shkodrës i kërkon ndihmë qeverisë së Durrësit….Mbi armikun krisi pushka!

ISHIM KALAMA….

Ernest Koliqi


“Ishim kalama me 1911. Nuk e harroj kurrë mbramjen e kuqe, në të cilën pash prej qytetit të huaj ku ndodhësha aso kohe tue u nisur dyqind burra dosido të armatosur kah malet e afërme, ku vlonte pushka. I shikova në fytyrë nji e nga nji në kalim. Kishte nëpërmjet tyre djelmosha në versën ma të bleruar, kishte pleq të molisur nga vitet e shumta. Ecshin pa folë nëpër nji fushë të gjanë. Edhe unë eca me ta në heshtje, nji copë rrugë. Mandej u ndala, pse po behej tepër vonë e drojshëm në qortimet e babës. E ata u zhduken të përpimë nga hijet e natës. Pyeta se ku shkojnë!? Dikush me kallxoi: “Me luftue për Shqipni”

Shqipni!…Emen u çuditshëm dhe i ri. Vonë në atë natë më mori gjjumi. Mendimet qi me sillëshin nëpër tru ishin ma të medhaja se mosha ime. Kur u zgjova në mëngjez edhe dola në dritare me shikue kah Deçiqi vura re menjiherë se pushka mbi ato male kërciste me rrëptësi të shtuar. Dyqind burra të heshtur kishin mbërritur atje.

Prap në mbremje dola në fushë, i nxitur ma tepër se kureshtja feminore nga një epsh i fshehtë i shpirtit. E pashë disa prej atyne, qi një ditë më parë u nisën të fortë e të shëndetshëm, tue u kthye të mbajtun në vig prej shokëve. Disa të varruem e disa të dekun. Nanat, nuset, bijat qi banojshin në vobëktsinë ma të egër nëpër shpella plot lagështinë të nji lumthi rrjedhës në atë fushë, i pritshin me lot të heshtun pa vaj me denesë. Vetëm ndonji plak fliste e thoshte “Per hajr!”

Deshta me dijtun ma tepër e pyeta gjithkënd. Me kallxuen historinë e Skenderbeut.Vetëm atëherë mendja ime e njomë e kuptoi nëpër te, në mënyrë të avullueshme, bukurinë që e rrethonte vdekjen e atyre fatosave t papërmendun…!”

Në atë kohë Ernest Koliqi fëmijë 9-vjeç ishte larguar nga Shkodra. Babai i tij si shumë tregtar ishte vendosur në Podgoricë. Një numër i konsideruar të tregtarëve shkodranë, të gjithë katolik, morën pjesë në Komitetin e Ndihmës me kryetar Sokol Bacin për kryengitjen e Malsisë Madhe.

“Kalxon Mark Kakarriqi që paska qëllue nji përiudhe që luftetarët e lirisë kishin mbetë pa bukë. Ardh në Podgoricë Kola, djali i madh i Ded Gjo’lulit e diftue Markut gjëndjen. Ky i ka çue tek Shan Koliqi (babai i Ernestit) qi shkruan një biletë ku urdhnon të merrën 100 thasë miell e të dërgohen në furrën e caktueme për bukën e malcorëve në luftë kundra turkut…!”

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)