2012-12-17

Harta Arkeologjike e Kosovës

Projekti të cilin Instituti Arkeologjik i Kosovës e ka nisur gjashtë vjet më parë, tek tani ka dhënë sinjalin e parë të konktretizimit. Ky institucion ia ka dorëzuar Ministrisë së Kulturës draftin e vëllimit të dytë të Hartës Arkeologjike të Kosovës. Megjithatë, përurimi i këtij vëllimi do të bëhet tek vitin e ardhshëm. Pjesa e parë e Hartës Arkeologjike të Kosovës është botuar në vitin 2006 dhe është financuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Shqipërisë dhe nga ajo e Kosovës. Projekti është realizuar nga arkeologë të Kosovës dhe të Shqipërisë. Luan Përzhita, Kemajl Luci, Gëzim Hoxha, Adem Bunguri, Fatmir Peja dhe Tomor Kastrati janë pjesë e ekipit që ka realizuar vëllimin e parë.Financimi i projektit për vëllimin e dytë ishte bartur tek MKRS-ja e cila bashkë me IAK-un nuk e japin koston e përgjithshme të këtij projekti. MKRS-ja sivjet ka ndarë pesë mijë euro për vëllimin e dytë, për të cilin ende nuk ka afat të saktë se kur do ta prezantojë në publik.

“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për vëllimin e dytë të Hartës Arkeologjike të Kosovës ka ndarë pesë mijë euro. Tashmë drafti final i kësaj harte është përfunduar dhe presim që në fillim të vitit të ardhshëm të prezantohet dhe të promovohet”, ka thënë Shkëlzen Dragaj, këshilltar i ministrit të Kulturës, Memli Krasniqi.

Enver Rexhaj, udhëheqës i Institutit Arkeologjik të Kosovës, ka thënë se ky projekt afatagjatë është finalizuar sivjet.

“Harta Arkeologjike e Kosovës si projekt afatgjatë ka përfunduar sivjet. Ne e kemi dorëzuar draftin e botimit në Ministri të Kulturës dhe ajo e merr përgjegjësinë për botimin”, ka thënë Rexhaj, derisa ka shpjeguar se për hartimin e saj përveç arkeologëve të institucionit të tij, janë përfshirë edhe ata të Muzeut të Kosovës, të Institutit të Tiranës për Mbrojtje të Monumenteve dhe Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve dhe Muzeu Rajonal i Prishtinës.

Sipas Rexhajt, zvarritja e këtij projekti nuk është bërë për shkak të mjeteve financiare.

“Nuk ka qenë puna te mjetet financiare, por i ndërrimeve që janë bërë në strukturat udhëheqëse. Po ashtu është dashur kohë që të plotësohen me burime historike të dhënat për lokalitetet e secilës komunë”, ka thënë ai. Por Rexha nuk ka qenë në gjendje të japë shifrën e përgjithshme të mjeteve që janë shpenzuar për vëllimin e dytë të Hartës Arkeologjike.

“Nuk mund të jap shumën e përgjithshme, sepse është një projekt që ka ecur çdo vit. Në mandatin tim këto dy vjetët e fundit janë ndarë 10 mijë euro vitin e kaluar dhe sivjet 5 mijë euro”, ka thënë Rexhaj.

Ai ka shpjeguar se çka përfshin vëllimi i cili përthekohet në mbi 300 faqe.

“Në aspektin gjeografik ky vëllim jep informata për Istogun, Skënderajn, Drenasin, Vushtrrinë, Obiliqin, Fushë-Kosovën, Lipjanin dhe Shtimen”, ka shpjeguar ai. Rexhaj ka thënë se data e përurimit të hartës varet nga MKRS-ja. “Ministria e boton dhe e përcakton datën. Pas botimit ky vëllim do të shpërndahet nëpër institucione dhe komuna, sipas nevojës”, ka thënë ai.

Kemajl Luci, arkeolog në Muzeun e Kosovës, i cili ka qenë i përfshirë në hartimin e vëllimit të dytë të Hartës Arkeologjike, ka thënë se ka pasur nevojë për një botim të tillë.

“Shpresoj që do të vazhdojnë edhe vëllimet e tjera që të kompletohet Harta Arkeologjike e Kosovës, meqë ka pasur nevojë shumë të madhe”, ka thënë Luci.

Ndryshe vëllimi i parë i Hartës Arkeologjike të Kosovës përfshin të dhënat arkeologjike për rreth 500 fshatra, ku janë evidencuar 267 qendra arkeologjike. Vepra që është një volum rreth 500 faqesh është përgatitur nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës dhe nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Shqipërisë, në bazë të marrëveshjes së bashkëpunimit të nënshkruar në mes të këtyre dy institucioneve që në vitin 2000, ndërsa është realizuar nga Instituti i Arkeologjisë në Tiranë dhe nga Muzeu i Kosovës. Më vonë këtij bashkëpunimi i është shtuar edhe Instituti Arkeologjik i Kosovës, i themeluar në vitin 2004.

“Harta Arkeologjike e Kosovës I” përfshin të gjitha periudhat që janë vërejtur në terren, prej parahistorisë e deri në mesjetën e vonshme, duke përfshirë periudhat si: parahistoria, periudha antike e hershme, antikiteti i vonë, Bizanti i hershëm, mesjeta e më tutje.

Për realizimin e këtij projekti kanë qenë të angazhuara edhe institucionet e tjera nga Kosova, si Instituti Arkeologjik i Kosovës, Instituti i Monumenteve i Gjakovës, ai i Prizrenit, si dhe Instituti i Prishtinës.

Shkruan : Flori Bruqi : Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme e shqiptarëve

Kërko brenda në imazh                     Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme                                     Haki Taha, u lind n...