2012-12-19

Po punojmë në OKB që Kosova ta marrë prefiksin telefonik ++355


Ministri për Inovacionin, Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit në Qeverinë e Shqipërisë, Genc Pollo, në një intervistë ekskluzive për Radio Kosovën, thotë se, pavarësisht faktit se Kosova ende nuk është anëtare e OKB-së, po punohet që ajo ta marrë prefiksin telefonik të Shqipërisë ++355.
Pollo: Po punojmë në OKB që Kosova ta marrë prefiksin telefonik  ++355

RADIO KOSOVA: Zoti ministër, Shqipëria paraqiti rezultatet e censusit. A vlerësoni se rezultatet përbëjnë me vërtetësi numrin e saktë të popullatës apo objekteve të mbledhura si të dhëna?

GENC POLLO: Mendoj se po, mendoj se po. Sepse, gjithçka është bërë me metodologjinë e përparuar, është bërë në bashkëpunim të ngushtë dhe me mbështetjen e EUROSTAT-it, i cili ka praktikat më të mira botërore, ose ndër to do të thosha. Është verifikuar më pas, është vlerësuar nga profesionistët më të mirë ndërkombëtarë dhe mendoj që kemi censusin më të saktë që është bërë ndonjëherë në Shqipëri. Mendoj se në përfundim kemi një bazë të mirë për të njohur veten tonë nga pikëpamje ekonomike dhe shoqërore dhe kemi gjithashtu një bazë shumë të mirë për të ndërtuar politikat dhe buxhetet në nivel qendror dhe vendor në 10 vitet e ardhshëm.

RADIO KOSOVA: Zotëri, nga rezultatet e censusit Shqipëria doli me një popullatë në rënie. Ju keni thënë se faktorë kanë qenë lindshmëria e ulët sikurse dhe emigracioni. A mos do të thotë kjo që Shqipëria po shkon drejt plakjes?

GENC POLLO: Shqipëria nuk i ka më ato ritme të rritjeje të popullsisë, atë nivel të lindshmërisë dhe atë moshë mesatare që ka pasur përpara 20 vjetësh dhe kjo është fare normale. Këtë rrugë kanë ndjekur edhe vende të tjera, që sot futen në kategorinë e vendeve të pasura dhe të vendeve të zhvilluara. Dhe, ajo që duhet të bëjmë ne, është që të përshtatim sistemet tona sociale me këtë trend. Kjo është e rëndësishme. Por, që ky është trendi, kjo është tendenca dhe kjo është e qartë për të gjithë e po ashtu do të ishte, mendoj e vështirë të shmangej e nuk do të kishte se si.

RADIO KOSOVA: Nëse i referohemi pakënaqësive paraprake për censusin, duket se në rezultate kjo nuk ka qenë edhe aq shumë e shprehur. Këtu përjashtoj përgjigjet e prera të tipit ‘nuk kam interes të deklarohem’, kupto etninë apo besimin. A mendoni se grupimet që ishin kundër censusit, përfshi shoqatat humanitare apo ato të pakicave, ndikuan në këto rezultate dhe njëherit - a përbëjnë shifrat e dala nga ky census në të vërtetë, saktësinë e grupeve etnike në Shqipëri?

GENC POLLO: Ka pasur një thirrje të një organizate të pakicës greke për mospjesëmarrje (organizata ‘OMONIA’). Por, për fat të mirë, ndryshe nga 10 vite më parë, pjesëmarrja e komunitetit, e pakicës greke, e cila jeton në jug të Shqipërisë, ka qenë në nivelet 80-90 për qind. Kjo është shumë pozitive, sepse tregon besimin e këtij komunitetit dhe të pakicave të tjera te shteti shqiptar dhe tek organizimi i i censusit. Ndërkohë, për ata që rëndom konsiderohen sharlatanë faqezinj që bënë thirrje për refuzimin total të censusit, do të thosha që ne kemi një shifër më të ulët edhe se vendet e Bashkimit Evropian të njerëzve që refuzuan të bashkëpunonin me anketuesit dhe që është nën nivelin 0,7 për qind, çka në një farë mënyre korrespondon me nivelin që thirrjet ekstremiste, apo me nivelin e përkrahjes që gjejnë në Shqipëri dhe në shoqërinë shqiptare thirrjet ekstremiste.

RADIO KOSOVA: Pra, duhet të themi se jemi të kënaqur me nivelin thuajse 99 për qind të popullatës shqiptare në Shqipëri?

GENC POLLO: Të kënaqur apo jo, mund të them se ‘po, të kënaqur’! Por, kjo është pak e rëndësishme. Fakti është që 99 për qind e të pyeturve, pra e banorëve të Shqipërisë, kanë deklaruar se kanë gjuhë amtare shqipen. Dhe, të gjithë e dimë që shqipja është elementi bazë i të ndjerit dhe i të qenit shqiptar. Të tjerat janë më relative. Ka një përqindje prej 14, pra 14 për qind që nuk i janë përgjigjur përkatësisë etnike, të tjerët janë shqiptarë. Por, këta 14 për qind janë të gjithë me gjuhën amtare shqipe, çka nxjerr një konkluzion shumë të qartë dhe që konfirmon atë që thamë. ‘Nuk do të kemi surpriza’, kam përsëritur unë në vitin 2010 dhe në vitin 2011 dhe surpriza nuk patëm. Edhe në censuset e para të përpara 20 vjetëve popullsia etnike shqiptare rezultonte diku te 98 për qind dhe tani e kemi 99 për qind. Ndoshta kjo edhe për shkak të emigracionit, që ka prekur kryesisht pakicat. Por, nuk është ndonjë ndryshim i madh në tërësi. Pra, kemi një kontinuitet të përbërjes etnike shqiptare.

RADIO KOSOVA: Posta Shqiptare ka filluar një projekt për linjën e internetit me Kosovën. Çfarë përfitimesh sjell dhe a ka probleme, a mund të ndeshen probleme me shtrirjen apo me kapacitetin transmetues?

GENC POLLO: Ne kemi nevojë për kapacitet të konektivitetit ndërkombëtar. Kemi nevojë për lidhje me Kosovën dhe me të gjitha vendet, në mënyrë që internetit i hyn, pra kapaciteti, apo ajo, që quhet ‘IT connectivity’, të jetë në vëllimin e duhur, sepse kërkesa e tregut shqiptar, kërkesa e përdoruesve shqiptarë është në rritje, madje është në rritje të shpejtë. Dhe, çdo iniciativë e tillë shërben.

RADIO KOSOVA: Si po ecën çështja e prefiksit të Shqipërisë që kërkon ta ketë edhe Kosova me rezolutën e 6 shtatorit të këtij viti të Kuvendit të Kosovës?

GENC POLLO: Kam biseduar me homologun tim, zotin Besim Beqaj, ministër i Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, dhe jemi në prag të nënshkrimit të një Memorandumi Bashkëpunimi në përgjithësi për fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit me Kosovën. Dhe, në kuadër të këtij memorandumi do të ngremë edhe një grup pune për të gjetur zgjidhje, që të tentojmë të gjejmë zgjidhje për prefiksin e Kosovës, përfshi edhe mundësinë që Kosovës t’i alokohet prefiksi i Shqipërisë.

RADIO KOSOVA: Pra, ky shans ekziston? Dhe, nëse deri tani nuk është bërë, çfarë e ka penguar tjetër, përveçse, po themi, aspektit politik?

GENC POLLO: Grupi i punës që parashikojmë të ngremë në të ardhmen, do të shikojë mundësitë teknike dhe juridike, ligjin ndërkombëtar dhe do të propozojë demarshet e caktuara që kjo të arrihet. Do të doja t’u kujtoja që prefikset alokohen nga Bashkimi Ndërkombëtar i Telekomunikacioneve”.

RADIO KOSOVA: Po. Dhe, ju keni kontaktuar zoti Pollo me Bashkimin Ndërkombëtar të Telekomunikacioneve?

GENC POLLO: Unë kam folur personalisht me Sekretarin e Përgjithshëm të ITU-së, apo të Bashkimit Ndërkombëtar të Telekomunikacioneve, për pranimin e Kosovës si anëtare me të drejta të plota në këtë bashkim, çka do të zgjidhte automatikisht çështjen e prefiksit si dhe shumë çështje të tjera. Por, ata janë strikt, se pa u bërë një shtet anëtar i OKB-së, nuk mund të bëhet anëtar i këtij bashkimi. Kjo është përgjigja që më kanë dhënë sa herë që e kam ngritur këtë çështje. Ndërkohë, që për rastin konkret të prefiksit, meqë ka rregullore, ka statute të veçantë dhe ka edhe raste që mund të shërbejnë si precedentë, grupi i teknikëve Shqipëri-Kosovë, do t’i shqyrtojë ato dhe do të vijë me një material dhe me rekomandime për qeveritë e të dy vendeve.

RADIO KOSOVA: Pra, e thënë shkurt, pavarësisht pranimit ose jo të Kosovës për një periudhë kohe në Kombet e Bashkuara, kjo është e mundshme? Kështu?

GENC POLLO: Në rast se Kosova... Po kjo kërkon shumë mund dhe punë, dhe kërkon që të mos ketë veto, nga dy shtete që e dimë cilët janë, anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit. Por, në qoftë se Kosova anëtarësohet në OKB, atëherë nuk ka më problem as me ITU-në dhe as me organizatat e tjera. Dhe, kjo dihet.

RADIO KOSOVA: Mbi arsyetimin ekonomiko-financiar, përveçse interesit politik dhe kombëtar të kësaj çështjeje. Pra, bëj fjalë për prefiksin. A i shërben në tërësi mbajtja e prefiksit të Shqipërisë, Kosovës dhe anasjelltas?

GENC POLLO: Kjo është një çështje, që nëse akordohet ++355 si prefiks për Kosovën, do të kërkojë një rishikim të planit të enumeracionit. Duhet të shikohen, duhet të shqyrtohen mundësitë apo efektet që do të japë për çështjet e tarifimit, në të ardhurat nga minutat telefonike... Pra, është një çështje relativisht komplekse, e cila sjell avantazhe ekonomike. Mund të sjellë edhe disavantazhe ekonomike dhe është objekt i i një studimi specialistësh të telekomunikacionit, ekonomisë dhe të financës për të dalë me një parashikim të plotë, sepse përgjigjen e jep realiteti më saktë.

Intervistoi: Denion Ndrenika

A ISHTE VRASJA E MILLADIN POPOVIQIT NË PRISHTINË E ORGANIZUAR SIKURSE RASTI "PANDA" NË PEJË ?

Nga Ryzhdi Baloku, shkrimtar shqiptar nga Peja  Në kohën e fundit është ri-aktualizuar çështja e vrasjes së komunistit Milladin Popoviq, ...