ZBUKURIMI I HERONJVE NË KOMPJUTER
Duke udhëtuar nëpër Kosovë, edhe të jesh i pavëmendshëm, të bien në sy shumë lapidare. Kudo anash udhëve. Edhe pse aty në atë anë a cep udhe nuk është bërë ndonjë betejë e nuk ka rënë ndonjë deshmor. Në vend që të shkojmë e ta ndërtojmë lapidarin aty ku ra deshmori, shkulim eshtrat për ti sjellë atje ku i duhen dikujt.
A nuk do të ishte më fisnike që lapidarin ta bënim atje ku ka ra deshmori? Edhe pse ai vend është larg në mal e do të duhej ndonjëherë të bëhej një copë udhë në këmbë a me makinë për të vendosur ndonjë kurorë a tufë me lule. Fëmijët e shkollave, mbase duke u lodhur pak në këmbë do ta kuptonin më mirë sakrificën e martirëve të lirisë.
Në këto lapidare të betonta, të mëdha dhe të kushtueshme, sheh fotografi dhe portrete luftëtarësh të ngjeshur bukur me uniformat e UÇK-së dhe të armatosur "gjer në dhëmbë" me lloj – lloj mitralozësh të rëndë që i mbajnë në krahë.
Në të shumtën e rasteve, kjo lloj paraqitje është e fabrikuar dhe si e tillë shëmton luftëtarët e rënë në luftë, shëmton vetë luftën dhe qëndresën.
Shumica e të rënëve nuk kanë qenë të veshur aq shik sa na i paraqesin në fotografitë e sotme, madje nuk kanë pasur uniforma ushtarake të gjithë. Një pjesë e tyre kanë qenë të veshur si civilë. Natyrisht një gjë e tillë nuk ua ul aspak lavdinë e përjetshme, përkundrazi. Ata s’kanë nevojë të paraqiten si dragoj mitik të tipit Mujë e Halil. As si Skenderbe. Ashtu me pamjen e tyre reale, të rënët janë më të mëdhenj se çdo legjendë e fallsifikuar përmes montazheve kompjuterike. Natyrisht, biznesi është i lejueshëm në shoqërinë e sotme, por ai bëhet i neveritshëm kur merret me luftën, siç është i tillë edhe synimi i dikujt për të privatizuar të rënët dhe qëndresën shqiptare. Është e pakompensueshme trimëria e munguar në kohën dhe vendin e duhur. Ajo nuk mund të mbulohet me britma, sharje e luftë për pushtet me dhunë e armë në kohë paqeje.
2. KUSH E SHËMTON MALËSINË ME GJAKMARRJE
Nga mediat mësova para ca ditësh se disa pajtimtarë gjaqesh, jepkan a shitkan vertetime gjaku, për ata qytetarë të cilët janë në gjak në Shqipëri, që t’i përdorin si dokumente për të fituar azil politik në Europë.
Të vënë përpara një presioni, nuk e di se si e se nga, këta pajtimtarë gjaqesh që lëshokan, nënshkruakan e vuloskan vertetime gjaku (!!!), ua hodhën fajin kryetarëve të komunave të Malësisë, të cilët lëshokan vertetime gjaku.
Kjo u bë çeshtje, që iu hodh shpejt hi sipër, ngaqë erdhën në Shkodër disa zyrtarë nga Belgjika dhe apeluan për gjithë shqiptarët që të mos kërkojnë në Europë azil politik për shkak të fenomenit të gjakmarrjes pasi nuk do të jepet azil i tillë politik dhe do të ndëshkohet Shqipëria me rishikim apo anullim të levizjes së lirë në vendet e Bashkimit Europian. Pra, nëse një grup njerzish do të paraqesin në Europë vertetime gjaku se nuk i lejon gjaksi të jetojnë në Shqipëri, që mund të vriten në Shqipëri, Europa do të aplikojë dënimin e radhës kolektiv për gjithë shqiptarët me anulim të lëvizjes së lirë të tyre.
(Thua të ketë dhënë fonde Europa, apo institucionet e saj a shtetet e saj të ndryshme që financojnë projekte, për gjakmarrjen në Shqipëri, për ta shuar atë, për të lehtësuar jetën e njerëzve të ngujuar, për të shpëtuar jetën e të ngujuarve nga gjakmarrja dhe biznesi kriminal i mbajtjes gjallë të gjakmarrjes…).
Teksa shkruaj këto radhë, më vlojnë në mendje e më derdhen më në tastierë fjalët e ca historive të rralla që madhnojnë malsorin shqiptar në situatë gjakmarrje në kohë të hershme.
Dy veta ishin në gjak. I dëmtuari e kërkonte gjaksin, vetëm gjaksin e jo fëmijët e tij. Ai që kish vrarë ruhej dhe lëvizte me shume kujdes. Një ditë shihen në një shteg pasi i dëmtuari kishte dalë të merrte hak dhe vrasësi fshihej. Fillon pushka dhe të dy qëllojnë kundër njëri – tjetrit, pasi kishin zënë pozicione. Pas shumë gjuajtjesh, atij që kish gjak për të marrë, që i ishte vrarë vëllai dhe po merrte hak për të, i mbarojnë fishekët dhe nuk qëllon më. Ai që kishte vrarë dhe duhej të lante gjak, duhej të vritej, i thërrët : pse nuk po qëllon më? Mu mbaruan fishekët, përgjigjet ai që do të merrte gjakun. Prite një ball fishekësh, i thotë gjaksi, dhe ia hedh një ballë fishekësh, dhe vazhdo e më qëllo… Malsori që kishte gjak për të marrë, i thotë: Ti po më jep fishekë me të vra unë ty me fishekët e tu? Po, përgjigjet malsori tjetër. Jo burrë, thotë tjetri. Të qoftë falë gjaku! Dhe dalin të dy malsorët nga pozicionet që kishin zënë dhe përqafohen…
Një njeri që kishte vrarë dikënd dhe ishte në gjak, detyrohet fshehtas të shkojë të bluajë një thes drithë në mulli sepse fëmijët i kishin mbetë pa bukë. Tekas kthehej nga mulliri me thesin e miellit ngarkuar në shpinë, i del para me armë ngrehur ai që kishte për të marrë gjak. Të erdh fundi, i drejtohet ai që do ta vriste. Po, i thotë ai që do të vritej. Kam gjak me pague. Vetëm kam një kërkesë. Më lejo ta coj këtë thes mielli në shtëpi se i kam fëmijët pa bukë dhe të jap besën e zotit se nuk kam me hy në shtëpi, por do ta lëshoj miellin te dera e oborrit e pastaj më vra. Se nuk due që t’u shkojë fëmijëve thesi i miellit i lamë me gjakun tim… Malsori që kish ngrehë pushkën dhe do ta vriste, i thotë. Coje miellin e fëmijëve në shtëpi, ta hash me të shëndoshë se unë të fala dhe nuk je më në gjak me mua…
Nuk e di se sa kushton një vertetim gjaku, por e kam bindje të thellë se me gjak shqiptarësh konkretë, me gjakun e kombit shqiptar, me gjakun e pjesës më historike, më heroike, më të lashtë, më shqiptare, më autentike shqiptare, bëhet biznes i madh, i frikshëm e shumë i lig, nga një rrjet i madh nxitësisht – pajtimtarësh, organizatash – shoqatash gjakpirëse e gjakderdhëse gjaknxitëse – pajtuese, donatorë e mbase dhe qeveri dhuruese fondesh për të nxitur gjakmarrje e pastaj për të bërë sikur po shuajnë gjaqet e po pajtojnë shqiptarët.
Nëse nuk ka gjakmarrje, të krijohet. Nëse nuk ka vrasje, të bëhen vrasje, të kryhen vrasje që të kenë cfarë e kë të pajtojnë pajtimtarët... Nëse ishin pajtuar shqiptarët për njëmijë e një arsye në 50 vitet e diktaturës dhe nuk ishin në gjak mes veti por po ua pinte gjakun diktatura, ishin në gjak me diktaturën, (sidomos malsia shqiptare) të rikujtoheshin vrasjet para diktaturës, të ricikloheshin vrasjet, t’ua kujtonin njerzve gjaqet e marra e të pamarra, të falura e ta pafalura dhe të nxiteshin për t’ia nisë nga e para. Dhe kjo u bë biznes që lulzoi shumë për 20 vjet që jetojmë pa diktaturë. Që lulëzoi më shumë në malsi, sepse duhej shëmtimi i malsisë domosdo. Dhe vrasjet që bëhën në malsi quhen gjakmarrje, vrasjet që bëhën në zona të tjera të vendit quhen hakmarrje. Le të jenë vrasje bandash, le të jenë larje hesapesh, por kur ndodh një vrasje në malsi apo në veri të vendit, etiketohen ngutshëm si vrasje për motive gjakmarrje, ndersa cfarëdolloj vrasje në jug apo zona të tjera, etiketohen vrasje për hakmarrje…
Qofsha krejt krejt i gabuar, por ishulli shqiptar i gjakmarrjes prej kohësh po nxitet të jetë i tillë ishull që prodhon krim, që prodhon vrasje në familje, në fis, në gra e fëmijë shkolle, në emër të një kanuni të lashtë e madhështor në vetvete, rregullues përfekt i jetës, kushtetutë mbi kushtetutat e kohërave, i drejtë si ai, dinjitoz si ai, vlerë mbi vlerë shqiptare, por që e përdhosin përditë nxitësit, zbatuesit, diktuesit, skenaristët, atorët, regjizorët, editorët, donatorët, porositësit e akteve makabre të gjakmarrjes në emër të Kanunit duke mos e respektuar në asnjë germë kanunin e duke e përdhosur në mënyrën më bastarde vlerën, vitytin, traditën dhe jetën e shqiptarit, kryesisht të malsorit, për t’ia shëmtuar domosdo e me cdo kusht Shqipërisë, Malsinë e saj.
Malësinë e Bjeshkëve të Nemuna, në prehër të të cilave janë auerodromat e zotave. Para atyre pamjeve shtangesh. Shkembinjtë si të vënë me dorë nga zoti për të ndërtuar shtëpinë e tij, të ngjajnë si mure të stërmëdha të një kalaje të stërmadhe.
Malsinë e grave dhe vajzave kelmendase që veshur me xhubleta, me këmisha të bardha, të bardha si aty e askund tjetër, janë zanat e maleve që shpesh i përmend, endërron e perfytyron njeriu por që nuk i takon kurrë në jetë. Në Kelmend i sheh nga afër zanat e maleve dhe njeriu shtang para bukurisë së tyre.
Malsinë që e fyejnë dhe ia pordhosin kulturën, traditën, Kanunin, Malsinë që para dyqind vjetëve në Bajzë Kastrat, fshat të Kelmendit ka filluar të zhvillohet Mis Bjeshka. Para dyqind vjetësh. Kur nuk e dimë se çfarë spektakli bukurie organizohej në kryeqendrat e kulturës europiane. Xhubleta e ngrirë, e derdhur gjer në fund, e punuar si ajo, në mos qoftë më e arrirë dhe më me art se veshjet mondane të salloneve të Evropës, së paku nuk u len gjë mangut atyre veshjeve. Flokët e miseve por dhe e shumicës së grave e vajzave të Kelmendit të derdhura në format më të bukura të kaçurrelave të ngrira krela – krela janë një tjetër veçantësi që qytetërimi e ka hasur në paruket e zonjave mondane nëpër sallat, mbrëmjet apo ceremonitë e rëndësishme të kryeqendrave kulturore të Evropës së hershme.
Malsinë, të cilën komunizmi deshi ta shfaroste, ta zhbënte, të cilës që në vitet 1945 -1946 brigadat partizane shqiptare që nuk hynë dot nga Tamara për atje, hynë nga Jugosllavia e asaj kohe dhe i vranë Kelmendit 146 burra… A nuk ishin boll ato vrasje që duhen bërë të tjera të reja edhe në ditët tona…
Për këtë Malsi është fjala, që duan ta vrasin sot e gjithë ditën, duan ta shëmtojnë me gjakmarrje. Gjakmarrja si fenomen që tashmë po lokalizohet në rajonin e Malsisë së vendit (ndoshta dhe unë po i nxis gjaknxitësit me këtë shkrim që ta shtrijnë gjakbërjen edhe përtej këtij rajoni për të vertetuar të kundërtën e kësaj që them unë) pikërisht mu në zemrën e zemrës së kombit shqiptar, në ashtin e kombit shqiptar, nxitet ethshëm që të sherbejë edhe për të treguar se sa të trashë janë shqiptarët, sa të pashpirt janë shqiptarët, sa pak e vleresojnë jetën e njeriut shqiptarët, sa vrasës e kriminelë të pashpirtë janë shqiptarët, sa pak të denjë janë shqiptarët për Europën, sa të prapambetur janë shqiptarët, se shqiptarët janë me bisht, kanë edhe bisht prapa...
Gjithë qëllimi i nxitjes së gjakmarrjes (po të mos ketë nxitës, s’ka vrasje, s’ka gjakmarrje, po të mos ketë gjakmarrje, s’ka pajtimtarë, s’ka organizata e shoqata pajtimtare, s’ka fonde për pajtim shqiptarësh…) nga struktura të gjëra vendase dhe të huaja, nga sponsorizime të frikshme antishqiptare, bëhet me qëllim të qartë : ta shëmtojnë Malsinë shqiptare, atë palcë të kombit shqiptar, ta shëmtojnë e mundësisht ta shuajnë e shpopullojnë atë zonë të artë ku ruhen rrënjët e lashta të kombit shqiptar si xhubleta shqiptare që më së paku sipas studiuesve është mbi 4 mijë vjeçe; ku është ruajtur dhe ruhet ende i gjallë Cilki i Kreshnikëve, kjo kryevlerë kombëtare që nuk ia ka zili asnjë lloj cikli mbi fytyrë të tokës, asnjë lloj Iliade mbi fytyrë të tokës.
Nuk thotë kot Gjergj Fishta i madh (ah sa duhet sot një misionar si ai…) së në atë zonë rri ora e Shqipërisë.
(Dhe nuk është e rastësishme sot që nxiten vendasit atje që të shesin të gjitha xhubletat që kanë dhe të gjitha lahutat që kanë me çmime të leverdisshme, por jo duke i trajtuar e shitur si vlera të rralla e vecanta kulturore por thjeshtë si vegla muzikore…).
Fenomeni i gjakmarrjes a gjakderdhjes që është i ndezur dhe ndizet sa herë don dikush, apo sponsorizon dikush, në Malësi, p.sh: në Kelmend apo Vermosh, (i përmend Kelmendin dhe Vermoshin vetëm si kryebukuri të kombit shqiptar dhe për asnjë lloj arsye tjetër) në atë zonë e vend perlë mbi perlat e natyrës, e me njerëz si ata, me shpirt e trup me bukuri të frikshme, ku varet në gozhdë Shqipëria, bëhet dhe nxitet edhe me qëllim tjetër të frikshëm (që aktorët lokalë në vend atje, shoqatat lokale atje dhe vendasit në tërsi tek ne, nuk e kuptojnë dhe nuk e rrokin dot, sic nuk kuptojnë edhe pse u futet në xhep ndonjë shuk i majmë parash…), të mos lejohet të përdoret për turizëm kjo zonë vitale, kjo zonë perlë, të mos fitojnë banorët e kësaj zone, të mos fitojë ky komb turistë elitarë, të mos mburret shqiptari me atë pasuri, të mos mrekullohet i huaji me bukuritë përrallore të njerzve dhe vendeve të asaj zone të Shqipërisë së zgjedhur, të mos mbërrijnë kurrë turistët në atë bukuri që ua ka falë vetë zoti shqiptarëve me bujari, por të shkojnë në vendet e tyre, tek fqinjët tanë.
Duke e bërë atë zonë vend gjaku, ku të zen gjaku, ku vritesh për gjak, ku vret për gjak, pa norma, pa rregulla, pa ligje, pa ligje vendi të vjetra që kanë mbajtë në jetë të jetëve gjallë atë vend kryevend të Lekë Dukagjinit, por dhe pa ligje të reja të shtetit që po bën 100 vjet, vend ku jeta nuk ka vlerë, vend ku mund të vritet njeriu për pesë pare spec, po nxisin edhe një shprazje tjetër shumë të rrezikshme, të dhimbshme e të shëmtuar. Vajzat e atyre anëve, bukuri përrallore, që zotat i kanë zili, që janë aq të zonja e madhështore sa që, mbajnë tokën në shpinë e malin në pëllëmbë të dorës, po i martojnë me të huaj në Mal të Zi, apo më saktë me shqiptarë të hershëm të malazezizuar, që nuk dinë e nuk duan më të flasin shqip e të frymojnë shqip.
Nuk jam kundër martesave me të huaj, por jam kundër martesave që bëhen me të shue sepse nuk do ti lejojë askush bijtë e kelmendaseve të bukura të mësojnë gjuhën shqipe, lahutën, të veshin xhubletën. Dhe kështu nga gjakmarrja do të sosen edhe vajzat kelmendase, më të bukurat e botës.
Para më shumë se dyqind vjetësh atje është zhvilluar MIs Bjeshka e kelmendit. Ku ka ndoshur gjetke ky lloj aktiviteti…
Nga diktatura trashëguam mësime se në atë zonë është njohur vec pushka. Nuk e përfilli kush bukurinë e shpirtit të atyre njerzve. Por na i paraqitën të ashpër. Edhe gratë e asaj lloj bukurie të pashoqe na i paraqiten se nuk dinë gjë tjetër në jetë vec të mbajnë armë në dorë. Tringa e Kelmendit me armë, Nora e Kelmendit me armë, Nora e Hotit me armë… O zot! Pse vetëm me armë!? E pse vetëm me armë?!! E pse nuk u cmua e përfill shpirti i atyre njerzve, besa, bukuria etj. Por i mëshohej vetëm këngës, …shqiptarin nuk e ka lind nëna prej barkut por e ka lind huta prej carkut...
Nuk ka zhvillim në atë zonë, nuk ka projekte zhvillimi në atë zonë, nuk i ndërton kush udhët asaj zone që të zbresin lehtë e shpejt në Shkodër ata banorë kur të duan, të shkojnë në Podgoricë kur të duan, të shkojnë në Prishtinë kur të duan.
Jo vetëm që nuk ka dhe nuk përkrahen projekte zhvillimi, apo më saktë nuk celen rrugët se të tjerat i bëjnë vetë ata njerëz, por jepen donacione për shuarje gjaqesh, për pajtim gjaqesh, duke ndihmuar me mos zhvillim në nxitje gjaqesh e vrasjesh. Sa fonde kanë dhënë donatorët e huaj pajtimtarëve e ngatërrestarëve për shuarje e ndezje gjaqesh. Kush janë donatorët, kush janë financuesit e ceshtjes a fenomenit së gjaqeve në Shqipëri.
Pse donatorët e huaj nuk japin fonde për zhvillimin e zonës, për ndërtimin e rrugëve të zonës, për t’u krijuar mundësi atyre banorëve, për ti përfshirë dhe ato zona në Parkun e madh të paqes.
Mos u vertetoftë kurrë dyshimi im dhe qoftë e thënë të mbetet dyshim i imi, por druaj se edhe një nga shkaqet e nxitjes dhe sponsorizimit të gjakmarrjes në atë pjesë të veriut të Shqipërisë bëhët edhe për shkak se dy nga figurat më të rëndësishme të vendit janë nga ato zona. Kryeministri Berisha dhe Kryetarja e kuvendit Topalli. Edhe për të shëmtuar këto dy figura kryesore të vendit nuk është cudi që sponsorizohet gjakmarrja në atë vend.
Edhe për të shëmtuar katolikët e Shqipërisë dhe për pasojë gjithë katolikët, që një zot e di si nuk reagojnë që nga Papa e jo më institucionet katolike në Shqipëri, sponsorizohet gjakmarrja në pjesën katolike të Shqipërisë. Nuk di ç'do të bënte në të tillë rast i madhi Fishta… e mijëra dijetarë e urtarë katolikë të atyre anëve që janë krenari kombërtare shqiptare.
Duket se po nxitet si ceshtje mode të dëgjojmë e shohim spektakle gjakmarrje në veri të Shqipërisë, në pjësën katolike të Shqipërisë, për ti thënë botës se edhe katolikët në Shqipëri janë të trashë dhe jo vetëm myslimanët e ortadoksit shqiptarë. (do zoti dhe ky shkrim nuk nxit kend që të ndezin gjakmarrjen në pjesët myslimane e ortodokse të Shqipërisë…).
Me anë të gjaksave, të nxitësve, të soponsorizuesve, të doracëve, të vrasësve, duke e bërë jetesën të pasigurtë, duke i vrarë djemtë, duke e shkretuar jetën, po shuhet, shitet e po zhbëhet pjesa e ashtit të shqiptarëve, para syve tonë, para hundës tonë, dhe nga mosdashja e ndoshta edhe nga dashja e ndokujt, po ngulmohet të shitet e shuhet pjesa e krenarisë së kombit, rrënjët dhe ashti i tij. Duke ditur gjakndezësit se pa Malsi nuk ka Shqipëri....
3.Kush paguhet për të sharë Udhën e Shqiptarëve
Dikush paguhet, sponsorizohet, dikush paguan, sponsorizon për të sharë e mallkuar udhën e shqiptarëve, rrugën e Kosovës, rrugën e jetës time, rrugën e jetës tonë, urën që lidh kombin e ndarë, rrugën Durrës - Kukës - Morinë. Dikush paguan majmshëm, rëndshëm që ajo rrugë të mallkohet, të pengohet, të mos ndërtohet, të shëmtohet. Ose së paku, në fund të fundit fare ajo rrugë të mbulohet e baltohet me korrupsion shtetëror të qeverisë së djathtë. Kori i korbave është i ngritur dhe krrokrret ditë e natë kundër rrugës. Drejtues të së majtës, zëdhënësa të saj, media të zellshme që s’dallojnë dot kush është kryesore e kush jo, me zëra anonimë (për fat asnjë gazetar serioz shqiptar me emër nuk e ka sharë rrugën), krrokrrasin kobshëm kundër rrugës së shqiptarëve. Pa mundur të na bindin se dëmi është më i madh se dobia e kësaj rruge.
Kush paguan? Kush paguhet? A thua kalecët e lehësit që lehin orë e çast kundër rrugës janë vertetë ato që i marrin paratë e sponsorizimeve, apo ato thjeshtë marrin kacidhet se janë mësuar të marrin kacidhe, para kusuri, dhe janë të tjerë njerëz - korba që rrinë në hije e flasin rrallë kundër rrugës, ato që kanë marrë shumat e panumëruara të parave që të shahet e mosndërtohet rruga e shqiptarëve.
Ajo po ndërtohet. Pra nuk bënë punë paratë tek qeverisja aktuale e shqiptareve për mosfillimin e ndërtimit të saj. Dikush duhet ta pengojë, shajë e mallkojë ndërtimin e saj, autorin e saj, ndërtuesin e saj. Anise autori është Sali Berisha dhe ndërtuesi është Amerika. Përfituesi është Kombi shqiptar dhe Europa dhe janë në përputhje të plotë mes tyre dhe në kundërshti të plotë me kundërshtarët e armiqtë e ndërtimit të saj. Kush e la Shqiperinë pa rrugë? Kush nuk e deshi Shqipërinë më rrugë të brendshme. Kush nuk e deshi rrugën e jetës tonë, rrugën e Kosovës, udhën apo arterien kryesore të shqiptarëve. Kush i hëngri paratë që janë sponsorizuar lumë për vite e vite me radhë për mosndërtimin e rrugëve në Shqipëri, për mos ndërtimin e rrugës së Kosovës, kush? Pse nuk e duan udhën e shqiptarëve, rrugën e Kosovës të majtët shqiptarë?
Po ta donin do ta përshëndesnin e do ta vizitonin njëherë atë rrugë. Nuk kanë hallin e vjedhjeve të supozuara në atë rrugë. Por kanë hallin që ajo rrugë të mos bëhet. Se mund të jenë paguar që të mos bëhet ajo rrugë. Opozita socialisto-komuniste e vendit është kundër ndërtimit të rrugës së bashkimit me Kosovën, kundër udhës së shqiptarëve, kundër rrugës së jetës tonë, kundër urës që lidh kombin. Jo se rruga po kushton shtrenjtë, sipas tyre, sepse në fakt nuk po kushton shtrenjtë po të krahasohet me simotrat e saj në rajon e më tej, pasi aty nuk po ndërtohet një rrugë e zakonshme por autostrada e parë e vendit, aty po zhduken male, kodra, lugina, aty po transformohet relievi, aty po ndryshon gjithçka, aty po ndodh e pabesueshmja, aty po shembet mali, po rishembet sepse ka rreshqitë sërish e sërish. Opozita është kundër sepse nuk e don Kosovën. Nuk e don dhe pikë. Nuk don që shqiptarët e Kosovës të jenë prezent në Shqipëri. Që uikendin ta bëjnë në Shqipëri. Që të vijnë qindra mijëra prej tyre çdo fund jave në Shqipëri. Pasi ato janë ende të sëmurë të vijnë në Shqipëri. Të harxhojnë euro në Shqipëri. Të vijnë në det edhe në dimër e jo veç në verë.
Opozita shqiptare nuk do që të bëhet kjo rrugë edhe sepse në jetë të jetëve kjo rrugë do të ketë autor Sali Berishën. Do të mbajë emrin e Sali Berishës. Po të sillej ndryshe opozita socialkomuniste do të ndodhte që së paku njëherë drejtuesi i saj i radhës të shkonte ta vizitonte rrugën. Ti falenderonte ato mijëra punëtorë që punojnë 24 orë aty. Të falenderonte amerikanët dhe turqit që po e ndërtojnë atë rrugë. Dhe të vazhdonte të kërkonte llogari pastaj tek qeveria e të padiste qeverinë në organet e drejtësisië. Të artikulonte qartë se ne e duam rrugën, i duam amerikanët e turqit që po e ndertojnë koridorin e shqiptarëve, por jemi kundër abuzimeve të mundëshme, abuzime të cilat duhet t’i çertifikojë vetëm drejtësia por jo në konferencat e shtypit të morrave e mjaullitësve të opozitës apo në foltoren e parlamentit shqiptar. Të shkonin deputetët socialistë tek rruga, të mrekulloheshin, të njerzoheshin, të mos demonstronin urrejtje ndaj shqiptarëve të Kosovës, mosdashuri dhe përbuzje ndaj tyre, frikë pafund ndaj tyre, frikë prej antikomunizmit natyral të shqiptarëve të Kosovës, frikë ndaj mospranimit prej shqiptarëve të Kosovës të së majtës sllavo-ruse të Shqipërisë.
Por ato nuk e duan koridorin që bashkon shqiptarët. Sepse tremben. Dridhen. I tmerron Kosova, patriotizmi real e historik i saj. Dashuria e saj e pandreqshme ndaj Shqipërisë, që, gabimisht sot e gjithë ditën, e qujnë shteti amë, duke e e vetpërbuzur Kosovën, duke harruar se atë e kanë ëmë e atë, se aty janë që para diellit e para dreqit, që vend amë e kanë Kosovën po aq sa edhe Shqipërinë. Por e kanë nga dashuria pa kushte ndaj Shqipëqrisë duke mos menduar se bëjne gabim të rëndë dhe kënaqin tezën historike serbe. Të majtët shqiptarë, të mësuar historikisht të qeverisin një vend të izoluar, që të mos ketë mundësi të jetë i hapur, të behet i dijshëm, të mos kenë mundësi njerzit të shohin e të shihen prej të tjerëve, i kapin dridhmat po të hapet vendi, po të bëhet i lirë vendi, po të qarkullohet vendi. Të majtët kanë qenë historikisht kundër ndërtimit të rrugëve në vend. Sepse kështu kanë mundësuar mbajtjen e vendit si burg dhe mbajtjen e njerzve në burg të madh. Është e thjeshtë të vertetosh çfarë po them. Po të donte diktatori Enver Hoxha sot Shqipëria do të ishte si shumë vende të tjera të rajonit që kanë rrugë model, që nuk kanë lënë rajone të vendeve të tyre pa rrugë moderne. Edhe Titoja që nuk ishte shqiptar ia bëri rrugët Kosovës edhe pse ajo ishte shqiptare. Por diktatori Hoxha nuk donte të kishte rrugë Shqipëria sepse pastaj njerzit do të qarkullonin dhe do të ishin më të lirë. Ai donte t’i mbante në burg. Siç i mbajti për gjysmë shekulli. Por po të donte ai i kishte të gjitha mundësitë të shfrytëzonte skllaverisht shqiptarët siç ka bërë për gjëra të tjera dhe sot do të ishin të bëra të gjitha rrugët e vendit.
Të majtët shqiptarë edhe në vitet e sistemit demokratik nuk i bënë rrugët e vendit. Sepse nuk donin qarkullimin e shqiptarëve. Nuk donin që shqiptarët të njihnin Shqipërinë e aq më pak donin të njihnin vende e shtete të tjera. Ndaj sot nxënësit shqiptarë dinë të flasin për shkretëtirat afrikane e për plot imtësira të botës së largët dhe nuk dinë të flasin për Shqipërinë. Nuk din një nxënës gjirokastrit të flasë për Shkodrën siç shkodrani s’di për Gjirokastrën. Pa le më të dijë prishtinasi për korçarët a vlonjatët e anasjalltas. Kjo nuk ka ndodhur pa qëllim dhe nuk ndodh pa qëllim. Prandaj të majtët janë kundër rrugëve. Kundër rrugëve brenda Shqipërisë dhe jo më të jenë pro rrugës që bashkon kombin, që çliron Kosovën që e bën Shqiperinë urë për Europën. Po të shkonin përfaqësuesit socialistë të Shqipërisë të vizitonin rrugën do t’ia hiqnin vetës akuzën që u bëjne gjithë shqiptarët se të majtët janë kundër Kosovës shqiptare. Por ato nuk denjuan ta vizitonin rrugën. Dënjuan të shanin pafundësisht, ta urrenin pafundësiht, ta mallkonin pafundësisht, duke fshehur shkakun e vertetë të urrejtjes së tyre, duke e maskuar këtë shkak dhe duke u paraqitur para shqiptarëve sikur po ju dhemb se po abuzohet në atë rrugë.
Ajo rrugë për shqiptarët, për kombin, nuk ka çmim. Nuk ka çmim. Nuk kërkohet gjilpëra në kashtë kur bëhet fjalë për mrekullitë e njerzimit. Por një çmim i madh është sponsorizuar për ta sharë rrugën, për ta kundërshtuar rrugën, për të mos u bërë kjo rrugë. Problemi është se kush ka paguar më shumë për të sponsorizuar luftën politike e mediatike që i bëhet ndërtimit të rrugës së jetës së shqiptarëve, rrugës së Kosovës. Kush ka dhënë para më shumë si sponsor. Këtë nuk e di saktësisht por e ndjej, e prek përditë, e dëgjoj përditë. Sepse shoh njerëz me moral të dyshimtë, që nuk dinë të kenë minimum atdhedashurie që shigjetojnë helm kundër rrugës së jetës tonë. Sa para kanë futur në xhepat e tyre, para nga ata që ju prishen interesat strategjike, ekonomike, politike nga ndërtimi i kësaj rruge. Sepse sharësit profesionistë të rrugës së jetës tonë si vajtoret profesioniste janë paguar majmshëm për të sharë. Janë paguar majmshëm për ta ndaluar e penguar ndërtimin e kësaj rruge. Janë gati të kamikazohen veç të ndalet ndërtimi i rrugës. Dhe po u ndal ndërtimi i saj do të thotë që u rrënua Sali Berisha, u rrënua Bekteli amerikan, u rrënua Amerika. Dhe fituan ato që janë paguar prej 15 vitesh të pengojnë ndërtimin e rrugëve në Shqipqri. Ka 15 vjet që individë shpirtshitur në struktura të ndryshme të shtetit janë paguar nga antishqiptarë që të pengojnë ndërtimin e rrugeve të Shqipërisë. Sali Berisha duket se e di se kush ka marrë para për të penguar ndërtimin e gjithë rrugëve dhe sidomos ndërtimin e rrugës së Kosovës. Ai si duket e din se kush i ka dhënë ato para, nga kanë dalë ato para. Dhe ndaj e ka shpallur bast ndertimin errugës së jetës tonë. Bast që duket se do ta fitojë sa i përket të paktën segmentit që po ndërtojnë amerikanët e turqit, pasi për segmentet e tjera, mund të minojnë punën dhe afatet sponsorizimet që janë dhënë për ta penguar e sharë ndërtimin e kësaj rruge. Kjo duket se edhe puna në segmentet e tjera nuk të jep optimizëm se do të përfundojë në afat.
Të majtët shqiptarë u vetëdekonspiruan se kanë marrë para për ta sharë rrugën, për ta penguar rrugën derisa ato nuk e vizituan kurrë atë që të ndaheshin qartë me deshirën për ta ndërtuar rrugën dhe pastaj me kërkimin e qiqrrave në hell. Të majtët shqiptarë kanë zgjedhur më mirë të marrin një grumbull me para dhe të shajnë, mallkojnë e ndalojnë ndërtimin e rugës së sa të duan atdheun dhe të ardhmen e jashtëzakonshme që i jep këtij atdheu ndërtimi i asaj rruge, të ardhmen e jashtëzakonshme që do të kenë portet e ujrat shqiptare, gjithë teritori shqiptar. Ato si internacionalistë të pandreqshëm duan më shumë vendet e tjera që ua pakëson potencialet ndërtimi i kësaj rruge se sa duan Shqipërinë që i shtohen potencialet dhe mundësitë. Të duash Shqipërinë më shumë se këdo vend tjetër, nuk do të thotë se po urren vend tjetër, por të duash Shqipërinë tënde më pak se ndonjë vend tjetër, mendoj se kësaj i thonë të urresh vendin tënd. Duke pëmbledhur shkurt pra gjithë historinë them me bindje se opozitarët shqiptarë vetëm kanë marrë shumë para ndaj e shajnë rrugën dhe duan ta ndërpresin ndërtimin e saj që të mbetet gërmadha më e madhe e botës që do ta shëmtojë Shqipërinë në jetë të jetëve. Ose janë antishqiptarë të pandreqshëm, antishqiptarë rrace që duan vetëm të keqen e shqiptarëve, izolimin e shqiptarëve se ndryshe nuk mendojnë dot se mund të qeverisin e të drejtojnë në këtë vend të vogël që e kanë kafshuar, e coptuar ndër shekuj e mijëvjecarë.
Se çfarë sjell ndërtimi i rrugëve, cfarë zhvillimi e ndryshimi sjell ndërtimi i tyre kemi shembuj sa për ta vlerësuar. Shihni se cfarë ka ndodhur në aksin Tiranë - Durrës ose Fushë Kruje - Tiranë, ose shihni se cfarë po ndodh në aksin Lushnje - Fier. Shihni anash rrugës se cfarë po ndodh, cfarë ndryshimi ditor po ndodh. Mos mendoni se gjithmonë shqiptarët do të budallallepsen të ndertojnë vetëm karburante në çdo 100 metra rrugë. (Tmerr të mendosh se vendi ka mbi 2000 karburante kur i duhen maksimalisht 300 të tillë). Jo, do të ndodhë ndryshe me kalimin e pak viteve. Shkoni e pyesni se si është rivlerësuar toka kudo ku kalojnë rrugët. Ka vende që hektarin mund ta bleje me dyqind dollarë. Por sot metrin katror aty ku kalojnë rrugët nuk e blen dot me dy apo treqind dollarë. Po rivlerësohet toka kudo ku kalojnë rrugët. Kush nuk e deshiron këtë fakt pozitiv përveç të majtëve shqiptarë, apo më saktë përveç drejtuesve të të majtës shqiptare që nuk duan të humbasin sponsorizimet që u bëjnë antishqiptarët për të penguar ndërtimin e rrugëve në këtë vend. Për pak para bëhen mercenarë të së ligës, të antishqiptarizmnit.
Por koha do të rrjedhë dhe rruga e shqiptarëve, rruga e jetës tonë duket se do të përfundojë nëse do të qeverisë Sali Berisha. Si do t’ia bëjnë kalorësit e së keqës, shpifësit dhe sharësit e rrugës, si do të shkojnë në Kosovë, nga do të shkojnë nga Kosovë. A do të munden të hyjnë nëpër atë rrugë të udhëtojnë. Sepse është mallkim i rëndë të shash rrugën. Mallkim i rëndë si mallkimi kur shan vijën e ujit. Mallkim i rëndë që i bëhet tokës shqiptare. Kam frikë se kur të udhëtojnë të pacipët nëpër atë rrugë, ka mundësi të hapet rruga, të hapet toka e ti përpijë brenda. Se kjo tokë nuk i duron gjatë. Shkuan para ca ditësh në Kosovë drejtuesit socialistë. Dhe drejtuesit e Kosovës, në situatë paqartësie e të paqetë, i pritën drejtuesit socialistë shqiptarë. Nuk u thanë në Kosovë se pse shani rrugën tonë, rrugën e jetës tonë. Se nuk është më ai i madhi, i papërsëritshmi Ibrahim Rugova që tallej me socialistët shqiptarë – antishqiptarë dhe në vend që tu përgjigjej për pyetjet që i bënin ai u fliste për manin pranë selisë, për frutat e manit, për rakinë e manit dhe i poshtëronte deri në palcë për antishqiptarizmën që demonstronin ndaj Kosovës. Nuk u thanë se ju që luftoni të na mbyllet dera duke mos përkrahur rrugën e Kosovës, vini e na vizitoni por nuk e meritoni pritjen tonë por meritoni të mos lejoheni të shkelni në Kosovë derisa doni vdekjen e saj. Shkuan në Prishtinë dhe duke dashur të thonë se e duan Kosovën i bënë thirrje të mos pranonte ndërkombëtarët, i bënë thirrje kundër thirrjes që i binin kosovës mbrojtësit amerikanë që ia dhuruan asaj lirinë, pavarësinë dhe paqen që kanë në Kosovë. U bënë dhe u deklaruan më priftërinj se Papa. Kishin marrë edhe Majkon me vete. Majkon që t’u kujtonte atje se historia e Kosovës ka edhe emrin Majko. Pikë e zezë. Dhe kishin shkuar me 28 nëntor në ditën e pavarësisë së Shqipërisë, në ditën kur flamujt shqiptarë valviten në Kosovë dhe vetëm atje si askund në hapsirat shqiptare. Sepse ato ia dinë vlerën pavarësisë sepse u ka munguar gjatë edhe në ditët moderne në gjalljen tonë. Majkon me vete që tu kujtonte se ne jemi ata që nisëm rrugën Durrës - Prishtinë. Po, tre here deshën ta nisnin rrugën por nuk e nisën dot, sepse nuk ua prishinin dot qejfin fqinjëve e përtej fqinjëve që nuk e duan atë rrugë dhe nuk kishin tope për ta nisë e bërë atë rrugë. Po. Majko në këngë e bëri atë rrugë. Zhurmë u bë. Në Rrëshen tre herë u inagurua fillimi i punimeve me forcat tona gjeniere që kishin kamionë pa goma e traktorë pa goma e pa zingjirë e ushtarë me lopata të këputura. Por një gjë është tejet e sigurtë, për ata që e dinë se si funksionon shqiptari i Kosovës, si mendon dhe vepron ai. Edhe pse qeveritarët e ndryshëm të tyre, tejet të kompleksuar e të errur partiakisht, atje në sofrën e tyre mund të mos ia përplasnin në fytyrë urrejtjen drejtuesve socialistë të Shqipërisë, qytetari i Kosovës të saluton e respekton me një pordhë nëse del kundër rrugës së jetës së tyre, jetës së shqiptarëve, nëse del kundër të ardhmës së tij. Ata dinë të heshtin e të të përbuzin me heshtje sepse janë durimtarët më të mëdhenj të njerzimit, dinë të presin që zoti të hakmerret për ta, dinë të besatohen me kalorësit e mëdhenj të lirisë që natyrisht dhanë pëlqimin për ta bërë udhën e shqiptarëve dhe dërguan edhe Bektelin nga përtej oqeanit për ta bërë udhën e shqiptarëve.