2012-12-19

“Shqipëria u shpall e pavarur nga Preveza në Mollë të Kuqe!”.


Nga Flori Bruqi



Kryeministri shqiptar prof.dr.Sali Berisha për anulimin e vizitës së ministrit grek u mjaftua të thoshte  vetëm se “miqtë shkëlqenin me mungesën e tyre”


Presidenti i Maqedonisë, George Ivanov ka refuzuar ftesën e bërë nga homologu i tij shqiptar, Bujar Nishani për të marrë pjesë në festimet për 100 vjetorin e Pavarësisë, duke anuluar vizitën e tij në Tiranë.

Lajmi bëhet i ditur nga burime pranë presidencës maqedonase të cilët nuk japin detaje të shumta lidhur me këtë, por ajo që dihet është se incidentet e shënuara gjatë vizitës së fundit të kryeministrit Gruevski në vendin tonë janë shkaku i këtij vendimi.
Makina e kryeministrit maqedonas Nikolla Gruevski u sulmua me vezë pak ditë më parë në Tiranë, gjatë vizitës së tij zyrtare në vendin tonë, ndërkohë që disa flamuj maqedonas u dogjën.




Ministri i Jashtëm grek, Dhimitris Avramopulos ka anuluar në momentin e fundit vizitën e tij të planifikuar për ditën e sotme sot në Tiranë me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë të Shqipërisë.
Shkak për këtë janë bërë deklaratat e kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha gjatë fjalimeve me rastin e përvjetorit të njëqindtë të pavarësisë së Shqipërisë lidhur me Shqipërinë etnike.
Ministria e Jashtme greke njofton se shkak i anulimit të kësaj vizite është bërë pikërisht një deklaratë e kryeministrit Berisha ditën e djeshme në Vlorë ku citohej Preveza.
“Deklarata si këto nuk kontribuojnë në krijimin e një klime të miqësisë, besimit dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë mes dy vendeve, dhe në zhvillimin e nismave të përbashkëta në fusha me interes të përbashkët, si në sektorin politik, ekonomik dhe energjinë”, – thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme greke.
Zyra e kryeministrit të Shqipërisë ka reaguar pas këtij vendimi me anë të zëdhënëses Mëhilli, e cila ka sqaruar deklaratën e bërë nga kryeministri dje në Vlorë ku u citua Preveza.
“Deklarata e kryeministrit i referohet kontekstit historik të 100 viteve më parë dhe nuk shpreh asnjë pretendim territorial ndaj fqinjëve tanë të Jugut, Veriut apo Lindjes”, – thuhet në sqarimin e Këshillit të Ministrave të Shqipërisë.
PDIU: Avramopulos mos të merret me shtrembërimin e historisë, por të zgjidhë çështjen çame
Anulimi i vizitës së ministrit të Jashtëm grek, Dimitris Avramopulos në vendin tonë me rastin e festimeve për 100 vjetorin e pavarësisë, ka sjellë reagimin e Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, e cila i ka bërë thirrje qeverisë greke, t’i japë zgjidhje sa më shpejt çështjes çame, e cila sipas PDIU, është e vetmja që pengon marrëdhëniet shqiptaro-greke”.
“Kryediplomati grek nuk duhet të trembet nga ndjenjat e pastra të patriotizmit shqiptar dhe aq më pak nga çështjet e drejta të kombit tonë, si çështja çame, të cilat janë nëpërkëmbur padrejtësisht nga shteti grek”, thuhet në deklaratën për shtyp të kësaj partie.
Më tej PDIU deklaron se ministri i Jashtëm grek nuk duhet të merret me shtrembërimin e historisë, duke krijuar incidente false.
“Për aq sa qeveria greke tenton të mbulojë diellin me shosh, marrëdhëniet shqiptaro-greke nuk mund të gjejnë përmirësim. Shqipëria u shpall e pavarur nga Preveza në Mollë të Kuqe! Ministri i Jashtëm grek, në vend të tentojë të shtrembërojë historinë, duke krijuar incidente false, duhet të kontribuojë që të gjendet rruga e përbashkët e zgjidhjes së çështjes çame”, – përfundon deklarata e PDIU-së.



Media greke njëzëri ka shkruar dhe komentuar  për anulimin e vizitës së ministrit të Jashtëm në Tiranë, duke e lidhur me rritjen e nacionalizmit nga ana e qeverisë shqiptare. Mediat e Athinës kanë komentuar përplasjen si rezultat i deklaratës së Berishës për territorin e Shqipërisë që shkonte deri në Prevezë, si të rrezikshme për marrëdhëniet mes dy vendeve. E përditshmja greke, “Ta Nea” shkuan në faqen e parë “Tension i befasishëm me Tiranën”. Në faqen e parë “Kathimerini” ka titull “Referime irredentiste të Berishës”.


Gazeta proqeveritare “Eleftheros Tipos” e konsideron si “sfidë të pabesueshme” deklaratën e Berishës, sipas të cilit “Shqipëria e Madhe arrin deri në Prevezë”. Gazeta “Demokracia” shkruan se: “Lindi një temë e madhe me Shqipërinë”, ndërsa “Ellada”, me titullin “Berisha kërkon edhe Prevezën në Shqipërinë e Madhe”, komenton se “shpërthimi i nacionalizmit në Ballkan lind rreziqe për të gjithë fqinjët”.




Reagime ka pasur edhe nga partia e tretë e koalicionit qeveritar, e Majta Demokratike, sipas të cilës, “deklaratat zjarrvënëse të Sali Berishës janë jashtë çdo logjike bashkëpunimi në Ballkan, shembin themelet e një bashkëjetese të popullit shqiptar dhe atij grek dhe i japin ushqim nacionalizmit të tejskajshëm.



 Ato janë të rrezikshme dhe të dënueshme”. Po kështu, analistë, politikanë dhe qytetarë grekë i kanë konsideruar këto deklarata të bëra në kuadër të zgjedhjeve parlamentare. Në datë 27 nëntor në Vlorë, Kryeministri Berisha bëri një përshëndetje për qytetarët e këtij qyteti, për ta kthyer më pas në pergamenë dhe për ta vendosur në muze.




 “Do të lexoj këtu, para jush, këto pak fjalë që shkrova në këtë pergamenë: Vlorës, qytetarëve të saj, Ismail Qemal Vlorës e burrave të tjerë të kombit, që shpallën në këtë qytet të përjetshëm, në 28 Nëntor të vitit 1912, Pavarësinë e Shqipërisë, pavarësinë e Shqipërisë etnike, Shqipërisë së të gjitha trojeve shqiptare nga Preveza në Preshevë, nga Shkupi në Podgoricë.


 Nder përjetë babait të pavarësisë së Shqipërisë, Ismail Qemal Vlorës, burrave që firmosën aktin e pavarësisë, qytetarëve të Vlorës e të mbarë Shqipërisë! Gëzuar 100-vjetorin!”. Kjo deklaratë solli dhe anulimin e menjëhershëm të vizitës së ministrit të Jashtëm grek, Dimitris Avramopulos, në Tiranë.



Në sqarimin e saj për këtë anulim, Ministria e Jashtme greke thekson se ai ka ardhur për shkak të kësaj deklarate të papërshtatshme të Kryeministrit Berisha, e cila ka prekur interesat e Greqisë. Menjëherë pas këtij anulimi, zëdhënësja e Kryeministrisë, Erla Mëhilli, sqaroi se “deklarata e Kryeministrit i referohet kontekstit historik të 100 viteve më parë dhe nuk shpreh asnjë pretendim territorial ndaj fqinjëve tanë të Jugut, Veriut apo Lindjes”.



Nuk dihet se cila do të jetë pasoja e vërtetë e kësaj deklarate në marrëdhëniet mes dy vendeve, duke shtuar këtu faktin se një deklaratë e tillë kanë bërë që dhe Presidenti i Maqedonisë ta anulojë vizitën e tij për 28 nëntor në Shqipëri.



Bujar Nishani

“Kurrë nuk kanë pasur tentativë për të goditur fqinjët. Nuk ka asnjë lloj pretendimi territorial nga Shqipëria dhe shqiptarët për vendet fqinje, por natyrisht në raste të referimit të historisë dhe në momente të tilla kur kujtohet historia, dhe më shumë se kurrë në ditët e Pavarësisë dhe të 100-vjetorit mund t’u referohemi ngjarjeve historike dhe unë besoj që nuk përbën asnjë cenim të interesave territoriale apo kombëtare të kurrkujt tjetër”




Incidentet janë të papranueshme dhe të papërgjegjshme, ndërsa incidentet e fundit duhet të sanksionohen. Ky ka qenë vlerësimi i presidentit të Shqipërisë Bujar Nishani pas takimit me homologun maqedonas, Gjorgje Ivanov gjatë mini–samitit të presidentëve që po mbahet në Budva të Malit të Zi.
“Politika e jashtme e Republikës së Shqipërisë është e orientuar në forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe intensifikimit të bashkëpunimit rajonal. Shqipëria nuk ka probleme të hapura me asnjë nga vendet e rajonit. Interesave kombëtare të Shqipërisë i shërbehet mirë në një mjedis rajonal paqësor, të stabilizuar, demokratik, ekonomikisht të zhvilluar. Ne inkurajojmë dialogun dhe përpjekjet institucionale si të vetmet mekanizma për trajtimin dhe zgjidhjen e diferencave të brendshme dhe ndërmjet fqinjëve”, ka deklaruar presidenti Nishani gjatë takimit.
Ndërsa presidenti Ivanov theksoi se prioritet për Maqedoninë janë marrëdhëniet me fqinjët dhe zhvillimi i bashkëpunimit. “Marrëdhëniet ndërfqinjësore janë rrugë dykahëshe. Patjetër ato duhet të shkojnë në dy kahje, dhe jo vetëm në një kahje”, ka qenë përgjigja e presidentit Ivanov, i cili i është shmangur përgjigjes lidhur me anulimin e vizitës në Shkup me rastin e festës së 100 vjetorit të pavarësisë.




Ivanov - Presidenti i Maqedonisë, Gjorgji Ivanov, refuzoi ftesën e homologut të tij Bujar Nishani për të ardhur në Shqipëri me rastin e 100-vjetorit

Marrëdhëniet - Marrëdhëniet mes Greqisë dhe Shqipërisë kishin hyrë në një fazë të re bashkëpunimi dhe nuk dihet sesi do të vijojnë të jenë pas kësaj përplasjeje
Sebepi - Deklaratat e Berishës për territorin janë ato që kanë “nxehur” më shumë fqinjët tanë dhe për më tepër të artikuluara nga drejtues të qeverisë


Kryeministria: Deklarata ishte vetëm historike

“Shqipërisë së të gjitha trojeve shqiptare nga Preveza në Preshevë, nga Shkupi në Podgoricë”


Deklarata që Kryeministri Berisha bëri dy ditë më parë në Vlorë për t’u shkruar në pergamenë dhe për t’u vendosur më pas në muzeun e këtij qyteti, krijoi dje një incident diplomatik mes Shqipërisë dhe Greqisë. Shkas u bë deklarata e Kryeministrit Berisha, e cila konsideroi si troje shqiptare ato nga Preveza deri në Preshevë. Pasoja e parë e këtij incidenti ishte anulimi i vizitës së ministrit të Jashtëm grek, Dimitris Avramopoulos në Tiranë dje, ku ishte ftuar të merrte pjesë me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë. Përmes një deklarate, Ministria e Jashtme greke sqaron se vizita është anuluar, për shkak të deklaratës së papranueshme të bërë nga kreu i qeverisë shqiptare dhe se madje kjo çështje do të diskutohej edhe me Kryeministrin grek Antoni Samaras. Ky është rasti i dytë i incidenteve me fqinjët që krijohet me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë. I pari ishte me anulimin e vizitës së Presidentit maqedonas, si rezultat i deklaratave që Kryeministri Berisha dhe ai i Kosovës, Hashim Thaçi, bënë në Shkup pak ditë më parë. Kjo situatë është komentuar edhe nga mediat botërore. Agjencia italiane e lajmeve ANSA, deklaron se Tirana zyrtare riluan me kartën e Shqipërisë së Madhe dhe se kjo i shërben si një strategji Kryeministrit Berisha për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Incidenti

Çdo gjë ndodhi kur Kryeministri Berisha në datë 27 nga Vlora bëri një përshëndetje për qytetarët e këtij qyteti, për ta kthyer më pas në pergamenë dhe për ta vendosur në muze. “Do të lexoj këtu, para jush, këto pak fjalë që shkrova në këtë pergamenë:

Vlorës, qytetarëve të saj, Ismail Qemal Vlorës e burrave të tjerë të kombit, që shpallën në këtë qytet të përjetshëm, më 28 Nëntor të vitit 1912, Pavarësinë e Shqipërisë, Pavarësinë e Shqipërisë etnike, Shqipërisë së të gjitha trojeve shqiptare nga Preveza në Preshevë, nga Shkupi në Podgoricë. Nder përjetë babait të Pavarësisë së Shqipërisë, Ismail Qemal Vlorës, burrave që firmosën Aktin e Pavarësisë, qytetarëve të Vlorës e të mbarë Shqipërisë! Gëzuar 100-vjetorin!”. Kjo deklaratë solli edhe anulimin e vizitës së ministrit të Jashtëm grek, Dimitris Avramopulos, në Tiranë dje. Në sqarimin e saj për këtë anulim, Ministria e Jashtme greke thekson se ai ka ardhur për shkak të kësaj deklarate të papërshtatshme të Kryeministrit Berisha, e cila ka prekur interesat e Greqisë. Menjëherë pas këtij anulimi, zëdhënësja e Kryeministrisë, Erla Mëhilli, sqaroi se “deklarata e Kryeministrit i referohet kontekstit historik të 100 viteve më parë dhe nuk shpreh asnjë pretendim territorial ndaj fqinjëve tanë të Jugut, Veriut apo Lindjes”. Nuk dihet ende se cila do të jetë pasoja e vërtetë e kësaj deklarate në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Jehona

Përsëritja e një incidenti të tillë me fqinjët ka nxitur agjencitë e huaja të lajmeve të bëjnë një analizë në lidhje me shkaqet. Agjencia ANSA i konsideron këto përplasje rezultat i një politike të re që po luhet nga Shqipëria dhe Kryeministri Berisha për arsye elektorale. “Në dritën e analizës së analistëve, kjo rishfaqje e nacionalizmit më shumë se sa me një projekt real, lidhet me çështje të brendshme, me zgjedhjet që pritet të jenë të ashpra dhe të ngushta. Kryeministri Berisha po shfrytëzon çdo shfaqje publike për të fituar pikë popullariteti përballë rivalit të opozitës, Edi Ramës, me të cilin nuk ka mundur të qëndrojë përkrah as me rastin e këtyre ceremonive zyrtare”, thekson agjencia.

Ftesa - Ministri i Jashtëm grek, Avramopoulos, është ftuar në Tiranë nëpërmjet telefonit nga homologu i tij Edmond Panariti

Delavekuras - Lajmi i anulimit është bërë prezent nga zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme greke, Gregoris Delavekuras

Samaras - Kjo përplasje pritet të bëhet çështje shtetërore, pasi do të diskutohet me Kryeministrin e Greqisë, Antonis Samaras



Reagimi

PDIU: Athina nuk ka pse të trembet nga patriotizmi

Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet deklaroi dje se qeveria greke nuk ka pse të trembet nga patriotizmi shqiptar i përligjur nisur nga faktet historike. Në deklaratën e ardhur nga kjo parti, bëhet e qartë se pala greke duhet t’i japë sa më shpejt zgjidhje çështjes çame. “Ministri i Jashtëm grek nuk duhet të trembet nga ndjenjat e pastra të patriotizmit shqiptar dhe aq më pak nga çështjet e drejta të kombit tonë, si çështja çame, të cilat janë nëpërkëmbur padrejtësisht nga shteti grek. Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet i bën thirrje qeverisë greke t’i japë zgjidhje sa më shpejt çështjes çame, e cila është e vetmja çështje që pengon marrëdhëniet shqiptaro-greke. Për aq sa qeveria greke tenton të mbulojë diellin me shosh, marrëdhëniet shqiptaro-greke nuk mund të gjejnë përmirësim”, theksohet në këtë deklaratë, duke shtuar se “Shqipëria u shpall e pavarur nga Preveza në Mollë të Kuqe!”.



Ministri i Jashtëm grek, Dimitris Avramopoulos, ka shprehur shqetësimin e tij në takimin ministerial të NATO-s rreth rritjes së valës së nacionalizmit në Shqipëri dhe deklaratave të pamatura të qeverisë shqiptare. Në një deklaratë për shtyp të Ministrisë së Jashtme greke, thuhet se “rritja e nacionalizmit dhe populizmit në disa nga vendet tona fqinje është një burim i madh shqetësimi”. “Unë e bëra të qartë në çdo drejtim që një sjellje e tillë është e papranueshme”, tha Avramopoulos. Duke shprehur kundërveprimin e Greqisë ndaj këtyre deklaratave, Avramopoulos kërcënoi me respektimin e standardeve të Bashkimit Europian për vendet që synojnë Brukselin. “Vendet kandidate (siç është Shqipëria), nëse ne po flasim për NATO-n apo BE-në, duhet të respektojnë parimet dhe vlerat e Europës. Niveli i kërkesave nuk do të ulet dhe të gjitha kriteret dhe kushtet do të duhet të plotësohen”, përfundoi Avramopoulos. Berisha ka rritur retorikën nacionaliste, i frikësuar nga një valë e mundshme elektorale pro Aleancës Kuqezi në Shqipëri. Ai, përveçse ka folur për kufijtë e Shqipërisë osmane deri në Prevezë, ka bërë thirrje të dekretojë 10 milionë shqiptarë shtetas të Shqipërisë, duke vënë seriozisht në dyshim lëvizjen e lirë të shqiptarëve dhe raportet me Bashkimin Europian. Ndërkaq, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, theksoi dje nga Mali i Zi, ku mori pjesë në samitin e krerëve të shtetit të rajonit, se marrëdhëniet e shteteve të Ballkanit Perëndimor janë të shkëlqyera dhe shtoi se Shqipëria nuk ka çështje të hapura me asnjë vend të rajonit. “Të gjithë fqinjët tanë kanë prioritet të veçantë, ndërsa Shqipëria dhe shqiptarët nuk kanë interes në prishjen e integritetit të shteteve të tjera”, u shpreh Presidenti shqiptar.




Ministri i Jashtëm grek, Dimitri Avramopoulos është shprehur i shqetësuar për atë që ai e quan rritje të nacionalizmit në Ballkan. Gjatë fjalimit të tij në ministerialin e NATO-s në Bruksel, Avramopoulos ka nënvizuar se vendet kandidate për në BE ose NATO duhet të respektojnë parimet dhe vlerat e Europës.
“Zgjerimi i NATO-s ishte një ndër çështjet më të rëndësishme për Greqinë në këtë ministerial. Shtimi i nacionalizmit dhe populizmit në disa vende fqinje është burim i një shqetësimi të madh. E kam bërë të qartë këtë dhe më parë, është e papranueshme. Vendet kandidate, si ato për në NATO dhe për në BE, duhet të respektojnë parimet dhe vlerat e Europës.
Për këtë çështje nuk do të bëhet zbritje dhe të gjitha kriteret e parakushtet duhet të përmbushen, duke përfshirë respektimin e rregullave të fqinjësisë së mirë”,-ka deklaruar Avramopoulos. Kryediplomati grek disa herë është shprehur i shqetësuar pas atyre që u interpretuan si deklarata nacionaliste të kryeministrit Sali Berisha, gjatë festimeve të jubileut të 100-vjetorit të Pavarësisë. Deklarata e Berishës, për kufijtë e trojeve etnike në kontekstin historik, nuk u mirëprit nga shtetit helen dhe Avramopoulos anuloi vizitës zyrtare në Tiranë.

Athina zyrtare ka deklaruar prerë se për Greqinë nuk ekziston çështja çame. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme greke, Gregori Delavekuras, ka deklaruar se kushdo mendon se ka ndonjë problem mund t’i adresohet drejtësisë greke. Madje sipas tij, ministri Dimitris Avramoupolos ia ka bërë të qartë këtë çështje edhe autoriteteve shqiptare.
“Z. Avramopulos e bëri të qartë që nga fillimi i bisedimeve se në Greqi nuk ekzistojnë çështje të tilla; çështje e territoreve etnike dhe në qoftë se dikush e konsideron atë një problem mund të adresohet tek gjykata greke”, ka thënë Delavekuras.
Ky është reagimi i dytë i fortë nga Athina zyrtare pas deklaratës së ministrit të Jashtëm i Greqisë Dimitris Avramopoulos, i cili tha se qëndrimet e Berishës për Shqipërinë e madhe ishin të papranueshme. Ai tha për mediat helene se i kishte kërkuar kryeministrit Berisha, që të tërheqë deklaratat e bëra mbi ‘Shqipërinë Etnike’, duke thënë se deklarata u tërhoq, por me vonesë, pas festimeve të 28 nëntorit. Ndërkohë në ministerialin e NATO-s në Bruksel, Avramopoulos “kërcënoi” Shqipërinë me bllokimin në BE. Ai deklaroi se vendet kandidate për në BE ose NATO duhet të respektojnë parimet dhe vlerat e Europës.

Ministri i Jashtëm Edmond Panariti është takuar sot me homologun grek, Dimitris Avramopulos, gjatë takimit që po organizohet në Bruksel mes Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të NATO-s.


Në një njoftim të Ministrisë së Jashtme sqarohet se gjatë takimit, ministri Panariti i konfirmoi homologut grek vullnetin e qeverisë shqiptare për të çuar përpara marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë ndërmjet dy vendeve. Të dy ministrat, gjithashtu, u shprehën se retorikat nacionaliste nuk mund të mbajnë peng marrëdhëniet ndërmjet dy qeverive dhe popujve.
Ministri i Jashtëm grek Dimitris Avramopulos anuloi vizitën e tij në Tiranë më 28 nëntor me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë. Shkak për këtë, siç shpjegoi ai nëpërmjet një deklarate për shtyp, u bënë deklaratat nacionaliste të kryeministrit shqiptar, Sali Berisha, i cili në fjalimin e mbajtur në Vlorë ka përmendur kufijtë e Shqipërisë etnike. Megjithëse kryeministria sqaroi se deklarata ishte bërë në kontekst historik, ministri i jashtëm grek nuk pranoi të vizitonte Tiranën zyrtare në jubileun e 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë.
PDIU paraqet rezolutën për çështjen çame, të cilën do ta dorëzojë sot në mëngjes në Kuvendin e Shqipërisë. Në një dokument të plotë dhe të argumentuar juridikisht prej 13 pikash, rezoluta për çështjen çame kërkon që Greqia të njohë gjenocidin e kryer ndaj shqiptarëve çamë, të njohë të drejtat themelore të tyre dhe të restaurojë këto të drejta sipas parimeve të legjislacionit ndërkombëtar mbi gjenocidin, spastrimin etnik, procesin e rregullt ligjor, mosdiskriminimin mbi bazë të kombësisë, e parimet e tjera të ndërlidhura me to, si dhe frymën e Traktatit të Miqësisë midis dy vendeve. Në këtë projektrezolutë, gjithashtu kërkohet që nëpërmjet njohjes së të drejtave të shtetasve shqiptarë – ish-shtetas grekë, të rivendosen të drejtat, që nga riatdhesimi dhe njohja e së drejtës së pronësisë dhe së drejtës së pakicës etnike. Një tjetër pikë shumë e rëndësishme e draftit të rezolutës është kërkesa për shfuqizimin e ligjit famëkeq të luftës që ende Greqia e njeh në marrëdhëniet me Shqipërinë, që mban në sekuestro konservative të gjithë pronat e shqiptarëve nga krahina e Çamërisë. Në projektrezolutë, kërkohet që qeveria shqiptare të ngrejë menjëherë komisionet dypalëshe me Greqinë për të zgjidhur këtë çështje, duke detyruar Ministrinë e Punëve të Jashtme që të mbrojë të drejtat e shqiptarëve në Greqi, të cilët janë të padëbuar nga spastrimi etnik që ndodhi në fund të luftës. Projektrezoluta kërkon gjithashtu që të ngrihen në dy qendrat e rëndësishme të krahinës së Çamërisë, Paramithi dhe Filat, dy lapidarë që do të përkujtojnë gratë, pleqtë e fëmijët, viktima të pafajshme të krimeve të kryera nga njësitë paramilitare greke. Pika e fundit e projektrezolutës ka parashikuar edhe kundërshtimin e Athinës, duke bërë të ditur se do të ngrihet padi ndërkombëtare. Në pikën 13 të dokumentit theksohet shprehimisht: “I rezervon vetes të drejtën që, në rast reagimi refuzues të palës greke, për ta konsideruar problemin në dritën e akteve ndërkombëtare mbi diskriminimin, lëvizjen e lirë, të drejtat themelore të njeriut në përgjithësi, ta paraqesë çështjen në instancat ndërkombëtare adekuate”.
Kuvendi
Pas dorëzimit në sekretarinë e Kuvendit, duhet që legjislativi të nisë shqyrtimet, pra ta fusë në kalendarin e punimeve, të shqyrtohet nga komisionet dhe më pas të votohet në seancë plenare. Parimisht të gjitha partitë politike kanë shprehur përkrahjen për zgjidhjen e çështjes çame, por sesa e mbështesin konkretisht rezolutën, do të merret vesh në qëndrimet që do të mbahen javën e ardhshme.
Tubimi
Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Klubi i Patriotëve të Rinj dhe shoqata “Çamëria” zhvilluan dje një protestë përpara bllokut të ambasadave, drejtuar Ambasadës Greke në Tiranë, në kuadër të 9 dhjetorit, Ditës Ndërkombëtare Kundër Gjenocidit. Në këtë aktivitet, ku u brohoritën thirrje kombëtare dhe kërkesa për zgjidhjen e çështjes çame, u paralajmërua se sot, dy deputetët e PDIU-së, Shpëtim Idrizi dhe Dashamir Tahiri do të dorëzojnë zyrtarisht në Kuvendin e Shqipërisë, Rezolutën për Zgjidhjen e Çështjes Servet Mehmeti, ish-kryetar i shoqatës “Çamëria” dhe një aktivist i çështjes çame i cili prej fillimit të demokracisë, deklaroi në tubim, se “grekët thonë se nuk u bë gjenocid mbi ne, por se ne ikëm vetë. Konventa Ndërkombëtare për Gjenocidin e miratuar më 9 Dhjetor 1948 ka dhënë disa përkufizime se ç’është gjenocid. Unë sot dua t’ju pyes juve, sipas këtyre përkufizimeve. A nuk pati mbi ne çamët, vrasje masive të anëtarëve të komunitetit tonë? A nuk pati mbi ne imponim kushtesh jete, që kishin për qëllim asgjësimin tonë? A nuk kishte mbi ne, shpërngulje të sforcuar të fëmijëve, grave dhe të moshuarve?”. Ndërkaq, deputeti Dashamir Tahiri, tha se “ne nuk kërkojmë shtëpi në Athinë, ne kërkojmë shtëpitë e baballarëve tanë në Prevezë, aty ku i kanë pasur. Kjo është një çështje e drejtë. Askush nuk mund ta quajë ndryshe. Hebrenjtë u kthyen në trojet e tyre amtare pas dymijë vjetësh dhe ne do të kthehemi shumë shpejt. Qeveria e atëhershme kuinslinge greke i dëboi dhe i vrau shqiptarët e Çamërisë, duke shfarosur 20 për qind të popullsisë. Por edhe qeveria e sotshme greke nuk po kërkon ndjesë, ndonëse e cilëson veten si demokratike”.


Dashamir Tahiri -  “Ne nuk kërkojmë shtëpi në Athinë, ne kërkojmë shtëpitë e baballarëve tanë në Prevezë, aty ku i kanë pasur. Kjo është një çështje e drejtë”
Servet Mehmeti - “A nuk pati mbi ne çamët, vrasje masive të anëtarëve të komunitetit tonë? A nuk pati mbi ne imponim kushtesh jete, që kishin për qëllim asgjësimin tonë”
Dy deputetët - Shpëtim Idrizi dhe Dashamir Tahiri do të depozitojnë rezolutën sot, në Parlamentin shqiptar, për t’u diskutuar nga Komisioni i Jashtëm
2004 - Në vitin 2004, Kuvendi i Shqipërisë e rrëzoi një rezolutë të tillë. Në atë kohë, në krye të qeverisë ishte Kryeministri socialist Fatos Nano
Ligji i luftës - Në rezolutën e dy deputetëve të PDIU-së kërkohet që Greqia të abrogojë ligjin e luftës, i shpallur me dekret mbretëror në vitin 1940
Pronat - Rezoluta përfshin rikthimin e pronave, njohjen e së drejtës së riatdhesimit, njohjen e së drejtës së rimarrjes së shtetësisë, dhe të të drejtave të tjera të pakicave kombëtare
Konventa - Në Kuvendin e Shqipërisë po shqyrtohet drafti për aderimin e Shqipërisë në Konventën “Për konfliktet e ligjeve në lidhje me formën e disponimeve testamentare”


Dy deputetët e Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi dhe Dashamir Tahiri kanë dorëzuar sot në Kuvend rezolutën për zgjidhjen e çështjes çame, ashtu siç kishin paralajmëruar një ditë më parë. Në një prononcim për mediat, kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi ka deklaruar se kjo rezolutë është një amanet dhe një testament i gjallë  i të gjithë atyre që u masakruan dhe nuk arritën të kthehen në tokat e tyre.
“Kjo është një rezolutë paqeje dhe jo një rezolutë lufte pasi ne nuk duam t`i shpallin luftë Greqisë por kërkojmë të hiqet ligji i luftës, një ligj absurd që afekton jo vetëm pronat e Çamërisë, por edhe të gjithë shqiptarëve”,- tha Idrizi.

Shpëtim Idrizi 


Kreu i PDIU-së ka theksuar se çështja çame, nuk është për axhendë politike, prandaj nuk i është drejtuar partive politike, por ndërgjegjes kombëtare të 140 deputetëve.  “Kjo nuk është rezolutë e PDIU, kjo është rezolutë e dy shqiptarëve çam që janë në parlamentin shqiptar dhe që i adresohet të gjithë deputetëve, i adresohet për mbështetje të gjithë popullit shqiptar. Çështja çame nuk është një çështje që duhet të futet në agjendat politike, kjo është arsyeja që ne nuk do i drejtohemi partive, por ndërgjegjes kombëtare të 140 deputetëve. Besojmë se Parlamenti i sotëm nuk është parlamenti i vitit 2004 që deputetët braktisën sallën e parlamentit të diktuar nga Athina zyrtare dhe anëtarët e Çamërisë u rrahën në dyert e parlamentit”,- shtoi Idrizi.
Në rezolutën e përbërë nga 13 pika kërkohet që Greqia të njohë gjenocidin e kryer ndaj shqiptarëve çamë, të njohë të drejtat themelore të tyre dhe të restaurojë këto të drejta sipas parimeve të legjislacionit ndërkombëtar mbi gjenocidin, spastrimin etnik, procesin e rregullt ligjor, mosdiskriminimin mbi bazë të kombësisë, e parimet e tjera të ndërlidhura me to, si dhe frymën e Traktatit të Miqësisë midis dy vendeve.

Pavarësisht se deputetët e Parlamentit shqiptar janë shprehur pro zgjidhjes së çështjes çame, hezitimi për miratimin e rezolutës së paraqitur nga PDIU-ja në Kuvend është i dukshëm. Kjo, për shkak të presionit të madh që po bën pala greke në rast të miratimit të kësaj rezolute, presion i cili mund të përkthehet në përkeqësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, apo edhe me një presion me veton kundër integrimit në Bashkimin Europian. Pavarësisht se partia më e madhe e mazhorancës, Partia Demokratike, duhet të ishte në radhën e parë të mbështetjes së kësaj nisme, ende nuk ka një qëndrim zyrtar të shprehur nga kjo parti për mbështetjen apo jo të rezolutës. Nga ana tjetër, pavarësisht se disa deputetë të Partisë Socialiste kanë shprehur mbështetjen e tyre individuale ndaj kësaj nisme, ende nuk ka një qëndrim zyrtar pro apo kundër për votimin që pritet në Kuvend të kësaj rezolute. Partia e vetme, e cila është shprehur qartë se do ta miratojë rezolutën në Parlament, është Lëvizja Socialiste për Integrim e Ilir Metës, e cila ka lidhur gjithashtu një marrëveshje të ngushtë bashkëpunimi me Partinë Drejtësi Integrim dhe Unitet të Shpëtim Idrizit. Një tjetër çështje e lënë pezull aktualisht është dhe koha në të cilën kjo rezolutë do të miratohet. Aktualisht deri në fund të vitit miratimi i saj në Kuvend nuk është përfshirë në kalendarin e punimeve. Por një vullnet i përbashkët i forcave politike mund të bënte që me nismën e Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, kjo nismë të miratohej brenda këtij viti. Por fakti që miratimi i saj konsiderohet si delikat, pritet që janari të jetë muaji kur Kuvendi do të kalojë “provën e zjarrit”.
PD
Partia më e madhe qeverisëse në vend ende nuk ka një vendim për sa i përket votimit apo jo të rezolutës për çështjen çame. I pyetur nga “Shqip”, nënkryetari i grupit demokrat, Edi Paloka, theksoi se ky grup ende nuk kishte marrë një vendim në lidhje me këtë çështje. Nesër, sipas burimeve, kjo çështje pritet të diskutohet në grupin parlamentar të Partisë Demokratike dhe aty pritet të kuptohet edhe qëndrimi i grupit më të madh të deputetëve në Parlament. Ende nuk dihet sesi do të jetë ky qëndrim, pasi kryetari i kësaj partie, njëkohësisht Kryeministri Berisha, duket se e ndien më shumë nga gjithë të tjerët presionin e palës greke për këtë hap që pritet të hedhë Parlamenti i Shqipërisë.
PS
Deputetë të Partisë Socialiste janë shprehur pro miratimit të një rezolute të tillë, por ashtu si në rastin e PD-së, do të jetë vendimi i grupit parlamentar ai që do të përcaktojë qëndrimin përfundimtar të partisë më të madhe në opozitë. Diskutimi i kësaj çështjeje është shmangur javët e fundit nga ana e lidershipit të PS-së dhe ende nuk mund të parashikohet me saktësi se cili do të jetë qëndrimi i socialistëve.
LSI
Lëvizja Socialiste për Integrim është treguar më e qartë në qëndrimin e saj ndaj rezolutës për çështjen çame. Drejtues të kësaj lëvizje kanë siguruar mbështetjen me votë ndaj një nisme të tillë, duke siguruar kështu minimalisht katër vota mbështetëse ndaj rezolutës, e cila aktualisht është e depozituar në Parlamentin e Shqipërisë. Ky qëndrim i LSI-së vjen dhe për shkak të faktit se mes kësaj partie dhe PDIU-së është nënshkruar një marrëveshje, e cila flet për një bashkëpunim të fortë parlamentar mes këtyre forcave dhe po kështu i jap rrugën një bashkëpunimit të tyre në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Teksti
Në tekstin e rezolutës për zgjidhjen e çështjes çame, kërkohet njohja e plotë e të gjitha të drejtave të shqiptarëve të Çamërisë
Votat
Aktualisht, rezoluta e PDIU-së ka të sigurta gjashtë vota në Parlament, si rezultat i bashkëpunimit mes kësaj force me LSI-në
Pritshmëria
Kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, ka theksuar se ai pret që rezoluta çame të miratohet me 139 vota në Parlament dhe me votën e vetme kundër të Vangjel Dules
Nisma
 Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet inicion peticionin kombëtar për rezolutën

Idrizi: Ne, pjesë e qeverisë në vitin 2013 me çdo mazhorancë

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet pritet të jetë pjesë e çdo qeverie shqiptare, pa qenë besnike e asnjë force politike në vend, por vetëm e kauzës për zgjidhjen e çështjes çame. Kjo u bë e ditur dje nga ana e kryetarit të Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të kësaj partie, ku u diskutua plani për projektrezolutën çame. Sipas Idrizit, kauza çame ishte qëllimi kryesor i kësaj partie, kështu që interesi për ta pasur atë afër qeverive shqiptare prevalonte mbi të gjitha të tjerat. Përpara përfaqësuesve të PDIU-së, Idrizi prezantoi strategjinë e zgjidhjes së çështjes çame, hapat e të cilës janë të përqendruara në vetvete në rezolutën për zgjidhjen e çështjes çame. Idrizi shprehu dje bindjen se rezoluta do të kalojë me vullnetin e të gjithë deputetëve, duke u ndalur te fakti se para së gjithash votat e deputetëve ishin vota individuale të qytetarëve shqiptarë. Ai theksoi se rezoluta është në përputhje me parimet ndërkombëtare dhe kërkon vetëm zbatimin e të drejtave dhe lirive kryesore të njeriut, duke respektuar raportet e fqinjësinë e mirë. “Sot jemi më të vendosur se kurrë ta çojmë amanetin tonë në vend. Sot, para gjithë kombit e botës, ky amanet ka marrë formën e rezolutës parlamentare. Aty janë porositë për t’u kthyer në tokën e të parëve, për të parë varret, për pronat. Ky tekst është sot publik në dritën e diellit, sot kemi detyrë ta mbrojmë. Ne bazohemi mbi konventat europiane të të drejtave të njeriut, bazohemi te vlerat që kanë ndërtuar botën demokratike. Ata që s’thonë asnjë fjalë të mira të paktën ta dëgjojnë rezolutën. Është akt bashkimi dhe jo ndarjeje. Është një platformë e studiuar mirë, është dokumenti më i rëndësishëm, që i vë kapak çështjes çame, kësaj plage të hapur të çështjes sonë kombëtare”, deklaroi Idrizi, duke shtuar se kjo rezolutë duhej të mbështetej pa hezitim nga çdo qytetar shqiptar. Presidenti i Nderit i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Tahir Muhedini, në fjalën e tij theksoi se të gjithë shqiptarët duhet të jenë të bashkuar rreth kësaj rezolute dhe mendimet kundër saj vijnë ndesh me çështjet e kombit tonë. “Dëgjohen zëra se përse rezoluta u propozua tani. Këta zëra janë pa kuptim. Sot janë ndërlidhur për herë të parë tri fakte, që të gjitha partitë kanë në program çështjen çame, që patriotizmi është në qendër të politikës dhe që komuniteti është më i bashkuar”, deklaroi Muhedini. Kryetari i shoqatës “Çamëria”, Ardian Tana, deklaroi se kjo rezolutë është në vazhdën e përpjekjeve 22-vjeçare të shqiptarëve të Çamërisë, nëpërmjet shoqatës së parë të regjistruar pas regjimit komunist, që ishte shoqata “Çamëria”.
Precedenti
Në vitin 2004, Parlamenti i Shqipërisë dështoi në miratimin e një rezolute për çështjen çame. Deputetët tetë vite më parë lanë sallën gjatë kohës së diskutimit të saj.
Kreu i PBDNJ
Dule: Historia nuk mund të ribëhet dhe parashkruhet
Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, thekson se në marrëdhëniet mes Greqisë dhe Shqipërisë nuk ka një kauzë çame. Në një intervistë për revistën “Java”, Dule kritikoi PDIU-në, duke theksuar se forcat politike që e propagandojnë këtë çështje, janë të orientuara drejt së shkuarës, që i hakërrehen të ardhmes dhe frymës së saj. I pyetur për kauzën çame, ai theksoi: “Për çfarë kauze e keni fjalën? Historia nuk ribëhet, nuk negociohet dhe nuk parashkruhet. Status quo-ja në Europën e sotme është produkt i vendimeve të forcave të mëdha fituese të Luftës II Botërore, ku fatet e secilit shtet, popull, apo individ u vendosën me kriter qëndrimin e mbajtur në ato momente…”, theksoi Dule.
Mediat greke
“Kathimerini”: Erërat nacionaliste po fryjnë fort shumë pranë nesh
Gazeta e njohur greke “Kathimerini”, në një opinion të shkruar pak ditë më parë, ka shprehur qëndrimin se nëse një rezolutë për këtë çështje do të kalonte në Parlamentin shqiptar, atëherë marrëdhëniet mes Greqisë dhe Shqipërisë do të rrezikoheshin. “Gjërat janë krejtësisht ndryshe tani. Erërat e nacionalizmit, që ka mbytur në gjak Ballkanin Perëndimor, po fryjnë në këtë vend. Aty po fitojnë terren partitë politike dhe organizatat që mbajnë lart flamurin kombëtar”, shkruan gazeta e njohur helene. Sipas saj, pala greke nuk do ta pranonte asnjëherë diskutimin e një çështjeje të tillë me palën shqiptare, pasi e konsideron atë të mbyllur dhe pa impakt te marrëdhëniet e sotme.



A ISHTE VRASJA E MILLADIN POPOVIQIT NË PRISHTINË E ORGANIZUAR SIKURSE RASTI "PANDA" NË PEJË ?

Nga Ryzhdi Baloku, shkrimtar shqiptar nga Peja  Në kohën e fundit është ri-aktualizuar çështja e vrasjes së komunistit Milladin Popoviq, ...