Agjencioni floripress.blogspot.com

2012/12/18

Thjeshtësia dhe mendimi filozofik te poetika e Kostaq Dukës ne librin poetik "Ne dy hapesira".





Kostaq Duka (lindur më 1952 në Korçë) shkrimtar, filozof shqiptar nga Shqipëria.Duka ka kryer studimet e larta në Universitetin e Tiranës, ku diplomoj në degën e filozofisë pranë Fakultetit të shkencave politiko-juridike.
Poezitë e para të tij filluan të botohen aty nga vitit 1968. Përmbledhja e parë e poezive të tij u bë në librin e botuar më 1976, të titulluar "Thjeshtësi" ndërsa dy vite më vonë u botua edhe përmbledhja e dytë e tij me titullin "Flas me barin". Ishte kjo një përmbledhje e pozive të frymëzuara nga jeta e mërgimtarëve bashkëvendas në Greqi. Duka në shoqërinë e gjerë është i njohur jo vetëm si poet por edhe si shkrimtar i dramave. Disa nga këto drama janë luajtur edhe në bynën e teatrit të Korçës.(Floripress)


Thjeshtësia dhe mendimi filozofik te poetika e Kostaq Dukës ne librin poetik "Ne dy hapesira".
Nga : Kristaq Turtulli


Thjeshtësia dhe mendimi filozofik te poetika e Kostaq Dukës ne librin poetik "Ne dy hapesira"

 Nga Gazeta C 



Është dëgjuar mes krijuesve dhe më gjerë, teksa flitet me moskokëçarje në bisedë e sipër, ndoshta dhe me trishtim të hapur për vdekjen e librit dhe triumfin e internetit, face bookut, twiters etj. Dikush tjetër ngulmon me kokëfortësi se kjo ikje, humbje e paralajmëruar është me e mira e të mirave e kollajshmja moskokëçarëse në jetën moderne. Nuk është më e nevojshme të botosh libër, të ndjesh fërfërimën drithëruese te fletëve të librit, drithërimën që përçohet instinktivisht midis autorit dhe lexuesit, erën karakteristike të shtypjes. Seriozitetin, përgjegjësinë, pa llogaritur këtu shpenzimet dhe ëndërrimet, mjafton ta hedhësh krijimin tënd nëpër faqet e ndryshme të internetit dhe qëllimi i autorit është i realizuar.
Krijuesit 'konservatorë' fanatikët e sinqertë të librit të shtypur dhe të botuar, heshtazi krijojnë dhe botojnë pa u kushtuar rëndësi fjalënajës...
Ndaj kur na bie ndonjë libër në dorë te një miku, shoku a të njohuri nëpërmjet internetit, në mënyrë instiktive, pa e pasur plotësisht mendjen e aty, e mban librin një copë herë në dorë, e kthen e shfleton nxitimthi faqet, i sheh kopertinën, faqosjen, lidhjen. E lë një copë herë mbi komodinë duke risjellë nëpër mend kur e ke njohur, rininë, moshën e pjekurisë, momente të ndryshme të janë ngulur në kujtesë si dhe krijimtarinë e mëparshme të autorit etj.
Më konkretisht me librin poetik të mikut të hershëm Kostaq Duka: 'Në dy hapësira.' Botuar në Shqipëri, në shtëpinë botuese D.I.J A. Pogradec.



Kostaq Duka erdhi me këtë libër poetik pas disa vëllimeve poetike: 'Thjeshtësi',' Flas me barin,' 'Trëndafili që çelte në janar.' Drama, dhe dy libra me tregime, duke na sjellë shqetësimin dhe impenjimin e mërgimtarit dhe krijuesit ndaj problemeve të kohës.
Poeti qysh në poezitë e para botuar në gazetën e asaj kohe: 'Zëri i rinisë', kur ish në bankat e shkollës së mesme, solli një zë të sinqertë, ashtu thjeshtësisht pa zhurmë dhe bujë, por që tërhoqi vëmendjen e krijuesve dhe dashamirësve. Kjo thjeshtësi dhe sinqeritet u shpalos në librin e tij të parë të botuar disa vite më vonë me të njëjtin titull. Dhe nga libri në libër e mbrujti me mendimin filozofik dhe tensionin poetik.
Në librin e tij më të fundit: ' Në dy hapësira', poeti Kostaq Duka na vjen më i pjekur me një vizion më të qartë dhe impenjues. Autori është vëzhgues i hollë i jetës, i kujdesshëm, i kursyer në fjalë, si gjithnjë i saktë, ndërkohë qëmton, kthjellon mendimin dhe gjetjen interesante. Ai endet, lëviz, shtrihet, shqetësohet, preokupohet, përjeton situatat, merr frymë midis dy hapësirave të cilat ndahen në mijëra kilometra, siç është fati i emigrantit dhe krijuesit.



Qysh në kopertinën e librit të krijohet përshtypja e shtrirjes, hapësirës, largësisë, shkëputjes, por të rënduar paksa nga ngjyra blu e errët e pasigurisë, dëshirës, përpjekjes së madhe për të kapërcyer dhe kapur shkëndijimin vezullues që është shpresa, liria, ëndrra e bardhë endet tutje në sfond.
Libri poetik ndahet në katër nëntituj: 'Lëvizja e shpirtrave. Në dy hapësira. Botë dhe Dashuria.' Secila nga të katra cikle poetike ka tematikën dhe veçorinë në optikën e përzgjedhur të poetit. Pjesa e parë qysh në titull është gjetje të mençur: 'Lëvizja e shpirtrave.' Autori na jep sendërtimin filozofik dhe shpirtëror. Jetën, lëvizjet e domosdoshme, ndryshimet e dhimbshme por të natyrshme në kushte e ndryshimit dhe të zhvillimit. Si tek poezia e bukur, njerëzore dhe koncize: 'Natyrë e qetë.' Kjo poezi në dukje është e tillë, e natyrshme, e vërtetë por që pranohet me trishtim, e pamundur për të ndalur ndryshimin, në rrjedhën e harbuar të largesës së jetës:
Në fillim një tenxhere mjaftonte për dy.
Pastaj na u desh një tenxhere e madhe,
Orkestër gurgulluese për pesë vetë...
Derisa iu kthyem tenxheres së vogël,
Të vitit të parë të martesës....
Kjo poezi me figurën e gjetur të tenxheres mbart të vërtetën tunduese të ndryshimit, të familjes, rritjes, martesës dhe të plakjes. Gjetje e saktë dhe impresionuese. Poeti është i lidhur shpirtërisht e respekton ka mall dhe dashuri për shtëpinë prindërore, familjen dhe të dashurit e tij. Ai gjithnjë i ka kënduar, prindit, nënës, bashkëshortes dhe djalit që dhe tani kur është bërë burrë e është larg, përsëri prindi mbetet pa gjumë dhe ka merak.
Tek poezia e shkurtër dhe të ngjeshur me mendim: 'Fjala' autori përsëri operon me mendimin filozofik duke na përçuar një mesazh të rëndësishëm, se fjala përndrit fjalën kur nga eter diturie del dhe fjala vret fjalën kur injoranca egërsisht e vjell. Neve gjithnjë na ka mundur dhe prangosur fjala që të vret më tepër se plumbi dhe të pret më shumë se shpata, e lëshuar me qëllim, pa përgjegjësi, në erë dhe pas shpine. Autori ka qëlluar në të vërtetën...
Poeti do të jetë i çiltër dhe i hapur me miqtë vet poetë dhe me të tjerë, ndaj me thjeshtësi u drejtohet miqve të tij, nëse e doni vërtet mos e lodhni me deshifrimesh dhe lavdërimesh pa fund, tek poezia : 'Miqtë e mi.'
Oh, ju e dini,
Sheqeri i tepërt gjakun e helmon paprerë,
Sikurse
Mediokrin e bën të fluturoje thonjëzuar
Pas tullumbaceve pa vlerë.
Poeti beson tek sinqeriteti dhe miqësia sepse dhe i verbëri e shumëfishon pamjen me sytë e miqve, ndërsa i vetmuari magjinë e ngjyrat e botës i zbardh me ankthin e kotësisë, të mosekzistencës. Poezia:' I verbëri dhe i vetmuari.'
Tek poezia:' Në dy hapësira.' Që ka marrë dhe vetë libri, të krijohet përshtypja e lajtmotivit të vetë mendimit, tematikës dhe problematikës së librit, pse jo dhe të shumë emigrantëve të larguar në vite por që janë të lidhur me shumë fije të dukshme dhe të padukshme me vendlindjen. Por artisti, poeti është diçka më ndryshe se të tjerët, nuk mund ta mbyllë kapitullin e mëparshëm dhe të hedhë tre gurë pas vetes në momentin e ikjes. Krijuesi përsëri i mbart pas kudo që shkon si një hamall i madh; mallin nostalgjitë, përjetimet dhe emocionet përçuese janë më të mëdha. Ndaj dhe poeti Kostaq Duka,paçka se është mijëra kilometra larg përsëri, fle, ngrihet, punon me orën e vendlindjes. Me të gjallët e të vdekurit, shpresat jetime të lënë diku rrugëve, përzihen e copëtohen si meteorë hapësirave të orëve të Shqipërisë. Por autori gjithnjë me shtrirje njerëzore thotë:
Syri tej në dialog me diellin dhe shëmbëlltyrat
E mundit njerëzor të lirisë
Ngre e ul shatërvanë drite të një realiteti të ri...
I madh është malli i Kostaqit për vendlindjen, qytetin e lindjes Korçën e dashur, qytetin e serenatave, Parizin e vogël, për rrugët e pastra karakteristike me kalldrëm me ajrin e pastër dhe plot diell. Korça e ka dashur fort autorin, si çdo bir të saj. Dhe këtë qytet me fllad dhe zemër, poeti e ka dashur si dashurinë e parë. E autori e thotë bukur/ I hutuar, fluturak, këmishë shkopsitur, këpucë ngrënë mbi kaçurrelat-gurë të rrugëve të tua./ Autori thotë se e ka dashur Korçën si grua, sepse ka mbjellë dëshira dhe ëndrra, ka grirë e tretur inate burri pa fund/. Dhe në strofën e fundit të poezisë e thotë bukur:
Të kam dashur si nënë Korça ime,
Herë më dukesh e madhe, dhe e vogël,
Plakushe grindavece...
Të tjerët ngrenë gradaçiela.
Ti pastron e llamburit shtëpitë përdhes
Për bijtë
Që me erë borziloku të ndjejnë përkëdheljen tënde...
Poezitë e tjera të këtij cikli si : 'Sofati dhe plaka'. 'Takimi i parë me djalin emigrant'. Me fjalë të sakta dhe të kursyera, të tensionuara, me dhembje të përmalluar dhe intensitet poeti në këtë poezi aq jetësore, të natyrshme, na jep momentin emocional drithërues të takimit midis prindit të malluar të merakosur dhe djalit të lodhur nga rruga e gjatë gjithashtu i dëshiruar për një fjalë dhe përqafim të ngrohtë.
Kravatë zhubrosur
Mjekër pushuar.
Sy të trembur të paqetë
Buzëqeshje malluar,
Një ankth të përgjakur,
Katër duar ne përqafim kryqëzuar...
Interesant është triptiku poetik kushtuar aktorit të talentuar korçar, artistit të popullit Vangjush Furxhiut. Ne të gjithë e mbajmë mend atë talent të madh të artit dhe të skenës, me rolet e tij të spikatura. Kostaqi na i jep me vërtetësi në poezi atë portet njeriu dhe artisti me art dhe dashuri.
Pjesa e katërt dhe e fundit e librit poetit të poetit Kostaq Duka është cikli kushtuar ndjenjës më të brishtë dashurisë. Autori edhe në këtë cikël operon me mendimin dhe nuk është vetëm, nuk e lë në kuadrin e konstatimin dhe të ndjenjës brishtë, por gjykon me syrin e ftohtë dhe shpesh herë e kritikon për indiferentizmin dhe deri diku ndjehet i penduar për ato kohë të mrekullueshme, naive, të sinqerta, të vrullshme rinore që nuk mund të kthehen më.
Dikush na ka dashur,
Por o Zot,
Përse marrëzisht me lotët e saj jemi tallur?!
Pas dikujt, pas dikujt jemi 'harruar'
....
Në rini s'ka kohë ta zgjidhim
Në pleqëri mbetemi të vonuar...
Gjithashtu në poezitë e këtij cilki si : 'Zjarri, ' Kasollja e dashurisë,' Puthja' E dashura ime e parë ishe bora'. Bëmë sikur harruam etj.
Nga cilki në cikël dhe nga poezia në poezi autori e merr përdore lexuesin dhe ne ndjejmë flladin e freskët. Kostaq Duka në librin e tij të katërt poetik: 'Në dy hapësira,' tregon pjekurinë poetike, kujdesin në përzgjedhjen e temës, mendimin filozofik, figurën, fjalën e gjetur dhe afirmim...//

Nuk është letërsia e as poezia që më ushqejnë , por ato më mbajnë gjallë ..



Nuk është letërsia e as poezia që më ushqejnë , por ato më mbajnë gjallë ..




Sokol DEMAKU- Asnjëherë gjatë historisë, pas kohës së Skënderbeut, nuk kemi qënë më mirë. Me këtë,nuk dua të them se jemi shumë mire sotë. Dua të them, se na është lejuar të kemi një nënë dhe një vëlla por jo një familje të kompletuar.

Intervistë me Ibrahim Abedini poeti Strugan nga Landveter i Suedisë

-Frymëzimi kryesor i tregimeve të mia janë jeta, e kaluara historike, vuajtjet dhe preokupimet e popullit tim në shekuj dhe në ditët e sotme. Me vuajtjet e popullit tim, kam vuajtur edhe unë dhe kur populli im ka kënduar, kam kënduar edhe unë në tregime dhe në poezi.
Të lumtur më bëjnë arritjet e kombit, si Kosova shtet i pavarur, të arriturat e shqiptarëve në IRJ të Maqedonisë dhe po ashtu përfundimi i një vepre me poezi apo me prozë. Më bënë të lumtur kur jeta në familje shkonë mirë, drejtë një qëllimi afatgjatë dhe të qëndrueshëm. Më bëjnë të lumtur sukseset dhe të arriturat e fëmijëve.
-I etur. I pangopur. Kurreshtar. Një njeri i thjashtë që do të di çdo gjë, jo vetëm nga vendlindja e pandarë por edhe nga ambienti që e rrethonë. Nga e përditshmja që jeta i ofronë dhe realiteti ia diktonë. Një njeri që nuk mund të ri i qetë kur atë që e sheh dhe e dëgjonë, ta lëshoj të mbytet pa e paraqitur përpara të tjerëve. Se i thonë një fjalë:”Të dish për një gjë të rëndësishme, dhe të mos e ngresh zërin e ta prezentosh atë të mirë apo të keqe, është njëlloj sikur nuk ke ditur asgjë”.

Kisha me ju lute per nje prezentim të shkurtër.

-Linda më 26 shkurt në katundin Zagraçan, rrethi i Strugës. Në katundin e lindjes e fillova ciklin e ulët të tetëvjeçares, dhe e përfundova në Fidanishtë- një vend ndërmjet katundit Ladorishtë dhe katundit Shum. Gjimnazin e mbarova në qytetin e Strugës. Më 1981 u diplomova në universitetin e Shkupit, pranë katedrës së gjuhës dhe letërsisë shqipe. Nga regjimi i egër i asaj periudhe për shumë kohë u mohua e drejta ime për të ushtruar profesonin. Shkolla fillore H. Prishtina, në prishtinë ishte e vetmja që më hapi dyertë për të punuar dhe ushtruar profesorin që aq shumë e desha. Për të mbajtur veten dhe familjen në Strugë u detyrua të punoj edhe punë të rënda fizike. Interesimin për letërsi nuk e humba asnjëherë. Nga represioni i vazhdueshëm i organeve të brendëshme policore Sllavomaqedone, definitivishtë më 1990 u largova nga vendlindja dhe u vendos në Landvetter të Suedisë. Në Mönlycke, në komunën e Herryda-s, punova një kohë të shkurtër si arsimtar i gjuhës shqipe me fëmitë e bashkatëdhetarëve. Punova një vit si asistent në shkollën ”Högadal skolan” në Mölnlycke me fëmijë Suedez. Jam anëtar i lidhjes së shkrimtarëve të qytetit të Strugës që nga viti 1999. Në vitin 2009 u pranova në lidhjen e shkrimtarëve ” Författarcentrum väst”( Qendra e shkrimtarëve-perëndim) në Göteborg të Suedisë. Dhe në vitin 2012 u pranova anëtar i SHSHAKSHS- së (Shoqata e shkrimtarëve,artistëve dhe krijuesve shqipëtarë të Suedisë). Me poezi fillova të merrem që në bangat e shkollës së mesme.

Përvecse nje shkrimtar me renome, jeni edhe poet i njohur në gjuhën suedeze dhe ne shqip. Do te ishte me interes te mesonim nga ju se si e perkufizoni rolin e shkrimtarit ne jetën bashkëkohore?
-Në botën Shqiptare, Kryesishtë në Shqipëri, Kosovë dhe Në Maqedoninë Shqiptare botimet e mia janë të shpërndara nëpër biblioteka të caktuara të disa qyteteve dhe në një masë të caktuar edhe në dorën e lexuesve dhe adhuruesve të artit dhe kulturës. Jeta ime si shkrimtar bashkëkohor është e lidhur ngushtë me të jetuarit po të kësaj kohe, por që trajtonë tema edhe të së kaluarës dhe të së ardhmes që më kanë preokupuar më së shumti si Shqiptar dhe si shkrimtar.

Krijimtaria juaj i perket nje periudhe të gjatë kohore. Cila eshte tema dhe motivi ne veprat e juaja?
Krijimtaria ime është e kufizuar, disa vjeçare. Unë do ta veçoj atë që fillon me botimin e veprës së pare me poezi:”Mos vono, moj valle”-1998. Unë si shkrimtar dhe poet, nuk i kam dhënë vetes të drejtën që të jem i përcaktuar vetëm në një drejtim, dua të them se, temat dhe motivet në veprat e mia, kanë qenë të shumëanëshme, të shumëllojshme dhe të ndryshme. Që ta rrumbullaksoj pak më mire dhe më shkurt pyetjen tuaj, do të shtoj se, jeta nuk ka vetëm një motiv dhe një temë. Dhe nga kjo jetë me shumë motive janë krijuar edhe veprat e mia.

Nga e merrni frymëzimin e romaneve tuaja? Cfarë është tema apo subjekti në to?
-Frymëzimi kryesor i tregimeve të mia janë jeta, e kaluara historike, vuajtjet dhe preokupimet e popullit tim në shekuj dhe në ditët e sotme. Me vuajtjet e popullit tim, kam vuajtur edhe unë dhe kur populli im ka kënduar, kam kënduar edhe unë në tregime dhe në poezi. Por nuk ka munguar asnjëherë dashuria në tema dhe subjekte të ndryshme që kam trajtuar me dashuri dhe respekt.

Ju keni botuar ne shqip por edhe ne suedisht?
- Po! Në Shqip kam botuar shtatë vepra deri tani dhe nga këto, njëra është botuar e përzgjedhur edhe në gjuhën Suedeze nga Ullmar Qvick, miku i Shqiptarëve. Për këtë, ka shkruar edhe gazeta:”Härryda Posten”dhe shumë e më shumë edhe revista letrare:”Dituria” që del në gjuhën shqipe në Båros të Suedisë me redaktor, Sokol Demakun.

Cka ka botuar deri me tani Ibrahimi dhe cka pret lexuesi nga ju tani?
- Për herë të parë më 1998 botova:
” Mos vono, moj valle”- Poezi
” Dëgjoni zërin tim”- Poezi -1999
” Luli guximtar ” - Novelë për fëmijë- 2000
” Brengat e liqenit- Poezi - 2002 ( përkthyer në përzgjedhje në gjuhën Suedeze me titullin: ” Sjöns smärta” po në të njejtin vit, nga Ullmar Qvick).
” Arifi deshte të fluturonte”- tregim për fëmijë- 2005
” Harro se ç´kemi biseduar”- Tregime për të rritur- 2009
“Çdo gjë i përket jetës”- Poezi – 2012 . Por veprimtaria ime do të vazhdoj derisa të më punoj koka dhe duartë. Dhe unë besoj se lexuesit e rregulltë të veprave të mia, presin vazhdimin e epizodeve të lexuara. Dhe për lexuasit, vepra ime e ardhëshme do të jetë një përmbledhje me tregime , ku do të zbuloj në tërësi maskën e regjimit Sllavo-Maqedon për padrejtësitë dhe krimet që ka bërë.

Kur kemi te bejme me poezinë cila është ajo qe le gjurme tek ju dhe qe ju shtynë te merreni me te?
- Unë do thosha kështu: Çdo gjë që ka lënë gjurmë të thella në shpirtin e popullit tim, ka lënë gjurmë të thella edhe në rrjeshtat e poezisë sime. Jeta Shqiptare në veçanti dhe jeta si tërësi e pandarë e të gjithve të kësaj bote me të mirat dhe të këqiat, domosdo që e kanë shtyrë poetin Ibrahim Abedini të shkruaj.

Keni botuar bukur e së fundi cka pritete që të jete ne duartë e lexuesit dhe cfarë është tema që trajtohet këtu?
- Të gjithë atë që kam botuar deri më tani është në duartë e lexuesve. Dhe të gjithë botimet i kam bërë me kontributin tim dhe më së shumti i kam dhuruar falas. Për këtë nuk jam penduar asnjëherë.U thashë se I.Abedini nuk do pushoj së shkruari asnjëherë, dhe pak më lartë e përmenda se cila do jetë vepra e ardhëshme dhe tema e sajë dhe do ta them edhe njëherë, pa rezervë, se do demaskoj rregjimin Sllavo-Maqedon që ka bërë në bashkëpunim me atë Serbo-Sllav.

Si e kalon Ibrahim Abedini një ditë punës në megrim?
- Jo me kënaqësinë më të madhe në momente të caktuara, kur me trup është pranë kompjuterit dhe karriges në Landvetter të Suedisë dhe me mentë dhe shpirt është diku larg në burimet e pasura me ujë, në kodrat dhe livadhet e vendlindjes, në krasta dhe në malet e pasura me dru. Pranë miqve dhe shokëve në kafenetë e Strugës. Dhe më së shumti pranë shtëpisë që e kam lënë të vetëm

Ju jeni Gjuhtar me profesion por tani merreni me shkrime dhe publicistikë, cfare është dallimi mes asaj qe keni perjetuar ne vendlindje dhe sot këtu në Suedi?
- Unë mendoj se dallimi midis këtyre të dy drejtimeve nuk është shum i madh në thelb. Të dy drejtimet takohen në një pikë të përbashkët dhe kanë për qëllim veprimin e njejtë. Gjuha dhe letërsia studjojnë shkrimet dhe publicistikën dhe që të merresh me shkrime dhe publicistikë duhet të njohësh gjuhën dhe të kesh studjuar letërsinë, dhe kur të shohësh, nuk bënë njëra pa tjetrën. Nëse provoj të përgjigjem në pyetjen se, cfarë kam përjetuar në vendlindje dhe sotë në Suedi?, do më duhej të lexoja një vepër të tërë të shkruar, por unë do të them shkurtimisht se, atë që kam përjetuar, që kam parë dhe që kam dëgjuar në atëdhe, në Suedi jam munduar ta shpreh dhe ta përshkruaj me anë të veprave dhe që do vazhdoj ta paraqes me vepra të tjera në mënyrë reale. Me një fjalë, Suedia dhe bujaria e këtij populli Skandinav më dha mundësinë të paraqes një pjesë të realitetit sa të hidhur aq edhe tragjik të popullit tim të lashtë.

Një shkrimtrar, një publicist kërkon te jetë pothuajse për gjithçka i informuar. Kjo ka të bëjë kryesisht me natyrën e personit. Thjesht doja një përgjigje te shkurtër. Si është Ibrahimi nga natyra?
-I etur. I pangopur. Kurreshtar. Një njeri i thjashtë që do të di çdo gjë, jo vetëm nga vendlindja e pandarë por edhe nga ambienti që e rrethonë. Nga e përditshmja që jeta i ofronë dhe realiteti ia diktonë. Një njeri që nuk mund të ri i qetë kur atë që e sheh dhe e dëgjonë, ta lëshoj të mbytet pa e paraqitur përpara të tjerëve. Se i thonë një fjalë:”Të dish për një gjë të rëndësishme, dhe të mos e ngresh zërin e ta prezentosh atë të mirë apo të keqe, është njëlloj sikur nuk ke ditur asgjë”. Nga natyra Ibrahimi është i qetë, por agresiv në mënyrën e të shkruarit kur është fjala për të sharë vetveten për të paarriturën.

Ju jeni edhe një prozator shumë i talentuar, cfarë është aktiviteti juaj në media. Si e ndieni veten si shkrimtar, publicit në mergim?
-Mediave nuk ia vë veshin shumë. Ata e bëjnë detyrën e vetë të informimit dhe do-do japin edhe ndonjë kritikë të mënyrës së vetë. Por, për mua është me rëndësi që atë që e shkruaj ta lexoj lexuesi, të kënaqet dhe të mësoj diçka të re nga ajo që unë do paraqes. Të jesh shkrimtar është kënaqësi e vecantë. Unë nuk shoh ndonjë privilegj në punën që bëj si shkrimtar, se kryej vetëm një obligim që kam ndaj vetvetes si njeri. Do mjaftonte për mua që lexuesit të lexonin atë që unë shkruaj. Shkrimtari si shkrimtar kudo që të ndodhet e ka të njejtën rëndësi dhe obligim:-Vetëm të shkruaj të drejtën.

Nëse do te kishe mundësinë te jepje ndihmësen tende në realitetin që jetojmë ne shqiptaret, ku mendon konkretisht që duhet ndryshuar diçka ne?
- Thjeshtë do kisha këmbëngulurnë ndryshimin e mentalitetit të të menduarit. Duhet të ndryshojmë gabimet e të parëve tanë të të menduarit. Çfarë dua të them me këtë?Nuk dua të nënçmojë aftësitë që ka kombi jonë që nga klasa më e ulët e deri tek klasa intelektuale. Por dua të nënvizoj se, ne nuk duhet të jemi shumë bujar, shumë të urtë dhe të butë, nuk duhet t´i japim të tjerëve atë që na takonë vetëm neve, nuk duhet të lejojmë që të na vjedhin pasurinë kulturore me dëshirën tonë duke u treguar zemërgjërë. Duhet të jemi konzervativ dhe të njëanshëm kur është fjala për të mbrojtur vetveten. Dhe nëse më kishit pyetur mua se, si duhet mbrojtur e tëra kjo që thashë më lartë, përgjigja do të ishte:- Duhet të mësojmë nga Japonezët. Ja një shembull konkret : Japonezët, misionarëve të huaj nuk u mësonin gjuhën e tyre që ata të mos kishin mundësinë të mësonin më shumë për Japonezët dhe pozitën e tyre në shoqëri.

Cka mendoni mbi gjendjen politike shqiptare në përgjithësi, parë në prizmin, Shqipëri-Kosovë dhe trojet tjera shqipëtare?
- Asnjëherë gjatë historisë,¨pas kohës së Skënderbeut, nuk kemi qënë më mirë. Me këtë, nuk dua të them se jemi shumë mire sotë. Dua të them, se na është lejuar të kemi një nënë dhe një vëlla por jo një familje të kompletuar. Për t´i dhënë një përgjigje më të mire pyetjes suaj, unë do ju paraqes një poezi e cila flet më mire si përgjigje e pyetjes suaj:
Kosova-djep i shqiptarisë

Në trojet e lashta të Ilirisë
Brënda në zemër të Dardanisë
Kosova përkund djepin e shqiptarisë.

Në trojet tona
Në epokën e re
Lindi edhe një atëdhe - hola…
Dhe sa vjen e shkonë,
Për çdo vit,
I vdes sërbosllavisë një- mit.

Dhe sa shkonë e sa vjen
Po rringjallet një kala
Që u shëmb, që u shkatërrua,
Por që nuk u shua.

Si shqiponja që nuk fle
Që godet e di të ruaj fole
Kjo ishte Kosova për armiqtë—hola…

E bukur, shtatlartë, e re
E zonja dhe krenare, por jo e ve
Kjo është Kosova sotë për miqtë – hola…

Valë të egra detrash të goditën
Valë të pandërprera piratësh të sulmuan,
Si Odisenë,
Për të mos u kthyer më në atëdhe.

Por Dardania lindi gjithmonë Akila
Që historinë famëkeqe e shtinë në grila- hola…

Shqipëtarët nuk do qajnë më, jo,
Ata do këndojnë.
Shqipëtarët nuk do mbajnë zi më, jo,
Ata do hedhin valle.
Si ata në Çamëri
Si ata në Mal të zi
Si ata në Preshevë
Si ata në Iliridë,
Se nuk janë më jetimë
Se nuk kanë vetëm një nënë

Nëse letërsia, ose publicistika nuk do të ishte profesioni juaj, ne cfarë profesioni do e gjente veten Ibrahim Abedini?
- Ibrahim Abedini e ka gjetur veten dhe profesionin këtu e gjashtëmbëdhjetë vite më parë-Saldator i rregjur. Nuk është letërsia e as poezia që më ushqejnë, por ato më mbajnë gjallë se për ndryshe do kisha vdekur me kohë.

Planet tuaja për të ardhmen, cka Ibrahimi mendon dhe ka në fokus?
- Të plakem dhe të pensionohem me shëndet. Të kem sa më më shumë kohë të lirë, të jem i pavarur që të shkruaj sa më shumë vepra me karakter kombëtar dhe të dashurisë se, këto të dya shkojnë bashkë si dy qe të pandarë. Ibrahimi mendon të njejtën, atë që e mendon i tërë kombi Shqiptar:”Bashkimin e trojeve etnike”. Këtë e ka në mëndje dhe në plan të parë, të tjerat janë në planin ”B”.

Përveç artit te të shkruarit dhe publicistikes, si e kalon kohën e lirë?
- Nuk më mbetet shumë kohë e lirë, por ajo kohë që më tepëron e kaloj duke luajtur me mbesën,Delin.Duke e ndihmuar gruan në pregaditjen e ushqimit. Duke lexuar gazetën dhe lajmet në internet. Shetitje në natyrë me gruan dhe të tjera që dalin të paplanifikuara.

Cka ju benë të lumtur dhe cka ju mundon më së shumti?
Të lumtur më bëjnë arritjet e kombit, si Kosova shtet i pavarur, të arriturat e shqiptarëve në IRJ të Maqedonisë dhe po ashtu përfundimi i një vepre me poezi apo me prozë. Më bënë të lumtur kur jeta në familje shkonë mirë, drejtë një qëllimi afatgjatë dhe të qëndrueshëm. Më bëjnë të lumtur sukseset dhe të arriturat e fëmijëve. Dhe më mundon më së shumti kur partitë politike shqiptare si në parlamentin e Shqipërisë ashtu edhe të Kosovës kur nuk mund të gjejnë gjuhë të përbashkët për t´u marrë vesh mes tyre e për të tejkaluar problemet dhe në veçanti më dhëmb kur partit Shqiptare në maqedoni kacafyten mes veti e të vjelat i korrin partitë Maqedonase. Më dhëmb kur dëgjoj dhe lexoj që Shqiptarët vriten mes tyre për motivet ë dobta dhe hakmarrje dhe armiqtë që i kemi tek dera qeshin dhe bëjnë”Amin”. Më dhëm kur shoh se shpërnguljet e Shqiptarëve vazhdojnë edhe në ditët e sotme.
Po të kishit mundësin të zghidhni, ku do kishit jetu?
- Unë nuk do kasha thënë, po të kisha mundësi. Mundësitë nuk egzistojnë asnjëherë për të plotësuar një dëshirë. Dëshirën për ta plotësuar, duhet të veprosh, të sakrifikosh apo të vendosësh edhe pa menduar. Po të më ishte lejuar në një jetë tjetër, ma mëdyshje do kisha vendosur të jetoj në Strugë, por vetëm me një kusht, pa të drejtë shpërnguljeje. Dikush mund të ma bëjë pyetjen: Shko dhe shpërngulu tani se kushtet egzistojnë? Por, këtë pyetje nuk besoj që do ma bënte një njeri që ka fëmijë të moshes sime. Unë e kam thënë në një poezi:”Po u shpërngule njëherë, ke vdekur dy here”.//


**************
Gazeta C

Preç Zogaj, ndër tre shkrimtarët më të mirë të Ballkanit


Preç Zogaj është shkrimtar dhe gazetar shqiptar.Ai lindi në Lezhë në vitin 1957. Studioi gjuhën dhe letërsine shqipe në Universitetin e Tiranës. Gjate viteve '90 ishte kryeredaktor i gazetes Koha Jone, te botuar ne Tirane.

Tituj të veprave

Emrat tuaj (1985)
E pakrye (1987)
Njëri nga ata (1987)
Vonesa (1990)
A thua do të vish duke qeshur (1989)
Shëtitorja (1990)
Finalja (2004)
Intuicionet e tranzicionit
etj....

Preç Zogaj.jpg
Në Veliko Tërnovo të Bullgarisë u shpall shkrimtari fitues i çmimit vjetor letrar ndërballkanik “Balkanika”. Çmimi i sivjetshëm iu akordua shkrimtarit të njohur turk Nedim Gürsel, për romanin e tij “Engjëlli i Kuq”. Romani u cilësua si një vepër shumë e rëndësishme që përshkruan ndryshimet e mëdha të shekullit të kaluar në Evropë dhe në Turqi.
Preç Zogaj, ndër tre shkrimtarët më të mirë të Ballkanit
Shqipëria u paraqit në këtë manifestim me shkrimtarin Preç Zogaj, me vëllimin e tij me poezi “Ngjarje në tokë”.

Poezia e Zogajt u cilësua si poezi e një niveli shumë të lartë, e cila trajton tema universale si ekzistenca dhe kondicioni human, me një aftësi poetike të habitshme e të papritur, me stil origjinal, figuracion të pasur e elegant. Kjo vepër u klasifikua ndër tre veprat më të mira. Ky vëllimi poetik u diskutua shumë, pasi ngjalli një interes të veçantë, për më tepër që ishte i vetmi vëllim me poezi që konkurronte ndaj disa romaneve.

Diskutimi i artikuluar me seriozitet të madh mbi veprën poetike të Preç Zogajt solli si përfundim një vendim të rëndësishëm të Balkanikas: vitin e ardhshëm konkursi do të fokusohet vetëm tek poezia, për të pasur një vlerësim të drejtë e të niveluar. Ky ishte edhe një sukses tjetër i rëndësishëm i letërsisë shqipe në rajonin e Ballkanit e më tej.


*****

I përfolur disa herë në media si bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, politikani dhe shkrimtari Preç Zogaj rrëfen për herë të parë në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut të vërtetën e lidhjes së tij me njerëzit e policisë sekrete në vitin ’75.
“Kam qenë 18 vjeç kur iu binda operativit të gjimnazit të Lezhës për të bashkëpunuar, por asnjë prej dëshmive të mia nuk ka sjellë pasoja”, ka shpjeguar Zogaj, duke kujtuar faktin se kjo është zyrtarizuar tashmë edhe me një vendim të Gjykatës Kushtetuese të vitit 1997. Më tej, duke iu referuar kësaj historie të vjetër, ai ka sqaruar rrethanat specifike të raporteve me Sigurimin e Shtetit dhe divorcin përfundimtar me të, duke u bërë madje edhe objekt i survejimit të tij deri në vitin 1990. Sakaq, Zogaj shprehet i indinjuar për mënyrën si është sulmuar nga kundërshtarët dhe rivalët politikë për këtë episod të së kaluarës…
E keni të vështirë të flisni për të kaluarën tuaj?
Vërtet s’është e këndshme, por kur njeriu angazhohet në politikë, ka një detyrim ndaj publikut, që të jetë transparent me të, ka detyrim edhe përpara njerëzve të familjes së vet. Në këtë sens unë nuk kam pasur e nuk kam ndonjë problem të flas, aq më tepër që e kaluara ime është e ngarkuar me shumë ngjarje të rënda që lidhen me pozicionin që ka pasur familja ime gjatë regjimit komunist. E shkuara e familjes sime, e shkuara ime është e shkuara e mijëra e mijëra familjeve që e kanë paguar shtrenjtë persekutimin komunist. Jo në kuptimin e përgjithshëm që e gjithë shoqëria ka paguar, e ka paguar shumë shtrenjtë. Familja ime dhe unë vetë personalisht e kemi paguar shumë shtrenjtë. Dua të them se nuk kam asnjë problem, pavarësisht se gjithnjë kam qenë i prirur politikisht, që duke ruajtur disa principe të transparencës, njerëzit duhet të shohin përpara, kanë, si të thuash, një detyrim që të hapin rrugët e së ardhmes, sidomos ata që merren me politikë, sepse ekziston gjithmonë rreziku që shoqëria, nën shembullin e politikës, të ngelet vazhdimisht në rrethin vicioz se kush jemi, nga vijmë…
Mos vjen kjo ndoshta ngaqë ka pasur një mungesë në transparencën në përgjithësi? 
Për hir të së vërtetës, kjo shoqëri nuk ka bërë një transparencë të plotë në fillim të viteve ’90. Po, patjetër, mund të ketë pas qasje të gabuara në lidhje me të kaluarën.
Ç’do të thotë qasje të gabuara?
Ligjet, ligjet që janë bërë për lustracionin kanë qenë më shumë ligje për individë, sesa ligje për të realizuar transparencë dhe për të realizuar një ndarje të Shqipërisë nga e kaluara. Megjithëse ndarja nuk bëhet kurrë me ligj, ndarja është një akt që vjen nga brenda individëve dhe brenda shoqërisë. Unë mendoj personalisht se ndarjen më të madhe shqiptarët e kanë bërë me votë më 22 mars 1992. Kanë ardhur të tjerë njerëz pas meje që e kanë menduar se duhet ta bëjnë me ligje, me ligje që kanë të bëjnë në fokus individë. Megjithatë, ka pasur shembull, si ligji gjerman, që mund të kishte qenë relativisht shumë i mirë për Shqipërinë, që hap dosje për konsultim personal dhe orientohet nga ajo veprimtari e individëve të ndryshëm që ka prodhuar krimet e komunizmit. Është një qasje adekuate, që përputhet me synimin për të bërë ndarjet nga krimet, jo për të bërë dekonspirim, për gjueti shtrigash etj. Edhe gjermanët që kanë prodhuar benzin janë të përpiktë në këtë qasje, bëjnë një ligj që e çojnë problemin tek ai që ka marrë pjesë në një krim të komunizmit. Nuk bëjnë një ligj për të vrarë 100 veta, se aty brenda është dhe një që duhet vrarë.
A mund të shihet si një krim që një numër i caktuar njerëzish, – nuk ka një numër të saktë në Shqipëri, është folur për qindra mijëra, – kanë qenë bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit, u kanë bërë keq njerëzve të tyre?
E para, ky nuk është një diskutim kaq i lehtë sa ç’e bëjnë duke i dhënë ngjyrë politike.
Ka pasur një shprehje para viteve ’90, që një ndër tre shqiptarë ishte bashkëpunëtor i Sigurimit…
Nuk kam të dhëna për këtë dhe nuk jam interesuar posaçërisht për të mësuar sesa kanë qenë bashkëpunëtorë të Sigurimit. Unë kam këtë qasje: e para, dokumenti më kriminal që duhej dënuar është platforma e Partisë së Punës që ka krijuar bazat dhe krijimin e rrjetit të informatorëve të Sigurimit për të bashkëpunuar për krime politike, për krime të ndërgjegjes. E gjitha kjo buron nga Partia e Punës. Ti nuk mund t’i akuzosh njerëzit apo t’i tregosh me gisht për atë që ka ndodhur, do t’i tregosh për atë që ata kanë bërë. Dhe këtu ka qenë diferenca e madhe midis asaj qasjes që kam unë dhe qasjes që kanë këta, kryesisht ish-komunistët e Partisë Demokratike. D.m.th. ti nuk mund të jesh përgjegjës për atë që të ka ndodhur, se kur ke lindur e në ç’sistem ke lindur, nuk e zgjedh ti, as për bashkëpunimin…
Por, mund të jesh përgjegjës kur ke firmosur për të bashkëpunuar me Sigurimin e Shtetit?
Një minutë, se dhe kjo nuk është kaq, me një të rënë të kalemit të likuidohet. Sigurimi i Shtetit, ndonëse do të gjejmë të vërtetën, mos të bëjmë propagandë, nuk është sigurimi i një vend të huaj që personi që po nënshkruan një deklaratë bashkëpunimi është duke bërë ndonjë tradhti ndaj atdheut dhe ka ndjenjën se po bën tradhti ndaj atdheut. E thërret shërbimi inteligjent i vendit të vet. Sigurimi, shërbimet inteligjente, edhe në diktaturë, edhe në demokraci, kanë bashkëpunëtorë, të cilët i afrojnë me idenë për shërbim ndaj atdheut. Ashtu si një komunist në vitet ’70, ’80 nuk mund të ketë dhe është antinjerëzore t’i kërkosh të kishte vizionin e 30 viteve më vonë, po ashtu dhe një person që ftohet për të bashkëpunuar me sigurimin e vendit të vet, pse pretendon që ai të ketë që në atë kohë vizionin e kohës që do të vijë. Ai mund të pranojë bashkëpunimin, por çfarë bën? Këtu bëhet diferenca.
Këtu bëhet fjalë për të futur njerëz në burg, z. Zogaj.
Këtu do të vij, diferenca është se ti nuk mund të kriminalizosh bashkëpunimin si akt, ti do të shqyrtosh veprimtarinë e tij.
Pra, ju nuk kriminalizoni aktin, por kërkoni shqyrtimin e veprimtarisë së tij?
Është absurde ta mendosh ndryshe, sepse nuk mund t’i dënosh njerëzit që çfarë ka ndodhur, pasi unë nuk njoh ndonjë bashkëpunëtor Sigurimi që mund të bëjë kërkesë. Mund të ketë, por  shkon sigurimi atij, i shtetit tënd, ta zëmë në vitet ’70, ’80…
Por nami i Sigurimit ishte i jashtëzakonshëm në atë kohë…
Nuk mund ta themi sot ashtu se ka pasur një tjetër qasje për shërbimet inteligjente, agjentët rinia i shikonte me sy ndryshe, jo si sot. Është e padrejtë dhe jo realiste që t’i shohësh historitë e para 30 viteve si sot. Është gjë tjetër çka sigurimi kërkon dhe tjetër se çfarë ti bën. Ti bën një pakt me veten tënde, do të punoj apo jo për interesat e sigurimit?
Kur nuk je vizionar për të bashkëpunuar me sigurimin, si mund të jesh për të punuar, apo jo? 
Patjetër, se sigurimi, kur të ofron rekrutimin, të thotë se do punosh për Shqipërinë, për vendin tënd të shtrenjtë, do të të çojmë dhe jashtë, se armiqtë e jashtëm punojnë kundër Shqipërisë. Ti mund dhe të iludohesh dhe ta pranosh si të tillë. Por kur përballesh me një kërkesë konkrete, atëherë dikush fillon e kupton që këtu është një veprimtari e ndyrë, që nëpërmjet informimit, nëpërmjet informacionit për njerëz të caktuar të ndërtohen akuza që mund të bëhen shkak që ata të shkojnë në burg. Në këtë moment është individi që në vetminë e tij përballet me këtë rrethanë: se ç’përgjigje do t’i japë operativit?
Zoti Zogaj, kur e keni filluar ju bashkëpunimin me sigurimin dhe si ka vazhduar historia?
Dua të nënvizoj që në fillim se unë nuk kam punuar asnjëherë për interesat e Sigurimit, ato interesa që përmendët ju, për të çuar njerëz në burg etj. Këtë e kam vërtetuar. E kam thënë dhe në 1992, u kam thënë miqve të mi të grupit politik të Aleancës Demokratike në vitin 1996 se në vit të tretë të shkollës së mesme të kulturës në Tiranë një operativ më kërkoi të bëhesha bashkëpunëtor i sigurimit…
Është shkruar se e keni kërkuar ju për të nxjerrë të drejtën e studimit?
Nuk mund të ndodhte ndryshe, unë isha akoma në shkollë të mesme. Kam dëgjuar histori nga qindra njerëz, dhe asnjëherë nuk ndodh që të kërkosh ti të bashkëpunosh. Është sigurimi që vjen e të kërkon, nuk ndodh asnjëherë ndryshe. Nuk mund të përgjigjesh se vjen ai, po se ç’do bësh ti. Një operativ ma kërkoi këtë gjë dhe më tregoi dhe arsyet. Isha me të gjitha 10 dhe kisha probleme në biografi. Kisha dy dajallarët e babait tim të pushkatuar, Gjin Jaku dhe Gjon Jaku, që ende nuk u dihen eshtrat. Njëri është i varrosur në Lezhë, tjetri në Rrëshën. Kam pasur dhe kushërinjtë e mi kulakë, si ish-pronarë tokash që refuzuan hyrjen në kooperativë. Nuk e njihja fare operativin…(BLENDI FEVZIU)


Lexoni:

http://floripress.blogspot.com/2011/10/sa-intelektuale-eshte-politika.html


Dr. Gjekë Marinaj, nga Malësia e Madhe tek arritjet e mëdha

Shkruan: Shefqet Dibrani, Zvicër

Më datën 6 dhe 8 dhjetor 2012, në qytetin e Dallasit, në Amerikë, përkatësisht në ambientet e Universitetit të Teksasit në Dallas (UTD), u mbajt ceremonia e diplomimit të rreth 1911 studentëve, të cilët i kanë përfunduar studimet e niveleve të ndryshme pranë këtij Universiteti. Nga Shkolla e Arteve dhe Shkencave Humane u diplomuan më PhD katër studentë: Dr. Dallie Bremer Clark, Dr. Anne Healy, Dr. Gjekë Marinaj dhe Dr. Jeffrey F. Pettineo. Ky i fundit, për arsye personale, nuk mori pjesë në këtë ceremoni.
Ndonëse kjo ngjarje është e rëndësishme për qytetin e Dallasit dhe shoqërinë amerikane, për ne shqiptarët nuk do të kishte atë rëndësi që ka, sikur sivjet të mos laureohej me gradën akademike PhD edhe Gjekë Marinaj, shqiptarë nga Malësia e Madhe, emër publik, poet e përkthyes i njohur, si dhe një pedagog dhe studiues i zellshëm.
description
Mysafirë të shumtë
Në ceremonitë festive, për ta nderuar dhe respektuar njeriun e tyre, kishin udhëtuar nga Tirana, midis tjerësh, edhe Tonin dhe Lindita Marinaj, të cilët bashkë me miqtë e tjerë, kudo i shoqëronte zonja e shtëpisë, bashkëshortja e Gjekës, Dusita Marinaj, e cila padyshim ka merita të mëdha për suksesin e burrit të saj, i cili pohon se "Dusita më ka dhënë një ndihmesë të jashtëzakonshme gjatë studimeve, sepse pa një jetë me dashuri të pastër dhe paqe të plotë në shtëpi është gati e pamundur të gjesh sukses në jetën akademike". Që të mos zgjerohemi me detajet dhe anët teknike të ceremonisë në fjalë, këtë reportazh të shkurtër po e ilustrojmë me mendimet e personaliteteve akademike në UTD dhe Kolegjin ku ai ligjëron, për t'i lënë vend edhe një shënimi biografik.
Në këtë plan vlen për t'u cituar shënimi i vënë në librezën e ceremonisë së laureatëve të Doktoratës, së datës 6 dhjetor 2012, botuar nga Universiteti i Teksasit në Dallas, shënim ky për Marinajn që është shkruar nga kandidati për çmimin Nobël në letërsi Prof. Frederick Turner i cili thotë: "Poetët e mirë janë të rrallë. Poetët e mirë që kanë edhe komandën e gjuhëve të jenë përkthyes të mirë janë edhe më të rrallë. Kur një njeri i tillë është, me të drejtë, edhe një hero nacional siç është Gjekë Marinaj për Shqipërinë - i cili mezi u shpëtoi armëve të regjimit komunist që kërkonin jetën e tij vetëm se kishte shkruar një poezi kritike kudër regjimit, një poezi që u kthye në britmën kolektive të demonstratave që i sollën lirinë vendit - ne kemi diçka edhe më të rrallë. Kur ky individ ka kompozuar si pjesë të disertacionit të tij një antologji shumë të rëndësishme, akoma të pabotuar, të poezisë gojore shqipe, dhe kur ai është i diplomuar nga universiteti ynë, ne duhet ta njohim fatin tonë për ta laureuar sot atë!"

Realizimi i ëndrrës
Profesoresha Charlotte Karam, kolege e punës në Kolegjin Riçland (Richland College), aty ku Gjekë Marinaj prej sa vitesh është mësimdhënës, deklaron: "Si mike dhe kolege e Gjekë Marinajt, e kam parë atë duke punuar dhe studiuar në të gjitha orët e ditës dhe natës për detyrimet e tij akademike dhe qëllimet letrare. Sot ai ka realizuar një nga ëndrrat e tij më të mëdha: fitimin e titullit Doktor i Filozofisë në Shkencat Humane. Jam e sigurt se ky "diamant" Amerikan nga Shqipëria do e përdor kohën dhe talentin e tij për të arritur maja edhe më të larta!"
Ndërsa Gjekë Marinaj, me modestin e tij prej njeriu dhe intelektuali me këtë rast do të shtonte: "Këtë piketë të rëndësishme në jetën time ua dedikoj të gjithë mësuesve (duke filluar nga prindërit e mi) dhe profesorëve nga Shqipëria deri në Amerikë, të cilët gjatë kohës së studimeve, përmes dashurisë njerëzore, sakrificës personale dhe dedikimit profesional më kanë dhënë mbështetjen e duhur njerëzore dhe akademike, pa të cilën diplomimi im nuk do të kishte qenë i mundur".

2012/12/17

Ismail Kadare është Kafka i këtij brezi”

Ismail Kadare është Kafka i këtij brezi”, shkruante dje “The Indipendent”, duke e vlerësuar letërsinë e tij si komedi të zezë, të padepërtueshme dhe të thjeshtë më tej deri në pikën më të errët. Gazeta prestigjiozja risillte në vëmendje sërish, temën e shumëdebatuar të Kadaresë para 1990-ës, pa harruar t’i japë notë maksimale letërsisë së tij. Çështja e zgjatur në lidhje me qëndrimin e tij politik në Shqipëri gjatë viteve të Enver Hoxhës, disident apo i lumtur me regjimin, është gjithnjë interesante. Kadare është më shumë i shqetësuar për natyrën e tregimit dhe rrjedhshmërinë e gjuhës sesa për politikën. Puna e tij ka lëvizur në kohë, që nga Egjipti i lashtë e deri në vitet post-Hoxha, por romani i ri i tij e kthen atë në temë, edhe pse nuk është fiks koha e librit të tij të parë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, që mori jetë në vitin 1960 dhe ‘shqetësohej’ për riatdhesimin e trupave italiane të vdekur në tokat shqiptare. Ngjarjet në “Rënien e qytetit të gurtë” (titulli shqip: ‘Darka e gabuar’) ndodhin në kohën e luftës, pas rrethimit italian. Fqinjët italianë i kishin kërkuar Shqipërisë që së bashku me Abisininë të bëhej pjesë e perandorisë së Musolinit, dhe bashkë me trupat gjermane (invazorë? pushtues? çlirimtarë?) të shtyheshin në jug të Ballkanit për të mbushur vakuumin. Ndërsa tanket mbërrijnë në Gjirokastër, vendlindja e Kadaresë, populli dëgjon thashetheme se i diplomuari në Gjermani, Dr. Gurametoja i madh, po argëton mikun e tij të viteve studentore, kolonelin von Schwabe që drejton kolonën Wehrmacht. Besnikëritë pësojnë baticë-zbaticë. Ka një darkë. Muzika që luhet në gramafon, “Vdekja Schubert dhe Maiden”, e shpon tejpërtej qytetin që prej shtëpisë së Dr.Gurametos. Pengjet janë liruar pjesë-pjesë, por komandanti gjerman nuk do të diskutojë për të burgosurin e vetëm hebre. Rreth mëngjesit, në mënyrë misterioze, koloneli dhe njerëzit e tij janë larguar. A është arritur një marrëveshje? Cilado të jetë arsyeja, fati i Shqipërisë ka marrë një kthesë, duke e çuar atë larg Rilindjes e Iluminizmit të Evropës Perëndimore, e madje duke e shtyrë më shumë anës “aziatike” dhe drejt kampit të bolshevizmit sovjetik bashkuar edhe ideve maoiste. Për momentin, interesat monarkiste, nacionaliste dhe komuniste janë goditur nga një vakuum më shumë ontologjik sesa politik. E pikërisht këtu, Kadareja duket qartë “Kafkian”. Veprimet duket se kanë mungesë të dukshme qëllimi... Identiteti është i rrëshqitshëm dhe i rastit. Thashethemet kanë më shumë qëndrueshmëri se sa faktet. Janë të mprehta, të lehta dhe thellësisht shqetësuese. Kjo të çon drejt një arsyetimi politik; kjo ideologji nuk është as fisnore, as e lidhur domosdoshmërisht me interesin vetjak apo altruizmin. Përkthimet e mëhershme në anglisht të Kadaresë janë bërë nga tekstet franceze. Ndërsa ky version i John Hodgson është përkthyer nga origjinali në shqip. Kjo është një histori mrekullisht misterioze, e treguar mjeshtërisht.

Harta Arkeologjike e Kosovës

Projekti të cilin Instituti Arkeologjik i Kosovës e ka nisur gjashtë vjet më parë, tek tani ka dhënë sinjalin e parë të konktretizimit. Ky institucion ia ka dorëzuar Ministrisë së Kulturës draftin e vëllimit të dytë të Hartës Arkeologjike të Kosovës. Megjithatë, përurimi i këtij vëllimi do të bëhet tek vitin e ardhshëm. Pjesa e parë e Hartës Arkeologjike të Kosovës është botuar në vitin 2006 dhe është financuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Shqipërisë dhe nga ajo e Kosovës. Projekti është realizuar nga arkeologë të Kosovës dhe të Shqipërisë. Luan Përzhita, Kemajl Luci, Gëzim Hoxha, Adem Bunguri, Fatmir Peja dhe Tomor Kastrati janë pjesë e ekipit që ka realizuar vëllimin e parë.Financimi i projektit për vëllimin e dytë ishte bartur tek MKRS-ja e cila bashkë me IAK-un nuk e japin koston e përgjithshme të këtij projekti. MKRS-ja sivjet ka ndarë pesë mijë euro për vëllimin e dytë, për të cilin ende nuk ka afat të saktë se kur do ta prezantojë në publik.

“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për vëllimin e dytë të Hartës Arkeologjike të Kosovës ka ndarë pesë mijë euro. Tashmë drafti final i kësaj harte është përfunduar dhe presim që në fillim të vitit të ardhshëm të prezantohet dhe të promovohet”, ka thënë Shkëlzen Dragaj, këshilltar i ministrit të Kulturës, Memli Krasniqi.

Enver Rexhaj, udhëheqës i Institutit Arkeologjik të Kosovës, ka thënë se ky projekt afatagjatë është finalizuar sivjet.

“Harta Arkeologjike e Kosovës si projekt afatgjatë ka përfunduar sivjet. Ne e kemi dorëzuar draftin e botimit në Ministri të Kulturës dhe ajo e merr përgjegjësinë për botimin”, ka thënë Rexhaj, derisa ka shpjeguar se për hartimin e saj përveç arkeologëve të institucionit të tij, janë përfshirë edhe ata të Muzeut të Kosovës, të Institutit të Tiranës për Mbrojtje të Monumenteve dhe Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve dhe Muzeu Rajonal i Prishtinës.

Sipas Rexhajt, zvarritja e këtij projekti nuk është bërë për shkak të mjeteve financiare.

“Nuk ka qenë puna te mjetet financiare, por i ndërrimeve që janë bërë në strukturat udhëheqëse. Po ashtu është dashur kohë që të plotësohen me burime historike të dhënat për lokalitetet e secilës komunë”, ka thënë ai. Por Rexha nuk ka qenë në gjendje të japë shifrën e përgjithshme të mjeteve që janë shpenzuar për vëllimin e dytë të Hartës Arkeologjike.

“Nuk mund të jap shumën e përgjithshme, sepse është një projekt që ka ecur çdo vit. Në mandatin tim këto dy vjetët e fundit janë ndarë 10 mijë euro vitin e kaluar dhe sivjet 5 mijë euro”, ka thënë Rexhaj.

Ai ka shpjeguar se çka përfshin vëllimi i cili përthekohet në mbi 300 faqe.

“Në aspektin gjeografik ky vëllim jep informata për Istogun, Skënderajn, Drenasin, Vushtrrinë, Obiliqin, Fushë-Kosovën, Lipjanin dhe Shtimen”, ka shpjeguar ai. Rexhaj ka thënë se data e përurimit të hartës varet nga MKRS-ja. “Ministria e boton dhe e përcakton datën. Pas botimit ky vëllim do të shpërndahet nëpër institucione dhe komuna, sipas nevojës”, ka thënë ai.

Kemajl Luci, arkeolog në Muzeun e Kosovës, i cili ka qenë i përfshirë në hartimin e vëllimit të dytë të Hartës Arkeologjike, ka thënë se ka pasur nevojë për një botim të tillë.

“Shpresoj që do të vazhdojnë edhe vëllimet e tjera që të kompletohet Harta Arkeologjike e Kosovës, meqë ka pasur nevojë shumë të madhe”, ka thënë Luci.

Ndryshe vëllimi i parë i Hartës Arkeologjike të Kosovës përfshin të dhënat arkeologjike për rreth 500 fshatra, ku janë evidencuar 267 qendra arkeologjike. Vepra që është një volum rreth 500 faqesh është përgatitur nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës dhe nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Shqipërisë, në bazë të marrëveshjes së bashkëpunimit të nënshkruar në mes të këtyre dy institucioneve që në vitin 2000, ndërsa është realizuar nga Instituti i Arkeologjisë në Tiranë dhe nga Muzeu i Kosovës. Më vonë këtij bashkëpunimi i është shtuar edhe Instituti Arkeologjik i Kosovës, i themeluar në vitin 2004.

“Harta Arkeologjike e Kosovës I” përfshin të gjitha periudhat që janë vërejtur në terren, prej parahistorisë e deri në mesjetën e vonshme, duke përfshirë periudhat si: parahistoria, periudha antike e hershme, antikiteti i vonë, Bizanti i hershëm, mesjeta e më tutje.

Për realizimin e këtij projekti kanë qenë të angazhuara edhe institucionet e tjera nga Kosova, si Instituti Arkeologjik i Kosovës, Instituti i Monumenteve i Gjakovës, ai i Prizrenit, si dhe Instituti i Prishtinës.

Ndryshimi i historisë: Në kohën e Perandorisë Osmani, nuk kishte as dhunë e as vrasje!?

Dy vjet pas vizitës së Kryeministrit të Turqisë në Kosovë, Recep Tayyip Erdogan, janë ndryshuar librat e ciklit parauniversitar në raport me kohën e Perandorisë Osmane. Në versionin ri të historisë Perandoria Osmane është një pushtues, por jo një sundues i egër.
Kryeministri turk Recep Tayyip Erdogan dhe ai kosovar Hashim Thaçi e falën së bashku një namaz xhumaje në nëntor të vitit 2010. Shefi i qeverisë turke po e vizitonte për herë të parë Kosovën dhe kur pa objektet fetare në Prizren foli për relacionet Kosovë-Turqi.

“Këto xhami simbolizojnë vëllazërinë mes Kosovës dhe Turqisë”, tha Erdogan.
Ndryshimi i historisë: Në kohën e Perandorisë Osmani, nuk kishte as dhunë e as vrasje!?
Kosova ka lidhur deri më tash 13 marrëveshje me Turqinë që kanë të bëjnë me mjedis, shkencë, ekonomi e ndihmë ushtarake nga shteti euro-aziatik. Por, Turqia ka kërkuar bashkëpunim edhe në fushën e arsimit: autoritetet turke kërkojnë pastrimin e librave të historisë.

Gjashtë muaj pas vizitës së Kryeministrit Erdogan në Kosovë, më 5 prill 2011, ministri i Arsimit, Ramë Buja, krijoi komisionin pesë anëtarësh që do të merrej me këtë punë. Por, zyrtarët turk nuk reshtën së kërkuari ndryshimet e historisë sa herë që vizitonin Kosovën. Kjo ka ndodhur edhe gjatë vizitës në Kosovë të ministrit të Punëve të Jashtme, Ahmet Davutoglu, dhe atij të arsimit, Omer Dinçer.

“Turqisë nuk i pëlqen që kosovarët të mësojnë historinë e interpretuar nga Josip Broz Tito apo Enver Hoxha”, kishte thënë Ahmet Davutoglu, ministër i Punëve të Jashtme të Turqisë, gjatë vizitës më 26 gusht 2011.

Ndërkohë edhe Dinçer vitin e kaluar, kur takoi ministrin e Arsimit, Ramë Buja, kërkoi që të largohen paragrafët nga librat e historisë së Kosovës, të cilat përmbajnë fyerje për Turqinë dhe personalitetet historike të këtij vendi.

Tash, pasi që ndryshimet janë bërë, zyrtarët shtetërorë turq vlerësojnë se me këtë veprim do të fuqizojnë marrëdhëniet e shkëlqyeshme ndërshtetërore. Ambasadorja e Turqisë në Kosovë, Songul Ozan, i tha “Gazetës Jeta në Kosovë” se ndryshimet në librat e historisë do t’i kontribuojnë marrëdhënieve Kosovë-Turqi të cilat, sipas saj, janë të shkëlqyeshme. Ajo kujton se ngjashëm kanë vepruar edhe shtete tjera “të cilat kanë jetuar në të kaluarën një histori të përbashkët”.

Komisioni i ngritur nga ministri Buja dorëzoi para më shumë se gjashtë muajsh rekomandimet se në cilat pjesë duhet të korrigjohen librat e historisë. Nga korrigjimet e librave të historisë nga klasa e 5-të deri në të 13-të, del se Perandoria Osmane përgjatë shekujve të pushtimit të viseve të banuara me shqiptarë, nuk ka vrarë, ushtruar dhunë apo se ishte e ashpër. Në vend të këtyre shprehjeve, sipas korrigjimeve, sulltanët me ushtrinë e administratën e tyre, sunduan, burgosën dhe ushtruan ndërhyrje ushtarake.

Këto janë vetëm disa nga ndryshimet që nga viti i ri shkollor 2013-2014, që do të vendosen në librat e historisë së klasave fillore e të mesme.

Sipas një gazete,ajo ka gjetur gjithashtu disa prej ndryshimeve konkrete që kanë pësuar librat e historisë nga klasa e pestë deri në klasën e trembëdhjetë. Shembujt e paraqitur në këtë rast u takojnë librave të historisë së klasës së pestë, gjashtë dhe tetë.

Në librin aktual të historisë së klasës së pestë, në faqen 62, fjalët “dhunë” dhe “vrasje” në raport me Perandorinë Osmane - janë fshirë. Në vend të tyre janë vendosur “pushtim” dhe “burgosje”. Në faqen 48 të librit aktual, në lidhje me marrjen e pronave dhe pasurisë së shqiptarëve, janë fshirë fjalët “...hakmarrje” dhe “...vrasje”. Në vend të tyre është vendosur fjalia “...marrja e pronave, vendosja e taksave si dhe depërtimi i një pjese të popullatës vendase...”!

Fjalia “...osmanët vranë shumë shqiptarë...” është fshirë tërësisht kurse në faqen 69 të librit aktual, fjala “..ashpërsi” është shndërruar në “...ndërhyrje ushtarake”.

Ndryshimet e tjera janë bërë në faqen 83 të librit të historisë së klasës së 6-të, ku fjalia “...sundimi i egër osman...”, është shndërruar në “...pushtimi osman”.

Vijë i është rënë edhe pjesëve të librit të historisë së klasës së 8-të si në faqen 68, ku fjalia “...merreshin masa të rrepta ndaj atyre që nuk ishin të fesë islame...”, tash ka tjetër kuptim.

“..Në praktikë të gjithë shtetasit në viset e tyre të pushtuara nga Perandoria Osmane, në jetën e përditshme ishin të barabartë para ligjit. Natyrisht ndonjëherë shfaqeshin keqpërdorimet e nënpunësve lokal osmanë në kuadrin e reformave të tanzimatit”.

Ndryshimeve nuk u kanë shpëtuar as librat e kulturës muzikore.

“Sa i përket muzikës, pala turke mund të ketë pasur vërejtje si për himnizim të figurës së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut”, ka thënë kryesuesi i komisionit. Ai thotë se nuk i kujtohet në detaje çfarë ndryshimesh janë bërë në këtë rast.

Emri zyrtar i plotë i Komisionit është “Komisioni për Rishikimin e Prezantimit të Historisë, Gjeografisë dhe Kulturës Osmane e Turke”. Kjo gazetë ka siguruar një raport të punës së këtij Komisioni kryetar i tij ishte prof.dr. Shkelzen Raça (historian), me anëtarë prof.dr. Ruzhdi Pllana (gjeograf), prof.dr Hysen Matoshi (kulturë osmane dhe turke-gjuhë e letërsi), Mr.sc. Astrit Mustafa (kulturë osmane e turke-muzikë) dhe sekretar i komisionit, Mr.sc. Avni Rexha.

Ministri Buja, kur kishte emëruar anëtarët e komisionit më 5 prill të vitit të kaluar, nuk kishte pranuar të bënte publikë emrat e tyre.

Komisioni dorëzoi në MASHT para më shumë se gjashtë muajsh një raport me rekomandimet për ndryshimin e historisë. Por, anëtarët e komisionit nuk ishin të panjohur për Ambasadoren e Turqisë në Kosovë, Songul Ozan. Ajo i ka takuar anëtarët e komisionit gjatë punës së tyre.

Historiani Shkelzen Raça ka konfirmuar takim me ambasadoren e Turqisë në Kosovë. Ndërsa, anëtarët e Komisionit kanë pasur vizitë edhe në Turqi. Ata kanë qenë në Ankara, në Institutin që merret me hartimin e teksteve shkollore dhe kurrikulave.

“Kemi marrë vërejtjet që eventualisht konsiderohen si lëshime nga ana e autorëve tanë. I kemi biseduar të dy palët brenda dy a tre ditëve sa kemi qëndruar”, thotë profesor Raça.

Historiani Shkelzen Raça thotë se komisioni ka bërë punë të mirë, asnjanëse dhe profesionale, në përputhje me metodologjinë dhe sajimin e teksteve shkollore për shkollat fillore e të mesme.

“Synimi ka qenë të heqim aty-këtu gjuhë të urrejtjes, të një fjalori pak a shumë agresiv, ka thënë ai.

Komisioni ka mbajtur shtatë apo tetë takime, ka konfirmuar sekretari i kësaj trupe, Avni Rexha.

Në raportin prej tre faqesh tregohet puna e bërë nga anëtarët e komisionit.

“Kujtojmë se në tekstet shkollore duhet zënë më tepër vend aspektet afruese ndërmjet Turqisë dhe Kosovës duke theksuar edhe aspektet pozitive nga marrëdhëniet shqiptaro-turke në të kaluarën”, shkruan në një konkluzion të raportit të siguruar nga kjo gazetë. Më tej thuhet se “prioritet mbi prioritetet në këto tekste ekzistuese si dhe në ato në të ardhmen, duhet të jetë gjuha e afrimit, bashkëpunimit dhe referimi i vlerave të tolerancës”.

Rekomandimet e komisionit i ka pranuar MASHT-i.

“Pikërisht, këto do të futen në tekstet e vitit të ardhshëm”, ka thënë Ramush Lekaj, udhëheqës i Divizionit të Plan-programeve në MASHT. “Rishikimet do të jenë të përfshira në libra nga viti i ardhshëm”.

Ai thotë se nuk mund të dihet se sa mund t’i kushtojë MASHT-it ribotimi i librave të rinj pasi që nuk dihet se sa libra do të shtypen vitin e ardhshëm.

Asnjëri nga anëtarët e komisionit nuk është autor i ndonjërit prej librave shkollor të Historisë. Libri aktual i historisë i klasë së 5-të dhe 8-të, për autorë ka historianët Frashër Demaj e Fehmi Rexhepi, të cilët thonë se askush nuk i ka konsultuar për të bërë “korrigjimet”.

Në deklarim të përbashkët, pasi tregojnë se nuk kanë ide se kush mund të ketë qenë në komision, thonë se nuk kanë pranuar asgjë zyrtare nga Ministria e Arsimit.

“Është obligim institucional, pavarësisht preferencave të ndryshme, qysh në nisje të kësaj pune, që pjesë e këtij komisioni të jetë edhe ndonjë nga autorët e teksteve shkollore të historisë”, thonë Demaj e Rexhepi.

Kështu nuk mendon profesori Shkelzen Raça, kryetar i komisionit.

“Nuk e kemi pasur për obligim t’i konsultojmë autorët e teksteve”, thotë ai.

Me këtë konstatim të profesor Raçës, nuk pajtohet historiani, profesor Isa Bicaj, i cili është edhe autor i librit aktual të historisë së klasës së shtatë.

“Më duket pak e palogjikshme që vërejtjet janë bërë pa konsultim me autorët e teksteve”, thotë Bicaj i cili është kundër rekomandimeve për ndryshimin e librave të historisë të cilat i ka bërë komisioni.

“Ma këput dorën, e termin ‘ardhje’ për osmanët nuk e përdor. Ata kanë qenë pushtues”, thotë Isa Bicaj, profesori i historisë.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...