Nicola Gyu
“Lindja e Shqipërisë”
Përktheu: Krenar Hajdëri
Botoi: “Pegi”
“Lindja e Shqipërisë” e historianes angleze Nicola Gyu pasqyron me një saktësi të lartë shkencore ngjarjet që pasuan formimin e shtetit shqiptar në vitin 1912, me Ismail Qemalin në krye, krijimin e Shqipërisë së pavarur në kufijtë e përcaktuar nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër dhe ngjarjet që pasuan deri në vitin 1926, me konsolidimin e shtetit modern shqiptar dhe daljen në krye të Ahmet Zogut, si president. Guy ka hapur diskutime sidomos për periudhën kur Shqipëria doli e pavarur në vijim të shembjes së Perandorisë Osmane në vitin 1912. Libri “Lindja e Shqipërisë” përqendrohet veçanërisht në arsyet se pse gjatë periudhës vendimtare të Luftës së Parë Botërore, territori shqiptar u nda midis disa shteteve, aq sa rrezikoi ekzistencën. Ajo trajton edhe çështjen se përse shqiptarët etnikë u ndanë në vende të ndryshme të Ballkanit.