Agjencioni floripress.blogspot.com

2012/09/30

Lord of the flies


Titulli: Perëndia e mizave
Origjinali: Lord of the flies
Gjinia: Roman
Autori: William Golding
Shqipëroi: Shpëtim Myshketa
Shtëpia botuese: Ombra GVG
Viti: 2009
Fq. 336
Pesha: 0.38 kg
ISBN: 978-99956-38-11-5

Perendia e mizave, William Golding

Romani "Perëndia e mizave" u botua në vitin 1954. Kjo vepër u cilësua si metaforë e Satanait nga Tomas Eliot. Romani "Perëndia e mizave" u bë shumë shpejt letërsia e preferuar e studentëve universitarë. "Perëndia e mizave" përcillet nga format e utopisë negative. Ai analizon sjelljen e një grupi nxënësish britanikë, që si pasojë e një fatkeqësie ajrore, braktisen në një ishull tropikal gjatë një konflikti planetar.
Pas përpjekjeve të para të kurorëzuara me sukses për t'i dhënë jetë një shoqërie të organizuar dhe demokratike (më të vegjlit për të luajtur, më të mëdhenjtë të ndarë në gjahtarë dhe rojtarë të zjarrit, që tymi të dallohej nga larg), mjet i domosdoshëm për të shpëtuar, tensionet brenda grupit shpërthejnë në mënyrë dramatike dhe përkeqësohen me shpejtësi deri në rrjedhoja skajore.

Mbi autorin

William Golding ishte profesor në vitet 1961 – 1962 në kolegjin Hollings në Virxhinia. Në 1982 u nderua me diplomën "ad honorem" në Sorbonë. Në tetor 1983 fitoi Çmimin Nobel me motivacionin: "Për romanet e tij me qartësi rrëfimi realist. Për larminë e përgjithësimit dhe miti duke hedhur dritë mbi gjendjen e njeriut në botën e sotme".
Studiuesit e veprës së tij, Ian Gregor dhe Mark Kinkead – Weeks, kanë shkruar se: "Romani i Golding – ut, "Perëndia e mizave", ka vlerë të çmuar jo pse ai na tregon errësirën e zemrës së njeriut, por ngaqë e nxjerr në pah atë, sepse është një vepër arti, e cila na mundëson që të hyjmë thellë brenda botës së tij. Vegimet e tij bëhen vegimet tona dhe ky sinjal na bën të kuptojmë vërtetësinë e thënies së Shellit që "imagjinata është instrumenti kryesor për shëndoshjen morale". William Golding ndërroi jetë më 19 korrik 1993 në Wilthshire në Angli.

Easy to love, difficult to discipline


Titulli: Lehtë t'i duash, vështirë t'i disiplinosh
Origjinali: Easy to love, difficult to discipline
Gjinia: Psikologji
Autori: Beki A. Bejli
Shqipëroi: Ajsela Koka
Shtëpia botuese: Botimet Dritan
Viti: 2011
Fq. 296
Pesha: 0.33 kg
ISBN: 978-99956-21-50-6

Lehte t'i duash, veshtire t'i disiplinosh, Beki Bejli

Mësoni si të hiqni dorë nga kontrolli mbi fëmijët, si të mos luteni dhe si të bëheni prindi që keni dashur të jeni. I doni fëmijët, po, nëse jeni si pjesa më e madhe e prindërve, jo gjithmonë i pëlqeni sjelljet e tyre. Si t'i udhëhiqni, atëherë, pa hequr dorë as ju vetë nga sjellja optimale? Qasja jashtëzakonisht e fuqishme e dr. Beki Bejlit ndaj prindërimit ka bërë mijëra e mijëra familje më të shëndetshme dhe të lumtura.
Duke u fokusuar te vetëkontrolli dhe ndërtimi i vetëbesimit si për prindërit ashtu edhe për fëmijët, dr. Bejli na paraqet një sërë aftësish të lidhura me njëra – tjetrën, për t'i ndihmuar familjet të kapërcejnë nga zallmahia në qetësi.
7 fuqitë për vetëkontroll, për të ndihmuar të modelojnë sjelljen që kërkojnë prej fëmijëve të tyre. Këto çojnë në:
7 aftësitë bazë për disiplinë, për të ndihmuar fëmijët të menaxhojnë rrethana të sikletshme në shtëpi dhe në shkollë, të cilat do t'i ndihmojnë këta të zhvillojnë:
7 vlera për jetën, të tilla si integriteti, respekti, dhimbsuria, përgjegjshmëria e të tjera akoma.
Dr. Bejli i integron këto parime në një program shtatë javor, që i ndihmon fëmijët të nisen nga një start i mirë, duke ofruar plot shembuj nga jeta e përditshme që ilustrojnë metodat e saj në veprim. Me këtë libër frymëzues e praktik në dorë, ju do të gjeni mënyra të reja për të kuptuar dhe përmirësuar sjelljen e fëmijëve sikurse edhe tuajën.


"Të gjithë prindërit, gjyshërit, profesionistët që merren më fëmijët duhet të vrapojnë, jo të ecin për te libraria më e afërt! I pasur me shembuj, metoda dhe porosi, ky libër ia ka dalë me sukses të jetë njëherësh i lehtë për t'u lexuar, i gëzueshëm dhe thellësisht i dobishëm."
Karol Haoui, psikologe

Walter Isaacson- Steve Jobs


Titulli: Steve Jobs
Origjinali: Steve Jobs
Gjinia: Biografi
Autori: Walter Isaacson
Shqipëroi: Taulant Hatia
Shtëpia botuese: Pegi
Viti: 2012
Fq. 616
Pesha: 0.89 kg
ISBN: 978-9928-124-74-6

Steve Jobs, Walter Isaacson

Bazuar në më shumë se dyzet intervista me Steve Jobsin të bëra për një periudhë dyvjeçare, si dhe intervista me më shumë se njëqind shokë, familjarë, kundërshtarë, konkurrentë dhe kolegë, ky libër është një kronikë e jetës së luhatur dhe e personalitetit poliedrik të një sipërmarrësi krijues. Pasioni i tij për përsosmëri dhe vullneti i pamposhtur revolucionarizuan gjashtë sektorë industrialë: kompjuterat, filmat vizatomorë, muzikën, telefonat, tabletat dhe botimet digjitale.
Në një kohë kur shoqëritë nëpër botë përpiqen të ndërtojnë ekonomitë e erës digjitale, Jobsi është vlerësuar si ikona më e lartë e risisë dhe imagjinatës. Ai e dinte që mënyra më e mirë për të krijuar vlerat në shekullin XXI ishte lidhja e krijimtarisë me teknologjinë, prandaj ndërtoi një kompani ku hovi i imagjinatës u kombinua me përmirësime të dukshme inxhinierike.
Megjithëse bashkëpunoi për shkrimin e këtij libri, Jobsi nuk kërkoi të kontrollonte se çfarë ishte shkruar, madje nuk kërkoi as ta lexonte para se të botohej. Ai muk vendosi asnjë kufi, përkundrazi i nxiti njerëzit që njihte të flisnin në mënyrë të ndershme. "Kam bërë plot gjëra për të cilat nuk ndihem krenar, si për shembull kur lashë shtatzënë të dashurën në moshën njëzetetrevjeçare dhe se si e trajtova këtë fakt", më tha. "Po nuk kam fshehur në dollap ndonjë kufomë që nuk dua ta nxjerr."
Jobsi flet ndershmërisht, shpeshherë në mënyrë pothuajse brutale për njerëzit më të cilët ka punuar dhe ka konkurruar. Gjithashtu, miqtë, armiqtë dhe kolegët e tij japin një vështrim objektiv mbi pasionet, demonët, përsosmërinë, dëshirat, dellin e artistit, djalllëzinë dhe fiksimin për kontroll, që i dhanë formë qasjes së tij ndaj biznesit dhe produkteve novatore që lindën.
Jobsi arriti t'i egërsonte dhe t'i dëshpëronte njerëzit rreth tij. Por personaliteti dhe produktet qenë të ndërlidhura, ashtu siç janë të ndërlidhura hardueri dhe softueri në produktet Apple. Historia e tij e jashtëzakonshme, e treguar nëpërmjet kësaj biografie mjeshtërore, është e mbushur me mësime mbi drejtimin, risitë, vlerat dhe karakterin.


"Një ditë, Jobsi u fut në dhomën e punës së Leri Kenionit, një inxhinier që punonte me sistemin operativ të Macintoshit dhe iu ankua se kompjuteri donte shumë kohë që të ndizej. Kenioni nisi t’ia shpjegonte, por Jobsi e ndërpreu. “Po sikur të bëhet fjalë për të shpëtuar jetën e një njeriu, e gjen dot një mënyrë që ta shkurtosh me dhjetë sekonda kohën e ndezjes?”- e pyeti. Kenioni tha se ndoshta mundej.
Jobsi shkoi pranë një tabele dhe i sqaroi se, nëse ishin pesë milionë njerëz që përdornin Macintoshin dhe shpenzonin nga dhjetë sekonda më shumë duke e ndezur çdo ditë, do të thoshte se ishin më shumë se treqind milionë orë në vit të shpenzuara kot, çka ishin të barabarta me të paktën njëqind jetë njerëzish në vit. “Leri mbeti gojëhapur dhe, pas pak javësh, erdhi dhe na tregoi që ndezja e kompjuterit bëhej njëzet e tetë sekonda më shpejt”, kujtonte Atkinsoni. “Jobsi i frymëzonte njerëzit duke u paraqitur tërësinë e impaktit të një ideje apo projekti.”

Nga diktatura në demokraci


Titulli: Nga diktatura në demokraci (Një plan pune i konceptuar për çlirim)
Origjinali: From dictatorship to democracy
Gjinia: Publicistikë, shkenca politike
Autori: Gene Sharp
Shqipëroi: Gjergj Erebara
Shtëpia botuese: Pika pa sipërfaqe
Viti: 2012
Fq. 112
Pesha: 0.15 kg
ISBN: 978-99956-821-9-4

Nga diktatura ne demokraci, Gene Sharp

Libri "Nga diktatura në demokraci" u botua fillimisht në Bangkok në vitin 1993 nga Komiteti për Rivendosjen e Demokracisë në Burma në bashkëpunim me Khit Pyaing (Gazeta e Epokës së Re). Që nga ajo kohë është përkthyer në së paku tridhjetë e një gjuhë të tjera si dhe është publikuar në Serbi, Indonezi dhe Tajlandë, mes shumë vendesh të tjera. Këtij libri i janë atribuar suksesi i shumë revolucioneve pa dhunë në katër anët e botës, nga Indonezia në Serbi apo në vendet e botës arabe.


Gene Sharp, i lindur më 1928, është shumë pak i njohur për amerikanët. Por për shumë dekada, shkrimet e tij praktike mbi luftën pa dhunë, ku vepra më e rëndësishme është "Nga diktatura në demokraci", ka frymëzuar disidentët në të gjithë botën duke përfshirë Burmën, Bosnjën, Estoninë, Zimbabven dhe së fundmi Tunizinë dhe Egjiptin. Ai bën një jetë të qetë në një shtëpi me tulla të kuqe në një lagje të thjeshtë në Boston, SHBA, por për despotët e botës, idetë e tij mund të jenë fatale.

Publikja Shqiptare


Titulli: Publikja Shqiptare
Origjinali: Publikja Shqiptare
Gjinia: Ese kritike
Autori: Të ndryshëm
Shtëpia botuese: Saras
Viti: 2012
Fq. 212
Pesha: 0.26 kg
ISBN: 978-9928-152-01-5

Publikja Shqiptare, ese

"Publikja shqiptare" është libri më i ri që shtëpia botuese "Saras" ka hedhur në treg për lexuesit pas romanit "Shitësit e Apokalipsit" të shkrimtarit Gazmend Krasniqi. Janë plot 12 ese kritike, të shkruara nga 12 personalitete të kulturës dhe të mendimit shqiptar, të cilët duke marrë në shqyrtim elementet filozofike, politike, nacionaliste e gjuhësore, na sjellin në vëmendje çështjen kombëtare. Çështja shqiptare dhe shqiptarët 100 vjet pas shpalljes së Pavarësisë. A është mbyllur kjo çështje? A kemi sot një komb shqiptar? Pse flitet për "Shqipërinë e Madhe"? Cilat janë pozitat e shqiptarëve në Kosovë e Maqedoni? Esetë e përmbledhura në këtë botim nuk janë një konstatim i thjeshtë i çështjes kombëtare shqiptare, por vijnë si një reagim i natyrshëm intelektual, si shkundje për mendësinë shqiptare në kushtet kur nocioni komb është më i rrezikuar se kurrë dhe si një protestë ndaj kompromiseve të lëvizjeve politike qoftë brenda botës shqiptare, ashtu edhe ndërkombëtare.
Gent Carrabregu, studiues i teorisë politike dhe asistent në Departamentin e Shkencave Politike në Universitetin e Nortwestern-it në SHBA, duke përmendur faktin se çështjes shqiptare i janë kënduar shkrimtarë, novelistë, poetë, historianë, gjeografë linguistë, albanologë, etj., ai nënvizon se në këtë çështje ka munguar zëri i filozofëve dhe shkencëtarëve shoqërorë. Duke e parë çështjen shqiptare mbi të gjitha çështjet politike dhe ekonomike, Carrabregu i referohet filozofisë politike të Ukshin Hotit në çështjen shqiptare. Ai e sheh atë si "gurin e provës", njeriun që kishte dijen, vullnetin dhe guximin për të folur me mendje të hapur. Carrabregu beson se pikërisht për këtë filozofi Ukshin Hoti pësoi fatin tragjik të zhdukjes së tij. "Si të arrijmë që si komb shqiptar të bëjmë transformimin cilësor dhe revolucionar nga të qenët objekt historivuajtëse (kurban) i historisë së marrëdhënieve ndërkombëtare, në subjekt historibërës, që bëhet më në fund autor i çështjes së vet?", pyet Carrabregu.
Mendimi vijon me Glauk Konjufcën, studiues i filozofisë dhe deputet i Lëvizjes "Vetëvendosje!". Duke na dhënë që në krye të herës arsyen që nxiti ekzistencën e "Vetëvendosjes!", Konjufca shpjegon se tashmë në themel të ekzistencës së tyre është reaksioni qytetar dhe se viti 2012 do të jetë vendimtar. "Aktualisht populli, ndryshimin e koncepton në dy mënyra: me votë dhe mobilizim masiv protestues. Por në vitin 2012 do të sqarohet përfundimisht kjo dilemë. Ne duhet t'i bëjmë të dyja, sepse sido që ta bëjmë ndryshimin, ai do t'i përfshijë të dyja", shprehet Konjufca.
E ndërsa nuk janë të kënaqur në realitetin e ri të shqiptarëve në Kosovë, ku flitet për pavarësi, por, nga ana tjetër, edhe për një shtet jo funksional, Albin Kurti, kryetar i "Vetëvendosjes!" sheh këtu vendosjen e një neokolonializmi. Me tone rebeluese ai flet për filozofinë e zhvillimit që vjen nga jashtë, për të huaj të zhvilluar që duan të zhvillojnë vendasit e pazhvilluar. Deklaratat mediatike të Kurtit janë të njohura tashmë, ndërsa në këtë ese ai thotë hapur elementet bazë që duhet të qëndrojnë në themelet e një shteti të vërtetë për Kosovën. "Kësisoj, paradoksalisht del se në Kosovë shtet janë KFOR-i e EULEX-i, që nuk e pranojnë Kosovën si shtet të pavarur. KFOR-i, sikurse EULEX-i, është neutral karshi statusit", shkruan Kurti.
E ndërsa pas pavarësisë së Kosovës, në diskutime publike u hodh e u prit teza e "Shqipërisë së Madhe", propozim që ngjalli reaksionin e ndërkombëtarëve dhe frikën e lëvizjes së kufijve ballkanikë, Enis Sulstarova, pedagog në departamentin e sociologjisë në Universitetin e Tiranës, merr dy anët e medaljes: domosdoshmërinë e hapjes së çështjes kombëtare dhe korrektësia me të cilën duhet folur për të. "Edhe disa që e dëshirojnë bashkimin e shqiptarëve, e shprehin këtë kërkesë me termin e 'Shqipërisë së Madhe' dhe nuk janë të vetëdijshëm se kjo është një parullë kundërshqiptare për të zhvlerësuar bashkimin e shqiptarëve, se po shqiptojnë gjuhën e shovinizmave sllavo-greke që duan të ruajnë sundimin mbi shqiptarët", shkruan ai. Në një historik të shkurtër të lindjes e zhdukjes së kësaj ideje, Sulstarova merr në analizë qëndrimin e shtetit "amë" dhe politikës shqiptare.
E duke vazhduar në këtë linjë, Hysamedin Feraj, drejtues i departamentit të shkencave politike në Universitetin e Tiranës flet për dinakërinë shqiptare, shkrimtari Idlir Azizi flet për ekzilin e vetvetes ndër shqiptarë, ndërsa poeti Ervin Hatibi, përmes një eseje me një titull simbolik "Pemë dhe këngë", ironizon nënshtrimin shqiptar dhe dashurinë e madhe që kemi për dajakun apo drurin.
Situatës nacionaliste të Ballkanit, Besnik Pula, profesor asistent në Universitetin e Binghamtonit në SHBA, i shton edhe një analizë të krizës financiare dhe ekonomike që ka përfshirë këtë rajon në vitet 2008-2011, Orgest Azizi, lektor i filozofisë politike në Tiranë dhe Paris, sjell një qasje eseistike mbi idenë e universitetit dhe shënjimit të tij si ambient politik, shkrimtari dhe botuesi Krenar Zejno ndalet te gjuha si një element shënjues i identitetit të një popullit, ndërsa Elvis Hoxha, lektor i filozofisë në Universitetin e Tiranës, bën një analizë për ekzistencën e dëshmorëve si dëshmi e dinjitetit të një vendi.
Për të përmbyllur mendimin shqiptar në trekëndëshin Prishtinë-Tiranë-Shkup, shkrimtari dhe publicisti Kim Mehmeti bën një panoramë të qartë të shqiptarëve të Maqedonisë. Gjuha e tij është e qartë dhe e thartë jo vetëm ndaj ambicieve politike të Maqedonisë, por veçanërisht të shqiptarëve ndër veti. "Pas Marrëveshjes së Ohrit dhe pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, ata duhet të përballeshin me vetveten e të shihnin me kohë se gjatë tërë të kaluarës së tyre në Maqedoninë e pavarur, elitat politike maqedonase, suksesshëm kishin arritur të blinin kohë dhe shqiptarët t'i bënin peng të projektit të tyre dështues, por që me ngulm donin dhe duan ta realizojnë, që një Maqedoni, ku më shumë se gjysma e popullatës është jomaqedonase, ta shpallnin si pronë të etnitetit të tyre. Duke mos e hetuar sa lirë ia shisnin të ardhmen e vet palës maqedonase, shqiptarët e Maqedonisë nuk e vunë re se edhe shpresa e tyre më e madhe e quajtur Marrëveshja e Ohrit, më kot u harxhua, se edhe atë, pala maqedonase e kishte nënshkruar vetëm pse e kishte vlerësuar si një instrument që do u mundësonte edhe më tej ta blinin sa më lirë tokën shqiptare". Mehmeti mban qëndrim edhe ndaj politikës së Europës, e cila, sipas tij, është gjithnjë e kujdesshme me Ballkanin, si fytyra më e keqe e saj.

Ali Këlcyra-Shkrime për historinë e Shqipërisë


Titulli: Shkrime për historinë e Shqipërisë
Origjinali: Shkrime për historinë e Shqipërisë
Gjinia: Shkrime për historinë e Shqipërisë
Autori: Ali Këlcyra
Shtëpia botuese: Onufri
Viti: 2012
Fq. 658
Pesha: 1.31 kg
ISBN: 978-99956-87-81-6

Shkrime per historine e Shqiperise, Ali Kelcyra


Në Antologjinë historike që po i paraqitet lexuesit përfshihen materiale, të cilat i kushtohen historisë së periudhës 1912-1945, shkruar prej Ali Këlcyrës për RFE; të dhënat e periudhës 1944 - 1945 i kam hulumtuar në faqet e shtypit të refugjatëve politikë, pas vitit 1944, me autor Aliun; ndërsa lëndën që rrok lakun kohor 1925-1959 e kam qëmtuar ndër akiva.
Nga kjo mori e materialeve të grumbulluara përzgjodha ato pjesë që pasqyrojnë më mirë idetë dhe zbulojnë aspektet e kësaj figure poliedrike si historian, eseist, gazetar, si tribun e si njeri i thjeshtë. Kësisoj e kam ndarë librin në disa kapituj, nga të cilët punimet e Kreut të parë (1912 - 1945) janë titulluar Kujtime politike, në përputhje me dëshirën e tij, siç del nga letra e datës 10 qershor 1959, drejtuar Tajar Zavalanit: "Të lutem shkresat që të kam dërguar ose që do të (të) dërgoj t'i ruash e të m'i kthesh prapë, kur të kemi rasë të piqemi, se si ta shënova më lart kam ndër mend t'i bëj një broshurë në formë "Kujtime politike".
Është një kënaqësi e veçantë për mua që, me përpjekjet e mia këmbëngulëse, me mundësitë e sakrificat vetjake, arrita të plotësoj qëllimin e këtij patrioti, rinia politike e të cilit është gatuar me trashëgiminë e Rilindjes, rrënja nga ku janë ushqyuer ndjesitë patriotike. I nisur, pra, vetëm e vetëm nga vlerat e atdhedashurisë së demokratit, që gjeti forca të shkëputej nga tradita e familjes së tij despotike qysh në moshën e djalërisë, u shtyta e u nxita të vazhdoj punën e nisur me librin e parë. Por kisha edhe një pikësynim tjetër, desha që në të ardhmen ta shohim Ali Këlcyrën ashtu siç ka qenë.
Tanush Frashëri, 2007

Millorad Paviq-Histori të tmerrshme dashurie

Titulli: Histori të tmerrshme dashurie
Origjinali: Strašne ljubavne priĉe
Gjinia: Tregime
Autori: Millorad Paviq
Shqipëroi: Nikolla Sudar
Shtëpia botuese: Onufri
Viti: 2012
Fq. 254
Pesha: 0.33 kg
ISBN: 978-99956-87-83-0

Histori te tmerrshme dashurie, Millorad Paviq

Millorad Paviq ka lindur në Beograd më 15 tetor 1929 në familjen e një skulptori dhe një mësueseje të filozofisë. Midis paraardhësve të shkrimtarit dhe para tij, pati edhe letrarë: në vitin 1766, një nga Paviqët botoi një përmbledhje me vjersha.
Në vitet 1949- 1953 studioi në fakultetin filozofik të Univeristetit të Beogradit, më vonë mori gradën e doktorit të filozofisë në fushën e historisë së letërsisë në Universitetin e Zagrebit. Para se t'i kushtohej plotësisht krijimtarisë letrare, M. Paviq ka punuar në gazeta, ka shkruar vepra kritike, monografi për historinë e vjetër të letërsisë serbe dhe poezinë e simbolizmit, ka përkthyer vargje nga gjuhët europiane.
Famën ndërkombëtare ia solli romani "Fjalori Kazar" (1984), i cili u bë bestseller. Librat e tij janë përkthyer në shumë gjuhë të botës. M. Paviq zotëronte gjuhët kryesore europiane, si dhe disa gjuhë të vjetra. Ka përkthyer Pushkinin dhe Bajronin në serbisht. Ka qënë nominuar disa herë për çmimin "Nobel". Ka vdekur në Beograd më 30 nëntor 2009 nga infarkti i miokardit.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...