Agjencioni floripress.blogspot.com

2012/09/30

To the end of the land


Titulli: Gruaja që i arratisej lajmit të keq
Origjinali: To the end of the land
Gjinia: Roman
Autori: David Grossman
Shqipëroi: Taqo Trajçe
Shtëpia botuese: Dudaj
Viti: 2011
Fq. 568
Pesha: 0.70 kg
ISBN: 978-99943-0-237-6

Gruaja qe i arratisej lajmit te keq, David Grossman

Ora po bëhet gati të festojë lirimin nga shërbimi ushtarak të birit të saj, Oferit, por ai kthehet sërish në front për një operacion të madh. Në një çast hidhërimi e krize mendore të pashpjegueshme, ajo niset për në Galile, pa u lënë asnjë njofitm paraprak "lajmëtarëve", të cilët mund të sjellin lajmin më të keq që mund të dëgjojë një nënë.
E ndarë kohëve të fundit nga i shoqi, Ilani, ajo e bind ish mikun e tyre më të mirë dhe të dashurin e saj të dikurshëm, Avramin, që ta shoqërojë. Dikur me një shpirt të shkëlqyer artisti, tani i tërhequr nga bota dhe i mbyllur në vetvete, Avrami kishte shërbyer bashkë me Ilanin në ushtri derisa fati i ndau dhe Avrami përfundoi në Egjipt gjatë Luftës së Kipurit, ku u torturua brutalisht si rob lufte.
Gjatë udhëtimit, përmes bukurisë së zymtë të Galilesë, historia që Ora i tregon Avramit e mban të gjallë Oferin, ndërsa vetë Avramin e hap ndaj lidhjeve njerëzore të papritura në botën e tij të shkatërruar.
Kurrë nuk e kemi parë kaq qartë ose në mënyrë kaq therrëse realitetin dhe surealitetin e jetës së përditshme në Izrael, rrymat e ambivalencës për luftën brenda një familjeje, barrën që bie vazhdimisht mbi çdo brez. Imagjinata e pasur e Grossman – it për një familje në dashuri e krizë e bën këtë libër një nga romanet më të mëdha të kohës sonë kundër luftës.


"Janë disa shkrimtarë në fjalët e të cilëve njeriu dallon ndërtimin e jetës. David Grossman – i është një shkrimtar i tillë. Ai është mjeshtër i të shkruarit emocionalisht, të saktë e domethënës. Personazhet e tij nuk gjenden aq shumë në faqet e librit se sa ngrihen para syve të lexuesit në tri përmasa, lëkura e tyre e mbuluar me prozë, që njëherësh sëmbon me depërtim dhe shkëlqen me dhembshuri."
Yann Martel, shkrimtar
"Ky është një libër me fuqi e intensitet tronditës. Kryevepra e David Grossman – it. Floberi krijoi Emën, Tolstoi krijoi Anën dhe tani kemi Oran e Grossman – it... Ky është një libër që të rrëmben, i bukur dhe i paharrueshëm."
Paul Auster, shkrimtar
"David Grossman – i shkruan me një çiltërsi që nuk e njeh frikën, që është poetike dhe e fuqishme, sensuale dhe e zemëruar, pasionante dhe e butë. Ai shkruan jo vetëm për mbijetesën e tij, por edhe për tonën gjithashtu."
Die Zeit (Gjermani)


David Grossman lindi në Jeruzalem. Është autor i shumë veprave të letërsisë artistike, publicistike dhe për fëmijë. Vepra e tij është botuar në "The New Yorker" dhe është përkthyer në tridhjetë gjuhë të botës. Është fitues i çmimeve të shumta jo vetëm në Izrael, por edhe në Francë, Gjermani, Itali etj.

Facebook - koobecaf


Titulli: Facebook - koobecaf
Origjinali: Facebook - koobecaf
Gjinia: Roman
Autori: Edmond Shallvari
Shtëpia botuese: Fan Noli
Viti: 2012
Fq. 188
Pesha: 0.23 kg
ISBN: 978-99956-86-86-4

Facebook - koobecaf, Edmond Shallvari

Bota do të ishte në të keqen më të vogël të saj nëse njerëzimi do të mbetej vetëm në mëkatin e ideve apo të ashtuquajturin mëkat platonik. Ç'do të ndodhte në Eden me Evën dhe Adamin sikur molla të mos kafshohej nga dhëmbët, por nga ideja e tyre e kafshimit? Pra, të dy, kushtit të Perëndisë t'i nënshtroheshin jo nga bindja, por nga frika e ndëshkimit?
Molla e ndaluar gjithsesi do të kafshohej e përtypej mendërisht e do të shijohej sipas idesë mikse të frutave të provuar. Perëndia ndëshkon vetëm idenë e materializuar apo edhe idenë e realizuar shpirtërisht?


Edmond Shallvari ka lindur në Korçë më 30 korrik 1957. Pas shkollës së mesme, vazhoi studimet universitare në Tiranë duke u diplomuar për Ekonomik në vitin 1982. Krijimtaria e tij e ka zanafillën e hershme me poezitë e para botuar në gazetën universitare, ku dhe është mirëpritur e vlerësuar. Më pas ka botuar poezi e shkrime të karakterit ekonomik e filozofik në gazetën lokale të Korçës.
Aktiv në lëvizjen për demokraci deri në vitin 1997, kur për shkak të ngjarjeve tragjike të atij viti largohet familjarisht për në Selanik të Greqisë, ku banon edhe sot. Shkrimet dhe kujtimet e mbledhura në kohë kritike për jetën e tij dhe të vendit i ka botuar në librin e parë "E megjithatë... jetojmë!" në vitin 2006, për të vazhduar më pas me katër libra të tjerë me poezi, të cilët janë mirëpritur nga lexuesit.

Puthma shpirtin


Titulli: Puthma shpirtin
Origjinali: Puthma shpirtin
Gjinia: Poezi
Autori: Ardi Omeri
Shtëpia botuese: Botimet Vllamasi
Viti: 2011
Fq. 140
Pesha: 0.20 kg
ISBN: 978-9928-4027-9-0

Puthma shpirtin, Ardi Omeri

Fragment nga libri

Dua përjetësisht shpirtin!
Të thyej akujt me fuqinë e Zotit
Si Zot të të pushtoj!
Të marr çka nuk mundet as ai vetë
Kjo është ajo që dua!
Trupin, nuk di në jam i pari apo i fundit!
Atë e ka në dorë shpesh djalli
Ai tundon dhe mua...
Unë të penetroj më parë shpirtin
Të bëhem perandor në të...
Të të fal timin shpirt
Të penetroj tëndin përjetësisht...
Kjo është ajo që dua...!

Koment mbi librin

Ç'është kjo ndjenjë që përmbys dhe ndërton gjithçka? A duhet ta duam apo ta flakim tej atë që na çon drejt dyerve të lumturisë, që na bën të jetojmë, që na hap shpirtin, që na tregon kush jemi në të vërtetë, ç'presim në të vërtetë? A është e brishtë, a është e fortë, a është e ashpër kjo ndjenjë?
Ç'gjë merr përparësi kur gjendemi përpara zbulimit se jemi bashkëudhëtarë me dashurinë? A duhet të vazhdojmë vetë rrugën apo duhet të ecim me të në krah? Ç'presim prej saj? Të ngushëllojmë dhe justifikojmë veten? Të lartësojmë shpirtin tonë drejt qiejve që vetëm ne i shohim? Apo të mbetemi peng të moskuptimit dhe të keqinterpretimit?
Lexojmë vargjet e Ardi Omerit dhe përjetojmë fuqishëm gjithë këto pikëpyetje, që në të vërtetë kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me ekzistencën tonë shpirtërore. Çdo dashuri është e re dhe ka çastlindjen e saj, sikur ka edhe çastshuarjen e saj. Ky është suksesi i padiskutueshëm i këtyre vargjeve, përmes të cilave edhe ne si lexues, së bashku me krijuesin e tyre, bëjmë të njëjtën gjë: përpiqemi t'u japim përgjigje pyetjeve që vetiu na lindin dhe përjetojmë, jetojmë, përkëdhelim ndjenjën tonë dhe emocionet tona.
Mimoza Erebara

Çlirimi i Serbisë prej Kosovës


Titulli: Çlirimi i Serbisë prej Kosovës
Origjinali: Çlirimi i Serbisë prej Kosovës
Gjinia: Intervistw, esse
Autori: Ismail Kadare
Shtëpia botuese: Onufri
Viti: 2012
Fq. 48
Pesha: 0.09 kg
ISBN: 978-99956-87-92-2

Clirimi i Serbise prej Kosoves, Ismail Kadare

Një nga më të mëdhenjtë shkrimtarë europianë, Ismail Kadare, flet për temat më delikate dhe ndarjet midis serbëve dhe shqiptarëve, mbi urrejtjen e zgjatur, zemërimin dhe mllefin, mbi miqësinë dhe moskuptimet me shkrimtarët serbë, mbi shtrembërimet e historisë, që e kapërcen dramën ballkanase, dhe për arsyen përse ishte dashur që Serbia të ishte e para që ta njihte Kosovën.

Fragmente nga intervista

Pyetje 1. Ju jeni një nga shkrimtarët më të njohur të botës sot. Ka gati dyzet vjet që e keni fituar këtë status, sidomos në Perëndim, por, kohët e fundit, edhe në vendet e ish - Lindjes. Kritika botërore është treguar bujare me ju. Krahasimet me Homerin, Danten, Kafkën nuk mungojnë. Këto vlerësime tepër të larta për veprën tuaj, për rolin emancipues të saj a i përjetoni edhe si një rritje përgjegjësie përpara opinionit të vendit tuaj, atij ballkanik dhe atij botëror?
Së pari desha t'ju theksoj se unë jam shkrimtar dhe përgjegjësia ose jo përgjegjësia ka lidhje, në radhë të parë, me letërsinë. Të tjerat janë rastësi. Nuk jam kundër rolit zbutës, emancipues të letërsisë, por desha të them se nuk është letërsia ajo që mund të ndreqë problemet e kësaj bote. Ndoshta mund të ndodhte kjo, me kusht që letërsia të prishte veten e vet... Vura re se në listën e pyetjeve tuaja, ka disa për çështjet e sotme, sidomos ato në Ballkan. Unë ju kuptoj dhe nuk jam kundër t'ju përgjigjem, veç do t'ju lutesha t'i merrni fjalët e mia brenda kushtëzimit që përmenda më lart.
Që të jem më i rrokshëm: ju përmendët pak më lart disa emra të mëdhenj, çka sot do të ishte kënaqësi për çdo shkrimtar. Por krahasimet, përveç që gjykohen shpesh si të pasakta, qëllojnë të jenë edhe të rrezikshme. Ja, për shembull, pak njerëzve u shkon ndër mend se Homeri ka qenë i pari dhe për fat i vetmi kolos i poezisë që s'kishte as më të voglën rezervë kundër luftës! Sipas ligjeve të sotme, do të ndalohej kudo. Dhe kjo që sapo thashë s'është aspak fantazi, ngaqë disa ditë më parë u hap lajmi se OKB - së iu kërkua të ndalonte, për arsye të ngjashme, Dante Aligierin! Natyrisht që do të ishte mirë që OKB-ja, më shumë se të fantazonte kundër poetit, të lexonte si duhej Danten, për të mësuar prej tij se si duhen dënuar krimet kundër njerëzimit, gjë që Dante e ka bërë më mirë se ajo!
Pyetja 2. Ju keni botuar një ese të rëndësishme "Mosmarrëveshja", e cila është konsideruar me të drejtë si një nga majat e mendimit shqiptar. Ky libër, duke folur për "raportet e vështira të shqiptarëve me vetveten", trajton gjerësisht raportet e popujve të Ballkanit me njëri-tjetrin, me Europën, si dhe të kësaj të fundit me ta. Në këtë libër ju jeni i ashpër me vendin tuaj, por po ashtu me fqinjët e tij ballkanas, me grekët, serbët, osmanët, shkurt, me të gjithë. Është si një pasqyrë e pamëshirshme që ju vini përpara të gjithëve. A mendoni se kolegët tuaj ballkanas do të ndërmerrnin të njëjtin aksion ndaj popujve të tyre?
Do ta dëshiroja shumë një gjë të tillë. Do të ishte e mirë për të gjithë ne. Më lejoni të përsëris idenë se ka një të mirë të përbashkët dhe ka një të keqe të përbashkët në Ballkan. Pikërisht këtë ne jemi të paaftë tani për tani ta dallojmë. Mendjet tona janë kapur ende nga kurthet e vjetra: e keqja jote është e mira ime. Dhe e kundërta.
Klasat politike në Ballkan e kanë të vështirë të dalin nga ky kurth. Ato nuk kanë as aftësinë e as vizionin për një gjë të tillë. Ata kalojnë nga krekosja nacionaliste, në përulje kozmopolite. Europa e bashkuar nuk e ka lehtë të merret vesh me gadishullin e vet problematik. Por ndoshta s'duhet t'i vëmë edhe shumë faj. Të mos harrojmë se ajo ka edhe tre gadishuj të tjerë veç vetes!
Të kthehem te çështja e Europës. Ndjesia për të është disi e ndryshme te ballkanasit. Është i njohur admirimi i pakusht i shqiptarëve për Europën dhe SHBA-në. Kjo ndoshta vjen ngaqë humbjen e Europës ne e kemi përjetuar më tragjikisht se të tjerët. Qysh në vitet 30-të një poeti ynë ka shkruar se ne "e duam Perëndimin me një dashuri tragjike". Ky tragjizëm u theksua gjatë izolimit komunist. Ju, sllavët e Ballkanit, jeni më të përmbajtur, dhe kjo ndoshta vjen se ju bashkë me Europën keni familjen sllave, ndërsa ne s'kemi fis tjetër.
Këtu do të shtoja se admirimi nuk mjafton pa mirëkuptimin. Mendoj se ballkanasit duhet të ndihen të nderuar që Europa merret seriozisht me ta. Natyrisht që Europa me përmasat e saj kontinentale mund të krijojë keqkuptime. Mendoj se një nga keqkuptimet ose më saktë një nga keqinterpretimet e mendimit europian mund të jetë marrëdhënia e çdo vendi me vetveten. Duket sikur, për të shmangur rrezikun e nacionalizmit, që është vërtet një rrezik për këdo, e sidomos për Ballkanin, Europa përkrah njëfarë shkombëtarizmi.
Me fjalë të tjera, duket sikur ajo na thotë: të këqijat tuaja vijnë ngaqë e doni më shumë se ç'duhet vendin tuaj. Mendoj se këtu është keqkuptimi. E keqja nuk vjen ngaqë ballkanasit e duan shumë kombin, por ngaqë e duan keq. Po ta donin vërtet vetveten, do t'i donin edhe të tjerët. Rrjedhimisht, këshilla e Europës do të duhej të ishte: s'është puna ta doni më pak veten, por ta doni më mirë. Këtë pak a shumë kam trajtuar, ndër të tjera, në librin e fundit.

To kill a mockinbird


Titulli: Të vrasësh zogun përqeshës
Origjinali: To kill a mockinbird
Gjinia: Roman
Autori: Harper Lee
Shqipëroi: Jorgji Qirjako
Shtëpia botuese: Omsca 1
Viti: 2009
Fq. 324
Pesha: 0.39 kg
ISBN: 978-99943-41-48-1

Te vrasesh zogun perqeshes, Harper Lee

Një nga rrëfimet më të dashura të të gjitha kohërave. "Të vrasësh zogun përqeshës" ka fituar çmimin Pulitzer dhe është përkthyer në më shumë se dyzet vende të botës duke u shitur në më shumë se 30 milionë kopje; edhe filmi i bazuar në këtë roman është ndjekur nga një numër shumë i madhe shikuesish. Sipas një ankete të zhvilluar në bibliotekat e Amerikës është cilësuar romani më i mirë i shekullit të njëzetë.


"Një roman i tillë i rrallë, i shkëlqyer, i cili pa dyshim do të ketë lexues të shumtë... një roman me frymë të theksuar bashkëkohore."
Chicago Tribune
"Dukuri e rrallë e letërsisë... Zbavitës, gëzimndjellës dhe i shkruar në një stil befasues..."
Vogue
"Një libër jashtëzakonisht prekës dhe ndërkohë kaq zbavtës e tërheqës..."
Truman Capote
"Libri i saj vendoset në rangun e rrallë të atyre librave që të mbeten përherë në kujtesë."
Bookman

Getting the love you want, a guide for couples


Titulli: Të marrësh dashurinë që do, një guidë për çiftet
Origjinali: Getting the love you want, a guide for couples
Gjinia: Udhërrëfyes praktik
Autori: Harville Hendrix
Shqipëroi: Mirela Sula, Fiorela Shalsi
Shtëpia botuese: Ombra GVG
Viti: 2012
Fq. 402
Pesha: 0.42 kg
ISBN: 978-9928-06-030-3

Te marresh dashurine qe do, Harville Hendrix

I botuar për herë të parë në vitin 1988, libri "Të marrësh dashurinë që do" ka ndihmuar miliona çifte në mbarë botën që të marrin më shumë dashuri, mbështetje dhe një marrëdhënie thellësisht të kënaqshme. Botimi i njëzetë është një rishikim i hollësishëm i këtij libri novator, me një kapitull të ri, ushtrime të reja dhe me një parathënie të detajuar.
Filozofia e përditësuar e Dr. Hendrix ndihmon për të eleminuar gjithë negativitetin e marrëdhënies së përditshme tek çiftet dhe lejon lexuesit e këtij botimi që të përfitojnë nga zbulimet e tij të vazhdueshme gjatë një pune prej dy dekadash.


"Nuk njoh guidë më të mirë për çiftet se sa ata që dëshirojnë vërtetë një marrëdhënie të pjekur."
M. Scott Peck, autor
"Të marrësh dashurinë që do" është një libër i mrekullueshëm, libri më i mprehtë dhe bindës që kam lexuar ndonjëherë në problemet e ngatërruara të marrëdhënieve martesore."
Ann Roberts, presidente e fondit të familjes Rockfeller
"Ky libër do të ndihmojë të gjithë çiftet për të gjetur dashurinë që duan, të fshehur në konfuzionet e veta të një marrëdhënieje të ngushtë dhe intime. Nuk kam parë kurrë më parë parime të tilla të zbatueshme dhe në fakt funksionojnë."
James A. Hall
"Të marrësh dashurinë që do" siguron një hartë rrugësh për partnerët që kërkojnë një shteg për një marrëdhënie intime, pasionante dhe miqësore. Ky është libri më praktik që kam parë ndonjëherë për të kuptuar marrëdhëniet intime."
Marion Solomon


Harville Hendrix, Ph. D. në partneritet me bashkëshorten e tij, Helen Lakelly krijuan Terapinë e Marrëdhënies Imago, një proces unik shërues për çiftet, për ata që duan të krijojnë një lidhje afatgjatë në çift si dhe për prindërit. Të dy bashkë ata kanë më shumë se tridhjetë vjet përvojë si edukatorë dhe terapistë. Puna e tyre është përkthyer në më shumë se pesëdhjetë gjuhë të botës dhe metodën e tyre Imago e praktikojnë dymijë terapistë në mbarë botën.

La copia amorosa, la sfida delle relacioni umane


Titulli: Çifti i dashuruar, sfida e marrëdhënieve njerëzore
Origjinali: La copia amorosa, la sfida delle relacioni umane
Gjinia: Psikologji
Autori: Leo Buscaglia
Shqipëroi: Çlirim Mukli
Shtëpia botuese: Plejad
Viti: 2002
fq. 160
Pesha: 0.21 kg
ISBN: 978-99927-774-4-3

Cifti i dashuruar, Leo Buscaglia

I njohur si libri më popullor i sociologut të madh amerikan, Leo Buscaglia na paraqet në këtë libër me një manifest mbi dashurinë, ëmbëlsinë, përkujdesin, dhembshurinë, komunikimin, altruizmin: pjesët më vitale të sjelljes njerëzore. Është ky mesazhi optimist i një autori të jashtëzakonshëm, që ka arritur të fitojë zemrat e gjithë botës me besimin e tij mbi jetën, dashurinë dhe vëllazërinë.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...