Agjencioni floripress.blogspot.com

2013/01/12

Nga Flori Bruqi:Poeti i sfidave:Naim Kelmendi

Heroi biblik e zotëroi nga fillimi deri në fundin e vet betejën e pasmbrapsur të heroizmit shqip. Në çastin kur bishat e çmendura arritën ta vrasin më të mirin (o Zot sa keq ata u sollën me koka të prera, njerëz të vrarë, pleq e plaka, nëna të therura me shtatzëni!) diçka e thellë, e tillë u shkrep në truallin dhe shpirtin që kërkonte vetëm gjak arbëror. Fillimisht, në këtë truall lindi poeti ynë, i cili, ka gjëra të përbashkëta me vargjet fishtjane, mbase të ndërtuara në mënyrën më pikante te poema “Shqiptari vdes duke kënduar”. Por, poeti i ditëve tona është poet modern, i fuqishëm, që e bëri të flasë shqip – heroizmin e babë Shabanit, bacë Ademit, Hamzës, Agim Ramadanit.

Homerit shumë i pëlqente zotërimi. Deri në momentin kur dueli hyjnor – ishte i pakryer, poeti i verbër e kishte dashtë shumë Akilin, e kishte vlerësuar atë si një zotërues, krejt ashtu siç e synonte dhe ai vetë botën. Bota i pranon dy a më shumë zotërues. Ne nuk e dimë se si e ka ”parë” Homeri duelin Hektor-Akil, ashtu i verbër, ashtu me errësirën e padepërtueshme dhe të përjetshme nëpër sy, ashtu i pamundur, por e ka ndjerë e ka dëgjuar nga shembja e “thelbit” të tij. Akili ka qenë një rast – hata, një kohë – hata, një njeri – hata, një vrasës dhe një fitues – hata. Ka qenë momenti që poeti ka kuptuar se ai, Akili, nuk është zotëruesi, por sunduesi, e vetmja gjë e përjetshme që nuk u ka pëlqyer poetëve. Zotëruesi i baladës është nga Ruhoti i Pejës, është shqiptar, ka të botuara 17 vepra letrare. Ai është si zogu që ka hyrë edhe vetë në balada lufte, sepse edhe ky ishte njeri i Baladave. Ai u ngrit me vargun e tij për t’i dënuar ata – mizorët, që u sulën pabesisht – pas shpine, me elaborate, histori të tmerrshme, për t’i zhbërë me rrënjë nga faqja e dheut – Njerëzit Legjenda -Adem Jasharin, Drenicën, Deçanin, Rugovën, Logjen e Llapin, Isa Boletinin, Agim Ramadanin, që pikturën dhe poezinë dardane e la ta shkruajë në kohë paqeje, që kurrë për së gjalli s’e arriti.


Poeti shqiptar ka emër dhe mbiemër, ai është Naim Kelmendi, që ribotoi në Shtëpinë Botuese “Rugova Art”, poemën – Legjendë, me titull “Shqiptari vdes duke kënduar”.

Dhembja e çdo vargu, e shkruar nga poeti ynë, pulson në çdo strukturë të brendshme, që shtrihet gjatë leximit në thelbin racional, ndërsa dhembjet ai i vë në shtratin e poemës nacionale. Pozicioni i çdo fjale, shenje, është i paracaktuar.




Poema për Adem Jasharin e ka strukturën fishtiane

Ajo është fabul, prandaj e ka strukturën e poemës në gur. Duke e lexuar baladën kushtuar Adem Jasharit me titull ”Shqiptari vdes duke kënduar”, e cila është botuar para 11 vjetëve, në numrat e gazetës” Bota sot” (15 mars 1999 dhe 31 mars 1999), që, më vonë, është botuar si libër poetik(viti 2000 dhe ribotuar sivjet me disa plotësime ) me kapitujt II dhe III: “Poezi nga lufta” (5 poezi), të shkruara në frontin e Kosharës, pra gjatë luftës, me vjershat: Shqiptarët në luftë, Histori e gjallë, Vargje në mes plumbash, Fundi, Ora e fundit); kapitulli i tretë me titull “Kapërcimi i ujërave të turbullta” (13 poezi të shkruara gjatë luftës: Shqiptarët, Hyrje në atdheun e djegur, Zabullimë, Shkëlqim i zi, Misteri, Rendi i shurdhmemecëve, Fjalë e drejtë, Pështjellim, Tregim i moçëm, A pritet vdekja në shtrat, Krimet, Kapërcimi i ujërave të turbullta, Mundja e përlindëshave) janë eksponent i shkëlqyer në ndihmë të argumentit për ndryshimin semantik të kësaj tradite të të menduarit. Dihet se shkrimtarët dhe të gjithë krijuesit e artit të vërtetë janë subjekte të faktorëve të ndryshëm jetësorë.
Lexuesi, pasi ta ketë lexuar librin ”Shqiptari vdes duke kënduar”, gjithsesi do të bindet se Naim Kelmendi është poet modern.


 Lexuesi i mirëfilltë, kur i lexon 47 baladat e Naim Kelmendit, do ta ndjejë veten si në një shfaqje filmike, ku personazhet si Adem Jashari, Hamza Jashari, Shaban Jashari, Isa Boletini, Oso Kuka, Agim Ramadani,
Kosharja legjendare, lëvizin si në ekranin e filmit duke na dhënë një art skenik në heshtje, apo një vallëzim të zjarrtë, që herë-herë është i akullt, me përplot akrobacione të kryera skenike të një kalibri protonizmian. Sekreti dhe talenti estetik i homerianit tonë shqiptar i përket një fuqie tjetër: asaj të njohurive të shkëlqyera të kodeve të shkruara dhe të pashkruara të gjinisë së poemave të gjata, asaj të përvetësimit të plotë të gjitha elementeve të poezisë (e veçanta është se askund nuk përdorën shenjat e pikësimit),asaj të zotësisë së tij profesionale për t’i kthyer këto njohuri në instrumente diplomatike, që ndihmojnë drejtpërsëdrejti në kryerjen sa më të përsosur të plotësimit “të shkyer” të hartës arbërore nga Europa plakë.



 Le të përqendrohemi në disa prej këtyre elementeve si dhe në mënyrën se si efektet e tyre kanë ndikuar kaq pozitivisht në poemën që gjejmë në librin e posabotuar ”Shqiptari vdes duke kënduar”.



 Që në rreshtin e parë të poemës (prej 30 baladave) kushtuar Adem Jasharit, legjendës së trimërisë shqiptare, është një rrëfim fishtian, i gjallë, i shfaqur me një sugjestivitet, i cili të tërheq më shumë kënaqësi drejt fundit.

Vini re fjalitë e para:

Gjaku është e vetmja metaforë e kuqe
Vdekjes i jep kuptim përjetësisë rrënjë
Mbi imazhin e sakatosur të Dhe Atdheut
Si dhe vargjet:
“Aty ku dhemb Kosova a nuk derdhet gjaku,
aty ky vritet Kosova a s’është gjasë e vjetër vetë vdekja”

(Balada 1, faqe 11)

Pra, poeti Kelmendi, zotëron lirshmërinë narrative, paraqitjen dinamike. Duke fokusuar aspektin psikologjik të ndodhisë apo gjendjes, ai përqendrohet pikërisht në rrëfimin e këtij aspekti. Kjo i ka dhënë atij mundësinë të mos bjerë në komente apo analiza psikologjike,por që gjendjen psikologjike e manifeston brenda tekstit apo nëntekstit në strukturën tekstore:

Pahetueshëm a s’po e sheh gjakun tim
të shprishur gjeografisë popullore copat,
e ndara në duar të ndyra në gojë myku,
përgjaket njeri cep, shpopullohet tjetri,
masakrojnë të parin e copëzojnë të dytin,
andej u vrasin zogjve këngën e parë…

(Balada 6, faqe 16).

Ose:

… fjala e pathyer në emër të Atit e të Birit
e në emër të shpirtit vetë vdekja e trimit
në shtat e shtatëqind vafshin se unë njëherë
kam vendosur të bëj timen për dhe Kosove,
ah, këtij dheu i pëlciti mjaft zemra…

(Balada 7, faqe 17).

Tek analizojmë poezitë i identifikojmë argumentet, gjendjet dhe, falë pastërtisë së jashtëzakonshme të baladave të Naim Kelmendit, nuk e kemi të vështirë t’i kuptojmë shtresat e niveleve filozofike dhe psikologjike, që gjenden pothuaj në çdo varg të këtyre baladave-legjendë! Në secilin varg të librit” Shqiptari vdes duke kënduar”, gjejmë domethënie të dyta e nganjëherë të treta për t’i analizuar në detaje. Është interesante se çdo varg është i regjistruar si me kamerë, me imtësi funksionale, sikur veprime e gjeste të aktorëve, trillet e zogjve, instinktet e kanibalëve sadistë, që “s’kanë gjak njeriu, janë krijesa shpirt djalli, vijnë nga terri monstruoz i historisë makabre, të mësuar brez pas brezi të pinë gjak shqiptari” (balada 24, faqe 34). Naim Kelmendi e di mirë se me çfarë cilësish duhet t’i veshë protagonistët dhe në ç’fushëbetejë duhet t’i vendosë ato figura. Ai është shumë i kujdesshëm se kush janë, ç’qëllime kanë dhe ku e kur humbin apo fitojnë.

Personazhet e Naim Kelmendit janë të besueshëm, sepse vetë ai si autor është i besueshëm. Ai u lejon atyre gjuhën që ata zakonisht përdorin, vetitë dhe veset që kanë.

Naim Kelmendi është dhe do të jetë i suksesshëm në poezinë moderne shqipe, sepse, nga njëra anë, ai e njeh mirë njeriun, vuajtjen dhe psikologjinë e tij, shoqërinë, së cilës ai i përket, si dhe jetën në përgjithësi. Nga ana tjetër, ai ka triumfuar në artin e krijimtarisë edhe më dy vepra tjera: “Në një jetë pas Krishtit” (Rugova art, 2010) dhe “Esenca” (Rugova art, 2010). Naimi zotëron mirë të gjitha sekretet e zanatit të tij, si një poet i madh bashkëkohor.

Naim Sali Kelmendi lindi më 10.09.1959 në Ruhot të Pejës.Rrjedh nga një familje e njohur për tradita patriotike në Rrafshin e Dugagjinit.Ëshë biri i nacionalistit të mirënjohur Salih Ramë Kelmendi nga Haxhaj -Rugovë. Për të parët e familjes së tij është shkruar edhe në “Lahutën e Malësisë” së Gjergj Fishtës duke përmendur të parin e kësaj familje -Rrustëm Ukën…Babai i Naimit,Salihu ishte i ndjekur dhe i burgosur nga shovenistët serb në kazamatat jugosllave.Deri më vdekje babai i tij mbeti konsekuent ndaj çështjës kombëtare….

Naimi,për disa vjet ka punuar si gazetar i gazetës “Bota sot”,kurse gjatë luftës çlirimtare në Kosovë,ishte reporter lufte në betejën famoze të Kosharës( 1999)prej nga lexuesi shqiptar njoftohej për luftën heroike të vashave dhe djemëve shqiptarë… Poashtu ai njoftonte opinionin mbarëkombëtarë për të bëmat e lavdishme dhe heroizmin e kësaj beteje të lavdishme,por më vonë Naim Kelmendi shkroi edhe mjaftë radhë,artikuj ,intervista etj.,për një tjetër betejë të lavdishme-Betejën e Loxhës në gazetën “Pavarësia Neës” etj.Naim Kelmendi tërë jetën e tij e deri më sot ia kushtojë çështjes sonë kombëtare gjegjësisht penda e tij nuk pushojë kurrë së shkruari poezi e prozë për Kosovën dhe popullin e robëruar shqiptar, dhimbjet e të cilit do t’i përjetojë rëndë në shpirt, njësojë sikur mallin për babanë e tij, ngrohtësinë dhe zërin e ëmbël të të cilit nuk e shijoi kurrë në jetë.…

Naim Kelmendi edhe tash vazhdon të shkruan poezi, të këndojë dhe t’i thurë këngë lirisë së fituar me aq shumë gjak, do të këndojë bashkë me popullin e tij të cilit i thuri aq shumë vargje, dhe për lirinë e të cilit ishte i gatshëm të sakrifikohet në çdo çast.Poetët janë zëri më i bukur i një populli, janë këngëtarët më të mëdhenjë që i këndojnë lirisë, janë bilbilat më të bukur të botës që ia thonë këngës në çastet më të vështira kur të tjerët vajtojnë, vetëm e vetëm që ta mbajnë të gjallë shpirtin e popullit kur ai kërcënohet me zhdukje, siç ishte rasti para një decenie me popullin të cilit i takonte Naimi. Për këtë ai deri më tani ka botuar mbi 12 përmbledhje poezish, ka shkruar me dhjetra punime publicistike dhe gazetareske, është marrë me aktivitete të shumta kulturore, qoftë në Kosovë(Pejë,Ruhot,Prishtinë) në Zvicër,Shqipëri etj.

Naimi ishte redaktor i disa revistave shqipe në diasporë si “Top-Kultura” , “Mërgimtari”, etj. ka organizuar me dhjetra takime dhe mbrëmje letrare, promovime librash, ishte reporteri i parë i gazetës “Bota Sot” që arriti të raportojë nga fronti i luftës në Koshare, ishte bashkëpuntor i shumë botimeve në gjuhën shqipe…Ishte pra gjithmonë ndër të parët në front, në ate intelektual dhe ate të luftës, nuk i frikësohej as vdekjes, sepse trimërinë ia kishin lënë trashëgim të parët e tij nga Rugova, gjysh e stërgjysh, denbabaden deri në ditën e kijametit.

Veprimtaria letrare e Naim Kelmendit , siç na është e njohur mirë përveç vlerave të larta letrare, stilistike, ka edhe vlera pozitivisht të theksuara gjuhësore. I lindur e i rritur në Ruhot, ai si një fëmijë e më vonë si një djalë e veçmas më vonë si nxënës dhe student vërejti se të folurit e Rugovës ka një veçori të vetën e cila po të mbledhet e të ruhet, jo vetëm që do të jetë një thesar i paçmuar për gjuhësinë, por edhe burim e leksik i pashterrshëm për letërsinë, posaçërisht për poezinë.

Qysh në përmbledhjen e parë të poezive me titull “Shtreza në fjalë” është hetuar tek ai se adhurimi i tij është shumë i fortë për leksikun autokton rugovas dhe se ato fjalë të vjetra do të mund të shfrytëzohen pafundësisht në poezi. Kjo prirje e tij vazhdoi të thellohet edhe te veprat e tjera, deri tek ajo e fundit.

Mund të thuhet se Naim Kelmendi një numër të madh fjalësh të leksikut rugovas e futi me gjeturi në poezi, ia gjeti vendin e përshtatshëm aty dhe ashtu e mbetur ajo u ngulit aty edhe më tej nga bashkëfrymëzuesit e tij, kështu që në saje të meritës dhe të pasuesve të tij, gjuha jonë e ka rinuar një numër fjalësh e shprehjesh të vjetra, ua ka rigjeturur vendin aty dhe aty kanë mbetur e do mbesin përgjithmonë si pasuri edhe e leksikut letrar. Një meritë tjetër e Naim Kelmendit si poet e prozator e ka edhe për gjetjen e neologjizmave (fjalëve të reja), për krijimin dhe formimin e tyre, duke i dhënë një kontribut të madh neologjisë shqiptare.

I dhënë pas letërsisë, ku e ka gjetur strofullën shlodhëse për shpirtin dhe ndjenjat e tij, ai si gjuhëtar tërthorazi ia begatoi leksikun gjuhës së vet, e cila në penën dhe gjeturinë e tij, gjeti një mjeshtër kulmor për ruajtjen e të vjetrave dhe krijimin e fjalëve të reja sipas dhe në saje të mendjes dhe syrit shigjetues të tij(Nyja e Gordit).

Nga leksiku popullor Naim Kelmendi ia doli të fusë në përdorimin letrar me dhjetra e dhjetra fjalë, të cilat, jo vetëm që nuk ia ulnin vlerën letrare asaj gjuhe, por, përkundrazi ia ngrisnin, ia larushonin dhe ia mbushnin me poezicitet. Natyrisht se një vlerë të tillë nuk mund ta ketë çdo fjalë e leksikut popullor, prandaj ai arriti mjeshtërisht të zgjedhë ato fjalë që në vetvete kishin bukuri fjale, bukurtingëllim, veçanësi emërtimi ose shënjimi(Pse ashtu Pandorë).

Nga sa u tha, Naim Kelmendi në lëmën e leksikut ka sjellur një pasuri leksiku jo vetëm me brumin vetanak por edhe duke e rikthyer në jetë një numër fjalësh të gjuhës sonë, të cilat poezisë i japin hijeshi, gjerësi kuptimi e sidomos melodicitet autokton.Fjalët e reja të qëmtuara nga veprat, shkrimet dhe shënimet e tij mua më kanë hyrë në punë si lëndë e pakapërcyeshme në punën time gjatë hartimit të FJALORIT TË FJALËVE TË REJA. Ndër krijuesit më të frutshëm të fjalëve veçohet i dalluar edhe Naim Kelmendi ashtu si Azem Shkreli dhe Ramiz Kelmendi.

Prej pendës së Naimit kam qëmtuar dhe shënuar me dhjetra fjalë të tipit të neologjizmave. Naim Kelmendi këngën e ka ndërtuar me fjalë ngjyrimesh të ndryshme ndër të tjera edhe me përmbledhjen me poezi “Nyja e Gordit” . Ai me një “daltë fjale” në dorë këndoi edhe kur shkroi përmbledhjen me poezi “Përballje me vdekjën” me atë formën më të bukur që dinë poetët të bëjnë mjeshtërinë e fjalëve (Eklipsi  diellit,
Albanoi,Nyja e Gordit,Pse ashtu Pandorë,Kohë për të folur gurët,Sipërfaqja e padukshme etj). Për krijimtarinë letrare e publicistike të shkrimtarit tonë të mirënjohur Naim Kelmendi kanë shkruar:Ramadan Musliu,Sali Bashota,Basri Çapriçi,Iljaz Prokshi,Fatos Arapi,Azem Shkreli,Agim Vinca, Shyqri Galica, Abdullah Konushevci, Rushit Ramabaja,Skënder Buçpapaj,Arbër Ahmetaj,Januz Fetahaj,Elida Buçpapaj,Hasan Mujaj,Sejdi Berisha, Shefqet Dibrani,Shaban Cakolli,Ali D. Jasiqi,Sinan Gashi,Rrustem Geci,Avni Nezaj, Rexhep Elezaj,Nazmi Lukaj,Ndue Ukaj,Prend Buzhala,Shahbaze Vishaj,Sarë Gjergji,Flori Bruqi,Valdet Hysenaj etj.

Publicisti Naim Kelmendi ka shumë libra dhe vlejnë t’i veçojmë disa prej tyre:

1.Shtreza në fjalë,poezi,Prishtinë ,1984.
2.Albanoi,poezi,Prishtinë,1986.
3.Nyja e Gordit,poezi,Prishtinë,1987.
4.Ç’ të bëj me dhembjen,poezi,Prishtinë,1987.
5.Pse ashtu Pandorë,poezi,Prishtinë,1989.
6Përballje me vdekjën,poezi,Prishtinë,1993.
7.Eklipsi i diellit,poezi,Prishtinë,1993.
8.Vrasja e deputetit,monografi,Prishtinë,2003.
9.Shqiptari vdes duke kënduar,poemë për Adem Jasharin,Prishtinë,2003.
10.Kohë për të folur gurët,poezi,Prishtinë 2004.
11.Sipërfaqja e padukshme,poezi,Prishtinë 2005.
12.Beteja e Kosharës,monografi,Prishtinë,2008.
13.Pikëpamje dhe reagime ,2008.
14.Në një jetë pas Krishtit,2010
15.Esenca,2010
16. Shqiptari vdes duke kënduar,botim i dytë,2010

Etj.




Naim Kelmendi është njëri nga publicistët që, me penën e tij, i doli përballë krimit që mbiu në Kosovë menjëherë pas përfundimit të luftës, pjesëmarrës i së cilës ka qenë edhe vetë si reporter lufte në Koshare.Për këtë guxim të tij, për këtë përpjekje në funksion të ndërtimit të një shteti të mirëfilltë ligjor, për vizionin e tij për një Kosovë demokratike-ishte për një kohë të gjatë i kërcënuar nga grupet kriminale që u konvenonte anarkia, për ta shfrytëzuar këtë (anarkinë) për pasurim brenda nate.



Naim Kelmendi krejt çka mendoi për zhvillimet e pasluftës në Kosovë, e tha haptaz. Prandaj, vlera e shkrimeve të tij qëndron jo vetëm te ana cilësore e tyre, por edhe te guximi për t’i thënë me emrin e vërtetë të bardhës e bardhë dhe të zezës e zezë.Në shënjestër të shkrimeve të Naim Kelmendit, ndër të tjera, ka qenë edhe politika e “re” e Beogradit dhe lëvizjet e saj të vazhdueshme për ta frenuar procesin e pavarësimit të Kosovës.


Çdo lëvizje antiKosovë nga ana e kësaj politike, publicisti në fjalë bën përpjekje ta demaskojë në sytë e opinionit tonë.Njëkohësisht, i analizon edhe politikat ndërkombëtare në raport me Kosovën dhe, sa herë sheh të meta në të, bën thirrje që ajo të mos bjerë viktimë e taktikave të reja të politikës së “re” të Kalimegdanit kundër pavarësisë së saj. Po ashtu, parashtron fakte të shumta në favor të pavarësisë së Kosovës, e cila edhe u realizua më 17 shkurt 2008.Shkrimet e përmbledhura në këtë libër janë të shkruara në gazetën “Bota sot”, “Pavarësia”, “Pavarësia neës” etj. gjatë viteve të pasluftës.Në të janë përfshirë vetëm disa prej shkrimeve të tij të shumta të publikuara në këto gazeta.


Me penën e tij, ishte njëri nga heronjtë e demokracisë në Shqipërinë Etnike . Themi Hero për faktin se t’i identifikosh gjërat negative për një shoqëri dhe një komb, kur nata qe bërë kulçedër që i “hante” atdhetarët e Kosovës, është vërtet heroizëm.T’ua vësh gjoksin përpara grupeve kriminale, që gati sa s’e patën dërrmuar përpjekjen e Kosovës për pavarësi, ishte ana tjetër e atdhetarizmit të Naim Kelmendit, pas përfundimit të luftës. Ana tjetër e atdhetarizmit të tij të treguar qysh në kushtrimin e parë për luftë kundër Serbisë.Shkrimet e publicistit ,shkrimtarit ,gazetarit dhe patriotit Naim Kelmendi do ju shërbejnë gjeneratave te ardhshme se si mbrohet Kosova edhe në liri. Se si liria e merr kuptimin e saj të vërtetë….






Vullnet Mato, gjenerali në kurth

Tregim nga ngjarje e dokumentuar


Gjeneral Telini nxori nga xhepi i xhaketës ushtarake një grusht monedha argjendi dhe i vërviti mbi kokat e turmës së fëmijëve kureshtarë të grumbulluar rreth tij. Ata u turrën si pulat e uritura mbi kokrrat e misrit, duke shtyrë njeri-tjetrin me sharje fjalësh të rëndomta, kush të rrëmbente më shumë.
- Senjor Ambrucio, më thoni në ç’gjuhë flasin?- pyeti sakaq gjeneral Telini përkthyesin e tij, një italian që zotëronte mirë tri gjuhë ballkanike.
- Flasin shqip, zoti gjeneral, – iu përgjigj përkthyesi.
- Okej, ky fshat këtu është tokë shqiptare, shënojeni në hartë! – urdhëroi sekretarin e tij, kapitenin Frenk de Limperani dhe ndihmësin major Bonacini, bashkë me tre komisionarët e tjerë.
- Jo, në asnjë mënyrë, – kërceu nënkoloneli grek, Boçaris, duke tundur, përveç dorës, edhe barkun voluminoz nga brofja përpjetë. – Ky është fshat grek prej shekujsh. Ja, dëgjoni atje tej si brohorasin burrat e fshatit! “Zito Eladha!”…
- Atëherë, si është e mundur, bijtë e tyre ta flasin shqip gjuhën e nënës? – iu kthye gjeneral Telini, duke nënqeshur me qesëndi.
Nënkoloneli Boçaris shfry me zemërim.
- Dëgjoni këtu, gjeneral Telini, ju jeni shumë i mençur dhe po aq trim, sa aty në Korçë, krejt i vetëm, i flakët përjashta pesëdhjetë andartët grekë që u futën brenda ndërtesës ku punonte komisioni. Edhe këtu, gjithashtu, po i shpërfillni thirrjet e gjithë këtyre burrave fshatarë që brohorasin për Greqinë e Lashtë… Por duhet të dini, se dinakëria jonë ka qenë e do të jetë gjithmonë, shumë herë më e fuqishme se trimëria juaj dhe e gjithë shqiptarëve që po merrni në mbrojtje…
Gjenerali e kundroi nënkolonelin ma habi dhe njëherësh me përçmim, për atë presion kërcënues të hapur që bëri.
- Ju, nënkolonel Boçaris, mund të ëndërroni të bëni gjithçka, nga dinakëritë e njohura greke, qysh nga Kali i Trojës. Por unë ndodhem këtu i caktuar nga Lidhja e Kombeve, si kryetar i komisionit ndërkombëtar, të vendos drejtësi në kufijtë e Ballkanit. Jo të gatuaj lakra turli për të ngrënë burrat që brohorasin të paguar për interesat tuaja nacionaliste.
Sakaq prefekti Follorinës, avokat Modhi, heshti i zënë ngushtë, kurse majori shqiptar, Bajram Fevziu, dhe prefekti i Gjirokastrës, Dhimitër Berati, luhatën kryet në shenjë miratimi, duke bërë shënimet përkatëse në hartat e pastra.
Të gjithë ata ushtarakë të lartë të komisionit, ngjanin si turmë liliputësh, përpara gjeneralit shtatlartë dhe burrë me autoritet superior, në veprimet e tij të drejta e të paanshme. Por dhe me pamjen e fytyrës, prej dyzetepesëvjeçari me mustaqe të shkurtra dhe me vetulla të trasha mbi sytë largpamës me vërtitje vrojtuese.
Pas përcaktimit të vijës kufitare në territorin Peshkëpi dhe Radat, të Leskovikut, ku grekët rrëzuan njërën nga piramidat e sapongritura, komisioni vijoi në kodrat që zgjateshin nga Rrëza e Zezë deri në Libohovë. Dhe pas afro një muaji saktësimesh territoriale buzë kufirit lindor, automjetet e tyre dolën në Kakavi, ku ata ndjeheshin tepër të lodhur.
Dielli i gushtit kishte nxehur së tepërmi të gjithë tokën kufitare. Por në mbrëmje, pasi zbriti nga xhipi i tij, gjeneral Telini ndjeu se ishte më tepër i nxehur e i djersitur nga pengesat dhe sharrënajat pa fund të palës greke, sidomos të vetë nënkolonelit Boçaris që kishte dalë në armiqësi të hapur me të.
- Senjor gjeneral, ju sot jeni mjaft i rraskapitur dhe duhet patjetër të flini shpejt për t’u qetësuar! – e këshilloi mjeku i ekipit italian, major Kortini.
Gjenerali e kundroi një grimë ngultas, pastaj i tha duke miratuar me kokë:
- Po, senjor dottore, keni të drejtë, duhet të pushojmë, se nesër segmenti i territorit shqiptar të Çamërisë ka për të na marrë shpirtin me pretendimet patologjike të grekut Boçaris, që nuk na la një ditë të punojmë të qetë.
Ata u drejtuan për t’u akomoduar në hotelin kryesor të Janinës, duke ngjitur shkallët krejt të hepuar nga lodhja.
Nënkoloneli Boçaris kishte nuhatur qysh herët se gjenerali, me observime gjuhësore dhe me provat e gjithanshme që përdorte, do ta linte patjetër brenda kufirit shqiptar Çamërinë Veriore, përpjetë rrjedhës së lumit Kalama, ku pothuajse të gjithë flisnin shqip, qysh nga lashtësia. Ai lajmëroi urgjent qarqet qeveritare bashkë me krerët e komitetit të “Vorio-Epirit”, të cilët gjatë gjithë natës u mblodhën në Janinë për të diskutuar situatën. Në debatet e ndezura, fanatikët gjaknxehtë, u ndalën te dilema, nëse duhej lënë të ikte Çamëria, që shtrihej deri te gjiri i Prevezës apo t’i linin shtetit shqiptar Korfuzin me ujdhesat jonike.
Afër mëngjesit, nënkolonel Boçaris, i ra tavolinën me një grusht tejet nervoz.
- As njëra, as tjetra, do ta zgjidh vetë, – u tha ai përfundimisht, i ngazëllyer nga ideja e fiksuar në trurin e tij.
Në mëngjesin e 27 gushtit u njoftua lëvizja e autokolonës së komisionit kufitar drejt Kakavisë, ku do të fillohej nga puna. Renditja e përcaktuar u pëlqye nga të gjithë. i pari do të ecte automjeti i përfaqësisë greke, i dyti “shevroleti” shqiptar dhe i treti “xhipi” i gjeneral Telinit, për ta pasur kësisoj udhëtimin të siguruar nga udhërrëfyesit e truallit ku kishin bujtur.
Pasi pinë dhe kafen e mëngjesit në hollin e hotelit luksoz, të çlodhur tashmë nga nata, ata u nisën të gjithë njëherësh drejt Kakavisë. Dukej sikur kilometrat përpiheshin shpejt nga rrotat e ftohura gjatë natës. Vetëm kur ndodhi në afërsi të vendbanimit Delvinaq, që automjeti i palës greke “u prish” dhe u ndal në cep të rrugës për të ndrequr defektin. Atëherë doli në krye të kolonës, grupi përfaqësisë shqiptare.
Majorit Bajram Fevziu i trokiti në mendje një fije dyshimi. Megjithatë, si njohës i asaj rruge, ai filloi ecjen vendosmërisht i ndjekur nga xhipi i gjeneral Telinit. Por, kur kishin mbetur edhe tetë kilometra për të arritur Kakavijën, pikërisht pasi “shevroleti” i shqiptarit Fevziu kaloi një kthesë të fortë shkëmbore, ndodhi e papritura. Nga një lartësi e madhe, “sharrtarët” grekë rrëzuan një kope trungjesh ahu, me të cilët bllokuan krejt xhadenë.
I pari doli për të hapur rrugën shoferi Farneti dhe përkthyesi Ambrucio. Por befas “sharrtarët” lëshuan nga lart një breshëri të tmerrshme zjarri, që i rrëzoi të dy përtokë pa frymë. Breshëria e zjarrit vazhdoi pa ndërprerje mbi kabinën metalike të xhipin që filloi të bëhej shoshë nga plumbat dum-dum. Ende pa arritur të hidhte hapin e parë jashtë derës, u përmbys i vdekur major Bonacini dhe pas tij doktori Kortini.
- Ah, kurthi yt i poshtër, o i mallkuari Boçaris! – mërmëriti me vete Gjeneral Telini, duke dalë nga dera e prapme me revolverin e tij në dorë. Ai lëshoi një varg plumbash drejt vrasësve, në dukje sharrtarë, që kishin uniforma ushtarake pa kapele. Për pak sekonda breshëria nga lart u duk sikur heshti. Por, pasi arma e tij e vetme, i volli të gjithë plumbat, pa shkuar pesëdhjetë metra më tej, u shtri pa frymë edhe vetë gjenerali trim, Telini. Pastaj “sharrtarët” zbritën tinëz si hajdutë dhe shkrehën disa plumba të tjerë, për të prishur kokat e të vrarëve. Kur panë se viktimat nuk njiheshin më kush ishin, ata u zhdukën në thellësi të pyllit.
Kishin kaluar pak minuta, derisa arriti në “Trojën e përgjakur” Agamemnoni dinak Boçaris, duke nënqeshur lehtas dhe duke pëshpëritur me vete: “Të thashë, o gjenerali latin, dinakëria greke është shumë herë më e fuqishme se trimëria juaj dhe e këtyre qeleshebardhëve që po kthehen tani mbrapsht të shohin gjëmën”
Tragjedia e paparë dhe e paimagjinuar, i bëri komisionarët shqiptarë të përkulin kryet me dhimbje mbi të vrarët e komisionit italian, dhe mbi gjeneralin martir, që humbi aty jetën për drejtësi. Major Fevziu, duke shtrënguar dhëmbët në heshtjen e vet mortore, kundroi për disa çaste grekun Boçaris, që mundohej me lëvizje alarmuese të kota, për të mposhtur ngazëllimin që i hovte përbrenda dhe mendoi me trishtim, se kjo ishte edhe vetë gjëma e kufirit shqiptar, të përdhosur në shekuj nga fqinjët e pabesë.
Pas lajmërimeve të vonuara, për shkak të prishjes së linjave telefonike, alarmi i madh i kësaj tragjedie të llahtarshme ballkanike, arriti pasdite deri te Kryeministri italian. Qeveria italiane, tepër e tronditur nga ky provokacion i rëndë, shpalli një ultimatum të rreptë prej shtatë pikash. Të zbuloheshin menjëherë fajtorët dhe të dënoheshin me vdekje. Përveç nderimeve shtetërore që duhet t’i bëheshin gjeneralit, Greqia ta paguante kokën e Enriko Telinit, me një dëmshpërblim prej pesëdhjetë milionë franga ari.
Por, çuditërisht, qeveria greke e bëri veshin krejt të shurdhër dhe heshti në mënyrë mospërfillëse, si në të gjitha rastet e incidenteve kufitare.
Atëherë, për të detyruar zbatimin e menjëhershëm të atij ultimatumi, në mëngjesin e po asaj dite, pas një bombardimi të furishëm nga ajri, një skuadrilje anijesh luftarake italiane që patrullonte përgjatë Kanalit të Otrontos, pushtoi menjëherë Korfuzin dhe ujdhesat përqark tij.
Vetëm këto veprime të rrepta luftarake, e shkundën nga vendi qeverinë tinëzare greke, e cila lëshoi deklaratën e turpshme: “Ajo egërsi e tmerrshme ndaj Telinit, pa dyshim, u takon shqiptarëve!”
Mirëpo praktika e tyre tradicionale “hidh gurin e fshih dorën” nuk piu ujë në këtë rast të kobshëm. Sepse për të zbuluar fajtorët e vërtetë, Konferenca e Ambasadorëve, që u mblodh urgjentisht, dërgoi me aeroplan të posaçëm, një komision me në krye kolonelin japonez Shiboja.
Hetuesit ndërkombëtar arritën në vendngjarje, te kthesa e Zhepës ku ende dalloheshin njollat e gjakut të gjeneralit, duke pasur ndërmend të kryenin vrojtime të gjata e të hollësishme. Por kryehetuesi japonez Shiboja, pasi u mendua një grimë, vendosi të bëjë një provë të tipit “Telini” Ai nxori nga këllëfi revolverin e tij dhe shtiu tri herë në ajër. Befas dolën nga pylli ushtarët e njësisë greke të vendosur prej vitesh aty afër dhe rrethuan komisionin, duke mos pasur dijeni për ardhjen e tij.
- Stop! Hetimi mbaroi! – thirri japonezi i zgjuar, – vrasësit u zbuluan! Kur tri të shtënat e dobëta të revolverit, u dëgjuan prej tyre menjëherë, nuk është e mundur kurrsesi, gjithë ato breshëri pushkësh që vranë gjeneralin të mos arrinin në veshët e gjithë këtyre ushtarëve kufitarë të instaluar këtu ndanë pyllit.
Pas këtij veprimi dhe kontrollit të ushtarëve nga ana e asfalisë greke, prefekti i ri i Gjirokastrës Kolë Tromara që asistoi aty, zbuloi edhe provën tjetër, orën prej floriri të Gjeneral Telinit, të njohur nga të gjithë në dorën e njërit prej ushtarëve grekë.
Atëherë qeveria Greke pranoi plotësisht fajësinë e krimit dhe përmbushi detyrimet deri në një. Duke pushkatuar edhe 24 ushtarët e paguar nga Komiteti i Vorio-Epirit, që u paraqitën pa kapele si “sharrtarë”, për të vrarë komisionin kufitar italian. Kësisoj u mbulua me humus pylli edhe dinakërinë e të pabesit Boçaris.
Megjithatë, gjaku i gjeneralin legjendar, Enriko Telini, vizoi të gjithë gjatësinë e vijës së kuqe kufitare, të shtyrë padrejtësisht shumë thellë brenda tokës shqiptare, duke lënë Çamërinë të përgjakej nga dora e zervistëve grekë, me krimet dhe dëbimet njerëzore që pasuan në vitet e ardhshëm.

PARAVOTA



Vullnet Mato




Tregim

Paraja dhe vota, në dukje dy dukuri të kundërta, kanë mes tyre një lidhje të ndërsjellë tepër të ngushtë. Kanë një dashuri fryme, pa të cilën nuk mund të ekzistojnë. Besoj nuk e teproj po të them, se paraja dhe vota kanë krijuar një çiftim të përbashkët si atë të burrit me gruan dhe ekzistojnë në një lidhje organike si mishi më kockën.
Këtë e kam vënë re qysh herët, e kam parë te disa të njohur, por dhe e kam dëgjuar me veshë nga përvoja e të tjerëve. Një rast të tillë, tepër interesant dhe pothuajse mjaft përgjithësues për këtë fenomen, do ta sjell në këtë tregim me kumbim të vërtetë.
Atëherë kisha çelur zyrën e një enti botues, te rruga “Qemal Stafa” në Tiranë, ku siguroja botime për shtypshkronjën e tim vëllai në Sarandë. Shkurt, në fillim të punës sigurova disa dorëshkrime librash që nga kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve të asaj kohe, deri te disa shkrimtarë e krijues me emër. Më pas çmimet e botimit u rritën, tatimet u rënduan dhe pas tre vjetësh u detyrova ta mbyll atë zyrë, në kohën kur mezi shkula nga policia tatimore fotokopjen, kompjuterin dhe printerin e sekuestruar prej tyre.
Gjatë asaj periudhe më erdhi në zyrë një djalosh simpatik i tërhequr nga tabela e madhe mbi derë “Enti botues Milosao”. Ai kishte veshur një kostum me vija të spikatura dhe më kujtohen sidomos flokët e tij tepër të zinj, të ndritshëm e të dendur, në kontrast me flokët e mi të rralluar e në rënie e sipër. Djaloshi kishte një pamje fytyre të butë e të qeshur dhe pas paraqitjes së dorëshkrimit me fabula, më tha se ishte sekretar i komunës P. në periferi të Tiranës. U njohëm dhe u miqësuam shpejt. Sepse me pëlqyen fabulat e tij origjinale dhe kur më ftoi për kafe, i fola me superlativa për shpërndarjen e këtij libri, sidomos te mësuesit dhe nxënësit e shkollave të të gjitha kategorive.
-Kam qenë mësues, - tha ai, pasi kuptoi kureshtjen time sesi një sekretar komunie shkruante fabula. - Kam dy vjet, pas zgjedhjeve të fundit që kalova në komunë.
-Mesa duket, ke qenë aktivist shoqëror i zoti, që të zgjodhën të punosh në atë zyrë.
Ai qeshi dhe më kundroi drejt në sy me atë syndritjen e tij të mprehtë.
-Përkundrazi, - ma ktheu në çast, - kam qenë një dembel stambolli, por e pashë se nuk çahej me nxënësit e tetëvjeçares dhe çava ndryshe, duke u afruar me një parti politike. Ajo më vuri në komisionin e votimeve dhe ashtu u bëra sekretar...
-Po më çudit, - vijova me kureshtje, - si kështu, tak-fak, nga anëtar i thjeshtë i një partie, në karrigen e një drejtuesi të komunës?...
A qeshi ëmbël sërish dhe më pyeti;
-Ju bëni pjesë në ndonjë parti?
-Mos e dhëntë zoti, kam alergji nga pjesëmarrja nëpër parti.
-Edhe unë, - tha menjëherë, - por ja, që pa atë kërcim së larti, nuk mund bija dot në kolltukun butë të sekretarit që kam sot.
-Sidoqoftë, ke pasur ndonjë mik, se nuk bëhet aq lehtë dembeli, siç e the ti, një nëpunës i devotshëm...
-Dembel, pehlivan, - qeshi ai. - E shoh se u bëre kurioz, po ty që rri larg partive, do të ta tregoj... Kërkova të më vinin në komisionin e votimeve për partinë S. ku beja pjesë. Dhe që të mos e zgjat muhabetin, aty e luajta mirë pehlivanllëkun tim. Kur shkoi mesnatë dhe përcollëm vëzhguesit, ne të komisionit u mblodhëm veçmas. Hapëm kutitë dhe numëruam votat. Partia ime S. kishte fituar fare pak vota. Po në fund te fundit numërimin e saktë e bën Shën Leku...
- Pse, leku ynë shenjtërohet në votime?!- bëra sikur u habita unë.
- Po, bëhet si ai medaljoni që mban papa i Romes në gjoks kur shuguron besimtarët e zgjedhur. Nejse, kryetari i komisionit të votimit, një burrë autoritar si në pamje edhe në tonin e të folurit, tha pa e zgjatur më tej: “Kush nga ju e gjen këtë gjëagjëzë: Një herë në mot, del e kullot?...” Drapri... nxitova ta them i pari unë, që lëvroja fushën e fabulave dhe të gjëagjëzave. Bravo, më tha kryetari. Ti e meriton plotësisht një dorë me para nga drapri i komisionerit, që një herë në katër vjet del e kullot një tufë të mirë me lekë. Nuk fola sepse ai vazhdoi vetë: “Ata të partive lartë, kullosin nga kolltukët e tyre gjatë gjithë vitit, ngrenë vilat dhe shëtisin me vetura ku u do kokrra e qejfit. Ne or vëllezër, këtë rast kemi, t’u çojmë fëmijëve e grave tona të hanë ndonjë pllakë me bukë gruri të ngrohtë. Vetëm po të jemi budallenj, si ata që thonë jemi militantë dhe në fund të votimeve hanë kakërdhitë e të zgjedhurve... Për mua nuk ka rëndësi fiton Cani apo Ceni, le të fitojë ai që jep llapushka, jo ai që kërkon vetëm të marrë...” Ai fliste me aq bindje e siguri në ato që thoshte, sikur të ishte brenda shpirtrave të secilit nga anëtaret e komisionit. Sepse asnjëri nuk reagoi kundër. Aty pashe se leku ka magjinë që të bën memec. Pastaj kryetari nxori një shishe rakie, na mbushi të gjithë nga një gotë dhe tha duke e ngritur të tijën mbi kokat tona: “Hajt gëzuar e na daltë për hair!”... Gëzuar, thamë të gjithë, ndërkohë që kryetari nxori dhe një qeskë me salçiçe të skuqura dhe djathë kaçkavall. Filluam të përtypemi të uritur, se nuk kishim ngrënë darkë deri në ato çaste...
- Me një fjalë, kryetari u korruptoi me salçiçe e kaçkavall? - bëra shaka unë.
-Jo, ore, ai e kishte muhabetin më të dhjamosur. Se sapo pimë nga dy gota raki, iu drejtua komisionerit të partisë kryesore A. duke e pyetur: Sa hedh ti, or mik, për të gjithë ne të komisionit?... Njëzetekatër milionë!- hodhi ai... Na bien nga pak, tha kryetari me pakënaqësi të dukshme në fytyrë. Shto dhe ca, se jemi lodhur e do rraskapitemi akoma me shumë, derisa t’i mbyllim këto gjethet e thata të dushkut që kemi përpara!... Nuk më dhanë më shumë, kaq më dhanë, tha komisioneri A... Atëherë hidhu ti, i tha atij të partisë B... Dyzetetetë milionë! - tha ai me krenari... Fjala e fundit?- e pyeti kryetari me gëzim tashmë... E fundit fare, për kokën e kalamajve!... Epo, kështu po, tha kryetari, ka lezet të shpiem të paktën nga tetë milionë në shtëpi. Hajt, gëzuar dhe o burra, të mbyllim procesverbalet për firmë se shkoi vonë e po gdhihet!
-Unë nuk firmos!- kërceva unë me vendosmëri, sikur hodha një shashkë që krisi me gjëmim mbi kokat e tyre.
Të gjithë komisionerët shqyen sytë nga habitja se si po hidhja poshtë tetë milionëshin tim dhe atë çast, ata mu dukën sikur do kërcenin të gjithë bashkë të ma nxirrnin nga fyti salçiçen qe sapo kisha kapërcyer.
- Je militant qukapik, që troket sqepin nëpër mitingje?- më pyeti kryetari me sarkazmë në zërin e çjerrë tashmë dhe i bëri sytë sa dy vezë laraske.
- Jo, jam mësues harabel, që cicëroj gjithë ditën për të mbledhur thërrimet e qindarkave të mia dhe pas votimeve do shkoj prapë të çuçurit klasë më klasë me tridhjetë e ca orë mësimi në javë...
-Pse, ç’farë do ti më shumë, po tu shtosh qindarkave të tua dhe tetë milionë?!... - më tha i habitur komisioeri i partisë B, i cili do të merrte kryesimin e komunës për kandidatin e tij.
-Dua që ai kryetari yt të më marrë sekretar të komunës... Se unë veç hallit që u thashë, ia kam dhënë votat që fituam partisë sime me celular dhe...
- Ajo e celularit, korrigjohet prapë, - ma preu ai, - me demek, u thua na u prish rezultati, se erdhën me vonesë votat nga zonat e fundit. Ndërsa punën e sekretarit ta siguroj unë! - më premtoi me seriozitet komisioneri B.
-Si ta besoj?- kërceva prapë duke qëndruar mbi telin tim të pehlivanit.
-Na! - tha ai dhe mori një copë letër e ma shkroi premtimin të firmosur.
E lexova me kujdes dhe me ndritën sytë me tepër se drita e dobët e dy llambave elektrike që kishim përsipër.
-Atëherë hajt, gëzuar e u mbledhshim prapë pas katër vjetësh kështu si sot, kur drapri ynë del e kullot!- thashë unë dhe së fundi u mbyll ai muhabet.
Filluam të firmosim procesverbalet dhe afër mëngjesit, futëm në xhep secili nga një shuk me para të mbështjella në zarf të veçantë.
Por dhe puna ime, u tha, u bë. Pas një jave unë ia lashë sqepin e harabelit një mësuesi të ri në shkollë dhe u ula në kolltukun e butë të zyrës së komunës, duke u kthyer nga harabel thërrimesh, në skifter zyre. Ja, kështu!- tha krejt gazmor...
- Por pas dy vjetësh, do bëhesh prapë harabel! - ia ktheva unë duke e kundruar me simpati.
-Kismet, ku i dihet, mbase shtegtimi i ri, na krijon prapë mundësinë të bëjmë ndonjë fole të re, më të rehatshme...
Libri i këtij fabulisti të shkathët doli i plotë dhe i ilustruar nga një grafist i talentuar, me figurat përkatëse për çdo fabul. Në kopertinën e parë, unë sajova një harabel që cicëronte mbi tel dhe ai e pëlqeu pa masë.

Pse kjo kthesë kaq e papritur e Aleancës Kuq e Zi?!



Prof.Dr.sc.Eshref Ymeri


Pak ditë më parë u bë e njohur se zoti Kreshnik Spahiu, Kryetar i Aleancës Kuq e Zi, pas dorëzimit të listave përkatëse, ka kërkuar nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve zhvillimin e një referendumi për krijimin e një Federate mes Kosovës dhe shtetit amë.
Një kërkesë e tillë tingëllon mjaft e çuditshme. Që në zanafillën e vet e deri para do kohësh, Aleanca Kuq e Zi, në dhjetë pikat kryesore të programit të vet, kishte shtruar si pikë kryesore ribashkimin e trojeve etnike shqiptare. Mendoj se kjo pikë kishte shumë rëndësi në programin e saj, prandaj edhe kishte ngritur peshë zemrat e mijëra të rinjve, të cilët iu bashkuan kësaj Aleance me shumë kënaqësi. Madje nëpër tubimet e saj, qoftë në salla të mbyllura, qoftë në mjedise të hapura në mbarë Shqipërinë, gjithandej ushtonte thirrja “Shqipëri Etnike!”. Edhe në një intervistë që i pati dhënë gazetarit të mirënjohur të TV News 24, zotit Bashkim Hoxha, në prag të 100-vjetorit të pavarësisë, zoti Kreshnik Spahiu foli vetëm për bashkimin e Kosovës me atdheun amë, i cili, - siç u shpreh ai, - do të realizohej brenda vitit 2014. Pra, fjala Federatë s’ishte dëgjuar kund. Por, një ditë të bukur, si me magji, harrohet termi Bashkim dhe na del në skenë termi Federatë.
Pra, kërkesa për krijimin e një Federate nuk mund të mos tingëllojë e çuditshme për faktin se federatat krijohen mes etnive të ndryshme dhe kurrsesi brenda një etnie. Kosova ka qenë pjesë e trungut të shtetit amë para vitit 1913, kur u bë copëtimi i trojeve tona etnike. Si pjesë e trungut të shtetit amë, Kosova, në kuadrin e Perandorisë Otomane, përbënte njërin nga katër vilajetet shqiptare me kryeqytet Shkupin. Pra, të katër vilajetet shqiptare në Ballkan përfaqësonin etninë shqiptare, të vendosur në troje etnike shqiptare me shtrirje kompakte. Prandaj me Ismail Qemalin u bashkuan në Vlorë përfaqësues nga të katër vilajetet. Nga Kosova pati shkuar në Vlorë Isa Boletini me trimat e vet, për t’u rreshtuar përkrah Ismail Qemalit në aktin e shpalljes së Pavarësisë.
Sipas zotit Kreshnik Spahiu, Kosova dhe Shqipëria duhet të krijojnë një Federatë me dy njësi shtetërore. Ore lum miku, po si mund të krijuakan një Federatë Kosova me Shqipërinë kur ato i përkasin një etnie të vetme, etnisë shqiptare! Për Federatë mund të flitet në rastin e Maqedonisë që përbëhet nga dy etni krejtësisht të ndryshme, asaj sllavomaqedonase dhe asaj shqiptare. Ideja e Federatës i shkon shumë për zemër si Beogradit, ashtu edhe Athinës, si edhe Moskës që fshihet pas tyre. Sepse në kushtet e Federatës, Serbia do të vazhdojë të tallet me Kosovën si t'i dojë qejfi. Çka të njëjtën gjë do të vazhdojë ta bëjë, si deri tani, Greqia me Shqipërinë. Dhe rezultati cili do të jetë? As Kosova nuk do të konsolidohet dot kurrë si shtet, dhe Shqipëria do të vazhdojë të mbetet një shtet i nëpërkëmbur nga Greqia. Fakti që Serbia dhe Greqia janë shumë të shqetësuara për ribashkimin e Kosovës me shtetin amë, duhej ta vinte në mendime të thella zotin Kreshnik Spahiu dhe të shtronte pyetjen: ç'kanë Serbia dhe Greqia që i tremben kaq shumë ribashkimit të Kosovës me atdheun amë? Sepse nuk e kanë dashur dhe nuk e duan kurrë krijimin e një shteti të fuqishëm shqiptar prej 10 milionë banorësh në gadishullin tonë. Unë mendoj se zoti Kreshnik Spahiu duhej të shprehte qëndrimin e vet edhe kundër shovinizmit rusomadh për qëndrimin ndaj etnisë shqiptare në gadishullin tonë. Dhe ja sepse:
Në “Gazetën Shqiptare” të datës 04 korrik 2011 qe botuar një njoftim për një notë proteste që Rusia i paskej dërguar Tiranës zyrtare, në të cilën shprehej revolta e saj ndaj deklaratave për “Shqipërinë e Madhe”,të bëra nga ish-deputeti Azgan Haklaj. Me këtë rast, në notëprotestën ruse, të përcjellë prej zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme Ruse, Aleksandër Lukasheviç, theksohej se“idetë nacionaliste të krijimit të një “Shqipërie të Madhe”, bien ndesh me përpjekjet ndërkombëtare në Ballkanin Perëndimor, që synojnë forcimin e sigurisë në rajon ndaj dhe duhet të marrin një reagim të përshtatshëm nga ana e bashkësisë ndërkombëtare. Pohime të tilla, që mbështeten në logjikën mesjetare, mund të çojnë në pasoja jashtëzakonisht negative”.
Pra, Rusia shoviniste, që ndodhet mijëra kilometra larg vendit tonë, u del në krahë aleatëve të vet grekosllavë, për të ruajtur të paprekur veprën kriminale që ajo kreu një shekull më parë, me presionin e fuqishëm që ushtroi ndaj fuqive kryesore të Evropës Perëndimore për copëtimin e trojeve etnike shqiptare dhe majmjen me to të Serbisë dhe të Greqisë.
Sipas zotit Spahiu, nesër-pasnesër, kur të shpërbëhet Maqedonia (se shpërbërja e saj është e pashmangshme), populli shqiptar i Maqedonisë u dashka që të krijojë një shtet të tretë shqiptar, të federuar me Kosovën dhe me shtetin amë, dhe jo të ribashkohet me shtetin amë! Kjo është një ide e rrezikshme. Sepse me të synohet për t'i mbajtuar shqiptarët përjetësisht të copëtuar.
Me krijimin e Federatës, shqiptarët nuk do të arrijnë kurrë të ngrihen më këmbë. Sepse duke qenë të shpërndarë kashtë e koqe nëpër disa shtete, Serbia dhe Greqia e kanë shumë të lehtë për t’i mbajtur pas qerres së tyre. Ndërsa një shtet i bashkuar shqiptar ato i tmerron për faktin se kanë parasysh vitalitetin e jashtëzakonshëm të etnisë shqiptare.
Veç kësaj, ideja e krijimit të Federatës, u vjen shumë për shtat argatëve të Serbisë në Kosovë, si Nexhmedin Spahiu, Halil Matoshi, Migjen Kelmendi e ca të tjerëve, të cilët kanë kohë që rreken për të shpikur një komb kosovar dhe një gjuhë kosovarishte.
Unë mendoj se kthesa e papritur e zotit Kreshnik Spahiu për federalizimin e Kosovës me atdheun amë, të bën të dyshosh se gravitacioni majtist në Aleancën Kuq e Zi, me sa duket, paska marrë sipërinë dhe duhet të jetë jashtëzakonisht i fuqishëm. Shqipëria, në aspektin mbarëkombëtar, ia ka parë hairin majtizmit që prej 8 nëntorit të vitit 1941, kur çështjes kombëtare shqiptare iu vu përsipër një gur mjaft i rëndë.
Veç të tjerash, ideja e Federatës i vjen fort në osh edhe Janullatosit, sepse me Shqipërinë, kështu siç është, e paribashkuar me Kosovën, ai mund të bëjë si i do qejfi, ashtu siç ka bërë deri tani, duke e mbjellë krejt Shqipërinë e Jugut me kisha me simbolikë greke dhe me varre, memoriale e manastire në nderim të ushtarëve agresorë grekë. Pra, Shqipëria e Jugut, faktikisht, është e pushtuar krejtësisht prej kishës shoviniste greke.
Në këto kushte, unë e përkrah fuqimisht deklaratën e Republikanëve të Kosovës dhe të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare të Prof. Hazir Shalës, të titulluar “Na duhet Ribërja e Shqipërisë Etnike”, të përpunuar dhe të përgatitur për shtyp nga zoti Cenë Pushkolli dhe të botuar në internet ditën e djeshme, më 11 janar 2013, deklaratë kjo, në të cilën kërkohet ribashkimi i Kosovës me Shqipërinë dhe vlerësohet krejtësisht e papranueshme nisma e zotit Kreshnik Spahiu për federalizim. Aq më tepër kur edhe partia kosovare Vetëvendosja është për ribashkimin e Kosovës me Shqipërinë dhe kur, faktikisht, siç deklaroi po dje zoti Albin Kurti për emisionin e Zërit të Amerikës, 81% e popullit shqiptar të Kosovës është për ribashkim me atdheun amë.
Unë dëshiroj t’u bëj thirrje gjithë atyre mijëra të rinjve shqiptarë që janë anëtarësuar në radhët e Aleancës Kuq e Zi dhe që dallohen për atdhetarizmin e tyre të shkëlqyer, që të mos e braktisin thirrjen e tyre “Shqipëri Etnike” dhe të ushtrojnë presionin e tyre të fuqishëm mbi drejtuesit e tyre dhe posaçërisht mbi zotin Kreshnik Spahiu për të hequr dorë nga ideja e Federatës, e cila është mjaft e dëmshme dhe madje fort e rrezikshme për fatet e etnisë shqiptare në gadishullin tonë. Kjo ide me siguri që ka për ta dëmtuar Aleancën Kuq e Zi në zgjedhjet e 23 qershorit. Ftoj, gjithashtu, edhe mbarë lexuesit e nderuar të shprehin pikëpamjet e tyre për këtë kthesë të papritur të Aleancës Kuq e Zi në qëndrimin ndaj çështjes së ribashkimit të Kosovës me atdheun amë.
Dua të shpreh keqardhjen time të thellë, që zoti Kreshnik Spahiu, sipas një shprehje të artë të gjuhës shqipe, e filloi mbarë, por e vazhdoi shtarë.


Santa Barbara, Kaliforni
12 janar 2013





FRAGMENT ROMANI NGA THANI NAQO


-Gjatësisë dhe shkurtësisë nuk është për t’iu zemëruar dhe as për të vënë kujën – më ngushëlloi teto Dabucka ditën kur festova dyzet vjetorin dhe të ftuarit qenë larguar. Me këto fjalë ajo ishte munduar të më ngushëllonte edhe në rini. Asokohe, koka ime doli vërtet një pëllëmbi mbi kokën e tim eti dhe pleqtë e fshatit thanë:
-Tani je i gjatë sa gjyshi yt kaçak.
Në dyzet vjetorin tim unë piva gjysëm litër raki, por nuk u deha. Njëherë ktheva kokën dhe, sa pashë shtëpinë e gremisur përtej gardhit, m’u kujtua komshia ime, Grifsha. Me Grifshën më shkrepi të martohem sapo u ktheva nga ushtria. Ushtria më kishte burrëruar, por unë u ndjeva më shumë mashkull kur pyllnaja leshtore u shtri gjer përfund barkut. Mirëpo, që nga dita kur provova pantallonat e kostumit të tim eti nuk më shqitej nga mendja e qeshura e Marjanës; e shkelura e syrit djallush më kujtonte të përkëdhelja fundbarkun. Më iku dëshira për të ndjellur përfytyrimin e trupit lakuriq të Grifshës dhe më faniteshin vithet e ngrehura dhe gjinjtë e Marjanës. Edhe ditën kur unë festova dyzet vjetorin më hipi e qeshura dhe qesha me të madhe, aq sa pleqtë e plakat më panë të habitur. Nuk munda të frenoja të qeshurën edhe se Simo Babjenin më pa me sy egërshanë prej ushtaraku. Shkak që ia shkrepa të qeshurës nuk qe se e pata tepruar me raki, por forma e salcës të kosit në pjatë. Ajo më kujtoi luleshqerat dhe luleshqerat më kujtuan ankthin e djalërisë kur rashë në dashuri me Grifshën: këputja petëlat dhe mërmëritja “më do, s’më do.” Mirëpo loja e vjetër me luleshqerat m’u rizgjua shumë vite më vonë dhe asaj here jo për Grifshën, por për Marjanën. Ditën kur festova dyzet vjetorin, në mbrëmje vonë, erdhi me taksi berber Shejtani. Berber Shejtani ishte kushëriri i nënesë dhe, përpara se të binim për të fjetur, dha lajmin kobzi: Grifsha kishte prerë damarët e qafës me kosor nga e keqja se humbi të gjitha kursimet e saj në firmat piramidale.
-Më mirë mos e kishe hapur gojën – i tha nëneja berber Shejtanit – Ti e di se im bir e ka dashur Grifshën.
Mirëpo unë Grifshën e pata fshirë nga mendja prej kohësh dhe prej kohësh nuk mërmërisja “më do, s’më do,” por, krejt ndryshe dhe me zë: “Të rruhem, mos rruhem, të qethem mos qethem” – gjersa loja me luleshqerat u hap si thashethemnajë e çmëndurisë time. Më dogjën fjalët e plakës të fisit të Çibukëve:
-Beqarit të vonuar po i rroit truri.
Thashethemnajën e platiti zemërimi im. Qëllimisht nuk u shfaqa në rrugët e fshatit edhe kur dëbora e parë i bllokoi ato. Ndryshe nga dimrat e tjerë, as teto Dabucka nuk më nxiti të trokisja në portat e pleqve për të ditur cili ishte gdhirë i gjallë dhe kush i vdekur. U hyri frika të gjithëve kur, tre porta më poshtë nga ajo e Simo Bajenit, qysh prej katër ditësh, dergjej e vdekur, pranë vatrës, plaka e Çibukëve; askush nuk e dinte këtë gjë. E morëm vesh kur Simo Babjeni çau përtin me çizma kanadeze dhe trokiti në portën tonë.
-Iku edhe Çibukja – tha – Shpëtoi fshati nga goja e saj shafrane.
-S’më vjen hiç keq që vdiq – tha edhe teto Dabucka – Të kujtohet Simo – e pyeti ajo - Çibukja na përgojoi mua dhe ty kur ishim të rinj. Për gojën e saj shafrane, të mbetet pa u mbuluar – tha teto Dabucka me inat, por Simo Babjeni m’u lut disa herë dhe këmbënguli që unë të përvishja mëngët dhe të hapja varrin e saj. Më premtoi se do të më falte një lopatë, nga ato të ushtrisë, si dhe një palë çizme të reja, të verdha.
-Edhe një shishe litërshe me raki perle – shtoi pasi nuhati stepjen time.
-Gojëshafranë a gojëmjaltë, komunistë a, kapitalistë, spiunë të Enverit a, mafiozë të Evropës qfshin, nuk do t’i lemë pa varrosur bashkëshatarët tanë - tha Simo Babjeni dhe u mbush fort me frymë. - Përndryshe – e ngriti zërin dhe përdrodhi syrin e pushkës – i vura dinamitin dhe Çibuken ta mbulojnë gurët e shtëpisë të saj.

POEZIA DHE PROZA E MITRUSH KUTELIT (DHIMITËR PASKOS)

Mitrush Kuteli(Dhimitër Pasko) sot ka vendin në letërsinë shqiptare, sigurisht jo në atë vend që ia caktuen historiografët në vëllimet e kritikës e të periodizimit të letërsisë sonë.

Diçka e tillë arsyetohet me faktin sepse Kuteli na paraqet si letrar një njeri kulture si vetje fort komplekse.

si i tillë, nuk i përket plotësisht apo mbetet mik triditësh, vetëm për kalim, kudo të vendoset mbrenda kllapëve të izmave.





Më di a nuk më di



Më di a nuk më di se qaj,
më di a nuk më di se vuaj
në orët e thella të natës,
kur ngrihem i çmëndur të shkruaj
me gjakun e zemrës të shkruaj.

Më di a nuk më di se agimet
më gjejnë pa gjumë në shtrat,
me shpirt të shkretuar nga dhembja,
e dhimbshëm i pres perëndimet,
me ankth i pres perëndimet.

Më di a nuk më di se sot
u drodha kur pashë pranverën, (vjeshtën)
që zbriste me flladet e prillit (tetorit),
e ëmbël siç ishte qëmot,
e hidhur siç ishte qëmot.

Më di a nuk më di se vuaj
në orët e thella të natës,
ku ndjehem nga jeta i huaj,
nga vëndi i lemjes i huaj.

Më di a nuk më di….




Mitrush Kuteli është pseudonimi i Dhimitër Paskos, i njërit prej prozatorëve më të shquar të letërsisë sonë, ushqyer që në fëmijëri me legjendat dhe baladat e Jugut, sidomos me ato të malësisë së Pogradecit, qytetit të lindjes së tij. Duke njohur thellë edhe letërsinë botërore, ai arriti të krijojë një prozë realiste origjinale, të fuqishme, me një fantazi të jashtëzakonshme.
Mësimet e mesme i kreu në Selanik, kuse të lartat në Bukuresht, ku më 1934 mori titullin "Doktor i shkencave ekonomike". Më 1942 u kthye në atdhe, ku punoi në fillim si ekonomist dhe më vonë e derisa vdiq, më 4 maj 1967, si përkthyes.




Vepra letrare të tij janë vëllimet: "Netë shqiptare", "Ago Jakupi", "Kapllan aga i Shaban Shpatës", "Dashuria e berberit Artan", "Shënimet letrare", "Sulm e lotë", "Këngë e britma nga qyteti i djegur", "Mall e brengë", "Havadan më havadan", "Tregime të moçme shqiptare" etj.
Si përkthyes ai pasuroi kulturën shqiptare me Kryevepra të letërsisë botërore si "Kujtimet e një gjahtari" të Turgenjevit, "Tregimet e Petërburgut" dhe "Shpirtra të vdekura" të Gogolit, "Zotërinj Gollovlinovë" të Sllatikov Shçedrinit, vepra të Gorkit, të A.Tolstoit, të Paustovskit poezi të Pablo Nerudës etj.


Dallohen për problematikën e rëndësishme, për tonin e rreptë antifeudal, për dashurinë ndaj atdheut e ndaj njeriut të thjeshtë të popullit, për përbuzjen ndaj gjithçkaje të huaj që vjen të shkatërrojë një traditë të bukur tregimet: "Vjeshta e Xheladin beut", "Hanet e karvanet", "Si u takua Ndoni me Zallorët", "Gjonomadhë e Gjatollinj", "Xha Brahua i Shkumbanares", "Kujtimet e kujtimeve", "Natë muaji Shembiteri", "Natë marsi", "Qetësi para fërtyne" etj.(Flori Bruqi)




Petraq KOLEVICA


Kuteli, shkrimtari që sfidoi diktaturën dhe ringjalli shpresën


Poeti Petraq Kolevica sjell kujtimet e tij për shkrimtarin e madh shqiptar Mitrush Kutelin në ditën e 95 vjetorit të lindjes së tij, trishtime dhe poezi, brengosje dhe përsosmëri profesionale




Me Mitrush Kutelin pata miqësi pothuaj dhjetëvjeçare (vitet 1958-1967). Ai - mjeshtër i njohur, në moshë të pjekur. Unë-një inxhinier i ri që vraponte pas muzave, por që ai, me zemrën e tij të gjerë, gjithmonë më ngrinte e më vinte pranë, në vendin e shokut… Te Mitrushi vija shpesh sepse atje-siç thotë Lumo Skëndo për Naimin- "I varfër vinja, i pasur shkonja, i urët vinja, i nginjët shkonja; pa shpresë vinja, plot shpresë shkonja; me shpirt të sëmurë vinja, kur shkonja ndjenja veten të gjallë e me shpirt".

Po sot, në këtë 13 shtator-nëntëdhjetë e pesëvjetorin e lindjes së tij- ç'të them më tepër nga sa kam thënë më parë e nga sa kanë thënë më shumë të tjerët? Megjithatë, për të mëdhenjtë, gjithmonë ka diçka për të treguar: Në ato nja njëzet vjet jetë që kaloi nën diktaturën komuniste në Shqipëri, Mitrush Kuteli u mor (nga halli, jo nga malli) kryesisht me përkthime, prandaj dua të them diçka më shumë mbi ndihmesën e tij në këtë fushë.



Përkthyesi

Që në maj 1939, është i pari që ia bëri të njohur lexuesit shqiptar poetin e madh kombëtar të Rumanisë, Mihail Emineskun, duke botuar librin me 24 poezi të përkthyera prej tij sëbashku me një përshkrim të krijimtarisë dhe biografisë së poetit ku ka guximin të mbrojë idenë, deri diku të argumentuar, mbi prejardhjen shqiptare të kolosit rumun, prej të cilit, poezinë e parë e kishte përkthyer e botuar që në moshën njëzet e dy vjeçare.

Katër vjet më vonë, përmes flakës së Luftës së Dytë Botërore dhe përvojës së vet të hidhur në atë luftë, është i pari që ia bëri të njohur lexuesit shqiptar të madhin poet të Ukrahinës, Taras Shevçenko. Të kësaj kohe janë dhe vërejtet e tij të çmuara mbi saktësinë apo vlerat e përkthimeve si dhe mbi pastërtinë e gjuhës shqipe. Nga këto fjalë të thëna prej tij na ndajnë gjashtëdhjetë vjet, por më duket se sot janë edhe më të vlefshme. Dëgjojini:
"Duhet të themi se ne na duhen shqipërime, jo përkthime fjalë për fjalë. Ata që kanë dëshirë për të pasuruar shqipen me kryeveprat e letraturës së përbotëshme, lipset të zgjedhën rrugën e parë dhe jo të dytën".

- (Në përkthimet) kemi penda varfanjake e sidomos kaleme anonimë që nuk njohën ligjet e shqipes edhe, shumë herë, as gjuhën nga e cila mburon vepra. Shumë përkthime, ku shqipja ka dalë e therrur me gisht".
- "Dhe do t'u lutesha atyre që bëjnë ligje, të shtojnë një paragraf të ri në Kodin Penal për ndëshkimin e gjith atyre, të cilët, me që kanë një makinë shkrimi e një përkthim greqisht ose italisht të bërë pas një teksti frëngjisht, tallen me shqipen e me lëçitësin shqiptar".

- "Shtypi ka një mision të rëndë dhe një përgjegjësi në raport me këtë mision. Për ndryshe shtypi, editori, bëhet përgjegjës krah për krah me përkthenjësin, si shkatëronjës të gjuhës".

Mbi këto parime të qarta e të shëndosha e pati bazuar, qysh herët e deri në fund, punën e vet si përkthyes dhe me gjithë sa nxori nga dora, na dha shembuj të paarritshëm përkushtimi e cilësie të lartë. Kjo është krejt e natyrshme, sepse ai që e ka treguar veten me vepra origjinale të klasës së parë, nuk e ndyn dot dorën të bëjë përkthime të këqija. Këtu ka dhe diçka të veçantë.


Siç dihet, në të gjithë "kampin e socializmit" të atëhershëm, kur pllakosën akullnajat e diktaturës komuniste, disa shkrimtarë të talentuar nuk bënë pakt me djallin, po gjetën strehë te përkthimet dhe shkrimet për fëmijë. Kështu p.sh. në Rusi, Samuel Marshaku përktheu Robert Bërs-in e shkrimtarë të tjerë dhe bëri shkrime të këndshme për fëmijë. Valeri Brjusovi përktheu poezinë klasike armene. Boris Pasternaku, ndërsa punonte fshehtas Zhivagon e tij, përkthente pjesën e dytë, aq të vështirë, të Faustit të J.V. Gëte - dhe pjesë nga Shekspiri.
Dhe tek ne, shkrimtarët që kishin pasur vepra origjinale para luftës dhe kishin bërë emër, pasi shpëtuan gjallë nga tajfuni Xoxe, gjetën strehë gjithashtu te përkthimet dhe shkrimet për fëmijë. Lasgushi bëri punën kolosale të përkthimit të "Eugjen Oniegin-it" dhe të gjithë atyre poezive nga Hajne, Gëte, Mickieviç, Bërn etj. Mitrush Kuteli bëri përkthimet për të cilat do të flasim më poshtë. Këtu dua të vë në dukje diçka të rëndësishme që tregon se sa më e ashpër ka qenë diktatura tek ne dhe se sa më e egër ishte cmira, ambicja, madje, ligësia e kolegëve.
Në Rusi, d.m.th. në ish Bashkimin Sovjetik, V. Brjusovi, S. Marshaku dhe B. Pasternaku morën çmimet më të larta të asaj kohe në vendin e tyre për ato përkthime që bënë.

Tek ne, për asnjërin prej atij brezi të shquar përkthyesish të cilët ishin shtyllat e vetme që mbajtën më këmbë kulturën shqiptare, nuk u dha asnjë çmim. As atëhere për së gjalli, as sot, pas vdekjes. Mitrush Kuteli i dalë pas dy vjet burgimi të rëndë, i papranuar, madje i dëbuar, si ekonomist, i sharë, i përbuzur e i përtallur si shkrimtar, me se ta nxirrte bukën e gojës, për vete e për ata që kishte mbi kurriz, ky njohës i disa gjuhëve të huaja?

S'mbetej veçse fusha e gjerë e përkthimeve!

Dhe Mitrush Kuteli, me kularin e rëndë të normës së atëhershme, për pesëmbëdhjetë vjet me radhë (1952-1967) lëvroi e branisi çjornozjomin e pafundmë të përkthimeve. Nga rusishtja përktheu mbi njëzet vëllime, nga rumanishtja (katër a pesë) vëllime, përktheu disa vëllime me prozë turke, kineze, persiane, arabe, mongole, polake, mblodhi e përktheu përralla të popujve të ndryshëm si dhe poezi të Elyarit dhe P. Nerudës (vëllimi "Zgjohu druvar"). Të gjitha këto bëjnë mbi shtatë mijë faqe librash të shtypura me gërma të vogla.

Nuk duhet të harrojmë ama, se gjatë kësaj kohe, ai bëri dhe libra me shkrime origjinale të pranueshme për atë kohë si p.sh. "Pylli i gështenjave", "Xinxifilloja", "Tregime të moçme shqiptare" dhe "Në një cep të Ilirisë së poshtme" dhe poemën e pabotuar "Rrjedhin lumenjtë" që sëbashku bëjnë më shumë se njëmijë faqe. Gjithkush e kupton nga këto pak shifra të thata, se çfarë pune të rëndë ka bërë ai njeri aq i sëmurë!
Për cilësinë e lartë të përkthimeve të Mitrush Kutelit kanë folur e flasin me admirim të gjithë, veçanërisht për përkthimin e librit "Frymë të vdekura" (apo shpirtra të vdekur) të N. Gogolit, po ndonjë studim i mirëfilltë ende nuk është bërë. Kultura shqiptare këtu ka një borxh siç ka dhe për mosbërjen e një studimi mbi vlerësimin apo rëndësinë e shtatëmbëdhjetë librave e broshurave me shkrime ekonomike të Dhimitri Paskos-ekonomist. Kushedi, ndoshta dëgjon dikush nga Fakulteti i Shkencave Ekonomike të U.T.

Dhimitër Pasko (Mitrush Kuteli) ishte ekonomist i shquar, përkthyes i rrallë, por mbi të gjitha, ai do të mbetet si shkrimtar shqiptar, në një nga vendet e krejit e të nderit të letërsisë shqipe, mjeshtër i veçantë i prozës dhe i fjalës shqipe.

Mitrushit, për atë frymëzim të pashoq me shpirt thellësisht shqiptar të shkrimeve të tia, mund të themi se i kishte hije, si askujt tjetër ndër shkrimtarët tanë, të përsëriste fjalët e francezit të madh Pierre-Jan Beranger:
"Le peuple c'est ma muse" (Populli është muza ime).

Dhe sepse populli ka qenë muza e tij, ai lexohet e do të lexohet me ëndje nga njerëz të thjeshtë, nga intelektualë të lartë si dhe nga shkencëtarë të ftohtë dhe për të gjithë do të jetë një minierë e begatë.

I burgosuri
Eshtë shkruar për disa prej atyre burrave shqiptarë, njerëz të shquar të kulturës që u burgosën, u internuan apo u pushkatuan gjatë kohës së diktaturës komuniste në Shqipëri. Mjaft prej atyre burrave patën gra që të heshtura i ndoqën pas, i mbajtën gjallë, vojtën bashkë me ta dhe ashtu, të papërkrahura, madje të shara e të përbuzura, me burrat në burg, të internuar apo të pushkatuar, dijtën të rritin e të edukojnë fëmijë për Shqipërinë e së nesërmes dhe nëse rënkuan e derdhën lot, nuk i dëgjoi e nuk i pa njeri. Të tilla s'kanë qenë pak, por për to më duket se s'është shkruar aspak. Unë di të flas diçka vetëm për disa.

Di një grua të nderuar nga Korça që me dy vajza ende të parritura mirë, shkonte të shihte burrin e saj të pafajshëm të mbyllur në burgun e Burrelit. Dhe ishte shqiptar ai që i pështyu atje tek prisnin, kur mori vesh se ishin gruaja dhe vajzat e një të burgosuri.

Ishte shqiptar dhe ai që donte t'i zbriste nga makina e t'i linte në mes të katër udhëve ato qënie të pambrojtura, po atë grua të pafjalë s'e ndalonte dot kush të kryente detyrën e bashkëshortes së denjë. Dij dhe gruan e një shkrimtari që në fillim të vitit 1991, e kthyer drejt e nga internimi, ngjitej në shkallët e zyrave të atëhershme të gazetës RD. Jo! Atë fytyrë gruaje shqiptare nuk do ta harroj kurrë! S'besoj të ketë në botë fytyrë gruaje të racës së bardhë me aq shumë vija të thella, vraga, rrudha, zhubra. Shenja sa të shëmtuara aq të dhimbshme këto të vojtjeve të saj të patreguara.





 Kam njohur dhe një grua të moshuar, ndjesë pastë, e shquar fort për bukuri femërore të rrallë në të ri të saj, e cila u pat dashuruar e martuar me një shkrimtar të ri të talentuar që e burgosën dhe kur e liruan, s'e lanë të bëhej më shumë sesa bojaxhi i komunales, po ajo nuse e re e më vonë grua, nuk iu nda kurrë burrit të vet, rroi e voi bashkë me të zezat e asaj kohe që nuk do të mjaftonin as të njëmijë e një netët për t'i treguar. Nga kjo trumbë fisnike grash të heshtura, të pafjala, të vojtura e të palodhura është edhe Efterpi Skendi (Pasko) bashkëshortja e denjë e shkrimtarit Dhimitri Pasko (Mitrush Kuteli). Ajo rrjedh nga një familje e vjetër dhe e njohur në Korçë për sjellje, miqësi e ndershmëri të papërfolur. Në vitet tridhjetë të shekullit të kaluar, mbaroi shkollën e atëhershme "qytetse" që i përgatiste vajzat me arsim dhe mjeshtëri shtëpiake për t'i bërë të ishin të afta si bashkëshorte të denja, zonja shtëpie dhe nëna të shkolluara që do të rrisnin fëmijë të edukuar. Me Dhimitri Paskon u martua më 1946. Mesa duket, ata ishin bërë për njëri tjetrin, sepse kanë lindur në të njëjtën ditë të vitit, më 13 shtator. Sivjet, 95 vjetori i lindjes së Dhimitër Paskos (Mitrush Kutelit) përputhet me 81 vjetorin e gruas së tij të nderuar, Zonjës Efterpi, së cilës, me këtë rast i urojmë jetë të gjatë e të gëzuar së bashku me fëmijët, nipërit e mbesat e saj.
Pas martese ne kampin e Maliqit

Thamë se u martuan më 1946, por gati plot pas një viti martese (16 maj 1947) Mitrush Kutelin e burgosën dhe e dërguan në kampin shfarosës të Vloçishtit (në Maliq) ku, gjithashtu, vuante dënimin e kotë si "tregtar i pasur" babai i saj dhe vëllai, zoti Foqi Skendi, i cili më ka treguar: "Kur e sollën Mitrushin, e mbyllën në një kotec derri. Ai kamp ishte lemeri. Në mëngjes-vetëm një si çaj-bukë, si baltë-vetëm një herë në ditë, më drekë. Në punë na detyronin të shkonim duke rendur. Rendnim zbathur nëpër baltrat, përmbi gjunjë e gjer në mes. Poshtë na pinin ushujzat, sipër na grinin mushkonjat. Dizanteria bënte kredinë. Kur ktheheshim nga puna, në mbrëmje, ecnim me këmbë e duar si bagëtia, sepse nuk qëndronim dot më këmbë nga lodhja. Një tregtar nga Korça, Koci Misrasi, nuk duronte dot më dhe vari veten. Alfred Ashikun e rrahën për vdekje se hëngri një panxhar që e gjeti aty, nëpër baltrat. Një tjetër, Niko Kirkën, e lanë të lidhur me tel me gjemba te një shtyllë përkundrejt diellit. Atje e lanë si Krishtin në kryq dy ditë e dy net dhe ne, nja 1500 të burgosur, na detyruan të shkonim pranë tij e ta pështynim. Ky qe kampi i Maliqit".

Nëpër këtë ferr kaloi dhe Mitrush Kuteli. Duke parë gjendjen e tij të pashpresë në burg e në kamp, i shkruante së shoqes:

Kaq afër jemi, por kaqë larg,
Të lutem mos më prit
Na ndajnë terre rreth e qark
Dhe yll për mua s'ndrit.


Përse ta lidhësh fatin tënd

Me një pafat si unë,
Kur di se emri im u shemb
Me dhunë e përdhunë?


Pra hidhe hapin guximtar

Ndaj jetës së gëzuar
Dhe më harro këtu, në varr,
Të vdekur pa mbuluar.

Po zonja Efterpi që kishte themele të shëndosha morale personale e fisnore, prej asaj klithme dëshpërimi të burrit të vet u forcua edhe më tepër dhe për dy vjet rrjesht e ndoqi atë burg më burg deri sa u lirua në prill 1949.

Pas kësaj filloi koha e një farë shkrehje mbas terrorit gjakatar të viteve të para të pasluftës dhe filloi hareja e miqësisë me Bashkimin Sovjetik.
Atëhere duheshin përkthyes nga rusishtja dhe Mitrushi, i dalë gjallë nga burgu, mundi të gjejë punë si përkthyes nga kjo gjuhë për artikujt propagandistikë të gazetave sovjetike që i duheshin ti botonte shtypi shtetëror shqiptar.
Që nga viti 1952 filloi të punonte si përkthyes në shtëpinë Botuese "Naim Frashëri", por erdhi viti 1956. Kishin filluar lëvizjet në disa "Demokraci Popullore" të Kampit Socialist. Emri i Mitrush Kutelit ende figuronte si "Armik i popullit" nëpër listat e vjetra të sigurimit, prandaj që të garantohej qetësia e kryeqytetit, duhej larguar familjarisht nga Tirana në bazë të ligjit hipokrit të "Urbanizmit". Se ç'hoqën atëhere ata të dy, ma ka treguar zonja Efterpi:
"Sa më kujtohet, ka qenë muaji mars, kur na erdhi një polic me një shkresë e na tha:"Ju ka dalë urbanizmi!" Kështu u thuhej atëhere atyre që dëboheshin nga qyteti. Ne na thanë se do të shkonim në Kavajë, po se ku do të rrinim, nuk ta caktonin. Pasaportat dhe atë që quhej "Libri i shtëpisë" na i damkosën me vulën A.P. d.m.th. armik i popullit. Dhimitri nuk u tremb. Do të shkojmë, tha. Nuk vete t'i lutem njeriu. Ku do të shkojmë more burrë?- thashë. Kemi tre fëmijë, ku do t'i mbysim në Kavajë? Thuamë ku duhet vajtur dhe vete unë.

Bëmë lutje në   në Ministrinë e Brendshme, po s'na kthente askush përgjigje. Ne prisnim me ankth. Kur ngrysej thosha: Shyqyr që u bë natë dhe sa fillonte të bëhej ditë, thosha: Bobo, si do të jetë kjo ditë, sepse polici vinte e na kërcënonte: Kur do të shkoni. Një ditë na tha se do të vinin të na merrnin me kamion.

U ngritëm që në ora tre të mëngjesit, ishte ende natë, shkuam me gjithë fëmijë në shtëpinë e babait tim. Gjatë ditës i vinim rrotull shtëpisë dhe e shihnim nga larg ç'bëhej…"


Tregimi është i gjatë, po dhe kaq mjafton për t'u kuptuar disi vojtjet e asaj kohe. Nejse. Le të themi se filloi jeta "normale". Mitrush Kuteli punonte si përkthyes në Shtëpinë Botuese, bashkë me atë trumbë përkthyesish të shquar që Lasgushi i quante me dhimbje "Hamenjtë e përkthimeve". Me punën e lodhshme të përkthyesit, për shtatëmbëdhjetë vjet me rradhë, Mitrush Kuteli nxorri bukën e fëmijëve, por përkrah gjithmonë i qëndronte Efterpi.



Deri sa u rritën vajzat ajo, e vetme, lante, pastronte, fshinte dhe e kishte shtëpinë dritë. Këtë shtëpi-thoshte shpesh Mitrushi-e mban Efterpi me thonj. Në atë kuzhinën e tyre të vogël e kam parë vetë sesi Efterpi, nga vendi pranë makinës, ku qepte gjithçka që i duhej shtëpisë e fëmijëve, ndiqte me vëmendje gjellën që ziente përmbi sobë. Kur mbaronte me këto dy punë, kthente karriken nga tryeza, ku ishte makina e shkrimit dhe ia niste daktilografimet e përkthimeve të përgatitura nga Mitrushi, në mënyrë që edhe ajo të nxirrte ndonjë lekë më shumë për ato shtatë gojë të asaj familje. Pas vdekjes së parakohëshme të Mitrushit ajo punoi për disa vjet si daktilografiste për të nxjerrë bukën e fëmijëve ende të parritur.
Përkujtimi

Të gjithë sot e përkujtojnë me admirim U. Shekspirin, po s'ka qenë gjithnjë kështu. Kur ai dilte nga theatri "Globus" vështirë se gjendej njeri të hiqte kapelen për ta nderuar. Dhe po kështu për shumë kohë… Ishte Victor Hugo ai që tha: "U. Shekspiri nuk ka nevojë për monument. Anglia ka nevojë për monumentin e tij!".
Ne, sot, përkujtojmë nëntëdhjetë e pesë vjetorin e lindjes të Mitrush Kutelit. Shumë shpejt, pas pesë vjetësh, vjen njëqindvjetori. Nëse Shqipëria ka Ministër të Kulturës dhe njerëz të kulturës, po kështu dhe Kosova, me gjithë hallet e saj, duhet të çelin konkursin për bërjen e monumentit të Mitrush Kutelit në mënyrë që të përurohet në atë njëqindvjetor të ardhshëm.




 Duke marrë shkas nga fjalët e të madhit Victor Hygo themi: Mitrush Kuteli nuk ka nevojë për monument. Shqipëria, Kosova dhe ca më shumë Pogradeci, kanë nevojë për monumentin e tij. Nëse të gjithë do të bëjnë veshin e shurdhër, atje u qoftë!

Mitrushi do të jetë këtu, në Tiranë, do të ecë rrugëve nëpër shi e do të këndojë:

O, sa çudi,
Të duash të mos jesh njeri
Dhe gurëve t'u kesh zili
Se gurët s'vuajn'kur bie shi
Përmbi Tiranë.

Do të jetë në Pogradec, në atë trollin e djegur të shtëpisë, duke ngritur potirin e lavdisë përplot me atë lëngun e sertë të fshatit që e pi rakinë.

Izedin Jashar Kutrulia do të jetë përherë në Prizren e gjithandej në Kosovë, në mes të gjallëve e të vdekurve.


ABC-JA E KRESHNIKEVE


A

- E njeh Zenelin?
- Jo, nuk e njoh!
- U bë për të vrarë. E do ta vras!
- Si e qysh?
- Dje më shkeli hijen!
- Hijen tënde?
- Timen! Ecja rrugës, në diell, kur më arriti Zeneli. Hija ime ishte aty poshtë. Ish e gjatë, sepse dielli perëndonte. E priste më dysh rrugën. Zeneli më dha tungjatjetën edhe ma shkeli hijen. Ç'të bëj?
- Vraje!
- E vrava.
- Aferim!
Pas pakëz, duke pirë duhan.
- Fëmijë ka Zeneli?
- Ka po janë të vegjël.
- Vraji!
- T'i vras?
- Vraji se do rriten. Më mirë tani sesa më vonë.
- Mirë thua; ke të drejtë. Do t'i vras! Do t'i shuaj! I ati më shkeli hijen. Kjo s'është pak!

B

- Dëgjove gjë?
- Jo.
- E vranë Todrin.
- Ku?
- Në mes të tregut.
- Kishte faj?
- Tani s'ka faj se është i vdekur, po atëherë kish.
- Si e qysh?
- Todri po shikonte një dru telefoni. Ish pak si i vrenjtur se s'kish me se të blinte bukë. Iu afrua një burrë me mustaqe, trim me fletë si çdo burrë me mustaqe, edhe i tha: - Bre qen!
- E njihte burri me mustaqe Todrin?
- Jo nuk e njihte. Por e vërteta: burri me mustaqe kish të drejtë. Bre qen! - i tha trimi me mustaqe: Bile i tha: Bre qen i qenit! Pse vështron me inat drunë e telefonit?
- Më fal, se të pres fjalën: druri i telefonit mos ish i trimit me mustaqe?
- Jo. Druri mund të ish i kujt të ish. A mund të mos ish asfare, mall pa zot si është malli i shtetit. Po sidoqoftë Todri e vështronte me inat drunë e telefonit.
- Ndofta sepse kish barkun bosh...
- Punë e tij. Bre qen, tha trimi, bre qen i qenit! Pse, bre, vështron me inat drunë e telefonit? Todri desh t'i përgjigjet, po trimi nuk e la: nxori koburen edhe e vrau. - Na, i tha, të të mësoj unë të shikosh me inat drunë e telefonit!
- Kish të drejtë trimi.
- Doemos, se po të mos kish nuk e vriste.

C


- S'po e shoh prej disa ditësh Zefin.
- As e ke për të parë, Zefin e vranë.
- Pse? Kush?
- Fajin e kish Zefi.
- Fol!
- Nipi i të kunatit të vëllait të Zefit...
- Nuk mora vesh. Edhe një herë, të lutem.
- A ka një vëlla Zefi?
- Ka.
- Edhe ky a ka një kunat?
- Ka.
- Edhe kunati a ka një nip?
- Ka.
- Pra, nipi i të kunatit të vëllait të Zefit kish rënë në gjak me një shtëpi kreshnike kombëtare.
- Vetë nipi?
- Jo, shtëpia. Punë e vjetër, gjysh-stërgjysh, po ti e di se gjaku s'falet.
- Jo! Po të falet, humb burrnia, ndera e trimnia.
- Po, pra... E meqë shtëpia e të nipit të kunatit të vëllait të Zefit ish në gjak, erdhën edhe e vranë Zefin, sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit, (ndjesë pastë!).
- Në e vranë sipas Kanunit, bënë mirë. Iu rrittë ndera e trimnia e burrnia hasmit të shtëpisë të të nipit të kunatit të vëllait të Zefit. Më vjen keq për Zefin, se ish njeri me kulturë - pesë vjet në Torino, poet e shkrimtar... - po në qenka punë gjaku, shumë mirë që u vra! Duhet ruajtur ndera, trimnia e besnia e kreshnikia e fisit të racës arbënore. Duhet ruajtur përgjithmonë Kanuni i Lekë Dukagjinit (ndjesë pastë!) sidomos për punë ndere, trimnie, kreshnikie, besnikie. Pse ndryshe kombi i racës kombëtare ilire edhe pellazge kreshnike arbënore asht në rrezik me hupë. Dhe që të ketë qetësi të plotë Shkëlqesia e Tij Lekë Dukagjini që na la Kanunin, duhet medoemos t'i digjet shtëpia Zefit edhe t'i priten drurët e kopshtit kombëtar.
- Eja të pimë nga dy-tri gota për shëndet të Lekë Dukagjinit (i rrofshin çunat!) e për nderën, trimninë, besnikinë e kreshnikinë mijëvjeçare që na nderon truallin tonë kombëtar e fisnik.
- Eja të pimë po koburet t'ia dorëzojmë një miku, se kam frikë mos të shkel hijen, o mos shoh me inat ndonjë dru telefoni...


Ç


- Ore, thonë se ti e vrave Selmanë...
- Unë, jo!
- Po kush?
- Dyfeku im!
- Ky që ke në krahë?
- Ja, ky! Pse s'ta mbush synë?!
- Si jo. Dyfek të këtillë s'kam parë as në Turqi.
- E ke mirë. Dyfek si të turkut s'ka në botë, se turku i punon me merak. Po ky imi është veç botës. Pandeha se s'të pëlqen...
- Si u bë puna e Selmanit?
- I qe shkrojtur ta vras unë, nga e shkrojtura nuk shpëton dot.
- E ke hak. Që kur e polli e ëma, iu shkrojt në qitap: këtë çun do ta vras Ymeri me një dyfek turku. Po aman më thuaj si erdhi puna që e vrave?
- Me një të shtënë e lashë thes. Erdhën edhe e ngritën në tabut.
- Ti ku ishe?
- Prapa ferrës.
- Ai?
- Shkonte rrugës.
- Bukuri! Si trimat e vrave. Edhe ai bëri mirë që ra si thes. Të lumtë dora ty edhe dyfekut i lumtë çarku!
Ymeri qeshi se iu kujtua thesi. Selmani ra menjëherë si një thes me misër pa pasur kohë t'i thotë: faleminderit se më vrave - si e do burrnia, kreshnikia e besa shqiptare. Po Ymeri zemërgjerë e shpirtluan, ia fali këtë të metë.
- Shkaku i vrasjes?
Fajtor ka qenë Selmani! Sepse Selmani ka një nip nga ana e mbesës. Nipi i mbesës së Selmanit ka një qen edhe ky qen qopek i ka lehur një herë mikut të të nipit të së mbesës së Ymerit. Miku iu qa të nipit, nipi iu qa mbesës, mbesa iu qa Ymerit edhe Ymeri mori dyfekun dhe e vrau Selmanë...

D


Rrinte Suli me Sulën në hijen e një lisi kombëtar edhe përkëdhelnin dyfeqet kreshnike me nga një leckë vaj. Këtë e bënin për të kaluar kohën e për të shprehur dashurinë kreshnike për armët kreshnike.
Dhe që të dy, si trima kombëtarë, e kishin ngjeshur mesin me kollanë e gjoksin me rripa. Kollanët ishin mbushur me paketa fishekë edhe varur kishin bomba të kuqe.
Të tjerë fishekë e bomba kombëtare kishin nëpër xhepat kreshnikë.
I foli Sula Sulës:
- Ore, ti e ke të papërdorur dyfekun e as që di në shpon.
- Kam zbrazur njëzet paketa. Qe kalamidhet!
- Ke zbrazur në bosh, jo në plot...
- Qysh në bosh? I kam rënë një zogu majë një lisi edhe e kam rrëzuar, i kam rënë një lepuri, i kam rënë një thiu të egër...
- Të thashë se ti ke zbrazur bosh, më havadan. Ti s'hyn në radhën e burrave. Hajt!
- ...
- Ore, a ke zbrazur më njeri? Se atëhere i thonë plot. Je goxha burrë, e s'ke vrarë njeri!
- Jo, njeri kurrë! Kur të më bjerë hasmi në pusi, do t'ia shkrep.
- Prit gomar të mbijë bar!
Fluturoi një zog kombëtar nga lisi kombëtar edhe hija e tij kreshnike shqiti për një grimë në truallin e fisit arbënor, ku ujku nuk e ha ujkun, po arbri e ha arbrin, si urdhëron Kanuni i Lekë Dukagjinit (ndjesë pastë!).
I foli Sula Sulit:
- Po ti sa herë e ke përdorur pushkën?
- Dy! Një herë i rashë Zeqos edhe e lashë kapicë, në lëmë. Gjysmë herë kur plagosa Zyferë e gjysmë herë Stavron. Këto të dyja bëjnë një. E një e para: dy!
U duk larg një si pikë e zezë që lëvizte në rrugë. I foli Sula Sulës:
- Ja, shikon tutje, po vjen një njeri! Bjeri!
- S'di cili është...
- Çudi e madhe! As ai nuk di cili je ti. Atij i qënka shkrojtur t'i biesh ti me dyfek të ri. I erdh exheli. Apo s'ta mban?
- I bie po mos merret vesh...
- S'ka si merret vesh. Unë s'rrëfej!
- Me besa-besë?
- Me besa-besë e për kokën e dyfekut.
- Atëherë t'i bie?
- Bjeri!
Në këtë kohë pika që lëvizte në rrugë ish madhuar se e shtynte exheli drejt pushkës kreshnike kombëtare.
Sula ish i përulur prej Sulit se kish shtënë vetëm bosh. Turp i madh për një trim kombëtar e për një pushkë kreshnike të lyer me vaj!
U shtri barkazi në mezhdë, i fjeti synë pushkës edhe i hoqi këmbëzën.
Edhe pika lëvizëse nuk lëvizi më...
Edhe Sula puthi çarkun e dyfekut kreshnik për provën e naltë...
... Qanë e vajtuan në shtëpi. Shkulën flokët nëna e motrat e të vrarit. U kanos vëllai të marrë gjakun nga hasmi i vjetër i shtëpisë, po puna është se pushka kreshnike e Sulës nuk mbeti në turp kombëtar.
Edhe Suli e mbajti fjalën e nuk e tradhtoi Sulën...


DH


Vasili me Veselin ishin shokë. Shokë që në vogëli - ngrohur më një diell, lagur më një ujë. Pastaj erdh puna që Veseli vrau Vasilin edhe Vasili vrau Veselin. Që të dy ia dhanë flakë më flakë, si trima të ndjerë që na nderojnë vendin e kombin kombëtar kreshnik.
Puna rrodhi kësilloj:
Vasili me Veselin rrinin në një hije edhe bisedonin. Aty pranë ish lumi. Pranë lumit një plep. Vasili tha:
- Hajde plep, hajde, që të mbolli dora e Krishtit!
Veseli tha:
- E keq, or mik, e mbolli dora e Muhametit!
- E Krishtit!
- E Muhametit!
E filluan si me të qeshur po doli e ngjeshur se sikush gojën e kish të tijën edhe me bukë e ushqente. Po përveç gojës, kishin edhe kobure në brez, si çdo shqiptar i vërtetë.
- Plepin e mbolli Krishti!
- Plepin e mbolli Muhameti!
Pak-pak! koburet kreshnike, flakë më flakë!
E që të dy u vranë!
Njëri për plepin e Krishtit, tjetri për plepin e Muhametit...


E


Selmani vrau Selmanin; Stefani vrau Stefanin; Hasani vrau Kristanin; Mestani vrau Vasilin...
Puna rrodhi kësilloj:
Rrinin që të gjithë edhe vështronin malet e larguar.
I pari i tha të dytit (Selmani Selmanit):
- Mali që përtej është më i lartë se ai tjetri.
- Jo, e ke jangëllësh. Ai tjetri është më i lartë nga ai që përtej.
- Jo, ti e ke keq!
- Jo unë, po ti!
Hynë në valle edhe të tjerë: dy Stefanë, një Hasan, një Mestan, një Kristan, një Vasil, një Halil...
Si trima që ishin, e bënë fora edhe u vranë trimërisht në shesh të burrave. U ngritën pastaj edhe farefisi edhe i dogjën shtëpinë njëri-tjetrit.

Dhe malet mbetën si ishin: male...
(Hiqmet Meçaj)

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...